Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Komunikim / Media / Politikë

MANOLIS

fotoJulius

Një ngjarje e veçantë paska ndodhur në parlamentin grek para 12 ditësh – meqë më paska shpëtuar pa e vënë re, po ia lejoj vetes përdorimin e mënyrës habitore. Një deputet i formacionit politik SYRIZA, i mirënjohuri zoti Manolis Glezos, ka qënë protagonisti i një ngjarjeje, të denjë për të shkruar diçka rreth saj.

Përpara se t’u heq kërshërinë mbi ngjarjen, do flas veç pak për biografinë e Manolit, se për të vetë kam shumë për të thënë. Manolis Glezos, ka lindur në ishullin Naxos, në vitin 1922. Familja e vet u transferua në Athinë në vitin 1935, aty ku ai dhe mbaroi shkollën e mesme. Kërcënimi i pushtimit fashist, e gjen Manolin çun të ri, veç 17 vjeç. Në pamundësi për të shkuar në front – për shkak të moshës së vogël – ai ofrohet vullnetar në Ministrinë e Financës.

Akti që do e vendoste Manolin në rangun e legjendave, do të vinte dy vjet më vonë, kur së bashku me shokun e tij të idealeve, Apostolos Santas, shkon në Akropolin e Athinës, të pushtuar atëherë nga nazistët gjermanë, dhe gris simbolin e nazizmit – flamurin që po valëvitej mbi tokën e kombit të vet të nënshtruar. Do të ishte veç ky akt, që do ta kthente atë në legjendë ndërkombëtare dhe simbol të rezistencës.

Vitet që pasuan pas çlirimit të Greqisë, nuk e ndryshuan rrjedhën e persekutimeve ndaj Manolit. Sepse ishte i majtë kësaj rradhe, ai internohet, burgoset, kërcënohet, akuzohet si spiun i shërbimeve sekrete, dënohet me vdekje – por nuk ekzekutohet, për shkak të statusit të vet popullor.

Ditë të bardha, plaku sot 90 vjeçar flokëbardhë, pa vetëm pas rrëzimit të diktaturës së kolonelëve në Greqi. Aty fillon dhe aktivizohet politikisht, merr pjesë në jetën sociale të vendit, zgjidhet deputet, eksperimenton me aplikimin e demokracisë direkte, shkruan libra etj.

Vjet në Shkurt, Manoli rikthehet si simbol i rezistencës, kësaj here ndaj një pushteti të degjeneruar dhe të pamoralshëm, kur merr pjesë në demonstratat popullore dhe darovitet prej “mbajtësve të rendit” të atëhershëm me gaz lotsjellës. Ndërsa në Qershor, po vjet, figuronte i pari në listën proporcionale të partisë Syriza. Sot është deputet në parlamentin grek, para dy javësh rikonfirmoi statusin e tij si legjendë e antifashizmit.

Dhe ja se si. Në seancën parlamentare të rradhës, një prej deputetëve të AiA, akuzon kolegun e vet mysliman minoritar – Ahmet Haxhiosman, se është agjent i Turqisë. Që t’i bëjmë një rikapitullim gjithë situatës, para se të shkojmë më poshtë:

– Manoli ka lindur në 1922, në të njëjtin vit që lufta turko-greke, i mohoi Greqisë të drejtën e territoreve në Azinë e Vogël, dhe i dha fund ideologjisë së Megali-Ideas, me shkëmbimin e popullatës.

– Deputeti i AiA, simbolizon gjithçka që Manolin e ka bërë të pësojë në kurrizin e vet, për jo pak, por 30 vjet. AiA përfaqësojnë hitlerianët, kolaboracionistët; më pas regjimin e kolonelëve të Juntës, dhe sot neofashistët.

Për të mbrojtur kolegun e vet mysliman, Manoli ngrihet, dhe pyet ministrin e arsimit të Greqisë, që ka mbiemrin Arvanitopoulos e i thotë – ti je grek, apo arvanit? Përse e bëri këtë pyetje? Për t’i hequr pretendimin moral të racës së pastër që pseudonacionalistët e AiA mbështesin. Më shumë se përpara mitit të historisë greke, ishte – përsëri, përballë fashizmit. Nuk zgjodhi të hakmerrej, as të bënte gjenealogjinë familjare të atij që akuzonte (siç ndodh rëndom në ndonjë vend tjetër këtej rrotull), as zgjodhi të ofendonte, zgjodhi veç këtë: të thoshte një të vërtetë, të mohonte një pretendim absurd mitoman të pastërtisë racore. E madje të jepte moralin e vet, për të ardhmen. Djali i ri 90 vjeçar, po u tregonte përsëri stërnipërve të tij, se si duhet të jetojnë dhe t’i shohin gjërat.

Por, sigurisht, siç po ndodh rëndom e shpesh herë, kur kaloi doganën edhe erdhi lajmi në sferën shqipfolëse të mediave, mesazhi i keqinterpretua.

“Ja një grek që thotë të vërtetën”, “Sikur ne nuk e dinim”, “Gjysma e grekëve janë shqiptarë”, “Arvanitasit po zgjohen”, “Do marrim trojet”, “Shqipëri e Madhe!” etj.

Një pjese të stërnipërve të vet, duhet thënë, as atyre nuk ua mbushi mendjen. Aq sa i thanë dhe “paloplak”, dhe “i rrjedhur”. Atij, që mund ta tregojë historinë vetëm nëpërmjet brazdave të thella të rrudhave që ka në fytyrë

Sikur të mundesha, do i lutesha Manolit – të lutem mëso shqip o plak, dhe ua shpjego shqiptarëve çfarë ke në mendje.

Por ndoshta në pamundësi të kësaj, nëpërmjet shembullit të vet, Manoli e jep gjithsesi një mesazh. Nëse krahasojmë shpirtmadhësinë dhe vizionin e plakut të urtë dhe leshrakërleshur, me meskinitetin e disa shqiptarëve dhe mënyrave idiote, prepotente, langaraqe që këta po përdorin sistematikisht për tu faktorizuar në politikë – gjithnjë duke mbjellë urrejtje, dhe jo tek të huajt, por midis shqiptarësh vetë.

Si mbyllje, po zgjedh një shkëmbim që kam pasur me dikë në lidhje me Manolis Glezos, kur para disa kohësh më pyesin – Po ai, akoma nuk ka vdekur? Dhe i jam përgjigjur – Ai asnjëherë nuk ka për të vdekur.

Videon e ngjarjes së përshkruar, mund ta shihni këtu me titra shqip.

Pa Komente

  1. Edhe mua, në një diskutim në FB rreth shkrimit për vezët e qyqes, ma sollën para pak ditësh shembullin e këtij fjalimi të Manolit, si provë që arvanitët janë shqiptarë (ergo…).

    1. Ka për tu kthyer në tematikën e preferuar në komentet, besoj. Po dhe mënyra sesi disa prej stërnipërve këtej kufirit, e panë deklaratën, më kujtoi një shkrim të Magjes për zjarret partizane.

      1. Edhe perkthimi i Traboinit nuk me pelqeu fort…por kjo nuk cenon fort.

        Manolis Glezos eshte nje dhe vetem nje, ke bere mire qe i ke cikur biografine. Te dyte si ai mund te gjejme ne Greqi , Miqis Theodhoraqin. Ne Shqiperi jo e jo sepse jane ne ‘gjume’ ose bejne sikur flene.

        Juliusx, duke lexuar me siper per shkembimin e popullatave midis Turqise dhe Greqise, me duket se shume kane ardhur dhe ne Shqiperi me deshiren e tyre,( e mbase jane ata qe popullorce atehere u thonim ‘muhaxhire’,).

        Nje shtese nga kujtesa personale: Ne fillim te viteve ’90 (pa qellime hulumtuese) ne Thiva e ne Filadhelfia takoje dy-tre te moshuar qe pranonin me krenari qe ishin arvanitas e camis dhe nuk pranonin asnje lidhje me ne shqiptaret e camet e ketushem,duke m’u pergjigjur ‘tjeter race ju’…(ai cami kishte mbiemrin Karabinas mesa me kujtohet)

        Nejse,Glezos e tha bukur, pavaresisht qeverive, popujt fqinj te bashkeveprojne…

        1. Shiko të të tregoj dhe unë një histori të shkurtër me arvanitët. Jam njohur me dy të tillë, para ca vjetësh, në një panair. Ishte shtruar dreka dhe këta po flisnin arvanitshe me njeri tjetrin. Unë i dëgjoja dhe po i shihja, me kërshëri të tepërt mbase, se më vunë re dhe njeri i tha tjetrit – po na shikon ai djali.
          – çfarë gjuhe po flisni? i pyes në greqisht.
          – englezika, më thonë.

          Pres për pak minuta dhe ua kthej shqip:
          – edhe unë englez jam.
          Qeshën. Sa herë më shihnin aty rrotull më thoshin – oh, erdhi ky englezi.

          Dialekti i tyre, ngjante shumë me atë gjuhën arkaike të pleqve që e ndesh shpesh në jug.

  2. Njerez pa komplekse, qe flasin te verteta, ka gjithandej.

    Ballafaqimi qe autori i ben nje personazhi te tille me njerez jo te ngjashem me te, ne anen ketej te kufirit, nuk me pelqen. Kendveshtrimi pa barazi shihet qarte edhe “thirrja” qe i ben Manolis-it qe tu shpjegoje “shqiptareve” idene e vete. Kam bindjen se ka mjaft shqiptare qe mendojne relativisht drejte per ceshtje te tilla, mbase ne shkalle me te larte se sa nenkupton autori. Nje detaj i thjeshte mund ta tregoje…ketej kufirit ka njerez qe flasin e mesojne greqisht, si gjuhe te nenes, por nuk ka patur ne krahun andej te kufirit gjera te ngjashme.

    Te jesh mendjehapur ka shume lidhje me drejtesine, me vendosje ne kendveshtrim te ngjashem te fenomeneve te ngjashme te paleve te ndryshme, Mendoj se fenomenet duhen trajtuar duke patur parasysh te vertetat e plota, ndryshe rrezikohet te shvleftesohet kauza fisnike qe synohet.

    I ngacmuar nga X.X… Ne lidhje me krenarine “e gabuar” qe shqiptaret ndjejne per arvanitet ne Greqi, mendoj se nuk eshte kjo qe minon bashkejetesen mes dy fqinjeve, biles mohimi i lidhjes kombetare mes tyre cenon me shume ndjenjen e trajtimit te drejte historik, dhe besimit reciprok.

  3. Fortuna Hrisi Avgi po largon shume pluhura, nder to edhe ate qe ka mbuluar arberoret e Greqise ketu e pothuaj 2 shekuj. Nese do te besonim nje konspiracion fare lehte do te besonim se ky eshte dhe qellimi i tyre

  4. Juliusx shkruan: “i mohoi Greqisë të drejtën e territoreve në Azinë e Vogël”

    Menyra se si eshte formuar pjesa e fjalise me siper flet per nje realitet territorial grek te mohuar prej Turqise(dhe ku duhet t’a spostojme Turqine e 1922?).

    Per cfare te drejte te mohuar e per cilat territore greke ne Azine e Vogel behet fjale?

      1. Nuk gjej lidhjen me “i mohoi te drejten” Greqise.

        Okupimi i Smirnes(Izmiri i sotem) dhe marreveshja e deshtuar e Sevres(France) planifikonte copetimin e Turqise(moderne) prej forcave aleate.

        Nuk flitet per te drejta te kerkujt, por orvatje grabitqare per te rrembyer territore, edhe nga ana e Greqise, qe nen Venizellosin kerkonin te zgjeronin territoret e Greqise sipas Idese te Madhe ne kurriz te Turqise dhe vendeve te tjera si Shqiperia(pothuajse ne te njejten periudhe, koincidon e njejta situate ne jug te Shqiperise te ozurpuar nga forcat greke, ku ne kuader te marreveshjes me Turqine per shkembim refugjatesh, u boshatisen pothuajse 13 fshatra myslymane te rrethit te Korces, duke shperngulur me force popullsine shqiptare brenda territorit ekzistues shqiptar ne Turqi).

        Ishte pikerisht ky moment, katalizatori i revolucionit nacionalist te udhehequr prej Ataturkut.

        Cila eshte domethenia e futjes te ketij informacioni ne permbajtje(konteksin)te artikullit mbi Manolin?

        Ne nje ane eshte “nje e drejte e mohuar” Greqise, ne anen tjeter fundi i Megali Ideas(e konsideruar si ide ekspansioniste, shoviniste ne kurriz te vendeve fqinje).

        Duket sikur Manoli eshte ushqyer nga ndjenja e “nje padrejtesie” qe i eshte bere vendit te tij.

        1. Sepse nuk e citon të gjithë fjalinë, prandaj. Dhe ke qejf të mbytesh në një pikë ujë. Zona e Izmirit ishte zonë e disputuar, përderisa ekzistonte popullsi e përzjerë. Prej wikit numrat flasin për 629.000 grekë, veç në Izmir. Popullsi e shkëmbyer në total ka qënë 1.500.000.

          Domethënia e informacionit, ka të bëjë me përzgjedhjen fisnike të Manolit. Përballë bashkëkombësit të vet fashist, ai zgjedh gjitonin paqësor të mbrojë – minoritarin mysliman. Përballë retorikës militariste, zgjedh bashkëpunimin. Kjo është domethënia.

          1. Dhe kjo eshte argumenti i juaj per te thene si i eshte mohuar e drejta Greqise per te shtene ne dore Izmirin. Po popullsia turke sa ishte?

            Me qe permende Wikin lexo pak me poshte:

            “The suggestion that the Greeks constituted the majority of the population in the lands claimed by Greece has been contested by a number of historians. Cedric James Lowe and Michael L. Dockrill also argued that Greek claims about Smyrna were at best debatable, since Greeks constituted perhaps a bare majority, more likely a large minority in the Smyrna Vilayet, “which lay in an overwhelmingly Turkish Anatolia.”[23] Precise demographics are further obscured by the Ottoman policy of dividing the population according to religion rather than descent, language or self-identification. On the other hand contemporaneous British and American statistics (1919) support the point that the Greek element was the most numerous in the region of Smyrna, counting 375,000, while Muslims were 325,000.[24][25]

            Nuk eshte nevoja te perkthej(shpresoj se xhaxhai do ta beje kete perjashtim), por ne rastin me te mire per Greqine raporti ishte 375,000 greke / 325,000 turq.

            Po t’i referohemi te dhenave te grekeve edhe ne Shqiperi ka(patur) 400,000 greke. Keshtu qe provohet lehte legjitimiteti per te aneksuar jugun e Shqiperise.

            E kam verejtur disa here qe merr poza, dhe pastaj ngaterrohesh me kembet e tua ne disa e koncepte elementare, sic eshte argumenti pa taban(per laraska) i gjithe artikullit me titull Manolis. Bej pak me shume kujdes kur i drejtohesh tjetrit, aq me teper, kur nuk e di me ke po meresh.

            1. RM, unë shkruaj më lart:

              – Manoli ka lindur në 1922, në të njëjtin vit që lufta turko-greke, i mohoi Greqisë të drejtën e territoreve në Azinë e Vogël, dhe i dha fund ideologjisë së Megali-Ideas, me shkëmbimin e popullatës.

              Arsyeja ime se pse shkruajta për luftën turko-greke të vitit 1922, ishte koiçidenca numerike që korrenspondonte me vitin e lindjes së Manolit. Data, arsye, shkaqe, luftëra etj, për të folur mbi marrëdhëniet turko-greke, ka jashtë mase shumë. Unë këtë zgjodha, për efekt letrar-estetik.

              ti citon vetëm këtë:

              i mohoi Greqisë të drejtën e territoreve në Azinë e Vogël

              Po të them që Greqisë e drejta i ishte dhënë prej traktatit të Serves. Ti ke mendimin tënd mbi traktatin në fjalë, e drejta jote.

              Por nuk është e drejta jote të bësh paralelizime kaq dashakeqëse në adresë time:

              Po t’i referohemi te dhenave te grekeve edhe ne Shqiperi ka(patur) 400,000 greke. Keshtu qe provohet lehte legjitimiteti per te aneksuar jugun e Shqiperise.

              Këtu dashke të dalësh ti, i kapur thjesht nga një qime më lart? Në fakt, njerëz si Manoli, thjesht nxjerrin në pah pikërisht këtë, hipokrizinë dhe dashakeqësinë tënde. Mua nuk më intereson se kush je, më intereson se çfarë shkruan.

            2. “Po të them që Greqisë e drejta i ishte dhënë prej traktatit të Serves. Ti ke mendimin tënd mbi traktatin në fjalë, e drejta jote.”

              Mendoj se eshte problematike semantika e perdorimit nga ana juaj e fjales “e drejta”. Traktati ne fjale, nuk ishte vendimi i ndonje gjykate me legjitimitet nderkombetar, qe bazuar ne ndonje ligj nderkombetar dhe rrethana te caktuara, i jepte “te drejte” Greqise per sovranitet mbi zonen e Izmirit.

              Ju vet me niset linkun e Wikit, ku shkruhej shprehimisht se Greqia nuk e ratifikoi(nenshkroi) marreveshjen per vete faktin se, ne te nuk i njihej sovraniteti i menjehershem mbi Smirnen, sovranitet qe i mbetej edhe per gjysem shekulli Turqise. Greqia duke mos pare rruge tjeter, kerkoi t’a bente realitet, duke e e mbajtur te pushtuar ate territor.

              Perseri rreth semantikes mbi fjalen “e drejte”, kur thua se eshte e drejta ime te kem nje mendim mbi traktatin ne fjale. Shqipja te ngaterron nese nuk e perdor si duhet. Une mund te kem nje opinion te caktuar mbi nje ceshtje specifike, por kjo nuk e kthen ne te drejten time(apo kujdo tjeter).

              Te kesh nje opinion tendin, eshte nje opsion personal(pa vlere e pa autoritet) per t’i pare gjerat ne nje kendveshtrim te caktuar. Pikerisht ekspozimi i opinionit personal, ekspozon edhe mentalitete e paragjykime ne gjykimin qe te bejne te tjeret.

              Perdorimi i numrave nga ana juaj kerkon t’i jape legjitimitet gjykimit te percuar, sic eshte rasti “i te drejtes se mohuar” Greqise per te zoteruar territore ne Azine e Vogel. E njejta llogjike eshte perdorur nga pala greke per te zgjeruar territoret ne kurriz te Shqiperise, ku numrat dhe te dhenat historike jane fabrikuar sipas oreksit te kohes.

              Ju shkruani: “…nuk më intereson se kush je, më intereson se çfarë shkruan”.

              Une po merrem me shkrimin tend e jo me ju si person, pa perdorur epitete, qe jane thjesht mungese argumenti dhe etikete.

  5. Goxha burre ky Manolis.

    Papjekuria dhe reagimet foshnjore te shqiptareve i dime se nga rrjedhin. Jane pasoje e prapambetjes historike dhe shprehje e nivelit te pergjithshem kulturor. Pra nuk habitem shume me shqiptaret.

    Nje pyetje ia kam bere vetes gjithmone:
    mire ne qe e dime se ç’jemi, po greket, me historine dhe kulturen qe kane trasheguar, si ka mundesi te jene kaq te papjekur, kaq driteshkurter, kaq raciste dhe perjashtues, kaq absurde ne fodullekun e tyre kombetarist sa te detyrohet Manolis ne parlament e t’u kujtoje mbiemrat?
    E paimagjinueshme ne vendet dhe shoqerite e zhvilluara te komunitetit europian.

  6. Juliusx: “Per të mbrojtur kolegun e vet mysliman, Manoli ngrihet, dhe pyet ministrin e arsimit të Greqisë, që ka mbiemrin Arvanitopoulos e i thotë – ti je grek, apo arvanit? Përse e bëri këtë pyetje? Për t’i hequr pretendimin moral të racës së pastër që pseudonacionalistët e AiA mbështesin.”

    Mendoj se ka nje lapsus logjik ne menyren se si behet lidhja me arvanitasin dhe ne nje fare menyre i sherben te kundertes per te cilen eshte sjellur si argument.

    Ne Greqine e sotme, megjithese ne menyre eksplicite minoriteti turk nuk njihet, ne menyre indirekte, te drejtat si minoritet njihen(marreveshja e Luzanes) si per gjuhen ashtu edhe per perfaqesimin nepermjet shkollave (etnike) dhe partive ne perberje te cileve eshte organizuar ky minoritet. Kjo pavarsisht, ka te njejten vlere edhe ne rastin e anetaresimit ne nje nga partite kryesore sic eshte rasti i Ahmet Haciosmanit(ne Pasok nga Rodopi).

    Manolusi ka pohuar nje te vertete te madhe qe arvanitasit megjithese kane qene nje minoritet i konsiderueshem, jane shtypur e nuk njihen si te tille(si minoritet), duke iu mohuar e drejtat elementare sic eshte shkollimi ne gjuhen arvanitase.

    Rezultati: Duke qene se nuk mund te evidentohen nga feja(myslymane) apo gjuha e folur, menyra per te treguar origjinen e nje arvanitasi mbetet mbiemri. Nese Ahmet Haciosmani mund te akuzohet per agjent i Turqise, dikush me paragjykime si Arvanitopoulos ka nga se te kapet(sic eshte rastin ne fjale).

    Po paragjykimi i Manolit qe nxjerr koken kur i del ne shteg rasti? Per ate Arvanitopoulosi mbetet pa aq arvanitas sa edhe Haciosmani myslyman turk(ne Greqi quhen zyrtarisht greke myslymane), edhe sikur te kene kaluar shekuj nga humbja e identitetit si arvanitas e nuk ka as edhe nje premise te vetme (nga feja apo gjuha te konsiderohet si minoritet) per t’u quajtur agjent i ndonje shteti fqinj.

  7. Ka nje ide te pergjitshme se tek Agimi i Arte ka shume arvanitas. Madje ideatore te tij jane me origjine arvanite. Nje artikull i kreut te kesaj force ne vitin 1986 mund te sqaroje pozicionin fillestar te kesaj force ne raport me shqiptaret qe vijne ne njohjen e fqinjeve si aleate ne mos kombinim genetik me turqit. Ndaj kur nje anetar i AIA-se kerkon te penalizoje origjinen si premise te nje angazhimi te padiskutueshem ne aktivitete subversive, atehere ky ekuacion vlen per te gjithe. Te pakten per te ulur peshen e akuzes dhe moralin e saj. Ndaj Manoli, ky burre i lavdishem i Ballkanit, u ka kujtuar te gjitheve se ne salle ka edhe arvanitas. Me kete rast do kuptuar sipas meje se thelbi i akuzes se Glezios shkon sa kunder nje rryme mendimi radikale sic eshte ajo qe vjen nga AIA, aq edhe ndaj nje enklavizimi te fondamentalizmit fetar ne rrethet arvanite. Te cilat me pas paraqiten si te dhena te tendencave perjashtuese te te gjithe grekeve. Perkthimi qe i behet rendom ketij debati ne opinionin shqiptar eshte krejtesisht i kundert; ne vend te shihet se sot vete elemente greke po shtrojne ne diskutim faktin se arvanitet jane nder eksponentet kryesore te hartimit te politikave radikale dhe raciste dhe se ky problem po kthen permbys Greqine, kjo shihet si nje mea culpa nga greket per gjoja genjeshtren e madhe qe paskan thene per NE. Nderkohe qe keta NE, nuk jane ATA, pra arvanitasit. Ose keshtu eshte perceptimi prej ATYRE. Dhe ne fakt kjo eshte edhe e verteta.

    1. Nga intervista e Kristos Papas:

      8-Ju thoni se edhe ata që flasin shqip kanë qenë grekë dhe pastaj janë shqiptarizuar. Sipas jush a ekziston kombi shqiptar apo është një sajesë?
      Ekziston një ndarje e madhe ideologjike, nëse e keni studiuar, midis kombit dhe shtetit. Për shembull për ne SHBA nuk përbëjnë komb. Për ideologjinë tonë rëndësi të madhe ka ekzistenca fisnore. Kombi mbështetet tek gjaku, tek fisi, tek raca. Përsa i përket ndërgjegjes kombëtare shqiptare, vitet e fundit, pseudo-shkencëtarë të ndryshëm shqiptare kanë ndërmarrë një fushatë propagandistike dhe nuk kalon javë që të mos dalë një libër i ri pseudo-shkencor i cili tonifikon, ushqen, etnicizmin shqiptar.

      E çuditshme është, që kur këto gjëra thuhen në shqip, askujt nuk i bën përshtypje.

      p.s Është kollaj e kuptueshme, nëse zëvendëson fjalën “komb” me thjeshtësinë e të vërtetës dmth AiA. AiA mbështetet tek gjaku, tek fisi, tek raca.

      Mihaloliakos, është i vetmi kryetar partie që të shoqen e ka deputete. Nga të gjithë kryetarët e partive në parlamentin grek.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin