Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Nostalgji

TIRANA E LARGËT DHE E PARËNDËSISHME

Para udhëtimit (të përvitshëm tashmë) për Tiranë, bëj gjumë të trazuar. Tirana që ndryshon kaq shpejt, e sidomos pa plan, më krijon shijën jo fort të mirë të mungesës së kontrollit. Nganjëherë mendoj se arsyeja pse nuk më pëlqen më ç’shoh, është tamam ndryshimi kolosal e i shfrenuar i së shkuarës, pa e vënë re fare atë. Këtë e marr personalisht si shkelje mbi mua, sido që ligjësitë e zhvillimit ngulmojnë të japin shpjegime më racionale për dukurinë. Kjo ndjesi e keqe kompensohet nga një afrim i pakontrolluar me episode të largëta që kanë mbetur në kujtesë si çikatriçe evidente historish të harruara. Në fakt, vetëm disa kanë qenë lëndime, ndërsa të tjerat thjesht përjetime neutrale të situatave që veç të ngjashme me të sotmet nuk janë: dekor krejt i ndryshëm, karaktere të ndryshme, objekte dhe bëma që sot nuk mund të perceptohen dhe as të imagjinohen.

Jo rallë shoh në ëndërr që jam duke parë ëndërr se si ka mundësi që jam duke parë në ëndërr që po shoh ëndërr si mund të shoh në ëndërr që jam duke parë ëndërr duke parë ëndërr dukë parë ëndërr. Diskursi meta-ëndërr në “fjali pafundësisht përsëritëse” pa dyshim është shenjë e një gjendjeje të veçantë që mendja jeton para nisjeve mbrapsht në kohë. Dhe kjo, jo veç në orët e gjumit. Shumë copa historish të shkuara që kryqëzohen e vijnë herë qartë sikur të ndodhnin sot, e herë aq në tym, sa më bindin se duhet vërtet të jem duke parë ëndërr, zënë më shumë vend se dua t’u jap në ditën me 78 punë për t’u kryer. Kujtimet e godasin eksperiencën ditore si kod mors, i shkoqitur ose i korkolepsur, tani përgjumësh e më pas kumbuese si këmbanë e afërt kishe. Tirana e vjetër, aq e gjallë dikur, thotë me zërin e mekur të ëndrrës: kush tha që s’jam?

***

Është aq vapë dhe ndiej që më djeg lëkura edhe nën fustanin e basmës pa mëngë që më ka qepur halla për këtë verë. E vesh çdo ditë e gjithë ditën derisa fle. Më pëlqen gjithnjë të kem dy xhepa në fustanet që më bën halla, edhe tre ndonjëherë. I mbush me gurë, letra ose gjethe. Thonë që temperatura sot është 42 gradë, por unë nuk e di se çfarë do të thotë kjo. Duhet të tregojë një të nxehtë të madh. E di që kur sëmurem normalisht ajo arrin në 39. Kam një brokë qelqi në dorë. Mami i thotë brokës ‘kanë’. Më kanë çuar ta mbush tek çezma në krye të rrugicës së policit. Kështu i themi rrugicës përballë shtëpisë sime ku banon Maksuti, që është polic. Ai është i njohur në mëhallë se nuk duron dot kalamajtë t’i prishin gjumin e drekës, dhe u bërtet. Unë nuk para rri shumë jashtë në kohë dreke se duhet të fle me detyrim. Por e dëgjoj nga dhoma ku duhet të fle, kur nga ora tre-katër u ulëret kalamajve që luajnë. Ndodh edhe që u vrapon pas, nëse s’ikin me herë të parë. Nga shtëpia ime për tek çezma më duhet vetëm të kapërcej rrugën e makinës. Asfalti është i mbushur me flluska zifti, por e kam provuar më parë se nuk përcëllon aq sa të të dhembë. Kam shumë qejf ta fus shapkën bojë qielli prej gome në ziftin e butë, dhe të lë gjurmën mbi të. E di që do ha një të bërtitur të mirë që kam bërë shapkat me zift, se zifti nuk del. Por, sidoqoftë e provoj… zgjedh pjesën ku zifti duket më i butë. Shapka ngelet në zift, dhe unë humb ekuilibrin dhe, për inerci, bëj një hap qorr dhe vë këmbën e pambathur në zift. Gjithnjë kam dashur të fus këmbën në ziftin e butë të rrugës, por këtë gabim s’do kisha guxuar kurrë ta bëja me dashje. Por tani që këmba u nxi që u nxi, pse mos plas edhe ca flluska të tjera. Ato presin të fryra e joshëse në dy-tri vende të tjera mbi asfalt. Njëra është e madhe sa një kumbull. Nis me të dhe i plas një nga një me gishtin e madh. Pastaj përpiqem pa u përkulur dhe pa e hequr kanën nga dora, të tërheq pantoflën nga zifti. Në kohë vape makinat në rrugën Qemal Stafa janë shumë të rralla: kalon a s’kalon një makinë në një orë a më gjatë. Shoh një që del nga kthesa tjetër, mu tek bulmetorja e vjetër e Shabanit. Nxitoj dhe ia dal ta tërheq pantoflën që merr me vete ziftin shumëfijësh si sheqer të djegur.

Uji i çezmës është akull i ftohtë. Dikush para meje e kish lënë hapur që të ftohej. Njerëzit bëjnë shpesh kështu. Babi thotë që është ujë Selite si ai i shtëpisë, por shumë më i ftohtë se ai që kemi brenda. Ndaj më çojnë shpesh të mbush kur ulemi të gjithë për drekë rreth orës një. Ka shumë çezma nëpër Tiranë. Shumë janë të bukura e trupderdhura, metalike, akull të ftohta me bulëza kondensimi që rrjedhin nga maja, poshtë ngadalë; disa kanë forma të veçanta ose një kokë shumë tërheqëse; disa janë të prishura ose pjesërisht të thyera. Kjo afër shtëpisë sime është e bukur dhe e rregullt, pak më e gjatë se unë, me një si kurorë  mbi grykën e çezmës, dhe rubinetin e hijshëm si portokall i prerë tërthorazi. Nona ime kur e pyes, më thotë se çezmat i kanë ndërtuar italianët. Nuk e kuptoj tamam si duhet të ishin italianët që na kanë lënë ca gjëra aq të bukura. Duhet të kishin qenë me siguri të bukur. Çezmat i rrinë ende hijshëm Tiranës dhe duken të fisme kur nuk i kanë dëmtuar. Në verë, kur jam duke ecur rrugëve, e kam zakon t‘i prek edhe kur nuk kam etje. Duke i prekur kuptova që një gjë shumë e ftohtë të djeg dorën. E fus kanën nën ujin e ftohtë. Tani i kam kthyer shpinën shtëpisë sime dhe po përpiqem ta mbush kanën pa humbje, që mos ndihet në shtëpi sa jam vonuar. Për fat nuk gjeta asnjeri para meje në radhë, ndaj mund ta mbush shpejt e shpejt. Dëgjoj që hapet me kërcitjen e njohur të drurit nga kati i dytë dritarja e dhomës së gjumit e mamit. Është po ajo dritare nga ku mami më thërret zakonisht kur rri jashtë me kalamajtë më shumë se duhet. “Moj gocë, po ç’u bëre! Ne presim ujin në tavolinë!” –Erdhaaaaaa!

***

Për çdo fëmijë të lagjes kishte së paku katër-pesë rrugica që frekuentoheshin rregullisht për të luajtur, për muhabet, për t’u endur e hallakatur, për të parë si luanin të tjerët e kështu me radhë. Disa prej tyre ishin të shtruara, disa kishin kalldrëm, e disa ishin thjeshtë baltë e rrahur nga koha e hapat e njerëzve. Veç rrugicave, Tirana ishte plot me kopshtije, dhe pallatet qenë shumë të rralla. Shtëpitë e vogla tiranase rrethoheshin nga oborre gjigante, shpesh plot fruta, sidomos hurma, fiq, kumbulla e rrush. Më vonë u bë modë të kishe agrume në oborr, por kujtesa ime bën hurmën mbret të frutave në Tiranën e largët. Hanim shumë mana e qershi të verdha mishtore plot po ashtu, edhe fruta të tjera, por këto s’ishin aq të zakonshme. Jeta e kalamajve ndahej mes qiellit në kërkim të frutave të pjekura, dhe tokës ku krijonim lodrat më të çuditshme. Oborret e shkollave ishin një tjetër hapësirë gjithnjë e hapur për ne. Më pas nisën fushat e sportit, disi të rralla sidoqoftë. Unë jetoja në një lagje të vjetër të Tiranës, me shumë rrugica, porta të mëdha e në prishje, si përmendore vdekjesh fisnike por të harruara. Portat nuk hapeshin komplet, por u hapej veç një deriçkë e pjesshme brenda, që funksiononte si portë aktuale. Secila kishte zhurmën dhe marifetin e vet të hapjes; shumë prej tyre mbanin mbi vete shule të ndryshkura mbushur me rrjeta merimangash nga mospërdorimi, brava e doreza gjigante që rrinin të harruara, se nuk kishin më asnjë funksion. Disa porta i mbanin kanatet e shkalafitura ditë e natë.  Këto të fundit normalisht ishin shtëpi të mëdha ish-pasanikësh që tani ftonin brenda tyre 10-20 familje bashkë, ndaj edhe porta hyrëse kish humbur kuptimin e portës familjare e sikur rrinte buzëvarur. Kish oborre që rrethoheshin nga muret, e të tjerë që rrethoheshin me gardhe. Disa oborre s’kishin fruta por kishin hapësira me bar dhe lule delesh. Nuk e dija përse nuk mbillnin fruta njerëzit në to, gjersa shtëpia ish aq e vogël dhe oborri aq i madh. Në atë kohë duket që njerëzit s’kishin interesin apo ngenë për shtëpi të mëdha e të larta; me sa duket u pëlqente më shumë hapësira e jeshilllëku. S’ishte gjë e rrallë të shihje një a dy dele nëpër këto lloj oborresh me gardhe, dhe as nëpër rrugica. Rrugica e shtëpisë sime ishte e vogël dhe mblidhte pak vetë. Bëheshim grupe më të mëdha për të luajtur tek rrugica përballë, që ish më e gjerë dhe e asfaltuar, dhe kish të paktën njëzet shtëpi, të gjitha me plot kalamaj. Nuk e di pse ishte më mirë të luaje topa-luftash në asfalt sesa në dhe të rrahur. Në rrugicën time dikush kish ndërtuar një si mur prej qelpiçi në mes, por nuk e kish mbuluar me tjegulla siç kisha parë të mbuloheshin të tjera ndarëse rrugicash. Ndaj shirat prishnin pak nga pak siprajën e murit duke e derdhur baltën ngadalë përtokë në anët e tij. Nga kjo arsye, baza e murit ndarës, që më vonë mora vesh se ish mbeturinë zënkash për prona mes banorëve të rrugicës sime, ishte gjithnjë plot me bar të gjatë në të dy krahët . Askush nuk e priste, ndaj kallëzat barit ia valëzonte gjithnjë era.

Kish një lojë me këto kallëzat e barit që dikur më dukej krejt e natyrshme, por tani më fut në mendime. Ndahet kallëza e barit në dy pjesë, dhe pjesa e sipërme rifutet në vendin ku qe më parë në barkun e pjesës së poshtme të kallëzës, dhe maskohet kështu sikur të mos ishte këputur fare. Pastaj kallëza e barit që tani duket sikur të ishte një e tërë, futet mes gishtave të njërës dorë që mbahet horizontalisht me pëllëmbën poshtë, por kallëzën lart. Kjo pëllëmbë që mban kallëzën, rrihet fort nga poshtë prej pëllëmbës së dorës tjetër. Nga forca e shuplakës, pjesa e sipërme e kallëzës mund (pritet) të kërcejë jashtë shtratit të kallëzës ose jo. Në rast se kërcen jashtë saj, atëherë “do të të dalë babi nga burgu!”; në rast se jo, atëherë “babi do të ngelet në burg”. Kishte edhe variacione që “nuk do rrinte edhe aq shumë akoma në burg” ose “Kishin menduar ta nxirrnin, por pastaj kishin kthyer mendje”, në varësi këto të lëvizjeve dhe pozicioneve të kallëzës pas shuplakës. Një lojë e çuditshme, absurde, e pashpjegueshme dhe pa kuptim për fëmijë pesë-gjashtë vjeçarë siç ishim ne. Asnjëri nga kalamajtë që e luante këtë lojë nuk kish ndonjë prind në burg. Madje, në atë kohë, unë vetë nuk njihja njeri që të kish qenë kurrë në burg (ose nuk e dija, së paku). Pse na tërhiqte aq shumë loja? Ndoshta sepse ‘burgu’ krijonte një lloj dramaticiteti që na joshte? Po pse të qe krijuar kjo lojë, në fund të fundit? Pse, kur s’kishim ide për burgun, ishte transmetuar aq qartë tek ne se vetëm babai të hynte në burg, dhe jo nëna? Që nga ç’kohë vinte një koncept kaq i normalizuar e përditësuar i burgosjes së prindit? Lagjja ishte një qendër e vjetër tiranase ku ishin përzier pronarë të vjetër tokash me origjinë tiranase, të ardhur tradicionalë që flisnin gjuhën gollobordase apo kosovarçe, burra të respektuar me syze që rrinin brenda e shkruanin, si dhe pasunarë  pronarë vilash të bukura, që tashmë jetonin në po atë lagje në një qoshkë të ish-vilave të veta. Më vonë m’u qartësua që pas viti 1945, thuajse të gjitha familjet e lagjes sime (kur s’kishin nisur ende pallatet—mbaj mend pallatin e parë katërkatësh që u ndërtua në lagje) kishin apo kishin pasur pjesëtarë të ndryshëm meshkuj nëpër burgje; disa madje, edhe të pushkatuar. Ajo loja e burgut dhe kallëzës së barit, qartësisht duhet të origjinonte nga fëmijët e një a më shumë brezave para timit, që të ish përcjellë më pas tek ne si lojë argëtuese krejt e desemantizuar. Ndoshta kish ardhur nga kalamajtë e brezit të tim eti që pas Lufte ishin mes gjashtë e dhjetë vjeç. Një pjesë e mirë e tyre prej lagjes sime vërtet “e kish pasur babin në burg”. Pa psikologë e organizma familjarë apo shoqërorë që të kujdeseshin për traumat e moshës kur u merreshin prindërit, ndoshta ajo lloj loje ishte para së gjithash terapeutike dhe shprehte solidaritet fëmijësh me halle të ngjashme. Nuk di nëse lagjet e tjera e kishin këtë lojë.

Me ndërtimin e pallateve, hapësirat e gjelbëra nisën të treteshin; gardhet u zëvendësuan me mure, gjithë rrugicat tona u asfaltuan mes entuziazmit të banorëve e sidomos neve kalamajve; u asfaltuan edhe ato me kalldrëme të bukura, disa prej të cilave jetuan derisa unë mbarova universitetin. Pallatet u shtuan e u shtuan, herë të shëmtuar, herë disi më të bukur; në filllim ishin risi: pallatet që na tërhiqnin më shumë ishin ato me punë vullnetare, se aty gjithnjë ndonjëri prej nesh kish dikë që njihte, dhe kishim më tepër liri eksplorimi, fshehjeje, lojrash me llaç; hurmat, kumbullat, fiqtë e manat u prenë – njerëzit i donin oborret të ndërtonin shtëpi; rrugica e qershisë së Caces apo Anastasisë, nuk na mblidhte më se qershisë i ra sëmundja e u tha; nuk shkonim më të hanim mana të kuq tek oborri i Merit se manin e prenë; as tek ai i Hajries, mana të bardhë, se ishin shumë çuna e do bëheshin ndërtime brenda oborrit; Caracat e kopshtijet përgjatë rrugës Bardhyl në pak vjet u zëvendësuan nga pallate vërtet të shëmtuar, pa pemë a gjelbërim; Shabazja sybajame në fund të rrugës sime, e mbylli dyqankën e vet të kërrusur nga qelpiçi i vjetër e tjegullat e thyera, se do bëhej pallat, duke na lënë pa hashuret e ngrohta me arra të shtypura e kanellë, që ia bënte e ëma të freskëta në shtëpinë ngjitur disa herë në ditë; me të ikën tullumbat, trigonat dhe salepi i nxehtë që e bënte më rrallë; Shabani babaxhan që i kishte veshët dhe hundën me lesh të gjatë, që herët e mbylli bulmetoren rrangallë ngritur në cep të oborrit të vet, dhe në bulmetoren e re poshtë pallatit të ri, punoi ca kohë bashkë me të bijën bukuroshee pastërtore; Majnurja e pastiçerisë para shkollës së Kuqe, e akulloreve që i gëlltisnim në një sekondë dhe pastave pesë-lekëshe dhe me sy, mbeti gjallë deri vonë, si relik i lagjes që dukej se po merrej peng nga estetika aliene; oborrin tim e shtruam, dhe lamë vetëm mandarina në një pjesë balte në cep; hoqëm pjergullën, se si u zhdukën disa trëndafilë sa dy bojë njeriu me petëlat e të cilëve nona bënte shurup trëndafili, premë hurmat, fiqtë, e kumbullat, e s’mbeti më gjë mbi të cilën të kacavirresha sapo zgjohesha në mëngjes për frutat e ftohta e me vesë, pjekur përsosur gjatë natës; “kanat” plaka rreth oxhaqeve të rrugicave tiranase përreth që më duket sikur jetonin prej shekujsh, vdiqën njëra pas tjetrës: vdiq plaka afër shtëpisë sime që i thoshim të gjithë Teta, vdiq plaka e Shundit që, me brisk rroje, u hiqte perden e syve fëmijëve që rrinin në këmbë; vdiq Dija, plaka e çuditshme që jetonte me 24 mace dhe të birin, Allamanin e shkretë gjysmë të lënë; vdiqën nusja e Seferit, nusja e Dullës, nusja e Lamit, nusja e Kadriut dhe nusja e xhajë Molit (interesant që nuk ua di emrat grave, ngaqë u thërrisnin sipas burrave); vdiq në fund edhe nona ime e mirë dhe zëbutë, e pas saj edhe Fahrija mistrece, këmbëshpejtë dhe e zgjuar që e qau burrin e vet pasi kish vdekur, çdo ditë, për njëzet e shtatë vjet rresht; edhe Kristanthi, grekja sykaltër e nikoqire që s’e mësoi kurrë mirë shqipen, por që i marroste gratë e mëhallës (mysafire të rregullta pasdrekesh në oborrin e saj) me glikotë e veta të mrekullueshme dhe kafet turke perfekte; Hallë Midja që na mblidhte në rreth dhe na tregonte përrallën thriller të Mides së Karakollit, ishte një mesele më vete që duhet ta tregoj një herë tjetër.  Teksa të vjetrat vdisnin si prerë prej kosës, lagjja ndryshonte duke e shtrënguar hapësirën për të vegjlit gjithnjë e më shumë. Prapëseprapë, fëmijët luanin rrugëve, dhe hapësira e lojës, si brenda ashtu edhe jashtë shtëpive, mbetej më e gjerë sesa ajo e jo-lojës. Ishte ca më vonë që ajo nisi të zhdukej sikur po e përpinte kuçedra. Por unë atëherë s’isha më fëmijë.

***

Asgjë s’ka më prej saj. Për nga mbetjet e sotme, mund të kish qenë fare mirë kujtesë prehistorike Tirana e vjetër . Fëmijëria ime në Tiranë, praktikisht, është një libër me kapak të trashë që koha i ka tëhollur ngjyrat e i ka fanitur gërmat, faqet e të cilit i ka grisur dhe fryrë përtej kapjes një erë e tërbuar. Një profesor plak kokëfortë në një konferencë para dy javësh, këmbëngulte “Si mund të quhet latinishtja gjuhë e vdekur?! Kujtimi i saj është aq i domosdoshëm në çdo hap të letrave dhe shkencave sot!” Profesor i dashur: unë përpiqem t’i kursej patetizmin vetes e të mos e shoh Tiranën e largët si të gjallë sot; ndërkohë që ai vështrimi yt, është po aq legjitim. Pa dyshim muret gjysmë të rrëzuara apo gardhet (ku idilike kullotnin pulat dhe delet), nuk mund të mbeteshin sot. Por kish rrugë e ndërtesa, perspektiva  e hapësira që mund të ishin ruajtur e përdorur për ta bërë të bukur Tiranën moderne. Ka copa rrugësh, kthesa, pjesë lagjesh e sheshesh në Itali, Francë e tjetërkund, që janë tamam siç ishin para 70 vjetësh. Më gjej në Tiranë një qoshkë të tillë, që të shkoj e të vdes pastaj! Por çështja nuk është sa shumë ndryshon një qytet, por si ndryshon. Ky i imi iku sikur t’ua kish për borxh atyre që vinin pas, iku nga koka këmbët, si nën ushtri xhahilësh pa bukuri në asnjë xhep të shpirtit, që nuk ndaluan kurrë të thoshin: pa dale të shohim ç’po marrim përpara. Ka qytete që s’ishin kurrë madhështore nëpër Ballkane, por që e kanë ndrequr antikisht e artistikisht qendrën e vet apo disa lagje, edhe sikur ato të mos jenë aspak autentike! Edhe Athina, nga qytetet më pa bukuri që kam parë në Europë, prapë i ka zbukuruar e komodifikuar disa lagje të vetat që sot t’ia shesë botës si të vjetra, e të kënaqë, si qytetarët e vet, si turistët. Ne s’kemi lënë gjësend. Dhe, fare pa gjë, s’themi dot se qemë. Ato çezmat e Italisë sikur t’i kishin lënë, të paktën! Po me çezmat ç’patën?!

Pa Komente

  1. Ndjeshmëri e shkallës së lartë, art i vërtetë pa asnjë notë fallco. Megjithatë para shkrimesh të kësaj natyre gjithnjë pyes veten nëse mos është nostalgjia për atë që ka ikur që na shtyn ti mbajmë ato vite në përfytyrimin tonë të veshur me një lloj bukurie dhe shije të papërsëritshme?
    A ka kritere jashtë emocionalë që mund të krahasojnë Tiranën tonë të atyre viteve me Tiranën e një vogëlushi që jeton tani moshën tonë të atëhershme? Po qe se ai nuk do të flasë me të njëjtën dashuri e ndjeshmëri për të, ky do të ishte me të vërtetë një problem i madh. Normalisht duhet të ndodhë e kundërta.
    Pavarësisht nga sa thotë kataklizmatikët, jeta sot është më pak e vështirë se atëherë, me mundësi më të mëdha për ta bërë më të gëzueshme jetën e fëmijëve.

    Në këto njëzet vjet shqiptarët për herë të parë i dhanë kryeqytetit të tyre formën që deshën vetë, e ndërtuan pa ndërhyrje të një estetike të imponuar e aq më pak të ideologjizuar, nxorën nga barku fantazmat e tyre të fshehura dhe i vunë në jetë.
    Po qe se ky vogëlushi (ja) i Tiranës së sotme një ditë do të na thotë se megjithatë nuk i kujtohet asgjë nga vitet e fëminisë që i sjellë lotët te sytë, atëherë të gjithë duhet të marrim trastat e të ikim në një cep të shkretëtirës së Gobit dhe tu lënë të tjerëve, një populli që e meriton, këtë anë të Evropës, ku me sa duket jemi shfaqur rastësisht e në mënyrë të pamerituar. Provat nuk mungojnë edhe pa masakrimin urban.

    Ta themi hapur, unë nuk besoj se Tiranën mund ta zombizojë një njeri i vetëm, qoftë ky edhe kryetari i saj. Është e pamundur. Që të ndodhë ajo që ndodhi dhe që e le indiferente autorin, autoren e këtij shkrimi, duhet pjesëmarrja entuziaste e mijëra vetave. E po qe se ai qytet mund të nxjerrë nga rropullitë e tij mijëra krijesa të kromanjonit që mund të ngrihen e ta shëmtojnë Tiranën në atë farë derexheje, atëherë askush nuk del lugë e larë.
    U largova më duket.
    Nuk jam besoj i vetmi, që ëmbëlsirat e Shabazas ( që i njoh mirë) apo të të tjerëve, më sjellin ndër mend madalenat (petullat) e Prustit. Edhe ai u vu një ditë në kërkim të kohës së humbur, duke ringjallur gjithçka nëpër mjet shijes së madalenave të tetove të fëminisë së tij…
    Bukur shumë!

  2. Falemnderit për këtë!

    Madlena ime finale tiranase është aroma e vajgurit, që përgjoja tek dyqani i freskët dhe i rrezikshëm përbri (zhdukur prej 20 vitesh) me gjithë nallonet e shitëses (m’u rikthye pardje, këmbëzbathur, prag kutërbimit, vajguri, në një galeri arti – me siguri pjesë e ndonjë instalacioni); po pa lexuar këtë, e kisha harruar shijen e shputës drejtpërdrejt mbi mishin e lëvizshëm të ziftit në xhade, që ma ngjethte shpirtin parashkollor dhe m’i destabilizonte butë pasditet e verës një nga një, teksa gjithkush flinte dhe makina s’kishte dhe as pallate nuk kishte e dukej si ishull. Nejse, desha të pres në rradhë pak, të shkruanin shumë komentues deri sa të mos binte në sy një pyetje sinqerisht jotendencioze dhe (shpresoj) jodogmatike: a ka nevojë të vërtetë për “çikatriçe” në shqip? Në shkrim, konkretisht, fjala them se rri, se sikur përftojmë vetiu një homazh dhe mungesën e çezmave italiane dhe qoftë vetëm për kompensim ia vlen … po gjithsesi, më duket se shqipja ka nevojë për shumëçka, kurse regjistrin e plagosjeve qoftë edhe për sedër, qoftë edhe për vijueshmëri apo hakmarrje, them se duhet insistuar që e kemi, qoftë edhe në sajesa. Mirëkuptoj dhe mirëpres krejt pa i vënë re huazime fjalësh për teknologjinë, filozofinë e si këto, po gjithë kjo dhunë rrotull dhe ta transportosh me kalk përtej detit, a thua se shpëtuam (tiranasit kanë një shprehje gjigande: “të rref e s’t’le me qa”)…

    ps: Falemnderit edhe për shpjegimin mbi kallirin jeshil nga pas pëllëmbës kieromantike: prangat na rrinin të gjithnjë e më të mëdha në vitet ’80, hynim e dilnim nga ato pa i kuptuar

  3. “a ka nevojë të vërtetë për “çikatriçe” në shqip?” Me siguri ne te folme te ndryshme do kete nje fjale per kete, por une nuk e di. Dhe, edhe sikur ta dija nje te tille te rralle, nuk jam e sigurte se do kish aq kuptueshmeri mes shqipfolesish, sa kjo qe perdor. ‘Gervishtje’ me duket e pasakte, sepse une i meshoj historise se gjurmes dhe asaj cka mbetet nga gervishtja, me shume se arsyes shprehur figurativisht. Mund te thoja ‘gjurme’, ‘mbrese’ etj, por s’kane ate vlere. Por une jam e hapur ndaj nje fjale “me te mire”, ashtu sic nuk e shoh kete qe kam perdorur si “me te keqe”.

    Nuk e di si do ta kujtojne Tiranen e tyre ata qe u rriten ne Vitet e Tranzicionit. Emri vete, mua me fut te dridhurat. Por njerezit, kudo qe t’i ngujosh e sido t’i torturosh, kane tendencen dhe aftesine te prodhojne te bukuren.

    1. Krejt jashtë teme: për cikatrice unë do të sugjeroja sinonimet vrajë, blanë, vurratë, ose edhe thjesht shenjë (plage). Leka-Simoni kanë edhe shënake (që mua s’më bind). Por sot është ditë për të lagur këmbët në çezëm, të paktën në New York – s’ka gjë se na duken cikatricet 🙂

  4. Edhe unë për atë po mendohesha: nona ime përdorte “vëshkatë” ose “vragë” (kjo e fundit duhet të jetë e së njëjtës origjinë me “vrajë”). Nuk më kujtohen fjalët e gjyshes nga Jugu për këtë. “Shenjë” është sh. më e përgjithshme dhe do donte ekstra-kontekst që të mbështetej ku e kam përdorur. Por më duket se kjo është fjala e përgjithshme si për shembull “fytyrë me shenja lije” (ose “me të vrara lije”). “Vurratë” më pëlqen. “Blanë”s’e njoh, por paska tingull të bukur.

  5. Nese eshte njelloj ngushellimi per ty, Evdote, dije se paku se nuk je e vetme qe ndihesh ashtu. Keto lloj kujtimesh per mua jane nje lloj nevoje vete-pastrimi, dhe, si kur i shkruaj edhe kur i lexoj me japin edhe kenaqesi edhe vuajtje. Edhe nese behem kritike tek-tuk, e kam kryesisht me veten time.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin