Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Intervista

JONILA GODOLE: KU NDIHEM MIRË, ATY E KAM ATDHEUN

Pedagogia, përkthyesja dhe ish-gazetarja Jonila Godole i beson shprehjes kozmopolite “Ubi bene, uni patria”. Në këtë intervistë të vitit 2012 ajo shprehet se ka kuptuar që mund të jetojë gjithandej, por pa harruar të marrë pak “atdhe” me vete në çantën e shpinës. Godole vlerëson se përgjatë një shekulli shtet Shqipëria është shoqëruar nga mediokriteti dhe falsiteti, duke njohur pseudo-luftë, pseudo-monarki, pseudo-komunizëm dhe pseudo-demokraci. Për Godolen në shoqërinë shqiptare ka një krizë vlerash, ku mungon tradita e shoqërisë së hapur dhe e debatit të lirë.

1-Patriote, nacionaliste apo kozmopolite? 

Ubi bene, ibi patria – ku ndihem mirë, aty është atdheu im. Kjo qasje kozmopolite, duket në fakt si qasje racionale. Duke jetuar për një kohë të gjatë jashtë Shqipërisë kam kuptuar se mund të jetoj gjithandej, por duke e marrë pak “atdhe” me vete në çantën e shpinës. Besoj se është edhe çështje brezash. Brezi im, i rritur në një shoqëri tradicionale, sado sukses të ketë jashtë vendit, prapëseprapë nuk e pret dot përfundimisht kordonin e lidhur me kërthizën e atdheut. Ndryshe kush ka lindur pas 1990-ës dhe është rritur në frymën e globalizmit. Patriotizmi dhe kozmopolitizmi nuk e përjashtojnë njëri-tjetrin, por ata funksionojnë në ato vende që karakterizohen nga një shoqëri dhe kulturë e hapur që e pranon dhe toleron kulturën e tjetrit. Kozmopoliti pra, është patriot (vetëm) kur kushtet përreth tij e lejojnë këtë rol. Patriotizmi përdoret në ndonjë rast si kalë troje pikërisht për të maskuar një nacionalizëm anakronik.

2- Majtas apo djathtas?

Majtas dhe djathtas janë thjesht dy anë të së njëjtës medalje në një shtet demokratik. Në Shqipëri e majta dhe e djathta janë dy nocione të diskutueshme. PS nuk përfaqëson të majtën, por vetëm vazhdimësinë e PPSH, sikurse PD nuk përfaqëson të djathtën, por më së shumti shtresën që dikur për shumë arsye nuk mbështeste PPSH. Përtej së majtës dhe të djathtës jam për një botë të lirë dhe pa autoritarizëm.

3- Kur ju duhet një mendim të mençur si veproni?

Sot këshillat mund të merren gjithandej, përmes anonimatit në internet apo në librat këshillimorë që kanë prioritet nga botuesit përpara letërsisë së mirë. Ka njerëz që hallet e tyre i zgjidhin para kamerës ose në facebook. Në përgjithësi unë nuk i mbaj dot brenda vetes gjërat që “vlojnë”, kështu që përplasem te ndonjë mik apo mikeshë e duruar dhe te familja. Pa njerëzit që na rrinë afër dhe na duan, – qofshin këta edhe aq pak sa numërohen me gishtat e një dore, –  jeta do të ishte e mjerë.

4- Cili libër ju ka bërë të reflektoni më së tepërmi, kur e keni lexuar?

Pothuaj pjesa më e madhe e librave që lexoj më bëjnë të reflektoj, pa dallim, cilit zhanër i përkasin. “Princin e Vogël” të Saint-Exupéry p.sh, e kam lexuar kur nuk isha më fëmijë, por më tronditi si të isha e tillë. “Psikologjia e turmave” e Gustave Le Bon vazhdon të jetë aktuale. “Kështjella” e Kafkës pret si bisturi një copë totalitarizmi të ankthshëm… Elokuenca dhe retorika në debatet politike te Platoni mbeten frymëzuese.

5- Çfarë ka ndryshuar pas 100 viteve shtet?

Kanë ndryshuar shumë gjëra. Së pari, Shqipëria nuk është më një njollë e bardhë në hartën e botës. Në një koncept më të gjerë, në fillim të shekullit të 20 ishim nën zgjedhën e perandorisë osmane, një qind vjet më vonë ëndërrojmë të hyjmë nën “zgjedhën” e Europës. Megjithatë në këto 100 vjet ne ende nuk mësuam se çfarë është shteti. Ajo që ne quajmë shtet është një përzierje modelesh që aplikohen në sistemin politik, shoqëror dhe atë ekonomik, në mungesë të një tradite, të një modeli të shtetit demokratik. Mediokriteti dhe falsiteti e kanë shoqëruar vendin gjatë këtyre 100 vjetëve: Një shekull me pseudo-luftë, pseudo-monarki, pseudo-komunizëm dhe pseudo-demokraci.

6- A ka një krizë në shoqërinë shqiptare?

Mbi të gjitha ka një krizë vlerash. Mungon tradita e shoqërisë së hapur, e debatit të lirë, e diferencimit logjik të dukurive dhe ngjarjeve. Regjimi i kaluar u orvat ta mbyste lirinë e shprehjes që në embrion duke ofruar si model mbijetese hipokrizinë. Sot kjo ka marrë dimensionin e një lifestyle shoqëror dhe politik. Hipokrizia marketohet si formë e mirësjelljes dhe e komunikimit të suksesshëm. Flas për hipokrizinë si busull orientuese të një shoqërie. Pas hipokrizisë fshihet frika për t’u shprehur i lirë, dhe ja ku dolëm sërish te shoqëria totalitare që ka mësuar pak nga e shkuara.

7- Jepni tri këshilla, si mund të bëhet ky vend?

Pyetja juaj bart në vetvete si humbjen e shpresës për Shqipërinë, ashtu dhe një qasje idealiste se ky vend mund të bëhet me anë të këshillave të qytetarëve të saj. Edhe pse rrezikojnë të mos e kalojnë cakun e utopisë, do të veçoja: a) nevojën për kualifikim të lartë të krahut të punës dhe në përputhje me kërkesat e tregut – bazën e zhvillimit të një shoqërie e shoh personalisht te edukimi i brezit të ri në moshë të vogël fare. b) nevojën për institucione të lira që të garantonin konkurrencën e lirë sipas meritës dhe zotësisë; c) decentralizimin – shpërndarjen e pushtetit të “qendrës” drejt periferisë, sepse Shqipëria nuk është vetëm Tirana. Mbeten utopike, sepse për t’i realizuar vërtet ose duhet të detyroheshim befas nga jashtë ose duhet të prisnim gjatë gjersa shoqëria dikur e ronitur të reflektonte dhe të kërkonte me ngulm ndryshimin, kjo ka pak gjasa të ndodhë.

8- A ka një personazh historik shqiptar që ju frymëzon?

Mbase Noli, si një nga personalitetet më komplekse.

9- Sa monark ishte Zogu, sa komunist ishte Enver Hoxha dhe sa demokratik janë liderët e sotshëm politik?
Zogu nuk ka si të ishte monark në një vend ku nuk njihej fare modeli i monarkisë. Pavarësisht disa zhvillimeve pozitive që lejoi, regjimi i tij ishte autoritar. Enver Hoxha nuk ishte komunist, por diktator. Liderët e sotëm politikë janë produkt i një realiteti defektoz demokratik dhe nuk kemi pse habitemi që rëndom degradojnë në ushtrim të pushtetit autokratik. Kufijtë mes autoritarizmit, totalitarizmit dhe sprovës demokratike në Shqipëri kanë qenë dhe mbeten të lëvizshëm.

10- Pas 20 viteve tranzicion jemi në demokraci apo post-komunizëm?

Jemi në midis. Tranzicioni zakonisht është një fazë e shkurtër që shoqëron ndryshimet e forta, radikale. Këtë fazë Shqipëria e kaloi në vitet e para të 1990-ës, ku pati shansin të zgjidhte mes modeleve të demokracisë liberale. Dështoi. Sot kemi hyrë në fazën e transformimit, por ky gjenerohet nga modele të imituara dhe të përshtatura keq, jemi si trup i mbuluar me një cohë plot arna, krejt të ndryshme nga njëra-tjetra sa të vrasin sytë, pa u shkrirë ende në një patchwork krijues.

11- Shqiptarët orientalë apo oksidentalë?

Shqiptarët i kanë brenda vetes të dyja dimensionet, kjo më është dukur gjithmonë një përparësi e fortë përballë perëndimit dhe lindjes, që vuajnë të dy nga mendjengushtësia kur bëhet fjalë për Zotin e tyre.

12- Nga ndryshon një qytetar shqiptar, nga një qytetar evropian?

Qytetari perëndimor, gjerman apo francez, për shembull është më i prirur të shoh interesin e tij përpara tjetrit. Shqiptari është më tolerant ndaj tjetrit dhe përpiqet të përshtatet, edhe kur e di se po humbet më shumë vetë. Pragmatizmi perëndimor bazohet te diferencimi i shoqërisë individualiste, “toleranca” jonë ushqehet nga elementët e shoqërisë tradicionale. Dallimet që më bien mua më shumë në sy janë: planifikimi që qytetari perëndimor i bën synimit të tij, dhe ndjekja e këtij synimi deri në fund, pa lëshime. Kurse shqiptari mbetet i një natyre spontane – mund t’i lërë të gjitha për një trill të momentit. Pa njërin dhe tjetrin model, bota do të ishte e varfër, e mbushur ose me robotë, ose me ëndërrues.

13- “Besa e shqiptarit si purteka e arit”. Besa, një vlerë e tejkaluar?

Fjalët e urta ndonjëherë duket sikur krijohen si kompensim i diçkaje që të mungon. Ne kemi për punën dhjetëra shprehje të urta, ndërkohë që dihet qasja jonë ndaj saj. Një popull punëtor nuk ka kohë të rri e të merret me fjalë, se punon. Ai që është besnik, lojal dhe korrekt nuk do ta deklaronte këtë kurrë me zë të lartë, por do ta nxirrte virtytin në pah, në çdo kohë dhe në heshtje.

14- Tirana, metropol apo fshat urban?

Gjithë bota është fshat global …

15- Çfarë është kombi për ju?

Në një farë mënyre nuk i largohesh dot, qëndron i lidhur pas tij me fije të tejdukshme – kultura, gjuha dhe zakonet që janë përftuar pa sforcim, me qumështin e nënës. Problemi qëndron te togfjalëshi “pa sforcim”, pa u munduar, pa bërë asgjë. Prandaj shumica e pjesëtarëve të një kombi preferojnë të jetojnë përherë brenda kufijve territorialë kulturorë, se përjashta, kozmopoliti duhet “të sforcohet”, të përshtatet ndaj Tjetrit dhe kulturës, zotave të tij. Të paktët mund të balancohen si akrobati në ajër, mes të dyjave, shumica ka nevojë për “shtëpi”, dhe bën një zgjidhje radikale: lë pas krahëve njërin komb, për të fituar një të ri.

16- Çfarë është familja për ju?

Gjëja më e rëndësishme që kemi. Sidomos në Shqipëri ku shteti e ka treguar historikisht se nuk është një vlerë e qëndrueshme. Uroj që këtë “kala” perëndimi ta marrë sa më vonë.

17-  Më rrëfeni një vend që ju ka bërë përshtypje?

Ka shumë. Po veçoj dy përjetime të ndryshme, më të freskëta: Kështjella Duino afër Triestes, ku koha më është dukur se nuk lëvizte. Dhe Ramstein Air Base, baza ushtarake më e madhe amerikane jashtë SHBA, në Rheinland-Pfalz të Gjermanisë: si një “flluckë” prej floriri, një klonim i frikshëm i organizimit të jetës së brendshme dhe rregullit ushtarak, si e ardhmja që projektohet në filmat amerikanë të fantashkencës.

18- A do të veçonit një moment kulmor në karrierën tuaj?

Periudhën si gazetare në fillim të 1990-ës. Mbetet i paharrueshëm përjetimi – qoftë edhe për një periudhë të shkurtër kohore – i një idealizmi të thellë, i besimit naiv se mund të ndryshoje botën. Nga perspektiva e sotme mendoj se ka qenë një kohë e stuhishme anarkike ku janë mbruajtur shumë nga vlerat dhe antivlerat shoqërore që përjetojmë sot.

19- Nëse do t’ju jepej mundësia, çfarë do të ndryshonit nga jeta juaj?

Asgjë. Gjithçka që ndodh ka një kuptim pse ndodh. Secili prej nesh e ka rrugën e tij përpara, disa i bien drejt dhe arrijnë në destinacion pa rrezik, disa të tjerë ndjekin dhjetëra shtigje të mira dhe të këqija, por në fund të gjithë do të arrijnë në destinacion.

20-Cila është arritja dhe dështimi më i madh i gazetarisë shqiptare pas 22 viteve?

Natyrisht që ka arritje. Pluraliteti i titujve të gazetave dhe stacioneve të radios dhe TV janë një zhvillim i jashtëzakonshëm krahasuar me spektrin e kontrolluar mediatik përpara vitit 1990. Për më tepër përdorimi i internetit, rrjeteve sociale dhe mediave të tjera online kanë rritur pjesëmarrjen qytetare duke i hequr medias dhe gazetarëve “monopolin e lajmit dhe informacionit”. Gazetarët janë zhveshur para publikut dhe duhet të dinë ta përballojnë atë. Naivitetit dashamirës që përmban ky perceptim, rreth 20 vjet më vonë i rri përballë pragmatizmi i gazetarëve sot. Gazetaria shihet si një profesion që mund të përdoret si trampolinë për t`u hedhur në një shkallë më të lartë karriere, pranë politikës apo diku gjetkë. Po të mbetej me kaq nuk do të ishte ndonjë problem i madh. Por “tradhtia” ndaj frymës së gazetarisë si profesion, degjenerimi i gazetarit në punonjës të marrëdhënieve publike të partive apo grupeve të ndryshme. të interesit etj., këto janë sëmundjet nga e cila po vuan gazetaria shqiptare sot. Për ta mbyllur me frazën tuaj, arritja më e madhe e gazetarisë sot: liria për t`u shprehur mbi gjithçka që shqetëson publikun, është njëherazi edhe dështimi më i madh i saj. “Lirinë” e medias sot e përcaktojnë grupet e interesit dhe të presionit, dhe shumë pak gazetarët.

Intervistoi Eno Shkëmbi, gazeta “Start”, 2012-2013. Imazhi në kopertinë është krijuar me Ideogram.


(Ky varg intervistash me autor gazetarin Eno Shkëmbi dhe bashkëpunëtor gazetarin Artan Dokuzi është publikuar më parë në gazetën “Start”, një media jo më e pranishme në hapësirën online. Intervistat e kanë pikënisjen në fund të 2012-ës dhe kanë vijuar përgjatë vitit 2013. Qëllimi ishte të sillej një kolanë idesh e refleksionesh nga njerëz kryesisht të botës kulturore e publicistike, në një kohë kur televizionet transmetonin përditë me një cekësi të padurueshme ngjarjet në kuadër të jubileut të 100-të pavarësisë. U synua të zgjohej sadopak te lexuesi mendimi kritik, duke zmbrapsur kësisoj pirgun e lajmeve të ditës, të cilat s’të japin kurrfarë kuptimi për të shkuarën dhe asnjë ravijëzim të së ardhmes. Nisur nga kompleksiteti i pyetjeve, intervistat u realizuan përmes komunikimeve me email. Të intervistuarit janë orientuar drejt përgjigjeve sintetike, por nuk janë kufizuar aspak kur kanë dashur t’i shtjellojnë temat në mënyrën e tyre, ndonjëherë edhe pak akademike. Arsyeja pse po i risjell këto intervista te “Peizazhet e Fjalës”, më shumë se sa për qëllime arkivore, është fakti që kjo kolanë mund të rilexohet gjithmonë si aktuale, meqë pyetësori mund të shihet edhe si një libërth a manual idesh, në tema mes të cilave janë vërtitur shpesh mospajtues njerëzit e mendimit dhe opinion-bërjes në Shqipëri. Le të shërbejë ky ripublikim për të krijuar një agorë të vogël mes lexuesve të “Peizazheve” përmes pyetjeve për të cilat askush nuk ka thjesht dhe vetëm një përgjigje. Eno Shkëmbi.)

Bëhuni pjesë e diskutimit

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin