nga Xhabyni
Kohë më parë ndeshja 17 Nëntori-Partizani ishte më shumë se sa një ndeshje, në të përfshihej i gjithë qyteti si për të treguar se kjo ndeshje qe diçka më shumë. Palët e ndara në stadium besonin në diçka më të fortë se sa futbolli, tifozët bardh e blu të indinjuar nga ndryshimi i emrit dhe nga sustat që jo pak herë ekipi kundërshtar përdorte për të pasur një kërcim më të lartë se sa të tjerët por edhe të pleksur me një lloj urrejtje ndaj partisë gëzoheshin tej mase me një fitore të Tiranës. E gjithë kjo adrenalinë dhe eksitim shprehte në vetvete revoltën e shpresën e njerëzve se një ditë prej ditësh gjithçka do të përfundojë.
Kur regjimi ra dhe bashkë me të filluan të binin edhe gardhet e rrethimit kjo ndeshje nuk e humbi shkëlqimin e saj të menjëhershëm. Njerëzit ishin akoma të mbushur me mllef ndaj ekipit fanellakuq i cili për vite me radhë kishte abuzuar me vetëdije në pushtetin që kishte zotëruar, ndaj tifozët si shenjë besnikërie ndaj një lufte që nuk kishte sosur ndaj rivalëve që i kishin vjedhur qytetin, trofetë dhe bijtë e qytetit vazhdonin të trashëgonin brez pas brezi adrenalinën e historinë e kësaj ndeshje. Ani pse kjo ndeshje mori një emër të ri dhe shumë më të butë, derbi, sërishmi ai mbetet i shumëpritur për tifozët të frymëzuar nga një e shkuar të cilën edhe e kanë jetuar por edhe e kanë dëgjuar.
Partizani nuk është më ai ekipi i udhëheqjes (edhe pse mban akoma yllin e verdhë komunist në fanellë e kuqe) ndërsa Tirana (ish-17 Nëntori) nuk është më ekipi anti-komunist që nuk përkrahej dhe përbuzej nga shteti (edhe pse tani sporti përbuzet nga shteti në tërësi). Ekipet në ndeshjet e tyre nuk paraqesin më atë luftën ideologjike, por tifozët trashëgojnë (thuajse si në ç’do derbi) luftën ideologjike. Kapitalizmi i ka dhënë mundësi që shumë prej “të kuqve” të ndërrojnë fanellën e tyre duke veshur atë “bardh e blu” si shenjë e rënies së regjimit të vjetër dhe këtë e kanë kuptuar edhe tifozët që në emër të fitores e të mundjes, e poshtërimit së kundërshtarit nuk e kanë aspak problem t’i ngrenë lavde lojtarit që deri dje kishte fanellën e urryer.
Disa metra më tutje të shtrirë në asfalt larg atmosferës të një derbi që trashëgon në mënyrë të zbehtë ato emocione të dekadave më parë shtrihen në shenjë vetëflijimi ish të përndjekur politikë, simbole të gjallë të një diktature të kaluar në vuajtje e mundim, simbole të një shteti që nuk respekton ato të cilët kanë kontribuar më shumë se të gjithë në ndërtimin e veprave që sot po shiten, simbole të një shteti amoral dhe hipokrit.
Nëse derbit i mungon metafora e kaluar akti i vetëflijimit që po kryejnë ish të përndjekurit nuk i mungon metafora për të treguar se shteti për të cilin ato vuajtën dhe punuan tashmë po i shpërfill duke mos i garantuar as gjërat minimale. Për të treguar fytyrën e një shteti që as ndihmën mjekësore nuk diti t’i afronte atyre që shpirtin kanë tërhequr nëpër burgjet e asaj që rëndom Berisha quan “diktatura çnjerëzore hoxhiste”. Kohë më parë kur emri i ndokujt të afërm me shtetin përlyej me ndonjë skandal, rrogat e qeveritarëve shpërndaheshin në formë ndihme, por nuk po e shoh këtë zell të lëmoshës (?) për ato të përndjekur që akoma nuk kanë marrë paratë e burgjeve, paratë e vuajtjeve të tyre, paratë që u takojnë atyre. Pak ditë më parë stafe të shumta qeveritare lokale e qendrore iu drejtuan azileve për t’u treguar moshës së tretë që ne mendojmë për ju, ndërsa në një rrugë të Tiranës dergjen të moshuar, ish të përndjekur të fyer e të poshtëruar nga një diktator dhe të përbuzur e të harruar nga një doktor që kohë më parë e ngritën në piedestal duke besuar e duke i besuar idealet e tyre.
Në vitin e largët 92’ ato i besuan një ëndërr, i besuan një ide, i besuan shpirtin e tyre të përvojtur përfaqësuesve që kishin marrë përsipër të ndryshonin drejtimin e vendit por edhe të vendosnin drejtësinë në vend. Sot ndërsa në sheshe festohet me pompozitet festat e largimit të PPSH personazhet kryesorë të atyre lëvizjeve qëndrojnë të larguar dhe në hije disa prej tyre janë tradhëtorë që akoma nuk u është hequr njolla e murrme në biografinë post-komuniste. Skena tashmë u takon shumë prej lojtarëve të vjetër që një herë e një kohë betoheshin në parti për të shënuar gola në portën e armikut atyre që në emër të kapitalizmit si me magji ndryshuan fanellat dhe kredon e tyre.
Tifozeria vazhdon të brohorasë ekipin që ka fanellat bardheblu (ndoshta të ç’ngjyrosura e pa atë shkëlqimin e parë) e të nëmë me ç’të mundë ekipin me fanellë të kuqe, edhe nëse po kapitalizmi ka mundësuar që për hir formacioni apo rroge ndonjë prej bardh e bluve të bëhet i kuq në fanellë. Lojtarët përmes akrobacive të ndryshme vazhdojnë të japin shenja se e urrejnë fanellën që shohin përballë ndaj luajnë gjithnjë e më fortë a thua se kemi të bëjmë me ndeshje gladiatorësh, tifozeria vazhdon të eksitohet pa masë deri në momentin që ndeshja përfundon. Tifozët që mendojnë se lojtarët nuk flasin mes tyre, se duart ua japin njëri tjetrit sa për të treguar sportivitet vendosin të mos rreshtin së festuari fitoren dhe së poshtëruari kundërshtarin në ç’do lloj forme, lojtarët futen brenda dhe përqafohen me njëri tjetrin duke përgëzuar për lojën.
Ndeshja përfundoi, fituesi tashmë dihet, tifozët u entuziazmuan dhe u eksituan aq shumë për një fitore që ishte shumë e dukshme që përpara se të fillonte ndeshja ndërkohë që ish të përndjekurit vazhdojnë të qëndrojnë aty. Pas ndeshjes rrotat e makinave kalojnë nga rruga ku një tendë çadër ngrihet askush nuk ndalon, të dehur nga fitorja dhe të gëzuar që mundëm armikun e kuq do ta mbajmë frymën diku gjetkë për t’u gëzuar e për t’i treguar tjetrit që ne jemi mbi ju duke harruar se edhe këto janë dënuar vetëm e vetëm se në stadium edhe jashtë tij bërtisnin “Tirona”. Po ç’e do? Askush duket se nuk kujtohet për to madje as ato që janë bijtë e të dënuarve të tjerë, të cilët me frikë apo dhe me një besim të verbër shohin Zeusin dhe presin prej tij ndonjë reagim. Të tjerë kanë zgjedhur të heshtin a thua se me heshtjen e tyre duan t’u fshihen syve të tyre kërkues dhe të mjerueshëm duke harruar se çfarë kanë kaluar dhe vuajtur bashkë me to pas hekurave. Por ka dhe prej tyre, që të frymëzuar nga ideologjia staliniste, nën zë i quajnë të përndjekurit ish fanellakuq spiunë të regjimit të kaluar përndryshe përse do hidheshin në grevë urie? Po Zeusi? Ai ka zgjedhur të heshtë edhe kur mban fjalime nga maja e ulët e Olimpit edhe pse jo pak herë kujton se armiqtë me fanellën e kuqe janë pas një porte të cilën ai po mundohet ta ruajë me çdo kusht. Ka zgjedhur të heshtë mbase dhe prej faktit se tifozët vazhdojnë të brohorasin, pa e kuptuar, për një fanellë që nuk ka më ngjyrat e 20 viteve më parë. Ka zgjedhur të heshtë për të parë se mos kap ndonjë gafil, ka zgjedhur të heshtë sepse i duhen plumbat e antikomunistit, spiunit e të tjera si këto për vitin e ardhshëm. Por nuk ka zgjedhur të heshtë se i vjen turp….
P.S. Në respekt të atyre që dje janë dënuar, sot janë të poshtëruar. Në respekt të atyre që dhanë shpirtin për liri, që u burgosën për ideale. Në respekt të tim eti, tim gjyshi që nuk kishin mundësinë për të shkruar të lirë. I turpëruar para të gjithë atyre që përmenda më sipër për lirinë që zotëroj dhe për to kaq pak shkruaj.
…”P.S. Në respekt të atyre që dje janë dënuar, sot janë të poshtëruar. Në respekt të atyre që dhanë shpirtin për liri, që u burgosën për ideale. Në respekt të tim eti, tim gjyshi që nuk kishin mundësinë për të shkruar të lirë. I turpëruar para të gjithë atyre që përmenda më sipër për lirinë që zotëroj dhe për to kaq pak shkruaj…”
Lexoj se viktimat e vrara per renie ne gjak 20 vjetet e fundit jane rreth 5700 vete. I bie perafersish nje person ne dite, per cdo dite, keta 20 vjet, qe ka humbur jeten. Dhe ne baze te “teorise shumefishuese” te Kanunit, numri i personave me jeten te permbysur ne menyre te pariparueshme prej nje realiteti te tille duhet te jete disa here me i madh.
Nje e keqe nuk mund te perdoret per justifikuar nje te keqe tjeter, por sensi i perspektive do perdorur.
Machiaveli do e kish kuptuar mire Princin e vet.
E drejta apo e padrejta, ne politike kane me teper karakter te nje natyre etike se sa dicka tjeter.