Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji / Kinema / Media / Sociologji

LEKSION IRONIE

Regjisori i njohur amerikan, Oliver Stone; autor filmash të kalibrit të Platoon, Natural Born Killers, JFK, Wall Street, The Doors, Alexander dhe një numër filmash dokumentarë, u rikthye në qendër të vëmendjes së mediave amerikane, pasi i deklaroi një gazete britanike, ndër të tjera, se fokusimi i kulturës amerikane mainstream në Holokaustin ka të bëjë me sundimin e lobit hebre në mediat.

“Ka një lobby të madh në Shtetet e Bashkuara. Janë punëtorë të palodhur. Nuk lënë t’u shpëtojë asnjë koment. Lobi më i pushtetshëm në Washington. Izraeli prej vitesh po e shkërdhen politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara.”

Kështu tha Stone, i cili është vetë gjysmë hebre, prej të jatit.

Në intervistë, regjisori amerikan foli edhe për çështje të tjera delikate: demonizimi i Hitlerit nga mediat, roli i Bashkimit Sovjetik dhe i Stalinit në fitoren kundër Nazizmit, etj. Filmi i tij i fundit dokumentar, South of Border, thuhet se trajton me simpati të madhe figura të pakëndshme për establishmentin amerikan, si Hugo Chavez-i i Venezuelës, dhe Evo Morales-i i Bolivisë.

Natyrisht, reagimet e ashpra ndaj këtyre deklaratave nuk vonuan.

Haim Saban, kapitalist i madh hebreo-amerikan dhe mbështetës i deklaruar i Izraelit, shkroi për Huffington Post:

Oliver Stone-it i duhet dhënë një dorë, madje një e shtyrë e fortë, drejt pensionit të detyruar. Aty, në xhunglën profesionale ku e ka vendin, hipur mbi një arkë druri të shklyer bashkë me Mel Gibson-in, mund t’ia predikojë anti-amerikanizmin dhe anti-semitizmin e vet erës.

Kujtdo që punon me këtë njeri duhet t’i vijë turp nga vetja dhe duhet ta mbajë këtë të fshehtë nga fqinjët, e sidomos nga fëmijët.

Haim Saban-i njëkohësisht ka nisur një fushatë për ta bindur kanalin televiziv Showtime që të anulojë serinë 10-pjesëshe të Oliver Stone-it, me titull “A secret history of America”.

Megjithëse Oliver Stone tashmë ka kërkuar dy herë të falur për çfarë i tha gazetës britanike, kërkesën për anulimin e serisë televizive e ka mbështetur edhe Ari Emanuel, një nga agjentët më të fuqishëm në Hollywood.

Ironia e këtij incidenti nuk di pse më kujtoi këtë barceletë të vjetër.

Një italo-amerikan rrëfente se si, një herë ishte ulur të hante drekë me një koleg të vetin, i cili, herë pas here, e ndërpriste muhabetin për t’i thënë, gjysmë me shaka:

“Ju italianët jeni të gjithë mafiozë.”

Dha e mori ky italiani që ta bindte kolegun se ky s’ishte veçse një paragjykim racist, meqë italo-amerikanët si komunitet kishin bërë shumë përpara në ShBA.

“Jo, jo,” i thoshte miku. “Ju italianët jeni të gjithë mafiozë.”

Po prit, more, i përgjigjej italiani; po De Niro, po Coppola, po Al Pacino, po Frank Sinatra, po Liza Minnelli, po Madonna, po Scorsese, po ky po ai…

“Nuk ma kthen dot mendjen,” i thoshte miku. “Dihet që ju italianët jeni të gjithë mafiozë.”

E allora l’ho fatto ammazzare, e përfundoi rrëfimin italo-amerikani (“atëherë vura njerëz ta vrisnin”).

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin