Teksa njëmbëdhjetëshes spanjolle iu deshën gati dy orë për ta fituar më në fund botërorin e merituar, ndeshja vetë më çoi shtigje në meditimi të përdredhura.
Regjia televizive përcillte, herë pas here, pamje rutinë nga sheshet në Amsterdam dhe në Madrid, ku mijëra vetë ishin mbledhur të kremtonin së bashku fitoren ose të ngushëlloheshin, sipas rastit, për humbjen.
Në të vërtetë, ngjarje të tilla sportive katalizojnë, si rrallëçka tjetër, ndjenjën e përkatësisë kombëtare; dhe kjo vlen njëlloj për vende të varfra dhe të pasura, veriore dhe jugore, të mëdha dhe të vogla.
Kur pashë flamujt spanjollë të valëvitur në Madrid dhe më pas fotot euforike në faqet e para të dy-tre gazetave spanjolle që i shfletoj ndonjëherë në Internet, nuk mund të mos kujtoja se, vetëm sot në mëngjes, kisha lexuar për një manifestim madhështor në Barcelona, kundër një vendimi të gjykatës kushtetuese spanjolle, për të mos ia njohur Katalunjës statusin e kombit.
Ironike që një protestë e tillë nën shenjën e separatizmit dhe të pavarësisë të përkonte me momentin kur Spanja u ndie krenare si kurrë ndonjëherë, për shkak të fitores futbollistike në Afrikën e Jugut.
E kotë të shtoj këtu që kjo fitore u parapri nga triumfet e njëpasnjëshme të FC Barcelona-s, për vite me radhë, në arenën europiane; ose të ekipit të atij qyteti që nesër mund të jetë kryeqytet i shtetit më të ri në Europë.
Pas 1990-ës, kontinentin e ka përfshirë një skizofreni ndarjesh dhe integrimesh të njëkohshme – më një anë, të gjithë duan të futen në Bashkimin Europian, duke hequr dorë vullnetarisht nga disa prerogativa të sovranitetit; më anë tjetër, krahas katalanëve që u rri ngushtë kostumi spanjoll, janë edhe italianët e veriut të Italisë (e ashtuquajtura Padania) dhe flamandët e Belgjikës që duan të dalin më vete; pa folur pastaj për çekët dhe sllovakët, shkërmoqjen e BRSS-së dhe sidomos, të Jugosllavisë në minishtete, çdokush prej të cilëve e mban në gji një minishtet të vetin.
Pikërisht sot Bosnja përkujton masakrën e pashembullt të Srebrenicës, në 1995; kur mijëra burra dhe fëmijë boshnjakë refugjatë në një qytet të mbrojtur nga forcat e paqes të OKB-së, të u vranë mizorisht prej forcave serbe, të braktisur në fatin e tyre nga kush ua kishte garantuar sigurinë: një kontingjent trupash holandezë.
Edhe për këtë mendova, tek ndiqja portokajtë që luftonin për jetë a vdekje, madje më shumë për vdekje sesa për jetë, për të shtënë në dorë trofeun e tyre të parë botëror kundër të kuqve; dhe ua admiroja shpirtin luftarak, vetëmohimin dhe virtytin kameratesk – të cilat u munguan aq shumë bashkatdhetarëve të tyre burracakë 15 vjet më parë në Bosnjë.
I gjithë ky përshoqërim idesh emotive nuk ka ndonjë bazë logjike; sepse nuk ka ndonjë lidhje mes ca djemve që zbaviten duke luajtur futboll në një fushë me bar dhe ca djemve të tjerë me kaska blu, të dërguar, nën flamurin fisnik të OKB-së, për të mbajtur zap të egjrit e Ballkanit; nuk ka vërtet lidhje, përtej flamurit holandez që e tundin edhe të parët edhe të dytët; edhe pse të parët me shumë më pak lavdi se të dytët.
Kombi si komunitet i imagjinuar, për ta thënë me Benedict Anderson.
Holandezët përballë serbëve dje dhe iberikëve sot më kujtuan pastaj filmin Guerreros (Warriors) të Daniel Calparsoro-s, që rrëfen katastrofën humane të një plotoni ushtarësh spanjollë gjatë luftës të vitit 2000 në Kosovë; i pëlqyer nga kritika, sado që saktësia historike i është vënë seriozisht në diskutim. Gjithsesi, spanjollët antiheroikë të atij filmi nuk i ndaj dot nga holandezët e Srebrenicës; arsye më tepër, besoj unë, për t’u trishtuar, në nivel ballkanik edhe pse jo doemos futbollistik.
Futbolli, në nivel kombëtaresh, është gjithnjë ftesë për të reflektuar rreth kombeve, si konstruksione që na duhen, për t’i bërë tonat ose për t’i narrativizuar më mirë ngjarjet kaotike rreth nesh; për t’i sistemuar në histori e për t’i përjetuar si drama morale – me të mirë dhe të ligj, trima dhe frikacakë, dashuri dhe urrejtje, gëzime dhe dhimbje.
Vetë sporti agonistik – siç e kanë thënë prej kohësh – nuk është veçse dhunë e ritualizuar, ose simulim i dëshirës sonë për t’u ndeshur me tjetrin në fushë të betejës. Nëse dje ishin luftrat ato që i mbrujtën kombet e Europës, atëherë ne sot jemi më fatlumë, sepse kemi futbollin e televizuar.
Ndoshta duhej të kisha shtuar edhe shqiptarët, në këtë kolazh përshtypjesh; si përjetësisht të lokalizuar në anën e këtejme të ekranit – por nuk po e teproj me etnocentrizmin, sidomos në rrethanat kur shqiptaria po e përjeton këtë kampionat e shndërruar në një pasqyrë monadike të botës mbarë.
Shënim: ky shkrim u botua pastaj, me pak redaktime, edhe te Shekulli i dt. 13 korrik 2010.
“Në të vërtetë, ngjarje të tilla sportive katalizojnë, si rrallëçka tjetër, ndjenjën e përkatësisë kombëtare; dhe kjo vlen njëlloj për vende të varfëra dhe të pasura, veriore dhe jugore, të mëdha dhe të vogla.”
Kur Shqipëria pat fituar kundër Greqisë, kampionës europiane, TV – kanali gjerman ZDF e pat dhënë një reportazh interesant, ku përveç tjerash thuhej se kjo fitore ka ndikuar në vetëdijën kombëtare të shqiptarëve.
Kam vërejtur se një numër shqiptarësh nuk e vlerëson sportin, as futbollin. Mbaj mend një arsimtar në shkollën fillore, që e urrente aq shumë futbollin, sa ulurinte:
Marri! Marri! Krejt bota vrapon mbas nji topi si të marrë!
Ishte matematikan. Ishte edhe katundar.
Para disa ditësh e lexova një shkrim të huazuar nga shtypi i huaj, ku autori thoshte se “sot futbolli është më i rëndësishëm se teatri.”
Për futbollin thonë se është gjëja më e rëndësishme e dorës së dytë. Është i vetmi sport i popullarizuar në nivel global.
Në kontekstin e polemikave të sotme në këte blog, unë do të shtoja:
Futbolli është më i rëndësishëm se maoizmi!