Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Nostalgji

LËKURA E SHTETIT

Kufiri i shtetit është gjithnjë arbitrar, gjithnjë i padrejtë. Për të Shqipërisë, kanë thënë se ndan përgjysmë troje shqiptarësh, nga brenda dhe nga jashtë. Por kufiri veç të ndajë di.

[. . .]

Edhe format që u jep kufiri shteteve janë natyrisht arbitrare; pa çka se te harta e Europës në murin e klasës së parë fillore na mbeteshin sytë kaq shumë dhe kaq gjatë, sa format e shteteve të ndryshme me kohë vinin dhe merrnin kuptim absolut, si emrat e përveçëm; Franca nuk mund të kishte trajtë tjetër, sikurse shoqja ime e bankës me syze, nuk mund ta kishte pasur emrin veçse Jozefina. Njëfarë diktature e ekzistueses.

[. . .]

Fëmijë, gjithnjë më ngacmonin disa kufij të shteteve të Afrikës, si të bërë me vizore. Kalonin në zona të pabanuara; shkretëtira ose gjithfarë rrafshirash e djerrinash – gjeometrinë euklidiane e garantonte mungesa e historisë, ndoshta edhe boshllëku i peizazhit. Më pas kam parë të njëjtët kufij drejtvizorë mes shteteve të SHBA; të hequr pothuajse me përtesë, në tavolina projektimi, nga burokratët. Kufiri i vërtetë, ai i kuptimshmi ose i lari me gjak, është gjithnjë fraktal.

[. . .]

Kufirin e kapërcejnë lirisht patat, baldosat, grerat, nepërkat, breshkat… sporet e këpurdhave dhe të gjithfarë mikrobeve të dëmshme e të padëmshme; ajri nga hapësira të përtejme, i përdorur nga mushkëri të tjera; së bashku me aroma të qofteve, të kockave të djegura, të bajgave; sinjalet televizive dhe të celularëve; atomet e ceziumit 137, ardhur që nga Çernobyli; tullumbacet e ndonjë feste cirilike çfarëdo. Si dritare me hekura, në burg ose në zoo, kufiri lejon të kalojë shumëçka, veç njerëzve që e ruajnë.

[. . .]

Çfarë më nervozon, me kufirin, është pandryshueshmëria; në një kohë që gjithçka tjetër, këtej dhe andej, transformohet: ndërtohen dhe shkatërrohen qytete, shtrohen rrugë dhe hekurudha, gërmohen tunele ushtarake dhe metroje, braktisen fshatra dhe ngrihen kampe përqendrimi, lumenj ndërrojnë shtratin, nënat lindin shumë fëmijë ose ndonjëherë edhe shumë pak. Ndoshta mosndryshimi është kusht për të gjitha këto; nëse gardhet mes shteteve janë njëfarësoj produkte luftërash dhe tërmetesh të mëdha gjeopolitike, atëherë kufiri vjen si trajta gjeografike e armëpushimit.

[. . .]

Përndryshe, kush i sheh shtetet si organizma, do ta quajë kufirin lëkurë të shtetit; organ të madh, madje kabá, që mundëson entropinë negative përbrenda.

[. . .]

Kufiri shqiptar më ka kujtuar edhe vijën Maginot, që do të fortifikonte kufijtë lindorë të Francës, pas Luftës I Botërore; gjest patetik, por jo pa njëfarë madhështie burokratike. Në fakt, gjermanët hynë në Francë nga Belgjika, duke e kaluar kufirin në një zonë më pak të mbrojtur.

[. . .]

Për Shqipërinë, pika e dobët e vijës Maginot ishte ajri; për ç’arsye, shtyllat mbajtëse të hardhive në vreshtat anembanë ultësirës perëndimore ishin pajisur me sisteme të posaçme kundër desantëve – maja të mprehta hekuri, ku do të nguleshin parashutistët, në mënyrë që kufiri me armikun të kalonte mes për mes orificit anal.

[. . .]

Natyrisht, do të duhen kohë sa të shlyhet, prej mitologjisë sonë kombëtare, përshoqërimi i kufirit me armikun. Enver Hoxha, që i kishte paranojat madhështore, priste të sulmohej prej superfuqive, madje të dyjave njëkohësisht; tani që superfuqitë i kemi në anën tonë, u jemi kthyer armiqve lokalë, që nuk të lënë kurrë në baltë.

[. . .]

Nuk di pse, kur ende fëmijë, kaloja shumë kohë duke fantazuar për kufirin: ndoshta ngaqë dëshiroja të vizitoja vende të tjera, ndoshta ngaqë më ngacmonte krejt mitografia zyrtare për kufitarët syshqiponjë, diversantët dhe ndjekjen, që nuk mungonte kurrë në tekstet e këndimit dhe në letërsinë e moshës.

[. . .]

Armiqtë që kapërcenin kufirin, për t’u futur në tokën tonë, quheshin zakonisht shkelës; dhe me siguri quheshin kështu sepse shkelnin atje ku nuk duhej. Kjo rregullisht më kujtonte ndonjë pjesë trotuari ose rrugice, të shtruar me kujdes me çimento ende të njomë, ku përfundonte shputa fatale e ndonjë mistreci – për të lënë aty gjurmën e pangatërrueshme të sandaleve të NISH Gomës, Durrës.

[. . .]

Fjalori i Shqipes së Sotme (1984) e përkufizon shkelësin si “ai që kapërcen në mënyrë të fshehtë e të paligjshme kufirin shtetëror të një vendi.” Dhe jep këtë shembull: Shkelësin e kapën. Sa herë i kemi kapur ata të shkretë shkelës, në fantazitë tona; sa herë ua kemi dorëzuar organeve kompetente!

[. . .]

Kufirin e ruanin – i gjithë populli ushtar, natyrisht; por veçanërisht kufitarët, të cilët portretizoheshin gjithnjë në profil, me vështrimin larg, automatikun krahëqafë dhe qenin e kufirit përbri, edhe ky në profil, sipas rastit me shqisat gati dhe llapën avulluese përjashta. Ndonjë prej nesh do të ketë ëndërruar të bëhej kufitar vetëm e vetëm për të kaluar ca kohë me një kafshë të tillë krenare dhe fisnike, që i mbante dhëmbët gati për t’i ngulur në pulpë të shkelësit.

[. . .]

Këta kishin studiuar e ndoshta edhe ishin doktoruar në “shkollën e qenve”.

[. . .]

Qeni i kufirit kishte nuhatje të pagabueshme; dhe vetëm ashtu arrinte të vihej në ndjekjeshkelësit, ose ta gjurmonte armikun. E gjithë kjo dramaturgji e ndjekjes realizohej sipas modelit arketipal të gjahut: me gjahtarë, langonj dhe dhelpra, të cilat fshiheshin në pyll ose në shpella dhe gufa, por që linin gjithnjë gjurmë nga pas, p.sh. ndonjë bisht cigareje Marlboro. Të vërehet paralelizmi i armikut ose shkelësit me egërsirën, e cila fshihet në pyll, ose në natyrën përtej kufirit.

[. . .]

Shkelësin e gjeje edhe nga gjurmët e çrregullta që linte, duke vrapuar si i marrë, përmes brezit të butë: një rrip toke pesë metra i gjerë, që mirëmbahej me kujdes të posaçëm; kur nuk e gjeje të ngecur në telat me gjemba, ose në klon, që shërbente si sistem i elektrifikuar sinjalizimi, ndonjëherë karbonizimi.

[. . .]

Lexoj tani në Internet se për të përsosur hermetizimin në kufirin shtetëror, autoritetet shqiptare vetëm në një vit kanë importuar 18,000 ton tela me gjemba nga Gjermania Lindore.

[. . .]

Veç kësaj, kufiri kishte edhe piramidat – të cilat unë i kam pasë përfytyruar diçka si lapidarë të vegjël, për të shenjuar varret jo të atyre që kishin rënë në përpjekje me armikun dinak, por të atyre të tjerëve, që do të binin në të ardhmen.

[. . .]

Brezi i butë, telat me gjemba, kloni dhe piramidat – një rekuizitë e tërë shenjash fizike, të cilat në thelb vizatonin konturet e Shqipërisë drejtpërdrejt mbi trojet e saj; ose një nga ato raste fare të rralla, kur harta koincidonte, në fakt, me territorin.

[. . .]

Në kufirin ujor detyrën e piramidave dhe të telave me gjemba e kryente, të paktën për turnin e natës, fasha e dritës verbuese të projektorëve të kufirit; e kam parë shpesh nga afër si pushimtar në Sarandë dhe në Pogradec, pothuajse i gatshëm të merrja pjesë edhe unë, vullnetarisht e në rast nevoje, në kërkimin e shkelësit. Kufi prej drite – tingëllon si koncept i marrë nga ndonjë roman fantashkencor.

[. . .]

Brezi i butë – në përfytyrimet e mia, ky ishte aq i butë, sa vinte e u ngjante atyre gropave me rërë thithëse. Shkelësi mbështeste këmbën atje dhe toka shqiptare fillonte ta thithte pandalshëm; sa më shumë përpiqej ky të shkëputej, aq më thellë përfundonte i ngulur në dhé.

[. . .]

Meqë flasim për breza, imi u rrit edhe me mitin e arratisjes; mit subversiv, i kultivuar në heshtje, i qarkulluar në legjenda urbane, ose në biseda dyshe, pa terzi incomodi. Ky çau malin, ai çau detin, ky u lye me graso, ai ia shkeli Zuk-ut gazin në dërrasë, ata ikën me kuç e me maç, ata të tjerët vodhën një motobarkë… Edhe të arratisurit ishin shkelës në mënyrën e tyre; ndjekur këmba këmbës nga kufitarët me qen dhe gjithfarë heronjsh të tjerë të heshtur, kallzuar nga pionierët që kullosnin qingjin ose mblidhnin sherbelë, denoncuar nga shokët dhe miqtë e tyre, në mos të afërmit.

[. . .]

Për brezin tim, gjithashtu të butë nga natyra, legjendat e arratisjeve heroike u përplasën ballazi me ikonografinë e filmit kult Duel i heshtur, të cilin TVSh-ja e transmetonte mesatarisht dy herë në muaj. Brenda pak vjetësh, pothuajse të gjithë ne e kompletuam edukimin sentimental, duke kaluar nga identifikimi obligato me marinarin Skënder Guri të Rikard Ljarjes, te identifikimi me Bepinin e Bujar Kapexhiut, i cili ëndërron të shkelë – përsëri kjo folje – botën e lirë. Çfarë na prezantohej atëherë si akt kulmor i heroizmit, do të shërbente më pas si material i vyer për kurset e psikiatrisë së aplikuar online, pavarësisht Skënderit dhe Gurit, që na kanë mbetur fjalë të dashura.

[. . .]

Nga herët e shumta që kam kapërcyer kufij shtetërorë në jetë, më ka mbetur në mend një moment gjatë një udhëtimi në autostradë, me kushëririn tim, nga Bonni drejt Amsterdamit, në dimër të vitit 1997. Për herë të parë e shëtisja Europën e Bashkuar; për herë të parë gjithashtu futesha në Hollandë, në “vendin e mullinjve”; prandaj i isha lutur kushëririt të më lajmëronte kur të kalonim kufirin mes atyre dy shteteve, meqë doja ta përjetoja pak solemnisht momentin. Harroi.

Pa Komente

  1. E kam te veshtire t’i kthehem tamam asaj ndjesie qe kisha dikur per kufirin. Shume kufij jane kaluar ne paqe vitet e fundit. Por nga kjo pike e sotme, them se e shoh me shume si nje qenie qe shnderrohet ne kafsheza te ndryshme ne varesi te llojit te kufirit ose llojit te “kaluesit”.

    Kufiri shqiptar ne kohen e socializmit ishte dicka qe me jepte frike…thuajse asnjehere ngazellim. Ishte (sic ma gajlleron tani shprehja “shkel kufirin”), dicka qe digjte, dicka qe vriste ose gjente menyren te te shkaterronte, dhe fakti qe nuk kisha asnje ndjesi te qarte per formen e shkaterrimit, e bente ate edhe me makaber. Nuk ia uroja askujt sepse isha e bindur qe shanset per te keqia qe vinin pas ishin shume te medha. Kjo kafshe ishin kufijte shqiptare.

    Pastaj kalimet e kufijve pas socializmit…disa prej te cileve me shume trazime, kur dokumentat e mia te kalimit ishin ne rastin em te mire te tilla qe i benin te gjithe rojet apo policet kufitare te me vezhgonin gjate e nga kendveshtrime te ndryshme. Kjo kafsheze te bente te te kalonin djerse te ftohta e te te prishej dita, por jo me shume se kaq. Kjo lloj kafshe torturonte, por nuk vriste. Nuk e doja… por e kisha me pak frike, dhe me te negocioja, sido qe gjithnje me bezdi e vuajtje. Keta ishin kufijte e Europes…ne vende te ndryshme.

    Tani jane kufijte qe thjesht bezdisin…si mushkonja apo miza fluturake… te pafuqishme, por qe mezi pret t’i kalosh e te jesh ne ate hapesire ku bezdia nuk ushtron me fuqi. Je ne poziten e te imunizuarit. Thjesht pret te kaloje nje e keqe qe nuk te prek dot direkt. Ndonjehere me dalin ne enderr kufijte e llojeve te pare… dhe rindiej ate qe ndieja dikur. Por jo shpesh per fat.

  2. Për herë të parë e shëtisja Europën e Bashkuar; për herë të parë gjithashtu futesha në Hollandë, në “vendin e mullinjve”; prandaj i isha lutur kushëririt të më lajmëronte kur të kalonim kufirin mes atyre dy shteteve, meqë doja ta përjetoja pak solemnisht momentin. Harroi.

    “Atje n’Hollande, ne vendin e mullinjve…” a si ishte ajo kenga? 🙂

    Per nje vend aq hermetikisht te mbyllur dhe te drejtuar nga nje njeri aq paranojak sa Enveri, kufiri s’kish si te mos merrte lloj-lloj formash e permasash letrare e metafizike ne mendjet e njerzve (sidomos femijeve), si keto qe ke pershkruar ti ketu xha xhai.

    Me secilin nga ato paragrafet e tua ne kete artikull mund te behen dhjetra tregime letrare te bukura. 🙂

      1. Une e kisha fjalen “artikull” ne kuptimin e pergjithshem dhe aspak-cilesues, si mund ti referohemi cdo gjeje e shkruar. Ashtu si kur themi “artikull veshmbathje” i referohemi cdo gjeje te tille, nga corapet tek pardesyja, packa se nqs thellohemi ne kete analize, sidomos ne aspektin egzistencialist, mund te dalem ne perfundimin qe shalli i pionierit nuk ishte tamam artikull veshmbathes (ishte nje send qe synonte te behej artikull veshmbathes, ose qe kishte identitet te konfuzuar veshmbathor) dhe qe renditej i i tille poshte kapeles, ndersa breket i bie qe te jene artikulli me veshmbathues nga te gjithe, perderisa okupojne kufirin e veshjes me ate te mbathjes.

        Tashme qe u permend fjala “kufi” ne kete koment, a me lejohet te pyes nese ka ndonje jo-artikull ketu ne PTF per shallin e pionierit? 🙂

  3. Lekura Shtettit bastard , i ngjan asaj te zagarve te beut prej se ciles prodhoheshin tingujt me exitues te daulleve, per veshet e injorances.

  4. Ishim nisur te shkonim per ne Spanje (ishte vetem nje excursion pak ditor), e do kalonim tranzit ne Rome. Polici italian, teksa kalonte dore pas dore pasaporta te femrave shqiptare, ne te gjashten a te shtatin dokument (qe i ra te ishte i imi), duke mos denjuar te shqiptonte as edhe nje zanore, ma fluturoi, ne kuptimin e vertete te fjales, pass-in direkt tek hapsira e limituar e xhamit te prere, kufiri qe mundesonte lejimin e fjales se tij (apo timen). Sikur te mos ishte ai xham “mbrojtes”, pasaporta, do kishte ardhur drejt e ne fytyren time, apo ndoshta, ne doren time… Te mbledhura perpara gate-it, ne pritje per te kapercyer ate “kufi”, degjova se, nuk kisha qene rasti i vetem, per fat te keq..! Dikur, kufijte e shkelur ilegalisht, e “nderonin” x-in apo y-in ne syte e atyre qe brenda vetes kishin desheruar te benin te njejtin veprim. Sot, kalimi legalisht i po ketyre kufijve, na poshteron para atyre qe, si ne revista nderi u
    “parakalojme”, por ca me keq, edhe perpara vetes, qe pafuqishmerisht, pranojme te na fluturoje ajo pasaporte (edhe biometrike) para turinjve, sepse… “jemi krenare qe jemi shqiptare..”!

  5. Rrefimi; “kufi/lekure”, aq me jete, konstaton rrethimin qe krijon vet, me krijim te palodhur, shpirterisht i cliruar Xha.

    Perkthim i sa me siper shkruar:

    Refimet me japin te kuptoj kufijte, ku nje shpirt i cliruar duhet te rrethohet nga shkrime Xha.

    1. Rrefimi; “kufi/lekure”, aq me jete, konstaton rrethimin qe krijon vet, me krijim te palodhur, shpirterisht i cliruar Xha.

      Perkthim i sa me siper shkruar:

      Refimet me japin te kuptoj kufijte, ku nje shpirt i cliruar rrethohet nga shkrime Xha.

  6. Ndërsa njëherë shihja nga avioni Shqipërinë që po e lija – për atë vit- mu përvijuan ca vargje te Mjedës që më shtynë në përisatje mbi pakufijtë ajrorë, pavarsisht të quajturës hapësirë ajrore. Më trembte mendimi, se pavarsisht kësaj lirie të kontrolluar, nëse ne do të kishim flatra, ata, kufitarët do të thurrnin rrjeta si ato që u viheshin shpendëve nëpër lugina- gjueti e ndaluar sot në Evropë.
    Kancer kufijsh e kam quajtur sëmundjen e rrallë të Ballkanit; i rënka të jetë kancer lekure.

    Ballkani

    Lamtumirë, o mori Shkodër!
    Lamtumire, o ti Cukal!
    Zhduket Buena nën nji kodër,
    Zhduket Drini nën nji mal!

    …………………………………Ndre Mjeda

    Ballkani mbetet,
    Ballkan.
    I ndarë në ngastra,
    Në ara,
    Në fshatra, qytete,
    Në shtete.
    Ngërthyer në metastaza kancelarike,
    Vuan një sëmundje të rrallë
    Kancer kufijsh.
    Vetëm qielli ka mbetur i paprekur,
    Nuk kanë mundur dot ta ndajnë kancelaritë,
    Nuk kanë ngulur dot gurë sinori,
    Nuk kanë prerë dot me thikë retë e bardha,
    E shërueshme sëmundja ballkanase,
    E keqe si emri kancer kufijsh,
    Mjafton të presësh metastazat malinje,
    Mjafton të mos trokasësh nëpër kancelaritë,
    Mjafton që ballkanasi të ngrejë kokën nga qielli,
    Të shohë atë renë e bardhë,
    Si vjen në tokën e tij,
    Nga toka e tij hijen si e lë dhe mëtej ik.
    E fiton luftën për jetën me këtë kancer kufijsh
    Veç shih pak nga qielli
    Ballkanas,
    O mik.

    Sot lexova K. Blushin, per heqjen e vizave ndaj qytetareve Serbe; pa hyrë në argumente për sa, e kam menduar se dhe nacionalisti ynë më i flaktë, antiserbi më i shpallur, ka (mund të ketë në ka) fluturuar mbi Sërbi … si mbi një re pulpore të bardhë.

  7. Une mbaj mend heren e pare qe shkela jashte Shqiperise u habita se si dhe aty toka kishte gravitet. Mendimi me irracional qe kam pasur ndonjehere, madje duke u menduar ne dije qe ishte irracional. Kjo natyrisht kishte te bente edhe me faktin se nuk ishte vetem hera e pare qe shkelja ne nje toke te huaj, por edhe hera e pare qe udhetimi me skaf perfundonte me sukses. Nje kembe ne skaf, nje kembe ne Itali. Nje kembe ne det, nje kembe ne toke. Normal qe mendimi i pare ishte: edhe jashte shtetit funksionoka graviteti.

  8. E fundit, para se te vija ne Amerike, duke pritur per vizen, por edhe pasi e kisha marre vizen dhe nuk isha nisur akoma, kisha pershtypjen se komplet kontinenti Amerikan ishte i rrethuar nga nje fushe masive energjie, nje mur i padukshem ku shpreheshin fuqite kozmike te planetit, mur qe ofronte rezistence jo vetem korporeale, por edhe per imagjinaten per ta kapercyer.

  9. Çfarë më nervozon, me kufirin, është pandryshueshmëria; në një kohë që gjithçka tjetër, këtej dhe andej, transformohet

    Shperndarja normale e probabiliteteve kerkon qe evenimenti ‘ndryshim kufijsh’ te jete te pakten larg 3 sigma nga mesatarja. Kuptohet ne keto kohra kur probabiltetet 6 sigma larg mesatares desh na permbysen rendin kapitalist, nervozimi juaj eshte i kuptueshem.

    Me kujtove nje skene nga filmi Matrix, ku Agjenti pasi kish vene perfund Neon mbi shinat e metrose i tregon trenin qe po vinte “E e degjon z.Anderson? Ky eshte tingulli i pashmangmerise” E njejta gje me kufijte; jane te pandryshueshem vetem po te ‘besosh’ ne inevitabilitet.

  10. Po afrohet dita kur shtetasit shqiptarë do të udhëtojnë, në shtetet kryesore europiane, pa viza. A mund të quhet kjo ditë historike?
    Në epokën e internetit dhe të komunikimeve, kufinjtë nuk janë më siç ishin. Unë jam ”shkelës” i përditshëm, jam ”Grenzgänger”. Jetoj në Gjermani e punoj në Zvicër. Kur shkoj te një kusherinë për vizitë, e cila jeton në Francë, mbrenda disa orëve kaloj kohën në tri shtete.”Kufiri” me Zvicrën është monedha, kurse me Francën është gjuha.
    Në Europë, ku shtetet janë krijuar në shumicën e rasteve sipas parimit etnik, ”kufinj” do të mbesin gjuhët.
    Më kujtohet një barcoletë: Çka bëhet lepuri kur e kalon kufirin dhe del në Serbi? Bëhet zec!

  11. Tani po na vijne ne mendje gjithe ato kujtimet me kufij e shkelje kufiri.

    Mbaj mend heren e pare dhe te fundit qe vajta ne fshat tek halla, diku ne Erseke. Ishte vere dhe duke mbledhur caj mali, im kusheri me thote “ketu zbret posta ne dimer.” E kisha perfytytyruar ndryshe kufirin, sic e shpjegon Xhaxhai, me tela, me piramida etj. Atje s’kishte asgje, nje si koder me ca shkurre midis ku une mblidhja caj. Dhe filluan te me lindin soj soj iderash, aq me teper kur me treguan per nje familje qe ish ngritur me kuc e me mac dhe kish ikur ne Greqi. Dukej aq e kollajte ikja.

    Nje kusherira ime doli jashte shtetit se kendonte. Kur u kthye, e deprimuar, dhe na tregonte mundesite qe i ishin ofruar, megjithese e dinim pergjigjen, si per solidaritet e mirenjohje, i thame “po te kishe ndenjur atehere.” Dhe ajo na tha, “qe te perfundonit ne internim te gjithe, apo keni fuqi shume ju ti bini kazmes.”

    Dikur me vone, nje shoqe, as shume e afert madje, ne mes te nje muhabeti koti, me thote “une do arratisem” dhe vazhdoi te me tregoje hollesira planesh, varkash, e notimesh. Qe ajo s’do ikte dot asgjekundi me ate plan, ishte fare e qarte. Por tmerri i vertete ishte ideja se mos ishte provokim, dhe c’duhej bere??? Shyqyr Zotit qe ajo sec kish patur ca depresione e historira me pune dashurirash, dhe me mendjen time i dhashe karar qe po te me pyesnin, do thoja “ajo eshte e cmendur, s’ja mora seriozisht.”

    Dhe pastaj e kaluam kufirin dhe u beme qytetare te botes.

  12. I lindur dhe i ritur në një zonë kufitare, me Greqinë vetëm disa kilometra larg, kufiri për mua ishte pjesë e realitetit të përditshëm. Ma kujtonte se kufiri ishte afër sirena ushtarake e vendosur në ndërtesën e PTT-së, e prodhimit çekosllovak, që punonte me korrent por që mënçuria e shpikësit e kishte bërë të punonte edhe me një manivellë që rrotullohej me duar duke krijuar një zhurmë të frikshme.

    Ma kujtonte patrulla e kufitarëve që kalonin në mes të fshatit me përbindëshin alsatian që quhej qen kufiri, i cili dukej edhe më i llahtarshëm nga maska që i vinin në fytyrë (një maskë si ajo e Hannibal Lecter-it).

    Ma kujtonte lejekalimi që duhet të merje për të udhëtuar nga njëri fshat kufitar në tjetrin, një lejekalimi që firmosej nga komandanti i postës në njërin fshat dhe konfirmohej nga komandanti i postës i fshatit tjetër ku duhet të paraqiteshe.

    Ma kujtonte prozhektori i kush e di sa miliona qirish i cili ndriçonte duke u rrotulluar çdo natë.

    Ma kujtonte lapidari i ushtarit heroik Bendo Buzo dhe prroi i cili mbante emrin e tij. Sipas mitologjisë komuniste e cila ishte e mbushur me Bendo Buzo e Spiro Kote (në aktin heroik të të cilit u bazua filmi për të cilin flet XhaXhai më lartë) kufitari Bendo rra në përpjekje me një njësit grek i cili kishte shkelur kufirin por që më në fund u thye keq. Të vërtetën e incidentit e mësova vetëm para disa vitesh. Bendua me dy shokë planifikonin të arratiseshin për në Greqi, por afër kufirit Bendua ndryshoi mendje, donte të kthehej dhe shokët e ti e vranë dhe u arratisën e sot jetojnë në ShBA. Histori të tilla me kufitarë heroikë ishin mjaft të përhapura nga ato anë. Një histori tjetër fliste për një kufitar i cili çdo mëngjes që grekët ngrinin flamurin në postën e tyre, ai dilte në kodrën matanë dhe u tregonte bythën. Një ditë grekët e vranë. Partia, duke i njohur këtij biri besnik karakterin vetëflijues, i dha emrin e tij një kooperative bujqësore në një fshat andej nga Saranda.

    Ma kujtonte kufirin gjithashtu edhe historitë që dëgjoheshin për diversantët grekë që vinin e rrëmbenin familje për ti çuar në Greqi. Thuhej se ishin të armatosur gjer në dhëmbë, të pajisur me këpucë me susta për të bërë hapa të mëdha, se kishin me vete helm që të mos bien të gjallë tek repartet e Ndjekjes etj, etj.

    Nga ana greke disa herë, sidomos Pashkëve, vendosnin altoparlante në drejtim të fshatrave tona dhe dëgjonim psalme. Ishte diçka e pashpjegueshme për mua atëhere kur shikoja plakat në gjunjë të bënin kryqin duke dëgjuar “Krishti u ngjall”. Duket se valët e zërit dyshonin për pakalueshmërinë e kufirit…

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin