Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji / Sociologji

TË KUJT JEMI

Më kujtohet, nga fëminia, sa nuk më pëlqente kur të tjerët më pyesnin: I kujt je ti?

Atëherë ndoshta nuk e arsyetoja dot irritimin tim; por vetëm e ndieja që duhej të kishte diçka më tepër tek unë, përveç lidhjeve të përkatësisë.

Sot mendoj se çfarë më shqetësonte, pikërisht, ishte gjinorja e përemrit pyetës: i kujt, e cila sugjeronte, veç përkatësisë, edhe pronësi. Edhe pse fëmijë, edhe pse ende zgjatim gjysmë biologjik i prindërve të mi, njëfarësoj refuzoja të trajtohesha si pronë e dikujt tjetër.

Madje jo vetëm refuzoja, por edhe rreth këtij refuzimi ose kësaj shkëputjeje përpiqesha të thurja identitetin tim, imazhin unik të individualitetit tim, përtej fijeve që më lidhnin me kë ende më zotëronte.

I kujt je? është përpjekja e parë për t’ia veshur një shpirti të lirë këmishën e ashpër të koordinatave sociale.

Antropologu e ka të lehtë të fillojë të përfytyrojë, këtu, një sistem marrëdhëniesh sipas të cilit identiteti i individit përcaktohet nga pozicioni i tij në një hartë marrëdhëniesh ndërpersonale, ku lidhjet familjare kanë përparësi ndaj lidhjeve të tjera – të shkollës, të punës, të shtresës, të qytetarisë, të interesave, të hobby-ve.

Brenda këtij sistemi, në thelb patriarkal, birëria shtjellohet më tej në përkatësi në një fis, në një klan, në një katund. Fjala familje mbetet formalisht e pandryshuar, por kuptimi vjen e i ndryshon, duke u kanalizuar drejt konotacionesh detyrimisht mafioze.

I kujt je?, në këtë rast, do të interpretohet edhe si kush t’i mbron interesat, kush të nxjerr nga balta, kë përfaqëson ti, në besë të kujt je, i cilit klan je, i cilit bajrak.

Nga një anë, shoqëria kërkon të normalizohet duke i identifikuar të porsaardhurit, të rinjtë e të panjohurit sipas prejardhjes e zanafillës; nga ana tjetër, duke u rrekur t’i vendosë madje gozhdojë individët në hartë, nëpërmjet zbatimit të një formule mekanike, ua mohon vetë individëve të drejtën për t’u shkëputur, për t’u përjashtuar, për ta sfiduar forcën e gravitetit, për të arritur shpejtësinë kozmike.

(I kujt nuk je më? Prej kujt ke ikur?)

E folklorizuar tashmë, këmbëngulja për ta vendosur të panjohurin në hartë sipas prejardhjes përkthehet në pyetjen tjetër njëlloj kërcënuese: nga të kemi?

Zakonisht të dyja pyetjet ndjekin njëra-tjetrën: identifikimi gjeografik-krahinor pasohet nga identifikimi fisnor-gjenetik.

Qarkullonte një anekdotë, para shumë vjetësh, për malësorin emblematik Pal Vata, që jo për faj as për ambicie të tij u katapultua në kryetitujt e gazetave, në përligjje groteske të ndërhyrjes brutale të pushtetit totalitar në malësi.

Heroi ynë qenkësh ulur një herë të pinte një kafe me një specialist kinez dhe e kish nisur bisedën duke e pyetur: nga je ti, mor çun; dhe kur ky i kish thënë nga Shangai, Pal Vata kishte vazhduar: po i kujt je në Shangai?

Ne qeshnim me këtë incident, por pastaj edhe qëllonte të kujtoheshim që Pal Vata e kish humbur të bijën, Shkurten vullnetare me shall aksionisti më pas komunisten 15-vjeçare, në një aksident në kantier të hekurudhës Rrogozhinë-Fier; ndërsa i ati anonim i kinezit prej Shangait të paktën e kish të birin gjallë e shëndoshë.

Pyetja, në thelb e pafajshme, e të mjerit Pal Vata ishte edhe një orvatje in extremis e Shqipërisë së vjetër, krahinore, katundare, patriarkale, të mbyllur në vetvete, të kapur peng e ritualeve të mbijetesës, për të kuptuar njëfarësoj modernitetin, rrokullimën e fesë totemike të origjinave, zhvlerësimin jo vetëm të hartave të djeshme, por edhe të vetë sistemeve të koordinatave.

Paritë, ndërkohë, e kishin shartuar me sukses të njëjtin sistem në trungjet e politikës dhe të pushtetit.

Edhe pse komunizmi në Shqipëri u afirmua në kundërvënie të hapët me traditën, patriarkalizmin dhe primatin e familjes, pyetja i kujt je? nuk e humbi rëndësinë e vet kritike, por vetëm u shndërrua në pyetje të tjera, të cilat, në mënyrën e tyre, përftuan një mekanizëm djallëzor për fshirjen e identitetit.

Për këtë arsye, Enver Hoxha do t’u drejtohej rregullisht kundërshtarëve të vet me fjalët fatale ç’përfaqëson ti? kush të paguan? kush t’i jep urdhrat? kush të ka vënë të flasësh kështu? kujt po ia zbaton porositë? politikën e kujt bën? interesat e kujt mbron? kush fshihet pas teje? kush flet me gojën tënde?

Para se të dëbohej nga skemat e pushtetit dhe të asgjësohej deri edhe fizikisht, individi rebel do të shkatërrohej më parë si i tillë, si individ, duke u dekonstruktuar dhunshëm në tërësinë e lidhjeve të veta të gjakut dhe të interesit, klaneve të cilave u përkiste, agjenturave që e paguanin, farefisit dhe tarafit.

Sot e kësaj dite, kur autoritarizmin themi se e kemi groposur, ende e mendojmë shoqërinë tonë të organizuar rreth pak vatrash të pushtetit absolut; dhe individëve u bëjmë vend në hartat e territorit social duke ua llogaritur, deri në milimetra, distancat nga këto vatra.

Në parlament, në kryeartikujt e gazetave, në debatet televizive, në mbledhjet e qeverisë, në tryezat e partive politike flitet rëndom për etër dhe bij, kunetër dhe baxhanakë, kushërinj dhe krushq; lidhjet e gjakut dhe të farefisnisë interpretohen vetvetiu si shenja aleancash politike, aq sa të shërbejnë madje të pranohen si prova të mjaftueshme në akuzat.

Një shoqëri që pretendon se është gati të futet në Europë, ka mbetur ende peng e konceptit të gjakut.

Pyetja i kujt je? zë vend nderi në pyetësorët e hierarkive të pushtetit; edhe pse e shndërruar në formën haptazi pronësore: Njeri i kujt je? Për kë punon? Kush të financon? Tek cila ambasadë e ndërron vajin? Kush është padroni yt? Po padrinoja?

Në rrethana normale, individi do të fyhej po ta identifikonin sipas distancës nga qendrat e pushtetit; por rrethanat e jetës së sotme politike dhe sociale në Tiranë nuk janë asfare normale; sa kohë që protagonistët nuk arrijnë të artikulojnë një diskurs të qartë politik dhe programatik me të cilin pastaj të identifikohen, por janë zbythur në llogoret e lidhjeve dhe aleancave klanore, fisnore, krahinore dhe të bajrakut.

Në thelb, po përjetojmë triumfin e një force të errët e të verbër, e cila nuk e toleron, madje nuk e përballon dot lirinë e mendimit dhe të qenies; dhe çdo akt të arsyes ose të interesit publik nxitohet ta degradojë, duke e zhveshur nga çdo shenjë qytetarie dhe mbërthyer pastaj në tryezat e fëlliqta të autopsive patriarkale.

Gojët e shkathëta plot pështymë, që kurrë nuk ngurruan së rrëmuari biografitë, librat e shtëpive, pemët gjenealogjike dhe tabelat fisnore janë veç agjenci e trishtuar e këtij regresi.

Ende në kapërcyell midis modernizimit totalitar, përftues traumash të gjithfarshme të përshkruara mirë gjetiu, dhe modernizimit të tanishëm të pilotuar nga një grusht oligarkësh amoralë dhe të pagdhendur, përftues traumash të tjera të gjithfarshme, shoqëria duket sikur ka zgjedhur të tërhiqet në pseudo-sigurinë e mekanizmave arkaikë të orientimit, të identifikimit dhe të riprodhimit të pushtetit.

Fëmija, çdo fëmijë, ka doemos të drejtë të revoltohet, kur e pyesin i kujt je?; por më tepër me kuptimin që do të lejohet të marrë kjo pyetje, në dukje e pafajshme, me kalimin e viteve dhe shndërrimin e fëmijës në të rritur; kur një shoqëri nuk arrin dot ta kapërcejë inercinë e mekanizmave të vjetruar të mbijetesës, pyetja i kujt je vjen e tingëllon si skllav i kujt je; ose si përqeshje me gjithçka që u shpresua, kur u shembën idhujt e zgavërt nga piedestalet, në fillim të viteve 1990.

Shënim: botuar më parë në Res Publica.

Pa Komente

  1. Me kujtohet edhe mua nga femijeria, e has rendom edhe tani kete koncept te vjeteruar kompleksi inferioriteti te pyetjeve me te bezdisshme, Nga Je? I kujt Je?
    Pertej kendveshtrimit kritik dhe analizes interesante nga autori une e shoh me pak dhembshuri edhe si varferi kulturore dhe qyteterimi. Do te shtoja pa hezitim qe ky kompleks inferioriteti i kombit tone vjen edhe nga frika se mos je ndryshe, se mos je nje perjashtim te cilin nuk e konceptojne ose kontrollojne dot me horizontin e tyre te ngushte i cili mund te kufizohet me nje arsim minimal, bagazh provincial e me keq akoma, nje fjalor ose leksik prej jo me shume se 150-200 fjalesh rreth te cilit sillet bota e tyre e vockel.
    – Ne rastin me mjeran keto pyetje jane nje menyre per te thyer akullin ne nje bisede jo inteligjente ku perpiqen te gjejne ndonje te perbashket krahinore ose argument te pavlere per bisede si psh:
    Kam pasur nje shok qe ka kryer ushtrine ne ate zone dhe fillojne te rrefejne per shokun e tyre dhe e mbyllin biseden me fjalet Shqiperia eshte e vogel dhe se po te pyesesh me teper do dalim kusherinj.

    – Ndonjehere te gjithe nxitojne ta bejne keto pyetje te paret per te te vendosur ne pozita inferiore ne njefare menyre duke te te marre ne pyetje

    – Kendveshtrimi me dashakeq eshte tendenca per te te futur ne nje kornize paragjykuese dhe investiguese te cilen e ka shtjelluar me se miri vete autori i shkrimit

    Pervec ketyre copezave te perceptimeve personale optimizmi qendron ne faktin se brezat e rinj po e perdorin sa vjen e me pak kete menyre dhe qendrim aspak te qyteteruar dhe etik.

    Edhe ne vendet me pak te zhvilluara te Europes keto pyetje behen ne nje kontekst te kujdesshem te pyetjeve personale dhe kur vertet jane interesante per tu degjuar pergjigjet.

    Me liberalizimin e vizave shpresoj qe te gjithe te kuptojne sesa pak te rendesishme jane keto pyetje krahasuar me vlerat dhe cilesite qe duhet ne te vertete te perfaqesoje gjithesecili…

  2. “Fëmija, çdo fëmijë, ka doemos të drejtë të revoltohet, kur e pyesin i kujt je?; por më tepër me kuptimin që do të lejohet të marrë kjo pyetje.”

    Pse xhaxha femija ka doemos te drejte te revoltohet? Ta heqim per momentin kuptimin qe mund te marre kjo pyetje me vone. Po flasim per femijen. Konkretisht, nje femije 6 vjec kur e pyesin i/e kujt je, c’duhet te thote? Edhe pse?

    Sa per pyetjen “i/e kujt je”, nuk para degjohet ne zonat urbane. Une e kam degjuar vetem kur veja ne fshat. Veja te cezma e fshatit te mbushja uje, dhe meqe nuk me njihnin, me pyesin per emrin dhe “e kujt isha”. Ne nje komunitet te vogel ku te gjithe njihen, eshte mese normale qe do kete kuriozitet per dike te panjohur. Emri im ne vetvete, nuk do u thote asgje. Por mbiemri e lidhjet konkrete familjare po. E pastaj vazhdonte muhabeti ne cezem per shtate pale qejfe, jo c’bejne prinderit, c’ben filan halle etj.

    “I/e kujt je” perdorej ne fshatrat e jugut. Ne veri te pyesnin ne fillim “prej kajt je”. Ne rastin tim ishte me se normale pyetja, sepse dallohesha nga dialekti qe s’jetoja ne ato ane.

    Si dukuri eshte ne zhdukje. Migracioni, emigracioni, urbanizimi kane bere te tyren si ne fshatrat qe jane shpopulluar ashtu dhe qytetet qe jane mbipopulluar. E qe gjate ketij procesi te levizjes se popullsise, komunitetet me rrenje te vjetra, nuk ekzistojne me. Jo qe s’te pyesin me, po as “shendet e plac” s’te thone. S’jam e sigurt nese lidhjet sociale jane forcuar apo permiresuar, apo jemi civilizuar me shume tani qe eshte zhdukur dhe kjo “varferi kulturore” sic aludon Ermiri.

    ________

    Persa i perket aplikimit te fenomenit me gjere, do vecoja dy gjera.

    “ç’përfaqëson ti? kush të paguan? kush t’i jep urdhrat? kush të ka vënë të flasësh kështu? kujt po ia zbaton porositë? politikën e kujt bën? interesat e kujt mbron? kush fshihet pas teje? kush flet me gojën tënde?”

    Pertej fatalitetit te perdorimit nga diktatori, nqs hiqen nga ai kontekst, keto pyetje ne politike psh, jane mese normale, dhe mese te perhapura, e sidomos tani ne epoken e informacionit masiv. Te hedhesh nje sy ne blogsfere, sa here kalohet nje ligj ne Kongres qe bie ndesh me interesat apo pikepamjet e x grupi, fillohet menjehere analiza. Ciles politike i sherben, cilat interesa fshihen pas ketij ligji. Cili lob ka paguar x apo y kongresmen qe votoi pro? Cilat jane lidhjet e ketij kongresmeni me korporaten ne fjale? A ka dhene korporata donacione gjate fushates zgjedhore te ketij kongresmeni? Interesat e kujt mbron apo lufton ky ligj?

    Etj etj etj.

    Problemi me i madh ketu ne US eshte se keto pyetje nuk behen apo pergjigjet manipulohen nga/ndaj publikut te gjere, por ceshtje me vete. Dhe ndoshta eshte disi larg diskutimit konkret ky kendveshtrim, por e solla si shembull qe edhe ne boten e civilizuar, ngritja dhe pergjigja e ketyre pyetjeve po behet gjithmone e me shume e domosdoshme.

    “Në parlament, në kryeartikujt e gazetave, në debatet televizive, në mbledhjet e qeverisë, në tryezat e partive politike flitet rëndom për etër dhe bij, kunetër dhe baxhanakë, kushërinj dhe krushq; lidhjet e gjakut dhe të farefisnisë interpretohen vetvetiu si shenja aleancash politike, aq sa të shërbejnë madje të pranohen si prova të mjaftueshme në akuzat.”

    Ne Shqiperi, ne media, politike etj ekziston fenomeni i banalitetit dhe vulgaritetit ne menyren se si adresohen disa probleme. Por nga ana tjeter, ne Shqiperi ekziston edhe nepotizmi (qe ne US quhet me xhentilese “networking”) edhe korrupsioni ku vertete vellai i x, apo mbesa e y, apo motra e z, apo kunati i zh etj jane vendosur ne poste kyce, apo kane biznese pikerisht per shkak te ketyre lidhjeve. Ku administrata shteterore per riqarkullim sipas vaktit, ia merr ne kthese cdo levizje ambientaliste.

    Keshtu qe rrebelimi i individit si qenie me vete, ndaj pyetjes “i/e kujt je” me duket disi donkishotske perballe tablose se perditshme te nepotizmit dhe korrupsionit. Persa kohe qe meritokracia nuk eshte norme, dhe motori ekonomik eshte korrupsioni, nepotizmi fisnor apo partiak, me duket shume t’i kerkosh femijes te beje revolucion, kur te medhenjte e zhbejne.

    1. Monda shkruan:

      [R]ebelimi i individit si qenie me vete, ndaj pyetjes “i/e kujt je” me duket disi donkishotske perballe tablose se perditshme te nepotizmit dhe korrupsionit

      Kur kam shkuar në Tiranë herën e fundit (vjet), një person i cili më njihte tërthorazi, nga shkrimet, por s’më kishte takuar kurrë, më ka bërë, kur u pamë në një kafe, një pyetje të barasvlershme me “i kujt je”, duke dashur të identifikojë rrjetin tim, ose “mafian” time.

      Ishim në një nga zonat më urbane të Tiranës dhe personi nuk ma kishte me të keq fare, por vetëm ishte mësuar me atë protokoll komunikimi, sidomos në raport me njerëz që s’i deshifronte dot menjëherë.

      Pyetja “i kujt je” është ndoshta forma e pafajshme e një kërkese për informacion, që i bëhet dikujt, për lidhjet nepotike. Mua si fëmijë ndoshta më irritonte, sepse kur ma bënin dhe u thoja se i kujt isha, muhabeti menjëherë zhvendosej tek im atë, dhe njerëzit më pyesnin nëse do të bëhesha edhe unë doktor kur të rritesha; sikurse më irritonte kur më quanin “djali i doktorit”. Natyrisht kjo ka të bëjë me mua personalisht; por ma merr mendja se ka edhe të tjerë që irritoheshin – kur i kishin prindët publikisht të njohur dhe kur i kishin krejt anonimë.

      Të rriturve u thonë “i kujt je?”, sepse ashtu mund t’ua matin forcën, ndikimin dhe dobësitë. Ti si individ nuk i intereson kujt, i vetëm je edhe më fëmijë se fëmija, por pozicioni yt brenda rrjetit duhet pasur parasysh nga të gjithë. Prandaj unë e mendoj rebelimin e individit si të dyfishtë: për të afirmuar vetveten dhe për të afirmuar lirinë e vetvetes ndaj gjeometrive të oktapodhëve të gjithfarshëm.

      Të rebelohesh ndaj kësaj gjendjeje të sendeve mund të jetë vërtet donkishoteske; por unë fatmirësisht ende mund t’ia lejoj vetes luksin e të qenit Don Kishot.

      1. “Pyetja “i kujt je” është ndoshta forma e pafajshme e një kërkese për informacion, që i bëhet dikujt, për lidhjet nepotike.”

        Ndoshta apo eshte? Sepse, duke u nisur nga origjina e shprehjes, dhe nga eksperienca ime, per mua mbetet aq: forme e pafajshme dhe ne rrethana e kushte te caktuara, qe per me teper nuk ekzistojne me ne te njejtin kontekst.

        Ne rastin tuaj xhaxha, e kuptoj irritimin. Ne rastin tim, te irritohesha me grate e fshatit do me dukej absurde. Kam bere bema te tjera ne fshat qe te lija gjurme te thella ne kujtesen e tyre, kjo do ishte vertete e tepert dhe e panevojshme. Pertej humorit, mendoj se edhe vete femija e percepton hendekun e moshave apo rrethanave te tjera. Kjo me siper futej ne kategorine “zakone fshati”.

        “Të rebelohesh ndaj kësaj gjendjeje të sendeve mund të jetë vërtet donkishoteske; por unë fatmirësisht ende mund t’ia lejoj vetes luksin e të qenit Don Kishot.”

        Me vjen keq qe e more ne kete menyre ate pergjigje xhaxha. Pyetja ime ishte thjesht praktike. E analizojme si/sa te duash protokollin e komunikimit te te rriturit. Une pyeta konkretisht kur nje femije i drejtohet nje i rritur (qe sic thashe nuk ndodh me ne formen origjinale) me kerkesen e pafajshme per lidhjet nepotike, perse te revoltohet? E c’duhet te thote?

        Po me duket po trajtohen fenomene te ndryshme e qe ne artikull lidhjet me shprehjen ne fjale nuk jane te qarta, e qe fare mire mund te trajtohen vec e vec: “celebrity children”- privatesia dhe individualiteti i tyre, pavaresisht prinderve te njohur; klikat; protokolli i komunikimit sipas klaneve te caktuar qofte ekonomik, politik etj. Pra fenomene e struktura sociale qe per nenstrukture nuk kane domosdoshmerisht ate shprehje te pafajshme.

        1. Monda, nuk kam asnjë problem me interpretimin.

          Duhet të sqaroj, megjithatë se unë artikullin e kam shkruar për të argumentuar një lidhje që ekziston, sipas mendimit ose hipotezës sime, midis dukurisë A (pyetjes “i kujt je?” që i bëhet fëmijës) dhe dukurisë B (nepotizmit galopant në shoqërinë shqiptare).

          Tani, fare mirë mund të ndodhë që unë të mos kem qëlluar në shenjë ose të mos e kem mbështetur dot mirë hipotezën. Vetëm se argumenti im nuk mund të kundërshtohet me kundërargumentin se dukuria A dhe dukuria B janë dy gjëra të ndryshme; meqë nuk mund të kundërshtohet një argument me anë të premisës mbi të cilën mbështetet (pikërisht ngaqë A dhe B janë të ndryshme, atëherë ka interes të shihet nëse ka ndonjë lidhje mes tyre apo jo).

          1. Xhaxha, bazuar mbi artikullin, dhe bazuar mbi sqarimet e tua ajo qe po diskutohet ketu eshte a) deduksionet e nxjerra nga dukuria e pare a jane faktuale e si te tilla, nuk kane nevoje te analizohen gjate, apo b) jane interpretime qe mund dhe s’mund te qendrojne.
            Per dukurine e dyte biem dakort qe eshte faktuale dhe s’po diskutojme vertetesine e saj. (Si bonus diskutimi a shkembim idesh, mund te thuhet qe nqs shkohet me tej dhe anatomizojme dukurine e dyte mund ta arrijme ne konkluzione te ndryshme me ato te artikullit.)
            Pra lidhja qe kerkohet e qe eshte argumenti baze i artikullit nuk eshte thjesht krahasimi i dukurive, por deduksionet e te pares, me dukurine tjeter.
            Per me teper, konkluzioni i artikullit nuk mjaftohet vetem me nese kane lidhje apo jo keto dukuri, por edhe me “call for action,” specifikisht revoltimi i femijes.

            Kjo sa per fjaline ne bold (meqe ra fjala, jam ne disavantazh se nuk e di si behen ne bold fjalite ne PTF.) : )

  3. Nuk më duket se do shumë mend për t’u kuptuar se, pas pyetjes shpesh të pafajshme ‘i kujt je?’, në një një shoqëri të rreshtuar fort sipas dasive klanore dhe tribale si e jona, fshihet natyrshëm kurioziteti për të kuptuar dhe konfirmuar pikërisht koordinanat klanore, fisnore dhe tribale.

    Shoqëria shqiptare, jo vetëm e trashëgon tradicionalisht këtë strukturë të theksuar tribale dhe klanore, por e ka mirëmbajtuar atë edhe në kontekstin e historisë moderne nëpërmjet luftës civile së klasave.

    E mirëkuptoj plotësisht alergjinë që krijohet nga pyetje të tilla, në dukje të pafajshme, por sinqerisht aspak të tilla.

    Personalisht kam zhvilluar një alergji të ngjashme me atë për të cilën dëshmon Xhaxhai, dhe këtë që në moshë fare të vogël me pyetje të tipit, ‘ku po shkon?’ dhe ‘ku ishe?’.

    Pyetje të tilla, të cilat edhe sot kanë meritën të më nxjerrin krejtësisht nga shinat, detyrohem të theksoj se i ham hasur vetëm në kontekstin shqiptar megjithëse më se gjysmën e jetës e kam përshkuar larg këtij konteksti.

    Dertyrohem gjithashtu të them se, kurrë, asnjëherë dhe në asnjë rrethanë nuk më janë drejtuar këto pyetje nga ndonjë anëtar i familjes në këtë formë.

    Familja sigurisht ka dhe duhet të ketë rregullat e saj të funksionimit, por kjo nuk justifikon mungesën e taktit dhe të delikatesës.

    Mbi të gjitha, është shumë e rëndësishme që njeriu, edhe kur është i ri, ndaj të cilit kontrolli është i natyrshëm, të mundohet të imponojë aq respekt tek anëtarët e tjetrë të familjes pikërisht që të shmagë pyetje të tilla fyese.

    Megjithatë, pyetje të tilla, me gjithë stërmundimin tim për t’u treguar i ftohtë dhe distant, nuk munda kurrë dot t’i shmang jashtë kontekstit të familjes.

    Kushdo, në çdo moment, sado pak i njohur prej meje dhe sidomos nëse vetëm pak i njohur, i jepte dhe i jep vetes të drejtën të pyesë pa teklif, ‘ku ishe?’, ‘paske dalë kështu?’, ‘për ku kështu?’, ‘po del, e?’, ‘e ku ishe?’, ‘ku po shko?’, ‘për ku je nis?’, ‘nga po vjen?’, ‘kur paske dalë se s’të pashë kur dole?’, ‘paske ardhë se s’të pashë kur hyre?’- një torturë kjo e mirëfilltë psikologjike, së cilës jam munduar t’i bëj ballë me gjithë panelin e përgjigjeve më evazive.

    Në një shoqëri, në të cilën kultura qytetare e përmbajtjes, intimitetit, masës apo marifetit është minoritare në raport me shumicën dërrmuese të shoqërisë, dhe sidomos në kushtet e një shteti policor që e mirëmbante dhe inkurajonte mungesën e gjithë elementëve të mësipërm për ta inkuadruar shoqërinë në një gjendje të përhershme alarmi dhe tensioni, pyetje të tilla, të cilat në gjendje normale paqeje sociale do të cilësoheshin të paktën si kuriozitet i tepruar, në kontekstin shqiptar kanë mundur tashmë të penetrojnë dhe sistemohen si normë kulturore.

    Ndërkaq, kjo nuk do të thotë aspak se fenomeni është normal, i pafajshëm apo i padëmshëm.

    Ndërkaq që deri pardje ai mund të ketë fshehur pas tij mentalitetin e një shoqërie konservatore kryesisht rurale, dje ai u shndërrua në një fenomen shoqërie policore dhe mjet kontrolli fizik dhe psiqik për shumëkund.

    1. …” Paragjykimi eshte banka e pergjithshme dhe kapitali i kombeve, dhe epokave, dhe ai eshte superior ndaj arsyses individuale, e cila eshte e vogel ne krahasim me te. Paragjykimi eshte i gatshem per tu perdorur ne rast nevoje; prej kohesh ai e angazhon mendjen ne rrugen drejt mencurise dhe virtytit, dhe nuk e le njeriun te jete hesitues, skeptik, i coroditur e ne medyshje, ateher kur atij i duhet te vendose. Paragjykimi e kthen virtytin e njeriut ne zakon…. Shoqeria ne te vertete eshte nje kontrate, por ajo eshte nje partnership jo vetem midis te gjalleve, por midis atyre qe jetojne, atyre qe kane vdekur dhe atyre qo do te lindin…”

  4. Më kujtohet një intervistë e Inva Mulës, e cila pyetjes se pse e kishte lëshuar Shqipërinë, pak a shumë i përgjigjej se kishte dashur të ishte vetvetja dhe atë luks nuk e kishte pasur në Shqipëri duke e quajtur të gjithë si vajza e Avniut.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin