Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Nostalgji

ORNITOLOGJI

Kam ndier këto ditë, vizitor në Tiranë, një si mungesë anësore, ose në sfond: trumcakët.

Këta zogj proletarë jam mësuar, së paku në New York, t’i ndesh gjithnjë atje – një hap më tutje, duke kuvenduar zallahisht ose duke bërë banjë në pluhur (zakon zbavitës), as të dëmshëm as të dobishëm, as të këndshëm as të bezdisur.

Nëse nuk po më luan ndonjë rreng kujtesa, edhe Tirana ka pasë qenë plot me ta, dimër e verë.

Trumcakë nuk po shoh as dëgjoj më. Ndoshta i ka vrarë ose trembur urbanizimi, ose i ka helmuar ajri i ndotur.

E kam shtëpinë larg rrugës së makinave, të rrethuar nga oborre shtëpish të tjera tiranase. Dikur, sapo më dilte gjumi herët në mëngjes, e kisha zakon të kotesha një copë herë duke dëgjuar cicërimat e zogjve në pemët.

Pemët janë akoma, por zogjtë qenkan larguar.

Tani në mëngjes, po të mbaj vesh me kujdes, dëgjoj ende një cicërimë të bukur – por këtë e prodhon gardalina që mban fqinji im në ballkon, të siguruar në kafaz.

Dal rrugëve, ku takoj të njohur të vjetër nga New York-u: pëllumbat.

Këta pëllumba nuk kanë të bëjnë fare me gu-gu-ftutë mistike, që më përshëndesnin një herë e një kohë nga selvitë e xhamisë (ish-xhamisë) përballë ballkonit tim; këta janë pëllumba urbanë, ekuivalenti aviar i minjve të kanalit, rrëmues plehrash, të paturpshëm në sjellje, të ndyrë në zakonet.

Të tillë jam i sigurt se nuk ka pasur.

Kam dëshirë t’i mendoj si nënprodukte të metropolizimit të Tiranës, ose të vetë plehrave ushqimore dhe të fast food-it trotuareve: coprave të picave, të qofteve, të sufllaqeve.

E kotë të shtoj se ky zëvendësim i trumcakëve me pëllumba nuk po më pëlqen hiç.

(Në parqet e Bronx-it, ku e kam zakon të shëtis, këto dy specie jetojnë në harmoni; së bashku me një specie të tretë: starlings ose sturnus vulgaris, së cilës nuk ia kam gjetur dot emrin në shqip – një zog më i madh se trumcaku, më i vogël se pëllumbi, me pupla pothuajse të zeza, por pikaloshe; gargull thotë një fjalor që kam këtu, por nuk më bind. Tani vonë janë futur në refené edhe gushëkuqët amerikanë, që e ruajnë ende një farë arrogance dhe s’po mësohen me përulësinë që lypet për të mbijetuar duke çukitur patate të skuqura.)

Pëllumbat e Tiranës, racë mërgimtarësh, ende janë në kërkim të monumenteve për të përdhosur.

Njëditëzaj, tek kisha dalë në kodrat prapa stadiumit, më zuri syri një shpend të bukur; ose të paktën të veshur shumë mirë. Ishte i madh dhe i vetmuar, merrej me një punë të vetën, duke na kthyer shpinën. Më thanë, duke qeshur, që ishte laraskë.

Laraskë? Mundet – por ishte laraskë shumë e bukur.

Po ku janë zogjtë e Tiranës? Où sont les oiseaux d’antan?

Dua të pyes ndonjë mace endacake, nga ato që zotërojnë pullazet dhe udhëtojnë në pasarelat e mureve – por edhe të tilla nuk ndesh shumë tashmë.

Një herë pashë, të ekspozuar në trotuar mu buzë trafikut të rëndë të rrugës së Durrësit, papagaj shumëngjyrësh për shitje, të deprimuar e kreshtërënë, me kokat gati për t’i futur nën krahët. I zoti e kish merak t’i hiqte qafe deri në mbrëmje, ndoshta i bindur se këta mysafirë prej visesh tropikale, por tashmë të ambalazhuar për treg, nuk do ta gdhinin dot natën, pas gazimit me squfur, benzen, duhan dhe okside azoti.

Mbaj mend që në oborrin tim, pikërisht tani në vjeshtë, një herë e një kohë vinin korba për të ngrënë hurmat e tejpjekura, në degët më të larta, që nuk i prekte kush. Ndonjëherë, kur arrija të këpusja ndonjë të tillë pas një akrobacie cirku me bisht çadre, gjeja në pulpë të frutit gropën e hapur prej sqepit të pamëshirshëm, vulë e një kontrollori të rreptë cilësie.

Për fat të keq, hurmat ne tani i kemi prerë, dhe bashkë me hurmat e fiqtë kanë ikur edhe korbat kobashë, me të cilët do të kisha shkëmbyer ndonjë fjalë tani në mëngjes – për djathin e Gjirokastrës, ose edhe për shqipërimet e Nolit.

Sot më doli gjumi shumë herët: dola sërish në ballkon, për t’u përpjekur të shoh malin e Dajtit, përmes pallatit madhështor që ma ka mbuluar. Qetësi e madhe, me përjashtim të gardalinës budallaqe, në kafazin fqinjë.

Pastaj këndoi një gjel. Pak si larg, por këndoi vërtet – i ngjirur, i pasigurt, si i mbytur, me pulat përreth që me siguri i bërtitën të mbyllte gojën e të mos zgjonte miletin, por këndoi.

Ka ende shpresë.

Pa Komente

  1. Nuk e di se sa do të të mund të hyjë ndonjëherë në punë, por duke u nisur nga imazhet, munda të bëj këtë lidhje: Storno (Sturnus vulgaris) në shqip e gjejmë me emrin: GARGULL m. sh. zool.
    1. Bregcë
    2. Shturë.

    1. Po ky mund të jetë ndoshta zogu më i përhapur në NYC, sidomos në parqet e qytetit. Një budalla, një pisanjos që s’e ka shokun. Ndërkohë, mbaj mend që në një libër dikur, kam lexuar se ‘gargulli’ ishte zog që mund të mbahej në kafaz, si zog këngëtar. S’më duket se starling (storno, fr. étourneau) ka ndonjë farë kënge për t’u admiruar…

  2. Fenomeni i zhdukjes së zogjve nga qielli i Shqipërisë duhet të ketë qenë me i vjetër.
    Sipas një riti të vjetër, diku nga mesi i viteve ’80 shkova të marr një mikun tim, aktor e pedagog te Artet dhe u ngjitëm lart te Parku i liqenit për një kafe.

    Siç e donte zakoni, kryebiseda ishin fjalët që qarkullonin për shëndetin e rrënuar të atij “shokut”. – Sa më shpejt aq më mirë, tha bashkëbiseduesi im. Pastaj shpërvoli buzët e shtoi. E kë vënë re? Këtu as zogjtë nuk vijnë më. Më thuaj ke parë ndonjë? (E kujtoj si sot këtë batutë, se më tronditi me të vërtetë. Zhdukja e zogjve mu faneps si të qe fjala për ikjen e minjve nga anija… )

    Personi në fjalë êshtë dikush i njohur mirë për batutat e tij. Do të them edhe një tjetër dhe të gjithë do ta identifikojnë se cili është.

    Pasi e ftuan në televizion për të xhiruar një film, atij i thotë një aktor tjetër partner : Dëgjo, kam marrë vesh se ky regjisori po xhiron skenat ndërkohë që nuk e di si do të përfundojë filmi, sepse nuk e ka lexuar skenarin deri në fund.

    Personi në fjalë nuk u trondit fare. Vetëm tha : Po i deshi by… filmit të dalë i mirë, del edhe kështu!

  3. “Një grua nga Tirana, 35-vjeçarja Laura Binaj, e alarmuar pohon për “Gazeta Shqiptare” tmerrin që ka parë në një lokal buzë liqenit të Ohrit në fshatin Tushemisht. Një burrë, që sipas saj ishte pronar i lokalit me një palë gërshërë të mëdha në dorë iu priste krahët 2 mjelmave që të mos fluturonin dhe të qëndronin në lokalin e tij si dekor argëtimi. Laura Binaj se thotë se “m’u tmerrua vajza 10-vjeçare duke parë atë skenë të tmerrshme të pronarit që përleshej me mjelmën deri sa i preu krahët dhunshëm dy mjelmave njëra pas tjetrës deri në rrëzë”.(…)

    http://www.balkanweb.com/gazetav5/artikull.php?id=83650

    + * * * * *

  4. Gargulli me sa di eshte zog imitues me shume se kengetar. Mbahej ne kafaz jo per te kenduar por ne vend te papagallit qe eshte i nje niveli me te larte. Gargulli eshte nje nga mbijetuesit e zonave urbane dhe hyn ne speciet invasive. Sjelljen e tij arrogante ia lene ne dere stresit te qyteteve, por ai ndoshta thjesht ka qelluar me kujtese te mire kolektive e merr hak per trajtimin e tij nga njeriu si nenspecie ne krahasim me papagallin.
    Zhdukja e trumcakeve, per mendimin tim ka te beje me largimin e fshatit, ushqimit, dmth farave, frutave dhe insekteve. Une kam vene re qe ne Tirane megjithqe higjena e qytetit nuk eshte e ndonje niveli kushedi cfare, miza s’para te ze syri. Nuk di a eshte thjesht ndotja e mjedisit qe i ka ngordhur mizat apo kane perdorur ndonje insekticid te llahtarshem. S’di te kete nje sherbim faune dhe flore ne bashkite tona qe te na mbante dhe ne dijeni luhatjes se ketyre te fundit fale ndryshimeve klimatike, etj.
    Ne kete linkun ketu poshte mund te gjeni perkthime per zogjte ne disa gjuhe, por fatkeqesisht jo ne shqip. Di njeri si quhet Parus major (mésange charbonnière -fr. Cinciallegra-it, great tit –ang. Kohl meise-gjer.) ne shqip?
    http://www.nosoiseaux.ch/traduction.php?m_id=72

  5. Në fjalorin e Stuart E. Mann-it (Cambrigde, 1957), “great tit” jepet “trishtil”. Cudi si të njëjtit zog italianët i japin një emër më gazmor!

  6. Cati me tjegulla dhe arkitrare druri jane streha e harabelave. Ne fshat, thuajse poshte cdo tjegulle te shtepive para 90′ gjen fole me pak kashte dhe bar te thate. Rrallim i ketyre cative dhe zhurmat e borive kane debuar keta zogj.
    Shenje e keqe.

  7. @2xh: Nëse nuk po më luan ndonjë rreng kujtesa, edhe Tirana ka pasë qenë plot me ta, dimër e verë.

    Trumcakë nuk po shoh as dëgjoj më. Ndoshta i ka vrarë ose trembur urbanizimi, ose i ka helmuar ajri i ndotur.

    Nuk eshte faji kujteses se sa nje lloj nostalgjie e cila, padashur, sfumon sensin e kohes dhe hapsires.Tirana sikurse thoni eshte metropolizuar, por, gjithsesi, mbetet serish nje fshat i vogel kaotik, krahasuar me metropole si NY.
    Observimi problemeve ekologjike permes ornitologjise eshte interesant por , besoj, pervec ketij shqetsimi, ka dhe nje simbolike tjeter.
    Trumcaku eshte nje zogth i vogel, gri, mjaftohet me pak dhe nuk shtegton, pavaresisht nga ndryshimi stineve.Pavaresisht nga pranvera (ngrohja) globale.
    Zakonisht ,ne kerkim te bukes se perditshme, i shikon tek e tek, ja te themi dy a tre bashke.Shume interesante behen kur ngrihen te fluturojne ne tufe ose turme.Nuk di pse ngrihen, nga qefi, thjesht per te konfirmuar se jane fluturake apo nje lloj rebelimi, kur nuk gjejne mjaftueshem ushqim ne toke.
    Kam pershtypjen se kjo mase gri, (per tufat e turm-cak-eve e kam fjalen) asnjehere nuk ka per ta ndjere luksin e te shtegtuarit drejt vendeve me te begata me ushqim, edhe pse fluturimi eshte “pa viza” Mbetet per tu vezhguar kjo.

    Kurse sjellja e pellumbave, si perdhoses te monumenteve , nuk me duket aq e qortueshme. Eshte nje lloj adhurimi , zakon i viseve tona .
    Kam shume shprese te vije ajo dite ku sheshet e metropolit tone, si kudo ne bote, te jene hapsire per pellumbat e paqte. Ndoshta atehere do te kete dhe monumente me te respektuar.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin