Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji

DHJETË E DHJETË

Pothuajse të gjithë e kanë vënë re se orët që shfaqen në reklama e vitrina (më shumë tek të parat se tek të dytat) shënojnë zakonisht orën dhjetë e dhjetë. Diskutime të shumta janë bërë për këtë pikë, pa e gjetur asnjëherë arsyen thelbësore.

Por ndoshta nuk ekziston vetëm një arsye. Megjithatë, duhet të nisemi nga premisa se nuk është e rastit që orët shënojnë dhjetë e dhjetë minuta. Imazhi i orës me akrepat drejt dhjetave është përnjimend i përhapur. Ndoshta më pak kur janë në dorën e dikujt, por kur jepen në plan të parë koha e shënuar është gjithnjë ajo.

Ndryshe nga orët digitale (me numra), ato me akrepa nuk e nxjerrin në pah periudhën ditore. Mund të jetë ora dhjetë e dhjetë e paradites, mund të jetë e darkës, pas gjumit ose para gjumit. Ora elektronike e jep me shifra (10.10 ose 22.10). Në Shqipëri orët digjitale i quanin dikur elektronike, për t’i dalluar nga orët që karikoheshin me dorë, ose ato automatike, që karikoheshin me lëvizjen e dorës. Duhet kujtuar se tashmë pothuajse të gjitha orët janë si të thuash elektronike, meqë përdorin bateritë e teknologjinë kuarc. Sidoqoftë, automatike apo me bateri, edhe sot në reklama orët shënojnë dhjetë e dhjetë.

Që kjo orë lidhet me marketingun është e qartë. Por në ç’mënyrë? Nga pikëpamja funksionale dikush e argumenton me idenë se duke i lënë akrepat drejt dhjetave fusha e orës duket më mirë, sidomos marka prodhuese, e cila vendoset zakonisht poshtë shifrës dymbëdhjetë. Mirëpo, kjo nuk na shpjegon faktin përse akrepat nuk lihen në orën 9.25 për shembull. Edhe shpjegimi nga ana estetike, meqë tek dhjetë e dhjeta, shpalosen të gjitha vlerat e dizajnit, duket bindës. Por jo deri në fund. Tek e fundit akrepat zënë po atë hapësirë kudo qofshin, përveçse kur çiftosen në orën 12.00.

Thonë se zgjedhja e reklamuesve ka të bëjë me anën psikologjike. Së pari, në orën 10.10 akrepat japin idenë e një “V”-je, që ngjason me shenjat e gishtave në shenjë fitoreje (“V” si “Victory”). Mirëpo, kjo do të thotë që për kultura që nuk kanë ndikime anglosaksone, ose perëndimore në përgjithësi, reklamat duhen bërë ndryshe. Po të marrim si shembull Shqipërinë do të thoshim se para shembjes së totalitarizmit dy gishtat lart nuk përdoreshin aspak, përveç në pijetore kur kërkoje dy birra pa etiketë. Dy gishtat lart u futën në përdorim pas nëntëdhjetës, kryesisht nga liderët e PD-së, dhe kishin konotacion thelbësisht politik, gjithnjë me kuptimin e fitores e me ndonjë lustër modernizmi. Është afërmendsh që në Shqipërinë totalitare asnjë kuptim nuk kishte ora dhjetë e dhjetë sepse nuk shënonte fitore. Për “fat të mirë” nuk kishte as reklama, përndryshe ekspertët imagjinarë të reklamës totalitare do t’i bënin akrepat grusht, si përshëndetja revolucionare e atëhershme.

Ka edhe interpretime me karakter më të thellë. Sipas tyre ora 10.10 jep idenë e përqafimit, ose të buzëqeshjes. Akrepat në rastin e parë përfaqësojnë krahët e hapur, në rastin e dytë cepat e buzëve. Pra kjo orë e shënuar jep idenë e pavetëdijshme të kënaqësisë. Interesante si interpretime. Sipas këtij vështrimi, e kundërta (ora 8.20) nuk mund të vihet, as në reklamë as në vitrinë, sepse do të jepte idenë e shkelmit ose të trishtimit. Kush e kalon kohën duke komunikuar me emotikonë, në chat ose me Sms, do ta bëjë me siguri lidhjen e akrepave me emotikonat. Mirëpo, ora dhjetë e dhjetë është më e hershme se sa mjetet moderne të komunikimit.

Megjithë përpjekjet që mund të bëjmë nuk do t’i gjejmë të gjitha arsyet që i kanë shtyrë ekspertët t’i lënë orët “dhjetë e dhjetë”. Personalisht nuk mund të rri pa menduar se simetria ka gjithsesi të bëjë me harmoninë e kjo e fundit me estetikën. Kam përshtypjen se akrepat në orën dhjetë e dhjetë japin idenë e harmonisë. Nuk më duket i rastit përshoqërimi që vjen natyrshëm me “Njeriun vitruvian” të Leonardo Da Vinçit. Gjeniu italian, me këtë skicë, ku shkrihen njohuritë e tij në fushën e anatomisë, artit, pikturës, optikës e gjeometrisë, kërkonte t’i jepte trajtë modelit të përkryer proporcional, me synimin e kapjes së thelbit të harmonisë hynore. Në fakt, harmonia nuk ka të bëjë vetëm me tingujt, por edhe me gjeometrinë e artin. Në të vërtetë, ka të bëjë me gjithshka që është e përpjesëtuar mirë, pa teprime, pa kundërshti.

Vetë harmonia nuk ta jep sigurinë, por ndjesinë e saj po, si derivat të paqes që ngjall me tinguj, forma, ngjyra. Ndoshta nuk ka lidhje, por këshilla që jepet anekënd botës për t’i dhënë mirë makinës është pikërisht që t’i mbajnë duart në timon duke respektuar pozicionin e akrepave në orën dhjetë e dhjetë (en: “keep your hands at ten and two“, it: “tenere le mani alle dieci e dieci”). Mbajtja e duarve sipas akrepave mundëson shtrëngimin më të mirë të timonit, meqë forca e ushtruar është në përpjesëtim, si rrjedhim drejtimin më të sigurt të automjetit.

Sidoqoftë, paraqitja e orës me akrepat krahëhapur është tashmë traditë. A thua ka ardhur çasti që ekspertët e marketingut ta ndryshojnë për të tërhequr vëmendjen e klientëve? Nuk është aq e pamundur. Ndërkohë po presim, ndoshta gjejmë arsye të tjera për të shpjeguar vendndodhjen e akrepave. Tek e fundit, sikurse maja e ajsbergut, akrepat mbeten gjithnjë simboli i pjesës së dukshme brenda të tërës së fshehur, por pa ndërlikime detyrimisht negative.

Pa Komente

  1. figurën e dytë e ke vendosur kastile spekulative për të provuar vëmendjen e lexuesve? 🙂

  2. Pishak, s’mendoj se ka te beje V (Victory). Ma ha mendja eshte me e thjeshte nga ana e marketingut, kjo ceshtja e 10:10; kornizon marken brenda akrepave, dhe eshte smiley face. Just guessing, po zakonisht truket e marketingut te fotove/pikturave (dmth jo levizje/video) behen mbi baza te tilla te thjeshta, pra qe e manipulojne trurin ‘ne siperfaqe’, dmth pa u dashur te vihet shume ne pune, se ne kete rastin e pune-venies, jo vetem qe do duhej me shume kohe (dhe mund te humbase vemendja nderkohe) por dhe do minimizonte impaktin, se jo te gjithe do e ‘gjenin’

    Interesante gjithsesi, s’me kishte shkuar mendja para se te lexoja kete artikull. 🙂

  3. 10:10 te dy akrepat mburren Lart ne menyre perfekte, aqsa 11:05, apo qofte 11:10 do te ndjeheshin te turperuara perpara perfeksionimit te 10:10, sepse kjo eshte nje loje e thjeshte psikologjike, qe te ben te mendosh progresin, te ben te ndjehesh optimist, dhe nuk te deshperon sikurse ora te qendronte psh 3:20, e cila te krijon iluzionin e deshperuar te akrepave poshte, ose qe cdo gje ka mbaruar mese fundi, dhe te ardhmes i perket deshtimi, akrepat poshte!!!

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin