Shumëkush do ta ketë ndjekur, ose të paktën do të ketë dëgjuar diçka për zonjën Sakineh Mohammadi Ashtiani, e cila ëshë dënuar me vdekje në Iran dhe mund të ekzekutohet këto ditë.
Arsyet e dënimit të saj nuk janë shumë të qarta: tradhti bashkëshortore, për disa; bashkëpunim në vrasjen e të shoqit, për disa të tjerë – edhe njëra edhe tjetra të dënueshme me vdekje në atë vend.
Çfarë ka tërhequr veçanërisht vëmendjen e opinionit publik anembanë botës është jo aq dënimi me vdekje i një gruaje, sesa mënyra e ekzekutimit të dënimit: mbytje me gurë.
Burra shteti, intelektualë, klerikë të lartë, artistë të mëdhenj dhe celebrities i kanë kërkuar autoriteteve në Iran që t’ia falin jetën zonjës Sakineh, duke shprehur njëkohësisht tmerrin për formën e dënimit.
Edhe shqiptarët nuk kanë mbetur prapa.
Në një kolonë në “Shekulli”, profesori i filozofisë Ardian Ndreca pyet që në titull: Pse heshtin miqtë shqiptarë të Iranit për Sakinehin?
Për autorin, dënimi i mbytjes me gurë është barbar dhe i papranueshëm në vetvete; por në këtë shkrim vala e zemëratës së tij drejtohet jo aq kundër autoriteteve të Iranit dhe metodave të tyre, sesa … kundër atyre shqiptarëve që bashkëpunojnë me shoqatat dhe fondacionet kulturore iraniane në Shqipëri.
Shkruan Ndreca:
Ajo që të ban përshtypje asht se në Shqipni ka shoqata kinse kulturore iraniane (nji vend që mbyt gratë me gur s’mendoj se mund të eksportojë kulturë) ku militojnë intelektualë të njohun e të paguem mirë prej shtetit iranian, zadhanës të të cilit ata janë.
“Mercenarë”, i quan këta njerëz autori; intelektualë mercenarë të regjimit të Ahmadinexhadit.
Ndreca nuk mjaftohet me kaq: u kthehet pastaj “grave të impenjueme” në politikë, të cilat:
do të ishte mirë që të sakrifikonin pak nga koha që i kushtojnë shoppingut, floktoreve, manikyrave e telenovelave për me thanë diçka mundësisht me mend në favor të Sakinehit, e cila pret në nji qeli të Teheranit orën e ekzekutimit makabër.
Si dhe Ministrisë së Jashtme, për të cilën:
Do të ishte me interesë me dijtë nëse Ministria e Jashtme e jona ka përgatit nji notë për me ia drejtue Iranit?
Në fakt, një notë e tillë do të tingëllonte sa hipokrite, aq edhe formale, meqë dihet që qeveritë në Tiranë nuk merren me këto punë, në qoftë se nuk ua urdhëron kush.
Shto këtu edhe faktin që, në protestat dhe peticionet dhe ndërhyrjet për fatin e zonjës Sakineh, ka një element të fortë ekzibicionist, nga ana e të gjithë atyre figurave mediatike dhe shtetarëve të cilët kanë gjetur, në fatin e kësaj gruaje dhe mënyrën si po e trajton regjimi i Teheranit, një mënyrë për të shpëtuar shpirtin e për t’u ndier të moralshëm, madje të virtytshëm.
Këtyre pozicionimeve u ka dalë tashmë boja.
Në vitin 2009, Shtetet e Bashkuara dënuan 52 vetë me vdekje, prej të cilëve 51 u ekzekutuan me injeksion letal (burimi këtu). Nuk kam dëgjuar as parë gjëkundi Ndrecën dhe shokët e kolegët e tij, t’i kërkojnë qeverisë shqiptare të shkruajë nota proteste kundër administratës amerikane, as t’i nxitin me fjalë të ashpra intelektualët shqiptarë që militojnë në shoqatat, fondacionet dhe institutet e kulturës amerikane.
Do të më thonë: këtu nuk është fjala te dënimi me vdekje, por te mënyra veçanërisht makabre e ekzekutimit: mbytja me gurë. Sikur Irani ta vriste të mjerën Sakineh duke e zhytur në një vaskë me plutonium, ose duke e ngrirë me azot të lëngshëm, ndoshta protestat do të ishin ripërmasuar.
Çuditërisht, ky lloj arsyetimi më bashkëtingëlloi me një lajm që lexova sot, për një grup evangjelistësh evangjelikanësh të krishterë në Florida, të cilët po bëhen gati të djegin kopje të Kuranit, në përkujtim të 11 shtatorit 2001.
Komandanti i forcave të NATO-s në Afganistan, gjenerali David Patraeus, tha me këtë rast, se Kurani nuk duhej djegur, meqë një akt i tillë mund të vinte në rrezik jetët e ushtarëve amerikanë në Irak, në Afganistan dhe gjetiu.
Me fjalë të tjera, sikur të mos rrezikoheshin jetë ushtarësh amerikanë, djegia e këtij libri do të kish qenë më se e pranueshme.
Nga ana tjetër, dëgjoj se burime diplomatike të Iranit e kanë mohuar që Sakineh Ashtiani do të ekzekutohet me gurë, lajm relativisht i mirë për të gjithë ata që identifikohen me vetëdijen etike të globit, ose të paktën të Perëndimit.
Pakkush beson se kësaj gruaje i është dhënë mundësia, në Iran, që të mbrohet ndaj akuzave për të cilat është dënuar, madje edhe brenda kornizës ligjore të atjeshme; thuhet se ajo madje nuk kupton fare farsi, meqë i përket pakicës azerbaixhanase në atë vend. Nuk ka dyshim, nga ana tjetër, se sistemi juridik i Iranit, nga pikëpamja jonë e qytetërimit perëndimor, është barbar dhe antihuman; dhe se regjimi i Teheranit, i egërsuar edhe nga lufta e ftohtë me Perëndimin dhe veçanërisht ShBA për çështjen e përdorimit të energjisë bërthamore, është kapur peng i budallallëkut dhe i paranojës dhe i fanatizmit fetar dhe i histerisë së turmave.
Megjithatë, vështirë të mos mendosh se kjo fushatë korale për të shpëtuar zonjën Sakineh nga mbytja me gurë është shfrytëzuar – instrumentalisht deri në neveri – nga të gjitha ato palë që duan me çdo kusht ta trajtojnë Iranin si mishërim të së keqes në Lindjen e Mesme, duke qëmtuar, ndër të tjera, edhe pretekste melodramatike për t’ia dërguar avionët bombardues e për të hapur një front të tretë lufte pikërisht në atë rajon ku Perëndimi ka dhënë një grosh për të hyrë në valle, e po jep tani njëqind, por nuk po del dot.
Shto këtu edhe të gjithë ata personalitete globale që nuk jetojnë dot, pa u pozicionuar ndaj një cause célèbre të momentit; dhe që e kanë bërë të vetën narrativën sentimentale, pothuajse lotsjellëse, të një gruaje që do të dënohet me vdekje, madje duke u mbytur me gurë, ngaqë tradhtoi të shoqin.
Por në këtë mes nuk ka vend – besoj unë – që të lahen hesapet me kolegë të ndryshëm, të cilët kanë pranuar fonde dhe honorare nga fondacionet e kulturës iraniane në Shqipëri. Jeta e një gruaje nuk duhet ngatërruar me pisllëqet e brendshme të Tiranës dhe shitblerjet ose prostitucionin intelektual, i cili – siç dihet botërisht – ushtrohet nga të gjitha krahët dhe drejtimet, jo vetëm në krevatet e iranianëve parallinj.
Pajtohem me të gjitha pikat kyçe të kritikës. Një përjashtim të vogël megjithatë e kam: tejinterpretimi i thirrjes së Komandantit të forcave të NATO-s në Afganistan. Së pari, gjenerali nuk thotë që djegia do kishte qenë më se e pranueshme nëse nuk do të rrezikoheshin ushtarët. Një gjë të tillë s’ia nxjerr dot as nga intervista e plotë në WSJ. Së dyti, ai e ka për detyrë të përkujdeset për ushtarët e vet, prandaj fokusi i deklaratës së tij nuk çuditë. Së treti, sinqerisht, mua personalisht as diegja e kuranit as e biblës nuk më shkaktojnë ndonjë kokëdhimbje të madhe përderisa kryhen nga pakica të parëndësishme e jo nga pushtetmbajtësit.
Përndryshe pohimi i Ndrecës që “nji vend që mbyt gratë me gur s’mendoj se mund të eksportojë kulturë” është pikëllues, në veçanti kur është i thënë nga një profesor filozofie i cili do të duhej të bëjë dallim në mes koncepteve ‘vend’ dhe ‘shtet’. Ai që i mohon kulturë Iranit ose popullit të Iranit, ai së pari e qet në pah cektësinë e vet kulturore.
Ika tash, më mbeti në gjysmë ‘The Life of Brian’… Stone, sir?
P.S. Dhe një korrigjim tjetër: pjestarët e grupit nga Florida nuk janë evangjelistë po evangjelikanë (krahaso evangelism vs evangelicalism).
Në fakt, unë besoj se Petraeus, që mbetet burrë me mend, ka frikë edhe ai nga e djathta e skajshme në ShBA, e cila dita-ditës po i sjell në mainstream budallallëqet e veta pa fund, duke filluar nga islamofobia. Ai e ka të qartë, gjithnjë besoj unë, se argumenti që librat i djegin pikërisht ata me të cilët gënjejmë veten se po luftojmë, kur djegim Kuranin, është i papranueshëm për miletin e Sarah Palin-it.
Falemnderit për korrigjimin e termit (evangjelikanë, jo evangjelistë), të cilin besoj më lejon ta bëj edhe në shkrimin kryesor.
Wikileaks sapo njoftoi se zonja e parë e Francës, Carla Bruni, është angazhuar intensivisht në bisedime super të fshehta me autoritete të larta të Teheranit, për ta shkëmbyer gruan e burgosur iraniane Sekine me Roman Polanskin.
Denimi i nje gruaje ne nje menyre te tille, per mua, do te justifikonte cdo lloj hipokrizie, prostitucioni diplomatik e politik, histeri apo ku ta di une cfare. Bota te perkryer ne cdo aspekt te saj nuk mund te kete. Ndoshta edhe keto iniciativa “dashamirese”, sado me standarte te dyfishta te jene ne raport me fenomene te tjera te denueshme anembane globit, mund te sherbejne si nje pjese e procesit te ndergjegjesimit te shoqerive te botes ne te cilen jetojme. Xha xha, analiza juaj eshte e drejte, por sot ajo grua Iraniane ka nevoje te jetoje dhe drejtimi i gishtave ndaj mekatareve dhe mediokreve nuk e ndihmon viktimen.
Gjithsesi e shoh si dicka koti, te rendomte, pa vlera fare perfshirjen e Shqiperise, institucioneve, apo figurave fetare te vendit ne kete ceshtje. Ky eshte cmimi i te qenurit nje shtet i vogel me reputacion poshte zeros.
Brenda atij sistemi ne te cilin ndodhet, denimi kapital eshte i justifikuar. Nqs kaloresit e Shenjterise te Bukurise, duan ti hapin lufte kalorseve te Bukurise te Shenjterise, le te gjenje nje ‘casus belli’ tjeter.
Histori e vjeter Persesh dhe Grekesh (sot te quajtur Petraeus)
Qafir Arnaut
e ke gabim. E drejta e dikujt për të jetuar i kapërcen dot për nga natyra kufijtë e një sistemi për të paktën dy arsye themelore:
1.
E drejta për të jetuar është një e drejtë themelore, e cila për nga natyra ka një karakter absolut. E drejta për të jetuar buron nga e drejta natyrore, që është një lloj e drejte e vetëkuptueshme. Në teori, por edhe në përgjithësi në praktikën e πerditshme këto lloj të drejtash merren si të mirëqena. Dikush beson se burojnë prej Zotit. Dikush tjetër ja gjen rrënjë në kontratën e parë sociale të shoqërisë së organizuar në formë të civilizuar. Sidoqoftë, e drejta për të jetuar duket të jetë edhe e drejta e parë e njeriut të parë. Disponimi mbi këtë të drejte nga perspektiva e pushteti publik që i atribuon vetes të drejtën për të vrarë është diçka që në një shoqëri civile duhet vëne të paktën në pikëpyetje. Në rastin më të skajshëm shoqëria mund të kërkojë dot vetëm vrasjen e vrasësit. Çdo vrasje tjetër dhunon të drejtën bazë, atë të jetesës dhe kështu ka prishur rëndë rendin normal të gjërave.
2.
Arsyeja e dytë është diçka më sipërfaqësore. Një sistem i padrejtë që vret në emër të ligjshmërisë së vet kryen një padrejtësi. Për t’i rënë tmerrësisht shkurt: vrasjet e Stalinit, Enver Hoxhës, nazistëve. Të gjitha ishin në rregull brenda sistemit të tyre. Ç’thua ti? T’i gjykojmë gjë si normale këto krime?
Jam kurioz te di nqs do behej kjo zallamahi sikur Shekineja te ish burre. Per mua eshte e qarte qe protestimet ndaj denimit ligjor (sheriatik, talmudik, abrahamik ..whatever) te nje femre jane nje subversion i sistemit anti-imazh islamik prej partizaneve te kultit te imazhit. Perndryshe nuk kishin per te zgjedhur nje femer si simbol. Thjesht mund t’u kishin kerku llogari te tipit “pse s’vishni kollare mer dreqer”
“Brenda atij sistemi ne te cilin ndodhet, denimi kapital eshte i justifikuar.”
Mjafton kaq qe ti shnderrosh gjithe te “pabindurit” ndaj nje shteti totalitar kriminel, ne kriminel te pabindur ndaj nje shteti totalitar.
Llogjike ordinere !
Irani nuk eshte shtet totalitar por nje teokraci paksa demokratike nen kujdesin e ‘juristeve’. As mund te krahasohet niveli i lirise i Teheranasve te sotem me Tiranasit e djeshem. Shekineja po instrumentalizohet per efekt ideologjie dhe asgje me teper.
“Shekineja po instrumentalizohet per efekt ideologjie dhe asgje me teper.”
Nga instrumentalizimi i Shekinese deri tek justifikimi i denimit kapital me argumentin e sistemit, ka nje kapercim llogjik te madh, teper te madh per tu quajtur thjesht gafe.
Nuk e kisha vene re shkrimin e A.Ndreces per gurezimin iranian tek “Shekulli”, por dite me pare pashe nje leter nga i mirenjohuri Paul Tedeschini po ne kete gazete, po per kete teme, shkruar po me te njejtin dialekt.
Citoj nga letra:
“Nga të gjitha anët e botës së përparueme po bëhen protesta kundër mbytjes shtazarake mesjetare me gurëzim (mbytjes me gur) të gruas iraniane, Sakineh Mohammadi Ashtiani. (…)
Të gjithë shqiptarët me të drejtë kanë kërkuar dhe kërkojnë edhe sot mbrojtjen e të drejtave të Njeriut për vete, siç ishte rasti i genocidit të kosovarëve nga kriminelët ekstremistë serb, por njëkohësisht duhet që edhe na të japim kontributin tonë për mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut të atyre që sot janë në po ato pozita, siç ishim na gjatë kohës së diktaturës kriminale komuniste apo gjenocidit serb. (…)”
http://www.shekulli.com.al/2010/09/03/edhe-shqiptaret-kunder-vrasjes-se-sakineh-ashtianit.html
Nuk eshte hera e pare e as e dyta qe Ndreca apo edhe Tedeschini shkruajne letra per Iranin. Kane shkruar edhe per Turqine, Arabine me pare. Shenimet e tyre per Lindjen e Mesme, ne fakt i bashkengjiten si footnote nje opusi me te gjere te shkrimtarise se tyre kritike ndaj muslimaneve shqiptare, ku karakteristika me pikante eshte reduktimi i muslimaneve vendalinj ne pasardhes aziatikesh, si edhe mveshja atyre e gjithe meritave te diktatures komuniste. Ne kete rast edhe vemendja ndaj Iranit, per te cilen na therrasin sot keta autore, rikuperohet ne funksion te kauzes.
Kur Ndreca kerkon distancim ndaj Iranit zyrtar prej rrogetareve shqiptare te po ketij Irani, ai harron dicka te vockel: personazhe si Shaban Sinani, drejtues i revistes shqiptaro-perse “Perla”, por edhe bashkepunetore te tjere te fondacioneve kulturore iraniane ne Tirane si Jorgo Bulo me shoke te tjere te vjeter te idealit, nuk jane distancuar nga Irani edhe ne dite me vendimtare se kjo, kur Xhorxh Bushi shpallte aksin e te keqes, e si mund te tronditen tani?
Revista “Perla” dhe fondacionet iraniane ne Tirane sherbejne nder te tjera si infrastrukture kulturore per bektashizmin dhe vlera strategjike e tyre perballe alarmeve te Islamit sunit ne vend, nuk tronditet dot nga shantazhe te pergjithshme morale, qofte edhe nga te A. Ndreces. Pa ndonje mbeshtetje apo drite te larget dhe te larte jeshile, nuk kishin per te guxuar akademiket tane te partishem t’i rreshtoheshin me tej listave honorare te fondacioneve te Republikes Islamike. Shaban Sinani, nje apologjet pa kushte i Kadarese eseistik-po aq sa Ndreca- ne debatin e identitetit europian, i kushtoi jo nje artikull si gjithe kuadrot e tjera, por plot dy refuzimit te Rexhep Qosjes. Ne faqet e “Perles” ai meton se ne dallim nga bejtexhinjte e degjeneruar te ndikuar nga osmanet, Naim Frasheri u mbeshtet direkt ne klasiket perse, qe nuk duhet harruar se ishin edhe ariane. Ne faqet e revistes “Perla”, shkrime te ndonje fundamentalisti iranian, qe pretendon se shqiptaret nuk e kane njohur ndonjehere “Islamin e vertete” (kupto shiizmin), gershetohen natyrshem me shkrime te intelektualeve vendas qe perkujtojne luften e perbashket te shqiptareve dhe Safaviteve “iraniane” kunder osmaneve.
Po te kishte pasur me teper gjeresi, pra po te shihte pak pertej ideolektit te vet tribal, Ndreca do ta kuptonte se praktikisht koleget e tij te paguar nga Irani, mbushin pak a shume katrore te perbashket ne te njejtin grafik.
”’Revista “Perla” dhe fondacionet iraniane ne Tirane sherbejne nder te tjera si infrastrukture kulturore per bektashizmin dhe vlera strategjike e tyre perballe alarmeve te Islamit sunit ne vend”’
Te bukur sherbim qe bekan, perkujtojne lufterat heroike shqiptaro-safavide kunder osmaneve sunite.
Paskemi heronj ne lufterat fetare mes myslymaneve, hajde u ngreme ndonje permendore qe tu vije plasja suniteve.
Sa i trashe qenka Ndreca, nuk e kupton ai qe katolike e bektashinj kane te njejtin objektiv anti-sunit.
Shpresoj qe te jete ndonje parodi e ambjentuar ne qarqet intelektuale te vitit 1850.
Ndreca, pak a shume si po thoshte qafiri eshte pjese e instrumentalizuesve, Perendimi ushtroi soft power ndaj Iranit dhe Irani perkohesisht u terhoq.
A eshte mire te instrumentalizohet Shekineja ? Asaj si vjen aspak keq nese i shpeton jeten.
Edhe bota merr fryme me lirshem nese soft power ka efekt te Irani sepse tregon qe Irani luan bllofin.
Ndreca dhe Karla Bruni e bene detyren e tyre si perendimore.
Ndreca ka te drejte kur u thote grave te emancipuara hidhuni ca prisni.
Persa i perket shtetit shqiptar eshte mire te mos nderhyje fare ne punet e jashtme qe lidhen me islamin, por perderisa ka derguar ushtare ne Irak e Afganistan, nuk ka kuptim te heshte.
Kjo heshtje eshte anormale, duhet gjetur shkaku.