Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Përkthim

TERMA TË SEMIOTIKËS

Po çel këtu një temë me propozimin e kolegut Relapso, i cili dëshiron të diskutojë me ne të tjerët rreth përkthimit shqip të disa termave kyç të semiotikës.

Shkruan Relapso:

Ta zëmë nga më të thjeshtat: kemi nga tradita jonë, që e zë fillin me përkthimin e Saussure nga Rexhep Ismajli, termat “i shenjuar” e “shënjues”, “shënjim” (significato, significante, significazione) që me gjithë dallimet e kalimit nga gjuhësia në semiotikë, mund të ruhen si të tilla. Pastaj kemi “discorso” qe në gjuhësinë klasike është ngulitur herë si “ligjeratë” e herë si “ligjërim”, madje si i tillë është përdorur edhe nga disa tekste të gjuhësisë strukturaliste dhe të semiotikës. Mirëpo në shumë tekste të tjera nga përkthyes dhe autorë kosovarë dhe shqiptarë është bërë “diskurs”. Cili duhet zgjedhur? Të mos harrojmë se “ligjërimi” del shpesh herë në togun “akt ligjërimi” në kuptimin speech act / it. enunciato, që s’ka të bëjë fare me “diskursin” e mësipërm… e për ta komplikuar më shumë problemin, përveç “enunciato” qe per të nderuar traditën po e lëmë “akt ligjërimi”, kemi enunciazione, enunciatore dhe enunciatario.

Ftoj kolegët me përvojë në këtë fushë të japin mendime.

Pa Komente

  1. Langue dhe parole i kanë përkthyer tradicionalisht si gjuhë dhe ligjërim; ndërsa discourse si ligjëratë.
    Sa për speech act, unë do ta përktheja akt ligjërimor. Me sa kam parë, speech act në italishte e kanë dhënë si atto linguistico (locutorio, illocutorio e perlocutorio). Nuk kam parë ta quajnë gjëkundi enunciato; edhe pse çdo akt ligjërimor është edhe enunciato (thënie).
    Përndryshe, énoncé do ta jepja si thënie (anglisht utterance), énonciation si thëniezim (neologjizëm, e di) dhe më tej, në sistem, do të flisja për thëniezues dhe të thëniezuar, paralelisht me shenjues dhe të shenjuar, adresues (destinateur) dhe të adresuar (destinataire), etj.

  2. Mire, per sa kohe qe mbetemi ne lemin e gjuhesise, keto shkojne. Por kur pastaj shtrihen ne semiotike, e zgjerojne bazen e tyre dhe nuk i referohen me mjetit te gjuhes, por çdo sistemi shenjor. “atto linguistico” / “speech act”, por edhe “utterance” sikurse e thote vete fjala, i referohen vetem shenjave gjuhesore.
    Problemi eshte kur kalojme ne sisteme te tjera shenjimi jogjuhesore qe nuk perdorin me “akte ligjerimore” dhe as edhe “thenie” ne kuptimin gjuhesor, por operojne njesoj me “discorsi”, “enunciati”, “enunciazioni” etj. Fjala vjen, nje simfoni, nje pikture, nje shfaqje baleti, sistemi i shenjave rrugore, veshjet, konvencionet e komunikimit me gjeste etj.
    Ne keto raste gjuhet e tjera pergjithesisht kane zgjeruar bazen kuptimore te te njejtit sistem terminologjik qe perdoret ne gjuhesi duke e aplikuar ate edhe ne semiotike. A mund ta bejme kete ne shqip? Pra a mund te vazhdojme te flasim ende per “ligjëratë” e “thënie” pa rrezikuar te na marrin shqipot me veze e domate?

    1. Unë besoj se mund të bëhet – kur e kanë zgjeruar gjuhë me traditë aq të vjetër, për shqipen duhet të jetë më e lehtë.

  3. Teorikisht edhe une them se mund te behet, por, qe t’i kthehem nje pohimi qe kam bere diku tjeter ne kete blog, ai qe propozon terma te rinj duhet te gezoje prestigj te larte, prestigj qe une nuk ia njihja Matrapapupit ne letersi, por sinqerisht nuk ia njoh shume edhe vetes ne terminologji. Ne shqipe kane pasur sukses termat e propozuar nga Sami Frasheri, Xhuvani, Rexhep Ismajli. Shume te tjereve, nder te cilet edhe gjuhetare te shquar, nuk u ka ecur, madje shpesh, sikurse me tregonte njehere ne kafe miku Agron Duro, jane bere qesharake.

    Tani, une me lart permenda “ligjerate” / “ligjerimin” dhe e shmanga termin “thenie”, per sistemet jogjuhesore te shenjimit, sepse me duket se, duke ndjekur hulline qe hapi Bogdani, “ligjerata” / “ligjerimi”, mund te abstaktohet me sukses: “ligjeron burri”, por mund te themi edhe “ligjerojne zogjte”, “ligjerojne telat e çiftelise” etj. e qe ketej mund te hidhemi semiotikisht te “ligjerimi muzikor”, “ligjerimi i ngjyrave” etj. Nderkohe qe nuk themi dot “thone zogjte” “theniet e ngjyrave”.

    Ti me te drejte, per sa kohe qe i referohesh gjuhesise, e zgjeron çerdhen e “thënies” ne “thëniezim”, “thëniezues” etj., por veshtire se mund te zgjerohet çerdhja e “ligjerimit” ne “ligjërimim”, perndryshe biem ne nje paradoks fjaleformues. Nuk di a te ka rene rasti te kesh pasur pune me gjykatat ne Shqiperi e te degjosh tmerre si “kallezimim” (me dy -im). Dikur thoshin “kallezoj dike ne polici”, “bej kallezim ne gjykate”. Tani juristet tane thone “do ta kallezimoj çeshtjen” e qe ketej “bej kallezimim” (!!!).

    Mund te themi ndoshta “ligjërimësi”, edhe pse ketu dhunojme gjedhen sepse do te duhej nje teme mbiemerore.

    “Diskorsi” ne traditen gjuhesore vertete eshte bere “ligjerate”, ne kuptimet “pjese te ligjerates”, “ligjerate e drejte / e zhdrejte”, por pastaj ne disa tekste semiotike nga Barthes, Eco etj. te perkthyera ne Prishtine e Tirane i kane rene shkurt dhe e kane bere “diskurs”. Ec e hyr ne ate sistem ndertekstor tani me “ligjëratë”. Te akuzojne per purizem 🙂

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin