[Intervista Ardian Vehbiut, botuar në revistën Kult, dt. 10 nëntor 2010. ]
1. Nga “Shqipja totalitare” në rrëfimet e Maks Gjerazit që duket se kanë brenda po atë shqipen totalitare. Si rrodhi studimi dhe më pas rrëfimi?
Studimi i shqipes totalitare, ose i pasqyrimit të pushtetit totalitar në ligjërimin publik gjatë viteve 1945-1990, ishte pjesë e natyrshme e interesit tim për ligjërimin publik. Megjithatë, gjatë muajve që u mora me mbledhjen dhe sistemimin e materialit për atë studim, m’u ringjallën, në kujtesë, imazhe, personazhe dhe rrëfime të cilat kërkonin vëmendje e që nuk i kënaqja dot vetëm duke ua përshkruar kontekstin. Që këtej edhe nevoja për t’u shprehur edhe nëpërmjet artit, ose të përveçmes. Në këtë kuptim, “Shqipja totalitare” dhe “Gjashtëdhjetë e gjashtë rrëfimet” janë dy anë të së njëjtës medalje dhe pjesë e të njëjtit proces.
2. Pse rrëfimet e Maksit dhe jo të Ardianit?
M’u desh të krijoja edhe një autor-personazh, ose një qenie që të vendosej midis meje studiuesit dhe rrëfimit, për të hequr qafe këndvështrimin analitik ose shpjegues, me të cilin i isha qasur shqipes totalitare në studim. Zakonisht studiuesit që bëjnë letërsi, rrezikojnë të shkruajnë në mënyrë didaktike ose ilustruese; synimi im ishte, megjithatë, të jepja diçka autentike, origjinale, madje irracionale; një farë pikture rrëfimtare, të papërkthyeshme në arsyetime, por të përcjellë nëpërmjet rrëfimtarisë dhe ligjërimit. Dhe këtë vetëm Maks Gjerazi mund ta bënte.
3. Personazhet i përkasin kohës së Diktaturës por të sjella me humor fin. Si janë sendërtuar këto personazhe në kujtesën tuaj?
Nuk ka autor që të mos rrëmojë në kujtesë, për të gjetur personazhe dhe ngjarje. Vetë i kam shumë të gjalla kujtimet e fëminisë dhe, veçanërisht, mbaj mend mahnitjen time prej fëmije, me atë zhargon gjithëpërfshirës, që ishte ligjërimi totalitar. Kur nisa të lexoj, shumë herët, shkronjat e para që deshifrova në letër ishin nga tituj të gazetës “Zëri i Popullit”; së bashku me vjershat, mësoja përmendësh edhe listat e anëtarëve të Byrosë Politike (dhe të kandidatëve); kur merrja lapsin në dorë, më thoshin që Enver Hoxhën nuk mund ta vizatoja, ndërsa Skënderbeu më lejohej. Më pas, do të mësohesha me gjithfarë rreshterësh të kazermës totalitare: aktivistë të lagjes, vullnetarë, traktoristë pararojë, kushërinj dëshmorësh, shoferë të udhëheqjes…
4. Ai brez që e ka jetuar kohën për të cilën ju shkruani qesh dhe qan me rrëfimet e MaGjes (Maks Gjerazi në internet). Por brezi i sotëm si duhet ta lexojnë këtë libër?
Natyrisht, nuk mund t’ua tregoj unë si. Por shpresoj, vërtet shpresoj, që rrëfimet në libër të përmbajnë edhe udhëzimet, e nënkuptuara, për një lexim pak a shumë autentik të tyre. Përveçse i referohen një bote tashmë të perënduar, ato rrëfime përftojnë edhe një botë të vetëmjaftueshme, sado groteske dhe ndonjëherë të frikshme. Ndoshta ndonjë lexues mund ta përjetojë këtë botë si fantazmagori – aq më mirë. Lexuesi i sotëm periudhën totalitare mund të mos e ketë përjetuar, por shijen për absurdin dhe ironinë e ka. Efekti parodik i ligjëratës, ose referimi ndaj shqipes totalitare, mund të humbë me brezin më të ri të lexuesve; por ndoshta rrëfimet do t’i referohen njëri-tjetrit për ta mbyllur universin e rrëfimit. Shumëçka mund të ndodhë.
5. Ndonjë nga rrëfimet e Maksit i kemi lexuar dhe më parë në internet, madje Maks Gjerazi na rezulton edhe më vete si shkrimtar bashkëkohor shqiptar. Pse zgjodhët këtë mënyrë rrëfimi?
Vërtet, MaGje ka pasur një jetë të vetën, në hapësirat virtuale të Internetit; por gjithnjë si nom de plume, ose etiketë identifikuese e një bashkësie tekstesh. Kjo lojë me emrat gjithnjë më ka magjepsur: nëse pas Maks Gjerazit fshihet Ardian Vehbiu, atëherë kush fshihet pas Ardian Vehbiut? Kush e rrëfen këtë të fundit? Nëse e vijojmë analizën, gjithnjë do të mbërrijmë te gjuha, sepse gjuha na rrëfen të gjithëve, qoftë edhe duke na dhënë instrumentet e nevojshme për të thënë “unë” dhe “ti”. Përndryshe, do të isha i lumtur sikur Maks Gjerazi të identifikohej, tash e tutje, me këtë mënyrë rrëfimi, që përpiqet ta tejkalojë ligjëratën letrare klasike, realiste, me të cilën jemi mësuar, për t’iu afruar sërish përrallës ose anekdotës; ose për t’i rehabilituar disa manierizma të rrëfimit gojor, në nivel libror, madje edhe parodik.
6. Si është raporti juaj me internetin?
Interneti është mjedisi ku qarkulluan shumë nga këto rrëfime; madje në krye, vetë rrëfimet u konceptuan për një publik online, i cili e konsumon letërsinë në ekranin e kompjuterit dhe nuk ka ngé të lexojë, bie fjala, një tregim 20-30 faqesh. Mediumi diktoi formën; por jo çfarëdo forme, as ndonjë formë sui generis – sepse rrëfimi i shkurtër ka traditë të vjetër letrare dhe kulturore, e cila i paraprin romanit, ose prozës tradicionale. Gjithnjë, unë rrëfimin e MaGjes e konceptoj si kthim në rrëfimin gojor, në një kontekst si Interneti, ku dialogu ose shkëmbimi ndërveprues gjithnjë ka përparësi ndaj monologut.
7. Në libër ka plot ilustrime të realizuara nga vetë ju. Sa e vjetër është dashuria juaj me karikaturën?
Shumë e vjetër, por gjithnjë e mbetur në hije. Pati një periudhë, megjithatë, kur m’u duk sikur nëpërmjet vizatimeve mund të shprehja disa gjëra përndryshe të pakomunikueshme, ose të paktën të pakomunikueshme me fjalë. Asaj periudhe, viteve 2004-2006, i përkasin pjesa më e madhe e karikaturave të Krypës, një tjetër pen name ky, edhe pse i mirëfilltë, jo personazh-autor si Maks Gjerazi. Sot e kësaj dite jam i bindur se imazhi dhe fjala nuk janë krejt të ndër-përkthyeshme, por u referohen dy kodeve të ndryshme të komunikimit; madje jo vetëm të ndryshme, por edhe të kithëta; që veprojnë në zona të ndryshme të mendjes.
8. Një sërë esesh pastaj “Shqipja totalitare”. E shkuara, e tashmja, po e ardhmja e shqipes ku do të shkojë sipas jush?
Shqipja totalitare, si dukuri, ka prekur kryesisht shqipen publike; që është vetëm një pjesë e vogël e shqipes gjuhë që i flet shqiptarët. Përndryshe, shqipja, në të gjitha format e veta, është e detyruar të lulëzojë në rrethanat kur gjuhëve kombëtare, anembanë botës, u duhet të përballen me sfidat e globalizimit, ose me prirjet rrafshuese të tregut global të sendeve dhe të ideve. Edhe kur ruhet forma e jashtme e gjuhës, globalizimi rrafshon në kuptimet ose në formën e brendshme, duke vepruar në rrugë virale, ose me anë të kopjimit dhe të riprodhimit të po atyre skemave të shprehjes (shqipfolësi që thotë “bëje sejv” e ka gjakosur gjuhën). Nuk është vetëm çështja te fjalët e huaja, problem që përmendet shpesh; por edhe te vetë poli-funksionaliteti i gjuhës, ose aftësia e kësaj për t’i shërbyer një shoqërie moderne, pluraliste dhe të shëndetshme. Për këtë nuk mjafton që mass mediat të përdorin një shqipe në lartësinë e publikut të tyre; lypet edhe përkushtim i mirëfilltë ndaj ligjërimit në letërsi, në film, në teatër, sikurse angazhim më i përkushtuar i publikut me tekstet në përgjithësi.
9. Prej vitesh jeni larg Shqipërisë. Ky qëndrim larg fizikisht, ju bën më objektiv apo më subjektiv ndaj çështjeve që trajtoni?
Më jep një këndvështrim të veçantë, me siguri të efektshëm, por që duhet mirëmbajtur. Vëzhguesi së largu bën mirë të ruhet nga pozicionimet ex cathedra, duhet të ruhet nga keqkuptimet ose iluzionet e perceptimit. Përndryshe, ka privilegjin që ta rrokë tablonë pa qenë i përfshirë vetë në të. Shqipëria e sotme nuk është ndonjë version i pazhvilluar ose i keqzhvilluar i shoqërive Perëndimore; por realitet unik, tepër kompleks, që nuk mund të kuptohet vetëm nëpërmjet krahasimit me formula dhe shabllone gjithfarësh.
Nuk po them “e gjallë”, sepse kjo tingëllon klishé. Ka shumë të rinj rrugëve – më pëlqen që gjithnjë shkojnë diku, qoftë edhe me celularët në vesh. Kafetë janë plot, dhe ndoshta janë për t’u parë si formë e shoqërisë civile, ose edhe institucion, po të duam. Në dyqanet vezulluese, çmimet janë tepër të larta në krahasim me rrogat. Ka edhe shumë skamje, dëshpërim, fytyra të zymta e të ngërdheshura, njerëz që kacafyten me përditshmërinë, kalamaj të mjeruar. Varfëri dhe farfuri. Më trishton mizëria e blerësve të “Gabit”, në rrugën time. Më trishton pensionisti që vishet me kostum për të shkuar të blejë bukën. Më trishtojnë ndërtesat që ishin të reja deri para 20 vjetëve, e që tani janë rrënuar; godina publike të cilave u janë rrjepur fasadat ose janë përdhosur me graffiti. Ajri është tepër i ndotur, trafiku i papranueshëm. Ndërtohet nga të gjitha anët, në mes të tymit dhe të pluhurit.
11. Shkrimet tuaja në të përditshmet shqiptare kanë tema të ndryshme dhe përtej gjuhës. Ju vetë i bini kitarës, bëni karikatura. Sa e ndiqni jetën kulturore në Nju Jork, sa po e ndiqni në Tiranë?
Në Nju Jork mund të gjej dhe të shijoj gjithçka që dëshiroj, madje gjithçka që kam dëshiruar që fëmijë. Nostalgjia mund të gërryejë si sëmundje ndonjëherë, por brezi im është rritur i privuar nga shumë kënaqësi, prandaj do të na falen disa dobësi. Ne dikur shkonim për të dëgjuar Simfoninë e 5-të të Beethoven-it në koncert live, por Beatles-at e Pink Floyd-ët mezi i hidhnim në dorë, të regjistruar në kaseta magnetofoni me shiritat që u vareshin si lidhëse këpucësh. Sa për jetën kulturore në Tiranë, shoh që cilësia nuk mungon; pata fatin të shkoj këto ditë në një koncert të Elina Dunit, ku hyrja ishte falas – në një sallë të mbushur me njerëz, shumë prej të cilëve me siguri nuk do t’u dridhej dora të paguanin, bie fjala, 100 dollarë për një palë këpucë në një butik te Blloku. Këtu ka një publik që sot po mësohet me idenë se kultura dhe arti i duhen ofruar gratis, njëlloj si televizioni komercial; dhe nesër ndoshta me solistet e baletit Giselle të veshura, në skenë, me logot e Vodafone ose të Pepsi-t, si pilotët e Formula Uno-s.
12. Po vetë sa artist jeni brenda vetes?
Kam dëshirë ta ruaj vizionin artistik të botës: nuk dua t’i vlerësoj objektet sipas dobisë, por për nga bukuria. Ndonjëherë edhe virtyti më duket para së gjithash i bukur. Jeta borgjeze, e organizuar rreth statistikës, e përjashton këtë vizion dhe njerëzit, duke e shpërfillur bukurinë si vlerë, përfundojnë shpirtërisht të shëmtuar. E kuptoj se, që ta kundërshtoj këtë diktaturë të hekurt të numrit, më duhet të bëj shumë kompromise me nevojat e përditshme; por e kundërta do të më kishte vrarë, të paktën si njeri.
13. Nëse do të kishit mundësi të rilindnit, në cilën kohë do të donit të jetonit dhe në cilin vend?
Ndoshta në një qytet italian në Mesjetën e vonë, ose gjatë Rilindjes, për shembull në Firenze. Më tërheq shumë drita, në mjedis dhe në mendje.
14. Çfarë të duhet për të qenë i lumtur?
Njerëz që t’i dua shumë. Miq që të merremi vesh pa folur. Aftësia për t’u mahnitur me gjëra të vogla, qoftë edhe me një laraskë të papritur në pyll. Libra të mirë. Këmbë për të ecur. Sens humori. Muzikë. Një kitarë. Imagjinatë e freskët. Më në fund, një mace.
15. Libri më i fundit që po lexoni dhe pse?
Po lexoj The Cult of Information, nga Theodore Roszak. E kisha sjellë me vete nga Nju Jorku, trajton një temë që më intereson shumë: kultin e teknologjisë së komunikimit dhe impaktin e kompjuterit në shoqëritë tekno-centrike. Nuk është aq abstrakte sa ç’mund të duket – pse ka të bëjë drejtpërdrejt, ndër të tjera, me iluzionin e ushqyer nga shumë prej nesh, se portreti që ia qëndisim vetes në Facebook mund të na përfaqësojë përnjëmend tek të tjerët.
16. Po ai për të cilin po punoni?
Ka kohë që dua të shkruaj një libër për çështje të përdorimit të gjuhës shqipe në mediat dhe në komunikimin publik. Ndërkohë, përgatitem për ta zgjeruar studimin tim për Shqipen Totalitare.
17. Vjen nga një familje mjekësh. Nëse nuk do të ishe marrë me ‘fjalën’, çfarë do të kishe zgjedhur tjetër?
Mjekësia më ka tërhequr gjithnjë, por si obsesion, gati si neurozë. Nga ana tjetër, sikur të kisha pasur talent, do të isha bërë piktor. Dikur ëndërroja edhe të prodhoja muzikë; në fillim të viteve 1990, pothuajse themelova, me disa partnerë, një studio regjistrimi në Tiranë. Ideja ishte që nxitnim kompozitorë, muzikantë dhe këngëtarë shqiptarë, për të lëvruar mundësitë e mrekullueshme, madje unike që ofron foklori shqiptar, me mjetet dhe modalitetet e jazz-it. Diçka si muzika që bën Elina Duni sot; ose, për t’u zhvendosur në ShBA, një John Zorn në raport me muzikën klezmer, të hebrenjve të Ballkanit dhe të Europës Lindore. Nuk u realizua dot ai projekt, për arsye financiare; jam i lumtur që po realizohet nga të tjerë.
18. Ç’përfaqëson për ju liria?
Është mundësi për t’u shprehur, çka vetëm në art mund të realizohet mirëfilli.
19. Shkrimtari i preferuar?
Nga të huajt, dy emra: Borges dhe Calvino. Nga shqiptarët, Kadareja i para 1990-ës.
20. Shqipëria vetëm për vizita, apo vendqëndrimi fiks i ardhshëm?
Ne ikanakët ndihemi mirë vetëm kur hipim në avion – pavarësisht nëse për vajtje ose për ardhje. E kemi shtëpinë në zhvendosjen midis hapësirave. Mua qëndrimet, pavarësisht se ku, më përjetohen gjithnjë si përgatitje udhëtimesh të ardhshme. Por Shqipërisë i mbetem gjithnjë në orbitë, kudo ku gjendem. Si sonda që udhëton nga Toka drejt Marsit, por duke mbetur në orbitë rreth Diellit.