Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji / Art / Histori / Sociologji

TË MBETESH PRAPA

Në librin e vet “Kthimi nga Bashkimi Sovjetik” (Retour de l’U.R.S.S.), shkrimtari frëng André Gide rrëfen si, gjatë vizitës së tij në një qytet industrial provincial të Bashkimit Sovjetik në vitet 1930, miqtë e tij atje i treguan me krenari linjën e re të tramvajit që sapo kishin përuruar dhe pastaj i thanë: “një ditë, kur të triumfojë revolucioni proletar në Francë, do të ndërtojmë edhe atje një linjë tramvaji.”

Provinca sovjetike dhe Perëndimi Europian, në atë moment, komunikonin mes tyre veç nëpërmjet personit të Gide-it vetë, i cili i lidhte këto dy realitete, madje këto dy universe përndryshe të kithëta. Me sa më kujtohet, shkrimtari nuk e gjeti dot guximin që t’u tregonte shoqëruesve të vet për Francën, as për ta vazhduar krahasimin mes këtyre dy botëve.

Ne bashkëfshatarët e sotëm të fshatit global të dominuar nga komunikimi me anë të imazhit dhe realiteti virtual e kemi pothuaj të pamundur të përfytyrojmë një botë ku komunikimi në distancë realizohej nëpërmjet përfytyrimit. Punëtorët rusë të viteve 1930 kishin dëgjuar për Francën dhe ndoshta kishin lexuar ndonjë roman të përkthyer të Dumas-it a të Balzac-ut; por Europa për shumë prej tyre mbetej një diçka e përtejshme, e arritshme vetëm nëpërmjet mendjes.

Në lajmet herë pas here lexojmë për fise “të sapozbuluara” të xhunglës së Amazonës ose të Filipineve, njerëz që nuk kanë pasur kurrë kontakt me qytetërimin tonë, kultura të pandikuara nga kontakti, osmoza dhe kolonizimi teknologjik. Këto fise i quajnë ndonjëherë “primitive” – sipas një kriteri eurocentrik, teknologjik ose edhe hegelian; por pa të drejtë.

Si koncept i analizave krahasimtare, prapambetja është më i kompleks se ç’mund të duket. Vetë fjala nënkupton një lëvizje të përbashkët drejt një objektivi po aq të përbashkët; duke i dhënë konceptit natyrë vektoriale. Të mbetesh prapa, do të thotë (1) se dikush tjetër ta ka kaluar, duke iu afruar më shumë se ti objektivit; ose (2) të mos i realizosh objektivat që ti vetë ia ke imponuar vetes. Brenda këtij mekanizmi, koha shndërrohet në hapësirë dhe hapësira në kohë, në vartësi të pozicionit që ka objektivi.

Një nga temat rekurrente në letërsinë fantashkencore dhe spekulative është kontakti mes qytetërimeve ndëryjore; i përthyer zakonisht si traumë për njërën prej palëve, atë më të “prapambeturën”. Meqë letërsia në fjalë është produkt i qytetërimit tonë, që e mat progresin me metrin teknologjik, qytetërim i prapambetur është ai që “zbulohet”, ndërsa i përparuar është ai që “zbulon”; çfarë përfundon edhe në klishé për veprat e zhanrit.

Megjithatë, në vepra që e kapërcejnë estetikën e zhanrit, si “Solaris” e Stanislaw Lem-it, kontakti i njeriut me oqeanin e arsyeshëm në planetin homonim nuk mund të zgjidhet dot sipas kësaj formule, meqë planeti Solaris duket sikur operon në një rrafsh tjetër ontologjik, joteknologjik, madje u shfaqet njerëzve me atributet e një hyu.

Një tjetër autor i letërsisë fantashkencore, Arthur Clarke, thotë diku se “çdo teknologji mjaftueshëm e përparuar nuk mund të dallohet nga magjia.” Për këtë nuk ka nevojë të ndjekësh fluturimet e imagjinatës së një vizionari, mjafton të zhvendosesh mendërisht në momentin e kontaktit të parë të europianëve me qytetërimin amerindian, gjatë shekullit XVI.

Disa psikologë kanë shkuar deri aty sa të spekulojnë se, në sytë e vendasve në Karaibet, e më pas në Meksikë dhe në Perú, anijet e spanjollëve ishin praktikisht të padukshme. Ky spekulim m’u kujtua në momentin kur Jaguar Paw dhe familja e tij, në filmin Apocalypto, gjenden ballë për ballë me galeonet spanjolle. Si do t’u jenë dukur vallë?

Edhe në një këngë të Ciklit të Kreshnikëve, Muji tregohet në fillim skeptik për vlerën e armës së zjarrit, por pastaj e provon plumbin në pëllëmbën e vet dhe mbetet i mahnitur nga vrima tej për tej. Një armë zjarri në mes të epikës legjendare është edhe më magjike se galeonet e Cortés-it në brigjet e Meksikës; në të dy rastet, teknologjia e re shërben si shenjë pikësimi dramatike për rrjedhën e historisë.

Vizioni evolucionar (darvinian) i historisë mund të reduktohet në një tautologji: fiton ai që mbijeton (mbijeton ai që fiton); i tillë është, në vija të trasha, edhe vizioni hobbes-ian që e sheh historinë si luftë të të gjithëve kundër të gjithëve; dhe meqë luftrat i fiton, si rregull, teknologjia, atëherë teknologjia ka ardhur duke u absolutizuar si kriter për matjen e progresit.

Kësisoj vend i prapambetur është ai vend që ka mbetur prapa në teknologji.

Megjithatë, që të mbetesh prapa në teknologji, nuk mjafton vetëm konteksti teknologjik në vetvete, as përsosmëria e komunikimit dhe lehtësia e krahasimit me të tjerët, as sinkronizimi i orëve; duhet që edhe ti ta kesh pranuar kriterin teknologjik si parësor.

Amish-ët, një komunitet fetar në ShBA i lidhur me kishat menonite, njihen ndër të tjera për refuzimin që ia bëjnë teknologjisë moderne. Amishët nuk përdorin energjinë elektrike, telefoninë dhe automobilët; edhe pse jetojnë të rrethuar nga një qytetërim hiper-teknologjik, si ai amerikan. Por nuk ka kuptim që t’i quash të prapambetur, sepse ata nuk marrin pjesë në “garë”. Ngaqë nuk përdorin teknologjitë moderne të komunikimit, ata nuk kanë kontakt të përditshëm me qytetërimin rrethues dhe, pas gjase, nuk kanë arsye për të dhënë vlerësime krahasuese.

Paradoksalisht, i prapambetur është vetëm kush nuk dëshiron të jetë i prapambetur.

Amishët janë vetëm shembulli i skajshëm i një orvatjeje, mjaft të përhapur, mes individëve dhe komuniteteve kudo në botë, për ta refuzuar fshatin global dhe homologimin e vlerave. Deri edhe lëvizja e hippies në vitet 1960 dhe interesi për spiritualitetin oriental, veçanërisht indian, mund të konsiderohet si instancë e të njëjtit gjakim.

Letërsia spekulative dhe fantashkencore ofron një larmi dehëse shembujsh, të imagjinuar, të qytetërimeve të bazuara jo në teknologjinë dhe në mirëqenien ekonomike, por në spiritualitetin dhe kultivimin e mendjes. Ndonjëherë, këto qytetërime i kanë rrënjët në qytetërime teknologjike që u kanë paraprirë; ndonjëherë tjetër e kanë përçmuar teknologjinë qysh në origjinë.

Sot refuzimi i primatit të kriterit teknologjik ndeshet më tepër në lëvizjet e gjelbra ose ambientaliste; edhe pse shfrytëzimi i mbajtshëm (sustainable) i burimeve natyrore dhe energjetike në thelb mund të realizohet vetëm nga kulturat hiper-teknologjike, ose nga po ato kultura të cilat kanë mundësuar përftimin e fshatit global, si triumf të teknologjisë së komunikimit dhe të anulimit të distancave.

Për fat të keq, ky fshat global i ka bindur të gjithë se lumturia s’mund të jetë veçse lokale; përndryshe, për të parafrazuar Marksin, shtëpia jote tash e tutje do të jetë kasolle, në krahasim me rrokaqiejt që e rrethojnë – përveçse po të mbyllësh grilat.

Efekteve shkatërruese të vetëdijes se ke mbetur prapa mund t’u shpëtosh, përndryshe, nëpërmjet artit, sa kohë që arti nuk njeh progres, as varet doemos nga teknologjia; madje është në gjendje të realizojë, në kulturë, të njëjtin efekt jashtëkohësie që përfton komunikimi me natyrën.

Arti ndërton botë private, të pjesshme dhe të fshehura nga sytë e të tjerëve, por të mjaftueshme për t’i banuar. Është vërtet një fije bari, por e pakëputshme, për të gjithë ata që ndihen të mbytur në ujërat e sunduara prej peshkaqenëve. Në art nuk fiton as humb dot, por mund të humbesh.

Futurologët, filozofët, utopistët dhe vizionarët shpesh ia kanë uruar njerëzimit një të ardhme ku të gjithëve do të na mbetet kohë e mjaftueshme për t’u marrë me art. Këtu ndoshta ka vend për t’u shtyrë edhe më me fantazi: pse jo, një të ardhme ku gjithçka e jona të jetë art?

Për fat të keq, kjo farë e ardhmeje nuk është se po na troket në derë. Përparimi ekonomik dhe teknologjik, nevoja për të ecur me çdo kusht “përpara”, imperativi për të “përmirësuar” gjithçka nuk është veçse përgjigjja kulturore ndaj rritjes demografike, ose nevojës për të ushqyer gjithnjë e më shumë gojë. Mes mënyrave të shumta për të luftuar entropinë (të njohur ndryshe edhe si vdekje), kjo me teknologji synon ta mposhtë cilësinë me sasi. Kësisoj, proliferimi teknologjik vjen dhe përftohet si reflektim i proliferimit demografik; dhe në të dy rastet kolapsi veç mund të shtyhet, por jo të shmanget.

Pa Komente

  1. “Sa më lart të ngjitesh, aq më shumë do vritesh kur të biesh poshtë”, thotë një proverb kinez, që qe gjëja e parë që më erdh ndërmend teksa lexoja ktë shkrim rreth rritjes.
    Për mendimin tim, ekziston një dallim rrënjësor ndërmjet zhvillimit e/o përparimit natyror dhe rendjes me çdo kusht për të arritur sa më lart apo larg, aq më tepër kur kjo rendje bëhet duke u bazuar në mekanizma që nuk marrin parasysh kolapsin, që përmëndet në paragrafin e fundit,të shkrimit.

    Të jesh “mbrapa”, jo gjithmonë do të thotë që të jesh në dizavantazh në krahasim me “të parët”…. rasti i Shqipërisë, e “prapambetur” sa më s’ka, që nuk u trazua nga vorbulla e krizës financiare që përfshiu gjithë botën e “përparuar”, nuk është se shpëtoi nga kjo krizë sepse ishte më e zonja se të tjerët, por sepse, për fat të mirë, akoma s’ka arritur në atë fazë evolvimi që të adaptojë ato mekanizma të “rritjes” që të tjerët ruajnë si shenjtëri në udhën e zhvillimit (ekonomia e tregut, liberizmi i tejskajshëm dhe ajo çka u tregua më fatale për botën e zhvilluar, aplikimi imbrapshtë e i shtrembëruar i këtyre mekanizmave ekonomikë edhe në financë).
    Shumkush mund të konsiderojë Shqipërinë si të prapambetur, por, për momentin, nuk mund të thotë se Greqia dhe Shba (në rrezik default-i) mund të konsiderohen shumë më lart se Shqipëria…nëse rrëzohen.

  2. Shkrim shume i mire, pergezime 2xha. Nje remarke per krizen e fundit ekonomike. Pavaresisht demagogjise se politikaneve tane ne pushtet, Shqiperia eshte prekur nga kriza ashtu si pothuajse gjithe vendet e tjera te botes. Nqs nuk gabohem ne kemi humbur rreth 3-4 pike te rritjes se PBB dmth kemi kaluar nga rritja dyshifrore e Berishes ne 2007 ( rreth 8%) ne 3 a 4% vitet e mepasshme. Per krahasim, Franca ka kaluar nga rreth 2% ne – 1.5% pothuajse e njejta humbje, ndryshimi qendron tek fakti se ata hyne ne recesion. Kina po ashtu ka humbur rreth 4 pike, kane kaluar nga 12 ne 8% dhe nqs nuk gabohem kaq eshte edhe mesatarja e humbjes e te gjithe ekonomise boterore rreth 3.5 % ne vitin e pare pas krizes.

  3. Koncepti i progresit linear eshte produkt iluminist, Hegeli i kundevuri progresin dialektik te spirales, ne shek 20 perfunduam tek progresi i perballueshem, ne shek 21 duket sikur s’po perballohet dot me e ka filluar fatalizmi.

    Per mendimin tim, vetem Hegeli ka te drejte, progresi eshte i pashmagshem, vetem se ka formen e spirales, ka te perpjete po ka edhe vendnumero.

    Pas L1B, pati nje moment kur besimi tek progresi linear ne infinit, ra pertoke fare, vetem marksistet besonin ende tek ky lloj progresi, pas L2B rimori force besimi tek progresi ne infinit deri aty nga vitet 70 kur doli puna e perballimit.

    Problemi besoj i takon faktit qe politikat ekonomike jane ndjekur duke u bazuar vete tek ky progres linear ne infinit, psh pensionet bazohen tek parimi qe do kete rritje te perhershme ekonomike qe do mundesoje edhe mbajtjen e nje numri te madh pensionistesh, ama daljen ne pension po e çojne te 70 vjeç.
    Po ashtu borxhi i brendshem, rritej gjithnje te bazuar ne idene se do kete gjithnje rritje ekonomike keshtu qe ne vlere nominale mund te rritej borxhi pa shkaktuar probleme se do mbulohej nga rritja e GDP-se.

    Po ashtu koncepti i kredise bazohet perseri tek besimi i rritjes se vazhdueshme te rrogave,si pasoje e rritjes ekonomike si dhe tek puna stabel gjithe jeten.

    Te gjitha keto u mblodhen bashke dhe shumica e shteteve po ankohen per pensionet, per borxhin e brendshem dhe kredite e keqija.

    Ne nuk jemi ne krize, meqe per arsye demografike kemi pak pensioniste, i paguajme 5 leke, kemi borxh relativisht te ulet dhe kredite nuk jane esenciale ne financat tona.

    Ka rritje me te ulet, qe mund te jete per arsye te krizes jashte apo edhe per arsye te brendshme, por rritja rritje eshte, nuk eshte krize, mund te thuhet qe ka krize te rritjes.

    Persa i perket teknologjise kjo ne thelb varet nga perparimi i fizikes dhe matematikes, por meqe ne keto shkenca nuk ka ndonje hov cilesor nga ana e parimeve dhe ligjesive, si ta zeme ne shek 19 e deri ne mesin e shek 20, edhe teknologjia nuk ka si te zhvillohet ne sens cilesor ashtu si e kerkon teoria e progresit linear ne infinit.
    Edhe teknologjia ne teresi po i pershtatet progresit hegelian.

    Gjithsesi per ne shqiptaret progresi mund te jete linear derisa te kapim vendet e zhvilluara, thjesht gjate rruges nuk duhet te bejme gabimet e vendeve te zhvilluara, dmth politikat ndaj pensioneve, kredive dhe borxhit te brendshem te mos bazohen tek parimi i progresit te sigurte ne infinit.

    p.s Edrus, nuk falimenton Amerika, eshte levizje demagogjike e Obames.

    Ne fund te viteve 80, Perendimi kish frike se mos BS-ja perpiqej ta zgjidhte krizen me ndonje lufte, si ta zeme ti futej me themeli Lindjes se Mesme qe e kish afer, mirepo Gorbaçovi tha do merdhifim vetem ne.
    Kurse Amerika ka shpirt misionar, po ra Amerika, sipas tyre botes i ka ardhur fundi, prandaj ne ndryshim nga BS-ja, kur ti afrohet fundi Amerikes, kjo ka per t’iu futur me themeli vendeve ku jane burimet e nevojshme.

    Ka gjasa te mira qe perballe rrezikut financiar te Amerikes, meqe do marre me vete gjithe Europen dhe Azine e Largme, keto te jene te gatshme qe te mbeshtesin çdo nisme luftarake te Amerikes kudo ne glob.

    I varferi ne kohe krize ha me pak e vishet me keq, kurse te pasurit i iken petlla, rikthehet ne paligjshmerine e stergjyshit te tij qe vuri pasurine, prandaj eshte edhe me mire qe krizat t’i paguajne gjithnje te varferit, ne rastin tone ate apo ato shtete qe kane burimet e nevojshme per Ameriken.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin