IMPORTIM KONFLIKTESH

Disa herë i jemi kthyer, në këtë blog, temës së importimit të shoqërisë civile ose të demokracisë, nga këndvështrimi i çfarë po ndodh sot në Tiranë, ose në ndërfaqen zyrtare të shqiptares me të huajën.

Disa incidente që kanë ndodhur së fundi në Ugandë – vend i largët dhe i ndryshëm nga Shqipëria, por që i ndan me këtë të fundit disa probleme sociale – më duket se i ilustrojnë mirë, edhe pse në mënyrë parabolike, kontradiktat që shoqërojnë adoptimin mekanik të institucioneve. Për t’i përshkruar këto incidente këtu më poshtë, jam mbështetur në një artikull të Spiked, nga Ken McLaughlin.

Edhe një herë tjetër, çështja ka të bëjë me tolerancën ose pranimin e homoseksualitetit. Në vitin 2009, një shoqatë e punonjësve socialë në Ugandë miratoi një dokument në të cilin homoseksualiteti konsiderohet problem i sjelljes (behavioral), ose simptomë e një çrregullimi mendor; që këtej edhe ka nevojë të trajtohet madje të “kurohet” me punë sociale, për t’i ndihmuar viktimat që ri-integrohen në shoqëri. Dokumenti tani i është paraqitur parlamentit ugandez, dhe mund të sanksionohet si ligj; dhe nëse ndodh kjo, personat e të njëjtit seks që angazhohen në marrëdhënie seksuale do të dënohen penalisht, deri edhe me vdekje, në rast recidivash.

Sipas disa burimeve, shtysa për këtë iniciativë sociale erdhi nga një vizitë e paradokohshme, në Ugandë, nga tre evangjelistë kristianë në 2009, të cilët u paraqitën si ekspertë të homoseksualitetit dhe diskutuan, në një konferencë publike, mënyrat për t’i ndrequr homoseksualët; në një kohë që lëvizjen gay e quajtën institucion të së keqes.

Ligji i propozuar ka ndeshur në kundërshtime të mëdha sidomos në Perëndim, ku presidenti i ShBA, Obama, e ka quajtur “të urrejtshëm”. Në të vërtetë është një ligj që, po të miratohet nga parlamenti ugandez, do t’u krijojë probleme të mëdha homoseksualëve në Ugandë.

Megjithatë, vëren artikulli në Spiked, vetë intoleranca ndaj homoseksualitetit në Ugandë është trashëgim i kolonializmit britanik; madje, sipas të njëjtave politika pseudo-pedagogjike,  edhe administrata amerikane republikane e G. W. Bush-it dhuroi para pak vitesh miliona dollarë për programe të abstinencës seksuale. Çfarë po ndodh tani në atë vend afrikan, thotë McLaughlin, është që Perëndimi po e përdor shoqërinë ugandeze si laborator surrogato (proxy site) për përleshjet e veta kulturore (culture wars) – në thelb duke i eksportuar atje debatet që e kanë origjinën gjetiu.

Ka të dhëna që, deri pak vjet më parë, homoseksualiteti nuk konsiderohej, në Ugandë, si temë e denjë për t’u afishuar në kryetitujt e debatit publik; madje shumë njerëz nuk ndiheshin aq të kërcënuar ndaj sjelljeve homoseksuale në publik, sa ç’ndihen sot. Më anë tjetër, disa politikanë ugandezë kanë luajtur kartën e “trashëgimisë koloniale” për të përligjur veprimet e tyre; duke iu referuar homoseksualitetit si “import perëndimor” dhe kritikës që po i bëhet Ugandës nga Perëndimi si “kolonializëm moral”.

Kështu, përfundon McLaughlin, ndërhyrja e mëtejshme e Perëndimit në këtë debat vetëm do ta acarojë edhe më keq konfliktin, duke krijuar një ndarje midis outsider-ëve të qytetëruar dhe vendasve të prapambetur. Më keq akoma, kundërshtimi politik i homoseksualitetit do të vijë duke përfaqësuar, në sy të opinionit publik të atjeshëm, vullnetin për t’iu kundërvënë diktatit moral dhe institucional të Perëndimit.

Mua dinamika e këtij konflikti më duket me vlerë edhe për të kuptuar disa përplasje të kohëve të fundit në Shqipëri – meqë të gjithë ne jemi mësuar tashmë me përfaqësuesit e Perëndimit, duke filluar me ambasadorët; dhe më tej, të shoqërisë civile dhe të OJQ-ve, të angazhohen drejtpërdrejt në ndërhyrje “qytetëruese” në publik; dhe jo vetëm për çështjen e tolerancës ndaj homoseksualitetit, por edhe për çështje të tjera ku përqafimi i menjëhershëm i institucioneve dhe praktikave perëndimore pengohet ose vonohet, për shkak të inercisë sociale në Shqipëri – këtu do të hynte, bie fjala, edhe çështja e shamisë të mbajtur prej vajzave dhe grave të fesë myslimane.

Duke iu referuar përsëri artikullit të McLaughlin, nuk mund të mos vërej, edhe për shoqërinë civile në Shqipëri, rrezikun e shndërrimit në një laborator ose terren për eksperimentimin e institucioneve dhe të praktikave sociale të avancuara; ose të eksportimit jo thjesht të institucioneve dhe të praktikave të përpunuara gjetiu, por edhe të vetë konflikteve që lidhen me ato institucione dhe praktika.

Me fjalë të tjera, duket sikur një pjesë e përfaqësuesve të Perëndimit në Shqipëri – të huaj dhe shqiptarë – nuk mund t’i kryejnë dot misionet e tyre ose kryqëzatat e tyre morale, pa importuar më parë, sado artificialisht, konfliktet përkatëse: persekutimi penal ose psikiatrik (social) i homoseksualëve, ose kundërvënia administrative ndaj shamisë së femrave myslimane, në emër të laicizmit, ose “zbulimi” i vonë se pakicat kulturore dhe etnike gjithfarësh deri më sot paskëshin qenë të nëpërkëmbura e të përndjekura.

Nga ana tjetër, ky adoptim mekanik jo vetëm i institucioneve por edhe i luftërave kulturore nuk kalon pa pasoja për palët e prekura drejtpërdrejt; sepse nuk është aspak në interesin e homoseksualëve shqiptarë që përpjekjet e tyre për t’u organizuar ose për t’u bërë publikisht të pranueshëm të identifikohen me përpjekjet e Perëndimit për t’i imponuar Tiranës normat e veta sociale, kulturore, politike dhe ekonomike.

Por ka edhe më. Vetë rezistenca ndaj Perëndimit, ndërhyrjes së huaj ose tundimeve neokolonialiste të tutorëve perëndimorë të klasës politike në Tiranë – Europës, ShBA, OJQ-ve dhe fondacioneve gjithfarëshe, organizmave dhe institucioneve ndërkombëtare etj. – rrezikon të organizohet dhe materializohet si distancim ose armiqësi e ngjallur rishtas kundër homoseksualëve ose pakicave kulturore ose pakicave etnike ose si reagim pasiv-agresiv ndaj çfarëdo çështjeje dhe fushate tjetër të promovuar dhe të sponsorizuar artificialisht nga Perëndimi dhe përfaqësuesit e tij (elitarë dhe elitistë) në Tiranë; sepse vetë modeli diskursiv i konfliktit në këtë rast rezulton i importuar nga Perëndimi, së bashku me zgjidhjet përkatëse dhe ekspertët e specializuar në këto zgjidhje – zjarrfikës që e nisin punën duke vënë zjarre.

Që terreni për një revoltë të tillë kundër padronizimit perëndimor ekziston, këtë e mbështet, sado tërthorazi, edhe suksesi i të djathtës së Jobbik-ut në Hungari, ose lëvizje të ngjashme në Rusi, në Poloni dhe gjetiu në Lindje.  Çuditërisht, dinamika e e shartimit të konflikteve së bashku me diskurset dhe moralin përkatës i sjell këto pakica vetvetiu në krye të përpjekjeve për të “emancipuar” shoqërinë shqiptare sipas recetës multikulturaliste perëndimore – pa çka se atyre vetë ky pozicion mund t’u bëjë më shumë dëm, sesa t’u sjellë të mira dhe privilegje.

Nuk ka komente

  1. Duke iu referuar përsëri artikullit të McLaughlin, nuk mund të mos vërej, edhe për shoqërinë civile në Shqipëri, rrezikun e shndërrimit në një laborator ose terren për eksperimentimin e institucioneve dhe të praktikave sociale të avancuara

    Kjo eshte sidomos e vertete ne rastin e Kosoves qe eshte konsideruar si nje laborator ku BE po eksperimenton me nje version te vetes ne miniature (kete duhet ta kem degjuar nga treshja Hamza-Pula-Zizek por jo vetem).

  2. …Xha Xhai , jeni vertet per tu admiruar per tematiken nivelin qe servirni per debat /diskutim ne blog-un tuaj , nuk e di nese ju kam shprehur ndonjiher mirnjohjen mbi kenaqsine qe na jep ,ne diskutimin e tematikave kaq te larmishme e interesante .Falemnderit Xha Xhai ju pershendes.
    Komenti im mbi ket teme nuk do te vonoje, koha luan perher nji rol te rendesishem ne te tilla raste nejse , se shpejti .

  3. Paragrafi i parafundit mendoj se eshte shume i guximshem edhe pse kur e lexon ngjan si logjik.

    Ne pergjithesi, keto 20 vjet, por edhe aq njohje historike sa kemi ne per shtetin tone, mendoj se dokumentojne me shume indiferencen e shqiptareve ndaj pakicave te kesaj natyre sesa armiqesine e tyre. Sa i perket homoseksualeve mendoj se vertet ceshtja “Klodi” ishte nje precedent, por gjithesesi per nga intensiteti dhe kohezgjatja ajo eshte identike me cdo ngjarje mediatike apo te mediatizuar qe konsumohet ne Shqiperi. Meqe per shqiptaret deklarimi i homoseksualizmit eshte dicka e re, nderhyrja e ambasadorit amerikan, pra perfaqesuesit te Perendimit eshte vertet kompromentuese per afeksionin tone ndaj SHBA, por nuk shkon me shume se kaq.

    Lidhur me projektimin e rezistences ndaj operacioneve me vello perendimore ne armiqesine apo distancimin ndaj pakicave etnike apo etno-kulturore, une mendoj se nuk ka ndonje gjase qe kjo te shkoje ne kete menyre. Prej kohesh ne Shqiperi behen te ditura raporte nderkombetare per te drejtat e njeriut dhe ne te vertete kurrkush nuk i she si probleme reale.

    Armiqesia me pakicat ne fakt buron nga perdorimi i ketyre te fundit me mekanizma do te thosha bizantine dhe “antiperendimore”. P.sh ftohja apo paragjykimi ndaj minoritetit grek ne Tirane lidhet vetem me deklarimet qe vijne nga Greqia dhe jo sepse ne kartat nderkombetare te te drejtave te njeriut flitet per minoritetet. Reagimi apo paragjykimi thjesht dhe vetem mediatik ndaj vlleheve, ne mos eshte i shtyre nga sponsore te padukshem nxit nje meri spontane qe lidhet me suksesin e elitave vllahe ne Rilindjen shqiptare. Per me shume qe veprimet e fshehura qe po i kthjene vllehet ne greke, perpara regjistrimit, thjesht e cimentojne me “argumente” ankthin qe serish ze fill nga Athina dhe historia. Konflikti ne kete rast vertet eshte i importuar, por ai importohet nga historia dhe jo nga Perendimi qe ne kete rast mendoj une ka sherbyer si ftohes. Ne Ballkan mund te fajesosh perendimin per harten, por jo per detonimin e konflikteve qe ne Shqiperi duhet pranuar se nuk shkojne me shume se ndonje hakerrim futbollistik.

  4. Nuk jam i prirur t’u besoj teorive konspirative por per mendimin tim eksperimentimet me shqiptaret kane marre udhe qe mbas rrezimit te Perandorise Osmane. Jo me kot Esat Pasha lobonte fuqishem prane Fuqive te Medha dhe bente marreveshje me vendet fqinje per pasjen e nje popullate shqipfolese etnikisht dhe fetarisht homogjene per tiu ruajtur konflikteve te yshtura nga jashte.
    Vete Shtetet e Bashkuara jane fushe eksperimentesh. Ne nje leksion te mbajtur ne Torino nga prof. Klopenberg( sevant in admistrates Obama per evropen perendimore) ne te cilin pata rastin te asistoj, profesori ne fjale na e pershkroi Ameriken si Laboratorin Shoqeror me te madh te rruzullit, ku çdo ligj perpara se te behej i tille kalonte neper faza eksperimentale ne shtete te ndryshme per t’iu kaluar me pas Kongresit dhe Senatit.
    Problemi eshte ai qe mjaft bukur e ka evidentuar Xhaxhai pra adaptimi mekanik i realiteteve te huaja ne kontekste te papershtatshe si fjala vjen Uganda , Shqiperia apo Kosova, per ta transformuar keto kontekste ne nje lugat frankeshtanjan qe zor se do ti parashikohet jetegjatesia.
    Fajin per keto makabritete sociale , nese me lejohet shprehja , me shume se eksperimentuesve perendimore do tia vija klasave te papergjegjshme dhe te korruptuara politike te cilat per hir te pushtetit dhe privilegjeve lejojne te luhet ndyre mbi kurrizin e njerezve.
    Si do te mundemi ne si shqiptare te nxjerrim veten nga bataku e te formojme nje klase politike te afte e te moralshme per te menaxhuar situatat? Kjo eshte çeshtja!

  5. Para pak ditesh presidenti bolivian, deklaroi se ngrenia e pulave te rritura me hormone (pula OGM) te bejne homoseksual. Nuk e di se c’ndikim pati ne konsumin e mishit te pules ne Bolivi, po ama qe Perendimi me kete metode ‘kryqtare’ nuk po korr suksese me duket e qarte.

    Ka disa aspekte shoqeruese ceshtja e homoseksualeve qe jane te papranueshme.
    Psh po para pak ditesh ne Angli ndodhi ‘lajthitja e eres sone’, ne dokument femijes se nje cifti lezbikesh iu njoh si ATESI, njera prej lesbikeve, dmth asaj qe e lindi (in vitro kuptohet) iu njoh me te drejte ‘Memesia’, ndersa partneres ‘Atesia’.

    Ky do jete femija i pare ne bote, ku babai eshte femer, psh
    Emri i nenes – Rajmonda Shulku
    Emri i babait- Arjola Bregu

    Normalisht, nje shoqeri joperendimore, do marre parasysh se edhe ku te con kjo rruge.

    Nese ndjekja e kesaj rruge con ne lajthitje si kjo, duket e logjikshme qe rruga eshte e gabuar, pra se Perendimi ne trajtimin e ceshtjes ka mberritur ne pika idiotesie te kulluar, te cilat kerkon ti imponoje edhe jashte vetes.

    Pra Perendimit i iku logjika per duarsh, Perendimi NUK MENDON ME, por si cdokush qe i thote mendjes ik pirdhu, edhe Perendimi ne kete pike ka merdhifur e nuk eshte me shembull.

    Pra trajtimi i ceshtjes, duhet bere ne menyre origjinale duke mesuar edhe nga gabimet e Perendimit.

    Ceshtjet ku futet institucioni esencial i shoqerise, familja, duan trajtim te gjere dhe origjinal, pasi shoqerite kane nje histori te veten dhe nje etike te veten, me te cilen duhet te bejne llogarite.

    Nuk zgjidhen problemet etike me sllogane qyteterimi dhe as per 1 vit apo edhe 10 vjet, keto ceshtje marrin breza te tere, sepse jane ceshtje esenciale shoqerore, nuk jane probleme korrje-shirjeje.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin