Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Komunikim / Kulturë / Media

EFEKTI TELEVIZIV

A shihen televizione të huaja sot në Tiranë?

Këtë pyetje ua bëra shumë miqve e të njohurve që pata rastin të takoj, gjatë qëndrimit tim disajavësh në kryeqytet.

Të gjitha herët, përgjigjja që mora ishte JO. Kryeqytetasit nuk shohin televizione të huaja, me përjashtim të atyre që janë të apasionuar pas sportit, veçanërisht futbollit; dhe atyre të tjerëve, edhe më të shumtë, që e kalojnë kohën në lokale bastesh.

E kotë të shtoj që edhe në shtëpinë time tani ndiqeshin vetëm kanale televizive shqiptare, të cilat transmetonin kryesisht lajme të brendshme, emisione të ndryshme në studio, debate dhe telenovela.

Anketa ime ishte pa ndonjë vlerë heuristike – por JO-në ma thanë njerëz të të gjitha shtresave sociale; jo vetëm nga ata pa pretendime për të marrë vesh se ç’bëhet në botë, por edhe nga elitat, madje super-elitat.

I vetmi mik që më tha se ndiqte rregullisht televizionin gjerman, më rrëfeu se e bënte këtë për t’ua ruajtur gjuhën amtare të bijave (është i martuar me një gjermane).

Ndërkohë, një e njohur me të cilën po e bëja këtë bisedë, më tha se elitave të kryeqytetit, me pushtet dhe pa pushtet, u pëlqente që të shihnin veten në televizion pasi kishin bërë namin gjatë ditës, duke u ndier kështu dyfish protagoniste të jetës publike.

Kjo edhe ma quajti këtë dukuri “efekt masturbator” të televizionit.

Në shtëpi, unë nuk shihja televizion, përveç pak herëve (por mos e përdorni këtë kundër meje) kur dola vetë. Përndryshe, ime më e linte televizorin gjithë ditën ndezur dhe në dhomë më depërtonin, të pafiltrueshme, ulërimat e përditshme të Sali Berishës, nga çdo tribunë, podium e foltore e mundshme e republikës: mbledhje të qeverisë, debate në kuvend, inaugurime, prerje shiritash, mitingje festive, kantiere ndërtimi.

Më duket se në Tiranë ka një numër të madh kanalesh që transmetojnë lajme pa fund, kryesisht të brendshme; të thuash se Shqipëria e vogël mund të matet me vende të mëdha, si ShBA, për nga sasia bruto e lajmit që i përcillet publikut.

Nuk është pastaj për t’u habitur që kryeqytetasit e rimarrin pastaj këtë obsesion me elitat e tyre gjetiu, në tryeza kafenesh dhe restorantesh ose në kuzhinat e apartamenteve të tyre, duke e përcjellë politikën shqiptare si të ishte telenovela kombëtare, ose narrativa që i jep koherencën e nevojshme kulturës së vendit.

Unë i përkas një brezi që u formua kulturorisht nën ndikimin autoritar të një televizioni të huaj: RAI-t italian. Në vitet 1960-1980 RAI u ofroi shqiptarëve të ultësirës bregdetare një pikë referimi të nevojshme, për të çuar përpara diskursin intelektual.

Për brezin tim të të rinjve të Tiranës që e nisën udhëtimin e tyre nëpër botë me Sanremot dhe Canzonissima-t e viteve 1970, sikurse e përjetuan fëmininë e tyre edhe në shoqëri të Braccobaldo-s e të Rin-Tin-Tin-it, RAI në televizor ishte serumi që na mbajti kulturorisht gjallë, në vitet e rënda të totalitarizmit.

Madje jo vetëm kaq; sepse kultura italiane funksiononte edhe si antidot ndaj propagandës trashamane të regjimit, të përcjellë nëpërmjet mediave të KQ të PPSh.

Gjithnjë kam menduar se elitat kryeqytetase kanë qenë mendërisht më të hapura, më liberale dhe më afër Perëndimit gjatë viteve 1980, sesa sot; dhe kjo për shkak të ekspozimit televiziv ndaj botës.

Televizioni italian dhe deri diku ai jugosllav na jepte instrumentet dhe referencat e nevojshme, për ta kapërcyer izolimin; dhe jo vetëm izolimin si qytetarë të një regjimi totalitar, policor, që e mbante popullin e vet të rrethuar me tela me gjemba; por edhe si konsumatorë të një kulture kombëtare objektivisht modeste dhe të kufizuar.

Nëpërmjet RAI-t mësuam italishten dhe, së bashku me italishten, një mënyrë të shprehuri dhe të menduari perëndimore, e cila do të na shërbente më pas për t’iu kundërvënë dogmës totalitare të regjimit dhe vetë shqipes totalitare.

Kur kujtoj rininë time, më vijnë në mendje muzika italiane, filmat televizivë të RAI-t, lajmet e orës 20:00 dhe sidomos futbolli italian.

Këtë kishte parasysh edhe një gazetar i huaj që e vizitoi Shqipërinë dikur në fund të viteve 1980, për të shkruar pastaj se shqiptarët ishin “i vetmi popull në botë që e kalonin kohën e lirë, mendërisht, në një vend (paese) tjetër.”

Për ta përmbledhur – RAI u jepte elitave kryeqytetëse të viteve 1980 jo vetëm një mundësi unike për t’u ndier pjesë e botës perëndimore, por edhe koherencën e nevojshme për të funksionuar si elita, ose pika referimi të përbashkëta.

Kjo ndoshta vinte ngaqë RAI ishte në ato kohë edhe ai vetë elitar; dhe relativisht i mbrojtur ndaj komercializimit që do ta pllakoste duke filluar nga vitet 1990, në garë absurde me kanalet e Mediaset-it.

Njëlloj elitar ishte edhe kanali 2 i televizionit jugosllav (i njohur, zakonisht, si “dyshi i sllavit”) dhe që mund të shihej në bandën UHF; ose nëpërmjet “kanoçeve” të famshme prodhuar nga duart e arta të teknikëve tiranas.

Për fat të keq, televizioni jugosllav nuk e kishte prestigjin, as përhapjen e RAI-t, kryesisht për shkak të barrierës gjuhësore; serbo-kroatishtja nuk kuptohej dot në Tiranë, përveçse nga elitat e shkolluara në vendet e Lindjes (falë ngjashmërive me rusishten) dhe ata pak moshatarëve të mi që studionin rusishte në shkollë.

Serialët televizivë të atyre kohëve, si “Dynasty” (që paskësh qenë një soap opera, edhe pse ne nuk e dinim), na ndihmuan së tepërmi me anglishten, të cilën deri atëherë e njihnim vetëm pasivisht.

Edhe vetë televizioni shqiptar ritransmetonte rregullisht produkte të RAI-t, ndonjëherë duke ia maskuar siglën me një kuadrat të zi.

Pa u zgjatur më tej me efektet e televizionit të huaj në publikun shqiptar, po mjaftohem të vërej këtu edhe mundësinë që na jepte për të dalë nga vetja dhe për t’u shkëputur nga realitetet e përditshme, të vockla, të një kryeqyteti provincial dhe të prapambetur, si Tirana.

Në krahasim me atë periudhë, televizioni i sotëm shqiptar, me gjithë pluralitetin fals të materialit që ofron, po vjen duke e thelluar konsumin vetë-referencial nga publiku në përgjithësi dhe qytetarët në veçanti.

Ndërsa elitat vështrojnë veten në ekranet, publiku tjetër zbavitet me reality shows, të cilat ushqejnë iluzionin se kushdo mund të ngjitet në majë të piramidës.

Baby Doll/The Day After, Alketa Xhafa,2007

Çuditërisht, të njëjtat efekte i përcjell sot edhe vetë RAI. Vitin që shkoi, kur m’u desh të qëndroj për një kohë të gjatë në Turqi, për të shoqëruar tim atë të sëmurë, ky e mbante televizionin e dhomës gjithnjë të sintonizuar te RAI UNO, në emër edhe të një kohe që s’kthehej më.

Por asgjë nuk kish mbijetuar nga RAI i dikurshëm – as cilësia, as shkëlqimi, as ngacmimi intelektual. Orë të tëra të programit ditor u kushtoheshin lojërave me çmime, që testonin kujtesën dhe njohuritë e pjesëmarrësve për gjithfarë trivialitetesh (p.sh. emri i vërtetë i Lady Gaga-s, etj.).

Tatëpjeta e televizionit publik italian i detyrohet, më një anë, lulëzimit të televizioneve komerciale dhe filozofisë së Mediaset-it; më anë tjetër, perëndimit të sundimit demokristian në jetën publike italiane dhe një filozofie të informacionit publik që themelohej mbi konceptin e edukimit të shikuesit, jo të zbavitjes me çdo kusht.

Ndërkohë, këtij fati duket t’i kenë shpëtuar, bie fjala, televizioni publik francez, BBC-ja, ose disa kanale elitare, si ARTE. Në një Tiranë ideale, këto institucione duhej t’i shërbenin si model edhe televizionit publik – për ta çliruar këtë nga zyra e propagandës e partisë në pushtet.

Tirana sot mblidhet darkave, si rregull, për të parë çfarë i ofron Top Channel, TV Klan dhe Vizion Plus; këto tre kanale private kanë nivel të lartë teknik dhe gazetarë të përkushtuar – por nuk mund t’i shpëtojnë efektit pasqyrë (ose masturbator).

Për pasojë, sipas logjikës së televizionit shqiptar, Shqipëria dhe veçanërisht Tirana është kërthiza e botës – koncept katundar, që veç e pengon emancipimin kulturor të publikut, në kryeqytet dhe gjetiu në Shqipëri.

Më duhet të pranoj se RAI i viteve 1960-1980 luajti, për elitat shqiptare dhe publikun në përgjithësi një rol shumë më fisnik nga ç’pritet zakonisht prej televizionit si medium. Disa rrethana bashkëpunuan për ta realizuar këtë efekt magjik: etja e tiranasve për informacion alternativ, cilësia e materialit të ofruar nga kultura italiane demokristiane, Lufta e Ftohtë, natyra jokomerciale e televizionit publik.

Nuk di ku do të ishte Shqipëria sot pa atë ndikim fatlum; ndoshta diçka si Azerbaixhani ose Uzbekistani – siç edhe po bëhet hap pas hapi, në duart e klikës që ka sot pushtetin.

Kjo ndodh edhe ngaqë tiranasve po u mungojnë pika të jashtme të referimit, ose etalone të tilla që t’i ndihmojnë për të perceptuar shkallën e provincializimit të Tiranës kryeqytet.

Paskëtaj, nuk është për t’u habitur që mungesa të tilla vijnë e zëvendësohen me surrogato – ose me fytyrat që mbushin çdo natë ekranet: politikanë, zëdhënës, gazetarë, analistë, komentatorë, llafazanë, shakaxhinj, porn stars gjithfarësh.

Çuditërisht, televizioni i sotëm në Shqipëri po ndihmon për të rikrijuar një botë të mbyllur, të dominuar nga imazhi i kërthizës – kërthizës së botës, që është bërë tashmë Shqipëria virtuale e mediumit televiziv, dhe kërthizave të vetes, që shohin në ekranin pasqyrë protagonistët e hiçit.

Pa Komente

  1. Izolimin e shqipetareve mund ta konstantosh ne c’do aspekt te jetes shoqerore … aq sa nuk do ishte ekzagjerim te konkludoje se shqipetaret sot jane me te bunkerizuar se kurre!! Nese gjate komunizmit izolimi ishte i imponuar dhe bota e jashtme ishte larg dhe gati e paprekshme, sot per sot me gjithe mundesite qe u ka falur telekomunikacioni, pa permendur mundesite per te udhetuar e jetuar jashte, shqiptaret jane te shkeputur dhe te mbyllur nga zhvillimet dhe ngjarjet ne bote. Nese nje artisti ne ’89 nuk mund ti vije faj qe nuk njihte Richard Serra-n, eshte e pafalshme qe sot nje artist bashkohor qe vjen ne NY nuk njeh jo vetem kush eshte Richard Serra, por eshte me i entuziasmuar kur sheh dyqanet e Hugo Boss e Kenneth Cole sesa kur ecen sallave te MOMA kur vjen ne NY. Ky per mua eshte kulmi i bunkerizimit te shqiptareve qe deshmohet dhe ne shkrimin e mesiperm qe po iu ushqehet nga “politikanë, zëdhënës, gazetarë, analistë, komentatorë, llafazanë, shakaxhinj, porn stars gjithfarësh.”

  2. Faleminderit Xha xha per kete shkrim te bukur (sikurse dhe shume shkrime te tjera ketu). Vetem kete fragment, qe po vendos me poshte, do te kisha deshire te kisha nje shtjellim pak me te gjere nga ju;

    “Më duhet të pranoj se RAI i viteve 1960-1980 luajti, për elitat shqiptare dhe publikun në përgjithësi një rol shumë më fisnik nga ç’pritet zakonisht prej televizionit si medium”

    Ne cfare kuptimi?. Cfare pasojash pozitive te prekshme krijoi tek elitat e vendit sot televizioni i atyre viteve?. A ishte thjesht afatshkurter benefiti dhe i paperfillshem?. Uroj te mos i kem dhene vete pergjigje pyetjeve te mia.

    1. Albi, deri në fund të viteve 1960, elitat në Tiranë mbeteshin të orientuara nga Lindja; kultura ruse, letërsia ruse, muzika ruse. Kjo vinte kryesisht ngaqë këto ishin elita të reja, që kishin zëvendësuar elitat pro-perëndimore të viteve 1930 (këto të fundit të fundosura me mënyra policore) dhe që kishin studiuar në vendet e Lindjes. Futja e televizionit si teknologji mediash shtëpiake në Shqipëri koincidoi me ndërprerjen e kontakteve me Lindjen dhe veçanërisht Bashkimin Sovjetik – në një kohë që në atë kohë televizioni italian u tolerua nga pushteti për aq vjet, sa ç’ishin të nevojshëm që elitat të krijonin një lloj vartësie kulturore ndaj RAI-t. Në Tiranë, dikur në vitet 1960, u ngrit një ripetitor sinjali në Dajt, i cili transmetonte programet e RAI UNO dhe RAI DUE për kryeqytetin – ku, duhet pasur parasysh, vetëm një përqindje e vogël kuadrosh pak a shumë të zgjedhur dhe politikisht të besueshëm kishin televizorë në shtëpi. Ripetitori vijoi të transmetonte deri pas Plenumit IV, në 1973, por sinjali i RAI-t ende mund të kapej, me mënyra të ndryshme. Në vitet 1980, ishte radha e Malit të Zi (në mos gabohem) që ngriti një ripetitor të RAI-t sinjali i të cilit kapej edhe në Tiranë; si kundërpërgjigje, RTSH filloi të transmetonte ai vetë mbi këtë sinjal për ta penguar, prandaj ne mund ta shihnim RAI-n paradite deri në orën 5:30 PM, ose në darkë, pas orës 10:30 pm (kur ishin edhe programet më cilësore). Me sa mbaj mend, për t’i parë këto duhej të kishe bandën UHF në televizor, ose kanoçen e famshme. Gjithsesi, i kujtoj këto hollësi për të treguar se Tirana, gjatë viteve 1960-1980 mori shumë ushqim kulturor nga RAI, me siguri shumë më tepër se ç’i ofronte televizioni jugosllav, ose RTSH-ja, që ishte televizion “për masat”. Është thënë shumë herë se televizioni italian e mbajti Shqipërinë kulturore të ankoruar pas Europës; duke i ofruar një ëndërr, që nuk kishte të bënte me bollëkun material, por me shkëlqimin e lehtësisë së qenies (the unbearable lightness of being), ose mirëqenien të kuptuar si liri të realizimit të vetvetes. Për mua, dhe për shumë të brezit tim, televizioni italian ishte si altar i një feje të lirisë së mendimit dhe kultivimit të virtytit intelektual dhe kulturor. Por ato ishin rrethana të jashtëzakonshme, që përftonin në publikun shqiptar, krejt pa dashje, gjendje shpirtërore të afërta me ekstazën ose trans-in.

  3. Qe gjithshka eshte kthyer mbrapsh (mos shikimi i televizioneve te huaja ne Tirane), e konfirmon edhe fakti qe, sot TVSH-ja (hiq menjane edicionet e saj te lajmeve), eshte kanali me i mire televiziv ne Shqiperi (me i miri nder te keqinj).

    Por qe nuk e shikon pothuaj askush !

  4. Mund te ngrihen dy pyetje: A ka shprese qe programet e RAI-t dje, elitat t’i kene zevendesuar me larmine qe ofron Interneti? A qendron mundesia qe Interneti te luaje nje rol te ngjashem me ate te programeve italiane tek elitat e sotme?

    Do te ishte shume e vlefshme te behej nje sondazh per zakonet (habits) te shqiptareve ne Internet.

    1. Elitat të kenë shndërruar fushbetejën?!

      Komercializimi ekstrem, kudo e në çdo gjë, tashmë ka kthyer çdo gjë (përfshirë emisionet e ndryshme dhe personazhet që kanë vërtet diçka për të thënë) që të trajtojnë gjithçka si mall që duhet t’i ofrohet publikut.
      Nëse pjesa më e madhe e publikut (kërkesa) është e prirur që të ndjekë vetëm programe të lehta dhe pa asnjë peshë kulturore, atëhere, edhe televizioni (oferta) përpiqet të kënaqë publikun e vet me të tilla programe (dhe Endemol u kënaq duke patentuar programe idiote si BigBrother, Kutitë apo Vipfarm).

      Interneti, për lehtësinë e marrjes së informacionit dhe mundësinë për të diskutuar argumente të ndryshme pa qënë i detyruar të dëgjosh (si në Tv) analistët gjenialë shqiptarë (gjithmonë të njëjtët, që janë “specialistë” dhe e kanë një përgjigje gati në çdo fushë të shkencës, teknikës dhe marrdhënieve shoqërore), ka bërë që, televizioni të ndiqet vetëm në rastet e ndonjë emisioni të veçantë… ose hiç fare.

      Deri sa të arrijmë tek komunikimi nëpërmjet telepatisë, besoj se interneti ka për të qënë mënyra më e shpejtë e komunikimit dhe debatit të lirë.

  5. 1. “A shihen televizione të huaja sot në Tiranë?”

    Si mund te shihen kur nuk kapen?! Pervec ndonje rasti te ralle si TV5-sa franceze, te tjerat u hoqen vite me pare me preteksin se ulnin shikueshmerine e televizioneve shqiptare. Mbaj mend qe i vetmi qe reagoi publikisht ishte Lubonja. Argumentet e tij ishin ne thelb te njejte me shkrimin tuaj. Shumica derrmuese e “elitave” heshti. Madje edhe ata qe ishin kulturuar me televizionin e vitete 80-te. Ishin shume te zene te shfaqeshin kudo.

    2. “Gjithnjë kam menduar se elitat kryeqytetase kanë qenë mendërisht më të hapura, më liberale dhe më afër Perëndimit gjatë viteve 1980, sesa sot; dhe kjo për shkak të ekspozimit televiziv ndaj botës.”

    A nuk jane kryesisht keto elita qe po drejtojne Tv-te shqiptare sot? Cili eshte modeli qe po i servirin publikut? Masturbimi sic edhe eshte shprehur me te drejte mikja juaj.

    Per me teper kjo nuk eshte e vertete Si mund te kene qene me te hapura menderisht elitat e viteve 80-te te cilat perthithnin realitetin virtual nepermjet Tv-ve ne krahasim me elitat e sotme te cilat kete realitet e njohin me mire duke qene se nje pjese e mire kane jetuar ne perendim me vite si dhe levizin me shpesh?

    3. “Kjo ndodh edhe ngaqë tiranasve po u mungojnë pika të jashtme të referimit, ose etalone të tilla që t’i ndihmojnë për të perceptuar shkallën e provincializimit të Tiranës kryeqytet.

    Paskëtaj, nuk është për t’u habitur që mungesa të tilla vijnë e zëvendësohen me surrogato – ….”

    Per cilet tiranas flitet ketu? Mendoj se tiranasit por edhe shume shqiptare te tjere te nje fare niveli, sot kane jo vetem nje por disa pika referimi. Shumica e te ardhurve ne Tirane (kryesisht fshatare dhe provinciale) kane pike referimi vetem Tiranen. Dhe mediat e kane kuptuar mire kete. Prandaj gatuajne ate qe gatujne.

    Problemi nuk qendron se nuk ka pika referimi. Problemi qendron se ata qe sundojne qofte politikisht, ekonomikisht dhe mediatikisht i kane mbyllur me dhune pikat e referimit kulturor duke lene vetem pikat e referimit pop-kulturor. Rrjedhimisht nuk eshte mungesa e pikave te referimit qe prodhon zevendesues surrogato. Perkundrazi, zevendesimet surrogato mbysin pikat e referimit ashtu sic katundaria mbyt qytetarine, e bertitura para kamerave mbyt profesionalizmin apo ekzibicionizmi mbyt modestine.

    E perseris. Shume prej atyre qe i bejne keto jane pikerisht ata intelektuale qe u frymezuan nga TV-te e huaja te asaj kohe. Tragjedi!

    1. RAI Kapuri shkruan:

      A nuk jane kryesisht keto elita qe po drejtojne Tv-te shqiptare sot? Cili eshte modeli qe po i servirin publikut?

      Për këtë nuk jam i sigurt, por le ta marrim si të mirëqenë. Me ç’rast do të shtoja se personat mund të jenë po ata, por marrëdhënia e tyre me televizionin e huaj dje sot nuk ekziston më. Ishte ajo marrëdhënie që dje i konstituonte si të ndryshëm nga sot, në lidhje me sa po flasim.

  6. Ne nje shkrim tek Shekulli, Koloreto Cukali i drejtohet nje personazhi, Rena, per t’i kujtuar mes te tjerash qe “Revolucionin nuk do ta japin ne televizion” duke iu referuar nje kenge te Gil Scott-Heron. Vazhdon:

    “Ajo që ndodhi në ’90-ën, ishte një farë revolucioni. Kishte ëndrra, pse jo dhe ideale. Derisa pamë që ëndrrat e idealet e disave, u shndërruan në lopatat me të cilat disa gjetën Eldoradon E TYRE ekonomike e politike, për të mbyllur portat për të gjithë të tjerët. E dashur Rena, revolucionin nuk ka kush ta bëjë.”

    Natyrshem ka nje lidhje mes asaj qe thote KC dhe temes me siper, ose te pakten ashtu me duket mua. Revolucioni, nese mund ta quajme te tille rrezimin e sistemit totalitar, u frymezua ose u mbars disi edhe prej televizionit italian qe ndikoi ne formimin e nje imagjinate per te enderruar nje bote tjeter me alternativa individuale. The revolution was televised!

    Programet e huaja televizive paten te njejtin efekt qe pritet zakonisht te kete arti e letersia ne ushqimin e imagjinates, deshires dhe shpreses. Nuk dua te romantizoj me teper kete dukuri por ne pergjithesi varferia kulturore ka cuar ne ate shpirterore qe na sjell ne peizazhin qe pershkruan Koloreto e qe e njohim dhe vete nga afer. As dua te sugjeroj qe mosshikimi i programeve te huaja mbart pergjegjesi per situaten sot, por ky fenomen eshte nje nga faktoret e shumte ne dukurine e renies se shkelqimit te imagjinates.

    Brenda temes: ka patur mjaft punime akademike qe vleresojne rolin e televizionit italian ne dyndjen e shqiptareve drejt Italise, pikerisht si shtyse imagjinates per te perfytyruar boten matane.

  7. Me lejoni te shtoj edhe une dicka rreth kesaj teme.

    Jam rritur i (tej)ekspozuar me TV italiane deri ne ate pike sa per nje periudhe disa vjecare nuk ndiqja as lajmet te TVSH-se sepse RAI me terhiqte me shume. Sot, fal internetit, vazhdoj te jem konsumator i TV italiane megjithese jetoj prej shume kohesh ne USA. Programet cilesore mund ti ndjekesh shume lehte.

    Ne pergjithesi jam dakort me shkrimin. Ku nuk bie dakort?
    Shoh qe ju instistoni rreth natyres se RAI ne ato vite ishte transmetues i kultures demokristiane.

    Une kam dyshime te medha me kete argument. RAI tradicionalisht ka qene bastion i se majtes italiane. Kam frike se ajo qe ju konsideroni si “demokristiane” ka qene ne te vertete produkt i PCI dhe komunisteve italiane.

    Problemet qe sot has RAI jane problemet qe ka nje TV gjeneralist ne kohen e TV me teme.
    Nuk jam dakort qe kualiteti qe ofrohet ka rene. Sot ka 3 rrjete, dikur vetem 1 prandaj natyrisht qe nuk eshte shume e lehte qe 24/24 ore te jene me program cilesor.
    Sot Berlusconi ka politizuar RAI me shume se dhe Demokrisitanet psh: TG1 eshte skandaloz sepse nuk informon. Rai 3 me mire.

    Po akoma ka programe cilesore qe njerezit i ndjekin me interes. AnnoZero e Santoros eshte program politik i perkryer!

    Modeli qe duhet te ndjekin eshte ai i BBC.
    PBS ne USA gjithashtu ka programe dinjitoze dhe pa reklama. Sherbim publik ne kuptimin e vertete te fjales.

  8. Shkrim shumë interesant ky i televizioneve të huaja që nuk shihen më në Shqipëri. Një aspekt që kohët e fundit kam vënë re dhe kam filluar ta kuptoj disi më mirë, ka të bëjë me efektet e mos shikimit të televizionit italian edhe nga ana e shqiptarëve që jetojnë rregullisht në Itali. Deri para pak vitesh, një nga klishetë që na shoqëronte pothuajse gjithnjë ishte “ ju shqiptarët e flisni mirë italishten sepse jeni rritur me televizionin italian”. Kjo natyrisht e ka një fije të vërtete por në të njëjtën kohë nuk vlen më pothuajse që nga viti 2000 e këndej.

    Aktualisht në Itali është përhapur në mënyrë masive paketa Dixhitalb, që praktikisht do të thotë që emigrantët shqiptarë që janë në Itali informohen dhe konsumojnë televizion shqiptar, në gjuhën shqipe (edhe pse ndonjëherë lë për të dëshiruar). Në mënyrë paradoksale shumë prej tyre nuk e kanë idenë se çfarë po ndodh aktualisht në Itali, por janë të informuar më së miri mbi polemikat e fundit për kutitë zgjedhore në Shqipëri. Nuk e dinë se në rajonin e tyre qeveritë lokale do shkurtojnë fondet për trasport publik, por dinë shumë mirë se kush është emëruar drejtor i qarkullimit rrugor për Tiranën. Me pak fjalë jetojnë në Itali, por konsumojnë jetë sociale/televisive/gjuhësore shqiptare. Nëse në vitete e para të emigracionit italianët habiteshin me nivelin tonë të italishtes, sot po jetojmë një varfërim të gjuhës italiane te shqiptarët, duke reduktuar fjalorin vetëm te nevojat gjuhësore të të përditëshmes.

  9. Xhaxhai ka kapur dicka interesante qe me ka rene ne sy me aq pak TV qe shoh gjithsesi. Shume pak shqiptare shohin kanale te huaja sot. Shumica mjaftohen me ndyresite e portokallise, budalleqet e apartamentit XXL apo telenovelat dhe ato telenovelat e stergjatura te talk-show-t shqiptar qe fillojne tek Klan (grupi rreth A. Frangaj), vazhdojne tek Top-Channel (grupi rreth H. Cili) dhe po si grup-kompakt (Frangaj, Cili dhe satelitet) perfundojne ne ndonje televizion lokal apo te ndonje insituticioni te arsimit te larte privat .

    Nje pjese e kanaleve te mira shteterore europiane kane kaluar ne sinjal digjital-terrestrial, dhe mesa di une ne Shqiperi kjo teknologji nuk ka hyre ende. Meqe kam nje lloj prirje per te thurur dhe besuar teori konspirative, dmth. per te gjetur shkakun/arsyen e nje pasoje/veprimi, mendoj se ketu ka dore lobbyismi i disa kanaleve private kabllore.

    Para dy vjetesh u be nje zhurme e madhe nga Top-Channel qe zoteron nje kanal kabllor pse persona te ndryshem kishin mundur qe nepermjet internetit te ndiqnin kanale kabllore europiane (sidomos per pikat e shumta te lloto-sportit neper Tirane). Sa here top-channel flet ne forme lajmi (promocional me shume se informativ) per persona te kapur nga policia per c’kodime ilegale te kartave te tyre etj..

  10. hehehe, Fantastike………me vjen keq per gjeneratat e sotme te femijeve qe skane mundesi te shohin kartonat e viteve 80 kur shihnim dikur…qe ishin fantastike dhe plot bote………!
    shkrimi ishte vertete real………me vjen keq per mediat e sotme….vertet!
    hehehe Kerthizat e protagonisteve te Hicit….!

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin