Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji / Urbanistikë

TIRANA SHUMËFISH

ContainersKur jam në Tiranë dhe më qëllon të marr taksi, e kam ndonjëherë të vështirë t’ia shpjegoj taksistit se ku dua të shkoj pikërisht – pse më janë vjetruar disa nga pikat e referimit dhe kushedi taksisti vetë nuk e njeh mirë Tiranën “time” të 20-30 vjetëve më parë.

Ngaqë kryeqytetin e quajmë të gjithë me të njëjtin emër, Tiranë, kjo na gënjen e na shtie në mendje iluzionin se jetojmë, përnjëmend, në të njëjtin qytet. Mirëpo mjafton një taksist që të mos e dijë se ku është “Lidhja”, ose “Radio Tirana e Vjetër”, për ta krisur qelqin e hollë të sigurisë hapësinore.

Që këtej, e deri te solipsizmi se gjithsekush ka Tiranën e vet, që e popullon dhe e shëtit në vetmi totale, distanca është e madhe, në mos e pafund. Por ka një të vërtetë në topografinë e qytetit tënd, që është e ndryshme nga ato të së tjerëve, deri në moskomunikim.

Kryeqyteti i sotëm i ka ruajtur disa referime hapësinore të së djeshmit, përfshi këtu edhe Dajtin, të cilit së paku silueta i ka mbetur e tëra. Megjithatë, të tanishmit rregullisht i gjej të orientuar pas toponimeve të reja – Rogneri, Sheratoni, Don Bosco, Dogana; madje edhe “të hershmit”.

Unë e mbaj mend ende Tiranën kur në qendër nuk ngrihej statuja e Skënderbeut, por ajo e Stalinit me dorën brenda në pallto; sikurse mbaj mend që shumë tiranas vijuan të linin takime “te Stalini”, e të kalonin kohën të ulur “te guri”, edhe shumë kohë pasi në piedestal kish zënë vend Gjergji. Diktatori sovjetik mbijetoi në toponomastikë shumë kohë pasi ia kishin zhvendosur imazhin; dhe mbijetoi jo vetëm në qendër, si vend takimesh të ngeshme dhe pikë fikse e zemberekut tiranas, por edhe në periferi, te “21 dhjetori”, lagje që pa një emër të vetin as lagje nuk do të ishte dot.

Brezat i organizojnë qytetet sipas nevojave, veseve dhe virtyteve; çka shpjegon pse në kohën tonë “Bulevardi” kish kuptim tjetër nga “Bulevardi” i sotëm; dhe “Blloku” nuk ish një magnet turmash rinore si ky i tanishmi, por një hapësirë për t’u shmangur, si “zona” e Stalker-it. Unë edhe sot, kur më duhet t’i bie andej, vetvetiu i shmangem, ose më mirë më duhet një përpjekje e vullnetshme për të kaluar përmes vilave dhe rrugëve dikur tabu për vdekëtarin.

Ndonjëherë, në biseda të lirshme, më thonë se kjo vështirësi imja me topografinë e Tiranës së tanishme ka të bëjë me largimin tim të kahershëm, ose me faktin që i kthyeri më shumë se sa të zbulojë qytetin e ri, ka merak të kërkojë gjurmë të së vjetrit, madje edhe kur është fjala për gërmadha, hapësira të dambllosura ose vende fantazma, siç janë tani lulishtja-gropë midis Ministrive, ose Bar Peza, ose edhe ndonjë ish-ëmbëltore e paemër, në skaj të qytetit, kur dikur mund të kesh pirë kot me shokun që tani ka vdekur, siluetë e prerë me gërshërë nga fotoja e reales.

Kushedi edhe është kështu, pa çka se unë vetë besoj që qyteti është një mantel që, pasi e ke hedhur supeve, nuk e shkul dot më që andej. Kur ende fëmijë, më intrigonin emra vendesh në qytet që hynin e dilnin në muhabetet e të rriturve, e që unë s’i kisha parë kurrë: rruga e Postës, parku i Xha Tomit, kashina e Mishit, Gastronomi, Selvia, Shën Prokopi, hotel Vollga. Ishin vende që i përkisnin një Tirane tashmë të kapërcyer, që ekzistonte për të tjerët por jo për mua; madje që, duke ekzistuar për të tjerët dhe jo për mua, shërbente edhe si vijë demakarcioni mes brezave.

Me siguri ka pasur edhe brezi im emra “të vetët”, ose hapësira që i konfiguronte për t’i përdorur privatisht – të tilla si Mensa e kinezëve, Reklamat, aneksi i Dinamos, Shkolla e Partisë, Kinemaja e re, Stadiumi i lojërave me dorë. Të tjerë emra ishin qëllimisht të vagullta: Ura e Lanës. Që ta dije se për cilën urë të Lanës pikërisht ishte fjala, duhej të ishe i brendshëm, intra muros, ose i tillë që ta quaje atë urë tënden (për mua, Urë e Lanës ka qenë ajo afër Drejtorisë së sotme të policisë; kushedi për të tjerë jo).

Sot Tirana organizohet ndryshe – rolin e vendeve të hapura, të shesheve, të parqeve, të rrugëve, e kanë zënë restorantet me emra fancy, baret chic dhe ato historike, lokalet ku drekojnë politikanët, bixhosçinjtë e mëdhenj, mafiozët dhe VIP-at. Vendet që ngrenë peshë e ku shkojnë peshat e rënda, vende ku ia vlen të shkosh dhe të shihesh, janë tërhequr si kërmilli nga jashtë brenda zhguallit. Ndonjëherë më duket sikur kryeqyteti ka mbetur pa flâneurs – por çfarë katastrofe do të ishte kjo!

Njerëzit, pastaj, lëvizin ca me këmbë e ca më shumë me makina; dhe makinat vijnë logjikën dhe topologjinë e tyre, zhvendosen ndryshe nga njerëzit, duan vende për t’u parkuar, siç kërkonin grazhde kuajt dikur në hanet. Makinat gjithnjë e modifikojnë disi hapësirën rreth vetes, ia rishkruajnë gjeometrinë, si të ishin vrima të zeza në miniaturë. Falë tyre janë vitalizuar zona përndryshe të shkreta, në periferitë e periferive – por fatlumturisht të lehta për t’u arritur me rrota; për faj të tyre kanë vdekur zona të tjera, si Bulevardi – që dikur u shërbente njerëzve për t’u parë dhe turmave për t’u shpenguar, ndërsa sot është veç një tunel i hapët, që nuk të çon gjëkundi.

E megjithatë, Tirana si qytet jeton me toponimet e veta, të vjetrat dhe të rejat; sepse ende nuk i ka adresat të rregullta, të plota, numerike. Të duash të shkosh diku ku s’ke qenë më parë, duhet të ndjekësh verbërisht udhëzimet që të kanë dhënë – përshkrime të mrekullueshme të përdorimit që ia bëjnë banorët qytetit të tyre, e ku shfaqen e luajnë rolin e tyre pemët e mbjella astenike, pemët e prera përgjysmë si gjymtyrët e veteranëve, gërmadhat e ndërtesave që nuk e shijuan dot kurrë të ritë, tezgat e rrobeve të përdorura bashkë me kujtesën në mos ngrohtësinë enigmatike të kujt i ka pasë veshur dikur, ngjyrat psikadelike të pallateve dje proletare dhe vulgariteti total i pllakateve publicitare sot kapitaliste. Adresa e një vendmbërritjeje nuk është veçse tërësia e udhëzimeve për të shkuar atje – përkufizim ky i tendosur mes pozitivizmit logjik dhe kibernetikës.

Prandaj edhe toponimet e kanë humbur me kohë pafajësinë: më thuaj ç’emra vendesh përdor, të të them se cili je. Dikur kodrave të Liqenit Artificial u kemi pasë thënë “nga Kisha” – si në thënien “shkojmë nga Kisha!”; më pas vendin Kishës ia zuri Liqeni, zëre se një akullnajë erdhi e u shkri, për shkak të ngrohjes (ideologjike) të mjedisit. Tani kushedi liqeni është tharë dhe nuk ekziston më, por Kisha më kanë thënë se është ringjallur.

Doemos, kush kthehet përkohësisht, si unë, kërkon jo vetëm topografitë e vjetra, por edhe të njohurit e dikurshëm – për ta rindërtuar jo vetëm hartën e qytetit, por edhe hartën e marrëdhënieve njerëzore, siç e ka pasur atëherë. Në emër të një ripërtëritjeje e rinimi, jo pa momentet e veta euforike, së vjetrës i lejohet rishfaqja, sado e shkurtër, sado iluzore. Dhe s’e kam fjalën për ndonjë lëshim ndaj nostalgjisë, se ç’e kam për qytetin e mëparshëm, që fillon të marrë pak më shumë lëndëzim, në atë masë që kujtohet e përmendet në biseda, qoftë edhe thjesht nëpërmjet toponimeve. Tirana, përndryshe, ka fare pak rrudha historie në fytyrën e saj urbane, duke qenë më shumë viktimë e kirurgjisë plastike sesa e moshës vetë – çka edhe kompensohet, sado privatisht, në emrat e vjetër të vendeve, që nxjerrin krye tek-tuk në hartat tona tashmë të imagjinuara.

Dhe aty ku mbijeton e vjetra, e bën këtë përkrah së resë; edhe pse jo aq në luftë me të, sesa në paralel. Dhjetëra, në mos qindra mijërat e të ardhurve të 20 vjetëve të fundit kanë edhe ata imazhin e tyre për Tiranën, topografinë e tyre, orientimin e tyre; kur ndonjë kërkon të shkojë diku, ia tregojnë rrugën me fjalë dhe teknika pothuajse të koduara; dhe përpjekjet që bëjnë për të mësuar diçka nga zhargoni topografik i vendësve janë më tepër për hir të një bashkëjetese të detyruar, edhe kur nuk janë për hir të biznesit. Jetojnë në një qytet tjetër; edhe kur zhvendosen, itineraret i kanë të tjera, të padeshifrueshme; a thua se e përjetojnë labirintin urban ndryshe, në përmasa të tjera, pjesërisht të pakomunikueshme me ato të vendësve.

Ashtu edhe qyteti ndryshon vit pas viti; ngaqë Tiranat e ndryshme, që i mbivendosen njëra-tjetrës, nisin e shformohen nën trysninë e peshës. I huaji, që shkel që qytet për herë të parë, i armatosur me ambicje brutale, si De Rastignac-u i Balzac-ut; ose edhe thjesht me një kamerë numerike, si turisti tuhaf i sapoardhur nga Rinasi, e gjen këtë, qytetin, gjithnjë të virgjër, të patopografuar, të papërshkruar gjëkundi.

Pa Komente

  1. Nga këto më poshtë sa janë ende?

    POEMË TOPOGRAFIKE
    – ose kalendar nostalgjik –

    nga Maks Gjerazi

    Të hënën takoheshim te Vajguri
    Të martën te Paralelet
    Të mërkurën te Buka
    Të enjten te Kinkaleria
    Të premten te Furri
    Të shtunën te Derri
    Të dielën te Parfumeria
    Pastaj të hënën te Zogu i Zi
    Të martën te Pallati i Pionierëve
    Të mërkurën te Fusha e Druve
    Të enjten te Shkolla e Kuzhinës
    Të premten te Parku i Xha Tomit
    Të shtunën te Shën Prokopi
    Të dielën te Kodra e Kuqe

    Pastaj të hënën te Xhamlliku
    Të martën te Papavrami
    Të mërkurën te Stalini
    Të enjten te Tajvani
    Të premten te Garda
    Të shtunën te Selvia
    Të dielën te Porcelani

    Pastaj të hënën te Rruga-Ura
    Të martën te Fabrika e Këpucëve
    Të mërkurën te Fabrika e Qelqit
    Të enjten te Fabrika e Tullave
    Të premten te Fabrika e Bukës
    Të shtunën te Fabrika e Çokollatave
    Të dielën te Mensa e Kinezëve

    Pastaj të hënën te 21 Dhjetori
    Të martën te 17 Nëntori
    Të mërkurën te 11 Janari
    Të enjten te 1 Maji
    Të premten te 10 Korriku
    Të shtunën te 8 Nëntori
    Të dielën te 7 marsi

    Pastaj të hënën te Pallatet Agimi
    Të martën te Pallati i Brigadave
    Të mërkurën te Pallatet e Italianëve
    Të enjten te Pallatet e Aviacionit
    Të premten te Pallatet e Oficerëve
    Të shtunën te Pallatet e Lanës
    Të dielën te Pallati i Kulturës

    Pastaj të hënën te Ali Demi
    Të martën te Myslym Shyri
    Të mërkurën te Mihal Duri
    Të enjten te Petro Nini
    Të premten te Sami Frashëri
    Të shtunën te Qemal Stafa
    Të dielën te Ismail Qemali

    Pastaj të hënën te Rruga e Durrësit
    Të martën te Rruga e Dibrës
    Të mërkurën te Rruga e Kavajës
    Të enjten te Rruga e Ambasadave
    Të premten te Rruga e Postës
    Të shtunën te Rruga e Elbasanit
    Të dielën te Rruga e Kinostudios

    Pastaj të hënën te Sahati
    Të martën te Artistikja
    Të mërkurën te Politeknikumi
    Të enjten te Kullat
    Të premten te Shallvaret
    Të shtunën te Reklamat
    Të dielën te Liceu

    Pastaj të hënën te Fusha e Zezë
    Të martën te Polici me Dorë
    Të mërkurën te Kopshti pa Drekë
    Të enjten te Stacioni i Trenit
    Të premten te Libri Sovjetik
    Të shtunën te Shtëpia Qendrore
    Të dielën te Biblioteka e Lagjes 9

    Pastaj të hënën te Hoteli i Beqarëve
    Të martën te Kinemaja e Re
    Të mërkurën te Shkolla e Vagabondëve
    Të enjten te Gazhina e Mishit
    Të premten te Bregu i Lumit
    Të shtunën te Shkolla e Rezervave
    Të dielën te Shkolla e Partisë

    Pastaj të hënën te Artistikja
    Të martën te Vetshërbimi
    Të mërkurën te Posta
    Të enjten te Hosteni
    Të premten te Trikotazhi
    Të shtunën te Estrada
    Të dielën te Filologjiku

    Pastaj të hënën te Fusha e Aviacionit
    Të martën te Varri i Bamit
    Të mërkurën te Rrapi i Trishit
    Të enjten te Shtëpitë e Gjermanëve
    Të premten te Kthesa e Kamzës
    Të shtunën te Kodra e Kuqe
    Të dielën te Shkolla e Bashkuar

    Pastaj të hënën te Onkologjiku
    Të martën te Dispanseria
    Të mërkurën te Poliambulanca
    Të enjten te Psikiatriku
    Të premten te Materniteti
    Të shtunën te Sanatoriumi
    Të dielën te Befotrofi

    Pastaj të hënën te Ushtari i Panjohur
    Të martën te Burgu i Vjetër
    Të mërkurën te Kryqi i Kuq
    Të enjten te Ura e Lanës
    Të premten te Ura tjetër e Lanës
    Të shtunën te shtëpia e doktor Zymës
    Të dielën te Shtëpia e Partisë

    Pastaj të hënën te Vjosa
    Të martën te Vollga
    Të mërkurën te Donika
    Të enjten te Pensioni
    Të premten te Majmuni
    Të shtunën te Dajti
    Të dielën te Tirana

    Pastaj …

  2. Xhaxha, po te bej nje pyetje qe jashte makabritetit “me shikim te pare”, mund te fsheh shume gjera interesante ne pergjigjen e saj; nese ke mundesi te lesh nje testament dhe nder te tjera te zgjedhesh se ku do te deshiroje ta kishe varrin, cilin vend do te zgjidhje?

    1. Me mendtë që kam tani, do të preferoja kremacionin, dhe pastaj të ma shpërndanin hirin në detin Jon. Por kjo është një dëshirë po aq e rastit sa edhe pyetja; trupi im pas vdekjes u përket të dashurve të mi, dhe do të duheshin pyetur ata.

  3. Mu kujtua tani nje pergjigje e Xhaxhait, intervistuar ( mesa dukej krejt rastesisht ) nga Top Channel per programin “E dua vendin tim”.

    Perse e doni vendin tuaj ? – pyet gazetarja
    Sepse me merr malli – pergjigja.

    Qe te duash dicka/dike sepse te merr malli, eshte gjeja me normale dhe e padiskutueshme, besoj. Kete Xhaxhai e shpreh edhe ne shkrimet e herepashershme ku i referohet Tiranes se dikurshme, me nostalgji te theksuar.

    Ty Xhaxha te merr malli per nje Tirane qe nuk eshte me, ose sa vjen e eshte me pak. Perse e do vendin tend ? 🙂

    1. Përgjigjja flakë për flakë: sepse aty mësova si të ndihem i lumtur.

  4. Vite me pare – ne nje Tirane qe nuk eshte me – nje shoku im me tregonte se po mundohej te linte drogen. Pjese e perpjekjeve te tij ishte dhe ndryshimi i hartes se qytetit, evitimi i rrugeve apo kalimi prane lokaleve ku ishin shoke qe vazhdonin drogen apo spacatori (daja). Kesisoj ai po realizonte se perpjekjet per lenien e droges i pergjysmonin qytetin dhe hiqnin nga qarkullimi rruge e lokale te njohura. Qyteti transformohet jo vetem nga largimi por dhe nga orientimi, qellimi e transformime ne stilin e jeteses.

    Xha xha faleminderit qe risolle ‘gastronomin’ ate vend qe nuk ka shofer taksie ta gjej me.

  5. Ku ka qene “gastronomi”? E di qe e kam diku ne koke, po nuk e kujtoj dot!!

    Jam duke lexuar nje liber qe quan Selanikun “qytet fantazmash” sepse ka parasysh sa shume vende, copeza jete dhe sidomos komunitete nuk jane me, si pasoje ndodhish te natyrshme po kryesisht te qellimshme. Tirana nuk historine e Selanikut po qyteti sic e mban mend secili prej nesh, eshte paksa fantazme sepse ekziston vetem ne kujtesen e secilit prej nesh (sic thote Xhaxhai.) Per mua, me teper sesa infrastruktura shume e ndryshme, jane njerezit qe shoh qe me krijojne jndjesine sikur vizitoj nje qytet krejt tjeter. Veshja, trafiku, zhurmat, turmat, oraret, mjetet e transportit, te gjitha jane ndryshe. Mbi te gjitha, fakti qe kaloj ne rruge ne te cilat kam kaluar mijera here dhe nuk shoh askend qe njoh, per mua, i ve vulen kesaj ndjesie te te qenit vizitore e nje qyteti te ri. Te gjitha keto, arriten kulmin e tyre kur duke qendruar ne nje trotuar tek “Libri” [Universitar] ndjeva nje trishtim te atille qe me beri te kuptoj per pak caste sesi duhet te jete vetmia e njerezve ne moshe te perparuar te cilet shohim me teper c’ka qene dhe fare pak/aspak c’do jete!

    1. Gastronomi eshte tek rruga e Dibres, pa mberritur tek Medresja. Me sa duket po lexon librin e Mark Mazower-it per Selanikun, nje nga ato libra qe s’do qe ti vije fundi.

      1. Pikerisht!!! Shume liber interesant. Per mua, me shume sesa historia e qytetit ne fjale, perfaqeson nje njefare menyre nje kronike te jetes ne Perandorine Osmane, te cilen kuptoj qe nuk e njoh sa duhet. Rivleresoj historine, sic e kam mesuar me pare. Le pastaj qe eshte snapshot i nje shoqerie multi-kulturore ne shekujt XV-XX.

      2. Kurse për mua Gastronomi ka qenë vetëm në Kombinat, diku afër ambulancës. Madje jam habitur kur mora vesh se edhe “Tirana” kishte gastronom.

        1. Fjala gastronom (гастроном) është rusisht, ka kuptimin “dyqan ushqimesh”. Doemos, gastronomet në Tiranë u hapën gjatë viteve 1950 të miqësisë shqiptaro-sovjetike, dhe ka pasur më shumë se një.

          Gastronomi “im” ka qenë në krye të rrugës së Durrësit, afër sheshit “Skënderbej”: një ndërtesë njëkatëshe, me një arkitekturë të tillë që dukej si autobus. Gjithsesi, flas për vitet para se të shkatërrohej ndërtesa e Komitetit Ekzekutiv.

          1. Po, edhe në Kombinat ndërtesa ku ishte gastronomi u ndërtua gjatë viteve të miqësisë me Bashkimin Sovjetik (prapë Bashkimi?). Nejse. Ndërtesa kishte një sërë dyqanesh në katin e parë, nga bulmeti tek buka, nga ushqimorja tek pastiçeria. Aty afër ngrihej edhe tregu i fshatarëve, çka e plotësonte gastronominë e gastronomit, derisa u ndaluan me ligj e me anëtarë fronti.
            Sot atë grup dyqanesh unë do ta konsideroja si embrion të qendrave tregtare.
            Gjithsesi, gastronomi për atë kohë ishte pikë referimi për të gjithë lagjen, deri në atë pikë sa të karakterizonte, të paktën në psikologjinë time, të gjithë mëhallën.

          2. Gjerazi e hap poemen topografike me Vajguri, Paralelet, Buka, Kinkaleria, Furri, une po shtoi Bulmeti, Zarzavatet, Tuneli, Gjelltorja, Katunaret, etj.

            Keto lloj toponimesh ndersa ishin emerime pergjithsuese, sepse ishin karakteristike per cdo lagje, kishin nje gjeografi, kuptim e pamje unike e te ndryshme njekohesisht per banoret e lagjeve(blloqeve) te ndryshme te Tiranes; imagjinonin nje vend specifik qe kryente te njejtat funksione ndoshta, por tjeter, te ndryshem nga banoret e lagjeve apo blloqeve te tjera.

            Kurse emrat e tjere ishin unike per te gjithe Tiranen, dhe te gjithe banoret e saj imagjinonin vetem nje adrese dhe te njejtin vend.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin