Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Media / Politikë

DISIPLINIM I NJË DEBATI

Diskutimi i gjerë publik mbi projekt-ligjin “Për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve” dhe konflikti politik ndërmjet Presidentit dhe Kryeministrit që e shoqëron këtë diskutim, ndër të tjera nxjerr në pah edhe problematikën e qasjes institucionaliste mbi demokratizimin e shoqërisë civile dhe politike në vend.

Fiksimi se, miratimi i një ligji do të zgjidhi brenda natës çështjen e menaxhimit të problematikave akute apo kronike në sistem, është një qasje e gabuar. Ekzistenca e një norme në libër, nuk sjell medoemos rregullimin e sjelljeve të aktorëve sipas kësaj norme. Justifikimi i ofruar nga qeveria, si p.sh. për rastin e menaxhimit të mbetjeve apo e menaxhimit të fondeve në financimin e arsimit të lartë, se ndryshimet e kuadrit ligjor do të mundësojnë mirëmenaxhimin e burimeve materiale apo atyre njerëzore, tregon zell për të mbuluar gabimet e parrëfyera.

Në debatin publik, është shqetësues fakti se, diskutimi zhvillohet më së shumti ndërmjet jo-ekspertëve dhe gazetarëve. Kjo  shkakton atë mjegullnajën mediatike që shoqëron nismat e qeverisë. P.sh. në TV-Klan “Opinion” politilogu H.C. del me një argument tepër ekonomik për mbetjet, me premisa të gabuara mbi industrinë e përpunimit të plehrave. Motivi për fitim dhe përdorim eficient të burimeve, i kuptueshëm në importin e pambukut, nuk vlen medoemos për industrinë e plehrave, apo industri ku rreziku për mjedisin dhe njerëzit është i lartë ose shteti është i vetmi aktor i interesuar. Ndërsa në organin “Gazeta” të Organizatës Politike, 19.10.2011, “analistë” të painformuar paraqisnin një sërë kritikash ndaj një “reforme financiare”, dokumentin e të cilës as që  e kishin kuptuar (ndoshta as lexuar), e përzjenin në ato “analizat” e tyre “filozofiko-teorike të thella” dhe spekulime gjithëfarësoj si krahasime me Kilin, përfshirjen në skemën financiare të institucioneve të larta private etj.

Nëse politikat e qeverisë do të gjykoheshin për nga synimet që vendos qeveria në strategjitë e saj të zhvillimit, dhe jo për nga pritshmëritë e aktorëve të papërfshirë, do të dilte në pah pikërisht teza se: me zellin e saj për të miratuar norma (nisma rregullatore),  qeveria mbulon problemet që has me menaxhimin e problemeve. P.sh. keqmenaxhimin e politikave të mjedisit e mbulon me zellin për të nxjerrë një tjetër ligj, kurse problemet e cilësisë në arsimin e lartë, me zellin për të shitur si “reformë” edhe nisma që synojnë thjeshtë mirëmenaxhimin e fondeve publike në universitetet publike.

Sipas Strategjisë Kombëtare për Menaxhimin e Mbetjeve, 2010, (fq. 25ff) “Legjislacioni i menaxhimit të mbetjeve ne Shqiperi nuk është mbështetur nga një infrastrukturë e përshtatshme. …[Ka] mungesë financimi, planifikimi dhe kapaciteti teknik brenda sektorit …” Vetë qeveria e njeh problematikën që ka të bëjë me menaxhimin, si mungesa e makinerive, grumbullimi jo sistematik i mbetjeve, depozitimi pa kurrfarë kriteri, mungesa e të dhënave etj.

Instancat e ngarkuara me menaxhimin e mbetjeve si Rrjeti i Agjencive Mjedisore nuk i kanë kapacitetet fizike dhe njerëzore për të administruar mbetjet në Republikë. Po sipas Strategjisë Kombëtare “programi aktual i shpenzimeve kapitale i Ministrisë për menaxhimin e mbetjeve është relativisht i ulët në krahasim me atë që në të vërtetë do të duhej për të përmbushur investimet e nevojshme në Shqipëri. … Për më tepër në shumë raste, struktura manaxheriale për të administruar huatë dhe infrastrukturën nuk është në nivelin e duhur.” Vijuar më tej në SKMM se  “Per momentin zbatimi i ligjit është i dobët. [Zbatimi kërkon] burime ekstra për Agjensinë Kombëtare të Mjedisit dhe zyrat rajonale si dhe Inspektoriatin Kombëtar të Mjedisit”. Kjo konfirmohet edhe nga ekspert të BE-së në raportin e cituar po në këtë strategji.

Strategjia njeh edhe kufizimet e Shqipërisë në mundësitë për t’i menaxhuar mbetjet: “duhet kohë që të rregullojë dhe të aplikojë praktika të reja dhe teknologji bashkëkohore mbi administrimin e mbetjeve.” (SKMM 2010).

Argumenti i zv/Ministrit të Mjedisit se ligji dhe importi do të krijojnë incentiva për të rritur sasinë e riciklimit/rikuperimit të mbetjeve dhe angazhimit të sektorit privat, nuk mbështetet nga eskpertët që kanë hartuar Strategjinë Kombëtare: “Ndonëse komercializimi i shërbimeve të grumbullimit të mbetjeve dhe të funksionimit të shërbimeve të ujit është arritur në disa zona, nuk ka gjasa që privatizimi i infrastrukturës me qëllim të tërheqjes së investimeve të sektorit privat do të jetë i suksesshëm. Tarifat aktuale të paguara për shërbime të tilla janë relativisht të ulëta dhe nuk do të sigurojnë të ardhura të mjaftueshme për të bërë investime të tilla financiare të besueshme për një operator komercial. Për këtë arsye, shumë nga këto investime do të duhen të bëhen nëpërmjet sektorit publik.” Përkundrazi, në incentivat e përmenduara në Strategjinë Kombëtare, bëjnë pjesë vetëm “përdorimi i stimujve fiskale ose instrumenteve të tjera ekonomike”, por jo importi i mbetjeve për të gjeneruar një industri vendore të përpunimit.

Kësisoj kuptohet se, ndërkohë që Strategjia Kombëtare përcakton qartë politikat zhvillimore të mjedisit të Qeverisë Berisha, projekt-ligji është në kundërshtim të hapur me të. Gjithashtu edhe argumenti i zv/Ministrit të Mjedisit se ligji i vitit 2003 e lejonte importimin (vetëm pas lejes së Ministrisë së Mjedisit), por ndalonte depozitimin e tyre në Shqipëri, bie. Në dalllim, ky projekt-ligj i 2011 lejon edhe depozitimin e tyre. Ligji i 2003 shprehet “Në Republikën e Shqipërisë ndalohet importimi i mbetjeve për ruajtje, depozitim ose asgjësim. (Neni 26, Nr .9010, date 13.2.2003, PER ADMINISTRIMIN MJEDISOR TE MBETJEVE TE NGURTA).    Ndërsa projekt-ligji shprehet; “Ndalohet importi i mbetjeve jo-të rrezikëshme për ruajtje ose asgjësim në Republikën e Shqipërisë (Neni 47, Draft-Ligji “Për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve”). Pra i është hequr fjala “depozitim” (përkufizuar tek “jo-të rrezikshme”). Ndërsa meqë ligji është “ligj-kuadër”, pa hollësira, më poshtë neni 48 shprehet se: “Autorizimi për Importimin e Mbetjeve specifikon: a. llojin e mbetjeve për importin e të cilave lëshohet autorizimi; b. standardet që lidhen me amballazhimin dhe etiketimin e mbetjeve dhe dokumentat shoqëruese gjatë transportit të tyre; c. kerkesat per monitorimin dhe raportimin e lëvizjeve të mbetjeve.”, pa sanksionuar qëllimin e importit për riciklim apo tjetër arsye. Ndërsa neni 49 mbi kalimin tranzit të mbetjeve jo-të rrezikshme, nuk përmend të njëjtat hollësi si ligji i 2003-shit, por kufizohet vetëm me autorizimin që lëshon Agjencia Kombëtare e Mjedisit. Ligji me qëllim ka lenë shumë boshllëqe, për t’i dhënë hapësirë Mediut & Co. t’i hartojnë udhëzimet sipas klientelës.

*          *          *

Edhe në diskutimet për reformën e arsimit të lartë gjejmë të njëjtin model veprimi, por edhe të debatit që e rrethon.

Editoriali i organit të Organizatës Politike (Saktivista) përmbante këto pretendime mbi reformën financiare: 1. Kërkohet financimi i institucioneve private; 2. Kjo do të sjellë ndarjen e fondeve dhe pakësimin e të ardhurave për universitetet publike; 3. Universitetet private janë aspak cilësore; 4. Procesi i sigurimit të cilësisë (akreditimi) është i korruptuar (nga APAAL – Agjencia Publike për Akreditimin e Arsimit të Lartë) pasi nuk ka metodologji të qartë.

Në të vërtetë përfshirja e institucioneve private u diskutua në konferencën prezantuese të reformës financiare si një propozim për të ardhmen, edhe pse drejtësia e kërkon se taksapaguesit duhet të trajtohen njësoj dhe të përfitojnë njësoj nga shperndarja e të ardhurave. Universiteteve publike iu garantua financim stabël edhe sipas skemës së re “ku universitetet do të marrin fonde sipas numërit të studentëve” (politike populiste nga një anë, pasi mban gjallë  fakultete me programe pa student). Për nga cilësia, qoftë privatët, ashtu edhe shtetëroret, janë tepër dobët. APAAL ka një metodologji të formalizuar dhe procesi i akreditimit bazohet formalisht mbistandarde të mirëpërcaktuara. Deri më tani asnjë universitet publik nuk është akredituar nga APAAL, qoftë ky proces gjysmak apo i korruptuar.

Ndërkaq synimet e reformës janë: 1. rritja e autonomisë së universiteteve “publike” (deri më tani shtetërore?); 2. profilizimi/specializimi i universiteteve; 3. përmirësimi i menaxhimit  të brendshëm; 5. rritja e të ardhurave (investimeve) për universitetet duke përfshirë studentin si kontribues 4. sigurimi i cilësisë nëpërmjet akreditimit.

Edhe pse është e drejtë që studentët të kontribuojnë për arsimimin e tyre, qoftë kjo edhe nëpërmjet një kredie studentore, pasi janë përfituesit e parë ekonomik, qeveria fokusohet më shumë në efektet pozitive që do të sjelli reforma në menaxhimin e cilësisë. Por më shumë burime financiare universiteteve, nuk do të thotë rritje e cilësisë, apo përmirësim i administrimit. Nga ana tjetër qeveria vërtet dëshiron të përfshijë studentin në ndarjen e shpenzimeve për arsimin e lartë, por buxheti për arsimin që prej vitit 2007 vetëm zbret në raport me buxhetin e shtetit. Pra motivi i kësaj qeverie duhet pyetur mirë: se mos kjo reform po  shërben si “heqje dorë”, më shumë sesa si angazhim për arsimin? Dhe është pikërisht ky aspekt, ose ai i cilësisë së mësimdhënies, që duhet t’u interesojë “kritikëve” të reformës financiare, e jo të merren me një treg tërësisht margjinal, si arsimi privat (vetëm 20% të numërit total të studentëve).

Mungesa e koherencës dhe qëndrueshmërisë në hartimin dhe realizimin e politikave së një qeverie, është një sinjal për administrim të dobët të politikave publike. Por ne duhet ta gjykojmë këtë politikë bazuar mbi kriteret dhe pretendimet e vendosuara nga vetë hartuesit e saj.


Pa Komente

  1. Ligji per plehrat (ky do te ishte titulli koherent me permbajtjen e te tjera ceshtje qe lidhen me ligjin) paraqet probleme, pa shkuar deri ne nenin 47 e tutje. Qe ne parathenien e tij, ne nenin 3 mbi perkufizimet e termave, ne piken 3 sqaron se termi asgjesim nenkupton “çdo operacion që nuk është rikuperim edhe kur operacioni ka si pasojë dytësore rikuperimin e substancave ose të energjisë”. Pra jepet nje perkufizim perjashtues i nje operacioni dhe mireprites i gjithfare fantazie qeveritare. E te tjera e te tjera probleme te teknikes legjislative, pertej thelbit dhe frymes ne kundershtim me strategjine.

    Kurse lidhur me pretendimet e OP, prej te cilave pika 4 mbi reformen financiare ku citoj: “Procesi i sigurimit të cilësisë (akreditimi) është i korruptuar (nga APAAL – Agjencia Publike për Akreditimin e Arsimit të Lartë) pasi nuk ka metodologji të qartë” dhe pergjigjen (prezumoj) qe i jep ketij shqetesimi vete autori duke sqaruar se: “APAAL ka një metodologji të formalizuar dhe procesi i akreditimit bazohet formalisht mbistandarde të mirëpërcaktuara”, pra metodologjia qenka ne rregull, do te shtoja idene time (duke parathene se nuk i kam lexuar pretendimet e OP, dhe se nder te tjera s’me figuron si opozita zyrtare ekskluzive shqiptare, sic duket se perndryshe sugjeron autori), se problemi i “metodologjise”, me shume se sa me mirepercaktimin ne faqen zyrtare e ne letra nga ana e APAAL, lidhet me zbatimin e kesaj metodologjie e cila ka lene shume per te deshiruar, pikerisht lidhur me institucionet e arsimit te larte privat. Qe sic pranohet dhe ne shkrim lene shume per te deshiruar.

  2. Nuk e di se sa dhe si e kane lexuar artikullshkruesit e Gazetes se Organizates Politike dokumentin per “Reformen financiare ne arsimin e larte”, vecse me duket se shume me pak autori ka lexuar ndocka filozofike. Kur pohon ne thonjeza se “analizat” e tyre “filozofiko-teorike të thella”, mundesite jane dy: ose autori ka njohuri me te thelluara kritiko-filozofike dhe keshtu i quan artikujt qe kritikon gjasme-filozofike, per cka do te duhet ta provoje veten ne shkrime te tjera se ky i ketushmi eshte i tjeterbotshem ndaj filozofise, ose mendon “instrumentalisht” se kritika filozofike eshte e kote e ketu na mbetet vetem te bezajme brenda fjalorit konceptual e hapesires mendimore varfanjake te teknikaliteteve te pakontekstualizuara e te pa kuptuara kritikisht. Kuptohet qe ta perjashtosh kesisoj filozofine nga te qenit zemra e debatit kerkon tehuajsim total nga cdo prekje libri filozofik.

    Nderkohe qe referencat e shumta ndaj Kilit, zor se mund te fshikullohen aq lehte si spekulime sa kohe ideologjia e qeverise aktuale rreh gjoksin me modele te tilla.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin