Mbaj mend, vite më parë, të më ketë bërë përshtypje një maksimë e markezit De La Rochefoucauld, që vërente se “të gjithë ankohen për kujtesën, askush nuk ankohet për zgjuarsinë”; maksimë që gjithnjë më vjen në mend, sot e kësaj dite, kur dikush më thotë, pa iu dridhur qerpiku, se “unë s’mbaj dot mend asgjë, kam kujtesë shumë të dobët”.
Gjithnjë ka vlerë të qëmtosh se pse disa të meta e mangësi tonat kemi dëshirë e zell t’i ndajmë me të tjerët, ndërsa të tjerat duam t’i mbajmë të fshehta, ose së paku të mbuluara me heshtje.
Kështu, shpesh të qëllon të dëgjosh njerëz të rrëfehen, me sinqeritet të plotë, se nuk marrin vesh gjë nga matematika; por provo të gjesh dikënd që të pranojë, me po aq sinqeritet, se nuk kupton asgjë nga piktura ose nga letërsia!
Ndoshta disa dhunti intelektuale të holla, si inteligjenca ose aftësia matematike janë tepër diskriminuese, për t’ia mohuar vetes në publik; ndoshta është demokratike të thuash se nuk merr vesh nga kjo apo ajo degë e dijes, por jodemokratike të kundërshtosh modën kulturore të momentit.
Gjithsesi, këto mendoja kur lexova sot, rastësisht, këtë pasazh nga një postim blogu i Alain de Botton, në lidhje me dhjetë virtytet për kohët moderne.
Historikisht, të gjitha shoqëritë kanë qenë të interesuara të kultivojnë virtytet, të na stërvitin për të qenë më të virtytshëm, por ne sot jemi një nga brezat e parë që nuk kemi kurrfarë interesi publik në këtë fushë. Ty të lejohet të kultivosh trupin tënd (të shkosh në palestër ka status shumë të lartë, si veprimtari), por pa provo të thuash se do të punosh për t’u bërë më i virtytshëm, dhe të tjerët pa diskutim do të kujtojnë se je i marrë.
Më ka ndodhur shpesh të rrethohem nga miq e të njohur, që më tregojnë për palestrën (gym), tonin muskular, miljet që vrapojnë në park ose në treadmill, peshat që ngrenë; sot disi më pak, sepse kam arritur ta përzgjedh shoqërinë që mbaj. Por nuk kam pikë dyshimi se virtytin thjesht fizik, madje edhe pavarësisht atleticizmit, na lejohet ta shprehim në publik me fjalë, përveçse ta njoftojmë nëpërmjet thjesht pranisë sonë si trupa të mirëkultivuar – muskulozë, të hollë ose elastikë.
Të flasësh për virtytin tënd është joelegante – t’i thuash tjetrit se je i drejtë, i ndershëm, i sakrificës, empatik, i durueshëm, i dhënë, punëtor, i qetë është njëlloj si ta paraqitësh veten hipokrit, edhe kur të tjerët të njohin aq sa të mos të marrin për budalla.
Mirëpo sot joelegante po bëhet edhe ta ushtrosh virtytin tënd, për veten dhe të tjerët.
Dhe, sidoqoftë, De Botton e ka fjalën për diçka tjetër – virtytin si synim për t’u arritur, nëpërmjet stërvitjes, përkushtimit, mundimit të mirëfilltë. Tek e fundit, kush shkon në palestër kërkon të përmirësojë virtytin e vet fizik – pamjen e jashtme e kushedi edhe shëndetin; dhe mburrja eventuale, në këtë kontekst, nuk është e atij që e ka arritur përsosmërinë fizike, por e atij tjetrit, që e ka pranuar se kjo përsosmëri fizike është e denjë për t’u ndjekur, me këmbëngulje dhe publikisht.
Edhe pse shoqëria, në tërësi, përfiton kur individët i ka të shëndetshëm dhe në formë të mirë fizike, mua dhe besoj shumë të tjerëve nuk na intereson asfare nëse A. po merret aktualisht me shtriqje (stretching), ndërsa B. po forcon intensivisht muskulaturën abdominale. Virtyti fizik i A.-së ose i B.-së, fibrat e tyre dhe barqet e sheshta, nuk kanë absolutisht asnjë ndikim në jetën time dhe në punët e mia; nëse unë ndërveproj me A.-në ose B.-në si kolegë, ose si miq, ose si bashkëpunëtorë në një ndërmarrje çfarëdo, fakti që këta kanë ton muskulor të mirë nuk ndryshon gjë, në rezultatin e ndërveprimit tonë, as në mirëqenien time.
Përkundrazi, ka shumë rëndësi për mua, që njerëzit me të cilët jap e marr të jenë të virtytshëm: të drejtë, të ndershëm, besimplotë, të durueshëm, empatikë, të sakrificës.
Duke qenë rrethanat e tjera të njëjta, një shoqëri ku kultivohet virtyti është për t’u preferuar ndaj një shoqërie ku kultivohet muskulatura ose ku njerëzit përpiqen të bien në peshë, duke ngrënë rrepa.
Ironikisht, një nga veprimtaritë që drejtpërdrejt ndihmon në kultivimin e virtytit, në shoqëritë shekullare, është pikërisht sporti – edhe pse jo palestra.
Mirëpo në kulturën moderne, sidomos mes urbanitëve, sportit priret t’ia zërë vendin aktiviteti fizik individual, së paku si temë për t’u biseduar dhe si status symbol. Të luash futboll, volejboll ose tenis me të tjerë vlen jo vetëm si mënyrë për të djegur energji dhe për të forcuar muskulaturën përkatëse, por edhe si “palestër” për të kultivuar disa virtyte jofizike: bashkëpunimin, besimin te tjetri, frymën e ekipit, altruizmin, sakrificën.
Përkundrazi, veprimtaria e të ngriturit të peshave, në palestër, kultivon kryesisht virtytin fare minor, të aftësisë për të ngritur pesha të rënda (mua dhe të tjerëve ky virtyt mund të na hyjë në punë nëse kemi nevojë për dikë që të na ndihmojë me disa rimodelime në apartament).
Është njëlloj si të blesh verë uthull, por të ambalazhuar në shishe të përsosur, me etiketë të shumëngjyrshme dhe shije të përmirësuar me gjithfarë esencash sintetike.
Tradicionalisht, për virtytin është kujdesur familja, më tej edhe komuniteti dhe feja. Në vijim, edhe artet kanë luajtur rolin e tyre, në shekullin XX veçanërisht letërsia dhe filmi; sikurse edhe dija, sa kohë që kjo i përkushtohet së vërtetës, jo dobishmërisë.
Dhe, çfarë ka edhe më shumë rëndësi në kontekstin tonë, shoqëritë e kanë vlerësuar virtytin, e kanë vënë në piedestal, e kanë ofruar si shembull dhe si role model; njëkohësisht duke përbuzur, izoluar dhe ndëshkuar mungesën e virtytit.
Pse ndodh kjo, ndoshta nuk e trajtojmë dot këtu; por po mjaftohemi me konstatimin se kulti i fizikalitetit, i trupit fizikisht të përsosur dhe i atleticizmit si vlerë në vetvete, së bashku me statusin e ngritur të të gjithë atyre që i përkushtohen kultivimit të virtytit fizik, ushqen narcisizmin nga njëra anë, dhunën dhe forcën si teknikë për negocimin e problemeve nga ana tjetër.
Një shoqëri që shpërfill virtytin do të adhurojë, herët a vonë dhe vetvetiu, vesin – ose dhuntinë e kriminelit të dhunshëm, të psikopatit të zhveshur nga çdo lloj empatie, të arrivistit të paskrupullt, të kameleonit, të mashtruesit, të manipuluesit, të prostitutës soft, që e blen karrierën duke ofruar seksualitetin e vet në përdorim.
Mjaft t’u hedhësh një sy faqeve e sidomos ballinave të revistave që i kushtohen mirëmbajtjes së fizikalitetit, për t’u bindur se, në thelb, kulti i virtytit fizik është ana e tejkundërt (obverse) e pornografisë.
Unë që i shkruaj këto radhë, jam nga ata që, kur u duhet të zgjedhin midis tempullit ose palestrës, parapëlqejnë një park ose një sallë koncerti; por, megjithatë, nuk do të kisha protestuar, sikur fëmijëve në shkolla t’u kërkohej të lexonin e të komentonin Jetët Paralele të Plutarkut, Letrat për Lucilin të Senekës dhe Esetë e Montaigne-it; krah për krah Sofokliut, Euripidit dhe Shakespeare-it.
Përndryshe, shkatërrimi i gjithçkaje mbajmë për të shtrenjtë veç sapo ka filluar.
Shkruan De Botton:
Në botën moderne, ideja se dikush po përpiqet të jetë ‘njeri i mirë’ sjell me vete gjithfarë asociacionesh negative: përvuejtni, solemnitet, pagjakësi dhe dorëheqje seksuale, të thuash se mirësia qenka diçka që dikush do të provonte ta përqafonte vetëm pasi t’i kish shfrytëzuar deri në fund rrugë të tjera, më të vështira, por më përmbushëse.
Në Tiranë kanë pasë thënë për dikë: është grua zonjë, është burrë zotni. Kjo nuk kish të bënte me pasurinë e dikujt, as me statusin e gjakut (aristokratik), por thjesht me faktin që këta njerëz rrezatonin virtyt.
Këto shprehje i dëgjon gjithnjë e më pak.
Fisnikëria morale, ose virtyti, nuk është se përbuzen, por konsiderohen gjithnjë e më tepër si të kota, të panevojshme, të tepërta – meqë në botën e sotme i miri nuk përfiton dot gjë, ose, siç e thotë një shprehje e anglishtes, arrin gjithnjë i fundit.
Amerikanizmi madje ka ndihmuar për të krijuar përshtypjen, madje psikozën, se për të pasur sukses në botë, duhet të jesh “i keq” – çka duhet përkthyer si “i pamëshirshëm, i paskrupullt”; dhe që, po të shohim përreth, shpjegon se pse kryet e punëve përfundojnë shpesh në duart e psikopatëve.
Problemi, në këtë rast, i ka rrënjët jo aq në shpërfilljen e virtytit, sesa në premisën arbitrare të marrëdhënieve mes virtytit dhe dobishmërisë; ose shpresën se virtyti, për të qenë i admirueshëm, u dashka shpërblyer në këtë botë.
Këtë farë premise unë e shoh si pasojë, fatkeqe, të faktit që njeriu modern përgjithësisht nuk beson më se virtyti do të shpërblehet jo në këtë botë, por “në atë tjetrën.”
Një kurthi të tillë, që na ka ngritur realiteti social, duket se i ka shpëtuar pikërisht virtyti fizik; ose kultivimi i një bashkësie vetish të dobishme (për shëndetin, për pamjen, për statusin), të cilat me përkufizim nuk mund t’i përkasin veçse kësaj bote.
Kështu, zgavra e frikshme në profilin etik, e gërryer nga nevojat për të pasur sukses me çdo kusht, për t’u pasuruar e për t’ia kaluar tjetrit e për të siguruar pushtet, kompensohet nga virtyti në profilin fizik: unë vërtet mund të jem “bir kurve” në jetë dhe në marrëdhëniet me të tjerët, por ama për trupin tim kujdesem i përkushtuar.
E gjithë kjo të kujton edhe mundimet që ia bënin trupit asketët në Mesjetë: agjërimet, kamzhikimet, tërheqjet në shpella ose të jetuarit në majë të shtyllave; historikisht trupi ka “paguar” për iluzionet dhe deluzionet që kemi pasur për shpirtin. Që këtej, nuk jemi larg shpjegimit, madje filozofik, të asaj patologjie morale e cila përfton, në botën tonë, një Lance Armstrong, ikonë mediatike dje e një shenjti të trupit (kampion, që mposhti edhe kancerin), sot e demonit.
E bukur vërtet, maksima e markezit De La Rochefoucauld: “Të gjithë ankohen për kujtesën, askush nuk ankohet për zgjuarsinë”. Mirëpo kemi një paradoks të vogël: kushdo mund ta kuptojë se po e lë kujtesa, të zgjuarit e të trashët, të rriturit e pleqtë, të shkolluarit e injorantët. Që të ankohesh për zgjuarsinë duhet të jesh gjithsesi i zgjuar, por kush është i zgjuar nuk ankohet sepse zgjuarsinë e ka.
Ata që ankohen për kujtesën, të paktën e mbajnë mend që nuk mbajnë mend.
Paradoksi i vërtetë nuk është ai që thashë më sipër, por përgjigjja që më dha një i njohur pothuajse kulturist, me muskuj të skulpturuar si me dorë, kur i fola diçka me lezet e gjysmë shaka për obsesionin për trupin që ka kapluar botën moderne. “Mendja e shëndoshë në trup të shëndoshë”, m’u përgjigj kinse në latinisht duke më inkuadruar nga lart poshtë, me një vështrim që komentonte haptazi inferioritetin tim fizik. Nuk e zgjata shumë, vetëm sa i korrigjova thënien latine: “Mens sana in corpore sano”. Por jam i bindur se po të hyja gjatë në bisedë, p.sh. duke i kujtuar se kultivimi maniakal i fizikut është shprehje e hapur e narcizizmit, pra të individualizmit dhe egoizmit, do të ma kthente me ndonjë klishe të huazuar nga pronarët e palestrave, të llojit: “Nuk mund të duash të tjerët, po nuk deshe fillimisht veten”.
Dua të them se kultura aktuale dominante, që e shpërfill virtytin dhe himnizon vesin, nuk është aq e trashë sa duket në pamje të parë. I ka marrë të gjitha masat që të duket e natyrshme, njerëzore, madje e drejtë. Pikërisht për këtë arsye lufta ndaj saj bëhet edhe më e vështirë.
Rastësisht më qëlloi, këto ditë, të merresha me përkthimin e një aplikacioni Android, që merret me “menaxhimin” e shëndetit.
Nëpërmjet një ndërfaqeje të lëmuar të komunikimit me përdoruesin, aplikacioni të ndihmon të ndjekësh, dita-ditës, kaloritë që fut në trup dhe kaloritë që djeg, numrin e hapave, peshën, tensionin e gjakut, nivelin e sheqerit, dhe nuk di ç’tjetër.
Më kujtoi aplikacione të ngjashme, për mirëmbajtjen e veturës ose të ndonjë aparature.
Trupi i njeriut trajtohet si të ishte makinë, të cilën e përdorim dhe e mirëmbajmë, në bazë rregullash dhe parametrash të caktuar. Veprimtaria jonë e përditshme rikonfigurohet e tëra, si të ishte terapi.
Të gjithë jemi, kush më shumë e kush më pak, viktima të kësaj mendësie – unë s’e përjashtoj gjë veten këtu. Edhe unë përpiqem të kujdesem për kaloritë që marr dhe ato që djeg (benzinën), vitaminat dhe suplementet (vajin), etj. Jemi viktima, sepse është në natyrën e njeriut që të kapet pas një besimi, si i mbyturi pas fijes së barit. Për ne të sotmit, ky besim është shkenca.
Megjithatë, mirëmbajtja e trupit nuk mjafton, sidomos po të bëhet në kuadrin e një filozofie që e trajton këtë trup si të ishte makinë. Jemi qenie sociale dhe shpirtërore, dhe trupi i shëndetshëm vlen për aq sa na lejon mirëqenien në tri përmasa: shpirtërore, sociale dhe fizike.
Natyrisht, edhe këmbëngulja në vetvete është virtyt, sikurse është i tillë përkushtimi – por këto janë virtyte fare instrumentale, sepse më rëndësi ka për çfarë ngulim këmbë ose kujt ose çfarë i përkushtohemi.
Për mua, obsesioni me trupin është edhe ai një formë varësie – e ngjashme me varësinë ndaj drogave, pijes, duhanit, kumarit. Është varësi e shëndetshme (ose më e shëndetshme se të tjerat), por jo më shumë se kaq.
Edhe një mendim fare personal: unë nuk besoj se mund t’i bëjë mirë trupit aktiviteti fizik, sidomos intensiv, në kushtet kur mungon stimuli real për këtë (p.sh. një rrezik për t’iu larguar me vrap, ose një kafshë që duhet ndjekur dhe vrarë, si gjah, ose një rival seksual që duhet rrahur për vdekje).
Stimuj të tillë e bëjnë gati trupin për t’u sforcuar fizikisht, duke mobilizuar, ndër të tjera, edhe sistemin endokrin (adrenalina, etj.). Por të bësh vrap, kur nuk ke arsye për të vrapuar, është si të hash kur nuk ke uri. E di që shumë miq të mirë nuk do të jenë dakord me këtë, por unë kështu e mendoj 🙂
(Ndryshe është puna me lojërat – sepse një lojë simulon jo vetëm nevojën për sforcim fizik, por edhe rrethanat që e kërkojnë një sforcim të tillë. Prandaj më duket absurde që lojërat sa venë e zëvendësohen nga palestra.)
Më mirë se viktima të vetë shkencës, jemi viktima të spekulimeve me shkencën. Shkenca, fjala vjen, do të rekomandonte ushqim të pasur dhe veprimtari fizike, sepse ndryshimi (vetëm kohët e fundit) i një regjimi nën të cilin organizmi ka funksionuar për dhjetëra mijëra vjetë nuk mund të kalojë pa efekte negative, organizmi nuk mund ta adoptojë pa bërë zë dhe brenda një apo dy brezave. Nuk është i ndërtuar për një gjë të tillë, nuk ka “kujtesë” për një hap të tillë. Kurse spekulimet me shkencën – një gjë e veshur me shkencë shet, ngaqë njerëzia i beson shkencës – rekomandojnë prodhime farmaceutike, vitamina dhe suplemente, apo lloj-lloj “sulfatash” të tjera, prodhime (të një industrie) për të cilat nuk kemi statistika se sa të efektshme janë. Atje ku një mjek i devotshëm do të rekomandonte çorape të ngrohta, spekulimi me shkencën të shet penicilinën. Shkenca thotë që ne arrijmë më tepër rezultate kur funksionojmë si shoqëri, si qenie shoqërore. Spekulimi me shkencën ngre në qiell të kundërtën.
Si gjithmone, artikujt e Xha Xhait me intrigojne dhe i lexoj me endje (dihet qe po te mos bija dakord, nuk do isha kaq bujare ne vleresime :-)). Sot mendoj sidoqofte qe ky artikull paksa rrepte i analizon palester-frekuentuesit. Per hir te argumentit, besoj qe duhen vene ne pah dy elemente te ushtrimit fizik qe besoj qe u anashkaluan pa vemendjen e duhur. Se pari, ushtrimi fizik ne menyre te rregullt, eshte shpesh nje shprehje materiale e vullnetit, disiplines dhe aftesise se ushtruesit per te lene menjane nje mori gjerash te tjera (distractions), duke iu nenshtruar dickaje qe per shumicen e njerezve eshte e panatyrshme (te pakten, per mua, vrapimi si hampster ne shirit (treadmill) nuk eshte aspak i natyrshem; te lexoj me vjen shume me teper ndoresh.) Ne morine e gjerave kundrejt te cilave une gjykoj aftesine time per te qendruar ne fokus, organizuar diten dhe fle e qete duke u nanuritur ne idene qe dita ime ishte nje kombinim i drejte mes kontributit ne detyren per te cilen paguhem, ne detyrat dhe kenaqesite qe me jep familja, dhe ndaj kujdesit mendor e fizik per veten time, ushtrimi fizik eshte nje prej treguesve qe me lehteson bilancin ditor. Eshte vetem nje tregues ama. Dua te them qe narcizizem ose jo, ushtrimi fizik per mua ka vlere sepse tregon dicka per ushtruesin, qofte edhe sikur te jete e bazuar ne veti aspak te respektueshme, si narcizizmi. Po ashtu, ngritja e peshave, packa se Xha Xhai e trajton me shume humor me siper dhe me te drejte nuk i sherben aspak degjuesit ne nje bashkebisedim, sugjerohet nga mjekesia si nje nder investimet per nje meso-moshe te shendetshme. Mungesa e perdorimit i hollon kockat me kalimin e kohes, i ben te dobeta dhe, ne rastin e grave sidomos, i ben keto te fundit te prirura per probleme fizike goxha themelore, si aftesia per te qene “te zonjat e vetes”.
Per kontrast, ka shume vyrtyte te tjera te cilat une besoj qe kane po aq [pak] vlere per nje bashkebisedues sa ushtrimi i dikujt tjeter dhe deshira per te qendruar ne forme, si psh: aftesia per te kursyer para, aftesia per te bere shume femije, aftesia per te terhequr partnere te shumte romantike. Me fjale te tjera, nga tere aftesite te cilave mund t’u “marrim erzin” se i sherbejne vetem atij qe i ka dhe jane shprehi te narcizizmit apo vetish te tjera pak te rendesishme, rendja pas formes se mire shendetesore (te pakten, perpjekja per ta arritur) nepermjet ushtrimit fizik, duhet te ishte mekati me i vogel ne listen e gjate te mekateve qe jane pasoje e narcizizmit dhe egoizmit. Per me te teper, ne varesi te situates, mund te sherbeje si teme shume e vlefshme per te thyer akullin.
Kam përshtypjen se njeriu modern i shoqërisë oksidentale si skllav i konsumit nuk e kupton pothuajse fare së është duke u manipuluar nga tregu, ose thënë ndoshta më saktë, nga ata që në këtë treg arrijnë edhe fitimin maksimal, që janë korporatat, aksionistët e tyre dhe kasta e punëdhënësve të mëdhenj.
Ç’ndodh? Ideologjia sunduese e përqafuar fatkeqësisht nga shumica stimulon konsumin e pafre për të gjithë, i cili nga ana vet nxit edhe nevojën për të punuar edhe më shumë. Njerëzit punojnë shumë, konsumojnë shumë dhe të ndërgjegjësuar se kjo për shëndetin nuk është punë hiç e mirë, shkojnë nëpër palestra me shpresën që brenda 45 minutash mund të ndreqin çdo gjë që kanë shkatërruar në shëndetin e tyre gjatë javës 60-orëshe të punës.
Tahmaja e konsumit është shndërruar në psikozë dhe si e tillë qëndron në fillim të një zinxhiri fatkeqësisht, që përfundojnë me obsesionin e trupit. Natyrisht që shpirti në këtë sistem i është shitur prej kohësh Shejtanit. Kur hedh sytë rreth vetes shosh vetëm njerëz që nxitojnë, ndërkohë që me gishta mund t’i numëroj ata, të cilët ngeshëm shkojnë në park e lexojnë atje gazetën.
Kur më qëllon të jem atje, shoh një mori 30, 40, 50-vjeçarësh faqekuq e frymëmarrur që i bien rrotull rrugëve të parkut e masin pulsin me lloj-lloj aparatesh, të dhënat e mbledhura prej të cilave i dërgojnë më gjithfarë aplikacionesh prej smart-phone-ve nëpër gjithfarë serverë të ngrehur nga industria farmaceutike, të cilët pastër e bukur ua kthejnë xhevapin me një tabelë excel brenda pak çasteve, që më zemrën, tëmthin apo mëlçinë çdo gjë shkon si sahat. Duken të kënaqur me veten. Janë të gjithë kokoroçë, faqëtharë e me dy lekë bythë.
Djegia publike e qëllimshme e kalorive është një veprim obscen, i cili në formën e vet më vulgare shfaqet i veshur me një model të caktuar tutash me jetëgjatësi njësezonale. Ajo tradhëton një varfëri shpirtërore të pashoqe të njerëzve e më bën të ndjej turp për botën (Fremdscham).
Ndoshta ruajtja e përkufizimit të deritanishëm të virtytit, si atribut shpirtëror, duke iu shmangur përdorimit për atributet fizike të një nocioni që mua më duket i ri – virtyt fizik – mund të ndihmonte në kthjellimin e ideve këtu. Kështu, ai që thjesht fryn muskujt për hir të egoizmit apo frikës së vet, të shihet nën një dritë tjetër nga ai që me durim dhe këmbëngulje përpiqet për të mirën e shoqërisë. Duke i shënuar virtyte të dy, i vishen njërit konotacione që i ka vetëm tjetri.