GUSZTÁV

Ndonjë lexuesi do t’i kujtohet ky personazh, me kusht që ta ketë ndjekur nga pak televizionin jugosllav, në vitet 1970-1980.

Gustavi vetë vinte prej Hungarie; edhe pse i animuar, unë e shoh më tepër si një krijesë neurotike nga Mitteleuropa; banor të universit të krijuar – apo duhet të them “të zbuluar” – prej Kafkës.

Këta filma të shkurtër janë vinjeta që përqeshin, por nëpërmjet përqeshjes trishtojnë.

Kur e shihnim Gustavin, ishte një kohë kur burimet i kishim aq të pakta, sa i shternim krejt, kur pinim prej tyre.

Tani dua të mendoj se, përtej kequshqimit tonë kulturor, këto vepërza kanë pasur edhe një vlerë transhendentale, të tillë që t’i mbijetojë nostalgjisë së sotme.

Televizioni jugosllav e transmetonte Gustavin kur të mundte; meqë filmat janë të shkurtër, 4-5 minuta secili, bënin punë për të mbushur ndonjë vrimë në programacion.

Me sa mbaj mend, nuk kishte orar, as rregullsi; për ta parë Gustavin, duhet të qëlloje aty (dhe unë zakonisht qëlloja).

Për nga fryma dhe tipologjia, personazhi i afrohet disi Panterës Rozë; është po aq nervoz dhe anksioz, po aq i papërshtatur me jetën, po aq i alienuar.

Ndoshta është vetë mediumi i filmit multiplikativ, që u blaton personazheve të veta një lloj frenezie të admirueshme; duke i kthyer në subjekte ilustrimi për gjithfarë simptomash e sindromash psikiatrike; dhe këtu nuk fut vetëm Gustavin dhe Panterën, por edhe Kojotin Willy, Bugs Bunny-n, dhe të tjerë.

Megjithatë, Gustavi dallon prej këtyre; sepse ai e ka prejardhjen prej karikaturës në faqen e një gazete; është ëndrra e një fëmije të rritur që sheh karikaturën dhe e përfytyron në lëvizje.

Te faqja në YouTube, së cilës i përgjigjet lidhja më lart, do të gjeni një numër filmash të Gustavit, nga Pannonia Filmstudio; shpresoj dhe uroj t’ju zbavitin.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: