Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Art

MËSIME KLASIKE

Hyjnesha e ButrintitSi e perceptojmë artin në përgjithësi e skulpturën klasike në veçanti? Si na e kanë përcjellë shekujt deri në ditët e sotme? A përputhet shija jonë artistike me atë të grekëve apo romakëve të lashtë? Le të marrim rastin e statujave prej mermeri që hijeshojnë sot sheshet, kishat, vendet arkeologjike, ose muzetë e gjithë botës. Për mua bardhësia e tyre është sa e natyrshme aq edhe e paprekshme, sa e thjeshtë aq edhe kuptimplotë.

Pikë së pari duhen përmendur dy fakte. I pari lidhet me mbijetesën e statujave të mermerit nga thellësitë e lashtësisë. Sot shohim më shumë skulptura në mermer e gur, se sa skulptura në bronx për arsyen se materiali i dytë  është më pak rezistent ndaj agjentëve atmosferikë; nga ana tjetër ky metal është kërkuar shumë në periudhat e mëvonshme historike, që e kanë ripërdorur për qëllime të ndryshme, madje edhe për topa lufte.

Fakti i dytë ka të bëjë me Rilindjen europiane. Në qoftë se sot admirojmë të mahnitur veprën “Pietà” të Mikelanxhelos në Shën Pjetër, Davidin në Firenze, ose një vepër çfarëdo të Berninit, në fakt riperceptojmë artin klasik që na është filtruar nëpërmjet periudhës së njohur të Rilindjes (Rinascimento), por edhe më vonë, kur mermeri i bardhë përshenjonte nivelin më sublim artistik, modern me forcën e rrënjëve klasike.

Sipas studiuesit Salvatore Settis, sipëria e bardhësisë së statujave përftohej edhe nga kalket e mëvonshme që u bëheshin veprave të antikitetit, të cilat e ekzaltonin detyrimisht ngjyrën e bardhë. I njëjti autor na kujton se zhgënjimi rezultoi shumë i madh, kur në 1800-n u zbulua se veprat e lashtësisë greke ishin përgjithësisht me ngjyra, d.m.th. të ngjyrosura nga autorët e tyre, por që me kalimin e kohës i kishin humbur karakteristikat kromatike. Zhgënjimi arriti deri në atë pikë saqë u mendua që kjo e vërtetë të mos merrej parasysh, ndoshta edhe nga frika se në atë mënyrë pranoheshin ndikimet orientale të qytetërimit të lashtë grek. Zhgënjimi vinte kryesisht nga perceptimi tashmë i rrënjosur i skulpurës së lashtë në mermer të bardhë, si art i vërtetë, pothuajse elitar, në krahasim me skulpurën me ngjyra që njëjtësohej me artin fetaro-popullor, i konsideruar si i dorës së dytë.

Në këtë pikë citohet një arkeolog gjerman, që në vitin 1884 shkruante një broshurë me titull elokuent: “Mos duhet vallë t’i ngjyrosLaokontiim statujat?”. Dilema kulturore nuk është e thjeshtë. Shekuj të tërë arti, të bazuar mbi të pavërtetën. Shija artistike në udhëkryq. E në qoftë se pranojmë peshën e madhe që ka pasur arti grek në kulturën perëndimore, situata bëhet edhe më e koklavitur. Perceptimi estetik që i është bërë artit antik, madje duke krijuar edhe një shkallare vlerash, paska qenë i gabuar. Të gjitha himnizimet që i bëheshin skulpturës së lashtë, bardhësisë si sipëri autentike, bukurisë si sinonim i dëlirësisë, pas provës së fakteve nuk qëndrojnë(?).

Mirëpo kjo nuk do të thotë se mermeri i bardhë nuk ka më vlera. Kam dëshirë të mendoj se në mënyrë të pavetëdijshme arti u mundua të shprehte diçka tjetër me forma të reja, por risia iu ofrua vetes e publikut, gjithnjë në mënyrë të pavetëdijshme, si vijim i traditës së lashtë. Koka e Apolonit (Hyjnesha e Butrintit) është pa dyshim kryevepër, të tillë e perceptojmë sot, por si ka qenë vallë dikur? A do të na dukej sot po aq hyjnore, po ta shikonim me ngjyra? E me çfarë ngjyrash? Në ç’mënyrë të kombinuara? Ndoshta po, ndoshta jo.

Historia e statujave të bardha na jep, gjithsesi, një mësim që shkon përtej artit. Ajo çka perceptojmë, jo gjithnjë përkon me realitetin, ajo çka interpretojmë, jo gjithnjë përputhet me të vërtetën. Jehona e shekujve të kaluar na vjen ndonjëherë e përçudnuar. Rëndësi ka që të jemi gjithnjë të gatshëm, të sinqertë, mendjehapur, për t’i ridiskutuar e për t’i “ringjyrosur” mendimet tona, sapo ta marrim vesh se bazoheshin në premisa të gabuara. Edhe ky është një lloj arti.

Pa Komente

  1. “Ajo çka perceptojmë, jo gjithnjë përkon me realitetin, ajo çka interpretojmë, jo gjithnjë përputhet me të vërtetën.”

    Pishak,

    Seç me kujtove esene-kryeveper te nje prej autoreve te mi me te dashur, Michel Foucault, me titull “Ceci n’est pas une pipe” qe e merr shkasin nga nje pikture me te njejtin titull e René Magritte. Do te doja ta sillja ketu imazhin e asaj pikture, por nuk di si behet teknikisht.
    Kam pershtypjen se ti e ke lexuar, sepse ky shkrim i yti reflekton plotesisht thelbin filozofik te asaj vepre.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin