Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë / Sociologji / Totalitarizëm

TURBULLIRA NË MESDHEUN E JUGUT

Nëse atë që ndodhi këto ditë në Tunizi do ta krahasojmë me valën e proceseve nëpër të cilat kaluan vendet e Lindjes pas rënies së Murit të Berlinit, nuk ka dyshim se ky vend arab dha një shembull tolerance, angazhimi qytetar, rregulli e drejtësie që nuk ka të krahasuar, sidomos me vendet e Ballkanit e veçanërisht me Shqipërinë. Në dhjetë muajt e Revolucionit të jasminave ata hoqën qafe një regjim të mbrapshtë dhe u futën në një proces politik që besohet se po e shkëput krejtësisht vendin nga e kaluara.

Njëzëri vëzhguesit e ndryshëm vlerësuan rregullsinë e procesit zgjedhor të së dielës që shkoi, transparencën, organizimin e mbarëvajtjen e tij si dhe entuziazmin e tunizianëve që votuan në masën 90%. Ata që e njohin Tunizinë e dinë fare mirë se ishte një regjim që nuk ndryshonte shumë nga diktatura e despotëve shqiptarë. Vërtet turistë kishte më me shumicë, por askush prej tyre nuk mund të dilte nga rreshti e të takonte ndonjë banor e të bisedonte me të lirshëm. Policia e fshehtë ishte e pranishme kudo.

Rezultatet dolën sot në mëngjes dhe partia islamiste Ennhad fitoi me 40% të votave.

Si ndodhi që erdhi ky rezultat? Vëzhguesit thotë se islamistet kishin rezistuar dhe ishin persekutuar nën regjimin e Ben Alisë, por ndërkohë edhe partitë e tjera laike fituan 40% % të votave, por ato janë të përçara në platformat e tyre e mbi të gjitha kanë rënë viktimë e egoizmit të shefave të tyre, që pengoi çdo lloj aleance paraprake.

Personalisht, gjëja e parë që me kujtuan këto rezultate ishte një episod i atyre ditëve të paharrueshme që rrëzuan presidentin Ben Ali e që isha i priruar ta harroja. Ishte një sekuencë lajmesh, ku midis entuziazmit popullor një grua në ekstazë, bërtiste duke thënë : Më në fund, më në fund jam e lirë të mbulohem me nikab!

Më duket se me interes për të kuptuar këtë rrethanë është edhe neni i parë të Kushtetutës së vitit 1959 ku thuhet se Tunizia është një vend sovran, demokratik… etj., dhe feja e tij është Islami. Pikërisht këtë gjë nuk guxoi të vërë në diskutim asnjë nga partitë politike, nga qendra deri te ekstremi i majtë. Në të vërtetë kishte zëra të rinjsh që hidhnin idenë që në Kushtetutë feja të trajtohet si çështje personale e gjithkujt, por këto zëra kurrë nuk u ngritën nëpër sheshe. Përfundimi është se Ennahda e ekstremit të djathtë nxori përfitimet e saj nga kjo rrethanë.

U habita shumë edhe nga fakti se pothuaj shumica e tunizianëve të Francës votuan për partinë islamiste.

Të gjitha këto kanë shtyrë disa forume që të shtrojnë pyetjen : Tunizia e sotme a rrezikon të jetë Irani i nesërm?

Edhe pse nuk po shprehen mjaft hapur e duan të lundrojnë mbi terma e fraza që shkojë nga ngjyresat e paqarta e të turbullta e deri te ato politikisht korrekte, nuk mund të mos kuptosh edhe një farë shqetësimi të opinionit perëndimor për fitoren e islamistëve tunizianë. Të kemi besim te tunizianët por edhe të jemi vigjilentë u shpreh sot te Le Figaro A. Zhupe, ministri i jashtëm francez.

Vërehet se edhe brenda Tunizisë shumë të rinj u shprehen të zhgënjyer duke thënë se ata që ranë për revolucionin nuk ishin islamisët, por gjithsesi në tërësi tunizianët e pranuan këtë rezultat. Ata besojnë në premtimet e Ennhad-it për të formuar një qeveri të përbashkët me të gjithë partitë që duan të bashkëpunojnë dhe shpresojnë se ajo do të ruajë një sërë arritjesh që kanë të bëjnë me të drejtat civile, kryesisht të grave etj.

Gjithçka mbetet të shihet në ditët e ardhshme.

E papritur ishte edhe një kthesë e ngjarjeve që po pervijohet në Libi, ku presidenti i Këshillit Kombëtar të Tranzicionit Ali Tarhouni (Kujtoj se pas largimit nga Libia ku ishte dënuar me vdekje në mungesë ai përfundoi studimet në Miçigan dhe më tej punoi si Senior Lecturer in Business Economics në Universitetin e Uashingtonit), e pra me një CV të tillë ai u shpreh se Kushtetuta e ardhshme e vendit do të frymëzohet nga Sheriati, duke lënë të kuptojë se mund të hyjnë në fuqi e drejta e poligamisë si dhe mund të heqë të drejtën e divorcit që gëzojnë gratë.

Komentatorë të shumtë shprehen të habitur e të shqetësuar nga deklarata të tilla dhe shtrojnë pyetjen se mos ndërhyrja e NATO-s në Libi ishte një lloj aventure e dyshimtë.

Gjithsesi të tjerë shprehen se që vendet e mësipërme arabe të kenë një zhvillim normal ato do të ndjejnë gjithnjë e më tepër nevojën për turistë e investime perëndimore.

Pra do të jetë kjo sfidë e së ardhmes që me sa duket do të zevëndësojë avionët e NATO-s dhe do marrë trajtën e një lloj politike të re të perëndimit për të patur në mos një lloj ndikimi mbi këto vende, të paktën një farë kontrolli në orientimet e tyre të reja.

Pa Komente

  1. Ne fakt nuk kisha fare dijeni per kete artikull te Economist. Ne shenimin tim citova copa intervistash e ide qe shpreheshin nga tunuziane te Tunizit, gjate nje emisioni lajmesh te TF1. Edhe pozicionimin ne spektrin politik e benin ata vete, duke u shprehur qarte se per tju kundervene Ganushit nuk pati vullnet bashkepunimi te partive politike “duke filluar nga qendra e deri te ekstremi majte”.
    Megjithate nuk mund te flas per saktesi milimetrike:-)) …

    1. Ne fakt mendoj qe edhe deklarimet qe ju atribuan Ganushit do i jene thene reporterit te the Economist nga vete tuniziane, pergjithesisht, mendoj, nga njerez qe nuk kane mendim shume te mire per Ganushin. Nuk eshte per t’u habitur qe njerez qe ndihen ne opozite te tij te shprehin qendrime te tilla, por mendoj qe cfaredolloj angazhimi per te shkruar apo shprehur opinione per nje event kerkon qe te kerkohen qendrime sa me diverse. Ngritja e parrullave “si Irani” apo kohet e fundit etiketimi i Ganushit si “taleban” kane nje histori politike qe ka nje synim te qarte te prodhoje politike frike. Arsyeja qe permenda Burgatin (ne fakt te njejten gje e ndoshta me qarte shpreh edhe Olivier Roy) eshte sepse Burgat ka mare intervista te gjata te Ghannouchit per nje numer vitesh.

  2. “ky vend arab dha një shembull tolerance, angazhimi qytetar, rregulli e drejtësie që nuk ka të krahasuar, sidomos me vendet e Ballkanit e veçanërisht me Shqipërinë.”
    Nuk e di se mbi ç’baza bëhet ky pohim, por më duket si tepër i sforcuar në klishe… ose mund të pranohet si i drejtë nëse duhet të pranojmë për të drejta mendimet e ehe-së (përjashtim nga listat e fituesve të të gjithë atyre që kishin të bënin me qeverinë e mëparëshme), gjë të cilën tunizinët sapo e bënë duke përjashtuar nga listat e fituesve kandidatët e Petition Populaire.

    Rezultati i këtyre votimeve (që u bënë për të formuar Asamblenë Kushtetuese që do të formulojë kushtetutën e re, dhe jo për të zgjedhur parlament apo qeveri) tregoi se sa larg aspiratave të revolucionit të pranverës ishin këto votime.
    Në qytetin nga ku Buazidi, që me vet-djegien e tij, i dha shkëndijën gjithë revolucionit arab, studentët (që ishin promotorët e lëvizjes për ndryshim) janë sërish në revoltë për të kundërshtuar rrjedhën se si morën zhvillimet e lëvizjes së tyre.
    Një nga format e protestës së studentëve të Sidi Bouzid, ku papunësia vazhdon të ngelet në nivelin e 50%, është edhe gozhdimi i diplomave në derën e bashkisë (“nuk vlejnë fare, ose janë të mira vetëm për të gjetur punë si kamerier” shprehen studentët).

    P.s: Përsa i përket islamizmit tunizin; njëri nga tre të zgjedhurit ndër emigrantët në Itali i përkiste partisë islamike, dhe pyetjes/shqetësimit të një gazetari që e intervistonte për rrezikun e ringjalljes së fondamentalizmit/integralizmit islamik, ju përgjigj: Islamizmi në Tunizi, si islamizëm i moderuar, është shumë larg atyre rreziqeve që mund të mendoni ju.

  3. problemi me i madh ketu eshte se e gjithe bota shihet nen lenten eurocentrike, pra Tunizia duhet o te aplikoje nje demokraci liberale alla perendim ose duhet shpallur armik e mbajtur nen kontroll me marifete perendimore, por ne kete mes harrohet nje gje kryesore, 1300 vjet, kulture, civilizim dhe dominim islam, qe te jane plotesisht te mjaftueshem qe banoret e atyre vendeve te luftojne per rimekembjen e duke u bazuar pikerisht ne vlerat islame … megjithate beteja per hegjemoni vazhdon…

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin