DIAGNOZA DHE DEMONË

Që prej vitit 1952, Shoqata Psikiatrike Amerikane boton një Manual Diagnostik dhe Statistik të Çrregullimeve Mendore (të njohur ndryshe si DSM), i cili pak nga pak është imponuar si standard anembanë botës.

Me prejardhje të dyshimtë – si kombinim i një sistemi për përpunimin e të dhënave statistikore të ofruara nga spitalet psikatrike me një manual për përdorim të Ushtrisë Amerikane – DSM po bëhet gati të kremtojë botimin e vet të pestë, në maj të vitit 2013.

Nuk është zor të vësh re se, me kalimin e viteve, numri i sëmundjeve dhe i çrregullimeve të pasqyruara në DSM ka ardhur duke u rritur. Botimi i parë i manualit, në 1952, përmbante 106 të tilla, ndërsa botimi i vitit 1994 pothuajse trefishin e tyre: 297 (ose 384, sipas disa llogarive të tjera). Ekspertët kanë vënë në dukje se kjo rritje në nomenklaturë nuk i përgjigjet ndonjë përparimi përkatës në fushën e mjekimit ose të diagnostikimit, as ndonjë evolucioni të vetë sëmundjeve mendore.

Arsyet e ndryshimit kanë të bëjnë, kryesisht, me vendin që zënë sëmundjet, çrregullimet dhe problemet mendore në shoqëri dhe në kulturë, dhe në mënyrën si kushtëzohemi të gjithë të mendojmë rreth tyre.

Kështu, çështja e diagnostikimit e ruan një komponente të fortë antropologjike, e cila është vënë rregullisht në dukje nga kritikët.

Një artikull i Tim Black në Spiked Online këtë inflacion diagnozash dhe sëmundjesh e sheh si shenjë të zhvlerësimit të sëmundjes mendore, sa kohë që dallimi midis shëndetit dhe joshëndetit, në këtë fushë, pothuajse nuk ekziston më; madje është zëvendësuar nga një “tufë njerëzish që kanë nevojë për terapist.”

Sipas autorit, medikalizimi i sjelljeve dhe përshtypjeve dhe reagimeve tona të përditshme dhe kërkesa, pasuese, për ndërhyrje terapeutike e kanë burimin në atomizimin e botës sociale, brenda së cilës individi ndihet gjithnjë e më i izoluar.

Shkruan Black:

Rrjetet tradicionale mbështetëse të familjes dhe të komunitetit lokal janë shpërbërë tashmë. Dhe institucionet kolektive, si sindikatat, partitë politike ose kisha janë vyshkur. Pasojat janë reale. Një individ dikur mund ta kishte rregulluar disi jetën e vet dhe përballuar problemet që i hidhte përpara jeta duke u integruar në këto kolektivitete […] Pa këto institucione kolektive që ndërmjetësojnë ekzistencën dhe përpjekjet e individit, jeta e këtij katandiset gjithnjë e më tepër në mbijetesë të thjeshtë. Shteti terapeutik hedh rrënjë pikërisht mbi shoqërinë si aglomerat individësh të veçuar e të brishtë.

Black citon pastaj një koment nga psikiatri Nick Craddock, që i del në mbrojtje DSM-së, duke shpjeguar se një diagnozë, për shembull e çrregullimit bipolar, mund të ndihmojë shumë, sepse mund t’i shndërrojë jetët e njerëzve, duke i bërë të ndihen të pranuar dhe t’u japë kuptim simptomave të tyre.

Me fjalë të tjera, shton Black, atje ku individët dikur mund ta kishin gjetur veten në një projekt të jashtëm ndaj tyre, si pjesë e një kishe ose e një partie politike, tani këtyre nuk u mbetet veçse të identifikohen në terma të jetës shpirtërore; çka shpjegon edhe pse kategoritë diagnostike janë zgjeruar deri atje sa të përfshijnë edhe gjendjet emocionale më të rëndomta.

Deri këtu Black.

Ky interpretim, të cilin unë e gjej përgjithësisht bindës, mbështetet, në thelb, në forcën organizuese të emërtimit. Çfarë është diagnoza, përveçse një emër, ose një farë rreth së cilës të organizohet struktura kristaline e një vizioni të vetes sipas një patologjie çfarëdo?

Të marrim dikë që e ka të vështirë të dalë nga shtëpia; e ndien veten keq në vende publike, të hapura, të panjohura; përjashta, herë pas here i duket sikur mezi merr frymë, ose do t’i bjerë të fikët, ose sikur do t’i pushojë zemra; kur nget makinën, mundohet t’u shmanget, bie fjala urave ose mbikalimeve, etj.

Në kontekste tradicionale, këtë individ do ta kishin quajtur “të tërhequr”, “të mbyllur”, etj.; por nuk do t’i kishin kushtuar aq vëmendje, sa kohë që sjelljet e tij shmangëse nuk do të hynin në konflikt me detyrat sociale të rolit përkatës. Ashtu, në një shoqëri tradicionale patriarkale, një grua me simptoma të tilla do të mund të jetonte një jetë më se normale, në pajtim me rolin e vet brenda familjes.

Sot mjeku psikiatër menjëherë do ta diagnostikojë çrregullimin si agorafobi dhe do të sugjerojë trajtimin përkatës. Për pacientin, agorafobia në krye mund të mos jetë veçse një fjalë, një term i panjohur, një etiketë çfarëdo; por me kalimin e kohës zhgualli i fjalës vjen e mbushet me përmbajtje, meqë tashmë çdo simptomë vjen dhe i atribuohet agorafobisë, si burim i vuajtjeve, kufizimeve, pengesave, shqetësimeve.

Emri, ose diagnoza e dhënë nga një autoritet i besuar, ofron kështu mundësinë për ta përjashtuar çrregullimin nga vetja; deri dje frika për të kapërcyer një pasarelë ose për t’u futur në një sallë kinemaje të mbushur dingas me njerëz ishte jotja; sikurse ishin të tuat rrahjet e zemrës, spazmat e fytit, ankthi, hutesa. Tash e tutje, ato nuk janë më të tuat, por të agorafobisë, që përfytyrohet si ndonjë lloj qenieje parazitare, e cila ka bërë fole brenda teje.

Në këtë rast, mund të pyetet nëse diagnoza i shërben edhe të sëmurit po aq sa mjekut; meqë mjeku tanimë ka në dispozicion një protokoll të tërë ndërhyrjesh terapeutike kundër këtij çrregullimi; ndërsa i sëmuri mësohet ta trajtojë si bashkudhëtar të padëshiruar, ose, më mirë akoma, si sëmundje infektive, një lloj gripi ose zgjebeje, që duhet dëbuar nga vetja pa mëshirë.

Po sa ndihmon kjo në të vërtetë? Sa e ndiente veten të sëmurë personi më sipër, para se t’i vihej dhe t’i komunikohej diagnoza përkatëse? Sa e ndiente veten të sëmurë, dhe jo thjesht viktimë të një huqi ose të një fobie çfarëdo – si dikush që ka frikë të udhëtojë me avion, ose dikush tjetër, që ka frikë erën (anemofobia), dhe nuk arrin dot të mbushet me frymë, kur sheh një flamur që valëvitet?

Tradicionalisht, sëmundjet dhe çrregullimet mendore nuk kanë pasur emra – përveçse në mënyrë metaforike dhe tërthorazi, nëpërmjet atribucionit. Shqipja ka fjalë të tilla si i marrë, i krisur, i çmendur, i luajtur, i lajthitur, budalla, i metë, me një vidhë mangut, me një dërrasë mangut, etj.; por këto emërtojnë si mbiemra, ose përshkruajnë në mënyrë shumë të përgjithshme; në një kohë që për sëmundje të tjera përdoren emërtime relativisht të sakta, në trajtë emrash (fjalë si marrëzi ose çmenduri nuk janë të së njëjtës kategori kuptimore me fruth dhe murtajë).

Ja edhe një shembull nga historia e praktikave burokratike: në regjistrimin amerikan të popullsisë të vitit 1880 bëhej dallim mes këtyre shtatë kategorive: mania, melankolia, monomania, paraliza (paresis), demenca, dipsomania dhe epilepsia.

Sot asnjë psikiatër nuk do ta merrte seriozisht një ndarje të tillë – deri edhe epilepsia konsiderohet si çrregullim neurologjik, jo mendor.

Entia non sunt multiplicanda praeter necessitatem, thotë i ashtuquajturi brisk i Occam-it (“entitetet nuk duhen shumëzuar pa nevojë”). Prandaj, kur më qëllon ndonjëherë të shfletoj DSM-në, më duket sikur kam në dorë ndonjë nga ato listat e demonëve, që i gjen në manualet e demonologjisë: Aamon, Abigor, Abracace, Adramelech, Agares, Aguare, Aivion, Alastorr, Alloces, Amduscias, Amon, Amy, Aaeazel, Andras, Arioch, Andrealphus, Andromalius, Asmoday, Astaroth, Aubras, Azazel, Baalzefon, Bael, Baelbalan, Balam, Barvato, Bathym, Beleth, Belfagor, Belial, Belzebub, Beret, Berith, Biemot, Bifrons, Bitru, Botis, Buer, Bune, Byleth

Nuk ka komente

  1. “Nese nuk do te kishte mjeke, nuk do te kishte pasur kurre te semure […] pikerisht prej mjekeve, e jo prej te semureve, lindi shoqeria njerezore ” Antonin Artaud

  2. Ne fillim : “Ekspertët kanë vënë në dukje se kjo rritje në nomenklaturë nuk i përgjigjet ndonjë përparimi përkatës në fushën e mjekimit ose të diagnostikimit, as ndonjë evolucioni të vetë sëmundjeve mendore.”

    Me pas : “Sot mjeku psikiatër menjëherë do ta diagnostikojë çrregullimin si agorafobi dhe do të sugjerojë trajtimin përkatës….[]

    []..meqë mjeku tanimë ka në dispozicion një protokoll të tërë ndërhyrjesh terapeutike kundër këtij çrregullimi.”

    Tani, ketu mua dicka me shpeton. Ka apo nuk ka sot nje perparim ne mjekimin dhe diagnostifikimin ?

    1. Fjala kyç këtu është lidhje.

      Mjekimi ka përparuar pa dyshim, diagnostika, le të themi, është sofistikuar dhe sistematizuar, përsëri pa dyshim; por lidhja mes këtyre dy fenomeneve nuk është dhe aq evidente.

      Një shembull i vetëm: SSRI: një klasë barnash që kanë revolucionarizuar trajtimin e shumë çrregullimeve mendore; por përdorimi i këtyre nuk është se ndikohet shumë nga sofistikimet e DSM-së – meqë i njëjti bar, praktikisht, mund të përdoret edhe për depresionin bipolar, edhe për ankthin, edhe për agorafobinë dhe PA… Për të përdorur me sukses një bar të tillë, nuk ka nevojë të jesh virtuoz i DSM-së.

      Prandaj nuk është përparimi në këtë apo në atë fushë që vihet në dyshim, por bashkëlidhja mes përparimit këtu dhe përparimit atje.

      1. “Një shembull i vetëm: SSRI: një klasë barnash që kanë revolucionarizuar trajtimin e shumë çrregullimeve mendore; por përdorimi i këtyre nuk është se ndikohet shumë nga sofistikimet e DSM-së – meqë i njëjti bar, praktikisht, mund të përdoret edhe për depresionin bipolar, edhe për ankthin, edhe për agorafobinë dhe PA… Për të përdorur me sukses një bar të tillë, nuk ka nevojë të jesh virtuoz i DSM-së.”

        Nuk me duket se qendron. Eshte si te thuash, meqe antibiotiku vepron ketu dhe aty, nuk ka pse te dime me teper, kur ne fakt te dy jemi te ndergjegjshem qe nuk eshte keshtu. Ka lloje te ndryshme antibiotiku, me doza te ndryshme, qe perdoren per kohezgjatje te ndryshme, shoqeruar me procedura mbeshtetese gjithashtu te ndryshme, per forma te ndryshme semundjeje sigurisht.

        1. Kam frikë se krahasimi me antibiotikun nuk qëndron.

          Së pari, antibiotiku nuk vepron kundër sëmundjes, por kundër agjentit patogjen që e ka shkaktuar (bakterit, etj.). Për sëmundjen kujdeset pastaj trupi vetë, ose mjeku me barna të tjera (p.sh. kortikosteroide).

          Së dyti, në raste infeksionesh serioze, mjekimi me antibiotik është gjithnjë i shënjestruar (targeted); të sëmurit i merret kulturë, pastaj shihet se cili antibiotik vepron më mirë in vitro ndaj agjentit patogjen përkatës, etj.

          Këto dallime, besoj unë, e zhvlerësojnë krahasimin.

          Mjekimin, qoftë edhe farmakologjik, të një “sëmundjeje” mendore nuk e shënjestron dot ashtu. Nuk ka ndonjë bar, bie fjala, që të veprojë kundër frikës nga vendet e hapura, dhe një tjetër që të veprojë kundër frikës nga vendet e mbyllura. Ka një bar që shpesh vepron kundër të sëmurëve që ankohen për këto frikëra. I njëjti bar vepron edhe për shumë simptoma (dhe sindroma) të tjera; në një kohë që një numër të sëmurësh me të njëjtat frikëra nuk reagojnë fare ndaj tij. Pse ndodh kjo? Askush nuk e di.

          Natyrisht, këtu vijmë te problemi i etiologjisë; kjo e fundit njihet, në rastin e sëmundjeve infektive, por nuk njihet, në rastin e çrregullimeve mendore.

          Mjeku psikiatër ka në dispozicion një numër barnash nga njëra anë, një numër diagnozash nga ana tjetër, pa folur për teoritë etiologjike (psikanaliza, me të gjitha ngjyrat e veta) që i rrinë mbi kokë. Mjeku i mirë arrin ta negociojë shtegun terapeutik individual mes kësaj xhungle, por mos e pyet më mirë se si e bëri këtë: me eksperiencë, me intuitë, etj.; por, gjithsesi, jo me DSM – meqë kjo e fundit është vegël e natyrës burokratike, i ndihmon më shumë sistemimit të dijes, për nevoja jo gjithnjë mjekësore (standardizimi, sigurimet mjekësore, miratimi i barnave etj.).

          1. E qarte Xha xha. Por ishte nje shembull ilustrues, me i thjeshti qe mund te me binte nder mend, e per pasoje ndoshta jo me i gjeturi. Nese i hyn ne te tilla detaje, gjithmone do ta gjesh nje ndryshim. Por une po e bej edhe nje perpjekje tjeter gjithsesi : metoprolol.
            Perdoret per semundjet kardiovaskulare, si per hipertension, ashtu edhe per ata qe kane kaluar para-infarkt apo probleme me koronaret. Akoma edhe me teper, duke qene se eshte receptoro-bllokues ( beta1 ne zemer ) , perdoret edhe per cregullime me ankthin.

  3. Dhe nga manuali DSM, sigurisht, është hequr – prej kohësh – pederastia dhe homoseksualizmi… Madje këto trajtohen gjetiu si çështje e të drejtave të njeriut…. O tempora, o mores…

  4. Ndoshta gabohem por verej se ka nje ndryshim ne qendrimin e Tim Black-ut dhe ne ate te Xha xhait. Per te dy perben shqetesim rritja e diagnozave por Xha xhai shikon tek ato demone te panevojshem ndersa Black-u mua me duket se ka tjeter qendrim. Ne fund te artikullit te tij ai shpjegon se rritja e diagnozave eshte nje menyre per ta perfshire kedo ne nje shoqeri ku njerezit ndihen gjithmone e me teper te paperfshire. Eshte pra ne nje kuptim antroplogjik nje mekanizem perfshirjeje ashtu sic kane qene dikur mekanizmat sociale me tradicionale(pavaresisht se operojne ndryshe). Eshte si t’i thuash njeriut te thjeshte; shiko edhe ti je ketu, nuk je i vetem dhe kuptohesh nga nje mori ekspertesh!

    Nje tjeter pike; DSM-ja apo manualet e tjere nuk jane bere per tu mare ne duar nga njerez joprofesioniste te fushes, qofte keta edhe dashamires. Madje ato edhe nga profesionistet perdoren pa ndonje vershim andrenaline. Ato jane te merzitshem dhe te ftohte por te nevojshem sepse ekzistojne per t’u orientuar. Vetem kaq. Nje profesionit me kembe ne toke nuk ve diagnoza lart e poshte si ti teket. Ai di vendin dhe kuvendin ashtu sic nje pastor i mire e di ku i perdor citimet nga shkrimet e shenjta.

    A ka nje permiresim ne diagnostikimin dhe kurimin e semundjeve mendore ne dekadat e fundit apo jo?
    Mendoj se ketu nuk ka vend per shume diskutim. Natyrisht qe ka nje permiresim te dukshem. Ka nje rritje te instrumenteve vleresues, ka nje perfeksionim te tyre, ka nje permiresim ne efektivitetin e barnave si dhe ka nje botekuptim me njerezor te te semurit mendor. Madje edhe ndryshimi i herepashershem i kritereve diagnostike eshte reflektim i permiresimit te vazhdueshem si dhe nje qendrimi me me kembe ne toke brenda kontekstit kulturor: ajo qe ishte anormale dje, sot ndoshta nuk eshte!

    Padyshim qe c’do proces ka edhe te metat e tij. Rruga e perfeksionimit ka gjithmone rrezikun e bukfales dhe manine e te parit crregullime mendore kudo. Por kjo e ka nje ilac: profesionistin e mire dhefaktin qe DSM-ja eshte nje liber i hapur. Ai mund te rishkruhet.

  5. Mua me ngacmon pa mase shembulli i ADHD, sidomos tek femijet. Na del qe 2-16% e femijeve te moshes shkollore vuajne nga ky “crregullim.”

    Po te shohesh 6 kriteret determinuese per diagnostikim jane te gjitha “simptomat” qe ndeshen tek femijet qe historikisht jane quajtur “te levizshem, te prape.” Ndersa tani miliona femije jane me ADHD dhe mjekohen me Zoloft a ku di une c’tjeter, qe te “shtrohen” e te behen njesoj si femijet me temperament te ndryshem, ata “te shtruarit, te urtet.”

    Dhe qe ta lidh me DSM, “Ne Ameriken e Veriut, kriteret e DSM-IV jane shpesh baze per diagnostikim, ndersa vendet europiane zakonisht perdorin ICD-10. Nese perdoren kriteret e DSM-IV dhe jo te ICD-10, diagnoza e ADHD eshte 3–4 here me e mundshme.” (Wikipedia)

    1. …”shiko femijet… Sapo lindin ata jane menjehere plot me temperament, por pa arsye (logjike)!Disa prej tyre asnjehere s’kane per ta pasur dot, simbas mendimit tim, dhe pjesa me e madhe e fitojne ate vetem me vone….”

      Plato – Republika, Libri 4

      Sot, mbasi detyrat dhe detyrimet e familjes i jane deleguar te gjitha shtetit, ky, me ane te institucioneve te veta i sheh gjithe anetaret e vet nen nje kalejdoskop psikotomik, femije, dhe i urte, student, dhe i sjellshem, qytetar (ose me sakte takspagues) dhe i bindur, plak dhe i heshtur, etj, etj.

      Urat midis ketyre dy aneve, meqe ia kemi lene te gjitha ne dore shtetit, jane te ndertuara me Ritalin dhe Prozac (Prozac nation :))

      Keshtu me se fundi e mbas shume mundimesh, ne arrijme te kemi qytetin tone te se drejtes, ku secili ben me ndergjegje punen e tij. Arsyeja, me te drejte, eshte ajo qe udheheq, sepse eshte “e mencur dhe i duhet te mendoje/ planifikoje per te gjithe shpirtin”, dhe “kurajo e fisnikeria (high spirited) i takon te jete aleat i arsyes dhe subjekt i tij”
      “Atehere keta te dy, te trajnuar dhe edukuar ne kete menyre (me ritmet e muzikes dhe gjimnastikes) megjithemend qe do e mesojne biznesin e tyre;ata do te komandojne mbi pjesen lakmitare, qe eshte pjesa me e madhe e shpirtit te cdo njeriu, e cila per nga natyra e vet nuk ngopet kurre me pasuri. Kete ata do ta shikojne qe te mos ta lene te mbushet plot me ato qe i quajme kenaqesi te trupit, sepse duke u rritur keshtu i madh e i forte, ai ka mundesi te mos ta beje me punen e vet, por mund te provoje te skllaveroje dhe sundoje klasat te cilat ai nuk ka pune qe ti komandoje, dhe si pasoje ai keshtu permbys komplet jeten e te gjitheve…”

      -Pjeset ne “…” jane nga Republika e Platos, Libri 4

  6. Nje nga shkaqet e ‘shumimit’ te crregullimeve mendore/emocionale, sipas autorit te artikullit, eshte shthurja e struktures sociale/shoqerore te shoqerise se sotme ne krahasim me ate te dekadave me pare, dhe shtimi i stresit (luftes per mbijetese, sic e quan ai).

    Dhe kete lidhje (minuset e jetes sociale = pluse te crregullimeve/shqetesimeve te kesaj natyre) e pasqyron me se miri dhe vete shkenca qe merret me DSM-rat, packa se mbase duhej ti kushtonte me shume rendesi ketij aspekti.

    Kjo mendoj eshte me interesante per tu diskutuar sesa kritika te mirfillta per vete DSM-in, gje e cila eshte dhe me e veshtire per tu bere keshtu pop-ullarisht, per nga vete natyra e DSM-it dhe gjerat qe trajton.

    1. Po diskutoje, o Xhib; mos u mjafto me një direktivë vetëm. Derën e ke të hapur.

      1. Ne fakt kujtova se u kry.

        Dmth bie dakort me ate qe thote autori, qe shqetesimet rriten me ndryshimin e strukturave te shoqerise dhe qe shume syresh te tilla sot s’do te egzistonin (ose do te riparoheshin ‘vetvetiu’) nese njeriu do bente nje jete me shoqerore dhe me pak te stresueshme (dhe ketu autori besoj i referohet me shume jetes ne Amerike/perendim, po kjo vlen deri diku per gjithandej, se helbete, epoke globalizimi).

        Kjo eshte dhe afermendsh xhanem, s’eshte ndonje moment eurek-ist as per autorin, por them se ja vlen te theksohet.

        Me pak fjale, kaq e kisha diskutimin per momentin; me shume per te vene ne dukje kete konkluzion te autorit.

        Po deshet ju mund te elaboroni me teper ne kete drejtim. 🙂

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin