KOHË ROKADASH

Pata shkruar, para pak kohësh, për matchin për titullin e kampionit botëror të shahut për femra, që do të zhvillohet në Tiranë, në nëntor të këtij viti, midis kampiones në fuqi, kinezes Hou Yifan dhe sfidantes Humpy Koneru, nga India.

Lajmin e pata ndeshur atëherë në faqen zyrtare të FIDE-s, por nuk kisha parë ndonjë gjë më tepër në shtypin shqiptar, ndoshta ngaqë mediat e Tiranës nuk gjetën dot foto të këtyre dy vajzave ku të kishin dalë gjysmë të zhveshura, duke pirë mojito.

Gjithsesi, tani lexoj një artikull të Shpëtim Nazarkos në Panorama, ku lihet të kuptohet se organizimi i këtij matçi në Tiranë mund edhe të dështojë, për arsye burokratike. Artikulli është i shkruar keq dhe rrëmujshëm; madje unë nuk e kuptoj se çfarë ka ndodhur tamam dhe çfarë mund të ndodhë akoma; por vetëm marr vesh për një histori të zymtë, ku përzihen një numër ministrash të sporteve, deputetë të PS-së, dhe industrialisti Rezart Taçi dora vetë, që qenka zgjedhur dikur President i Federatës së Shahut, por më pas është tërhequr. Lexojeni vetë, po të doni, për t’u bindur.

Gjithsesi, çështja është se – nëse e kam marrë vesh dot – eventi botëror tashmë rrezikon të dështojë, meqë as qeveria, as Taçi nuk do të paguajnë, për shkak mosmarrëveshjesh mes tyre.

Matçi i titullit botëror në shah për femra nuk e ka tingëllimin mediatik të një koncerti të Rihanna-s, as të një vizite zyrtare të Elisa Dushku-t; por nëse Shqipëria tërhiqet nga organizimi i eventit kaq pranë datës kur ai duhej të fillojë, asgjë e mirë nuk do t’i vijë shtetit dhe vetë qytetarëve shqiptarë nga kjo zbythje. Ashtu nuk do të na mbetet pastaj veçse të organizojmë rally automobilistike në rrugët e panumërta që po inauguron qeveria Berisha.

 

Nuk ka komente

  1. Hiqe dyshimin Xhaxha, se nuk do te ndodhe ajo per te cilen pate kaq shume frike! 🙂 Ku eshte degjuar te mos behen gjerat ne Shqiperi, ne te bukuren e dheut, kur ne krye te puneve prin ai, qe kujdeset per gjithshka?! Me ne fund, mesuam se…”nen kujdesin e veçante te kryeministrit etj. .. se shpejti do te zhvillohet ne Tirane Kampionati Boteror i Shahut. etj., etj., etj..) ” AFERIM, tha

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin