E MAJTA QË HESHT

Siç mund të merret me mend, Nënë Tereza murgeshë katolike dhe misionare është figurë e pozicionuar shumë fort ideologjikisht, pavarësisht nga profili i saj etik dhe historia e saj personale.

Për shkak të qëndrimeve të saj, të bëra të ditura botërisht, atë zakonisht e mbajnë për katolike ultra-konservatore dhe krejt të konformuar me rendin social patriarkal që mishëron vetë Kisha Katolike.

Brenda kësaj Kishe Nënë Tereza është pozicionuar rregullisht si konservatore.

Në këto rrethana, mund të pritej, me arsye, një farë kundërshtimi ose së paku rezervimi, nga ata shqiptarë që nuk identifikohen dot me pozicionet ideologjike të Nënë Terezës –të majtët, anti-klerikalët, ateistët, anti-katolikët dhe veçanërisht lëvizja feministe.

Kur më ka qëlluar të shkruaj ndonjëherë, bie fjala, për krimet e Leninit ose të Maos, këta të majtë, sipas rastit revolucionarë, nostalgjikë ose edhe vetëm progresistë, më janë hedhur në fyt, më kanë qortuar ose kanë përdredhur buzët.

Jam kurioz të di se ç’mendojnë këta kolegë për Nënë Terezën murgeshë katolike, konservatore, patriarkale, anti-feministe: a e kanë përqafuar këtë vallë si role model për gruan shqiptare, nënën dhe motrën?

Apo si elitistë të rafinuar, ia falin kallaballëkut lektisjen pas një ikone fast food?

Njerëz që bëjnë be për Che Guevarën, për të mos përmendur Roza Luksemburgun dhe Krupskajën, nuk i shoh të shprehen gjëkundi për identifikimin e papritur, masiv, të masave punonjëse (revolucionare) me figurën krejtësisht jomarksiste të Gonxhes…

Ka edhe më… Kujt ka kohë që frekuenton lista debatesh në Internet, do t’i kujtohen përplasjet e disahershme, edhe të miat, me një grup kompakt dhe energjik feministesh, që të marrin gjak në vetull për kauzën e tyre.

E kam fjalën për të gjitha ato kolege, të cilat rregullisht ngrenë zërin kundër patriarkalizmit shqiptar dhe nuk lënë rast pa treguar madje provuar sa të çliruara janë ato vetë dhe çfarë misionaresh të feminizmit gjithashtu janë.

I përshëndes dhe u ofroj gjithnjë solidaritetin dhe ndihmën time të pakursyer, edhe pse feminizmin unë përgjithësisht e vështroj me dyshim të madh.

Por e pranoj se këto kolege dinë shumë më tepër për çështje që unë edhe nuk kam nisur t’i gërvisht ende; sikurse e pranoj se patriarkalizmi ende po e torturon shoqërinë shqiptare, në mos si kancer, të paktën si zgjebe.

Vetëm se… çudi, çudi. Ja një ikonë e përkryer e qëndrimit ultrakonservator të Vatikanit ndaj femrës në përgjithësi dhe feminizmit në veçanti; Mother Theresa, një murgeshë që, kur mbajti fjalimin e vet në Oslo, me rastin e marrjes së Nobelit, e quajti abortin “the greatest destroyer of peace” (“shkatërruesin më të madh të paqes”).

Dhe kjo nuk ishte vetëm formulë retorike, për të shkundur audiencën; por një pohim i menduar mirë, i llogaritur mirë; sepse Nënë Tereza ishte e sigurt në bindjet e veta dhe nuk ngurronte t’i afirmonte me forcë para të fuqishmëve.

Tani, unë kam ndeshur në feministe – shqiptare – që më kanë kundërshtuar me forcë, madje me zemërim, kur jam përpjekur dikur të provoj, pa shumë sukses, se feminizmi e ka futur gruan perëndimore në rrugë pa krye, duke e armiqësuar me burrin.

Këto kolege, të përgatitura mirë, të ngeshme dhe të shkathëta nga goja, kanë pa dyshim pikëpamje për abortin dhe gruan që nuk pajtohen gjëkundi me metaforat e frikshme të Nënë Terezës.

I shoh të shkruajnë shpesh dhe mirë; të artikulojnë mendime për çështje të larmishme, me siguri dhe forcë bindëse.

Mirëpo për adhurimin zyrtar që po i bën Shqipëria një figure e cila e konsideron abortin – këtë fitore me të cilën feminizmi mburret me të madhe – si “shkatërruesin më të madh të paqes në botë” (dhe e thotë këtë pikërisht në momentin kur merr Nobelin për Paqe, thuase ia dhanë çmimin për impenjimin e saj kundër abortit), pra për këtë dukuri kolektive, masive të adoptimit pa kushte të një figure si Nënë Tereza – sa të virtytshme, aq edhe ideologjikisht të pozicionuar – këto kolege feministe nuk i kam dëgjuar të bëjnë as gëk, as mëk.

Pyes pse ndodh kjo? U konvertuan edhe këto kolege në motra dhe shkuan t’u mbajnë ballin e t’u lexojnë Ungjillin të sëmurëve të botës së tretë, e t’u mbushin mendjen vajzave qyqare me barrë që ta zëvendësojnë dëshirën për abort me dashuri të pakufishme për fëmijën dhe Jezuin?

Vështirë ta thuash.

Po radikalëve të majtë, revolucionarëve, maoistëve, leninistëve, bolshevikëve dhe menshevikëve, ateistëve, anarkistëve, anarko-sindikalistëve, antiklerikalëve, rrobespierianëve, gijotinistëve ku u humbi zëri dhe afshi polemizues?

Heshtin edhe këta. Të kenë përqafuar vallë doktrinën e kërshtenë dhe të kenë vendosur t’i kthejnë armikut faqen tjetër?

Vështirë të thuash.

Apo presin derisa të prononcohet Zhizheku për këtë punë?

Një mendje e keqe më thotë se e majta radikale shqiptare, duke futur këtu edhe feminizmin, po hesht në mënyrë taktike; ose, vetëm ngaqë ka frikë të kundërshtojë vullnetin e masës, e cila i duhet për të kryer, më pas, revolucionin.

Një mendje tjetër, përsëri e keqe, më thotë se e majta radikale shqiptare nuk arrin ta kuptojë kontradiktën midis heshtjes së tyre bashkëfajtore të tanishme dhe pozicionimit të tyre kundër dregëzave patriarkale-mesjetare të shoqërisë shqiptare.

Më në fund, mund të supozohet edhe se të gjithë këta (dhe këto) nuk e kanë seriozisht pozicionimin e tyre; dhe nuk arrijnë të kuptojnë se nuk mund të jesh treçerekun e vitit, bie fjala, feministe e vijës së parë, dhe një çerekun që mbetet të ndërtosh albume fotografike të Nënë Terezës në Facebook.

Hipokritë? Burracakë? Klounë? Kurrsesi jo. Do të kenë arsyet e tyre – ndoshta Marksi vetë do ta kishte shpjeguar dyzimin, ose në mos Marksi, të paktën Maoja, që i shpjegonte të gjitha. Por unë ende nuk mundem.

Unë vetëm di se Nënë Tereza, me gjithë pamjen e saj prej gjysheje arbërore prehistorike me duar të ashpra prej korali, ishte dhe mbetet, në llojin e vet, po aq luftarake dhe po aq “e rrezikshme” sa Che Guevara, në misionin hyjnor që i kishte vënë vetes.

Përqafimi i saj univok nga publiku shqiptar anembanë, ose është pa kuptim, i zbrazët, i llojit idhujtar; ose lyp një impenjim të caktuar, në drejtimin etik të treguar dhe të mishëruar prej saj – bamirësi, përulësi, mëshirë, respekt për vuajtjen dhe, sidomos, respekt për jetën; respekt për autoritetin.

Unë, që nuk jam as katolik, as revolucionar, e gjej relativisht të pranueshëm misionin dhe gjakimin e Nënë Terezës në Indi e sidomos virtytin vetëmohues dhe përkushtimin ndaj Tjetrit; edhe pse me qëndrimin e saj ndaj abortit nuk pajtohem dot. Megjithatë, pozicioni im ndaj abortit ka vetëm vlerë relative – meqë aborti është para së gjithash dramë e gruas ose e vajzës që dëshiron ose duhet të abortojë.

Prandaj edhe gruas i takon të flasë, në këtë rast.

Po e përfundoj me një paragraf nga një koment i L. Kodrës dje, që më vuri në mendime:

mua reagimi i Shqiptareve me duket reagim normal. Cdo familje eshte krenare nese nga gjiri i saj del nje njeri me cilesite e Nene Terezes. Cdo grup identitar te cilit Nene Tereza i perket, Indianet, Katoliket, Shqiptaret, Maqedonasit, eshte normale qe do ndjehen krenare per te. Ketu besoj duhet te filloj argumenti. Abuzohet? Po. Propagande totalitare? Nuk e shoh.

Për mua, fakti që L. Kodra, i cili gjetiu është pozicionuar rregullisht si radikal, duke flirtuar herë me Leninin e herë me Maon, për të mos përmendur emra të tjerë; dhe që është përfshirë, historikisht, në një diapazon jashtëzakonisht të gjerë debatesh; L. Kodra që dialektizon mjeshtërisht deri edhe një temë për një ndeshje futbolli ose për foljet e parregullta të shqipes, nuk arrin të thotë gjë për ideologjinë që përfaqëson Nënë Tereza si ikonë panshqiptare, por mjaftohet me një “çdo familje është krenare nëse nga gjiri i saj del një njeri me cilësitë e Nënë Terezës” – për mua pikërisht ky fakt tregon se trysnia për t’u konformuar, në rastin konkret, ka marrë përmasa totalitare, duke ua mbyllur gojën dhe kritikën, ndër të tjera, edhe grupeve e individëve përndryshe haptazi antikonformistë, anti-establishment dhe radikalë të vendosur.

Një arsye më tepër, kjo, për ta admiruar Gonxhen, si kryeshenjues (master-signifier) të post-lakanianëve të logosferës shqip?

Nuk ka komente

  1. Ka nje misnomer ne kete artikull, per te qene ekzakt: “figura krejtesisht (termin krejtesisht do kisha deshira ta theksoja me shkronja korsive, apo dhe me fort, edhe me bold, por nuk di) jomarksiste e Gonxhes.” Une personalisht nuk do te isha ne gjenjde ta evidentoja figuren krejtesisht marksiste te Gonxhes me mire se ce ke bere ti vete ne artikullin e meparshem, “Cila Gonxhe?” Madje, ne vazhde te atij artikulli, dhe jo thjesht per retorike, do te te pyesja, “Cila Gonxhe eshte krejtesisht jomarksiste?” A thua se ne gjithe kete kopsht, nje gonxhe qe nuk eshte krejtesisht jomarksiste nuk mund te kete celur.

    Ne lidhje me abortin, le te mos pretendojme se i kemi mbajtur pishtarin, gjithsesi, pavaresisht besimit te shprehur prej saj ne lidhje me abortin si shkaterruesi me i madh i paqes, une ftoj Xhaxhain dhe skeptikun me te madh qe mund te gjendet, te spekulloje se Nene Tereza (ajo Nene Tereze qe pershkruhet po tek artikulli “Cila Gonxhe”) mund t’i kete treguar deren nje vajze ne hall thjesht dhe vetem per arsye se kjo vajze mund te kete abortuar dikur. Aq me teper qe konteksti ku behet ky pohim, eshte edhe institucional, e i shoqeruar me nje histori alegorike ku behet e qarte se “dera nuk tregohet.” Po t’i bejme nje lexim tangent, si dhe ne fakt jane fjalimet e kompresuara me rastin e marrjes se nje cmimi, mund te gjejme se shkaterruesi me i madh i paqes mund te mos jete thjesht aborti, por shtysa institucionale apo edhe ideologjike per te abortuar.

    Por le te mos behemi cinike. Une nuk kam asnje lloj opinioni ne lidhje me abortin. Nuk mundem. It’s too overwhelming. E shumta jam malthusian i moderuar: me shume njerez = me shume uri. Jam dakord qe eshte zgjedhje e nenes. E kuptoj qe “pro-choice” eshte nje pozicion liberal i konsoliduar, pavaresisht nese behet fjale per te drejten per te zgjedhur mes te qenit nene ose te qenit femer, (a thua se vertete ka ndonje dallim, a thua se vertete nena ime nuk eshte femer), apo nese behet fjale per te drejten per te zgjedhur pepsi ose cola, (a thua se vertete ka ndonje dallim). I perzgjedhur per debat si kuader i larte i radikalizmit chic, me duhet te them se cfaredo liberalizmi, cfaredo pro choice, eshte shkaterruesi me i madh i paqes. Si “post-lacanian,” me duhet te them se aborti si skene primale neurozash tek nena ne vecanti, apo prindi ne pergjithesi, di qe eshte trajtuar, packa se per momentin nuk di te te drejtoj ne ndonje studim te mireqene, e per te ardhmen e afert, as qe me intereson.

    Por e perseris, le te mos behemi cinike. Cifutet, per te sjelle nje analogji, njihen njekohesisht si grupi me ortodoks (konservativ) dhe si grupi me subversiv (radikal) mes etnive. Ta kam llafin qe te qenit konservativ nuk e perjashton te qenit subversiv. Nese franciskanet (meqe Nene Tereza e fillon edhe fjalimin e saj me Shen Francis) ishin grupi me subversiv i katolikeve te kohes, kjo duhet kuptuar edhe si rrjedhoje e faktit qe ishin edhe grupi me konservator. Haitianet te cilet kenduan marsejezen me nje konservatorizem pasionant ndaj parimeve te revolucionit francez, nuk mund te konsiderohen me konservatore se sa francezet kolonizatore te Napoleonit te cilet i kishin perballe. Thuhet se Nene Tereza ishte konservatore brenda kishes katolike. Por a nuk do te thote kjo se Nene Tereza paska qene me katolike se Papa? A nuk do te thote kjo se konservatorizmi i saj ve ne dyshim vete autoritetin e Papes dhe eshte subversiv ndaj vete autoritetit te Vatikanit?

    E me qe jemi larg te qenit cinik, a nuk eshte ky konservatorizem njekohesisht edhe subversion ndaj patriarkalizmit papnor? Mbase nuk eshte cinike, por kerkon pak sforco te logjikes qe modelin matriarkal te urdhrit te Nene Terezes, subversiv ndaj patriarkalizmit papnor, ta akuzosh per patriarkalizem.

    Une kam arsyet e mia pse jam krenar per faktin qe Nene Tereza eshte shqiptare. Por eshte e vertete qe keto arsye jane self-defeating. Une jam krenar per faktin qe nje individ i perkatesise sime i perket te gjitheve. Krenaria ketu eshte normale sepse eshte self-defeating. Por e perseris, a abuzohet me kete, dhe lexo me kujdes, a perpiqet cdo perkatesi te cilit i perket nje individ qe iu perket te gjitheve qe kesaj perkatesie t’i perkasi pak me shume se c’i perket te gjitheve? Po. A e bejne shqiptaret kete me shume se cdo perkatesi tjeter? Edhe mbase, gjithsesi, nuk e besoj. A shoh nje propagande totalitare ne kete perpjekje? E perseris. Jo. Fenomen universal, ndoshta, por propagande totalitare, jo. Por hej, edhe mbase e kam gabim, dhe e vleresoj ate qe po thua.

  2. NËNË TEREZA – VENDIMI FINAL – vazhdimi 1

    Disa fjalë për lexuesin

    Hera e parë kur kam dëgjuar për Nënë Terezën ka qenë viti 1989. Më kujtohet si tani që në atë kohë kur populli në Tiranë mezi priste rrëzimin e regjimit komunist, ardhja e Nënë Terezës për të takuar Ramiz Alinë dhe vendosur lule në varrin e Enver Hoxhës, tronditi opinionin anti-regjim të Tiranës, i cili priste me padurim që Perëndimi të rrëzonte regjimin e jo ta përkëdhelte atë me vizita si të Nënë Terezës.

    Me rënien e komunizmit, Nënë Tereza u shfaq sërish në Shqipëri. Bashkë me mijëra misionarë që pushtuan vendin tonë, që varionin nga tele-evangjelistët amerikanë që bënin koncerte ku dridheshin si të elektrizuar duke pretenduar se kishin me vete shpirtin e shenjtë, e deri te Bahaitë që pushtuan qendrën e Tiranës, Nënë Tereza u shfaq në botën tonë pas-komuniste si një nga ata mijëra njerëz çudibërës që kishin ardhur për të marrë të korra me shpirtra njerëzish në Shqipërinë pas-komuniste.

    Për sa kohë që Nënë Tereza ishte e gjallë, imazhi i saj, u tregohej shqiptarëve të varfër nëpërmjet pasazheve filmike në Indi, ku shqiptarëve që në këtë kohë çanin kufijtë sa nëpër male, në këmbë e me skafe për të fituar bukën e gojës, sikur u thuhej që Nënë Tereza ishte bamirëse – por jo për ne ama, por për fukarejtë e largët të Indisë. Megjithatë regjimi i Berishës së asaj kohe, që shihte si perëndi çdo gjë të ardhur nga jashtë, që nga skemat piramidale dhe çeku i bardhë i Gramoz Pashkos e deri të Nënë Tereza, misionares katolike që jetonte në Indi, nisi t’i jepte statusin e Shkurte Pal Vatës.

    Por vdekja e Nënë Terezës në 1997 solli në mendjen e shqiptarëve edhe me më shumë forcë figurën e Nënë Terezës, të cilën, pas vdekjes së saj, Kisha Katolike u kujdes ta zbukuroj në maksimum. Hapat që Papa Gjon Pali II ndërmori për të lumturuar dhe shenjtëruar Nënë Terezën, në Shqipërinë tonë të varfër u trumbetuan sikur këtë lumturim ta kishte marrë vetë populli ynë i pikëlluar. Tamam si në filmat bollivudjan, ku indianët e varfër shtyhen që të kalojnë disa orë të lumtura për të harruar varfërinë, edhe në Shqipëri, mrekullia mediatike e Nënës Terezë përdorej si një formë ngushëllimi për t’i hequr brengat e përditshme popullit tonë dhe treguar Nënë Terezën, përkrah Xhon Belushit dhe Eliza Dushkut si shembuj që shqiptari mund të arrinte me punë dhe mundime, nëse besonte në mrekullitë e Perëndimit.

    Por klasa që përfitoi më shumë nga mirazhi mediatik i Nënë Terezës në vendin tonë kanë qënë politikanët, të cilët ndërsa janë më të korruptuarit e injorantët në Evropë nuk lënë rast pa përdorur mitin e saj, për të fshehur korrupsionin dhe paaftësinë e tyre, dhe bërë karshillëk njëri tjetrit me plakën e Kalkutës. Gjatë qeverisjes socialiste, Nënë Tereza u kthye në një lloj heroine kombëtare nga qeverisja e majtë, që historinë e misionares katolike e futi nëpër librat shkollorë ku u mësonte fëmive të vegjël që të mburren me heroinën më të madhe të kombit që kishte punuar në Indi. Ndërsa Presidenca e Republikës, shpiku edhe një dekoratë presidenciale të quajtur Urdhri Nënë Tereza,[1] ministria jonë e kulturës që nga viti 2005 organizon edhe maratonën ‘Nënë Tereza’ me nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme, ndërsa ditën e lumturimit të saj nga Vatikani, qeveria socialiste e shpalli festë kombëtare. Flirti mediatik i politikanëve tanë me Nënë Terezën mori përmasa edhe më mitike në vitin 2006, kur ministri i kulturës së qeverisë Berisha, Bujar Leskaj e quajti atë edhe shpirti i kombit.[2]

    Siç e kam përmendur edhe në vende të tjera, fushata ‘Nënëterezizuese’ në vendin tonë sot shihet kudo. Aeroporti ynë i vetëm ndërkombëtar quhet Nënë Tereza. Nënë Tereza quhet edhe spitali më i madh shtetëror që kemi në Tiranë. Nënë Tereza quhen edhe një seri rrugësh, sheshesh, shoqatash e organizimesh në vendin tonë. Nënë Tereza është bërë aq e rëndësishme në Shqipëri saqë kryeministri Berisha, përpara disa muajsh urdhëroi që në recetat mjekësore të shtypet gjithmonë fytyra e Nënë Terezës, pasi, siç tregojnë disa thashethemexhinjë, doktorit tonë kryeministër i është mbushur mendja që fytyra e saj shërben edhe si hajmali.

    Dashuria e kombit tonë për Nënë Terezën u pa shumë qartë nga datat 5-15 shtator 2007, kur sheshet, rrugët, bulevardet dhe muzeumet e Tiranës u mbushën me postera gjigandë për të përkujtuar 10 vite pa Nënë Terezën dhe 10 ditë me Nënë Terezën. Fushata që ministri i kulturës, Ylli Pango, shpalli për Nënë Terezën, përkujtonte 10 vjetorin e vdekjes së Nënës sonë heroinë, me një melankoli aq prekëse saqë mendoj se preçedenti i saj në historinë moderne shqiptare mund të krahasohet vetëm me aktet funebre dhe zinë e mbajtur në Tiranë me vdekjen e Enver Hoxhës apo të Stalinit. Tamam si me Enver Hoxhën, kur pas vdekjes së tij komunistët ndërtuan një muzeum në kujtim të udhëheqësit kombëtar, edhe sot në muzeumin tonë kombëtar, ministria jonë e kulturës, turizmit dhe e sportit ka çelur një muzeum për Nënë Terezën.

    Dashuria e kombit tonë për Nënë Terezën shihet kudo. Ne sot kemi në Shqipëri një numër të madh sheshesh, rrugësh, bulevardesh, muzeumesh, shoqatash, organizatash e botimesh që flasin për mrekullitë e Nënë Terezës. Biles unë kam dëgjuar që disa politikanë veriorë, kohëve të fundit kanë nisur që edhe kur të betohen seriozisht për diçka, të thonë ‘Për ideal të Nanës Terezë’.

    Ama proçesi i nënëterezizimit të jetës në Shqipërinë pas-komuniste ka patur edhe hendikepet e tij. Një shembull është protesta e marsit 2006, kur një grup qytetarësh shkodranë dhe tre shoqata, refuzuan vendosjen e bustit të Nënë Terezës në hyrje të Shkodrës.[3] Ky refuzim që u prit dhunshëm nga establishmenti i Tiranës i cili akuzoi shkodranët si në kohët e vjetra, si armiq dhe reaksionarë, dhe pas tyre vendosi një numër të madh hafijesh, spiunësh dhe policësh, duket se po shkon në ngritje. Në prill 2007 një grup besimtarësh në Dibër, të cilët kishin mësuar që kryeministri Berisha kërkonte që në kartat e identitetit të vendosë figurën e Terezës, i shkruajtën dibrançe kryeministrit se nuk pranonin të mbanin Terezën nëpër xhepa. Në fushatën kundër Nënë Terezës u bashkua edhe Avokati i Popullit dhe Forumi Musliman i Shqipërisë, të cilët në shtator 2007 i kërkuan sqarime kryeministrit dhe ministrit të brendshëm, Bujar Nishani për thellësinë e depërtimit të kultit të Nënë Terezës në jetën tonë publike.

    Ngaqë shqiptarëve deri më sot, bëmat e Nënë Terezës në gjuhën shqipe i’u janë treguar vetëm nga burime kishtare, që prej vitit 2005 kam qënë i mendimit se botimi i librit ‘Nënë Tereza – Vendimi Final’ nga Aroup Chatterjee do të ishte një hap i mirë për të çmitizuar pakëz figurën e Nënë Terezës në shoqërinë tonë. Edhe pse nuk mund të jem dakort me shumë ide të Aroup-it, prapë mendoj që botimi i librit të tij në gjuhën shqipe është një hap i duhur dhe në kohën e duhur, për të globalizuar debatin mbi Nënë Terezën, i cili deri më tani ka mbetur monopol shtetëror dhe i Kishës Katolike.

    Ngaqë në Shqipëri prekja e mitit të Nënë Terezës sot është tamam si të prekje mitin e Mehmet Shehut në vitet 70’, përkthyesit dhe redaktorët e këtij teksti, që i frikësohen ndonjë të papriture, më kanë lutur që emrat t’ua lë anonimë. Unë do ta respektoj vendimin e tyre, me shpresë që lexuesi shqiptar, pasi të lexoj librin të arrijë dhe të ndajë Nënë Terezën tonë mitike nga realja, që jetonte në Kalkuta, qytetin ku miku im, Aroup Chatterjee ka ndjekur me pasion e bezdi lojën e madhe që mediat dhe politika ndërkombëtare kanë luajtur viteve të fundit me të madhen tonë, Nënë Tereza.

    Olsi Jazexhi

    Në Firence,

    Vjeshta e III-të, 2007

    http://www.zeriislam.com/artikulli.php?id=1539

  3. Kete provokim s’ma ha mendja se e gelltit kush.
    Ne nje bote ku mizerja dhe vuajtja eshte ne rend te dites, ku modernet u bejne maceve manikyr dhe i veshin me D&G, nje njeri si Nene Teresa deshmon forcen e dashurise per tjetrin, ate qe u mungon te gjitheve.
    Pastaj ajo ka qendrimet e veta etike qe mund te pranohen ose jo, por shpulla morale qe Nene Tereza i jep njerezimit primitiv, sidomos atyre qe cicerojne nga maja e 100 katesheve, pranohet ashtu si shpulla fizike e nenes.

    Sado te mos pajtohet njeriu me qendrimet e Nene Terezes, po te perpiqet e gjen aq njerezillek ne vetvete, per ta trajtuar me respekt.
    Qendrimet etike jane te fese, kurse shpirtmadhesine ja ka falur Zoti dhe eshte pikerisht kjo shpirtmadhesi te ciles i falen edhe te majtet edhe feministet.
    Jane te pakte ata qe i hane gorricat per dardha.
    Me te pakte akoma jane ata qe u erren syte para çdo aspekti te shenjte te jetes dhe perpiqen te nxjerrin para me lloj-lloj shpifjesh. Keta jane çakej me fytyre njeriu.

  4. ””Une kam arsyet e mia pse jam krenar per faktin qe Nene Tereza eshte shqiptare. Por eshte e vertete qe keto arsye jane self-defeating. Une jam krenar per faktin qe nje individ i perkatesise sime i perket te gjitheve.””

    Ketij agresioni te kamufluar, ne teresi i je kunderpergjigjur bukur dhe ketu ne veçanti pasi je koherent. Une vetem per retorike mund te thosha se jam krenar pse nje shqiptar i perket kaq shume gjithe botes dhe kaq pak shqiptareve, meqe per mua ka rendesi e kunderta.

    Ky debat per mendimin tim nuk trajton Nene Terezen ne vetvete, nuk ka perplasje rreth Nene Terezes, eshte vetem dukje se gjithçka vertitet tek legjitimiteti i shqiptareve per ti dhene botes njerez me vlere universale. Kjo rryme mendimi e nendheshme si urithi (si e perdor 2xh per dukuri te tilla) i fsheh frutat si patatja, por sulmi biologjik ndaj shqiptareve eshte veshtiresisht i mbulueshem nga dialektika dhe tek piftoja qe ska takat te mbaje debat duket qarte.
    Ketu kemi te bejme me racizem ndaj shqiptareve; thone qe ‘e keqja’ e nuhat ‘te keqen’. Nuk eshte racizem kulturor por biologjik, qe synon te privoje shqiptaret nga çdo figure me vlere universale dhe vepron me ane te dekonstruktivizmit.
    Shume bien pré e te pakteve.
    Nuk ka ngelur figure shqiptare me vlere universale(te pakten ekstrashqiptare) pa u goditur ne origjinen e vet, se shqiptaret nuk nxirrkan dot as biologjikisht njerez me vlera universale. Se per anen kulturore e kane relativisht te thjeshte. Po edhe nese nuk gjendet dot diçka biologjike apo kulturore do gjendet me se s’ben diçka politike apo etike.

    Me habiti pa mase argumenti i 2xh, se biologjikisht jemi aksidente, keshtu qe s’ka rendesi, pasi te njejtin argument nuk e permend per te thjeshtuar ta zeme figurat e Rilindjes italiane.
    Po ashtu me habiti pa mase ndryshimi 180grade nga nje teme tek tjetra, nga pse po e perdhosim, hajde e perdhosim bashkarisht ne te majtet, ti lulian nuk je koherent.

    Nuk e marr vesh qendrimin e xha xhait, s’kam lene shkrim e koment pa i lexuar dhe sinqerisht nuk e marr vesh. Do jete ngaqe i peshon fjalet mire dhe duhet te ushtrohem ne hermeneutike.

  5. NËNË TEREZA DHE DJ TIESTO

    Nga KOLORETO CUKALI

    Mbushja e Tiranës me postera, banderola e me flamuj bardh e blu, më bëri të mendoj: “qenka festë e PD-së”. Mirë bluja, po kjo e bardha ç’do? E bardha, shenja e dorëzimit, nuk bën pjesë në arsenalin e flamujve të PD! Pastaj, u desh një beze e madhe me fytyrën e Nënë Terezës dhe me emrin e kryeministrit poshtë që të kuptoja që është ditëlindja e Nënë Terezës. Mundësuar nga… nën kujdesin e veçantë të… Në këtë vend, as ditëlindja e Nënë Terezës nuk vjen dot po nuk deshi Kryeministri! Mirëpo, duke parë tërë këto shpenzime, madje, këtë histeri të përvitshme, u riktheva te pyetja bazë: pse?! Pse, festohet ditëlindja e shenjtores si të ishte promovimi i një DJ që vjen për koncert në verë? Nënë Tereza vetë, jo që nuk e festonte, po as e përmendte ditëlindjen e vet. Atëherë pse ajo, shembulli i përvujtnisë, përulësisë dhe modestisë, përkujtohet si të ishte një rockstar me bujë, me flamuj e me postera? Dhe për se? Për ditëlindje??!! Pse nuk organizojnë edhe Rally, ose maratonë rinore, ose qofte e birrë nga liqeni me rastin e ditëlindjes së Nënë Terezës? Ose ndeshje vaterpoloje apo minikampionat beach volley…? Ose kampionat noti, që të mund ta fitojë Kryeministri? Unë besoj, se Nënë Tereza vetë nuk do e kish kërkuar e as pranuar kurrë një Vit të Sajin. Ajo do kish kërkuar fonde. Jo për flamujt absurdë bardhe-blu, po për spitale e për bukë. Jo për vete, po për të sëmurët, jetimët e të varfrit. Jo postera, por ponstan për gjithë ne që vuajmë nga dhimbja e kokës në këtë vend.

    NJERIU MË VETE E ME TJERË
    Para dy-tre vjetësh, lumturimi i Nënë Terezës u festua me një megaposter që mbulonte krejt fasadën e Universitetit të Tiranës. Hera e fundit që kisha parë një poster aq të madh mbi UT ka qenë fotoja e Enver Hoxhës. Stendat e reklamave të ndriçuara ishin mbushur me postera të shenjtores. Siç ishin këtë verë posterat e DJ Sandy Riverës. Sot, shtyllat e Kryeqytetit janë mbushur me banderola me citate. Dikur, kështu varnin citatet e Enverit e të Maos. “E djeshmja iku. E nesërmja s’ka mbërritur. Të sotmen e kemi këtu. Fillojmë të jetojmë”. Duhet të jenë lodhur shumë të gërmojnë në Internet për të nxjerrë ca fraza si kjo, që nuk thonë asgjë! Me gjithë respektin, po Nënë Tereza ka qenë thjesht një humaniste, jo një filozofe. Fraza si kjo më sipër, jo vetëm që nuk thonë asgjë, por më duket shumë infantile që ti publikosh nëpër shtylla. Më kujtojnë librin e kuq të Maos. “Lindja është e kuqe” Çfarë perle, ë? Dukej sikur jepte leksione si të jetosh. Ose, më kujtoi atë mjeshtrin e madh të citateve që thoshte “patatja është edhe bukë, edhe gjellë.” Ata që merren me organizimin e “festave” të Nënë Terezës, s’kanë kuptuar akoma që Nënë Tereza u bë ajo figurë që u bë, prej veprimit, jo prej citateve.

    NJI FYELL NDËR MALE
    Problemet me kultin e Nënë Terezës vijnë nga aqdi- aq-bën i atyre që janë sipër, por dhe nga mentaliteti i neve që jemi poshtë lidhur me figurat. Nga Bajraktarët, tek Zogu e Enveri, ne nuk kemi pasur mundësi të prekim e të prekemi nga njerëz që kanë modestinë si virtyt kryesor. Ne na bëjnë përshtypje vetëm ato figura që propagandohen me bujë e me pohë. Ne dimë vetëm një mënyrë për të nderuar figurat tona. O t’u ngremë këngë të tipit “Enver Hoxha o Tungjatjeta” o tu ngremë buste, o banderola. Ne, kemi harruar formën më të thjeshtë të respektit, heshtjen. Ne kujtojmë që ngremë lart Nënë Terezën, kur e trajtojmë si Enverin. Duhet të pushojmë së trajtuari Nënë Terezën edhe si Lady Dianën. Këto figura nuk kanë asgjë të përbashkët. Një princeshë e trishtuar, sepse kishte një burrë impotent, nuk mund të jetë njësoj në perceptimin tonë si një grua e virgjër që përqafonte njerëz të sëmurë me malarje.

    DJELLA
    Nga ana tjetër, Nënë Tereza po konsiderohet si P.R. qeveritar për të ndrequr imazhin ndërkombëtarisht të leckosur të Shqipërisë. Duam të fshihemi pas figurës së pastër të humanistes, si Odiseu që fshihej nënë delet për të dalë nga shpella e Qikllopit. Pa folur për faktin që po krijohet ideja sikur nënë Tereza është investim personal i Kryeministrit, heroinë e personalizuar. Se për ndryshe, ç’do emri i tij në posterat e këngëtares… pardon, shenjtores? Posterat e nënë Terezës, nuk i lenë gjë mangut posterave të DJ-ve që erdhën gjatë verës në Tiranë. Pas gjithë kësaj histerie, na duhet ta përsërisim pyetjen, po të ishte Nënë Tereza gjallë, si do ndjehej para gjithë kësaj? Ç’do thoshte kur të kalonte poshtë posterave të vet? A mos vallë do kërkonte që paratë të shkonin te spitali që ajo donte të ndërtonte, e që nuk po bëhet në Tiranë? A mos do kërkonte që paratë të shkonin tek ata njerëz që varin veten përditë se nuk ushqejnë fëmijët me bukë?

    DRANJA. MADRIGALE.
    Në pamundësi për të ndërtuar figura bashkëkohore kombëtare që të mund ti qendrojnë kohës, ne jemi kapur të dëshpëruar pas nënë Terezës. Figurat tona janë të përkohëshme. Noli na doli hajdut i Konares e shtetrrënues, Zogu, ishte për 50 vjet hajdut e tradhëtar, Enveri këto 20 vjet diktator e vrasës… S’merret më vesh, në tornadon e madhe të baltës që vjen vërdallë atdheut, se kush e meritonte baltën e kush jo. Po je i këtij vendi, balta do të të përfshijë, çfarë doqë të bësh e të thuash. Prandaj mbërthehemi me dëshpërim pas figurave që na duken të pakontestueshme. E megjithatë, ky vend, ka pasur njerëz të denjë për respekt e adhurim mbarëkombëtar. Vetëm se ata nuk bërtasin. Dhe nuk kanë fituar Nobel.

    LIRIKA MES DY MOTEVE
    Para shumë javësh te Shekulli kam lexuar një shkrim të Elsa Demos “Nuk ka vend për Martin Camajn”. Shkrimin e përshkuante trishtimi pse ky shtet nuk arrin të bëjë asgjë për një nga poetët më të mëdhenj shqiptarë, Martin Camajn, makar as t’i caktojë një vit përkujtimor. Zyra e shtypit pranë Ministrisë së Kulturës ishte përgjigjur, “ky është viti i nënë Terezës e Vaçe Zelës e nuk ndryshohet më”. Nuk dua të rimarr shkrimin, as të ringer tematikën, sepse Camaj mbetet i madh pa pasur nevojën që për të të kujdeset Ministria e Kulturës. Por shqetësimi më lindi kur lexova komentet në blog. Wshtë e drejta e gjithësecilit të mos lexojë poezi. Por kjo u heq të drejtën të gjykojnë poetët apo dhe figurat. Ata që kanë lexuar vetëm një libër në jetën e tyre, nuk kanë të drejtë të marrin pjesë në procesin e ngritje së kulteve. Injorantët kibernetikë, që, të fshehur pas anonimitetit të web-it marrin përsipër të shajnë çdo gjë, duhet të mësojnë të heshtin e të dëgjojnë. Në një popull që nuk lexon, propaganda mbin si lulëkuqe mbi mure. Dhe ajo që po u servirin tani atyre është figura enënë Terezës, që po ua shesin si të ishte një rockstar.

    Nënë Tereza është figurë e madhe e botës, por ne kemi nevojë për figurat tona. E di që shumë vetë mund të preken në sedër e në nder nga kjo Tartë, por, po të shohin ftohtë do të kuptojnë që dikush po ngre një kult të panevojshëm të Nënë Terezës, dhe jo për hir të humanizmit të saj, por për tu fshehur pas bustit të pranuar ndërkombëtarisht. Shenjtorja e lindur në Shkup, që jetoi e punoi në Kalkuta 50 vjet, që nuk fliste shqip, duhet t’ia lërë vëmendjen poetit që lindi në Dukagjin, që ngriti katedrën e gjuhës shqipe në universitetin e Mynihut, e që ka shkruar (për mua) vargjet më të bukura që shqipja do mund të prodhojë për dhjetëra vjet. Nënë Tereza nuk ka nevojë për një vit special, për një aeroport, për një shesh në qendër, për një spital, e për kushedi sesa konferenca në emër të saj, që të jetë figure shqiptare. Pyetja e thatë e brutale, pyetje që ther mu në kockë, është kjo: Çfarë ka bërë ajo për këtë vend? Ajo ka bërë shumë, por ka bërë për Indinë. Për Libanin. Ka bërë për tërë botën. Po çfarë ka bërë ajo për ne? Ky vend, i tharë nga injoranca e brutaliteti, ka nevojë për poetë. Ka nevojë për pak poezi. Kur të ulen valët/ fryma jonë do të matet/ me gjansinë e detit: atëherë/ do të pushojmë/ te kambët e bjeshkve të bardha.

    KANDILI ARGJANDIT
    Jam i bindur, që vetë Nënë Tereza do kish dashur që ky të ishte viti i Martin Camajt. Ajo do ta kish kuptuar që ky vend ka më tepër nevojë për figura të vetat, që i kanë dhënë Shqipërisë, e jo të importojë figura të përbotshme që i kanë dhënë gjithë botës. Ajo do ta kish kuptuar që njerëzit që nuk nderojnë poetin e vet, nuk kanë për ta ndërtuar kurrë spitalin e saj. Por, pavarësisht se ç’do donte ajo, ditëlindja e Camajt nuk vjen, po nuk deshi Kryeministri.

    http://www.shekulli.com.al/2010/08/29/nene-tereza-dhe-dj-tiesto.html

  6. Më tërhoqi vëmendjen kjo frazë, nga artikulli përndryshe mjaft i mirë i Cukalit:

    Duhet të pushojmë së trajtuari Nënë Terezën edhe si Lady Dianën. Këto figura nuk kanë asgjë të përbashkët.

    Në fakt, këto figura kanë shumëçka të përbashkët; jo më kot mediat s’u lodhën duke i fotografuar së bashku dhe duke përshkruar miqësinë që i lidhte.

    Të dyja bashkë, simbolikisht, kombinoheshin në figurën e femrës-grua të përsosur: njëkohësisht mëkatare dhe shenjtore, të bukur në trup dhe në shpirt, me pasion rinor dhe dëlirësi të amshuar, me pasuri materiale dhe pasuri shpirtërore.

    Në kohën e tyre, mass mediat dhe sidomos tabloidët e shfrytëzuan sa mundën kontrastin mes këtyre dy celebriteteve; meqë pranëvënia, siç mund të kuptohet, veçse theksonte kundërvëniet dhe kundërtitë.

    Forca e këtij imazhi të dyzuar ka të bëjë me atë që te çdo grua ka diçka nga Diana dhe nga Gonxhja; dhe sidomos me atë tjetrën, që burri standard e ëndërron partneren e vet të ketë hiret e Dianës dhe virtytet e Gonxhes.

  7. Dmth ca duhet te bejne te majtet, feministet, dhe gjithe -istat e tjere? Te protestojne sot ne 100 vjetorin e lindjes se Nene Terezes per faktin qe kjo katolike e dedikuar, ndryshe nga katoliket e tjere te atij ragu, nuk ishte feministe apo nuk ishte pro abortit, si fjala vjen ishte Papa Gjon Pali?

    Vertet s’gjej dot asnje lidhje logjike per kete revolte tenden xha xhai, sidomos po ta shikosh ne kontekstin e pergjithshem. P.sh. a ka ndonje figure publike (apo cdo njeri tjeter xhanem) qe s’ka qofte nje opinion apo qendrim me te cilin s’jemi dakort? Mos valle duhet te protestojme kundra tyre cdo here qe keta kane ditelindjen, qofshin keta miqte tane apo njerez publik a te famshem, a ku di une?

    Se nuk eshte se po ve/vihen ne balance te mirat dhe te keqiat e Terezes si figure publike (apo si njeri, apo si shqiptare, apo si grua, apo si katolike) dhe hajt ti analizojme pa komplekse e tabura. Ketu me ca shoh po operohet me moton ‘po s’je perfekt je pa vlere, bile duhesh protestuar kur ke pervjetorin e ditelindjes’.

    E kam fjalen, me nisma tip ‘hajt te gjejme dicka per te kundershtuar nje figure’ fiton gjithmone, pavaresisht shtysave, vecse eshte “fitore”, dhe pavaresisht anti-tabuse ne aparence, eshte per mendimin tim vecse gerricje … kursesi jo ne nivelin e te qenit argument.

    1. Po ku je mo Xhibi djali, se për ty na mori malli. I mungonte këtij blogu një çikë simpleminded xhibizëm.

  8. Një debili si ti Xhaxhai, ku, pasi “antivllehët” nuk të çuan ujë në mullirin tënd (që të sulmonin) tek “Motra e të gjitha motrave”, pasi qarqet akademike as të dhjesin fare për ç’akademik je (shumë e dhime që, një gjuhëtar akademik siç e autodeklaron vehten nuk u ftua as për të pirë një kafe në “Seminarin për gjuhën dhe letërsinë” që sapo mbaroi në Prishtinë), për të qënë në qëndër të vemendjes, zgjedh vetëm zhurmën që mund të bëjë ndonjë konflikt i ndokujt me ty… dhe në ktë rast, për të mos gabuar, i shpalle luftë dhe të majtëve, feministeve dhe gjithë botës mbarë vetëm për të qënë pak në qendër të vëmëndjes

    1. Vendosa ta kaloj të paktën këtë shënim, për hir të atyre lexuesve që mund të kenë pasur ndonjë dyshim për përjashtimin e këtij zotërisë nga aktiviteti në PTF. Mos komentoni më tej, ju lutem.

  9. Po mirë, që të sjellim një çikë Zhizhek, për humor, ai do të thoshte: Kush është i majtë në blogosferë, vendosim ne! Edhe çfarë do vlerësojnë të majtët, vendosim po ne.

    Që ta bëjmë më serioze temën, siç i takon; mendoj së pari Xhaxha se të gjitha ato termat sociologjiko-ideologjike që përmendni, janë vlera të ndryshueshme dhe nuk mund të barazohen me vetë identitetin e personave që përfshihen nga ato ide. Mund të jenë pjesë e identitetit, madje pjesë të forta, por gjithsesi të ndryshueshme.

    Kjo më lart tingëllon as cliche as it can be, por është e nevojshme të sqarohet një gjë e tillë, sepse nuk gjendem për herë të parë përpara njerëzish që duan të provojnë diçka të kundërt me atë që mendoj dhe besoj, pikërisht duke përdorur këtë lloj argumenti.

    Po Marksi sikur e mendonte ndryshe… ai thoshte kështu e ashtu.
    Po ti sikur je antifetar, çne?

    Sikur njerëzit të mendonin kaq statikisht dhe dogmatikisht, aq sa supozohet të bëjnë këtu, atëherë ideologjitë, idetë e gjithçka e lidhur me to, nuk do të ishin gjë tjetër veç një burg mendor. Me kufij të vendosur dhe të përcaktuar qartë, me tabu, me vepra, njerëz, ideologë të ndaluar etj. Po nuk më rezulton të jetë kështu.

    Unë psh vë re tek vetja një ndryshim në mendime edhe ide në krahasim me disa vjet më parë. Mos nuk jam koherent? Mos duhet të besoj deri në ngordhje çka kam menduar më parë? Ky është një proces i domosdoshëm evolimi, i cili ka fazat e veta mendoj unë, është për tu marrë gjithnjë parasysh.

    Që të vijmë tek Nënë Tereza…

    Unë kam shumë respekt për të. Nuk e di nga buron ky lloj respekti për personazhin në fjalë, edhe as mundem tu kushtoj rëndësi ideve të veta teologjike përballë shembullit personal. Nënë Tereza, mbase është mbi të gjithë. Mbase është shenjtore, jo e kishës katolike, por e njerëzimit mbarë. Mbase para se të jetë murgeshë edhe shqiptare, ka qënë njeri, në të gjithë përmasat e veta.

    Mbase është si ari, vlerë që nuk zhdëmtohet nga koha, as nga inflacioni dhe mbase kisha katolike dhe shqiptarët, janë si bonot e thesarit të bankave të dyshimta që pohojnë se valuta e hedhur në treg është aq sa masa e floririt që kanë në kasaforta.

    Mbase ka qënë komuniste, pa e ditur se po zbaton parimin: puno aq mundesh dhe harxho aq sa ke nevojë. Mbase ka qënë superkomuniste, duke minimizuar nevojat e veta dhe duke iu përgjigjur atyre të të tjerëve, më shumë sesa mundej.

    Mbase ka qënë mbinjeriu i Niçes, me forcën e vullnetit, besimin dhe dëshirën e mirë arriti të ndryshojë gjithë botën.

    Puna është që Nënë Tereza në rrugëtimin e gjithë jetës së vet, mbart gjithnjë një vlerë tangenciale që prek çdo drejtëz tjetër, të jetës së çdo njeriu, të paktën në një pikë, dhe në një pikë të vetme.

    Ku tamam?

    Unë do të thosha se prek në zemër. Që në fakt, hollë hollë, është, në mos duhet të jetë, pikënisja e çdo lloj ideologjie nga ato që përmendët më lart. Disa drejtëza janë më të drejta, disa më të shtrembërta, të para gjithnjë nga një pozicion subjektiv, apo nëse doni qendër boshtesh subjektive… por, që takohen aty.

  10. Mungesa e një analize kritike të figurës se Nënë Terezës (në vijim NT) në skenën intelektuale liberale apo të majtë shqiptare mund të ketë disa arsye […]

    [ky koment u kalua si shkrim në faqen kryesore; 2Xh]

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: