Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Përkthim

SUSTAINABILITY NË SHQIPE

Si t’i përkthejmë në shqipe termat sustainable dhe sustainability, të cilat po gjejnë përdorim gjithnjë e më të gjerë kohët e fundit, veçanërisht në tekste që trajtojnë çështje të ekonomisë, të ekonomisë politike, të politikave ekonomike, të energjitikës dhe të mbrojtjes së mjedisit?

Fjalorët e ndryshëm shqip-anglisht, shqip-italisht, shqip-frëngjisht etj. këtu nuk ndihmojnë shumë; sepse përdorimi që më intereson është relativisht i ri edhe në gjuhët perëndimore (ndeshet në tekste vetëm pas vitit 1980).

Me sustainability kam parasysh përdorimin e ekosistemeve dhe të burimeve të tyre në mënyrë të tillë që të kënaqë nevojat e tanishme por pa dëmtuar nevojat ose opsionet e brezave të ardhshëm. Kështu, thuhet se një ekosistem është sustainable, nëse arrin të mbahet i diversifikuar dhe prodhimtar me kalimin e kohës.

Koncepti nuk përkufizohet dot lehtë, për shkak të rëndësisë që ka marrë në ekonomi, në politikë dhe në shkencat e mjedisit; Wikipedia (lidhja më sipër) e përkufizon si “përmirësim i jetës së njeriut duke mos i cenuar kapacitetet bartëse të eko-sistemeve mbështetëse,” duke vërejtur pastaj se sustainability është edhe një “thirrje për veprim”, ose proces politik.

Gjithsesi, përkufizimi këtu më shërben vetëm për ta shtruar më mirë çështjen e përkthimit të termave në shqipe.

Mbiemrin sustainable (p.sh. sustainable development) unë do të përktheja i mbajtshëm; një version alternativ do të ishte i ruajtshëm. Ideja këtu është që ritmet e zhvillimit janë të tilla që mund të mbahen ose të ruhen në kohë. Një version i tretë, në këtë rast, do të ishte i përballueshëm (zhvillim që mund të përballohet nga mjedisi); por këtu tema përballoj sjell me vete një element të rezistencës (qëndresës), ose të mbrojtjes pasive, që fjala origjinale sustain nuk e ka.

Në këtë rast, sustainability do të përkthehej si mbajtshmëri, ruajtshmëri ose përballueshmëri; gjithnjë parapëlqej të parën, por do të doja ta diskutoja çështjen me ju.

Përkundrazi, i qëndrueshëm, qëndrueshmëri u përgjigjen termave stable, stability dhe nuk duhen tejngatërruar me kuptime të reja; edhe pse i kam ndeshur të përdorura (p.sh., në sajtin shqip të USAID-it, ka një artikull me titullin Përmirësimi i jetesës përmes turizmit të qëndrueshëm, i cili është përkthyer nga anglishtja “Improving Livelihoods in Albania through Sustainable Tourism”).

Me konceptin e mbajtshmërisë lidhet edhe ai i burimeve energjitike renewable; ky term me lehtësi mund të përkthehet si i përtëritshëm (burime të përtëritshme, energji e ripërtëritshme, etj.); disa do të thoshin i ripërtëritshëm, por këtu parashtesa ri- nuk shton ndonjë gjë, veç rimerr, me rrugë pleonastike, një semë nga kuptimi i temës. Në thelb, përtëritshmëria është një nga aspektet e politikave të mbajtshmërisë.

Gjithsesi, do të doja të dëgjoja mendimet tuaja.

Pa Komente

  1. Xha Xha, termin sustainable/sustainability (angl.), sostenibile/sostenibilità (it.), unë e kam përkthyer dhe përdorur në shkrim gjithnjë si i përballueshëm/përballueshmëri, edhe pse nuk më ka kënaqur kurrë plotësisht, përveç tiparit abstrakt që ia dhuron parashtesa për. Në të vërtetë, mbiemri shqip i përballueshëm sikur ia heq përmasën kohore (të kohëzgjatjes) që përmban termi i huaj, dhe e zhvendos bariqendrën kuptimore tek forca qëndruese (përballuese).

    Diçka më shumë na sqaron antinomia: unsustainable (angl.), insostenibile (it.), përkthehen normalisht me i pambajtshëm. Po të ndiqnim modelin e parë, në kontekstet që na interesojnë këtu, do të përkthehej i papërballueshëm. Mirëpo në këtë mënyrë semantika e mbiemrit në shqip sikur mbingarkohet edhe me forcën rrëmbyese që cilësori evokon. Pra më mirë i pambajtshëm.

    Nga ana tjetër, fjala mbajtshmëri nuk ia plotëson të gjitha kushtet përmasës kohore që shpreh termi sustainability. Vetëm për këtë pikë do të ishte mirë ruajtshmëri, por kjo, kam frikë, kur përdoret në formë cilësore tregon cene të forta: zhvillim i paruajtshëm?!.

    Mos vallë shkrirja e dy alternativave të mësipërme mund të na japë një rrugëzgjidhje? Si të tingëllon sustainability – përmbajtshmëri? Përmbajtshmëria e jetës në det? Po zhvillim i përmbajtshëm? Po mjedis i papërmbajtshëm? Ah, këtu fillojnë sërish problemet…

    1. Pishak, edhe mua më shkoi në mendje “i përmbajtshëm”, po nuk isha i sigurt nëse është korrekt në shqip si fjalë.

      Dhe më pëlqen shumë si term.

    2. Pishak, mua i përmbajtshëm dhe përmbajtshmëri nuk më pëlqejnë; sepse menjëherë më referojnë te familja e fjalëve contain, container, content, etj., të cilave u përgjigjen fjalët shqipe përmbaj, përmbahet, përmbajtje. Njëkohësisht, siç e ke vënë re edhe ti, fjalë si i papërmbajtshëm shenojnë tashmë një karakteristikë psikologjike të dikujt që nuk përmbahet dot. Ndryshe nga këto, versioni im i mbajtshëm i përgjigjet drejtpërdrejt një seme bazë të kuptimit të fjalës sustainable: pikërisht atë që ritmet e zhvillimit mund të mbahen të pandryshuara me kalimin e kohës. Ky është edhe thelbi i sustainability; jo kufizimi i zhvillimit, ose “përmbajtja”, por aftësia për t’i mbajtur (ruajtur) ritmet për një kohë të gjatë.

  2. Unë e kam hasur shpesh termin dhe konceptin në librat e shkollës për sustainable.

    Interesante është që greqishtja e ka përkthyer “βιωσιμη” – që pak a shumë do të përkthehej “jetësore”. Mbase më saktë do të ishte “e jetueshme”, nuk jam i sigurt.

    Meqë më jepet mundësia, Xhaxha, a mund të më shpjegoni se cili është ndryshimi llogjik mes këtyre mbiemrave: jetik dhe jetësor?

    Nuk e di nëse mund të adoptohej edhe në shqip si term “ekonomi jetësore”…

    Besoj se termi forcën e vet e ka te shpjegimi. Dhe jo te vetë fjala. Dmth… ishte në një farë mënyre i detyrueshëm për lexuesit shpjegimi i “sustainable” dhe ky pastaj lidhej me përfytyrimin që do kishim për të.

    “E qëndrueshme”, mua më duket se shqipja te kjo fjalë shfaq vetëm anën statiko-fizike më shumë. Prandaj për terma matematike, ka adoptuar gjerësisht ekuivalenten latine – “konstante”.

    Idealja do të ishte të gjendej një term që të përshkruante “qëndrueshmërinë”, por njëkohësisht edhe zhvillimin.

    Mbase kushtin mund ta plotësonte gjithë togfjalëshi “zhvillim i qëndrueshëm ekonomik”. Sepse ka një dallim të madh mes “zhvillimit të qëndrueshëm” dhe ekonomisë së qëndrueshme. E para merr parasysh një proces ku dallohet qëllimi – që është zhvillimi ekonomik; por jep edhe karakteristikat e këtij zhvillimi – duhet të jetë sustainable.

    “I përballueshëm”, është fjalë interesante në fakt, sepse nëpërmjet kuptimit të fjalës, në një farë mënyre vendos kushte. Dhe vetë ekonomia “sustainable”, kërkon kushte të veçantë dhe më shumë detyrime për tu aplikuar. Ky term është i përshtatshëm nga ana filozofike, sepse ofron një kundërvënie me zhvillimin e shfrenuar që mban për variabla vetëm faktorë ekonomikë të përkthyer në para’.

    Ju e patë nga ana e mjedisit përballimin, më vjen mirë për këtë, se në ekonominë “sustainable”, përfshihen edhe terma të tillë si “kapaciteti mjedisor”, por mund të shihet dhe si ajo mënyrë ekonomike që mund të përballojë vetë njerëzimi. Në këtë rast, fjala në anglisht do të ishte afford – affordable.

    1. Edhe pse jetësor dhe jetik rrethpriten, semantikisht, në kuptimin “vital”, jetësor dallohet, ngaqë shenjon edhe gjithçka që lidhet njëfarësoj me jetesën (p.sh. kushtet jetësore), ndërsa jetik nuk e ka këtë kuptim relativ.

      1. Xhaxha, unë kisha një farë ideje se “jetësor”, tregon një lloj vazhdimësie dhe pavarësie prej kushteve. Dmth pak a shumë, “jetësore” është diçka që nuk kushtëzohet. Mendoj se Zgjim thotë më poshtë të njëjtën gjë. “Jetësor” më duket njëfarësoj më gjithëpërfshirës.

        Por arsyeja e pyetjes, është dukuria e formimit të kësaj trajte të mbiemrave në greqishte.
        Të gjithë mbiemrat e këtij lloji, marrin prapashtesën “ιμος”, (imos), ndryshe nga mbiemrat që tregojnë gjithnjë cilësi të emrit që shoqërojnë, dhe këto marrin prapashtesën “ικος” (ikos).

        Mbase ekuivalentja e kësaj në anglishte, do të ishte “able”, që tregon në një farë mënyre se karakteristika e përshkruar me “able”, është vetë-përmbushëse (selfsufficent).

        Mbase përsëri, në shqip ekuivalentja do të ishte mbiemër i formuar me formën e prapashtesës “shëm”.

        Nuk e di çfarë mendimi keni për këto dhe më korrigjoni nëse e kam gabim.

        1. Patjetër, J. Këtu prapashtesat për formimin e mbiemrave funksionojnë në mënyrë pothuajse algjebrike: mbiemrat me –shëm, nga tema foljore, tregojnë mundësi për të kryer ose për t’iu nënshtruar veprimit që shenjon folja, njëlloj si ata të formuar me –able në gjuhët romane dhe në anglishten. Një specializim i tillë i prapashtesës i përket vetëm gjuhës librore; në shqipen popullore, prapashtesa –shëm i ka pasur më pak të specializuara funksionet, madje edhe kur u bashkohej temave foljore (i knushëm është “i mësuar”; i dishëm është “i ditur”; i pishëm është “që ka pirë” etj.) Kjo dukuri – specializimi semantik i prapashtesës në krijimet e reja – provon se shqipja librore gati-gati e ka gramatikalizuar, meqë tani nga çdo folje mund të krijohet një mbiemër me –shëm; nëse unë krijoj një folje si tanoj, dhe sqaroj se kjo është folje kalimtare që përdoret në kontekste të tipit tanoj kompjuterin, por pa e sqaruar se ç’do të thotë tanoj pikërisht, atëherë folësi megjithatë do të pranojë thënie të tilla si: më jep një laptop të tanueshëm, ky kompjuter është i patanueshëm, tanueshmëria e kompjuterit etj., madje do të pretendojë se ua di kuptimin (njëlloj sikurse do t’ua “dijë” kuptimin formave tanova, tanofsh, kam tanuar, për të tanuar etj.).

    2. “Jetësor” ka kuptim më të gjërë dhe e përmban në vete kuptimin e mbiemrit “jetik”. E para mund të përdoret në vend të së dytës, kurse e dyta nuk mund të përdoret në çdo rast në vend të së parës. P.sh. kur hamë mollë mund të themi se kemi ngrënë pemë, por nuk mund të themi se kemi ngrëne dardhë, edhepse dardha është pemë.

  3. ””’Një version i tretë, në këtë rast, do të ishte i përballueshëm (zhvillim që mund të përballohet nga mjedisi); por këtu tema përballoj sjell me vete një element të rezistencës (qëndresës), ose të mbrojtjes pasive, që fjala origjinale sustain nuk e ka.””’

    Nuk mendoj se eshte edhe aq e rendesishme ne fjala ‘sustain’ ka apo jo nje kuptim qendrese/rezistence, meqe i rendesishem per ne eshte koncepti jo fjala ( gjithsesi ‘sostenere’ ne italisht ka edhe kuptimin e rezistences).

    Dalja e ketij koncepti lidhet me nje sulm te supozuar ndaj mjedisit, sulm i zhvillimit , prandaj perballim/i perballueshem me duket term i sakte.

    Zhvillim i perballueshem prej mjedisit dhe i paperballueshem prej mjedisit.

    Do thoja se kjo mund te perdoret edhe per zhvillimin ne teresi, jo vetem ana ekologjike apo e burimeve. Psh Kina ka vite qe planifikon nje zhvillim te perballueshem, dhe qellimi i planifikimit eshte qe zhvillimi te mos i shpetoje prej duarsh, qe zona te ndryshme te mos ngelen pertoke, qe te zhvillohen te gjitha deget e ekonomise, te mos ngelen njerez papune vetem pse jetojne ne nje zone te caktuar e me radhe.

    Thelbii ketij koncepti do thoja eshte pikerisht ndergjegjesimi se zhvillimi mund te dale prej duarsh e te shkaktoje deme te ndryshme, prandaj duhet kontrolluar.

    1. Hyllin, fjala i përballueshëm nuk përdoret vetëm nga mjedistarët qëndrestarë. P.sh. a duhet të jetë zhvillimi teknologjik i përballueshëm/i mbajtshëm/i ruajtshëm nga pikëpamja njerëzore?

  4. Prej kohesh kam perdorur termin “zhvillim afatgjatë”. Me duket solid e me i thjeshte. Natyrisht, duke pare erën ku po hyjme, rendesine qe po marrin probleme te kesaj natyre, eshte e nevojshme te bihet ne nje mendje dhe thelbi i termve te mesiperm te ushqehet “gjenetikisht ” qe te kenë nje kod te njohur e te pranuar me kohe nga te gjithe.

    1. Lyss, kam frikë se zhvillim afatgjatë e zgjidh vetëm pjesërisht problemin, meqë nuk mund të përshtatet për të përkthyer mbiemrin sustainable.

  5. ””’Hyllin, fjala i përballueshëm nuk përdoret vetëm nga mjedistarët qëndrestarë. P.sh. a duhet të jetë zhvillimi teknologjik i përballueshëm/i mbajtshëm/i ruajtshëm nga pikëpamja njerëzore?””

    Nuk me duket ta kem kundershtuar kete gje, biles :

    – Do thoja se kjo mund te perdoret edhe per zhvillimin ne teresi, jo vetem ana ekologjike apo e burimeve.

    dhe ne fund:

    -Thelbi i ketij koncepti do thoja eshte pikerisht ndergjegjesimi se zhvillimi mund te dale prej duarsh e te shkaktoje deme te ndryshme, prandaj duhet kontrolluar.

    Per mua i mbajtshem, i ruajtshem apo cdo fjale tjeter nuk e rrok dot konceptin aq mire sa i perballueshem.

    Zhvillimi sjell edhe rreziqe, ky duhet te jete pohimi prej te cilit koncepti i ‘sustainability’ ka dale.

    Nese zhvillimi sdo sillte rreziqe (sdo kishte nje ane negative) ky koncept do ishte i pavlefshem.

    I mbajtshem apo i ruajtshem ne ndryshim nga i perballueshem, nuk burojne nga pohimi/parimi se ‘Zhvillimi sjell edhe rreziqe’.

    Do i quaja si eufemizma, qe nuk futen tek thelbi qe eshte ‘kontrolli’.
    Se fundmi edhe per financat po thuhet ‘sustainability’, meqe deri para krizes, borxhi i brendshem dhe liria e financiereve, trajtoheshin si dicka normale (edhe pse ka pasur zera kunder, po qe nuk ndikonin ne si ato realisht trajtoheshin).

    Do perserisja se me teper se problem i thjeshte perkthimi, kemi te bejme me nje koncept qe mbart shume peshe, qe ka dinjitet te diskutohet me vete.

  6. Lyss, “afatgjate” nuk e di a i pershtatet mjaftueshem kuptimit te termit “sustainable development” sepse i jep vetem nje drejtim kohor.

    Une kam perdorur togfjaleshin “zhvillim i qendrueshem”. Ashtu sic eshte shprehur edhe Pishaku, nuk jam plotesisht e kenaqur me kete term, por e shoh si kompromis te “sforcuar” sidomos kur kihen parasysh aspektet e tjera, jo vetem ato ekologjike te zhvillimit, sic eshte psh diversiteti kulturor.

    1. Atehere, Monda, eshte fort e mundeshme qe ne fillim duhet diskutuar per çeshtje metodologjie. Kur eshte fjala per te tille terma komplekse e mbi te gjitha konceptuale as qe duhet enderruar se do te gjendet nje i tille ne nje gjuhe ku ai duhet te sillet bashke me konceptin. Aq me pak kam shprese te kalket, siç po rrekemi ketu.

      Ne thelb rezultati do te arrihet nepermjet nje termi te perafert qe do te sjelle dikush. Ky este vetem fillimi. Ai dikush duhet te me njoftoje mua dhe une te tjeret. Po nuk rame ne njemendje per ti dhene se bashku nje termi kaq te veçante ate kuptim qe duam, ai ne vetvete e ka te veshtire te plotesoje misionin qe i jep secili nga ne veç e veç.

      A e kujtoni ate historine e Avicenes, qe duke perkthyer nje tekst te Aristotelit (me duket) ndeshi ne te fjalen verë (pijen), nje pije te cilen myslimanet nuk e njihnin dhe qe ne nje version te pare ai deshte ta perkthente duke pershkruar te gjithe procesin e fermentimit?

      Dua te them se duhet te perfitojme nga metoda e tij dhe te biem ne nje mendje per anen formale te termit e pastaj ti veshim cilesite qe duam te shprehim. Nje fjalor pastaj do te veikuloje te gjitha keto… Ne fillim ai mund te tingelloje çuditshem, por siç thoshte Kristoforidhi i madh, me kohe veshi yne do te mesohet.

      1. Ndaj jam dakort me propozimin qe e ka hedhur edhe Hyllin me siper:

        “Do perserisja se me teper se problem i thjeshte perkthimi, kemi te bejme me nje koncept qe mbart shume peshe, qe ka dinjitet te diskutohet me vete.”

        Te arrihet ne nje terminologji te pershtatshme ne shqip, me pare duhet trajtuar koncepti. Sepse, duke u pare thjesht si perkthim propozimet e hedhura me lart (perfshi dhe fjalen qe perdor vete) hamendesojne fjalen “sustainable” te pavarur jo vetem nga teorite e zhvillimit, por me e rendesishme te pavarura nga pershtatja qe duhet t’i behet zhvillimit “shqiptar.”

    2. Unë e dhashë një përkufizim standard të konceptit (nuk e kisha nga xhepi; e pashë në një fjalor shpjegues të anglishtes); aq mjafton për të diskutuar se ç’term të përdorim. Saktësimi ose “lokalizimi” i kuptimit të termit është çështje më vete.

  7. Ne kontekstin ekonomik, për “sustainable development” dhe “sustainable growth”, ndoshta mund të përdoret në shqip “zhvillim i shëndetshëm” dhe “rritje e shëndetshme”…

    1. Gjilpera, “zhvillim i shëndetshëm” duket shume i gjetur dhe i natyrshem ne shqip. Edhe nga koncepti eshte besnik ndaj fjales anglisht. Me duket bile se edhe perdoret here pas here.

  8. per mua perkthimi me i afert nga kuptimi do te ishte i/e vetëqëndrueshme. Besoj eshte me mire dhe e dallueshme nga fjala e qendrueshme

    Ne fakt ka dhe nje fjale tjeter qe eshte besoj po aq ne mos me e rendesishme e qe ka lidhje me fjalen e mesiperme per te cilen duhet nje perkthim i mire ne shqip. Me sakte fjala anglisht feedback. Perkthimi me i mire qe i kam gjetur ka qene marrie-dhënie per ta dalluar pak nga fjala marrdhënie qe perdoret ne shqip per tjeter gje.

  9. Vete fjala ne anglisht ka rrenje te njejte me nje fjale qe e perdorim sot ne shqipen ‘urbane’: suste.

    Problemi eshte qe ne shqip nuk mund te kthejm dot nje emer ne folje apo mbiemer apo ndajfolje sic ndodh rendom ne anglisht. Keshtu qe i bie qe te diskutohet koncepti. Nqs nuk e kemi ate koncept eshte e kote te kerkohet emertimi i tij ne shqip, ne fillim ishte llogjika tha, jo logos-i

    1. Qafir, une e kam pak problem kete idene e “pamundesise” se kuptimit apo perkthimit/pershtatjes. Thjesht do impenjim e pune serioze.

      Kur u perkthyen per audiencen amerikane veprat e Freud, (Brill perktheu ne bashkepunim te ngushte me Freud “Studime mbi histerine”, “Interpretimi i Endrrave” etj) jo vetem qe u inkurajuan neologjizmat, por specifikisht neologjizmat nga latinishtja dhe greqishtja. Kjo per t’i dhene nje veshje me profesionale psikanalizes, por edhe sepse sipas tyre, anglishtja ashtu si gjermanishtja si gjuhe vernikulare nuk promovon, apo s’le vend per distance emotive.

      Pra, ne kete kuptim, nuk eshte perpjekje e kot. Jam kurioze te di ne universitetet ne Shqiperi si trajtohet (ne c’gjuhe trajtohet) vete koncepti nga ana teorike. Personalisht e pranoj qe kam problem ne te shprehur shqip ne kete fushe sepse njohurite e mia fillestare e me tej jane nga anglishtja.

  10. Zhvillim i permbajtshem?

    Duke qene se se si koncept “sustained development”, ka si baze idene se njeriu duhet te permbahet ne perdorimin e burimeve natyrale, duke siguruar nje balance midis midis mundesise dhe nevojes, mendoj se “i permbajtshem” do te ishte ne gendje te percillte konceptin se njeriu merr te tjera faktore ne konsiderate, pervecse deshires se vet.

  11. Per mendimin tim fjala me e perafert ne shqipe eshte ” jetegjate ” e cila ne thelb nuk ndryshon shume me fjalen “afatgjate” qe propozon Lyss dhe eshte pak a shume ne te njejten linje edhe me propozimin e J-se. Perndryshe na mbeten dy mundesi ;ose te huazojme shabllon fjalen nga anglishtja apo italishtja ose te shpikim nje fjale te re e ti bashkengjisim spektrin semantik te simotres anglo-saksone.

  12. sustainable–able to be sustained… to sustain something is to keep it going…in other words, to continue or to supply life to. perhaps, most plainly, ne shqip, mundet perafersisht te jete….mirembaj ose mirembajtje.

  13. Nje nder veglat qe duhen perdorur per raste te tilla eshte google translate ( http://translate.google.com/#en|sq| ), sepse eshte falas, ka shumicen e gjuheve qe ne marrim e japim, ka shqipen te perkthyeshme ne to, e secilen prej tyre me nje tjeter -kjo lejon te lexosh si e perkthejne gjuhet e tjera fjalen qe do, perkthimin e ben mbas cdo germe qe i shtohet fjales – kjo lejon te lexosh familjen e fjales se kerkuar, dhe se ne fund te perkthimeve ka nje mundesi qe thote, ne anglisht psh: Contribute e better translation.
    Keshtu per fjalen ne fjale, gjuhet qe une pashe mund ti ndash ne tre grupe:
    – ato qe e kane mbajtur sipas anglishtes e me tutje
    – ato qe kane perdorur nje fjale qe shqip tingellon si i durueshem
    – ato qe kane perdorur fjalen qe i pergjigjet i qendrueshem ne shqip

    Vura re se ruset qe kishin disa sinonime, kishin perfshire dhe fjalen stabel.
    Meqe me sa duket gjithsecili e ka perkthyer sipas menyres se vet, e deri sa te biet dakort per nje term, nese secili do ta rreshtoje fjalen e zgjedhur prej tij (jo vetem te ketij rasti) tek google translate do te bente mire.
    Mendoni sikur per fjalet si per menyren e organizmit te OKB-se te lobonin prane gjuhetareve e perkthyesve tane (zyrtare) te huajt: eshte substancore ta perktheni ….sustaincore.
    Une nuk jam per variant te tille ashtu sikunder nuk pelqej ate qe vjen prej perballimit – ballit. Kjo me ngjan njelloj si perkthimi i fjales se huaj me nje tjeter te huaj por qe ka gjetur vend ne shqipe.

    Zgjidhjet e ofruara prej te gjitheve anojne nga perkthimi (njefaresoji) i detyrueshem. Pra kemi kete fjale per-kete-e-kete-e-kete e hajt ti gjejme nje fjale kesaj fjales. Ana tjeter do te ishte kemi kete-e-kete-e-kete – si e quajme? Me sakte si e kane quajtur? Sigurish jo ne stadin e sotem te zhvillimit por ne embrion, jo termin ne vetvete por kuptimin e tij.
    Qe ta mbyll, tek familja e fjales gjalle, ka fjale si p.sh. gjallshem, apo dhe mund te krijohet nje e re qe tu permbushe nevojat e shumellojshme te gjitheve. E di se ka fare pak shanse, aspak me sa duket, qe nje fjale prej kendej te marre qytetarine; kjo per mendimin tim, e shumefishuar ne fjalet e tjera kesisoj, s’ben tjeter vecse e largon gjuhen shqipe nga shtrati i saj duke e bashkuar here me nje pale e here me pale te tjera gjuhesh, duke e bere te pamundur konvergjimin.

  14. ”’Une nuk jam per variant te tille ashtu sikunder nuk pelqej ate qe vjen prej perballimit – ballit”’

    Po clidhje ka pahnxjerrja e ballit?

    Ne shqip eshte normale te thuash per nje gje qe eshte e paperballueshme, kur kjo gje ne planin afatgjate te sjell deme.
    Mund thuhet per nje mall qe eshte i paperballueshem per xhepin ( sma mban xhepi).
    Ka shpenzime te perballueshme e te paperballueshme ta zeme per buxhetin e shtetit ose ka kosto te perballueshme e kosto te paperballueshme.

    Si do e perktheje costo sostenibile apo prezzo sostenibile ?

    1. Po ti si do ta përktheje këtë:
      IL COSTO ( SOSTENIBILE) DELLA DEMOCRAZIA

      Hë për hë ja vlen dhe s’ja vlen se deri më tani është ofruar prej një individi. Fjala nuk është xhol.

      Për ato që më pyet, ndonëse ka numur disa mijësh gjetjeje, përdorimi më del ti shmanget kontekstit për të cilin flasim; për to shqiptarët me kohë kanë përdorur e përdorin çmim i volitshëm e unë s’mund të bëj ndryshe; për koston e arsyeshme i kanë thënë breza me radhë.
      Provoji ti përkthesh tek lidhja që solla më lart e do shikosh se edhe anglezët e francezët e paskan problem përkthimin e costo sostenibile.

      E përballueshme, në shqip e ka një kuptim, ku lojtar i papërballueshëm del më i sakti se e ke tjetrin përballë; mirëpo ti thuash natyrës e përballueshme (e papërballueshme?), më ngjan sikur themi se nuk jemi pjesë e saj. Për më tepër, po ti rilexosh shpjegimet (xha xhai, wiki) bëhet fjalë për gjëra të brenda përbrendshme.

      p.s. Për humor. Nëntë apo dhjetë vjet të shkuara pata krijuar një personazh i cili jetoi në disa kapituj të krijuar vetëm nga kthimi i fjalëve të huaja që kanë bërë vend me fjalë edhe më shqip. Po të mos e kishte fshirë serveri me vete, e të ishte gjallë, ky personazh do të shqiptonte kështu: çmimi i gjallshëm i kushtimit gjallues…

  15. Ne diskutime me shqiptare edhe une kam perdorur si Lyss « zhvillim afatgjate” .Tani qe e mendoj me shume, me duket i papershtatshem sepse afati (fjale per fjale delai) permban pikerisht ate qe mundohet termi freng « developpement durable » te evitoje, limitin ne kohe. Pa qene e sigurt qe fjala perzgjatshmeri e me pas edhe zhvillim i perzgjatur tingellojne shqipe e paster do te kisha nje preference per to. Madje ngjatjetshmeria personalisht do te me tingellonte me mire akoma por kjo e fundit nuk gelltitet po te thuash zhvillim i ngjatjetur. Duhet detyrimisht qe emri te kete te njejten rrenje si mbiemri ne kete rast ? Zhvillim i shtrire ne kohe nuk do te me vriste veshin gjithashtu sepse emri koheshtrirja eshte mjaft i perdorur.

  16. Nuk duket sikur mund te perdoret nje variant i vetem perkthimi per te gjitha rastet.

    Costo/prezzo sostenibile fare mire mund te perkthehet kosto/cmim i perballueshem.

    Po sustained development nuk shkon me “i perballueshem”, zhvillim i mbajtshem/qendrueshem/vetemjaftueshem eshte me afer kuptimit ne origjinal.

    Shumica e fjaloreve ofrojne fjale te ngjashme, te peraferta ne kuptim, duke i dhene mundesi perkthyesit te zgjedhi ate qe i pershtatet me mire kontekstit. Dhe nje perkthyes profesionist ne pergjithesi eshte ne gjendje te dalloje fjalen qe i duhet.

    Asnje fjalor, sado i persosur qofte, nuk mund te ofroje nje forme perkthimi qe do zgjidhte te gjitha rastet e mundshme, plus te mbulonte edhe paaftesine eventuale te perkthyesve qe do e perdornin.

  17. LG ka të drejtë; anglishtja sustainable dhe versionet e saj në frëngjishte, italishte etj. kanë disa kuptime, prej të cilave mua më duket i vështirë për t’u përkthyer vetëm njëri.

    Costo sostenibile përkthehet pa problem si kosto e përballueshme (tani, ndonjë mund të gjejë probleme edhe në fjalën kosto, por kjo është çështje tjetër).

    Vështirësia nis kur na duhet të përkthejmë togje të tilla si sustainable growth, sustainable tourism, sustainable future, sustainable agriculture, sustainable living, sustainable energy, sustainable food, sustainable metropolis, sustainable forest, sustainable printing… lista mund të zgjatet edhe më.

    Përkthyesi këtu ka një problem praktik serioz, të cilin nuk mund ta zgjidhë duke parafrazuar, as duke iu drejtuar Gjon Buzukut.

    Në të gjitha këto raste, mbiemri sustainable shenjon mundësinë për t’u riprodhuar në kohë, falë përtëritshmërisë së burimeve.

    Jo më kot përmenda, në shkrimin kryesor, termin renewable, sepse ky term dhe koncepti përkatës kanë vlerë kyçe për të rrokur konceptin e sustainable dhe sustainability.

    Për shembull, zhvillimi ekonomik dhe social i Norvegjisë falë naftës në Detin e Bardhë mund të jetë edhe afatgjatë, edhe jetëgjatë, edhe i përballueshëm, edhe i qëndrueshëm; por nuk është sustainable, sepse nafta nuk është burim i përtëritshëm.

    Prandaj unë këmbëngul te semantika e foljes shqipe mbaj; sepse sustainable development është zhvillim që mund të mbahet (në kuptimin: të mbajë veten nëpërmjet përtëritjes pa humbje); sustainable food është ai ushqim prodhimi i të cilit nuk i zbraz (deplete) burimet e mjedisit, sustainable metropolis është ai metropol që nuk krijon shkretëtirë rreth vetes, e kështu me radhë.

    Kjo nuk ka të bëjë drejtpërdrejt me kostot, siç sugjeron, përkundrazi, mbiemri i përballueshëm (affordable); sot për sot, premisat për një zhvillim sustainable mund të jenë të papërballueshme ekonomikisht, për shumicën e aktorëve ekonomikë – shtetet dhe korporatat shumëkombëshe.

    1. Nga komenti i Pifto-s tek Mish me bollëk:

      “Por unë nuk i kuptoj dot njerëzit që lakmojnë prodhimet e cilësisë më të ulët vetëm për hir të një çmimi sado më të ulët? Shoh shpesh njerëz rreth meje, që janë gati t’i hedhin çfarëdolloj qelbësire barkut, mjafton, që ajo të mos ketë kushtuar më shumë se 99 cent.

      Nëse jeton në perëndim mund të ushqehesh pa ndonjë sforcim të jashtëzakonshëm financiar duke blerë prodhime jo vetëm biologjike (ekologjike apo organike siç mund të quhen diku tjetër), por duke shpenzuar edhe pak më shume mund të blesh të tilla, prodhuesve të të cilave ju është garantuar ruajtje e dinjitetit njerëzor në procesin e prodhimit falë kontratave të ndershme të punës të ndershme. E kam fjalën për prodhime të shëndetshme fair trade.”

      Duket se kostoja e jetesës, është e ndryshme për kategori të ndryshme. Për të parët (paragrafi i parë i Pifto-s) mund të themi kosto e përballueshme, të dytët duhet ti dallojmë dhe tu përgjigjemi me të njëjtin përkushtim, kostoja e jetesës së tyre kërkon fjalë tjetër, pikërisht atë që po kërkohet këtu.

  18. Xhaxhai
    Me sustainability kam parasysh përdorimin e ekosistemeve dhe të burimeve të tyre në mënyrë të tillë që të kënaqë nevojat e tanishme por pa dëmtuar nevojat ose opsionet e brezave të ardhshëm

    Nga anglishtja ne frengjisht eshte perkthyer “i qendrueshm” (durable) . I qendrueshem sic e tha edhe Monda lart besoj se eshte nje fjale e gjetur qe e jep te gjithe kuptimin e konceptit, dhe ka kohe qe ka hyre ne perdorim ne shkrimet shqipe se e kam ndesh disa here.

    Dhe, e dyta desha te shtoj dicka qe se kam harruar akoma nga leksionet universitare te ekonomise se ambjentit.

    Koncepti i “Zhvillimit te qendrueshem” nuk eshte fiks, por shihet ne menyra te ndryshme nga rryma te ndryshme dhe perkufizimi qe jep Xhaxhai eshte nje nga perkufizimet kryesore (mbeshtetet mbi barazine intergjenerationale) por me sa mbaj mend jane edhe shume te tjere po aq te rendesishem.

    Perkufizim i ekonomise neoklasike eshte: se ZH i Q. eshte ai qe nuk e zvogelon kapitalin e pergjithshem qe kane ne dore njerezit, dmth duhet ti leme brezave qe vijne kapitalin natyror ose nje kapital tjeter qe eshte po aq i vlefshem ose me shume se ai i humbur.

    Por ky lart dhe perkufizimi i xhaxhait jane perkufizime thjesht ekonomike, pasi e shikojne natyren ne sherbim te nevojave njeriut, ka te tjere qe e shikojne zhvillimin e qendrueshem ne nje aspekt me te gjere, duke futur ne te edhe mbrojtjen e natyres.

    Perkufizimi mbi “ruajtjen e resurseve te parinovueshme” eshte me i rendesishmi per mendimin tim dhe dmth:

    ZHVILLIM I QENDRUESHEM ESHTE AI QE BEN TE MUNDUR EDHE RUAJTJEN E BIODIVERSITETIT

    Ka edhe te tjere, me radikale qe i shikojne gjallesat dhe biimet si qenie te gjalla qe nuk duhen prekur etj

  19. “Por ky lart dhe perkufizimi i xhaxhait jane perkufizime thjesht ekonomike, pasi e shikojne natyren ne sherbim te nevojave njeriut, ka te tjere qe e shikojne zhvillimin e qendrueshem ne nje aspekt me te gjere, duke futur ne te edhe mbrojtjen e natyres.”

    Dhe jo vetem enj, por perkufizimi shtrihet dhe me “sustainable development” gjithnje e me shume po shtohen aspekte te tjera si psh sociologjia, antropoligjia e zhvillimit. Mbrojtja dhe zhvillimi i kulturave lokale. Rezistenca apo mbrojtja kunder homogjenizmit kulturor etj. Keshtu qe ose duhet gjetur nje term sa me asnjanes, ose duhet pershtatur ne varesi.

  20. ”’Po ti si do ta përktheje këtë:
    IL COSTO ( SOSTENIBILE) DELLA DEMOCRAZIA”’

    Kostoja e perballueshme e demokracise.

    Demokracia ka kosto te larte, qe vihet re ne raste krizash, kur vendimet duhet te jene te shpejta, te prera e te sakta, kur duhet kirurgu jo mjeku popullor.

    Per sustainable nuk e kam idene kur eshte perdorur per here te pare e ckuptim ka pasur, po sostenibile besoj se duhet te jete e vjeter, e familjes; sostare, sosta, sostenere, sostenitore, sostegno e ndonje tjeter.

    Nderkaq sostenibilita, sustainability eshte term i vonshem i dale ne ‘mjedisin mjedisor’.
    Kuptimet e ndryshme qe mori me vone vijne gjithsesi nga kuptimi fillestar.

    Kuptimi fillestar kishte pikerisht kuptimin e te perballueshmes. Demet qe zhvillimi po i sillte mjedisit, te nesermen mund te ishin katastrofale per vete zhvillimin.
    Kjo mosperputhje interesash mes zhvillimit dhe mjedisit mundesoi daljen e termit.

    Pastaj u shtri ne fusha nga me te ndryshmet.

    Nese para 40 vjetesh do kishim hasur ne kete term, askush nuk do kishte hezituar ta perkthente e perballueshme.

    Po te kishim qene pjese e perendimit dhe te kishim te njejtat shqetesime, do i kishim dhene dhe ne pa problem fjales i perballueshem kuptimet te ndryshme ne fusha te ndryshme.

    Kjo fjale sustainability, u be si puna e fjales logos ne greqishten e lashte dhe po ti futemi perkthimit te fjales logos nuk kemi per ta gjetur dot nje fjale ne shqip.

    Ne kete pike o i merr kuptimin fillestar o i jep perkthime sipas kontekstit.
    Me logos ne bejme sipas kontekstit, keshtu qe edhe me sustainability besoj duhet bere sipas kontekstit, por tek zhvillim duhet perdorur kuptimi fillestar, meqe paresisht lidhet me mjedisin, konflikti mes zhvillimit dhe mjedisit.

    Perdorimet e ndryshme i kane hequr kuptimit fillestar ‘alarmin’ qe mbartte, po perseri kudo qe perdoret sustanibility kemi shquarjen e nje rreziku potencial te cilit i duhet bere balle.

    1. Hyllin,
      në komentin tim të parë (në mos të parë të dytë) në këtë blog kam sjellë thënien e një të mençuri që i quan çilimillëqe kërkimin e fjalëve të reja për fjalë që janë- pa vlera absolute kjo, dhe jo për të kundërshtuar tërthorazi si temën e komentet për të; të kishte qënë ndryshe, GJALLUES e GJALLËSI për mua do të ishin fjalët më të mira ndër fjalët.
      Insistoj në mospërdorimin “e përballueshme” për këtë rast, por edhe në përgjithësi për përballimin e tundimit të njerëzve të letrave për të nxjerrë fjalët e reja a kuptime të reja të fjalëve nga 1000 fjalët më të përdorëshme të shqipes; kjo dhe kur ka mundësi të tjera. Kështu nga balli përballi e deri tek bishti përbishti ne mëtojmë të japim më shumë kuptime se sa mundim; psh, kali i karvanxhiut po përtypte një bisht gomari, – bisht gomari i thuhet edhe një bime, e mos e dish këtë vërtet mendon për urinë e vesin e paqënë të kalit. Kemi kaluar para shekujsh nga vjega e vegshes, tek bishti i filxhanit, kjo se fil(n)xhani i atëhershëm ka qënë si Coca-cola e sotme; por pse bisht? Pse dallën-dyshe bisht gërshërë?
      Por mospëlqimi (jo mospajtimi) im lidhet edhe me atë si e lexoj përballimin, e si për zhvillimin dhe për demokracinë nuk mendoj se është zgjidhja më e saktë (kur ka të tjera). Nuk më dukën të sakta përballime të vetë qenies, kozmosit, demokracisë (tiraninë po! duhet ta përballosh) etj.
      Por mospëlqimi ynë ka të bëjë pak me mospajtimin tonë; unë do të përdor fjalën që do të përdoret (e qëndrueshme sot për sot). Ndër konkurentet e saj më afër është mbajtshmëri, por ndërtuar mbi foljen mbaj, që për mua ka funksione ndihmëse, do të ishte mirë të fuqizohej e të saktësohej sipas mbaj gjallë e jo mbaj pezull, mbaj që mos bjerë (mbaje).

  21. ””Prandaj unë këmbëngul te semantika e foljes shqipe mbaj; sepse sustainable development është zhvillim që mund të mbahet (në kuptimin: të mbajë veten nëpërmjet përtëritjes pa humbje)””

    Ky eshte kuptim i pershtatur, ku nderhyn edhe koncepti i progresit ne infinit. Nje zhvillim i tille, perparim linear i pasosur, per mendimin tim eshte nje pershtatje politike qe i eshte bere konceptit.

    Praktikisht ky ka kuptim tjeter nga ai fillestar. Prandaj mu duk eufemizem, se heq vemendjen nga problematika, nga konflikti real midis zhvillimit dhe mjedisit apo natyres.

    Nese pranohet ky kuptim, atehere duhet krijuar nje koncept tjeter qe te mundesoje vemendjen mbi ate problematike.

  22. Une e kam hasur kete fjale me perkthimin ” i qendrueshem”… dhe ne footnote ose me komentimin ne anglisht (sustainable). Pra kush e njeh konceptin, mjaftohet me “i qendrueshem”.

    “mbajtshmeri” ose “ruajtshmeri” nuk me duken keq …

    “zhvillimi i mbajtshwm”? “mbajtesor”; “mbareprures”?

  23. ””Insistoj në mospërdorimin “e përballueshme” për këtë rast, por edhe në përgjithësi për përballimin e tundimit të njerëzve të letrave për të nxjerrë fjalët e reja a kuptime të reja të fjalëve nga 1000 fjalët më të përdorëshme të shqipes; kjo dhe kur ka mundësi të tjera.””

    Nuk kemi c’ti bejme CD, ata me qeleshe e musteqe te Shqiperise para-shteterore ne ceshtje gjuhe na duallen me te forte se te leciturit e sotem. Ndoshta Sansoni e kishte vertet forcen te leshte e gjata si thote bibla.

    Gjuha ideale qe ne filozofine greke ishte ajo qe per cdo koncept te kishte nje fjale, mirepo vete logos-it, i dhane 72,7 kuptime, aq sa kur u mor Hajdegeri me kuptimin zanafillor iu deshen vite pune.

    Ti insiston por une kembengul se ideja e perparimit linear ne pasosje qe percjell cdo fjale tjeter i heq konceptit peshen. Zhvillimi njerezor deri me sot nuk ka qene linear dhe te genjejme veten konceptualisht se ka ardhur fundi i historise, nuk ben gje tjeter vecse i nxijme te ardhmen atyre qe do vijne (ose edhe vetes).
    Asnje qyteterim me pare ska jetuar ndonje faze duke u futur ne borxhe me brezat e ardhshem.

    Jetojme me borxhe deri ne fyt dhe ne vend te lajme borxhet apo te pakten te themi se kemi borxhe (fillimi i zgjidhjes se problemit eshte njohja e tij) , shkojme e genjejme veten konceptualisht se ska ndodhe asgje.

    Ti thua i qendrueshem ne nje kohe qe jetojme prej dy vjetesh ne fazen e paqendrueshmerise, kur vertet s’dihet se c’mund te ndodhe neser, kur te gjitha qeverite perpiqen te perballojne situaten e ndere.

    Une jam i bindur se sot me shume se dje, duhet dhene alarmi, jo te mbyllim syte me zhvillimin e pasosur.

    Pastaj mund te jete edhe problem perkthimi e ta trajtojme vetem si te tille, po do ishte mire qe perkthimi si nje nga importuesit kryesore te dijes, te mos na sjelle mallra skarco.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin