Për studiuesin Shaban Sinani Shqipëria është një shoqëri demokratike, por me nyja të post-komunizmit ndër këmbë, duar e mendje. Në këtë intervistë të vitit 2013 ai mendon që shqiptari është në thelb perëndimor, por me një veshje orientale të karfosur fort. Për Sinanin kombi është vetë gjuha shqipe. Ndërsa i kërkohet një mendim për Ismail Kadarenë, veprën e të cilit e ka pasur shpesh objekt sudimesh, ai thotë se shkrimtari “përfaqëson letërsinë shqipe në letërsinë europiane”.
Shaban Sinani: Shqiptari është në thelb perëndimor, por me një veshje orientale të karfosur fort
1 – Patriot, nacionalist apo kozmopolit?
Kjo është një pyetje e vështirë, sepse nuk të le shtigje; të detyron të rreshtohesh. Do të doja të kisha mundësinë të zgjidhja vetë mënyrën si e vlerësoj vendin tim dhe lidhjen time me të. Shumë vite më parë, pikërisht para dy dekadash (1993), kam pasur mundësinë të zhvilloj një intervistë me Nënë Terezën, intervistë që është botuar për herë të parë në gazetën “Shqip”, të cilën e përgatisnim së bashku me mikun tim Naim Zoto, ribotuar disa herë po me titullin e parë: “E doni Shqipërinë duke dashur njëri-tjetrin”, titull që u gjet brenda pohimeve në ligjëratë të drejtë të saj. Po në atë kohë, duke shkruar një recension për romanin “Ridënimi” të Fatos Lubonjës, veçova një pohim krejt vetjak të tij për këtë pyetje: “E dua Shqipërinë deri tek burgu im”. Në të njëjtën mënyrë, vetjake, kësaj pyetjeje unë i jam përgjigjur dy herë dhe nuk gjej diçka më të vërtetë as sot: “Unë nuk kam atdhe rezervë” (1998) dhe “Gjithkund dua të shkoj, në Shqipëri dua të kthehem” (2012). E pamjaftueshme?! Ndoshta!
2 – Majtas apo djathtas?
Në rastin tim kjo pyetje është me përgjigje të parashikuar. Edhe sikur unë të doja t’ju thoja “djathtas”, askush nuk do ta besonte. Kjo lidhet me një pjesë të së shkuarës sime. Kam punuar shtatë vjet si këshilltar për çështjet kulturore me R. Alinë (për disa muaj edhe me S. Berishën). Që nga viti 1992 nuk kam ndonjë lidhje politike, por, megjithatë, kjo nuk ka rëndësi, askush nuk e beson këtë. Po përmend një fakt: kanë kaluar më shumë se dy dekada prej ndryshimit të sistemit politik të vendit dhe, pak kohë më parë, kur botova studimin monografik “Ndajfoljet përemërore në gjuhën shqipe”, një çështje tejet tekniciste, shtypi njoftoi se “autor i librit është ish-sekretari i R. Alisë”. Kështu që “majtas” dhe mos e zgjat! Ec aty! Kështu e do mileti! Dua të them se në Shqipëri edhe bindjet t’i paracaktojnë të tjerët. Opinioni të gozhdon në një llogore dhe “e drejta e ndryshimit” kujt po i duhet? Tani të flasim më me besueshmëri për pyetjen tuaj. Unë jetoj vetëm prej punës dhe mendoj se është e natyrshme të zgjedh majtas, siç është më se e natyrshme të zgjedhë ai që jeton prej pronës, ose pjesërisht prej pronës, “djathtas”.
3 – Kur ju duhet një mendim i mençur, si veproni?
Në përvojën time modeste, që nuk është e thënë të jetë e vlefshme për të tjerët, mendimin e mençëm nuk e kërkoj në çastin kur më duhet. Mendimin e mençëm e gjej çdo ditë prej leximeve, prej pranisë në bashkësinë që i takoj, prej një kënge a një spektali, madje dhe prej vërejtjeve të vajzave të mia. Mësoj dhe prej mënyrës si respektohet një ritual e si bëhet një dolli. Dy vjet të shkuara u ndodha në një rast ngushëllimi në Shkodër. Kur unë “ia shëndosha kryet” atij që i kish rënë e keqja me shprehjen “Ju pastë lënë uratën”, ai m’u përgjigj: “Uruar qofsh!”. Nuk më kish shkuar kurrë në mendje një lidhje e tillë formulash! Para disa kohësh, aktori dhe regjisori italian Roberto Benigni, në një shfaqje televizive të rrallë, duke lartësuar vlerat e amendamentit të dhjetë të kushtetutës së vendit të tij, tha: “In Italia non esiste una persona, un uomo, che riceve un salario dallo stato, pagato da tutti noi, pagato per troncare la vita di un altro uomo. Non esiste un pubblico ufficiale che si chiama boia o carnefice. Non c’è, pagato da tutti noi. Siamo sessanta milioni ma io non voglio essere assassino nemmeno per la sessantamilionesima parte di me. Io non voglio ammazzare nessuno”. “Unë jam krenar”, pohoi në përmbyllje R. Benigni, që “në Itali vrasin vetëm kriminelët”. A mund të mos mësosh prej pohimesh të tilla?! Dhe tani po i kthehem dhe një herë pyetjes suaj të drejtpërdrejtë. Mendimin e mençëm unë e përzgjedh në proces e sipër për të më shërbyer në të ardhmen, në mënyrë perspektive, jo duke e kërkuar në të tashmen e menjëhershme.
4 – Cili libër ju ka bërë të reflektoni më së tepërmi kur e keni lexuar?
Meqenëse janë shumë librat ose leximet që më kanë ndikuar, më kanë emocionuar, më kanë shërbyer, më kanë vënë në dilemë, më kanë vënë në mendime, më kanë bërë të reflektoj, po i lejoj vetes të përmend jo një, por tre tituj. Para disa javësh u mora modestisht me përgatitjen për botim të librit të studiuesit albanolog Matteo Mandalà “Studime filologjike për letërsinë romantike arbëreshe” dhe u trondita kur vërejta se sa shëmtuar dhe me deformime shkandulluese është njohur e botuar deri tani letërsia e italo-shqiptarëve! Nëse ky shembull nuk mjafton, po përmend librin e vajzës sime të madhe Danja, që titullohet “Përkufizimi juridik i vdekjes: rasti i eutanazisë”, një studim monografik që më ka bindur se çështja themelore e filozofisë nuk është raporti midis materies dhe ndërgjegjes, siç ngulmonin marksistët; as raporti midis njeriut dhe Hyjit; as raporti midis punës dhe pronës, as raporti midis individit dhe shoqërisë, as raporti midis mendimit dhe veprimit, as raporti midis qenies dhe boshit, por raporti midis jetës, si një e drejtë ekstra-patrimoniale, dhe vdekjes. Meqë thashë se unë vihem në mendime edhe prej një bisede apo dhe artikulli në media a multimedia, po përmend si rast të tretë një shkrim të Umberto Eco-s, i njohur si gjeniu i shekullit, pavarësisht se fytyra e tij shihet shumë rrallë në ekrane: “Stupido, metti via quel telefonino”, që në shqipen tonë namusqare do të përkthehej pak a shumë: “Mësohu si të mos e përdorësh celularin” (“L’Espresso”, më 10 qershor 2012).
5 – Çfarë ka ndryshuar pas 100 viteve shtet?
Nuk ka asnjë krahasim prej asaj Shqipërie që ishte me Shqipërinë që është sot. Kur Shqipëria u shpall e mosvarme, edhe vetë shqiptarët ishin pengestarë të saj. Nëse do t’ju ketë rënë në dorë libri me kujtime i Ismail Strazimirit “Lufta kundër pavarësimit të Shqipërisë”, shkruar në vitin 1931 dhe botuar para tri vjetësh, do të keni gjetur një pafundësi faktesh tronditëse që tregojnë se si ajo “Shqipëri e mosvarme” në fakt qe për dekada me radhë një Shqipëri etnografike, me krahina që prodhonin secila monedhën e vet, me një “Mirditë vetëkeverritare”, me krahina autonome dhe pashallëqe. Një shekull më parë për Shqipërinë kishte një “konkurs hartash”. Do të ishte interesante të ishin botuar ato harta vitin e kaluar: si, sa dhe deri ku e donin Shqipërinë Rusia, Austro-hungaria, Franca, Britania e Madhe, Italia, Serbia, Greqia. Njëqind vjet më parë Shqipëria dhe shqiptarët ishin kombi më i diskriminuar në Ballkan, pa asnjë mik, pa asnjë aleat. Një shekull më parë gjithçka u vendos kundër vullnetit të shqiptarëve. Historia është rrotulluar krejtësisht tashmë dhe mund të thuhet e kundërta. Statusi i shqiptarëve në Ballkan është, prej fundit të mijëvjeçarit, më i favorizuari. Çështja shqiptare është e vetmja çështje e gjallë në rajon për politikë, gjeopolitikë dhe diplomaci të madhe. Unë besoj se Europa e urtë edhe në rastin e shqiptarëve do të mbahet në precedentin e barazisë së kombeve në federatë. Ashtu siç bashkoi dy Gjermanitë në një votë, ashtu do të gjejë një zgjidhje të mençme, që të mos ketë dy vota shtetërore shqiptare në kohën e europeizimit të plotë të rajonit. A do të kenë shqiptarët e Kosovës dhe ata të Shqipërisë së vjetër një votë të vetme? Kjo ende nuk është një çështje e zgjidhur. Rreziku për një votë serbo-shqiptare ekziston ende, derisa të jetë në fuqi Rezoluta 1244. Sidoqoftë, shekulli i 21-të me sa duket është dhe do të jetë shekulli i shqiptarëve.
6 – A ka një krizë në shoqërinë shqiptare?
Unë mendoj se kriza në Shqipëri është shumë më e madhe se sa duket. Nuk jam ekonomist, por e di mirë se ka një ligjësi që e provon krizën: kur borxhi publik në buxhet arrin shifrën 63 për qind, ekonomia e atij vendi quhet e falimentuar. Tre vjet më parë Islanda doli për herë të dytë në ankand (hera e parë kishte ndodhur më 1929) në kuptimin e plotë të fjalës pikërisht sepse kjo pikë kritike u tejkalua. Greqia po përpëlitet e sfilitet që t’i largohet qoftë dhe me shifra pas presjes dhjetore këtij pragu të frikshëm. Ndërsa borxhi publik në Shqipërinë e vitit 2013, ashtu si është parashikuar e i pranuar prej ligjvënësve, do të jetë 62.6 për qind. S’ka qenë poshtë 62 për qind në vitin 2012.
7 – Jepni 3 këshilla, si mund të bëhet ky vend?
Mendoj se ky vend është bërë. Shqipëria e sotme është problematike, por jo në atë shkallë sa të diskutohet si të bëhet. Është hera e parë në histori që fqinjët ankohen në mjedise ndërkombëtare për shqiptarët. Historikisht ka ndodhur e kundërta. Por ju në një pikë keni të drejtë: nuk është ajo Shqipëri që duam. Këshilla unë mund t’ju shenjoj jo tri, por sa të doni. Mirëpo nuk besoj se kjo gjendje mund të zgjidhet me këshilla.
8 – A ka një personazh historik shqiptar që ju frymëzon?
Sado skematike që mund t’ju duket, për mua protagonisti më nxitës në historinë e Shqipërisë është Ismail Qemali. Ai qeverisi një vend të paqeverisshëm prej 28 nëntorit të vitit 1912 deri më 22 janar të vitit 1914, në një periudhë kur u zhvilluan dy luftëra ballkanike dhe kishte filluar një luftë botërore. Nuk ka një tjetër periudhë kaq të shkurtër, gjithësej 14-mujore, në gjithë historinë e Shqipërisë, me aq shumë dinamizëm diplomatik dhe shtetformues sa brenda këtyre kufijve që qeverisi Ismail Qemali. Në ditën e Shpalljes së Pavarësisë, duke emëruar Vehbi Agollin-Dibrën kryemyfti të vendit, në fakt formalisht ndërpreu edhe lidhjet e xhamisë dhe të meshihatit shqiptar me kalifatin osman. Duke vërejtur zellin e madh të shqiptarëve për parësi propozoi idenë e kantonalizimit të vendit duke pasur si model Zvicrën, një Shqipëri të decentralizuar që u jepte mundësi të gjithëve të plotësonin egot e veta sundimtare. Kur vërejti se kufijtë e Shqipërisë do të ishin një “konkurs hartash” shkoi drejt idesë së një konfederate shqiptaro-greke, që do të përballej më lehtë me rrezikun. Por hoqi menjëherë dorë prej saj kur edhe fqinjët jugorë nxitën “Aneksinitinë” në Bregdet e gjetkë. Iu propozua nga Fuqitë e Mëdha të merrte kurorën e vendit (sepse Shqipëria nuk u njoh si shtet republikan, tashmë kjo është e ditur – ajo duhej të ishte mbretëri si gjithë vendet e tjera të Ballkanit: Greqia, mbretëria serbo-kroato-sllovene, Rumania, Bullgaria), dhe nuk e pranoi. Kur nisi “parada e princëve” bëri veprimin më të papritur në histori: kërkoi nga Porta e Lartë rikthimin e autoritetit të saj në Shqipëri në formën e suzerenitetit, term që futi në diskutime akademike për dallimin me sovranitetin diplomacinë europiane. Kur korrieri i tij besnik Beqir Grebeneja u zu bashkë me letrën e tij për sulltanin, në pamundësi që të shpjegohej me marrëveshje me kabinetin e vet, iu shtua një arsye më shumë për dhënien e dorëheqjes. E përfolën për komplote dhe konspiracione me Greqinë (duke mos i harruar dhe gruan greke), për nostalgji ndaj perandorisë, për një ëndërr të fshehtë që Shqipëria e mosvarme të ishte e tija, dhe iku pa fjalë.
9 – Sa monark ishte Zogu, sa komunist ishte Enver Hoxha dhe sa demokratik janë liderët e sotshëm politikë?
Mbretëria e A. Zogut me kushtetutë ishte parlamentare dhe e trashëgueshme. Por me ligj ai ndaloi opozitën dhe likuidoi kundërshtarët. Në periudhën e mbretërisë kishte një Shqipëri të fuqishme politike jashtë vendit. Enver Hoxha nuk ishte komunist, por nacional-komunist. Liderët e sotëm nuk janë demokratë, por autokratë.
10 – Pas 20 viteve tranzicion jemi në demokraci apo post-komunizëm?
Besoj se jemi një shoqëri demokratike me nyja të post-komunizmit ndër këmbë, duar e mendje. Jemi një shoqëri demokratike, sepse ekziston liria e fjalës, liria e mendimit, liria e shtypit, liria e iniciativës dhe shumë liri të tjera. Por jo një shoqëri demokratike e pjekur, përderisa, bie fjala, nuk u është lejuar e drejta e referendumit listave prej qindra mijë nënshkrimesh (lista e të shpronësuarve, lista e ish-të përndjekurve, lista e mbrojtësve të mjedisit). Mbi të gjitha dyshimi më i madh për demokracinë shqiptare është humbja e besimit tek vota. Duke qenë se për një kohë disavjeçare kam drejtuar rrjetin kombëtar të arkivave dhe kam bashkëpunuar edhe me partnerë parësorë të huaj, si znj. Marianne Birthler, drejtore e zyrës së lustracionit në qeverinë gjermane, ia lejoj vetes të pohoj se ato “nyja” që unë përmenda, që e mbajnë të mbërthyer në mbrapshti vendin, janë dosjet e mbyllura të policisë politike të dikurshme, të cilat përdoren sistematikisht për shantazh e s’hapen kurrë. Shqipëria është vendi i vetëm në Europë që nuk e ka kaluar këtë provë.
11 – Shqiptarët orientalë apo oksidentalë?
Kjo çështje nuk mund të zgjidhet në formën “o njëra, o tjetra”. Shqiptarët, si dhe ballkanasit në tërësi, e kanë veshur thelbin e tyre me aq shumë Orient, që ka prekur fort mënyrën e tyre të jetesës dhe të të menduarit, sa do të jetë e vështirë ta nxjerrin në dritë shpejt identitetin e tyre euro-perëndimor. Po të vërehet me kujdes, shqiptarët e sotëm janë po aq të prirur, në mos më shumë se ballkanasit e tjerë, për ta pritur me ëmbëlsi doktrinën e neo-otomanizmit, të amnistimit të imazhit të ish-perandorisë osmane (me të cilën edhe Turqia kemaliste i preu rreptë urat në mesin e viteve 1920), të përfshirjes në një areal kulturor “tej e tej, prej Adriatikut deri në Kaspik” [shtjelluar nga Ahmet Davidoğlou, në: “Turkey’s Foreign Policy Vision: An Assessment of 2007”, botuar në: “Insight Turkey”, vëllimi 10, nr. 1, 2008]. A nuk po bëhet kjo edhe me tekstet shkollore të historisë? A nuk po luhet loja sikur ushtria osmane në Ballkan ka qenë disi njëfarë Nato-je në fund të Mesjetës, meqë shqiptarët u çliruan nga Bizanti dhe mbretëria e Rashës (“Raša carstovo”)? Shqiptarët kanë harruar kush janë. Unë nuk habitem kur sot njeriut shqiptar i pëlqen të shenjojë dhe ofiqin osman “beg” ndërmjet emrit e mbiemrit si autor libri. Thënë në një mënyrë të përmbledhur, shqiptari i sotëm është në thelb perëndimor, por me një veshje orientale të karfosur fort.
12 – Nga ndryshon një qytetar shqiptar nga një qytetar europian?
Ndryshimi i parë është se njeriu shqiptar shtiret shumë. Një koleg i huaj, studiues i letërsisë, kur u pyet a do të donte të jetonte në Shqipëri, tha prerë “jo”, sepse, siç u shpreh ai, “për të ditur se çfarë mendon një shqiptar duhen së paku gjashtë muaj, dhe ndoshta as kaq nuk mjafton, sepse tjetër thoni e tjetër mendoni, dhe unë nuk kam kohë për të humbur”. Njeriu europian është i drejtpërdrejtë. Njeriu shqiptar është i prirur ta personalizojë edhe bisedën, kurse njeriu europian mësohet të mos humbasë energji në arsyetime të tilla [Vera N. Held, “How To Not Take It Personally”]. Njeriu shqiptar nuk e ka kulturën e kalendarit, të sheh në rrugë dhe të fut krahun e të rrëmben, nuk do t’ia dijë se ti ke planifikuar diçka që lidhet me të tjerët. Njeriu europian kërkon kohën e vet një vit përpara. Filozofia e njeriut europian është të gëzohet edhe në një kënetë të përbaltur. Kultura e njeriut shqiptar është të ankohet, të shpifë dhe të shajë. Disa vite më parë, kur institucionet e shkencave kombëtare u bashkuan në një qendër të vetme – Qendra e Studimeve Albanologjike – ia lejova vetes t’i shkruaja një letër drejtorit të sapoemëruar të saj prof. Ardian Marashi, të cilin deri atëherë nuk kisha pasur rast ta takoja për së afërmi, duke i kërkuar mirëkuptim për kërkesën time ndoshta tej caqeve të një komunikimi zyrtar, për mbajtjen në punë të një kolegie në formim e sipër. Më ka mbetur në mendje përgjigjja që mora: nuk ishte një premtim, sepse të tilla ishin mundësitë, por ishte një falënderim, sepse drejtori i sapoemëruar prof. Marashi për herë të parë kishte marrë një letër mbështetëse të një kolegu për kolegun. Sa për letrat ankuese e dhe shpifëse, me sa kuptova, ato duhej të kishin qenë të pamunguara.
13 – “Besa e shqipëtarit si purteka e arit”. Besa, një vlerë e tejkaluar?
Besa shqiptare është një kategori historike. Besa nuk ka lindur bashkë me shqiptarin dhe nuk është një virtyt përjashtimisht shqiptar. Besa është një prej shprehjeve të mitit të Fjalës. A nuk fillojnë Shkrimet e Shenjta pikërisht me këtë mit: “Në fillim ishte Fjala / dhe Fjala ishte me Perëndinë / dhe Fjala ishte Perëndi / E njëjta ishte në fillim me Perëndinë” (Gjoni: 1:1-3). Në studimin tim monografik “Mitologji në eposin e kreshnikëve” kam verifikuar raportin midis bê-së dhe besës. Në këngët legjendare gjithë rendi moral ndërtohet mbi bênë dhe ndoren, jo mbi besën. Në ato raste kur përmendet fjala “besë”, ka kuptimin “paqe”: “Se unë Tanushën vetë e kam pae / Kur kem’ pasë besë me krajli”. Për herë të parë fjala “besë” del në “Statuta et ordinationes civitas Scutari”, redaktimi i vitit 1468. Edhe në rendin e statuteve kjo fjalë nuk ka kuptimin e mëvonshëm, të shenjtërimit të fjalës së dhënë, por të një dëshmie të vërtetë (në këto statute fjala del në formën foljore “bessare” dhe shenjon veprimin e paraqitjes së një dëshmie të provueshme). Në periudhën post-mesjetare, kur rendi shoqëror iu nënshtrua ligjshmërisë së një perandorie teokratike, që sundonte me Sherijat dhe sherie, besa u kthye në një kategori morale dhe në një instrument vetërregullimi juridik. Megjithatë, asnjëherë nuk e zuri vendin e be-së: “Bê e s’ka tjetër!”, shenjtërohej në kanune. Unë besoj se ka një ekzagjerim të kësaj vlere historike, juridike dhe morale të shqiptarëve. Ideja se ka popuj me besë dhe popuj të pabesë do të ishte raciste. Përgjithësisht besa ka mbetur e shenjtëruar në popujt me kulturë shkrimore të vonë, siç janë dhe shqiptarët. Miti i besës është mistifikuar nga të huajt dhe shqiptarëve u ka pëlqyer dhe kanë rënë në një grackë. Jam marrë për një kohë të gjatë me historinë e shpëtimit të hebrenjve në Shqipëri, në monografinë “Hebrenjtë në Shqipëri: prania dhe shpëtimi”. Ndryshe nga ç’i ofrohet botës përmes ekspozitës “Besa: A Code of Honour, Muslim Albanians who Rescued Jews During the Holocaust” (edhe pëmes katalogut të saj), përgatitur nga Norman Gershman, burimet arkivore certifikojnë se shqiptarët kanë pasur një sjellje të vetme ndaj hebrenjve, pavarësisht nëse ishin profashistë apo antifashistë, qeverisës apo të qeverisur, muslimanë apo të krishterë, nëpunës apo klerikë, të pasur apo të varfër. Besa ka pasur rolin e vet, por rolin më të rëndësishëm e kanë pasur veprimet politike. Populli kishte në dorë t’u jepte hebrenjve bukë e qeleshe, por listat i kishin në duar pikërisht ata që qeverisnin me të huajt. Ishte vullneti i qeverisë së Mehdi bej Frashërit për të përjashtuar qysh në shtator të vitit 1943 dorëzimin e hebrenjve ushtrisë naziste si pjesë të negociatave dypalëshe. Kur A. Zogu, një ditë para se të largohej nga Shqipëria, dekretoi dhënien e menjëhershme të shtetësisë gjithë të huajve që i kishte zënë ora brenda vendit, në shenjë mirënjohjeje për trashëgimin e fronit në linjë mashkullore, sigurisht veprimi i tij nuk ishte çështje bese, por politike.
14 – Tirana, metropol apo fshat urban?
Me sa di unë, metropol quhet një qytet që ka sistemin e vet të transportit nën-e-mbi-tokësor, domethënë metronë e vet. Figurativisht Tirana mund të quhet një metropol, por jo edhe terminologjikisht. Dy të tretat e popullsisë së kryeqytetit shqiptar janë të ardhur prej thellësive të shmangura. Shumë vite më parë kam shkruar se kjo përmbysje raporti mund të kishte çuar deri në epidemi. Por Tirana kaloi një provë tejet të vështirë dhe mbahet mirë si qytet.
15 – Çfarë është kombi për ju?
Kombi është gjuha ime. Mendoj për gjuhën shqipe njësoj si mendon Andrea Bocelli për muzikën në këngën e tij të njohur “Vivo per Lei”: “Vivo per lei perché oramai / Io non ho altra via d’uscita / Perché la musica lo sai / Davvero non l’ho mai tradita”. Shqiptarët u bënë shqiptarë prej gjuhës së tyre. Në fillim ka lindur fjala “shqip” (Buzuku: “që vjen me thashunë shqip”) dhe një shekull e gjysmë më vonë ka lindur fjala “shqiptar”. “Shqipëri” ka lindur shumë më vonë. Kufiri i kombit tim është deri atje ku shkon gjuha shqipe. Prandaj gjuha është sinonimi i kombit shqiptar.
16 – Çfarë është familja për ju?
Kam mirënjohje për shumë njerëz që më janë gjendur në kohë të vështira e të mbara. Kam miq e miqësi që i çmoj në shkallën më të lartë: janë të pazëvendësueshëm për mua. Familja ime, fëmijët e mi, janë të vetmit me të cilët nuk shlyhem dot kurrë me detyrimet ndaj tyre. U mbetem mangut në gjithçka: mbi të gjitha për kohën që duhet t’u kushtoj. Do të jem i detyruar edhe kur të mos jem më.
17 – Më rrëfeni një vend që ju ka bërë përshtypje?
Kam parë shumë vende. Por po veçoj një ishull të shkretë në Afrikën e Jugut, ku gjendej vendi i burgosjes së Nelson Mandelës. Burgu ishte kthyer në muze dhe drejtohej nga njëri prej miqve të kohës së vuajtjeve të nobelistit të paqes. Në qelinë e Mandelës si rregull nuk lejohej hyrja, por me pak miqësi me vendësit munda të hyj. Kam bërë dhe fotografi. Mendoj se ishte një qeli shumë më e madhe se e burgjeve shqiptare.
18 – A do të veçonit një moment kulmor në karrierën tuaj?
E kam të vështirë. Karriera nuk është qëllimi im. Gjurma është qëllimi im. E lë në gjykimin tuaj dhe të lexuesve.
19 – Nëse do t’ju jepej mundësia, çfarë do të ndryshonit nga jeta juaj?
Nuk ia kam shtruar asnjëherë vetes këtë pyetje. E kam të vështirë të marr një vendim, por më pas më të vështirë e kam të pendohem e të kërkoj rishikimin e asaj që kam bërë. Përgjithësisht mendoj se kam qenë me fat, pavarësisht se periudhat e jetës sime kanë pasur kosto.
20 – Sipas jush, çfarë përfaqëson Ismail Kadare në letërsinë shqipe?
Ismail Kadare përfaqëson letërsinë shqipe në letërsinë europiane. Kur një shkrimtar studiohet në universitete në tekste të historisë së letërsisë; kur për veprën e një shkrimtari përgatiten e mbrohen jashtë vendit tanimë dhjetëra disertacione; kur një shkrimtar ka studiuesit e vet të formuar e të përkufizuar për të (Eric Faye, Jean-Paul Champsiex, Peter Morgan, David Bellos, John C. Cox, Matteo Mandalà, Giuseppina Turano, Elio Miracco, për të përmendur vetëm disa prej tyre), ai nuk është më dukuri rajonale, por botërore. Përmasën që i dha letërsisë shqipe I. Kadare nuk e ka pasur qysh në periudhën humaniste (me M. Barletin). “Urat” që hodhën ndër shekuj T. Kavalioti (me René Decartes), Jeronim de Rada (me A. Lamartine-in dhe A. de Musée-në), G. Schiro-i (me L. Pirandello-n), F. Konica (me G. Apollinaire-in), L. Poradeci (me Ch. Baudelaire-in), Migjeni (me F. Nietzsche-n dhe A. Schopenhauer-in), E. Koliqi (me G. Carducci-n, G. Pascoli-n e G. d’Annunzio-n), F. Noli (me B. Show-n dhe Th. Mann-in dhe J. Sibelius-in), P. Marko (me E. Hemingway-n), M. Camaj (me E. Montale-n dhe G. Ungaretti-n), nuk qenë të mjaftueshme për ta quajtur letërsinë shqipe një letërsi të ndërkombëtarizuar.
*
Intervistoi Eno Shkëmbi, gazeta “Start”, 2012-2013. Imazhi në kopertinë është krijuar me Ideogram.
(Ky varg intervistash me autor gazetarin Eno Shkëmbi dhe bashkëpunëtor gazetarin Artan Dokuzi është publikuar më parë në gazetën “Start”, një media jo më e pranishme në hapësirën online. Intervistat e kanë pikënisjen në fund të 2012-ës dhe kanë vijuar përgjatë vitit 2013. Qëllimi ishte të sillej një kolanë idesh e refleksionesh nga njerëz kryesisht të botës kulturore e publicistike, në një kohë kur televizionet transmetonin përditë me një cekësi të padurueshme ngjarjet në kuadër të jubileut të 100-të pavarësisë. U synua të zgjohej sadopak te lexuesi mendimi kritik, duke zmbrapsur kësisoj pirgun e lajmeve të ditës, të cilat s’të japin kurrfarë kuptimi për të shkuarën dhe asnjë ravijëzim të së ardhmes. Nisur nga kompleksiteti i pyetjeve, intervistat u realizuan përmes komunikimeve me email. Të intervistuarit janë orientuar drejt përgjigjeve sintetike, por nuk janë kufizuar aspak kur kanë dashur t’i shtjellojnë temat në mënyrën e tyre, ndonjëherë edhe pak akademike. Arsyeja pse po i risjell këto intervista te “Peizazhet e Fjalës”, më shumë se sa për qëllime arkivore, është fakti që kjo kolanë mund të rilexohet gjithmonë si aktuale, meqë pyetësori mund të shihet edhe si një libërth a manual idesh, në tema mes të cilave janë vërtitur shpesh mospajtues njerëzit e mendimit dhe opinion-bërjes në Shqipëri. Le të shërbejë ky ripublikim për të krijuar një agorë të vogël mes lexuesve të “Peizazheve” përmes pyetjeve për të cilat askush nuk ka thjesht dhe vetëm një përgjigje. Eno Shkëmbi.)