MISH PËR SKRAP

Nuk kam qenë aty. Këtë dua të them që në fillim, por dikush  betohet se i ka dëgjuar me veshët e tij dy bashkatdhetarët tanë, që flisnin ngeshëm, me bërryla të mbështetur te parmakët e urës së Jenës dhe me sytë nga kulla Eifel. Bënin disa punë llogarish, që personi në fjalë nuk i kishte kuptuar menjëherë, por  diçka  qe ftilluar kur ishte shqiptuar fjala dinamit. Kjo e kishte shtyrë të ngadalësonte hapin dhe të bënte sikur po i interesonte shumë një barkë që po i afrohej urës. Më vonë tha se këtë e kishte bërë që të kuptonte më mirë nëse duhej të vazhdonte rrugën në drejtimin nga qe nisur apo të kthehej me vrap në shtëpi, të merrte grua e kalamaj e t’ia mbathte për Tiranë.

Në të vërtetë puna kishte qenë më e thjeshtë. Personat e mbështetur te ura e Jenës vetëm për kënaqësi intelektuale, po llogarisnin sa dinamit duhej për të hedhur në erë kullën Eifel dhe sa ton skrap mund të nxirrej prej saj. Asgjë më shumë dhe në asnjë rast ata nuk kishin dhënë shenja se kishin ndërmend ta vinin në jetë një gjë e tillë. Këtu kujdes. Ata që thonë se aksioni nuk u vu në jetë sepse në Francë duhet të deklarosh origjinën e skrapit, ata janë antishqiptarë.

Megjithatë historia e mësipërme mu kujtua këto ditë dhe kjo për shkak të një farë flash-i që shpërndanë dje agjencitë e lajmeve.

Meqë e di mirë se si shfytyrohen për arsye politike lajme të caktuara duke i nxjerrë nga konteksti i tyre, po e sjell atë të plotë.

…Vjedhja e shinave të trenit ka bërë që treni i udhëtarëve i linjës Shkodër-Tiranë të dalë nga shinat gjatë ditës së sotme ndërsa makinisti ka evituar daljen e plotë të trenit (Në të vërtetë foto tregon se ai ka dalë plotesisht). Nga ky aksident nuk ka pasur të lënduar ndërkohë që specialistët e avarive të hekurudhës kanë konstatuar vjedhjen e pajisjeve hekurudhore.

Vjedhja e shinave për t’i shitur ato si skrap është përhapur shumë gjatë ditëve të fundit ku janë konstatuar shumë segmente të dëmtuara në shumë zona.

Shumë pyetje të vijnë në mendje, por nuk je i sigurtë nëse ia vlen t’i artikulosh. Ke përshtypjen se edhe krimet më të rënda, qoftë edhe në tentativë, janë bërë pjesë e jetës së përditshme, madje një gjë e tillë nuk vlen më shumë se nja pesë gjashtë rreshta në gazetë. Jeta jonë kushton gjithnjë e më pak.

Për më tepër ata që udhëtojnë me tren nuk janë gazetarët, as deputetët.

E megjithatë nuk e shmang dot pyetjen, ç’ bën klasa politike? Përgjigja është e thjeshtë: Ajo bën politikë. Njëra palë lufton të mbajë pushtetin (dhe i intereson që të mos trajtohet si skandal një ngjarje e tillë e tmerrshme), tjetra  kam përshtypjen se ndjen pak keqardhje që masakra e radhës mungoi. Masakër pas masakre, kjo është moda e re e ardhjes në pushtet! Duket se në disa qarqe politikanësh shprehet keqardhja që nuk ndodhi gjësendi më e keqe. Duket se tani ne vlejmë më shumë të vdekur se sa të gjallë. Duke mos vdekur jami pak fajtore ndaj tyre. Mungoi mishi për skrapin e tyre politik.

Unë nuk gjej arsye tjetër që të shpjegoj mbylljen e kësaj ngjarjeje me kronika pesë rreshtash, pa kërkuar seancë të jashtëzakonëshme parlamentare. Po ditët ma thoni.

Po të tjerët, opinioni publik, shoqëria civile?

Çështë e vërteta prej kohësh ata më duken diçka si banorët e getos së Varshavës. Shtyjnë anash të vdekurit, që të vazhdojnë të lëvizin të qetë në rrugën e tyre.

Nuk ka komente

  1. Thuhet se ne sistemin kapitalist prona private eshte e shenjte dhe sigurisht mbrohet me ligj. PO prona publike? Ajo as qe nuk diskutohet qe eshte super e shenjte sepse eshte prone private por e te gjitheve!! Dhe nese per nje abuzim me nje prone private nga nje keqberes do te angazhohet nje polic, per nje prone/pasuri publike do te mobilizohet nje ushtri!. Por a kuptohet kjo gje tek ne keshtu? JO! Tek ne prona publike eshte jo e te gjitheve por e askujt dhe nese dikush e remben apo thjesht e etiketon “e xanun”, ky njeri (nese mund e quhet i tille) respektohet ose minimumi lakmohet.
    Ne keto kushte a e meritojme ne shqipetaret te festojme me ekzagjerime 100 vjetorin e pavaresise? Pra 100 vjet qe demek kemi shtet!!! 🙁 .

  2. Ne fakt Lyss, mua me duket se nuk eshte kjo foto e trenit te ngjarjes por eshte nje foto tjeter e marre me shume gjasa nga ndonje avari ne subkontinent. Sidoqofte kjo nuk e zhvlereson shqetesimin tend te drejte.

    1. Nuk di ç’të them. Ishte kjo foto që shoqëronte ato gjashtë rreshtat. Nuk eshte se kerkova gjetiu.
      Po qe e vertete kjo qe thoni ju atehere ndonje dite do te na japin foto nga mbledhja e sulltanatit te Burneit per te ilustruar mbledhjen e qeverise shqiptare.

  3. Shoqerimi i ngjarjeve me foto pa lidhje te marra kryesisht nga interneti eshte nje fenomen “i vjeter” i gazetarise shqiptare. Ne rastin konkret kjo perforcon edhe me shume idene e shkrimit tuaj se askush nuk e can kryet pse doli treni nga shinat. Kjo edhe per faktin se ketu ka dale gjithe vendi nga shinat.

    Nje tjeter fakt interesant ne te njejten linje eshte edhe thellimi i madh i gropave ne rruget kryesore te Tiranes. Keto nuk jane nga ato gropat pa zarar por “gropa betoni” pra te rrezikshme sepse jo vetem demtojne keqas automjetet por edhe behen burim aksidentesh. Ne ndonje vend gropa zen edhe gjysmen e rruges prej kater korsish. Edhe per kete nuk pyet kush. Sepse kryebashkiaku eshte i zene te beje vizita ne Amerike, e mediat jane te zena te pasqyrojne vizitat e tij…

    1. Mire e ke thene Lukas. Po qytetaret e Tiranes, pse e votuan kryebashkiakun, apo me shpresen e filozofise antigrope? Keshtu i bie qe gropat te jene te trasheguara, ndaj une them te rishkruhet historia e kryeqytetit. Pastaj mediat jane te blera, kete e di ti, une, e di edhe makinisti i trenit qe doli nga shinat ne Vore para dy ditesh. Pse atehere te kerkosh prej tyre pasqyrim te realitetit?

      1. Them se e votuan duke ndjekur filozofine e se keqes me te vogel. Eshte folur per te edhe ketu ne kete blog dhe eshte diskutuar se si kjo menyre te menduari ka deshtuar keqazi ne Shqiperi.

        1. Ndoshta. Votuesi eshte si puna e klientit, ka gjithnje te drejte.

  4. Nuk e kuptoj sesi mund te shitet nje shine per skrap? Ku? Sa qendra te mbledhjes se skrapit ka ne Tirane p.sh.? Nuk mund te inspektohen ato?

    Ne nje shetitore te inaguruar shpejt e shpejt nga Edi Rama tek ish-Fusha Aviacionit, e cila i pervidhet dy vilave ne mes te bulevardit, qe nderpresin trotuarin dhe rrugen, jane vjedhur brenda nje nate (fill pas pastrimit nga bashkia) pothuajse te gjitha kapaket e gropave dhe kanaleve te ujrave te bardha. Ku shkojne? Po keshtu ne gjithe Tiranen.

    Nje hipoteze eshte se “gabelet shetites e skrapmbledhes” i coptojne deri ne panjohje perpara se t’i cojne ne qendrat e mbledhjes. Nuk eshte e vertete. Ka nje industri te mireorganizuar qe shetisin me kamione e mjete per copezimin e tyre…e policia rri e ben sehir…

  5. Shinat e trenit per skrap duhet te hyje ne akuzen per terrorizem dhe te ndeshkohet rende.
    Nuk e çan koken kush edhe sepse hekurudhat nuk u sjellin perfitime, per te mos thene qe i pengojne ne rindertimin e shpeshte te rrugeve nga nxjerrin thesare.
    Pajtohem qe ne kete mes nuk kemi te varfer por rrjete qe pasurohen me skrapizimin e Shqiperise.
    Maskaralleku i fukarallekut nuk barazohet dot me maskarallekun e pasanikut, ai i fukarallekut eshte shume me njerezor.

  6. Epo te rrezohet nje tren pasagjeresh dhe gazetat me te shitura ta percjellin lajmin me pak fjali dhe me foto ku publiku duket i nxire nga dielli e – nuk dua te gabohem – me palma ne sfond, do te thote se Vora vertet ka ndryshuar brez klimatik keto vite – sipas motos “Shqiperia po ndryshon” – ose nuk eshte problematike ekskluzivisht qeveritare. Gazeta Shekulli jep foto verore te nje treni mallerash, mjaft te tjerat heshtin. Mendoj se ceshtja tejkalon byrone politiko-shteterore per t’u shtrire tek mentaliteti i mases. Kam udhetuar me ate tren para disa vitesh dhe kam pare pasagjerin duke fluturuar sediljen nga driarja, punonjesin duke “pi uje” tek serbatori i lokomotives, ate femijen e vogel qe ne orarin e shkolles shkonte me dele, por kishte mesuar ta ndalte trenin nga jashte, duke levizur valvolat e presionit te ajrit (nje levizje zanati), kam pare edhe banore perreth te mbanin shenjestren ne stervitje me xhamat e dritareve, e mire qe nuk ishte 1997. Varferia?
    Dalja e trenave nga shinat ne Indi zakonisht eshte pasoje e tejmbushjes, por jo te vjedhjes se shinave, ndonese varferia ne Indi eshte masivisht ne nivelin e mbijeteses. Te jete valle shteti Indian, me ato polic qe duken si roje bostani me shkop ne dore, me i pushtetshem se njeri nga antaret e Natos, qe po civilizon Afganistanin?
    Shteti qe pretendon driten jeshile per ne Evrope, se keshtu shqiptaret do te shpetojne, pasi motoja e jone eshte qe “te tjeret ose historia e kane fajin e fatkeqesise tone dhe te tjeret do te na nxjerrin nga kafsheria”, siç duket e ka me te lehte te hyje ne BE – lehtesia e endrres dhe e iluzionit mashtrues – se te mbaje trenin ne shina dhe popullin ne binaret e ligjit, por gazeta mund t’i jepte rendesine e duhur e te mos tallej me punonjesit-pasagjere dhe me lexuesit, edhe ai banori i asaj zone, nganjehere, mund te zgjedhe ecjen, per shembull, ne ane te rruges e jo ne mes shinave te trenit. Preteksti eshte i gatshem: mes shinave te trenit jam i sigurte. Por globi ka edhe 6 miliard komoditete e deshira te tjera te shumefishueshme sa here qe i ndrsyshojme.
    Shteti yne nuk eshte entitet abstrakt. Ai perbehet nga njerez qe vendosin komoditetet e tyre ne plan te pare, ashtu si tallja e gazetes, si ai qytetari i thjeshte qe mendon se shinat jane te shtetit, pra te askujt dhe njekohesisht te tijat, ose, thene ndryshe, nga ironia e nje skeçi te famshem rreth spitaleve tona, “spitali asht i shtetit, pa na jena t’vedit”. Ndersa komshiu i tij thote, ne darke gjate reklamave te telenovelave: “sa i shkathet djali i filanit, e ka rregulluar shtepine duke shit skrap”.
    Ama, nuk mohohet se jane hapur vende te reja pune: dikur jetohej duke zene krap e sot jetohet edhe duke zene skrap.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin