Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë

MOSVOTIMI SI AKT POLITIK

nga Pancho Villa

Në të gjithë gjurulldinë e situatës së fushatës zgjedhore, mendja e secilit shqiptar është e trazuar me dyshime e analiza të llojllojshme që i referohen mënyrës së të bërit fushatë (pozitiviste a negativiste), kandidatëve, analizave të gjuhës së përdorur nga kandidatët si pjesë e komunikimit politik, së fundmi edhe dukurisë së shitblerjes së votës (shih artikullin pararendës), por askund ose pakkund dëgjohet të flitet për votën në vetvete.

Të votuarit është përkufizuar që në fillim si akt politik i cili është jo vetëm një e drejtë por gjithashtu edhe një detyrim moral i një qytetari të denjë, a thua se kuti i të qenit qytetar na u përcaktoka nga të shkuarit në dhomën e rrëfimit. Pothuajse të gjithë e kemi pranuar a priori që vota e të votuarit është akti më i lartë politik e për këtë nuk kemi përse të flasim. Patjetër që të votuarit është akt politik, për sa kohë ka një filozofi e një terren politik të mirëfilltë mbi të cilin ngrihen vizione e ideologji të qarta politike të dallueshme nga njëra tjetra. Gjithashtu është akt politik kur subjekti politik pozicionohet qartë duke mbështetur njërin prej këtyre vizioneve, atë me të cilin mendimi i tij politik identifikohet më së shumti.

Por a mund të konsiderohet ky subjekt, politik në momentin që voton apolitiken? A mund të konsiderohet të votuarit një akt politik kur mbështet vazhdimësinë e apolitikes? Mungesa e një terreni ideologjik politik e gjithashtu e një programi politik nuk mund të prodhojë politiken. Instrumentalizimi i paqartësisë e çoroditjes së popullit nga kjo mungesë e politikes ia zhvesh atij atributin e të qenit një subjekt politik. Me pak fjalë njerëzit e pushtetit me anë të qëndrimeve të tyre thellësisht jopolitike e çoroditin dhe e zhveshin aq shumë subjektin nga atributi i tij politik, saqë ky i fundit tradhton veten duke shkuar përkundër asaj çka është.

Si e kuptojmë që votuesi nuk ka një qëndrim të qartë e për këtë arsye është i çoroditur e i pavendosur? Ky reflektim vjen si një linjë e filozofit francez A. Badiou i cili të njëjtin shqetësim e ngre duke marrë shembull popullin francez, për të shpjeguar një situatë që nuk i përket vetëm francezëve. Populli është i çoroditur, sepse nuk është i vendosur mirë politikisht, sa kohë që nuk ofrohen zgjidhje politike. Duke qenë se institucioni i votës i është paraqitur gjithmonë si një detyrë e qytetarit të përgjegjshëm, atëherë ai detyrohet të votojë, pa çka se nuk është i bindur për asnjërin prej kandidatëve. Në qoftë se do të ekzistonin ideologji të qarta politike për të cilat votuesi të ishte i qartë, atëherë vendimi se cilit kah do t’i përkiste do të ishte marrë prej kohësh e nuk do të lihej për në momentin e fundit. Spontaneiteti me të cilin merret vendimi pë të votuar X apo Y kandidat tregon pikërisht çoroditjen e votuesit e në të njëjtën kohë tregon gjithashtu parëndësinë e votës së tij si një akt jo i menduar mirë.

Pa qenë e nevojshme për të bërë studime të veçanta, çdokush që jeton në këtë vend e ka shumë të thjeshtë të kuptojë perceptimin popullor mbi politikanët. Pakënaqësia ndaj atyre që janë në pushtet e gjithashtu mosbesimi tek ata që pretendojnë të marrin pushtetin është i dukshëm dhe i përgjithshëm e megjithatë, në 8 Maj shumë prej të pakënaqurve do të shkojnë të votojnë sepse e kanë të pamundur ta mendojnë bojkotin e zgjedhjeve si akt politik, ndryshe nga ç’do të jetë votimi për inerci i njërit prej kandidatëve cilidoqoftë ai.

Ky lloj votimi apolitik nxitet edhe më tepër nga ligjërimi politik që përdoret gjatë fushatës kryesisht, por jo vetëm gjatë saj. Prodhohet një votë e detyruar dhe artificiale duke e nxirë aq shumë imazhin e kandidatit kundërshtar, saqë diçka e tillë të arrijë të prodhojë një frikë të pakuptueshme tek votuesi. Frika se ky që është më i keq mund të fitojë, detyron votuesin të mbështesë kandidatin të cilit i është nxirë më pak imazhi. Të gjitha këto janë instrumenta që “pushteti” (në termat e Foucault-it) përdor për të legjitimuar veten e tij. Me vota të këtilla, të prodhuara nga mekanizma artificialë që i veshin votuesit simptomën e “urgjencës” (në terma Badiou-sianë), bëjnë që pas zgjedhjeve fituesi të dalë e të proklamojë se tani ai do të përmbushë vullnetin e popullit, se populli ka folur qartë dhe se e gjithë kjo është një fitore e demokracisë. Populli i paqartë se cili është vullneti i tij, gjithsesi duartroket i lumtur që ka kryer detyrën e tij si qytetar i përgjegjshëm; një status i fituar nga sakrifikimi i të qenit subjekt politik.

Në qoftë se pranojmë termat e përgjithshëm që vota qenka një akt qytetarie, por nga sa më sipër jo domosdoshmërisht një akt politik, atëherë le të reflektojmë e të ndërgjegjësohemi se së pari jemi qenie menduese po aq politike. Le të bëhemi pra ata që jemi dhe rrjedhimisht do të jemi edhe qytetarë të përgjegjshëm.

Pa Komente

  1. Referendumi ne ndryshim nga zgjedhjet politike, parashikon nje perqindje votuesish (50%) qe te quhet i vlefshem dhe
    mosvotimi ne referendum cilesohet si akt politik.

    Zgjedhjet s’kane limit votuesish, nga edhe mosvotimi nuk ka vlere ligjore por vetem morale.
    Ne Shqiperi edhe sikur vetem 10% te votonin, pushteti meqe i ligjshem do mbahej deri ne fund te mandatit, Berisha na dha shembull te qarte dhe derisa te vija koha e vleres morale, nja 40-50 vjet, na duhet te vleresojme shembullin berishian, si metoda e vetme qe do ndiqet.

    Mungesa e limitit na le te nenkuptojme ne radhe te pare, se nga proçesi i votimit duhet te dale nje qeveri.
    Legjislatorit, nuk i behet shume vone per shqetesimet e ndryshme qe mund te çojne ne mosvotim, ai e ka marre parasysh mosvotimin, per legjislatorin eshte kryesore dalja e nje qeverie.
    Pra si votimi si akt politik lidhet kerthizisht me domosdoshmerine e Qeverise dhe lidhet ne menyre fakultative me shqetesimet, bindjet, vlerat e me the e te thashe.
    Aq e vertete eshte kjo, saqe edhe sikur opozitat te bojkotojne zgjedhjet, votimi ligjerisht kryhet dhe mundeson daljen e Qeverise se ligjshme, se ciles nuk ke fare çfare ti besh ne kuader te shtetit te se drejtes.

    Lidhjen e votimit me domosdoshmerine te qeverisjes ne pergjithesi e kapin me mire katundaret, fale pragmatizmit te famshem te katundarit, ndersa ne shtresen e mesme qytetare, votimi perceptohet si i lidhur kerthizisht me pergjegjesine e votuesit, vlerat, shqetesimet e me the e te thashe.

    Ndersa katundari eshte me i prirur ta shohe politiken te lidhur me ligjin e me ‘ate te cilit duhet ti paguaje taksat’, qytetari i mesem eshte me i prirur ta shohe politiken te lidhur me etiken dhe me ate qe i garanton te drejta e privilegje.

    Ky dallim vjen edhe sepse qytetari i mesem eshte me qendres se pushtetit sesa katundari, ka mireqenie me te larte dhe kjo afersi e mireqenie duhet te perkthehet ne sa me shume te drejta e privilegje (te cilat shpesh nuk i dallon se i duken te drejta, psh afersia me shkollen, me teatrin, me biblioteken etj qe jane privilegje rrethanore e jo te drejta ne vetvete).
    Si çdo shtrese edhe ajo e mesme eshte e prirur te shkoje drejt etiko-politikes per te justifikuar pozicionin e vet shoqeror.
    Po dikur nuk ka qene keshtu, vetem demokracia e sotme ia ka mundesuar kendveshtrimin etiko-politik si kategori mendimi, ja ka kthyer ne kategori dominante.
    Me perpara kete privilegj e kishte vetem shtresa e larte, nderkaq nuk ka zbritur ende tek shtresa e ulet dhe katundaria, per faktin e thjeshte sepse keta nuk jane te denje per kete privilegj.

    Mirepo ne Shqiperi kjo shtrese e mesme eshte numerikisht e vogel dhe relativisht e papergatitur,dmth pa edukim politi dhe ndergjegje shtresore( kjo e fundit edhe sepse duan te ngjiten lart, fale ndryshimeve relativisht te lehta vertikale), prandaj triumfon perceptimi i politiko-ligjor dhe jo ai politiko-etik.

    Ne keto kushte mosvotimi si akt politik te vetmin emerues te perbashket do gjendte mohimin e se drejtes se klases politike per te prodhuar nje qeveri, çka ne fakt per legjislatorin s’ka ndonje rendesi se ai i ka marre masat per kete duke mos vene limit vlefshmerie.

    Meqe rritja e mosvotuesve ne Shqiperi lidhet me dobesimin e PS-se, se pedeistet meqe ne pushtet as do enderronin ti luanin Sales ndonje rreng te tille, mosvotimi sot per sot si nje shume aktesh vetjake dhe jo si rryme qe perfshin mbare spektrin politik e qe udhehiqet nga personazhe te njohur e me peshe, favorizon Berishen.

    1. Ne fakt, historikisht mosvotimi ne Shqiperi ka ndihmuar te majten.
      Une i mbaj mend mire radhet e komunisteve te vjeter qe kishin votuar te gjithe si me komande pa vajtur ora 10 e mengjezit.
      Mirepo, ndoshta koha ka ndryshuar. Brezi i vjeter militant po shuhet pershkak te moshes, ndersa regjimenti me kompakt tani eshte ai i nepunesve te shtetit.

      Megjithate, rregulisht, ne cdo vend te botes, partia ne pushtet druhet se nuk do te dalin votuesit ndersa opozita eshte gjithnje e mobilizuar. Eshte ne natyren e njeriut.

      Sipas meje, ata qe druhen se mosvotimi ndihmon Berishen vete kane ndermend te votojne per Ramen dhe e kunderta, ata qe mendojne se mosvotimi ndihmon Ramen kane nder mend te votojne per Bashen apo kedo te PD-se ne zonat e tyre.

  2. Nese qytetari mendon thjeshte, jashte cdo kuadri indoktrinues ideologjik, pervetem se per interesin e tij te ngushte (papunesia, ulja e taksave, hipotekimi i shtepise, karta e studentit) a mos valle nuk eshte ky duke menduar politikisht? Kur ne momentin kur gjykon ndermjet dy alternativave perjashtuese (ulja e taksave vs. rritja e taksave)

    Nese nje grup politikanesh arrijne te ndertojne aleanca qytetaresh nepermjet thirrjes dhe premtimit qe i bejne pikerisht ketij vullneti politik, interesit te ngushte te qytetarit, a mos valle edhe ky grupim eshte apolitik?

    Sot ndoshta perjetojme nje “fund historie” ku ideologjite e vjetra kane vdekur per t’i lene vend pragmatizmit politik dhe nuk eshte nevoja t’i qajme ideologjite e as te shpikim te tjera.

    Mungesa e koherences ne vijen ideologjike per “catch all” parties, nuk eshte medoemos e demshme per komunitetin, sidomos persa kohe eshte eficient ne realizimin e premtimeve elektorale, qofshin keto premtime edhe vetem ne te mire te disa aleancave, pasi keto ndryshojne ne te mire se pakices.

    Nga ana tjeter nuk eshte nevoja t’i kerkohet individit te mendoj brenda nje kafazi (flit kuader) ideologjik, per t’u identifikuar si subjekt i qarte politik. Per ceshtje te tjera, dikush vendos ndryshe nga c’ka vendosur me pare.

  3. Mos ma merr per kapital, po i referohesha te sotmes. 21 Janari deshmoi kohezionin rreth Sales , keshtu qe kur s’e braktisen atehere nuk kane per ta braktisur gjate zgjedhjeve.
    Po ashtu 21 Janari deshmoi qe rreth Rames nuk ka kohezion, po ashtu qe shume njerez mund te mos shkojne te votojne se eshte e kote, ketu s’ndryshon gje.
    Zerat per mosvotim jane te gjitha majtas, asnje djathtas, keshtu qe nese do bejne ndonje efekt kane per ta bere majtas.

    Nderkaq te lekundurit pas 21 Janarit (se kryesisht per ta behet fushata) anojne majtas, pasi ngjarje te tilla demtojne gjithnje qeverine, keshtu qe thirrjet per te mbajtur medyshjen deri ne fund e te mos shkojne e votojne, do shkojne ne favor te Berishes.

    Mosvotimi per mendimin tim eshte pozitiv nese perfaqeson nje rryme te mbeshtetur nga personazhe te çdo cepi te hapesires politike e publike dhe jo per te delegjitimuar klasen e sotme ( se s’pyet ajo per kesi manovrash), por per ti hapur rrugen polit te trete.

    Une per vete s’votoj njeri, po me ofruan pare mund edhe ta shes, se sot parimi i vetem eshte ‘o Mete per vete, Zoti per te gjithe’.
    Sikunder e thote ky miku siper, do mendoj jashte kuadrit indoktrinues ideologjik, por vetem per interesin tim te ngushte e me te ngushte se kaq nuk besoj se ka.
    Qe te jem sa me brenda nuk mjaftohem me premtime, as me tranferime bankare, pagese me k.k, po i dua paret kesh, te thata ne dore, mundesisht parapelqej pagimin ne flori se ka disa vjet qe floriri ben vetem perpjete.

  4. Pra ti mendon te mos votosh? http://www.albanianews.it/shqip/opinion/item/1805-mendon-te-votosh

    Plus, si do ankohen pastaj per vjedhje votash dhe hapje kutish nese s’votojne?

    Ja pra qe ngado qe ta kthesh, eshte me mire te votosh, qofte dhe duke shkruar aty ndonje barsalete ne vote; at least you make a statement, sesa mos votosh fare.

    Gjithsesi ramistet nuk bejne mire qe e kane marre kaq me pathos fushaten paraprake te alibise se humbjes se zgjedhjeve, se ben vaki fiton Rama.

  5. Ajo qe me duhet te sqaroj ndoshta qe ne fillim, packa se mendoj qe vete shkrimi e ve ne dukje, eshte qe mosvotimin une po e trajtoj ne rrafshin e nje koncepti politik e ne rrafshin e filozofise politike. Patjeter qe e kam marre parasysh sic e kam thene edhe ne shkrim qe pavaresisht mungeses se programve politike etj, njerezit do te shkojne te votojne gjithsesi ne 8 maj dhe me kete nuk bej perjashtim as per berishianet e as ramistet.
    Qe mosvotimi t’i ndihmoje me shume te majtes duhet qe ne radhe te pare te kete nje te majte. Ajo qe them une ne shkrim eshte pikerisht mungesa e ideologjive e per kete arsye vota qe hidhet shkon per individin, personin e jo nje politike te caktuar te majte ose te djathte.
    Me vjen mire qe paskemi rene dakord qe te votosh duke marre parasysh vetem interesa te ngushte vetjake eshte apolitike. Nuk me vjen mire kur degjoj me pas te thuhet qe nuk eshte e nevojshme te shpikim ideologji te reja. Po cfare po shpikim ne? Ne as ato qe jane shpikur nuk po i veme ne jete. Ne e kemi zhdukur totalisht ideologjine se ndoshta kemi frike nga kjo fjale se te gjitheve iu ka mbetur ora te komunizmi qe e marrin per shembull ne cdo diskutim. Ideologjia si filozofi politike nuk ka pse te jete e keqe perkundrazi ve ne levizje dhe se paku prodhin mendim politik. Ju thoni le te mos prodhojme mendim politik. Le te rrime pa menduar. Epo mire, se paku pranojeni qe jeni qenir qe me njeri tjetrin ju lidh e ju bashkon vetem nje menyre shkembimi: paraja. Hidheni tutje njeriun si qenie menduese e mbani kafshen.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin

Pajtomë