Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë

BULKTHI NË SHQIPËRI?

questionZgjedhjet e fundit në Itali na dhuruan një sërë të papriturash. Tashmë fituesit quhen humbës, humbësit duken fitimtarë, të vdekurit konsiderohen plot jetë. Botë politike e përmbysur. Po t’i shtohemi edhe ne turmës së gazetarëve, politologëve, sociologëve, analistëve, vëzhguesve, kancelarive, e kështu me radhë, do të kishim vetëm një rezultat: rritjen e rrëmujës. Po të ushtroheshim në “artin” e krahasimit, p.sh. midis realitetit politik italian dhe atij shqiptar, ndoshta do të kuptonim së bashku diçka të re, pa harruar se metoda vetë nënkupton një farë “dhune” ndaj konteksteve në ballafaqim.

Risia më e madhe e zgjedhjeve italiane ishte fitorja e Grillo-s (Lëvizja 5 Yje). Arsyet e kësaj fitoreje janë ende në analizë e sipër nga studiuesit e fushës, por mund të përmblidhen në këtë togfjalësh: dëshira për ndryshim. Qytetarët italianë ishin tepër të lodhur me inercinë, shurdhërinë, arrogancën e politikës tradicionale dhe krizën shumëpërmasore, socio-ekonomiko-kulturore për të votuar edhe një herë duke “mbyllur hundët”, ndaj edhe ia dhanë votën një humoristi si Beppe Grillo. Votat për “Lëvizjen 5 yje” duhen parë pjesërisht si shprehje proteste e pjesërisht si pëlqim të programit të tij. Tek e fundit, Grillo u dha megafon murmuritjeve të qytetarëve të mërzitur e shpesh të dëshpëruar për ecurinë e gjërave në Itali. Nga kjo pikëpamje, kjo lëvizje nuk mund të mos shihet me simpati.

Po në Shqipëri, a do të ketë vallë votë proteste në zgjedhjet e ardhshme? Me siguri që po. Kushtet janë të gjitha. Njerëzit janë lodhur me politikën aktuale dhe kërkojnë ndryshime. Plagët e njohura të shoqërisë shqiptare, duke filluar nga korrupsioni e deri tek kriza ekonomike, do ta shtyjnë elektoratin të shohin përtej partive tradicionale, të cilat shihen prej kohësh si kastë e blinduar, larg halleve të njerëzve. Duhet parë se si do të kanalizohet zemërata e publikut e mbi të gjitha duhet ndjekur reagimi i partive tradicionale dhe lëvizjet e tyre për të çminuar protestën ekzistuese.

Cila do të jetë Lëvizja 5 Yje e Shqipërisë? Do të jetë parti e re, apo të vjetrat do ta inglobojnë duke ia përfaqësuar kërkesat? Për t’iu përgjigjur këtyre pyetje duhet të kthehemi sërish tek Bulkthi italian. Dy janë përkufizimet më të bukura që kam dëgjuar për Lëvizjen e Grillo-s. I pari, që e quante “Hacker i politikës”, me autorësi të një studiuesi francez, i zbulon thelbin e qëndrimit të tij ndaj sistemit. Në fakt, jo vetëm adhurimi i internetit të L5Yje, por edhe veprimi subversiv ndaj sistemit e bën të lehtë përqasjen e Grillos me një hacker, figurë që normalisht synon ta sfidojë sistemin, por pa kërkuar ndërtimin e një tjetri. Përkufizimi tjetër ishte “Alien”, në kuptimin e një force që vjen nga një përmasë tjetër e që ndryshon rrënjësisht nga partitë klasike. Në të vërtetë, si nga përmbajtja e programit politik (ku nuk mungojnë pikat ekstravagante), ashtu edhe nga forma (gjuha e përdorur, veshjet, mënyrat e mbledhjes, etj.) bulkthëtarët italianë duken si të ardhur nga Marsi, krejtësisht të huaj nga politikanët e deritanishëm.

Cila forcë shqiptare i qaset kështjellës politike me forcën e dashit? Në qoftë se do të përjashtonim forcat qeveritare dhe ato opozitare, meqë bëjnë gjithsesi pjesë në establishment-in aktual, mbetet të shikojmë nga AKZ-ja, ose nga ndonjë parti ende në formim e sipër. AKZ-ja, edhe pse është më shumë lëvizje se sa parti, edhe pse ka qëndrime shpeshherë prej hacker-i, nuk përdor simbole e gjuhë të paeksperimentuara më parë, përjashto ndonjë protestë “origjinale”. Përdorimi i flamurit p.sh., ose vetë çështja kombëtare, nuk janë tema krejtësisht të reja për diskursin publik. Nga ana tjetër, nuk mund të mohohet se AKZ-ja ngjason me L5Yje italiane në çastin kur e sfidon politikën tradicionale duke e futur në të njëjtin thes, pra duke e quajtur kastë; sikurse kur përdor receta fitimtare gjatë propagandës, duke gërshetuar tubimet klasike, pra kontaktin fizik me njerëzit, me komunikimin virtual, pra komunikimin në internet.

Mirëpo forcat e mësipërme, përveç konteksteve ku veprojnë, ndryshojnë në shumë aspekte të tjera. Këto lëvizje kanë programe të pakristalizuara mirë, me nota të theksuara populiste, gjithsesi me mangësi organiciteti në kuadrin ekonomik. Pak janë ata që mund ta besojnë zbatueshmërinë tout court të disa projekteve. Nga një anë kemi Grillo-n euroskeptik, madje mendon që Italia duhet të bëjë referendum për Europën e monedhën e saj, nga tjetra kemi Aleancën Kuq e Zi, që e di fare mirë se projekti i bashkimit kombëtar nuk mund t’i anashkalojë kancelaritë e aleancat botërore. Për sa i përket ekonomisë duhet thënë se lëvizja shqiptare nuk dallohet për ndonjë origjinalitet ndaj partive të tjera (kërkohet luftë ndaj korrupsionit, jo masa ekonomike të ndryshme), kurse Lëvizja 5 Yje kërkon një sërë masash ekonomike mëse të arsyeshme, por disa të tjera që nuk kanë mbajtshmëri ekonomike, si p.sh. heqja e disa taksave dhe krijimi i rrogës së qytetarisë.

Programet e forcave protestuese kanë gjithnjë diçka të arsyeshme e bindëse. Çdo qytetar do të gjejë atje elemente që i shkojnë për shtat, pikërisht se programet u ngjasojnë dyqaneve të dikurshme të fshatit, që nuk është as ushqimore, as bulmetore, as dyqan veshmbathjesh, por të gjitha së bashku. Aty ku pritet buka, pritet edhe kadifja me vija të trasha, aty ku mbushet bidoni me qumësht, mbushet edhe ai me vajguri. Në raftet e programeve të tyre ka përherë artikuj me interes. E kush nuk është kundër korrupsionit? Edhe vetë të korruptuarit janë kundër përhapjes endemike të korrupsionit. E kush nuk është kundër partitokracisë asfiksuese? Të gjithë, ndoshta edhe partitë vetë, meqë rrallë herë e kuptojnë sa tepër i fusin hundët në shoqëri. Po ta studiosh hartën e votave të Grillo-s, do të gjesh ish votues nga të gjitha krahët: të majtë, të qendrës, të djathtë, legistë, të gjelbër, etj. Edhe vetë programi duket i shkruar me copy/paste, copa të huazuara sa andej këtej.

Tek kërkojmë ndonjë Bulkth në Shqipëri ndoshta bëjmë gabim që e përmendim AKZ-në. Grillo nuk e ka përdorur kurrë flamurin italian siç e përdor Aleanca Kuq e Zi, ndonëse ide nacionaliste valëviten edhe prej tij. A mund të krahasohet zhdërvjelltësia komunikative e një “animale da palcoscenico” si Beppe Grillo, në kuptimin pozitiv të fjalës, me ngathtësinë e Kreshnikut me mikrofon në dorë? Duhet guxim i madh, ndoshta panjohuri. E si mund ta krahasosh karakterin teorik, gjithsesi madhor, të programit të AKZ-së (të bashkojmë trojet shqiptare) me propozimet tejet konkrete të Lëvizjes Pesë Yje (eliminimi i provincave, heqja e financimit të partive, heqja e taksës telefonike…)? Në përgjithësi mund të thuhet se kemi përballë dy projekte me kahe të kundërta: i pari me përmasë e koherencë kolektive, i dyti me karakter individual e të personalizuar. Nejse, ku mund ta gjejmë tek lideri i AKZ-së lojën që bën aktori italian me ambiguitetin (dykuptimësinë) komunikues të ish-zanatit të vet? Grillo tallet kur flet seriozisht dhe e kundërta; duke e goditur murin e sistemit me varè retorike, kurse lideri shqiptar është ende i kollarisur në rolin e tij ish-institucional, gjithsesi serioz e pa ndonjë karizëm të veçantë. Grillo dëshiron ta dërmojë sistemin, Spahiu kërkon ta zmadhojë. Pastaj, lëvizja e Grillo-s duket si e re, por aq e re nuk është; ndërsa ajo e ka filluar fillimisht punën në nivel vendor, aleanca e Spahiut deri tani nuk është matur në këtë përmasë, gjithsesi mbetet ende e papërvojë.

Mos vallë po bëjmë krahasime që koha i konsideron tashmë të vjetëruara? Po sikur brand-i i Grillo-s të eksportohet në Shqipëri si risi totale? Vështirë, përderisa demokracia si sistem është i paeksportueshëm, por i mundshëm, po të mendojmë se protestuesit janë shfaqur në të gjithë botën (Piratenpartei në Gjermani, Indignados në Spanjë, Occupy Wall Street në SHBA) e sipas gjasës do të mbërrijnë edhe në Shqipëri. Gjithashtu, në rast se ka një lidhje midis internetit/rrjeteve sociale dhe këtyre forcave, nuk mund të mos vërejmë rritjen e komunikimit virtual në vendin tonë. Gjithsesi, askush nuk e di se cilën formë do të marrin, sepse askush nuk e di se si politika shqiptare aktuale do të reagojë ndaj kërkesës legjitime për ndryshim. Tashmë leksioni botëror është mëse i qartë.

Sidoqoftë, ajo çka mund të urojmë përmblidhet vetëm tek fjala përgjegjësi. Sepse protestat e drejta janë të kuptueshme, legjitime, të pranueshme e shpeshherë të mbështetshme, por në karriget e Parlamentit nuk mund të sillesh si në shkallët e stadiumit. Janë tempuj të ndryshëm. Tek i pari vendosen fatet e vendit, tek tjetri vetëm ndeshja e radhës. Edhe pse në një periudhë rokamboleske, koha do ta tregojë nëse do të fitojë përgjegjësia, pra bashkësia, përtej ngjyrave të forcave politike.

Pa Komente

  1. Deri ne castin qe ne vendin tone personazhet e reja ne politike (Topi dhe Spahiu) nuk jane kunder sistemit por i hane supen sistemit atehere jam i bindur qe nuk do kemi levizje si ajo e Grillo-s. Shikoni dhe dicka tjeter, Beppe Grillo me levizjen e tij fituan ne jug te italise dhe rrogat e pushteit vendor i ulen nga 20 mije euro ne 3 mije euro.

    Po keshtu nuk duhet harruar qe Beppe Grillo i shperfilli te gjitha mediat sepse i quante pjese te sistemit…me thoni pak cili prej nesh i shperfill ato? Ndaj mendoj qe Beppe Grillo eshte shume i larget per nje vend tonin edhe per nje arsye tjeter; Grillo ka perballe edhe nje shoqeri qe prodhon kulture (letersi, filozofi) ndersa vendi yne nuk prodhon kete kultivim kulture, ka humbur traditen.

  2. mire e ke thene… a ka gjasa te perseritet dicka ne Shqiperi? persa kohe te gjitha keto particka jane pjella te se njejtes meme, ajo e dikurshmja me 200 e kusur petrita a kreshnika, keta vetem emertimin ndryshojne e ne shqiperi do te gjallojne simbioza te dy partive kryesore. Lidhja kerthizore e ketyre partive me partite meme nepermjet biografive te njejta te prijesve te tyre e pamundeson krijimin e nje levizje te tille edhe per vitet ne vijim. Edhe 99 qe doli si anti-establishment, u gelltit nga establishmenti, jo nga aftesia e kesaj por nga padurimi i Mjaftisteve, se keto levizje kerkojne vite te afirmohen dhe te mobilizojne zgjedhes. Se bashku me KOP, kjo diskretitoi per vitet ne vijim besimin tek “te tjeret e te rinjte”.

    Tjeter arsye qe une do te nxirrja eshte edhe elektorati. Elektorati relativisht i vogel dhe teresisht i interesuar, prandaj i angazhuar, eshte i fragmentuar ne baze te lidhjeve personale (biografike) dhe interesave konkrete per vende pune a privilegje tenderash etj. Keta jane te mobilizuar konstant per njeren pale dhe me raste levizin bllok. Nuk ka nje elektorat te ndermjetem. Rama deshtoi t’i mobilizoje ne 2009 dhe mori rezultate negative ne 2011 kur Basha mobilizoi nje pjese te tyre.

    ndoshta pas ketyre zgjedhjeve, me zhgenjimin tek Rama apo cilido pasues i Berishes (ndoshta edhe Meta apo Topi) dhe pasi te jete fashitur zhgenjimi tek 99-a, atehere une shoh mundesine e nje opsioni “te paster”, nje pjelle te re nga mendje te virgjera prej pervojes se epokes makiaveliste.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin