VULLNET POLITIK APO SHQIPTAR?

Transkript i një kumtese të mbajtur në konferencën kombëtare të Fakultetit të Shkencave Sociale, të UT me temë “Vullneti politik shqiptar dhe roli i intelektualëve”.

Transkript #3 – Kapedan S. “Vullneti politik – shqiptar

Ora: 13:30

Moderatore: Grida S.

Grida S. – [Shumë fjalë pa kuptim. Ende shumë fjalë pa kuptim. 20 min fjali pa kuptim. Kapedan S. i rrëmben mikrofonin nga dora i xhindosur.]

Ora: 13:57

Kapedan S.- Të nderuar të ftuar, të nderuar zonja e zotërinj,

Sot, më shumë se dje, e se ç’pritet nesër, dëgjojmë të flitet për vullnet politik, për një vullnet politik shqiptar. Apo për një vullnet shqiptar politik!

A mund të flasim për një vullnet shqiptar mbi të gjitha? Po për një vullnet politik, shqiptar?

Këto janë disa nga pyetjet themelore që do të ceken në këtë kumtesë.

Vullneti është dëshira e aftësia e një njeriu të arsyeshëm për të vepruar në një mënyrë të caktuar. Vullneti ka të bëjë me lirinë e zgjedhjes së individit për të vepruar apo jo. Për shumë filozofë koncepti i vullnetit të lirë është i lidhur me përgjegjësinë morale.

Por kur dikush si H. Çili shprehet “më do trapi”, a është ky duke shprehur vullnetin e lirë? A është ky duke marrë njëkohësisht përgjegjësi (ndoshta morale) për veprën apo mendimin e tij?

Dikush mund të dyshojë mbi vërtetësinë e konceptit të vullnetit të lirë në këtë shprehje. Ose të mendojë në mënyrë deterministe se duke qenë në ndikimin e organit në fjalë, vullneti i tij është i nënshtruar pikërisht aspektit emocional e biologjik dhe shpërblimit që premton.

Ashtu sikur edhe në rastin e Kolegjit Zgjedhor, nëse do të shpreheshin se “u do trapi”. Paçka se mund ta kishin fjalën për trapin e një Tjetri. Sërish do të dyshonim mbi vullnetin e lirë dhe kufizimin e saj për të zgjedhur të vepruarit.

Nga ana tjetër dikush do të mendonte se arsyeja e ka emancipuar njeriun nga nevojat fizike. Madje arsyeja ndikon zgjidhjet duke i shkaktuar këto. Arsyeja i përkufizon alternativat si të tilla dhe ndikon mbi zgjedhjen e tyre. Pra njeriu i arsyeshëm merr përgjegjësi për zgjedhjen e tij.

Por në të dyja rastet e interpretimit të vullnetit të individit, në rastin tonë të H. Çili, kemi të bëjmë me një ndërgjegjësim dhe shfaqje të kësaj ndërgjegjeje në publik. Ky njeri në momentin që thotë “më do trapi” merr përgjegjësi për veprimet dhe mosveprimet e tij përpara publikut.

A nuk do të dëshironit edhe ju që vullneti i secilit prej nesh të shprehej kështu, ndoshta jo në të njëjtën mënyrë të sinqertë, por?! E përgjegjësia për veprimet tona të gjente të njëjtën jehonë sikur kjo shprehje e nëmur “më do trapi”?!

Ju ftoj pra njerëz në këtë sallë, duke filluar nga unë, të marrim përgjegjësi, të themi se “na do trapi”: Unë kam ardhur këtu të shtoj në jetëshkrimin tim një tjetër konferencë. Kam dhjetë vjet që nuk botoj gjë dhe as që kam ndërmend. Kam ardhur të ha, nëse do të mundem të depërtojë nën sqetullat e bëshëm të atyre katër profesorëve, mjeshtërat e bufesë. Kam ardhur t’ju takoj se mos më harroni e kujtoni se kam vdekur. Kam ardhur të kujtoheni e të më ftoni në organizime të tilla, se më do trapi!

Vullneti politik nga ana tjetër është term abstrakt. Për dikë ndoshta një fjali boshe. Vullneti i kujt? Pse politik? Kujt? Vullneti për të ndërmarrë diçka për komunitetin? Cilin?

Sa herë që institucionet dështojnë në funksionet e tyre, ose perceptohen si të dështuara kur nuk i pëlqejnë njërës palë, zgjidhja ngelet “vullneti politik”. Ndërmjet kujt? Ndërmjet palëve që pranojnë këtë vullnet? Cili autoritet detyron realizimin e këtij vullneti? Sa të aftë e të mundur janë këto palë për të vepruar me vullnetin e tyre?

Në këtë çast vullneti politik shërben si instrument përjashtues i palëve që nuk janë në gjendje të ekzekutojnë vullnetin e tyre individual dhe nuk gëzojnë autoritetin e pushtetit (të numrave apo të institucioneve).

Po kush mban përgjegjësi për pasojat e këtij vullneti? Përse nuk del ndonjë politikan të bërtasë: “më do trapi”? Të marrë përgjegjësi morale e politike për veprën e tij? Por presim verdiktin e popullit (?) në ditën e “gjykimit”!

Unë nuk mendoj se ekziston një vullnet politik shqiptar. Ndoshta një vullnet shqiptar politik, hipokrit në motiv. Ne zbukurohemi me moralin si kurvat me brekë epshndjellëse. Politika jonë ndjell me moralitetin e shtirë të pamoralishmit. Hakun ja lëmë ditës së gjykimit.

Kur H. Çili u shpreh “më do trapi”, morri përgjegjësi pikërisht për qëndrimin e tij. Nuk tha që jam i pavarur. U shpreh se ishte i varur nga dëshirat e tij. Pak rëndësi ka nëse vullneti i tij është i kushtëzuar nga epshi apo nga arsyeja dhe zgjedhjet që përkufizon e ndikon ajo.

H. Çili krijoi një precedent, që shpresojmë të kthehet në kulturë. Në një vullnet politik shqiptar të shprehur, pse jo edhe në këtë formë.

Shpresojë të dëgjojmë më shumë të tilla: Më do trapi të privatizoj e të shkatërroj publiken, me gjithë çka, që nga uzinat tek trotuaret e parqet publike! Më do trapi të vjedh nëpër tenderat e ndërtimit të shkollave e të ndërtoj me pas një universitetin tim privat! Më do trapi të betonoj Tiranën! Më do trapi të betonoj Durrësin e bregdetin! Më do trapi të shkatërroj ambientin! Më do trapi të gjalloj ende në politikë (PSD e të tjera fetuse të abortuara të Partisë së Punës).

Më do trapi të vij në konferenca të tilla që t’u çaj trapin juve me trapllëqe moraliste, se unë nuk kam vdekur ende, por shfaqem çdo ditë e kudo!

Shënim: në këtë video:

Mund të shihni si Henri Çili, politolog me prirje të djathtë, shprehet në emisionin televiziv Top Show gjatë një diskutimi me Erjon Veliajn, se është e drejta e tij të shprehet për ngjarjen e 21 janarit (“më do trapi”) ngaqë është “njeri i lirë”.

 

Nuk ka komente

  1. Kapedan.
    Nje nga shkrimet me te bukura qe mund te kem lexuar ne PTF. Qofte ne stil, me rhetoriken e vet, ashtu edhe per natyren e problemit qe ngre.

    …uroj qe te te japin nja 2-3 sekretare aty ku punon ( ka pare shtetit per kete pune, sepse sic thoshte njeri nga ata te vullnetshmit qe pershkruan, mund te marre para hua sa te doje, meqe ka vetem 60% te GDP borxh.Plus qe do shese shume nga xhevahiret e shtepise, tani qe cmimi i floririt ka shkuar ne kupe te qiellit).
    Qe keshtu, te kesh kohe e mundesi te pyesesh sa me shume vete mbi vullnetet qe kane…

  2. Urime për reflektimin.

    Arroganca e të dy bashkëbiseduesve dhe mungesa e predispozicionit minimal për të hyrë në dialog tregon një mjerim të dhimbshëm të diskursit publik në Shqipëri. Ndoshta humbja e Ramës mund të bjerë avantazhin historik të zhdukjes së pseudo-opozitës të pseudo-të-majtës shqiptare, me shpresë që pas disa vitesh të organizohet dot vetvetiu një opozitë qytetare intelektuale e borgjeze nga poshtë.

  3. Mire ja beri Veliaj Cilit. Ky trapi qe i do trapi s’e di akoma se viktimat e 21 janarit i perkasin me t(r)api opo(po)zites? Si guxon ky?!

    Stili i shkrimit ne artikull me pelqen, vecse po ti kishte rene pak me lakonikisht do ishte me mire akoma, se rrezikon te humbase spice-icitety i stilit ne gjatesine e shkrimit.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: