Përemrat pronorë, jo vetëm në shqipe, lejojnë luhatje kuptimore nga më marramendëset.
Çfarë do të thotë, pikërisht, im? Të papërgatitur, do ta përkufizonim kështu: “që më përket mua, që është prona ime”; çka lidhet edhe me vetë emrin e përemrit – pronor.
Por mjaft të analizojmë shembuj të ndryshëm veç e veç, për t’u bindur se marrëdhëniet mes pronorëve dhe pronave, të ndërmjetësuara nga kjo fjalëz rrëshqitëse, nuk janë aq të tejdukshme.
Lapsi im – natyrisht, unë e kam blerë, mua më përket, nuk ma merr kush. Madje edhe kushtetuta e 1974-ës këtë e quante “pronë vetjake”, për ta dalluar nga “prona private”, e keqja.
Shpretka ime – është vërtet imja, por jo si lapsi; sepse nuk ma ka dhënë kush, por kam lindur me të; po të ishte veshka, mund edhe të ma merrnin pa më pyetur, por gjithsesi, nuk do të ma sekuestronin dot. Por me shpretkën unë s’mund të bëj dot asgjë, përveçse të vetëgjymtohem – edhe pse ligji as këtë nuk ma do të ma lejonte.
Pallati im – ndërtesa ku unë banoj, natyrisht; por për disa të paktë ndërtesa që kanë ngritur ose blerë, dhe kanë vënë të banojnë të tjerë, përkundrejt një pagese të përmuajshme.
Dyqani im – mund të jetë dyqani ku unë preferoj të blej sapunin e rrojes; por zakonisht e dëgjojmë nga goja e dyqanxhiut, që mund ta ketë marrë me qera, ose ta ketë blerë, ose trashëguar nga i jati.
Nëna ime – këtu puna vjen e ngatërrohet pak; sepse nëna nuk më përket mua, madje e kundërta ka më shumë gjasë. Nëna ime është ajo që më ka bërë kokën, duke më nxjerrë nga trupi i vet; i përkas më shumë se ç’më përket. Në një kuptim, është më imja se shpretka; sepse akti mbi të cilin i ka themeluar marrëdhëniet me mua ekziston, i mbrojtur, në paprekshmërinë e së shkuarës dhe nuk zhbëhet dot më.
Gruaja ime – Pavarësisht nga përkufizimi që do t’i jepte pronorit këtu Lek Dukagjini (ai i Kanunit, jo yni këtu në komentet e PTF), mbi debatet për kuptimin e këtij togfjalëshi është themeluar një lëvizje e tërë sociale dhe politike (feminizmi).
Burri im – Ka prej nesh që kur ia dëgjojnë gruas këtë shprehje, kujtojnë se ajo konfirmon statusin e saj si pronë e të shoqit. Me fjalë të tjera, te gruaja ime pronori shënon pronarin (mua burrin), ndërsa te burri im pronën (mua gruan).
Partia ime – Këtë togfjalësh e hasje rëndom në poemat e viteve 1960-1970; pronori shënonte gjithnjë përkatësi pasive; por vetëm se ishte poeti që i përkiste Partisë, madje duke iu dhënë, si nusja dhëndrit në martesën mistike mes artit të fjalës dhe ideologjisë.
Libri im – një tjetër lloj dykuptimësie: mund të jetë libri që sapo kam blerë; por mund të jetë edhe libri që sapo kam shkruar. Gjithsesi, fjala libër nuk i referohet të njëjtit objekt në të dy rastet; meqë libri im si diçka që kam blerë është objekt individual – edhe unë edhe ti mund të blejmë nga një kopje të romanit Lolita, por marrëdhënia që kam unë me kopjen time, nuk është e njëjtë me marrëdhënien që kam, përsëri unë, me kopjen tënde. Përkundrazi, Nabokovi do të kishte quajtur çdo ekzemplar të Lolitës libri im.
Gjithsesi, dhe pavarësisht nga nuancat semantike (biografia ime, gafa ime) njeriu duhet ta ketë prejardhjen nga ketri, po ta gjykosh nga obsesioni për të grumbulluar gjithfarë rraqesh në zgavrën e vet, të cilat pastaj i etiketon me pronorin përkatës, në formë ledhatimi lehtësisht masturbator. Që këtej edhe prirja, përgjithësisht e pafajshme, për ta kujtuar pronorin si shenjues të pronarit.
Shkruan C.S. Lewis te The Screwtape Letters (udhëzime imagjinare që ia jep demoni Screwtape nipit të vet, axhamiut Wormwood):
Ndjenja e pronësisë, në përgjithësi, duhet nxitur përherë. Njerëzve shpesh u dëgjon të nxjerrin nga goja pretendime pronësie që do të tingëllonin të çuditshme edhe në parajsë edhe në ferr; dhe ne duhet t’i ndihmojmë që të vazhdojnë kështu. Rezistenca që i bëhet sot dëlirësisë [chastity] i detyrohet, në masë të madhe, besimit të njerëzve se këta “i zotërojnë” përnjimend trupat e tyre – këto çifligje të hapëta dhe të rrezikshme, pulsuese me energji, në të cilat e gjejnë veten një ditë pa i pyetur kush dhe nga ku i dëbojnë për kënaqësinë e një Tjetri! Është njëlloj sikur një trashëgimtar froni buzëqumësht, të cilin i jati i ka dhënë, për hir të dashurisë, komandën titullare të një province të madhe, të qeverisur në fakt prej këshilltarësh të urtë, një ditë, të nisë vërtet të pandehë se i ka prona të vetat qytetet, pyjet dhe drithin, njëlloj siç i ka të vetat kubet me të cilat luan në dysheme.
Ne e prodhojmë te njerëzit këtë ndjenjë pronësie jo vetëm nëpërmjet krenarisë, por edhe nëpërmjet pështjellimit. U mësojmë atyre të mos vërejnë kuptimet e ndryshme të përemrit pronor – ato dallesa të imëta që përftohen duke kaluar nga çizmet e mia, te qeni im, shërbëtori im, gruaja ime, babai im, kryezoti im, vendi im e kështu me radhë deri te Zoti im. Mund t’u mësojmë që, të gjitha këto kuptime t’i reduktojnë në atë të çizmeve të mia, ose te pronori i pronësisë. Edhe në çerdhe, fëmijën mund ta stërvitësh që me shprehjen arushi im të kuptojë jo objektin e imagjinuar të dashurisë me të cilin ka vendosur një marrëdhënie të veçantë (kuptim që do t’ia mësojë Armiku ynë [Zoti, 2Xh], po të mos tregohemi ne të kujdesshëm) por “arushi që unë mund ta bëj fërtele, po të më dojë qejfi.” Më anë tjetër, u kemi mësuar njerëzve të thonë ‘Zoti im’ me një kuptim në të vërtetë jo shumë të ndryshëm nga ai që ka pronori në ‘çizmet e mia’, meqë kuptimi këtu është ‘Zoti ndaj të cilit unë pretendoj diçka, si shpërblim për shërbimet e mia të dalluara; dhe që unë e shfrytëzoj nga podiumi ku kam hipur – Zoti të cilit ia zotëroj tashmë tapinë…”
[HarperCollins 2001, p.113-114; përkthimi im, pa ndonjë pretendim për plotësi].
Më duhet të rrëfehem se, kur e kam lexuar për herë të parë këtë pasazh të Lewis-it, më ka shkuar menjëherë mendja te citate si ky i mëposhtmi:
Letrat me vlerë të emetuara nga qeveria ime në vitet ‘95-‘96 dhe me afate përdorimi të zgjatura sërish nga qeveria ime para tri vitesh, janë një detyrim madhor dhe i padiskutueshëm i imi ndaj qytetarëve shqiptarë, sepse unë kam qenë President i vendit në fuqi ekzekutive, kur kam miratuar dhe urdhëruar emetimin e tyre.
Lexuesi i regjur në politikë menjëherë do t’ia njohë stilin kryeministrit të tanishëm të Shqipërisë, Sali Berishës; por e vërteta është se shprehja qeveria ime funksionon tanimë si klishe e ligjërimit politik; dhe e gjen të përdorur edhe nga kryeministra të tjerë, para Berishës.
Në gojën e çdo qytetari të republikës, qeveria ime shënon ekzekutivin, ose grupin e administratorëve të lartë të punëve të shtetit; ky kuptim vlen edhe për kryeministrin vetë, sa kohë që edhe ky është qytetar i Republikës Shqiptare. Megjithatë, Berisha nuk thotë qeveria ime njëlloj siç do ta thoshte, bie fjala, një polic trafiku ose edhe një sipërmarrës i tregtisë së llullave; meqë për kryeministrin qeveria ime është, para së gjithash, qeveria që ai drejton.
Një kërkim i shpejtë në Google sjell rreth 23,900 gjetje për togfjalëshin fajtor; ndërsa duke faktorizuar edhe emrin e kryeministrit të sotëm, numri i gjetjeve përgjysmohet në 11,900. Në vetvete, qeveria ime është po aq subversive ndaj demokracisë sa edhe partia ime, republika ime, grupi im parlamentar, ministria ime etj., në gojën e titullarëve përkatës – edhe pse nuk e përfytyroj dot presidentin Bamir Topi ta përdori pronorin me këtë funksion hipertrofik: cilës fjalë do t’ia bashkëlidhë? Presidenca ime? Nuk tingëllon mirë – leqë kujt i bëhet vonë për aparatin e Presidencës… Kushtetuta ime – jo, prapë nuk shkon.
Atëherë ku qëndron problemi?
Në një editorial të para dy-tre ditëve, në The Washington Post (The selective modesty of Barack Obama), Charles Krauthammer kritikon presidentin e vet Obama për egocentrizëm, duke e mbështetur këtë kritikë, ndër të tjera, edhe në mënyrën si e përdor Obama përemrin pronor im. Shkruan Krauthammer:
Vëreni si Obama u referohet rregullisht anëtarëve të kabinetit dhe zyrtarëve të tjerë të lartë të qeverisë si “imi”: “sekretari im i sigurisë së vendit”, “ekipi im i sigurisë kombëtare”, “ambasadori im”. Përdorim më normal dhe më i respektueshëm do të ishte të thuhej thjesht “sekretari i sigurisë së vendit” etj. Tek e fundit, zyrtarët publikë betohen që t’i shërbejnë popullit të tyre dhe kushtetutës – jo personit që i ka emëruar.
Krauthammer-in, si analist, unë nuk e honeps dot; por analiza e tij më shërben këtu për të ilustruar si publiku amerikan tregon vëmendje ndaj detajeve të tilla; edhe pse kultura demokratike, në SHBA, i ka rrënjët të thella dhe nuk mund të rrezikohet nga egocentrizmi – i supozuar – i një presidenti.
Në Shqipëri, përkundrazi, kultura demokratike ende është për t’u ndërtuar; dhe ky ndërtim do të nisë edhe në ligjërimin politik, në të cilin politikanët nyjëtojnë, dashur pa dashur, raportet që vendosin me njëri-tjetrin, me institucionet dhe me publikun. Ndoshta mënjanimi, në kontekste të tilla, i këtij pronori parazitar, që funksionon më tepër si drogë përftuese iluzionesh të madhështisë, do të shërbente si fillim i mbarë. Përndryshe, le t’ia lëmë njeriut të rrugës, anonimit të intervistuar kaçakçe ose të kapur në candid camera, që të thotë qeveria ime, duke e gjetur veten në ekzekutivin nëpërmjet identitetit të vet si zgjedhës dhe si qytetar. A nuk do të ishte për t’u uruar, që qeverinë e një vendi ta konsideronte si pronë të vetën publiku përkatës, jo kryeministri?
Nje shembull:
Meine Frau ist gestohlen worden!
Dhe shqip:
Gruan time e vodhen!
Nga nje liberth …
Perveç perkatesise pronore qe ju jep objekteve permeri pronor, ne rastin e “i imi/e imja” eshte edhe rasti kur me te tregojme perkatesine tone ndaj emrit qe i paraprin pronorit.
Rasti me i bukur eshte ai i shembullit te nenes te sjelle ne artikull, por qe haset shpesh edhe ne rastet kur flitet per fshatin, vendin… apo flamurin tim.
Duket se konfuzioni eshte i perbotshem, shprehje se ne te gjitha koherat, kombet e kulturat mardheniet e individit me pronen nuk ndryshojne shume.
Sjell ne mend nje film shume te vjeter freng, qe nuk i kujtoj as titullin, ku Burvilin, qe ishte ushtar i thjeshte e paraqesin te eprori tij dhe e porosisin ti drejtohet me “Po, gjenerali im”. Burvili nuk e hengri nje gje te tille, se nuk besonte se ishte pronar i nje gjenerali dhe i thote “Po, gjenerali tend!”
(Kuptohet se ne thelb eshte fjala per te treguar nje lloj nenshtrimi, pra une te njoh per gjeneralin, eprorin, tim)
Me sa duket shpjegimi duhet kerkuar thelle ne shekuj, kur nga nje koktej gjuhesh qe flitej ne territorin e frankeve, nisi te formesohet frengjishtja. Eshte interesant se prej atehere ai gjendet ne fjalen me te perdorur te gjuhes te Monsieur, qe duket se perbehet nga Mon dhe sieur.E njejta gje mund te thuhet edhe per Madame (Ma-dame).
Revolucioni me nje dekret te viti 1790 e ndaloi perdorimin e tyre (si shprehej perultesie e ushqyer nga regjimi i vjeter) dhe porositi qe nje burre te cilesohet le sieur dhe nje grua la dame.
Pa kerkur hollesi te wiki, duket se sieur (sikunder edhe sir) rrjedh nga latinishtja e vone, por mua me habit fakti pse edhe ne gjuhe te tjera ku kjo fjale eshte e pranishme, ne spanjisht, italisht, anglisht etj. ajo nuk shfaqet ne formen frenge (Monsieur), perveçse ne rastet kur u drejtohemi jo “civileve”, dua te them te forma e jerarkise kishtare monsignore.
Ne fund te fundit, kete forme te fundit edhe kuptojme te gjithe, sepse nuk ka shenje “privatizimi” dhe as peruljeje kur i drejtohemi atij entitetit metafizik qe eshte atje lart.
Duket se versioni freng mund te jete edhe shprehje e nje fryme te zhvilluar kalorsiake, natyres absolute dhe vendit te gjere qe merrte prania e autoritetit shteteror ne ate vend.