Këtë vit trupa e karaktereve (edhe metaforave) politike në komunikimin politik është pasuruar edhe me një karaketer tjetër, atë të kamikazit. Edhe pse nuk ka një përkufizim të përcaktuar qartë mbi rolin apo atributet e tij, profili i këtij karakteri në media karakterizohet të jetë i mbrujtur me cilësi si: prirja për të shërbyer me vetëmohim interesave materiale të eprorit; vetësakrificë dhe zell në kryerjen e detyrës; apo mungëse totale përgjegjësie ndaj interesit të publikut.
Edhe pse i vlerësuar si krijesë moralisht e dënueshme, ne do të synojmë ta shqyrtojmë këtë karakter ose profil, sikur edhe në shkencat e ekonomisë dhe politikës, pa ndonjë ngarkesë emocionale. Në përfundim argumentohet që ky term nuk mbart asnjë kuptim të përdorshëm në komunikimin politik e si rrjedhojë sugjerohet që të largohet nga fjalori i përditshëm politik.
Termi “kamikaze” ndeshet kryesisht në shtypin dhe kampin politik opozitar dhe gjithmonë në lidhje me zbatimin e agjendës politike të kryeministrit Sali Berisha. P.sh. metaforën “kamikaz” e përdor shpesh gazetari: Gazeta Tema ( “Ilir Meta u përdor si kamikaz, deri në kërcënim të qeverisë.”). Gazeta Shqip (“.. Saliu e ka përcjellë mesazhin e urtë te besnikët e tij kamikaze…). Gazeta Sot (“Sokol Olldashi … kamikazi i Saliut në mbrojte të pushtetit dhe në luftën kundër të gjithë atyre që duhen sulmuar sipas projekteve politike-ekzekutive të kryeministrit dhe kryetarit të PD.”).
Nga interpretimi i ligjërimit politik mbi “kamikazin” mund të përftohet një përkufizim i tillë: Kamikaz është një nëpunës apo autoritet politik, i cili me vullnet të lirë sillet në përputhje me pritshmëritë e eprorit të institucionit, me qëllim për t’i shërbyer interesave vetjake të eprorit dhe për t’u shpërblyer përkatësisht për këtë shërbim, pa u merakosur për pasojat negative të sjelljes së tij përball interesit të publikut.
Pritshmëritë mund të shprehen në qëndrime, urdhëra, miratime ose edhe direktiva formale ose joformale. Institucioni mund të jetë partia ose administrata publike. Shpërblimet mund të jenë materiale ose morale etj. Pasojat negative mund jenë forma të ndëshkimit moral apo dhe ligjor. Si normë për përcaktimin e interesit të publikut merret zbatimi i ligjit. Ndërkohë që veprimi i tij mund ose jo të karakterizohet si i arsyeshëm, në moralin politik të qenit “kamikaz” dënohet me arsyen se njeriu nuk mund të instrumentalizohet për interesa të një tjetri.
Në shkencat e ekonomisë dhe të politikës marrëdhënia ndërmjet “Kamikazit dhe Kryetarit” mund të trajtohej nëpërmjet teorisë së agjentit (Agency Theory ose Principal-Agent model).
Në ekonomi, ku përdoret gjerësisht si teori, teoria e agjencisë merret me marrëdhëniet strukturore dhe bashkëpunëtore ndërmjet principalit (deleguesit) dhe agjentit (agjencisë zbatuese), të cilët kanë qëllime të ndryshme nga njëri-tjetri dhe dallojnë në qëndrimin e tyre ndaj riskut.
Njësia bazë e teorisë është kontrata ndërmjet principalit dhe agjentit të kontraktuar për të kryer një shërbim të caktuar, kryerja e të cilit vlerësohet nëpërmjet “input-it” ose “output-it”. Supozimet kryesore në rrafshin individual janë që njerëzit nisen nga interesa vetjake, kane arsyetim të kufizuar dhe i shmangen rezikut.
Në rrafshin organizativ supozohet që ndërmjet agjentit dhe principalit ekzistojnë konflikte qëllimesh dhe asimetri informacioni, ndërsa eficienca është kriteri bazë i vlerësimit të efektivitetit të marrëdhënies ndërmjet principalit dhe agjentit. Informacioni supozohet se është mall që blihet.
Problematikat që trajtohen nga kjo teori janë konflikti i qëllimeve ndërmjet principalit dhe agjentit, dhe qëndrimi e preferencat e tyre në lidhje me ndërmarrjen e riskut. Lidhja quhet e suksesshme (agency loss, metrika e matjes, është thuajse zero) nëse agjenti me principalin ndajnë të njëjtat interesa dhe principali është i njohur me veprimtarinë e agjentit (ka informacion).
Kur qëllimet nuk janë në kundërshtim me principalin ose të ngjashme me të, agjenti sillet respektivisht për të arritur rezultatet e pritshme, dhe sjellja e tij nuk ka nevojë të mbikëqyret. Në këtë rast agjenti vepron në një kontekst social ku efekti i socializimit (pëbrendësimi i normave të grupit) është i madh, si p.sh. në ndërmarrje familjare, ose agjenti, nisur nga interesat vetjake, sillet si vetëmohues.
Përndryshe sjellja e agjentit ndryshon nëpërmjet ofrimit të shtysave (incentives). Por sidoqoftë, për secilin rast, premisa e analizës është “interesi vetjak” i agjentit për të vepruar në një mënyrë të caktuar apo për të ndarë rrezikun me principalin.
P.sh. në ekonomi kjo teori arrin të shpjegojë marrëdhëniet ndërmjet të punësuarit, i cili rrezikon vendin e punës në rast të një investimi të keq e si pasojë përpiqet të shmangë riskun, dhe investitorit, i cili mund të diversifikojë paketën e tij të investimit e është neutral në lidhje me riskun. Pra edhe pse principali e ka blerë sjelljen e agjentit nëpërmjet kontratës, lind problemi i ekzekutimit të kontratës, sidomos kur principali ndeshet me mungesën e informacionit mbi sjelljen e agjentit apo aftësinë e tij për të ofruar shërbimin.
Në shkencat politike kjo teori merret me delegimin e pushtetit (transfer of power), p.sh. transferimi i autoritetit të shtetit komb në organizatat ndërkombëtare, përfaqësimi demokratik apo delegimi i pushtetit politik në hierarkitë burokratike dhe problemet që lindin nga ky proces. P.sh. me qëllim që lidhja ndërmjet ministrit dhe burokratit të jetë e suksesshme principali priret të zgjedhë personat që ndajnë të njëjtin qëndrim politik (partiak) me të, çfarë do të thotë se në administratë emërimet do të jenë mbi baza partiake.
Për rastin e shërbimit civil si shtytës (i brendshëm) vepron motivi personal i nëpunësit (agjentit) për të shërbyer. Nëpunësi ka nivel më të lartë motivimi nëse do të idenfikohej më qëllimet e një politike të caktuar (policy motivated). Kjo shpjegon dhe ato raste kur nëpunësi angazhohet në sjellje korruptive nëse institucioni (kryetitullari) ndjek një politikë favorizuese ndaj subjekteve të caktuara.
P.sh. kur një nëpunës angazhohet në veprimtari korruptive për hesap të eprorit të tij ose zbaton urdhëra të kundraligjshme (rasti më i fundit i njohur ishte fshirja e serverit në kryeministri me ngjarjet e 21 janarit 2011), nëpunësi vepron në përputhje me pritshmëritë e eprorit, i cili gëzon aq pushtet sa të shpërblejë bindjen, por dhe të ndëshkojë paq mosbindjen, shto këtu edhe faktin që eprori e ka rekrutuar këtë nëpunës në këmbim të bindjes.
Nga analiza dalim në disa përfundime:
(1) Nga pikëpamja shkencore sjellja e “kamikazit” është një sjellje e pranueshme, e cila zgjidh problematikat e trajtuara nga “agency theory”, pasi përkushtimi i agjentit ndaj interesave të deleguesit është e dëshiruar. Interesat e tij, në rastin kur ai i nënshtrohet vullnetarisht vullnetit të udhëheqësit, janë të ngjashëm ose identikë me ato të udhëheqësit, qoftë kjo nëpërmjet socializimit në parti/institucion ose thjeshtë për synime pragmatike (interesa vetjake ose shkëmbime besnikërie e pazaresh).
(2) Ngarkesa emocionale dhe morale që i mvishet “kamikazit” synon të shpjegojë dhe njëkohësishtë të dënojë publikisht sjelljen e tij. Por kjo qëndron vetëm në rrafshin retorik. Në rrafshin empirik ky karakter nuk ndëshkohet ligjërisht e për këtë arsye metafora nuk mbart asnjë vlerë përdorimi. Ka një perceptim të gjerë publik, të justifikueshëm, mbi mungesën e ndëshkimit ligjor për autoritetet publike të angazhuar në veprimtari korruptive. Atëherë profili “kamikaz” do të kishte kuptim nëse karaktere të tillë do të ndëshkoheshin penalisht. Në Shqipëri nuk është rasti. Vetë-mohimi i tij brenda profilit të sjelljes si “kamikaz” do të kishte kuptim nëse do të ishte lidhur me pasoja negative (ndëshkimi penal), përndryshe ky përdorim i termit “kamikaz” nuk ka kuptim. Për më tepër që sjellja në përputhje me pritshmëritë e eprorit shpërblehet materialisht ose moralisht me ngritje në karrierë.
(3) Roli i agjentit, i individit, gjatë përdorimit të termit “kamikaz” zbehet dhe çliron individin nga përgjegjësia sociale, nëse ky vepron apo jo me ndërgjegje profesionale. Kur dikush vendos të marrë një post të lartë ekzekutiv, edhe pse nuk i gëzon meritat dhe nuk ka përvojën e duhur profesionale, niset nga interesa vetjake duke kalkuluar mirë pasojat e veprimit të tij. Profili “kamikaz” i vesh personit jo të përshtatshëm profesionalisht të vetmin karakteristik që në politikë vlerësohet, “besnikërinë” (në daç, besën). Ndërsa kur një profesionist vepron në këtë mënyrë ai me siguri është në gjendje ta justifikojë (në rastin më të mirë edhe ta argumentojë) sjelljen e tij për t’i shpëtuar ndëshkimit.
(4) Profili “kamikaz” nuk përfshin në kategorinë e tij ata individë që janë të detyruar për shkaqe ekzistenciale të veprojnë ndryshe nga pritshmëritë e eprorit.
Përfundimisht, nisur nga argumentimi i mëspërm fjala “kamikaz”, edhe pse ka një ngarkese morale të mirëkuptueshme – dënon sjelljen e paarsyeshme dhe instrumentalizimin e njeriut – nuk ka asnjë vlerë përdorimi në komunikimin politik.
Arthur Lupia. 2001. “Delegation of Power: Agency Theory.” Published in Neil J. Smelser and Paul B. Baltes (eds.) International Encyclopedia of the Social and Behavioral Sciences 5: 3375 – 3377. Oxford, UK: Elsevier Science Limited
Eisenhardt, K. M (1998) “Agency Theory: An Assessment and Review.” The Academy of Management Review. 14(1). Fq. 57-74.
Gailmard. S. (2010) “Principal-agent theory and research policy: An introduction.” International Public Management Journal, 13(1). Fq. 35–45
”’Përfundimisht, nisur nga argumentimi i mëspërm fjala “kamikaz”, edhe pse ka një ngarkese morale të mirëkuptueshme – dënon sjelljen e paarsyeshme dhe instrumentalizimin e njeriut – nuk ka asnjë vlerë përdorimi në komunikimin politik.”’
Kjo me kujtoi barsaleten e bajges se lopes.
U kthye djali nga studimet dhe pa shenja bajge ne nje nga traret e tavanit te kasolles se lopes. Po vriste mendjen sesi lopa mund te ish ngjitur aq lart e ta leshonte mbi tra. Ngaqe s’po i gjente dot nje zgjidhje ketij problemi, filloi te dyshonte nese ato ishin apo jo bajga lope. Per t’i dhene dum, pyeti t’ane; o baba, po si eshte ngjitur lopa deri atje lart, se kam gjithe paraditen qe vras mendjen e s’po e gjej dot.
Paskam harxhuar parate kot per shkollimin tend o bir, iu pergjigj i ati, po çdo lopa lart, kur nisa te ndertoj kasollen, e solla materialet, kaloi lopa dhe e leshoi mbi tra, traun e vura lart, po ngeli shenja.
Kamikaz ka vlere perdorimi e qe ç’ke me te ne komunikimin politik, se retorika eshte pjese esenciale e atij komunikimi, po ti ke dashur te thuash qe s’ka vlere ne komunikimin akademik, gje e cila rroket vetiu dhe s’ha fare diskutim.
Je qe je, kur te kesh nge dhe deshire ne shpjego me nje shkrim tjeter nese qendron togfjaleshi ‘çakalli faqezi’ ne komukimin politik.
Përshtypja ime është se Kapedani e ka fjalën që, në klasën politike shqiptare, nuk ka kamikaze – sa kohë që askush nuk ka paguar gjë, për rrezikun që ka marrë në sy, në këmbë të shefit.
Ka pseudo-kamikaze, sikurse ka pseudo-demokratë, pseudo-patriotë, pseudo-pluralistë – një ballo me maska, që ka filluar të mbajë erë zombie.
Përkundrazi, në vende të tjera, me tjetër kulturë politike, kamikazet ekzistojnë vërtet: në rrethana kritike, marrin mbi vete një përgjegjësi, së bashku me dënimin përkatës.
Që kjo në Shqipëri nuk ndodh, do të ketë të bëjë me sistemin e shantazhit të ndërsjelltë. Bajgat nuk na i ka sjellë Skënderbeu, por i ka gjetur mes nesh, tha.
p.s ajo barsaleta apo historia eshte pararendese e kriterit shkencor qe njihet si brisku i Okamit, i cili thote se nese te kruhet veshi i majte mos e kruaj me doren e djathte duke e kaluar nga prapa kokes, por kruaje me doren e majte.