Para pak ditësh, u mblodh në Tiranë një konferencë mbi çështje të gjuhës shqipe me titull “Gegnishtja sot”, e organizuar nga Instituti i Promovimit të Vlerave në Gjuhën Shqipe, i drejtuar nga Primo Shllaku.
Qëllimi krejt ambicioz i kësaj konference ishte të shohë se ku gjendet sot koineja letrare gege dhe të shqyrtojë rrugët për kthimin e prestigjit të saj në ligjërimin publik, përveçse atij letrar.
Për arsye praktike, vetëm tani mund t’u kthehem disa çështjeve që u diskutuan në konferencë, për t’i parë në kontekstin e temave të rrahura prej kohësh në këtë blog.
Shtypi i kish dhënë vend të konsiderueshëm një kumtese ose diskutimi të Blerta Krajës, e cila është juriste (avokate), bashkëthemeluese e Institutit të Promovimit të Vlerave në Gjuhën Shqipe dhe drejtore politikash e tij.
Në këtë kumtesë, Kraja hedh tezën se, neni 14, pika 1 e Kushtetutës së vitit 1998, ku thuhet se “Gjuha zyrtare në Republikën e Shqipërisë është shqipja” duhet interpretuar se Kushtetuta nuk e lidh gjuhën zyrtare tonën me asnjë vendim detyrues të mëparshëm, apo me të ashtuquajturin “standard”; madje “Kushtetuta e re nga fton ta ridefinojmë shqipen dhe nuk na lidh me kurrfarë vendimi detyrues të para Kushtetutës.”
Më tej, ajo vëren se të drejtat gjuhësore janë të drejta dhe liri themelore të njeriut, duke iu referuar Deklaratës Universale të së Drejtave Gjuhësore, të miratuar në Konferencën e Barcelonës të 9 qershorit 1996, në kuadrin e UNESCO-s; dhe më tej i referohet faktit që Bashkimi Europian në organizimin e tij ka të përfshirë një komisioner që mbulon dhe multilinguizmin.
Sa qëndrojnë këto argumente?
Për mendimin tim, ato nuk qëndrojnë.
Përcaktimi i shqipes si gjuhë zyrtare në Republikën e Shqipërisë, nga neni 14, pika 1 e Kushtetutës, duhet kuptuar në rrafshin e diversitetit gjuhësor, jo të diversitetit brendagjuhësor; në kuptimin që Kushtetuta e vendos shqipen si gjuhë zyrtare, përballë greqishtes, serbishtes, bullgarishtes, arumanishtes, romishtes, dogançes dhe ndonjë gjuhe tjetër që mund të flitet nga grupe etnike brenda territorit të republikës. Kjo nuk ka të bëjë me formën e shqipes zyrtare; meqë askush nuk pretendon, askund, që ta shndërrojë kushtetutën në një gramatikë normative të shqipes së sotme, e cila t’u kundërvihet formave dialektore të shqipes, që fliten anembanë trojeve ku jetojnë shqiptarë. Po ashtu, ma merr mendja se shumë juristë do të ishin gati të argumentonin se vetë termi gjuha zyrtare, siç përdoret në Kushtetutë, e parakupton një formë gjuhësore jo vetëm të njësuar, por edhe të kodifikuar (siç është standardi), meqë së paku shqipja e akteve zyrtare, p.sh. e ligjeve, duhet të jetë vetvetiu, për nga vetë natyra, e kodifikuar; në kuptimin që kodifikimi ka të bëjë jo me ndonjë nevojë kulturore ose hegjemonike, por lidhet me mënyrën si funksionon ligji, si formulim gjuhësor i një rregulle ose shtrëngimi eksplicit. (Aq e vërtetë është kjo, sa njihen raste kur, në ShBA-të e shekullit XIX, kanë dështuar procese gjyqësore vetëm e vetëm ngaqë gjykatësi dhe palët e tjera nuk kanë rënë dot dakord si ta shqiptojnë një term të caktuar; në fakt, njësia formale është kusht për identifikimin e saktë të termave dhe vetë interpretimin e ligjit.)
Edhe aktet ligjore të Bashkimit Europian dhe referimet ndaj të drejtave të njeriut duhen kuptuar, si rregull, në këtë prizëm: si akte që kanë për objekt gjuhët e ndryshme brenda një jurisdiksioni të caktuar, jo format e ndryshme të një gjuhe (dialektet, variantet letrare, zhargonet).
Kraja i referohet nenit 5 të Deklaratës Universale të së Drejtave Gjuhësore, ku thuhet se “kjo deklaratë është e bazuar në parimin se të drejtat e komuniteteve gjuhësore janë të barabarta dhe të pavarura nga statusi ligjor apo politik i gjuhës së tyre, si zyrtare, rajonale apo minoritare….” Mirëpo edhe në këtë pasazh, duket qartë se është fjala për gjuhë, jo për formë gjuhësore, koine dialektore, ose variant letrar.
Nga ana tjetër, neni 9 i së njëjtës Deklaratë thekson se “Të gjitha komunitetet gjuhësore kanë të drejtë të kodifikojnë, standartizojnë, ruajnë, zhvillojnë dhe promovojnë sistemin e tyre gjuhësor, pa ndërhyrje nënshtruese apo detyruese,” pohim ky që nuk është domosdo i lidhur me një gjuhë të caktuar, meqë sistemi gjuhësor, si koncept, mund t’i referohet edhe një koineje dialektore ose varianti letrar.
Gjithsesi, manovra e Krajës, për t’i paraqitur trajtesat komunitare europiane të multilinguizmit si pertinente në rastin e raporteve të gegërishtes – cilësdo gegërishteje – me shqipen standard ka brenda një element sofistik, sa kohë që Kraja vetë nuk e pranon ta quajë gegërishten, ose më mirë “gegnishten” si gjuhë të ndryshme nga standardi dhe konkurruese me të në nivelet letrare madje edhe publike; por i mbetet besnike tezës tradicionale se kjo gegnishte – sado imagjinare dhe sado mitike – është po aq formë e shqipes sa edhe standardi.
Çështja besoj se duhet formuluar kështu: nëse do të luftohet për rehabilitimin e gegërishtes, të çfarëdo forme, a do të konsiderohet kjo gegërishte si formë e shqipes dhe rehabilitimi i saj publik do të bëhet në bazë të nenit të sipërcituar të Kushtetutës; apo do të konsiderohet kjo gegërishte si gjuhë e ndryshme dhe e mëvetësishme nga standardi, dhe rehabilitimi i saj publik do të bëhet sipas legjislacionit europian për të drejtat e njeriut dhe multilinguizmin.
Në trajtesën e vet, Kraja nuk pozicionohet qartë ndaj kësaj dileme, që ka rëndësi kritike për shtrimin e çështjes vetë, por edhe për gjetjen e një rrugëzgjidhjeje.
Kjo manovër, ky sofizëm i pështjellimit mes një gjuhe dhe një dialekti s’është hera e parë që nxjerr kokë, në debatet për format publike të shqipes. Natyrisht, vetë dallimi mes gjuhës dhe dialektit është konvencional dhe pak a shumë arbitrar; gjuhëtari Max Weinreich ka popullarizuar thënien se “gjuha është një dialekt i pajisur me një ushtri dhe një flotë”, për të treguar, para së gjithash, se dallimet mes gjuhës dhe dialektit nuk mund të përcaktohen vetëm me mjete gjuhësore.
Kjo do të thotë edhe se përgjigjja që do t’i japim pyetjes nëse gegërishtja letrare është apo jo gjuhë nuk do të jetë kurrsesi e pafajshme; meqë në rrethanat e kulturës shqiptare sot, gegërishtja letrare gjuhë do të thotë separatizëm geg, organizim politik rajonal, federalizëm kulturor dhe federalizëm politik. Po a janë këto qëllimet e Primo Shllakut, të Blerta Krajës dhe të përkrahësve të tjerë të rehabilitimit të gegërishtes letrare si formë të ligjërimit publik? A janë gati ithtarët e gegërishtes letrare që të mbrojnë tezën se kjo është gjuhë më vete, po aq e pavarur nga toskërishtja letrare (dhe standardi) sa edhe, bie fjala, katalanishtja nga spanjishtja, ose provensalishtja nga frëngjishtja?
Çuditërisht, të njëjtën ambivalencë në lidhje me statusin linguistik të gegërishtes (gjuhë, dialekt, variant letrar) Arshi Pipa e ka gjetur edhe në analizat e Kostallarit, për rrugën e formimit të standardit të vitit 1972. Pipa madje citon, në veprën e vet Politika e gjuhës në Shqipërinë socialiste (botimet Princi, 2010), një pikëpamje të Marr-it (gjuhëtarin me të cilin polemizoi Stalini, në pamfletin e vet të mirënjohur për Marksizmin dhe çështjet e gjuhësisë), sipas së cilës “faktikisht, cilidoqoftë dialekt është gjithmonë vetëm mbijetesë e një gjuhe të pavarur.” Pipa e vë re mirë se kjo pikëpamje, që nuk është aq skandaloze sa ç’mund të duket në vështrim të parë, bie ndesh kryekrejet me konceptin krahasimtar për dialektin, si formë të një gjuhe të vetme kombëtare, koncept që sot e marrim pothuajse pa vërtetim, së paku në nivelin kulturor. Pipa madje e akuzon Kostallarin se, në diagramin e vet famëkeq të raporteve mes shqipes së njësuar, gegërishtes letrare dhe toskërishtes letrare, “gegërishtja dhe toskërishtja nuk janë dy dialekte të së njëjtës gjuhë, ata janë dy gjuhë të ndryshme” (vep. cit. f. 56; korsivi, në këtë shembull, është i Pipës).
Duket sikur, në mënyrë qoftë edhe të pavetëdijshme, Kostallari e përfytyronte gegërishten letrare jo vetëm si variant konkurrent të standardit të vitit 1972, por edhe si gjuhë konkurrente të shqipes standard; ky marifet i vogël, por me pasoja të rënda, do të lejonte edhe referimet e shumta, eksplicite dhe implicite, ndaj ideve të Stalinit për përplasjen mes gjuhëve, në perspektivën e një darvinizmi linguistik primitiv, por të efektshëm. Nëse është kështu, atëherë përfytyrimi i gegërishtes (më saktë, shkodranishtes katolike) si zhargon të antikomunizmit, gjatë viteve të totalitarizmit, nuk ishte aq folklorik sa ç’kujtohet; meqë në aspektin thjesht kulturor armiku i klasës, për t’u identifikuar, kishte nevojë edhe për një gjuhë të vetën, së paku nga pikëpamja marriste; dhe, prapë së paku, në atë masë që njësimi i shqipes gjatë po atyre viteve përkoi me homogjenizimin kulturor dhe ideologjik të shoqërisë shqiptare (mënjanimi me dhunë i diversitetit: në politikë, në kulturë, në fe, në ligjërim).
Më duket se keni të drejtë se këto dy justifikime për promovimin e Gegërishtes nuk mund të jenë njëkohësisht të vlefshme. Por gjithashtu mendoj se përcaktimi i një forme gjuhësore si “gjuhë e ndryshme” apo “dialekt” nuk është as i thjeshtë, as i qartë. Ky dallim në shumë raste ka më shumë të bëjë me politikat se sa me veçoritë e brendshme të gjuhës. Ja për shembull “dialektet” e ashtuquajtura të Kinës, të cilat ndryshojnë aq shumë sa nuk janë reciprokisht të kuptueshme, dhe nga ana tjetër “gjuhët” suedeze dhe norvegjeze, folësit e të cilave mund të kuptojnë njëri-tjetrin deri diku. Siç është thënë shpesh mbi këtë çështje, “Gjuha është dialekti me një ushtri dhe një marinë.” Nga kjo pikëpamje, Gegërishtja mund të bëhej një “gjuhë” e vërtetë po të siguronte mbështetjen e një shteti – ndoshta të Kosovës?
Ja e hengrem Shllakun per primo, po per sekondo kjo Blerta nuk vlen fare, mbase shtyhet per sallate jeshile ose jeshilleqe si thote populli.
Nuk ma ha mendja se ajo eshte aq e zonja te perdore sofizmin, perkundrazi jam i prirur te mendoj se eshte e bindur se ka gjetur zgjidhjen.
Nje perdorim i sakte, do te kerkonte permendjen e faktit qe shqipja si gjuhe zyrtare i kundervihet gjuheve te huaja, keshtu do provonte te digjte kunderargumentin, e pastaj te shtonte argumentimin, se megjithate shqipja nuk eshte shprehimisht ajo qe quajme standart, sepse x,y,z, keshtu qe lind nevoja e interpretimit te Kushtetutes etj etj.
Sa per dilemen, mua s’me duket aspak e tille, meqe qellimi eshte te mundin toskerishten ne mejdanin shqiptar. Ka gjasa ta mundin nese ne Kosove shpartallohet inteligjenca nacionaliste ne favor te inteligjences krahinoro-europiane.
Ky eshte rasti kur nje kerkese ne vetvete legjitime, fale shtyses krahinore me justifikim europian, kthehet ne kerkese per perçarje dhe humbet legjitimitetin ne syte e kombit.
Kërkova në internet ndonjë reference të këtij instituti. Gjeta një hapesire që mund ta quaj zyrtare në Facebook.
Lexova (kalimthi) dy shkrimet e para që ishin lavdi mbi poetin Shllaku dhe i vetëm i treti ka te bëjë me aspektin kryesor të “Instituti për Promovimin e Vlerave në Gjuhë Shqipe” .
Shkrimi ka per titull: “E ardhshmja e gegnishtes në Standardin e shqipes asht e pandalshme” dhe ja hapja:
Jo, gegnishtja ma nuk mund të përjashtohet prej askujt. Ajo ma nuk mund të ndalet, nuk mund të dënohet, të burgoset, të vritet. Tentoi me e ba këtë diktatura enveriste. Por nuk ia mbrriti. Gegnishtja mbijetoi, falë vlerave të saj historike e bashkëkohore. Rrugës saj të gjatë gegnishtes iu imponue me mpreh armë gjuhësore të fuqishme e vlera të çmueshme rezistence. Shtegtoi ajo shtigjesh e vahesh të vështira. Dhe jo vetëm mbijetoi, por se ai organizmi i fuqishëm që mobilizon antikorpe përballë rrezikut të lngatave, ajo, jo vetëm zbuloi vlera të çmueshme imune, por edhe i la ato si trashigim në luftat e saj të ardhshme për ekzistencë. Janë këto vlera ata që nuk vriten. Janë këto vlera ato që nuk mujti me i vra as lngata komuniste e gjysëmshekullit të dekreteve përjashtuese, që si askund tjetër shpalli tek ne anmike edhe gjuhën. Tenton përsëri të rivrasë ajo kohë që jeton e përplitet ende përmes profesorëve nostalgjikë të diskriminimit të gegnishtes. Por zani i tyne sa vjen e meket, sa vjen e myket. Janë grahmat e fundit të persekutorëve të gegnishtes, të cilët ende sot përmes argumentesh që vijnë erë gjuhësie staliniste, kërkojnë me ndy e me pengue, mjedisin e sotëm të ringjallun gjuhësor shqiptar. Gjuhtarët përsekutorë të gegnishtes, gjeneralet e Kongresit të 1972-shit ata që i prinë dhunshëm një ushtrie të imponueme pushtuese e gllabruese gjuhtarësh, ashtu siç nuk mujtën me vra gjuhën e nina – nanave gege që me muzikalitetin e fjalës “ porsi kangë e zogut te verës”, me perkëdhelitë e tyne “ porsi i ambli fllad i erës “, me ambëlsinë ledhatuese “porsi valë e bregut te detit” rriten brezat e tre të katërtave të shqiptarëve, ashtu siç nuk mujtën ata me vra forcën prej kreshnikësh eposi të fjalës gege që burrnonte trimat me fuqinë e saj “ porsi gjamë e rrfesë zhgjetare” e “porsi ushtima e një termeti” ashtu nuk kanë me mujtë ma as sot e as mot me përjashtue gegnishten prej vendit që i takon në sofrën e madhe të Standardit të pasuruem e të përmirësuem të gjuhës shqipe. Asht çue sot në kambë një ushtri e mbetun e këtyne gjuhtarëve me pshtue pjellën e tyne përçase e dështake Standard. Hidhen përpjetë ata a thue se janë pickue prej shlligash kur në rrethe shkencore për edhe në masën e gjanë të shqiptarëve debatohet për vlera të mohueme të gegnishtes në Standard. Cka nuk po nxjerrin prej goje e prej pende profesorët nostalgjikë të Standardit. Cka nuk po bajnë ata “me ndalë hovin që tashma ka marrë gegnishtja në turravrapin dinjitoz të riafirmimit të vlerave të saj e për me zanë vendin që i takon në Standardin e Shqipes. Vrrasin, cirren thërrasin e bërtasin profesorët e Standardit në mbrojtje të asaj pjelle distrofike të atij Kongresi që shkencën e vërtetë e dënoi me qenë memece dhe asaj të pavërtetës i dha pushtetin e fjalës e të diktatit. Thrrasin e bërtasin ata, fronteve të ngushta që i hap media zemërgjanë. Gjithmonë skutave të saj, pa pasë guximin me u ballafaque në debate shkencore, prej të cilave ikin e vetëm ikin, shmangen dhe vetëm shmangen, marrin turravrape, japin alarme e rigrupojnë forcat me ngritë bastione mbrojtëse, diga e prita se po përmbytet Standardi prej gegnishtes. …
Në gjimnaz benin të paktën njeherë në javë Hartim.
Per me teper ketu.
Kumtesa e Ledia Dushit, në Konferencën e 19 dhjetorit, titullohej: “Gegnishtja asht rruga ma e mirë për te poezia.” Meqë s’e kam lexuar dot këtë kumtesë, shpresoj që Dushi ta ketë vënë titullin në mënyrë konfesionale-eliptike (duke nënkuptuar “për
muamue, si Ledia”, ose “Gegnishtja asht rruga ma e mirë për te Ledia Dushi”). Përndryshe, ky titull më kujton një shaka të fëminisë: Kush osht gjoja mo e omël – dhe përgjigjja e saktë duhej të ishte “mjolti”, jo “sheqeri”, siç të vinte në mendje natyrisht.Qe tek e ke i fije këtun sa per lezet.
Dy hartime ne semester, per te zbuluar penat e reja dhe per te torturuar profesoret.
Gjithsesi, nje ndryshim ne paskajore me duket i vlefshem, per format qe perfundojne me -ë, me thene, me qene, me prite, me vendose, me gjuajte.
Format e tipit ‘te meson te jesh’ do te ishte me mire te ishin, ‘te meson me qene’, Inflacionin e ‘të’-se e shoh si problematik, kemi ‘te’ ngado. Shikojme fjaline:
-Shqiptare ‘te’ shtetit ‘te’ Shqiperise, po ‘te’ mesoni ‘te’ jeni ‘te’ duruar do ‘te’ keni ‘te’ ardhme me ‘te’ mire.
Kemi plot 8 ‘të’. Dikush do thote epo mire ja po u vu ‘me qene’ ne vend te ‘te jeni’ do kemi 7 nuk ndryshon gje.
Ne fakt ajo thyen monotonine e ‘të’-ve dhe luan rol kyç ne fjali. Gje e mire qe jane format t’i, t’u etj per ‘te i’, ‘te u’ etj se keq do e kishim jo vetem me rrjedhshmerine por edhe me logjiken e fjalive.
Mendoj se nga nje ‘leshim’ i tille nuk humbet asgje, vetem fitohet.
le te mos harrojme gjuhen ne te cilen eshte hartuar kushtetuta dhe neni i cituar, i cili me shume se cdo interpretim tjeter, deshmon per gjuhen zyrtare te nenkuptuar ne aktin themelor.
p.s gezuar 2012.
Tedenca fonetike ,është një princip( të cilin unë personalisht ne hulumtimet e mia gjuhësore kam ndjekur) i cili ka në themel mekanizmin biologjik të gjuhës.
Hyllin
Format e tipit ‘te meson te jesh’ do te ishte me mire te ishin, ‘te meson me qene’, Inflacionin e ‘të’-se e shoh si problematik, kemi ‘te’ ngado. Shikojme fjaline:
Konkretizimi i mësipërm është një përqasje sipërfaqsore pa vulë,pa emër
dhe, tregon boshllëkun mbi të cilin është ndërtuar dhe zhvilluar shkenca gjuhesore jo vetëm në shqiperi ,por kudo .
Konsiderata ime për gjuhësinë e sotme ,thjesht GRAFOLLOGJI, pra thjesht ghuhësia e sotme është HISTORIA E GRAFISË, E SHKRIMIT.
Zyrtarizimin i gegnishtes ne gegni per mua do të ishte një provë e gjallë laboratorike IN VIVO për të vërtetuar katërcipërisht rolin e tedencës fonetike mbi diferencimin e gjuhës dhe lindjen njëkohësisht të kombeve të reja.
Në aspektin gjeo-politiko-shoqëror do të thotë të katandiset si kokoshi një THEL elemeti shqiptar në ballkan.
Në aspektin e komunikimit(ndërshqiptar) do të thot kthim prapa 200 vite, pra njëri ti bie daulles dhe tjetri kallamit
Në aspektin alternativave biologjikë ( të mekanizmave) po bëj një krahasim në të njëjtën paralel me hyllin por me fjalë të tjera
GEGNISHTES po ti bish me një shkelmë ajo të përgjigjet pa një ,pa dy, me katër shkelma
TOSKËNISHTIA do të këlthasë ,lëngojë,do të pysë dhe pastaj do të reagojë .
Doni një një shembull më lehtë të përceptueshëm ,tre mollë nga e njëjta pemë(gegnia) Saliu ,Lulzimi,ene Kreshniku.
I pari i rritun në Tropojë ,i dyti në tiranë ,i treti në vlorë
Faon une s’jam gjuhetar, propozimi im eshte ‘politik’, per te pajtuar ‘gjaqet’, pa harruar qe paskajorja e dikurshme e toskerishtes edhe pse nuk dihet, mund te supozohet se ka qene e kunderta e formes ‘pa mbjelle’ dmth ‘me mbjelle’, prandaj them qe ne kete mes s’humbet gje.
Hebrejte ringjallen nje gjuhe qe kish 2500 vjet qe jetonte vetem si e shkruar, nuk me duket ndonje tragjedi e madhe me fute ne disa raste formen e vjeter te paskajores toske. Perderisa u perthithen elemente te gegerishtes, mund te ringjallen pa problem edhe forma te humbura.
Po flitet per gjuhen e shkruar, jo per te foluren, ne fund te fundit standarti nuk ka asnje foles te persosur dhe as nuk i duhet ndonje per te permbushur detyrat.
Ky aspekti gjenetik, organik, nuk ma ka mbushur asnjehere mendjen sepse persa kohe qe quhen shqip, atehere po aq organikisht e gjenetikisht shqip jane te gjitha dallimet.
Tjeter gje nese dallimet jane pasoje e ndonje nderhyrjeje te huaj, aty po kemi nje problem autenticiteti tek nje nga dialektet, dmth njeri i bie te jete autentikisht me pak shqiptar dhe ne kete rast zgjedhja e standartit ka nje baze objektive pertej levrimit te letersise para 1 shekulli, 5 shekujsh apo 15 shekujsh ose faktorit politik.
Shqipja eshte bere gjuhe zyrtare ne baze te parimit kombetar, po shteti rron per bukuri edhe nese ka si gjuhe zyrtare nje te huaj, sikunder ka rrojtur shteti ne Shqiperi per 2400 vjet, qekur ka lindur ne fund te shek 5 p.l.k, se shteti i pare ilir si gjuhe zyrtare ka pasur greqishten e lashte .
Po njesoj Luksemburgu qe ka frengjishten ndersa banoret jane gjermane, nuk duket te vuaje.
Pra ne baze te parimit kombetar dialekti me autentikisht shqip do te duhej te ishte baza e shqipes zyrtare, po hajde gjeje ne dallimet jane si pasoje e ndonje nderhyrjeje te huaj apo jane organikisht e gjenetikisht shqip.
Leqe edhe sikur te vertetohej shkencerisht nderhyrja e huaj, s’do ta pranonte kush, se hajde te degjoje gjithe jeten pordhet e palet tjeter.
Hyllin ; konstantimi yt eshte i sakte ,por fenomenal, vecse une kerkoj gjithmone PSE-ne ,hyra ne imtesira te paperceptueshme nga gjuhesia dhe gjuhetaret(sa na lejon natyrishte mundesia ne nje site)
Referimi im nuk ka tone percmuse per gegnishten,perkundrazi eshte nje konstatim qe njekohesishte i jep vlera te rralla,te pallogaritshme shqipes si nje gjuhe e zhvilluar dhe e konsoliduar ne menyre krejtesishte natyrale.
Ajo qe une percmoj eshte qe , pse po ijepet permasa dramatike ceshtjes.
Ne shqiptaret po vuajme nje percarje shpirterore,nuk na nevojitet dhe nje hendek kulturor.
Rehabilitimi i gegve dhe gegnishtes te persekutuar na regjimi i enver hoxhes dhe i komunisteve labë , nuk puqet me kauzën e të kuq e zi apo të shqipnise natyrale .
Mua Hyllin me bie ere REVANSHIZEM geg ky muhabet