Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë

URIA E GREVЁS

Sido që të përfundojë historia e grevës së urisë në Bulevardin e Tiranës, ngado që të rreshtohen të drejtat historike, vetëm një gjë nuk mund të mohohet: konceptit i grevës së urisë si mjet politik ndër shqiptarë nuk do të jetë ai i mëparshmi.

Mjeti justifikon qëllimin?

Shumë vetë kanë vënë re se ka një farë shpërpjestimi midis synimit politik dhe grevës aktuale të urisë. Natyrisht këtë gjë nuk do ta dëgjojmë kurrë nga drejtuesit e PS-së, por mjaft simpatizantë të saj më shumë e kanë pranuar pasivisht këtë nismë politike se sa e kanë promovuar aktivisht. Një pjesë tjetër e opinionit publik pret ende t’ia kuptojë sensin një mjeti të skajshëm si greva e urisë, ndërkohë që ndjesia se për të vrarë disa miza po përdorim katjushka po shkon drejt bindjes, sidomos në rast se greva do të degjenerojë në ballafaqim të dhunshëm mes pozitës e opozitës. Dilema për të nesërmen mbetet: në ç’kushte do të përdoret greva e urisë në të ardhmen? Mos vallë çfarëdo synim politik do të përbëjë shkas për të ndërmarrë greva ekstreme?

Greva pa ekran

Greva e urisë ka gjithnjë si synim sensibilizimin e opinionit publik. Përndryshe, flijimi eventual (larg qoftë gjithnjë!) i grevistëve në errësirë mediatike e në harresë të plotë nuk ka kurrfarë kuptimi. Greva aktuale përballë Kryeministrisë është mjaft e publicizuar dhe e mediatizuar. Kjo për aftësitë e promovuesve (zgjedhja e vendit, modalitetet, organizimi, etj.), por edhe të kundërshtarëve, të cilët nuk janë tërhequr nga ballafaqimi edhe i ashpër në media e gjetiu. Në epokën e internetit jo gjithnjë është e mundur të bësh të ditur nisma të tilla. Megjithatë interneti, sikurse mediat tradicionale, ndihmojnë për informimin e opinionit publik. Nga ana tjetër, nuk mund të thuhet se PS-ja, si forcë politike serioze në shoqërinë shqiptare, nuk e ka mbështetjen e një pjese të mediave. Për këtë arsye, grevat e urisë në të ardhmen do të përballen me problemin e informimit të publikut. Kur një parti e madhe politike, me një arsenal mediatik të konsiderueshëm, ka vështirësi ta çajë apatinë e opinionit të gjerë, si do t’ia bëjnë nesër qytetarët e thjeshtë përballë pushtetit çfarëdo? Ka rrezik që vetë mediat “të lodhen” ose “të mësohen” duke treguar ngjarje të tilla e nesër të jenë refraktare ndaj grevave të urisë.

Ndërkombëtarizim

Çështja e integrimit evropian në përgjithësi dhe ajo e vizave në veçanti, por edhe situata rajonale, ka bërë që greva e urisë të ndërkombëtarizohet në një farë mënyre. Megjithatë, shumëkush ka vënë re se faktori ndërkombëtar nuk është se ka rendur me një frymë në qendër të Tiranës për ta shuar zjarrin politik. Mesazhet e botës janë interpretuar, keqinterpretuar dhe mbinterpretuar, por të gjithë janë dakord me faktin se ndërkombëtarët e kanë marrë pak shtruar në trajtimin e përplasjes së brendshme shqiptare. Ky trajtim ka nevojë për analizë të mëtejshme, ku mund të preket edhe prania e Pannella-s italian radikal, që një farë kuptimi e ka gjithsesi përtej ndikimit real. Tani për tani, më intereson projektimi në të ardhmen e një situate më normale se kjo e sotmja; në kuptimin që nesër, kur gjendja të jetë disi më normale, pa Shqipëri në vrojtim e pa Ballkan në monitorim, si do të pritet vallë një grevë urie e mundshme? A të shkonte jehona e saj deri në zyrat e kancelarive të botës?

Mjet mikst

Deri dje grevat e urisë janë bërë kryesisht në mjedise të mbyllura e kryesisht në vetmi. Për ato të burgjeve ka edhe literaturë të veçantë historike. Edhe në Shqipërinë moderne grevat janë bërë brenda: në shkolla, burgje, miniera. Greva në Bulevardin Dëshmorët e Kombit ka një përmasë dyfish mikste nga pikëpamja logjistike: është e mbyllur por edhe e hapur njëkohësisht (nëpër çadra e në shesh). Aspekti i përzier del në pah edhe në ndikimin që ka tek përditshmëria e qytetarëve të tjerë. Zakonisht ndikimi i grevës ndaj qytetarëve të tjerë është thelbësisht shpirtëror; mirëpo në këtë rast greva është edhe bllokim i aksit kryesor të Tiranës, çka ia kushtëzon detyrimisht jetën kryeqytetit. Po në të ardhmen si do të jenë grevat e urisë në Shqipëri? Do të përzihen me forma të tjera proteste apo të zhvillohen në mënyrë tradicionale?

Zgjidhje përfundimtare

Jo vetëm që greva e urisë është përdorur si fjala e fundit në ballafaqimin politik në demokraci, por edhe përdorimi i saj, anipse si extrema ratio, e ka pasur gjithnjë një kufi të caktuar. Shpeshherë janë vetë grevistët që e ulin nivelin e kërkesave të tyre, sidomos kur shohin se disa objektiva të protestës janë tashmë arritur. Kaherë mjafton ndërkombëtarizimi, ose përhapja në media, qoftë edhe një telefonatë nga kreu i shtetit, për ta ndërprerë grevën e radhës. Vetë ndërhyrja e policisë për ndërprerjen e grevës pritet si zgjidhje nga prangat e grevës e si rrugëdalje nga rrugica qorre. Problemi është se greva e urisë është mjeti i fundit që mund të përdoret në demokraci, mjeti i fundit pa dhunë, çka nënkupton konsumimin ose dështimin e të gjitha mjeteve të tjera në dispozicion brenda kuadrit ligjor. Cili do të jetë kufiri i grevës së urisë në demokracinë e nesërme? Kur greva merr trajtën e ultimatumit shndërrohet në kufirin e skajshëm të përplasjes në demokraci?

Inflacionim

Greva e urisë është bërë historikisht nga të dobëtit, në kuptimin që agjërimi është përdorur si armë kundër të fortëve që menaxhojnë pushtetin. Efekti i grevës është varur pikërisht nga raporti midis njerëzve të fundit dhe pushtetit, që duhet të perceptohej në thelb si përbindësh përballë njeriut, sa të vogël aq edhe të vetmuar përballë së keqes. Solidariteti i opinionit publik ka ardhur sa herë që është kuptuar hendeku midis pushtetit dhe viktimës, forcës së verbër dhe pafuqisë lakuriqe, egërsisë dhe urtësisë, ulëritjes dhe heshtjes. Aktualisht, në bulevardin kryeqytetas, është e vështirë t’i konsiderosh të dobët, ja nga ana politike, ja nga ana ekonomike, drejtuesit socialistë; aq më tepër duke pasur parasysh se bashkia e Tiranës, praktikisht një e treta e Shqipërisë nga pikëpamja demografike dhe dy të tretat nga pikëpamja ekonomike, ka në krye shefin e PS-së. Po nesër, ç’kuptim do të marrë greva e urisë e njerëzve përnjimend të dobët? Do të jetë një nga të shumtat? Do t’i merret parasysh protesta, apo do të kalohet në heshtje meqë nuk ia vlen që opinioni publik të shqetësohet për çikërrima statistikore?

Masivisht

Ka një përmasë individuale greva e urisë, gjithsesi. Pjesëmarrja masive është pothuajse e panjohur për një protestë të tillë shoqërore. 200 a më shumë grevistë urie janë një masë njerëzish mëse të respektueshëm në planin human, por pak të kontrollueshëm në planin e ngushtë politik. Hyrjet e mëvonshme në grevë dhe njoftimet për pjesëmarrje të mëtejshme masive sikur ia rrisin përmasën kolektive një dukurie që ka nevojë për vëmendje pothuajse personale. Vetë ndjekja e shëndetit të grevistëve bëhet e vështirë. Ndërkohë që mediat duhet të na informonin hollësisht për gjendjen shëndetësore të grevistëve, kemi arritur në pikën që përmendet vetëm numri i atyre që përfundojnë në spital. Si do të jenë grevat e nesërme të urisë? Individuale, në grupe të vogla, apo në grupime të mëdha?

Pavarësisht nga opinionet politike për grevën e urisë, është e qartë se kjo mezi pret të ripërmasohet si koncept brenda hapësirës politike shqiptare. Përshtypja është se kjo greva e fundit, përveç gurëve të shahut politik shqiptar, ka ndërlikuar edhe vetveten.

Pa Komente

  1. Shqetesime plotesisht me vend.

    Nga ana tjeter, kjo s’eshte asgje e re ne Shqiperi, dmth perdorimi i institucioneve te demokracise nga ‘te fortet’ per interesa vetiake, duke shkelur pikerisht mbi konceptet dhe parimet baze te demokracise (nje nga te cilat eshte pranimi i humbjes, dmth qe bota duhet te vazhdoje te egzistoje dhe kur ti humbet zgjedhjet) dhe shtetit ligjor.

    Dhe nuk eshte se para kesaj aventure donkishoteske greva e urise tek ne kishte kushedi se sa force, ne nje realitet ku ligjet dhe parimet jane fasade dhe ligji me i zbatuar eshte ai i xhungles. Mjafton te kujtome greven e urise te ish te perndjekurve, apo te LSI per kodin zgjedhor, e shume te tjera si ato, per te pare sa sukses kishte greva e urise ne Shqiperi para greves se kutive.

    Me shume se cdo gje tjeter, asgjesimi i medias ka zhvleftesuar cdo institucion tjeter te demokracise, pasi gjerat ndodhen (ne nje fare kuptimi) aq sa, dhe si, ato pasqyrohen ne media. Kete gje (mediat si element kyc i mbajtjes dhe kontrollit te pushtetit) e kane mese te qarte tashme si Rama dhe Berisha, sic deshmon dhe gjendja aktuale e mediave tek ne prej disa vitesh.

    Pertej kesaj, kjo greva–dhe ne pergjithesi gjithe perpjekja prej rreth nje viti e Rames per te bere anarki ne emer te ligjit dhe per te marre pushtetin me force ne emer te demokracise–eshte si puna e asaj batutes ne anglisht qe thote se bombardimi ne emer te paqes eshte si te berit seks ne emer te virgjerise, me perjashtim qe ne kete rast ai qe shker*ehet nuk eshte ndonje armik i jashtem po populli dhe kjo demokraci e brishte qe ka 20 vjet qe tek ne ben nje hap para e dy prapa.

    Packa se ka kaluar tashme rreth nje vit qe Rama mban peng vendin dhe proteston, sipas tij per te siguruar transparencen e zgjedhjeve te ardhshme, mekanizmat qe ai propozon per te garantuar kete gje jane po aq te njohura dhe aq bindese per popullin sa programi i tij elektoral para zgjedhjeve.

    Dhe, pavaresisht betejave e ashpra mediatike e politike midis Rames e Berishes per reforma zgjedhore e garantim zgjedhjesh te ardhshme, gjeja e vetme qe ata s’kane cekur dhe per te cilen duket se jane dakort te mos e permendin eshte administrimi i zgjedhjeve nga njerez jopartiake dhe njeheresh vendosja e ligjeve te rrepta penale per ata administratore zgjedhjesh qe kapen duke manipuluar votat.

    Po ashtu dhe per mungesen e transparences se vertete te politikes shqiptare; financimit e partive, te mediave, etj.

    Ne Shqiperi dhe per politikanet tane, fjale te tilla si “demokraci”, “ligj”, “transparence” etj. kane kuptime krejt te ndryshme se ne vendet e tjera, standartet e te cilave pretendojme se synojme.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin