QYTETARË PA SHQISA

Lexova se këto ditë paska pasur një protestë në Tiranë, në solidaritet me protestuesit turq të sheshit Taksim dhe kundër administratës së Erdoganit – lajm që më erdhi krahas me një tjetër, ku flitej për manifestime, sërish në Tiranë, të solidaritetit me Erdoganin, të organizuara nga Lëvizja Shqipëria e Re.

Koloreto Cukali, sot në “Dita”, i quan protestuesit që u solidarizuan me ata të Taksimit si “revolucionarët e Facebook-ut,” dhe “revolucionarët e tredhur të online-it”; ose njerëz “që e luftojnë diktaturën me statuse”!

Një arsye më tepër pse revoltohet autori, është se nuk ka parë këta të rinj që të organizojnë protesta të ngjashme për xhaminë e re që do të ngrihet në Tiranë, së bashku me dy qendra tregtare, në një park mu në qendër të kryeqytetit.

Pas katedrales ortodokse dhe asaj katolike, tani e kanë radhën myslimanët të okupojnë, me ndërtesën e tyre të kultit e sidomos me simbolin e pranisë së tyre, parkun e tyre të radhës.

Ironike kjo që ka vënë re Cukali: angazhimi i mpleksur me indiferencën, empatia e mpleksur me pandjeshmërinë. Ka të rinj të Tiranës që e gjejnë veten më shumë te kauza e parkut Gezi në Stamboll, ku do të ngrihet gjithashtu një xhami, sesa te kauza e parkut të Namazgjasë në qytetin e tyre.

Budallallëku i njerëzve të Facebook-ut, e quan këtë autori.

Kontradikta fton për debat – dhe nuk mjafton që protestën e solidaritetit me të rinjtë e Taksim-it ta shpërfillim me të shpejtë si snobizëm të nxitur nga lehtësia me të cilën mund të manovrohet në virtualitet.

Debat që mund ta nisim duke pyetur se ku jetojnë pikërisht këta të rinj që nuk e shohin ç’po i bëhet qytetit të tyre; por shohin të njëjtin abuzim, që ia bëjnë të tjerët, një qyteti tjetër gjetiu.

Të jetë fjala për njerëz të gjymtuar nga virtualiteti, që kanë absolutisht nevojë që informacioni t’u vijë i përcjellë nga mediat online, përndryshe nuk e përpunojnë dot? Njerëz pa shqisa, që nuk e perceptojnë se diçka po ndodh, nëse nuk lexojnë për të në Twitter?

Apo kemi të bëjmë, përkundrazi, me njerëz që tashmë e bëjnë jetën e tyre mendore në virtualitet; dhe janë qytetarë në Facebook, por jo në qytetin e tyre?

Është ky një rrezik që e sjell Interneti me vete: iluzioni se mund ta kryesh detyrën tënde si qytetar në linjë; dhe pjesën jashtë linje të jetës t’ia rezervosh privates.

Sa për parkun, ky është hapësirë publike e një lloji tjetër; jo virtuale por reale; nuk mund të mbrohet me një klik të vetëm, as duke “e bërë like”.

Nuk është rastësi as edhe që një nga protestat më domethënëse të kohëve të fundit në Perëndim, Occupy Wall Street, iu shoqërua një parku publik (Zuccotti Park); duke u shndërruar publikja, në këtë rast, në vendbanim të lirisë.

Këta që indinjohen më shumë për një park në Stamboll, sesa për një park në Tiranë, teksa të dy hapësirat rrezikohen për arsye fare të përafërta, e kanë transferuar një pjesë të mirë të qytetarisë së tyre në virtualitet; edhe pse jo të gjithën, sa kohë që protestën e zhvilluan, në fakt, në rrugë, jo në ndonjë dhomë chat-i.

Kontradikta i ka rrënjët, kështu, në këtë fluiditet midis reales dhe virtuales që e ka bërë aktual Interneti, por që përndryshe nuk pajtohet dot lehtë me çfarë ndodh në Tiranë dhe në Shqipëri.

Aq më tepër në mes të një fushate elektorale të cilën njëra palë, PD-ja, e ka fokusuar në ndërtimin e rrugëve, ose të atij rrjeti qarkullimi që do t’i lidhë shqiptarët mes tyre, për t’u dhënë gjallëri dhe shëndet komuniteteve dhe shoqërisë vetë.

Protestuesit e Tiranës kundër prishjes së parkut në Taksim, i përkasin, përkundrazi, një rrjeti tjetër – atij virtual; dhe kështu përftojnë një komunitet që nuk do shumë t’ia dijë, nëse ka një rrugë që bashkon, bie fjala, Tërbunin me Dhëmbelin; dhe nëse kjo rrugë ka apo nuk ka gropa.

U intereson më shumë rruga tjetër, që kalon nga kompjuteri drejt Facebook-ut,  Twitter-it dhe  hapësirave të tjera virtuale, të cilat e dublojnë hapësirën publike tradicionale, duke e zgjeruar në mënyrë eksponenciale.

Nuk mund të them me siguri sa ka të tillë, edhe pse numri i tyre vjen duke u rritur. Në një kryeqytet të lënë pa parqe dhe hapësira publike të përdorshme, siç rrezikon të katandiset Tirana, gjithnjë e më të shumtë do të jenë ata që jetën shpirtërore ose kohën e lirë do ta kalojnë në virtualitet.

Palët e fushatës së tanishme elektorale kërkojnë ta zaptojnë edhe virtualitetin, për ta zbukuruar me flamurkat e tyre dhe premtimet; përshëndetjet dhe mesazhet; familjaritetin dhe dorën e ngrohtë.

Megjithatë, ende nuk di kush, si mund të bëhet për vete qytetaria virtuale, përtej një shprese të vagët për demokraci direkte, e cila çon drejtpërdrejt në tirani.

No Comments

  1. Te mendosh qe protestat ne Stamboll ishin per parkun nuk eshte vetem mosinformim por driteshkurtesi. Per ata qe kane hypur ne vendin e duhur per te pare Stambollin eshte e qarte se protesta eshte shenje e nje kundershtimi ndaj nje mazhoritarizmi demokratik qe e trajton opoziten si jo besnike dhe nje modeli patriarkal te qytetarise qe ben paresore detyrat ndaj te drejtave, kombin perpara individit. Ndaj kur heqim paralele per motivimet respektive le te bejme kujdes qe te mos tregohemi cinike. Nese Koloreto gjen nje kauze ekologjiko qytetare le te dale te protestoje per pushtimin e hapesirave publike ne Tirane edhe gjetke per solidaretet. Dua te shtoj gjithashtu se menyra si shtrohet kjo dikotomija perjashtuese qytetar vs besimtar si dy non overlapping magisteria (bashkesi qe nuk perputhen) me le te kuptoj qe edhe motivet e Koloretos nuk jane kaq ekologjike sa po e shet, perndryshe do ta kishim pare duke protestuar edhe per pushtime te tjera te hapesires publike.

    Eshte interesante kjo qe permend xhaxhai per fluiditetin midis hapesires virtuale dhe asaj publike. Si mund ta masim se sa hapesira virtuale konsiston edhe ne ate publike?! Psh. nese perdorim nje tregues te thjeshte si koha cilesore e shpenzuar ne FB apo blog-je, a mund te konsiderohet kjo ajo qe Kanti quan perdorim publik i arsyes? Ketu i futemi nje debati qe mund te na nxjerre tjeterkund, por thuhet psh. qe nje nga arsyet sesi Reformizmi u mundesua ishte permes teknologjise se shtypit. Ishin pikerisht pamfletet qe nguleshin ne dyert e pijetoreve e lexoheshin publikisht qe krijuan ate momentum qe coi ne protesta anembane Europes se krishtere. Me fjale te tjera ajo cope leter qe lexohej publikisht ishte Facebook-u i shek. 16.

    1. Megjithëse shkrimi më lart nuk synonte të analizonte shkaqet e protestës në Stamboll, unë megjithatë besoj se të njëjtat arsye që motivuan atë protestë atje, mund të vlenin edhe për një protestë në Tiranë, mu te parku ku do të ndërtohet xhamia – jo kundër Islamit, as kundër objekteve të kultit, por kundër dhunimit të hapësirës publike, nga një administratë që nuk arrin dot të komunikojë me qytetarin, përveçse nëpërmjet imponimit dhe faktit të kryer.

      Por kujdes – dhe ju lutem edhe komentuesve të tjerë nëse do të ketë: ky shkrim dhe debati që vijon nuk ka lidhje me fenë, as me Islamin. Disa prej nesh tërhiqen shumë pas temave të tilla, të tjerë janë programuar të aktivizohen vetëm kur këto tema nxjerrin krye; por gjithsesi nuk do të lejoj që debati të kapet peng prej të tretëve. Komentet dhe polemikat për raportet e Cukalit me fenë dhe Islamin është mirë t’i bëjmë atje ku ka shkruar ky autor, jo këtu. Falemnderit.

      1. Nuk ka lidhje me fene as me Islamin? Per sa kohe qe autori i shkrimit – e as aktivistet e tjere qe ka nxjere ne pah projekti i xhamise – nuk ka dale ndonjehere te perballet me pronare lokalesh e firmash ndertimi qe kane zene parqet e hapsirat publike, por ben thirje rezistence ndaj pikerisht ketij projekti ndertimi, atehere Islami eshte ne qender te debatit: bjeri aty ku mban.

  2. Besoj se shkrimin e keni ndertuar mbi nje info jo plotesisht te sakte, megjithese ai ne thelbin e tij qendron plotesisht. Koloreto, per te ngritur disi artificialisht temperaturen ne shkrimin e tij, nis e merret me protestuesit qe solidarizohen me protestuesit e “#occupygezi#”. Mbase dhe Koloreto eshte “viktime” e menyres se si u servir lajmi ne media. Ja njeri nga disa varjantet e ngjashme.
    “Të paktën 4 të rinj janë ndaluar në këto moment nga Policia e Tiranës teksa ishin duke protestuar në mbështetje të protestuesve në Turqi. Bashkë me rreth 30 të rinj të tjerë, ata ndodheshin në sheshin Nënë Tereza për t’u solidarizuar me drejtësinë e protestave në Turqi në momentin kur një lëvizje e re politike, e lidhur me universitetin Vitrina po zhvillonte një tjetër tubim, por në mbështetje të Erdoganit.” http://www.peshkupauje.com/2013/06/policia-na-terhoqi-zvarre-u-perplaste-kokat
    Ne fakt lajmi i sakte do te ishte se nje parti e re e lidhur me universitetin “Vitrina” kishte nje jave qe shperndante fletushka rrugeve si dhe percillte mesazhe publike solidariteti nga artopalantet e mjeteve te saj ndaj “Liderit te Madh Erdogan”. Pas nje jave ne shesh u mblodhen nje mase e konsiderueshme pekrahesish te “Liderit” me flamuj dhe pankarta, dhe paralelisht nje grup paralel protestuesish zhvilluan nje tip antimitingu ose nje proteste spontane solidariteti ndaj protestuesve turq.
    Interesantja eshte se demostrim muskujsh, mitingje paralele pro dhe kunder “Liderit te Madh” nuk u zhvilluan ne truallin origjinal te perplasjes, por paradoksalisht ndodhen simbolikisht mes qyqareve ne Tirane.

  3. Tani, realisht, më duket edhe mua pakëz e vështirë tia pranoj autoritetin akoma dhe sinqeritetin Koloretos në këto tema, të cilat ai i ka trajtuar duke bërë faull dhe më parë.
    Duke nisur që nga titulli i shkrimit që duket të jetë së paku tendencioz.

    Por po mjaftohem duke e vënë në pah sa më lart e le të shkruajmë për kauzën. Anti-mitingu kundër Erdoganit, nuk më duket dhe kauzë aq virtuale sa e bën Koloreto. Shtysa për të ishte ekzibicioni paksa aventuresk i organizuar nga universiteti Vitrina, nga sa mora vesh, dhe përkrahja e hapur ndaj një regjimi autoritar, ashtu si shkruajnë Arlind Qorri dhe Andi Kananaj, është kauzë e mjaftueshme për të replikuar ndaj saj. Tubime solidariteti, ndaj protestuesve të Stambollit, kanë ndodhur edhe në Greqi këto kohë, nga parti të majta, kryesisht Syriza dhe KKE. Sigurisht që kush e njeh kontekstin grek dhe formacionet politike në fjalë, nuk do habitej shumë me këtë ekzibicion, por vlen për tu vënë në pah, dhe si efekt i globalizmit.

    Gjithashtu, protestës në Stamboll, një televizion privat grek, i ka kushtuar një emision me analistë, historianë, deputetë dhe ministra; me një fjalë, ka qënë ngjarje e vështirë për të mos u fokusuar mbi të. Sikur të kisha më shumë kohë në dispozicion, do të bëja një shkrim për emisionin, sepse ishte me interes të shiheshin ngjarjet në Turqi, përmes lenteve të analistëve grekë.

    Më duket gjithsesi – dhe këtë e ka vënë re dhe 2Xh më parë – se shqiptarët duket “luftojnë” për kauza të huaja për ta. Ose të largëta… Kauza virtuale? Po sikur të jetë pamundësia për të luftuar për kauza më reale, të kufizuara prej kontekstit? Duket se ka një efekt pasqyrë, evente, njerëz dhe ngjarje të largëta, shëmbëllehen mbi qytetarët e Tiranës në këtë rast, si reflektim apo parim sokratik të njohjes së vetes. Ngjan me atë filmin, mbi Botërorin e 2006-ës, ku grupe njerëzish, të panjohur me eventin, të largët në vend dhe kohë, solidarizohen instiktivisht me njërën apo tjetrën skuadër, në bazë të karakterit që ka secili.

    Ndërsa kufizimet… prej vetë temës në fjalë, çështja e ndërtimit të xhamisë së re, ka një amalgam e një thurrje interesash, idesh dhe afilacionesh – fetare, kulturore, nivel të ndërgjegjësimit civil, ambjental etj. Është e vështirë që kjo kauzë pikërisht, të shndërrohet në një kauzë civile. Fragmentarizimi shoqëror, e bën të pamundur (pothuajse) solidaritetin civil.

  4. Autor pa shqisa. Protesta nuk ishte thjesht anti-proteste ne solidaritet me protestiesit turq. Ishte proteste kunder rrezikut te shtrirjes se mentalitetit te Erdoganit ne Shqiperi. Rrezik plotesisht i justifikuar nga protesta mbeshtetese e kesaj partie qe ne dukje paraqitet si e blere nga Erdogani apo mbeshtetes te tij. Sot mbeshtesin Erdoganin, neser c’do bejne keta?

    1. Shkruan:

      Ishte proteste kunder rrezikut te shtrirjes se mentalitetit te Erdoganit ne Shqiperi.

      Unë kisha kujtuar, krejt gabimisht, se Erdogani nga kolegu i vet në Tiranë e kish mësuar si t’u përgjigjej protestave të tilla (21 janari).

      Pse të mos flasim, atëherë për rrezik të shrirjes së mentalitetit të Berishës në Turqi? Apo kanë bërë turqit ndonjë protestë për këtë dhe s’e kemi marrë vesh?

  5. Padija informative nuk përbën argument, por gjithsesi shërben për të dhënë argumente dhe për ta shtruar debatin në shtrat më serioz. Si ‘bashkëidiot’ në protestën e djeshme më duhet paraprakisht t’ju njoftoj për arsyet dhe dinamikën e saj. Thirrja vërtet u bë spontanisht përmes facebook-ut (tashmë është harruar edhe cili ishte mirëfilli thirrësi), por arsyet që e çuan shumëkënd aty ishin këto: së pari, një manifestim pro modelit politiko-shoqëror erdoganas, i thirrur nga një parti që kolovitet midis qesharakes dhe paraligjores, me parulla që e quanin Erdoganin mësues dhe baba i madh, nuk mund të na linte indiferentë. Në analizën tonë, qofshim të gabuar dhe mikpresim argumente alternative, erdoganizmi është një model politiko-shoqëror që ngërthen neoliberalizmin agresiv (p.sh. marksisht e kthen çdo vlerë përdorimi ‘të përbashkëtat’ në vlera këmbimi ‘mallra’) me kultin autoritarist të shtetit me baba mbi krye dhe me mbitheksim të vlerave identitare fetare, nacionale etj. Një model i tillë, që në këtë epokë historike përbën paradhomën e fashizmit, propagandohet pa teklif në mes të Tiranës dhe jo vetëm zëlart nga partia në fjalë, por edhe nënzëshëm nga parti më zulmëmëdha. E quajtëm detyrë qytetare të reagonim, madje edhe duke duruar mbi kurrize dhunën policore.
    Së dyti, shumë prej nesh, të lidhur me njëri-tjetrin prej vitesh, me ç’kemi mundur për ç’nuk e kemi ngritur zërin. Kësisoj, pjesëmarrësit në atë protestë nuk ishin dënglaxhinj të zellshëm facebooku, por qytetarë që e kanë provuar sa e sa herë aktivizmin e tyre emancipues, paçka se numri i pjesëmarrësve nuk ka qenë tronditës dhe mbulimi mediatik ka munguar pothuajse krejtësisht. Nuk di a ju kujton gjë lëvizja studentore ‘Universiteti në rrezik’, por shumë prej tyre vjet, për gati gjashtë muaj, kanë organizuar asamble në universitete, protesta në rrugë, përballë Ministrisë së Arsimit, në godinat universitare etj kundër reformave financiare të nisura nga qeveria shqiptare që synonin privatizimin konceptual dhe praktik të sferës universitare (i famshmi model pinoçetian i shpërndarjes së fondeve publike për universitete private). E po këtyre të panjohurve për opinionin e gjerë publik u është dashur të durojnë veshëve lloj-lloj shantazhesh e meskinitetesh brenda dhe jashtë hapësirës universitare. Po ashtu, i njëjti grup ka dy vjet që punon bashkë me punëtorët dhe përfaqësuesit e tyre për të ngritur në publik kauzën punëtore, çka është manifestuar fort si dy vjet më parë gjatë grevës së minatorëve të Bulqizës (kur pothuajse gjithkujt i kujtohet vetëm rreziku i shembjes së piramidës), dhe sivjet me organizimin e manifestimit për 1 Maj, ku pikërisht në prag të fushatës u tentua të përmendej dhe të shtyhej përpara publikisht e kritikisht emri i shuar i punëtorit.
    Kështu që personazhet në fjalë zor se hyjnë në kutiçkën e ‘revolucionarëve të tredhur online’. Prandaj analiza e mëposhtme për krijimin e një shoqërie virtuale që jeton iluzivisht në botën e pacak dhe që brengoset më shumë për Gezin se Namazgjanë nuk shkon, ose të paktën nuk shkon për këtë rast, pavarësisht se mund t’u vinte për shtat sa e sa rasteve dhe grupeve të tjera. Analiza vërtet mund t’i bjerë në kokë një problemi që po haset gjithnjë e më shpesh, por fatkeqësisht kësaj here ia del huq në përmbajtjen informative, që në këtë rast është krejt virtuale, e për pasojë konkretja është ende aq kryeneçe sa ta pafuqizojë vetëkënaqësinë e idesë.
    Tani të vijmë të parku ynë Gezi. E bashkëndajmë brengën për hapësirën publike që në këtë rast po zihet nga një objekt kulti mysliman, e në të tjera nga katolike dhe ortodokse. Pse nuk kemi protestuar ende për këtë? Po jemi thjesht ‘një grusht jezitërish’, që s’i del fryma për t’u marrë me gjithçka. Sidoqoftë, me të marrë vesh se ju ose i mençuri Koloreto do të marrë një nismë për mbrojtjen, qoftë edhe fizikisht të parkut të Namazgjasë, do të jemi të gatshëm t’ju bashkëngjitemi pa hatërmbetje për argumentet që burojnë nga keqinformimi.

  6. Une e shikoj me shume si nje forme komunikimi me boten duke bere cdo problem te tyrin si tonin. Kjo ka kohe qe ndodh ne Shqiperi. Kujtoj gurgulene e terrorizmit islamik ne vitet 2000. Kishte nje alarmim ne shtypin e asaj kohe saqe populli filloi te jetonte me frike. Ne nje gazete kryesore madje u tha se Bin Ladenin e kishin pare ne Elbasan. Ka kryesisht dy pista ku ngrihet ky lloj i cuditshem komunikimi. Ajo e perendimit ndaj lindjes dhe ajo e kozmpolizmit ndaj nacionalizmit ekstrem (qe eshte rrahur shume edhe ne kete blog).

    Nuk po them se keto probleme nuk ekzistojne ne Shqiperi. Por se shqetesimi per to eshte i mbufatur dhe tenton te ndjeke zhvillimet qe zakonisht ngjajne diku tjeter. Ky solidaritet me teper i sherben atyre qe solidarizohen sesa u sherben atij qe e merr solidarizimin. Eshte nje forme e te thenit se ja po ekzistoj edhe une, jam si ty sepse kam te njejtat probleme. Thenies se popullit “jeton bota, jetojme edhe ne” ne kete rast mund t’i shtohet “ka halle bota, kemi edhe ne”.
    Padyshim qe ka shume faktore, sidoqofte mendoj se forca kryesore shtytese ne keto raste eshte ajo identitare.

  7. ku jetojnë pikërisht këta të rinj që nuk e shohin ç’po i bëhet qytetit të tyre; por shohin të njëjtin abuzim, që ia bëjnë të tjerët, një qyteti tjetër gjetiu.

    Une psh. jetoj ne Kanada, mu ne mes te stepes/tajges/prerise kanadeze, dhe kam nje shok libanez. I them per zgjedhjet ne Shqiperi. Me pyet: “Sa paguani per vote juve?”. “50 dollare” i them. Me thote: “ne paguajm $100. Po a sillni njerez nga jashte shtetit qe te votojne?”. “Po” – i them une. “Edhe ne, i sjellim nga Afrika”.

    Keshtu qe per mua njesoj qenkemi. Athere, pse te mos protestoj pro-kunder Hezb-Allahut? Apo kur dihet qe Fetullah Gjyleni eshte i ulur kembe-kryq ne Tirane, bash si ne Stamboll, atehere do pare pak me larg se hunda e Namazgjaja.