VRASJE TË VOGLA MIDIS MIQSH

(Një thikë shfaqet më në fund)

Nëse në librin e fundit që botoi, Jeta ime, Ramiz Alia  përpiqet të verë pak eshtra, ligamente, muskuj e ngjyrë në portretin e tij prej udhëheqësi të formatit të xhepit, gjithçka nuk mbyllet këtu. Disa fakte të reja tregojnë se shërbimet e tij ndaj Enver Hoxhës i tejkalojnë së tepërmi ato çka mund të bëjnë « shokët e armëve », për njëri tjetrin. Kemi të bëjmë me shokë krimi të mirëfilltë në gjirin e komunitetit. Thënë ndryshe me vrasje të vogla midis miqsh.

Ndërkohë që flet për vetëvrasjen e M. Shehut, Alia në këtë libër përsërit versionin e njohur se si shkoi te Enver Hoxha atë mëngjes dhjetori, 1981, të cilin  e gjeti duke ngrënë qetësisht mëngjes dhe si i dha lajmin. Sipas tij Hoxha u habit dhe pyeti përse ai e bëri këtë (Gati si të thoshte, pse nuk na e la ne këtë punë në dorë). Më tej edhe Alia ka refleksionet e veta, që nuk ka ngurruar ti përsërisë edhe nëpër intervista e të na sjellë me to atmosferën prej rubeole të asaj kohe . Por këtu ai hedh  për herë të parë hapin  e tij të gabuar, që aq shumë e ka matur këto njëzet vjet, shfaq  për herë tiparet e tij sibiline.  Sipas tij nuk ishte parashikuar asgjë e keqe për Shehun, se vetëm pritej që atë ditë ai të bënte autokritikë midis shokësh. Dhe gjithçka do të mbyllej me kaq. Alia na siguron me këmbëngulje se edhe të nesërmen M. Shehu, do të ishte gjithnjë anëtar i Byrosë Politike  dhe kryeministër i vendit.

Le ta besojmë Alinë për një çast.

Ndërkohë shohim se këto ditë doli edhe një libër me kujtime  i Agron Çobanit, ish drejtor i  Radiotelevizionit shqiptar. Në këtë libër, gazetari i  njohur flet për atmosferën që mbretëronte në Tiranë para vetëvrasjes së Shehut, dhe jep një fakte tepër interesant. Ai tregon se si Ramiz Alia e thërret në zyrë atë dhe drejtorin e Kinostudios dhe ndërsa Çobanit i  kërkon llogari përse kishte përmendur emrin e Fiqrete Shehut në kronikat e lajmeve televizive  të një nate më parë, drejtorin e Kinostudios V. Zallëmin e porosit prerë të ndërpriten menjëherë xhirimet e një filmi ku skenarist ishte i biri i kryeministrit të vendit, Bashkim Shehu. Për një vendim kaq të rëndë ai nxjerr një pretekst kot, (se nuk kemi ende një film për revizionistet sovjetike) por, gjithsesi,  porosit të ndërpriten përfundimisht dhe jo të  pezullohen. Kjo ka rendësi të theksohet.

Para një fakti të tillë të panjohur më parë, duket se fshihen rrethanat  kabalistike të  vetëvrasjes së ish kryeministrit të Shqipërisë. Çobani thotë “ e vetëvranë” dhe nuk duket të jetë larg.

A do të guxonte Ramiz Alia, që jo vetëm një herë ka folur për vështirësitë dhe komplekset e gati frikën  që ndjente para Shehut,  të urdhëronte që të shoqes së këtij të fundit të mos i dukej portreti nëpër televizione? Që të birit të kryeministrit  t’i ndërpritej përfundimisht xhirimi i një filmi, i miratuar më parë? Do të ndërmerrte ai hapa kaq të rëndë po qe se vërtet do të ndodhte ajo që thoshte ai, pra qe edhe të nesërmen e asaj mbledhjes së munguar, Mehmet Shehu do të ishte përsëri kryeministër dhe anëtar i Byrosë Politike?

Para këtyre fakteve a mund të vazhdojë të besohet ende versioni  i butë  i ngjarjeve që jep Alia?

Në këto kushte nuk mund mos të mendohet se ishte parashikuar që Shehu të mos jetonte më as edhe  një ditë më shumë, pas mbledhjes në fjalë,  përndryshe i takonte Ramiz Alisë të sublimohej a të gjente një formë tjetër ekzistence. Dhe jo thjesht për reprezalje të Shehut, por për aktet e rënda  jo ligjore që ndërmerrte.   Por, Alia,  duke bërë atë hap, duke censuruar Fiqrete Shehun dhe realizimin e skenarit në fjalë të të birit të kryeministrit, që deri atëherë kishte kushtuar jo pak, ai ka patur siguri të forta që orët e Shehut ishin të numëruara. Ai nuk ka marrë një urdhër për një gjë të tillë, ai është pjesë e projektit për zhdukjen e tij.

E pakta gjë që mund të mendohet është se ka një vendim i marrë në një rreth fare të ngushtë për arrestimin e tij në mbledhjen e pritshme të Byrosë Politike dhe asgjësimin e shpejtë. Plotësisht i  ndërgjegjshëm për këtë, Mehmet Shehu ka zgjedhur rrugën e vetëvrasjes.

Kjo histori e trishtë tregon në këtë libër Ramiz Alia rrëfen shumë më pak se sa di në të vërtetë. Edhe vetëm nga fakti i mësipërm, duket qartë se ai në rastin me të mirë  ka qenë njeriu i ngarkuar të kryejë punët e ndyra të Enver Hoxhës dhe në rastin me te keq ai i merrte vetë përsipër ato për të siguruar kryet e vendit, ndërkohë qe diktatori po jepte shenja te sigurta se kishte hyrë ne fazën paliative të jetës së tij.

Nuk ka komente

  1. Dyfytyresine e tij e tregoi Servet Pellumbi para disa ditesh. Pasi e pa qe ne kongresin e fundit te PPSh situata brenda partise i kish dale nga duart, shiti komplet ‘shoket’ e Byrose Politike duke deklaruar ne menyre pezhorative ‘ja me keta (lloj larvash) kam qene i detyruar te qeveris’. Shoku i byroisteve ishte i prekshem.

    Nga ana tjeter, dyfytyresia brenda PS-se vazhdon. Kastriot Islami i pat bere nje foto Servetit me nje liber te Marx-it ne dore ne Librarine e Kongresit Amerikan ne Washington DC, dhe ja shet pronarit te Koha Jone(gazete opozitare per ate kohe) per $500. Fotoja perfundon ne faqe te pare.

  2. Isha te promovimi i librit ku mori pjese edhe autori. Fjalen e hapjes e mbajti e shoqja e botuesit. Ndersa “per nje analize me te detajuar”, i ngrit dhe foli gazetari i vjeter G. Po c’te te thome mo, c’te te mollois? Nje gjuhe qe e degjon vetem te arkiva e kongreseve – e kam si stil, jo per permbajtjen, sepse kjo e fundit eshte e drejte e folesit dhe ceshtje kendveshtrimi.
    Une mendoj se Ramua me kete liber ka bere nje autogol cinizmi; e thote qe ne fillim se ky nuk eshte liber historik, aty nuk ka dokumente, por vetem kujtime te tijat. “Jeta ime” – ky titull i vene ne raport me permbajtjen e librit zbulon profilin e ketij politikani, qe njehere te vetme goja nuk i nxori dicka qe te manifestoje kurajo. Eshte e pamundur qe nje njeri, protagonist dhe deshmitar i ngjarjeve te medha dhe me rendesi te genjeje njerezit duke thene se Kujtimet e tij, apo edhe interpretimi i tij per situata te caktuara, nuk mund te shihet si histori. Sepse histori dhe mundesi njohjeje jep edhe perpjekja e Ramos per ta pare edhe jeten e tij si versioni zyrtar i PPSH-se apo ne perputhje me te. Ky eshte i vetmi kuriozitet shkencor i librit – pra profili psikologjik i autorit qe zbulohet kesaj radhe ne vete te pare- pasi brendine e tij e ka shkruar Verua dhe nuk e tund as topi.
    Eshte e pamundur qe pas kaq vitesh, shkundjesh dhe troshitjesh njerezore, pas kaq ndodhish madhore, pas kaq vdekjesh dhe hidherimesh, nje njeri te dale e te riprodhoje me veshtrimin e 1948 te gjitha ato qe ndodhen me pas. Duket sikur nuk ka fare kabell per retrospektiven ky lloj komunisti – e jeton kohen e vet ne frekuence te njejte me tensionin politik te cilin historia e ka lene pas. Ndoshta kjo eshte pjese e tekonologjise se pushtetit, te cilen duhet ta jetosh qe te ftillosh kete lloj sjelljeje. Perndryshe ky raport me te verteten historike por edhe me veten ne nje fare menyre jo vetem keqkuptohet, por tipizon vetem e vetem komunistet. Keshtu ndoshta kuptojme pse i vetmi, apo nga te vetmit lidere komuniste qe kane lene Testament eshte Lenini, i cili sikurse thuhet merakun me te madh e kishte ne caktimin e pasardhesit. Te tjeret as testamente, se amanete jo e jo. Me kujtohet ajo qe thoshte Hrushovi per Stalinin: “Ai mendonte se nuk do vdiste kurre”. Nese ne e kemi gabim qe gjykojme keshtu, atehere e verteta eshte me Ramizin dhe opsionin historik qe na eshte servirur deri me tani, qe eshte shume me keq sesa ideja e re per nje Histori ndryshe te ketij vendi nga historiografia.

  3. Nuk prisja qe pas gati njezet vjetesh R. Alia te sillte te verteten. E mora ne dore librin dhe pasi lexova vetem disa paragrafe te parathenies ja ktheva shokut tim. Koha sot nuk shperdorohet per te lexuar dy here te njejten gje ne kohera te ndryshme. Shvejku po. Ja vlen.

    Ate c’ka do te prisja nga Alia do te ishte nje liber me fakte, materjale, deshmi dhe me nje titull te madh: “Kurajo per te verteten”. Dhe ne fund, si epilog, te shkruante dy paragrafe ku ti kerkonte falje popullit te tij si shkaktar direkt dhe indirekt i dramave dhe vuajtjeve te rregjimit komunist.

    R. Alia ne keto njezet vjet ka patur kohe me shumice per tu ngritur nje mengjez dhe pasi te rruhej, lahej, dhe hante, te theriste nje gazetar te cilit do ti rrefente te gjitha ngjarjet dhe dorzonte doreshkrime dhe materjale qe do hidhnin drite mbi shume te verteta; ashtu si i dinte ai. Pse jo te shkonte deri ne fund te se vertetes te pa pranuar qe ai u projektua si vazhdues i pas-pushtetit te Hoxhes. C’te keqe do ti vinte Alise nga thenia e ketyre te vertetave? Asgje vecse do lehtesonte veten dhe do fitonte admirimin per gjetjen e kurajos per te thene te ato.

    Vetem ne kete menyre libri do te shitej brenda dites dhe do lexohej brenda nates. Perndryshe, ne rastin me te mire, pensionistet do shtien leke dhe do blejne nje kopje per te shtyre ditet e nxehta te veres te parku Rinia.

    Udheheqes medioker qe nuk ngrihet e te dale mbi veten edhe pse i kane mbetur grimcat e fundit ne oren e reres se jetes se tij. Si duket ka vendosur ti mare me vete dhe te vazhdoje te mbaje vendin e nderit ne presidentet e Shqiperise qe jetojne akoma.

    Kam frike se kjo mendje vazhdon te genjeje akoma.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin