Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji / Sociologji

DEBAT KEMI, NA MUNGON TEMA

Diskutimet për homoseksualët në mediat shqiptare e kanë humbur tashmë sensin e masës, aq sa ndoshta është momenti të pyetet nëse vetë homoseksualëve u vjen ndonjë e mirë ose përfitim nga e gjithë kjo rrokopujë.

Kështu, lexoj më një anë Blendi Kajsiun që shkruan:

Vetë dëshira apo instinkti seksual (apo libido të përdorim një koncept frojdian) nuk lind sipas kategorive sociale edhe pse derdhet në to. Pra dëshira seksuale në vetvete nuk është as homo, as hetero as bi. Është shoqëria ajo që na mëson t’i drejtojmë dhe zhvillojmë dëshirat tona seksuale në një drejtim të caktuar. […]

Më anë tjetër, Kristi Pinderi shpjegon:

[Homoseksualizmi] Nuk është prirje. Është diçka e lindur. Homoseksualizmi lind bashkë me njerëzit. Organizata Botërore e Shëndetësisë, kur e ka fshirë nga lista e sëmundjeve homoseksualizmin ka arritur në përfundimin se ajo është pjesë e seksualitetit që lind bashkë me njeriun.

Në një debat tjetër online, dikush shpjegonte, me seriozitet të madh, se shkenca tashmë “e ka vendosur” që homoseksualiteti nuk është sëmundje, sikurse e dëshmon edhe manuali i fundit i diagnostikës së sëmundjeve mendore (DSM).

Përsëri pyes: çfarë përfitimi kanë homoseksualët shqiptarë, nga ky karneval?

Kush është kurioz, do të ketë parë se shkenca nuk ka arritur ende ndonjë përfundim të prerë për shkaqet e homoseksualitetit: nëse është i lindur apo i fituar, nëse ka bazë biologjike apo psikologjike apo të dyja njëherësh, nëse u detyrohet traumave seksuale të fëminisë apo një virusi, nëse i shërben species apo jo e kështu me radhë. Natyrisht shkenca nuk mund të vendosë asgjë; sepse një shkencë që “vendos” nuk është më shkencë, por dogmë e mbështetur dhe e mbajtur gjallë prej hipokritëve – gjithsesi, shkenca e studion homoseksualitetin sikurse studion gjithçka tjetër, me mendje të hapur.

Është gabim, megjithatë, që të sillen argumente “shkencore” në debatin e tanishëm; sepse po të fillohet me argumente, të tilla i ka të shumtë edhe pala tjetër – që nga ato me natyrë fetare dhe etike, deri tek ato me natyrë biologjike e kështu me radhë.

Prandaj çështja e homoseksualitetit ndër shqiptarë sot duhet trajtuar – besoj unë – brenda kuadrit të të drejtave civile: homoseksualët kanë të drejtë ta jetojnë jetën e tyre të pangacmuar, madje edhe sikur homoseksualiteti të jetë kundër fesë, natyrës ose darvinizmit social; në atë masë që stili i tyre i të jetuarit, duke përfshirë preferencat seksuale por jo vetëm, nuk bie ndesh me liritë dhe të drejtat civile të qytetarëve të tjerë.

Në rrethana normale, komuniteti gay në Shqipëri dhe mbrojtësit e tij do ta kishin konsideruar situatën e tanishme si fiasko; sepse debati nuk u shërben më të drejtave të atij komuniteti, por është marrë peng nga gjithfarë grupesh të tjera. Ambasadori hollandez në Tiranë, Hank van Dool, kishte shkruar gjëra të bukura në mbrojtje të diferencave dhe të diversitetit, në bazë të arritjeve të shoqërisë dhe të kulturës holandeze; por unë do të parapëlqeja të dëgjoja, me këtë rast, një antropolog që t’i kujtonte ambasadorit, me durim e qetësi, sa shekuj i është dashur shoqërisë holandeze, kulturorisht shumë më kompakte dhe më pak e traumatizuar se jona, për të arritur këtu ku është sot; si dhe që lufta për të drejtat civile në përgjithësi deri më sot i ka paraprirë luftës për të drejtat e homoseksualëve, në Holandë dhe kudo tjetër. Kështu, një shoqëri si e jona nuk mund ta trajtojë problematikën e seksit njëlloj sikurse shoqëritë perëndimore; dhe aq më pak problematikën e homoseksualitetit, në një kohë kur tek ne ka ende probleme dhe plagë të mëdha që lidhen me vetë heteroseksualitetin dhe rolet seksuale konvencionale, të cilat Perëndimi i ka zgjidhur ose së paku sqaruar prej dekadash.

Në rrethana normale, komuniteti gay në Shqipëri do të ishte i interesuar që ta fashiste këtë zallahi provokuese në mediat dhe t’i ftonte “punditët” ta drejtonin vëmendjen e tyre gjetiu; dhe gjithsesi t’i rrinin larg seksualitetit si shkencë dhe argumenteve me natyrë “shkencore”, të cilat janë, në këtë stad, kundërprodhuese.

Me këtë rast, komuniteti gay do të duhej edhe të reflektonte edhe nëse ky karnival i tanishëm mos po u shërben më shumë promotorëve të vet, sesa të drejtave civile të homoseksualëve në Shqipëri.

Pa Komente

  1. çështja e homoseksualitetit ndër shqiptarë sot duhet trajtuar – besoj unë – brenda kuadrit të të drejtave civile: homoseksualët kanë të drejtë ta jetojnë jetën e tyre të pangacmuar

    Nqs e keni pare filimin “The Kite Runner of Kabul” nje pjese e homoseksualeve ne shoqeri te ngjashme me ate te Afghanistanit (si ajo e Shqiperise), jetojne te pangacmuar.

    Ne gjithe kete katrahure, duhet denoncuar rrepte Top-Channel qe i shton me teper konfuzionit duke nxjerre ne TV nje homoseksual qe qurravitet, e jo nje qe eshte me i forte. Lezhjanet, e pune-ditet, duhet te kacafyteshin me kategorine e dyte ne fjaline me siper.

  2. Per sa thua “Natyrisht shkenca nuk mund të vendosë asgjë”, vertet shkenca nuk vendos se ca norma morale do zbatojme ne, por ama shkenca zbulon, dhe zbulimet shkencore na ndihmojme per te kuptuar me mire, si ne kete rast si ne cdo aspekt tjeter tonin (njerezor) apo te kafsheve e natyres ne pergjithesi.

    Sa per ate qe e quan debat pa teme, debate te mirfillta publike e mediatike s’para behen tek ne, per asgje, pervec atyre politike, po dhe ato e kane qasjen per te qare hallin.

    Mund te na kujtoje kush kur eshte angazhuar populli shqiptar, mediat tona, dhe ato 45 OJQ-ra e persona qe protestuan per protesten e adoleshenteve te Lezhes, ne ndonje diskurs a debat serioz per ndonje ceshtje pervec politikes, qe pas protestave per rrezimin e komunizmit e deri tani?

    Them pervec politikes, jo se per politiken behen debate serioze, po ama behen debate e zhurme gjithmone, ne inflacion.

    Kjo per mendimin tim eshte teme me interesante per tu diskutuar, qe ne pak a shume na ka humbur ndjeshmeria dhe aftesia per te patur debate e diskurse publike, dhe kjo pavaresisht (apo ngase?) tragjedive e problemeve problemeve te medha qe kemi kaluar, si gjate ketyre 20 viteve demo-tranzicion, si me pare.

    Dhe kush e ka fajin per kete? A nuk jane fajtoret kryesore keta mafiozet e politikes e te biznesit qe e mbajne popullin te mpire me bigbradhera e me zhurme hapje-mbyllje kutish?

    Ose qofte dhe forma me te thjeshta te themi te shprehjes se solidaritetit apo indinjates, manifestime e protesta per te sinqerta per ndonje gje pervec politikes.

    P.sh. kontrasto mbushjen e shesheve e rrugeve gjate fundvitit qe kaloi per nje ceshtje farse, show politik, hap-mbyllja e kutive, me mbushjen e shesheve per, fjala vjen, genocidin qe behej ne Kosove. Sa njerez dolen ne rruge atehere ne Shqiperi per ti treguar botes indinjaten tone dhe per ti terhequr vemendjen ne kete tragjedi qe po ndodhte tek vellezerit e motrat tona qe po vriteshin e perdhunoheshin? Apo qofte nga inati per karshillek me daljet ne rruge te serbeve me tabela qe kishin shenjen e objektivit (target) dhe qe dmth mundoheshin ti benin presion Natos qe te mos bombardonte?

    Apo per zbardhjen e krimeve te ’97, sa here ka dale njeri ne rruge? Me te drejte dolen ne rruge kur i humben parate ne firmat piramidale (pavaresisht se ato protesta u perdoren nga PS), po kur me pas humben jeten afro 3000 shqiptare ne ate katrahure, mijera me shume u sakatuan e plagosen, atehere sa njerez dolen ne rruge qe te protestojne dhe kerkojne drejtesi dhe zbardhjen e asaj situate?

    A e kujton me kush kete vrime te zeze ne historine e ketyre 20 viteve, nga mediat, OJQ-rat, apo kushdo tjeter? Kur them kujton e kam fjalen me qellim drejtesi e zbardhje te ngjarjeve, jo me qellimet qe e kujton sot e njejta opozite.

    Dhe per Gerdecin dolen njerzit ne rruge, prap te shfrytezuar nga politika. Mediu sot eshte prap minister. Sa kane dale ne rruge per te protestuar per kete kunder Berishes e Mediut pasi ai u zgjodh minister prap?

    Sa e shftyrezoi ate situate media, keto 45 OJQ-rat qe sot i bejne karshillek adoleshenteve te Lezhes, e kushdo tjeter per te folur per te gjitha ceshtjet qe prekte Gerdeci, disa prej te cilave ishin dhe shkaqet mbase te tragjedise; punesimi i femijeve, punesimi ne te zeze, dhe sidomos nje mije e nje menyra korrupsioni qe u zbuluan nga artikujt e NY Times, evazionet, firmat hije/fallco qe blinin e shisnin mallin me dyfish cmimi, privatizimi (ne kuptimin e keq) i ministrise se mbrotjes, evazioni i taksave, etj etj?

    Tani krahasoi te gjitha keto mefshtesi e pandjeshmeri te mediave, OJQ-rave, kujtdo tjeter, me “debatin” dhe irritimin per protesten e ca adoleshenteve ne Lezhe dhe me fokusin i beri media kesaj protste me gjasa e nxitur nga vetem media (e njejta media qe transmetoi “lajmin” anembane botes se ne i vodhem oren Bushit) dhe besoj dalem vetiu tek ajo qe thua ti ‘debat pa teme’, ose me sakte zhurme.

    E keto zhurmat me duket jane te qellimta, qe te mbysin cdo ze e cdo insiative te dikujt per te folur per ndonje gje tjeter, apo dhe vete aftesine e te folurit, ne mos dhe aftesine e te formuluarit te ndonje mendimi te kulluar apo mendim per ndonje gje pervec zhurmave te atyre kuti-mavrive qe jane televizionet shqiptare.

  3. Debat kemi sa të doni… që të mos flasim vetëm për “frontin e brendshëm”, ja edhe e fundit nga ai i “jashtmi”:
    Para disa ditëve, një gjeneral në pension (tashmë) i trupave amerikane në ishJugosllavi, ka deklaruar se:“Masakra e Shebrenicës ndodhi për shkak se… në trupat holandeze kishte ushtarë gej”

    Natyrisht që shumica e komentuesve e konsideronte si një koment idjot fjalën e këtij gjenerali (që e kishte lëshuar këtë shashkë për të ndaluar rekrutimin e gej-ve të deklaruar në trupat e marinsave amerikanë).
    Ndër reaksionet që i kundërpërgjigjeshin teorisë së këtij gjenerali, ishte dikush që sillte shembullin e Termopileve (maratonomaku i famshëm).
    Në këtë betejë, bashkë me Leonidhën e famshëm, ata 300 ushtarë që arritën të përballonin sulmin… ishin të gjithë gej . Vetëm dashuria ndaj personit me të cilin ndan gjithçka mund t’i bënte që të luftonin dhe të sakrifikonin gjithçka deri në vdekje… kjo ishte arsyeja se pse Leonidha e kishte bërë këtë repart “special” (kur trupa të tilla speciale, që citohen për aksionet e tyre më të pashpirta, bëhej fjalë që i ka dhe i përdor shpesh edhe Izraeli në Palestinë).

    1. Në këtë betejë, bashkë me Leonidhën e famshëm, ata 300 ushtarë që arritën të përballonin sulmin… ishin të gjithë gej .

      Nuk ishin ‘gay’ jo. Te gjithe kishin gra.

    2. edrus, je ngatërruar keqas. Maratonomaku, siç dëshmon edhe emri, ka qenë athinas që luftoi në betejën e Marathonës (athinas vs persianë), jo në betejën e Thermopileve. Për Leonidhën edhe ushtarët e tij nuk dëshmohet gjëkundi se ishin gay. Ngatërrohesh nga koncepti platonik mbi ushtrinë; ky thoshte se duhet të përbëhet nga ushtarë/ çifte, diçka që do i bënte më të fuqishëm në luftim. Nuk është diçka që të habit tek Platoni. Ka shkruar marrëzira më të mëdha.

  4. Homoseksualizmi dhe fetë.

    Eshtë interesant të vërehet se homoseksualizmi femëror, lezbizmi, nuk zihet në gojë gjëkundi në Kuran. Ne te kundert, dashuria midis burrash stigmatizohet në 11 nga 114 suret. Shihet si një mëkat që vjen menjëherë pas tradhtisë bashkëshortore, adulterit.

    Përkundrazi, në fenë e krishterë, siç del në Letrat e Shën Palit dhe te Rrëfimet e Shën Agustinit, ai cilësohet si «kundër natyrës ».

    Në Kuran natyra nuk evokohet në asnjë rast, por në suren XXVI thuhet se Allahu e ka krijuar femrën që të jetë në përdorim të burrave. (Në na falin zonjat, por kur u shkrua Korani unë nuk isha aty, qe do të këmbëngulja se mund të ishte edhe e kundërta).

    Më tej, nga Libri i shenjtë i myslimanëve lihet të kuptohet se homoseksualizmi është krijesë e banorëve të Sodomës. Një fëlliqësi që askush nuk e ka bërë para jush, thuhet në suren e VII.

    Sipas Lot-it, nipit të Ibrahimit (Abrahamit), që në Koran është në rangun e profetëve më të lartë e te respektuar, sodomitet janë « të shfrenuar » (VII), « rregullthyerës » (XXVI), « të paditur », « mëkatarë »

    Ka një episod ku Lot-i kërkon të mbrojë disa miq të tij (XI) nga vesi i sodomitëve (që në fakt janë meleqë, engjëj të dërguar nga Allahu), dhe për këtë u propozon atyre një marrëveshje, u propozon t’u japë dy vajzat e tij! Por sodomitët nuk e pranojnë, duke i thënë : ti e di mirë se çfarë duam ne. (XI)

    Më tej ata tallen me Lot-in, që kërkon të jetë i kulluar, madje as që ia varin paralajmërimeve të tij (surati LIV) dhe marrin mbi vete një breshëri shiu prej zajesh dheu. Diku flitet edhe për ndëshkimin e verbimit që mund të pësojnë. Në Koran nuk gjendet mundësia që t’u falet vesi tyre, por duke lënë mënjanë shkatërrimin e Sodomës (eshte i pranishem ne librat e dy feve te zbuluara), aty nuk gjendet asnjë shenjë ndëshkimi me vdekje, për homoseksualët, dënim i cili është parashikuar në mënyrë të qartë te libri i Levitikëve, (shkrimet hebreje).

    Shpesh here mendoj per përpjekjet e çmenduara, që behen per ta identifikuar Malin e Shenjtë të Olimpit më malin e Tomorrit.

    Shpresoj që pas kesaj qe ndodhi, ne BB të mos dalin të tjerë që te flasin per disa dokumente ne gjuhen aramene te sapozbuluara ne arkivat babilone te Nabukodonosorit, që identifikojnë vendendodhjen e Sodomës diku midis derdhjes se lumit Matit dhe Drinit.

    1. Në Koran nuk gjendet mundësia që t’u falet vesi tyre, por duke lënë mënjanë shkatërrimin e Sodomës (eshte i pranishem ne librat e dy feve te zbuluara), aty nuk gjendet asnjë shenjë ndëshkimi me vdekje, për homoseksualët, dënim i cili është parashikuar në mënyrë të qartë te libri i Levitikëve, (shkrimet hebreje).

      Ke tentuar per ti bere nje ‘midrash’ atyre pasazheve, dhe ke qelluar gabim. Mekati i Sodomiteve nuk ishte homoseksualiteti, por thyerja e rregullave te mikpritjes te te huajit (qe ne kete rast qelluan te jene ‘jashtetokesore’ te pushtetshem). Edhe nje here, ne kontekstin lindor homoseksualiteti shihet si kafsheri dhe njeriut qe bie ne ate nivel i hiqet e drejta e te qenit njeri.

      Ne kontekstin grek te lashte, homoseksualiteti nuk eshte me shume se mizogjini.

  5. “”Me këtë rast, komuniteti gay do të duhej edhe të reflektonte edhe nëse ky karnival i tanishëm mos po u shërben më shumë promotorëve të vet, sesa të drejtave civile të homoseksualëve në Shqipëri.””

    Xhaxha, nuk ka komunitet Gay ne Shqiperi. Ka individ Gay, por kurrsesi komunitet. Eshte e kote qe ti drejtohesh me kete shkrim nje grupimi njerezish qe jane inegzistent. Ka disa “perfaqesues” te padukshem qe reagojne ndonjehere neper ndonje gazete me ndonje shkrim ne emer te ketij komuniteti fiktiv, por mendoj se eshte ende heret te flitet per komunitetin e tyre. Ceshtja eshte me shume per konsum mediatik sesa per debat social dhe shkencor ne rrethanat e Shqiperise.

  6. Nga te gjithe Kajsiu me kenaqi me shkencen e vet, habitem me numrin e neuroneve qe perdor kur shkruan(s’eshte hera e pare), eshte nje numer midis 1 dhe 2.
    Po cti provoje shkenca, kur per jeten biologjike jane tertium non datur. Me tertium non datur merret vetem shoqeria e ngeshme ,e ngopur, qe ska me ca te merret, merret me gjerat qe skane asnje rendesi ne dinamikat realitetpercaktuese.

    Shqiperia me 1000 halle, me 30% ne emigracion, me probleme te medha ne rishikimin e rolit shoqeror, publik e privat, midis burrit dhe gruas, rri e merret me homo sacer-at.
    Po do u vije koha edhe homo sacer-ave, te rregullojme njehere catine e shtepise pastaj lyejme muret edhe me ngjyre roze a te kuqe.

    Vjen ambasadori hollandez e na jep mend, gjera te sterlexuara e te sterthena, aq sa po na hyjne ne kujtese me dhune. Ike mo byrazer, cdo ti me punet e brendshme te Shqiperise, ti je ambasador nuk je funksionar kolonial.Po ste pelqeu, kthe takat e drejt ne Hollande, na u hap barku per ty, korropoc.

    Sa per Malin e Tomorrit dhe te Olimpit, sipershkruesi ka ngaterruar Olimpin me Dodonen. Tomorr e Tomarus(mali i Dodones) flet per nje lidhje, por se cfare e si e qysh e tek, nuk dihet asgje e sigurte, ka vetem hamendje e pasgjasa.

    Nje gje eshte arkeologjikisht e sigurte, qe edhe aneve te Olimpit kane banuar dikur popullsi ilire.

    1. Kjo është e vërtetë që thua, se homosesualiteti ndër shqiptarë përballë problemeve të tjera të mëdha, nuk është problemi i tyre. Për mua problemi është i levantinëve, shumë syresh kanë marrë përsipër të “emancipojnë” shqiptarët.

  7. ””Për Leonidhën edhe ushtarët e tij nuk dëshmohet gjëkundi se ishin gay. Ngatërrohesh nga koncepti platonik mbi ushtrinë; ky thoshte se duhet të përbëhet nga ushtarë/ çifte, diçka që do i bënte më të fuqishëm në luftim.””

    Ska pse te djege, se ska gje per te djegur ne kohet e sotme, Greqia klasike e kishte pederastine qofte ‘shenje burrerie’ qofte ‘shenje civilizimi’.

    Spartanet kane qene te njohur si biseksuale mjaft aktive.

    Nderkaq ctha Platoni e gjejme tek Banda e shenjte Tebane, 150 cifte homoseksualesh (jo biseksuale), qe thyen deri edhe spartanet. Kjo bande 300 veteshe ka qene edhe reparti me i mire ushtarak i Greqise Klasike.

    Sigurisht qe cifti platonian funksiononte vetem per falangen, ku secili mbronte ate qe kishte me te majte me mburoje, por jo psh ne legjionin romak apo trupat e lehta, kaloresi etj.

    Po te shikohet numri i madh i transave, qe jane shtuar si kerpudhat pas shiut rrugeve te Italise(po besoj kudo), kuptohet lehte se pederastia (ne kuptimin grek te fjales) ashtu si Greqine klasike po merr karakteristikat e shenjes se qyteterimit.

    Jo me kot , nga te qyteteruarit parapelqehet shoqeri /miqesi homoseksualesh ose biseksualesh ne vend te shoqerise se vjeter te karakterizuar si e burrave.

    Greqia e lashte vazhdon te rrezatoje ndikimin e vet, ne qyteterimin e sotem perendimor, sepse rrenjet aty i ka ky qyteterim, do sdo, do vije prape koha qe biseksualizmi do te vleresohet si shenje qyteterimi. Nuk dua te them, hajde ruajme bythen, por hajde ruajme mendjen.

    Cdo gje kthehet ose me mire cdo gje ‘ngjan’ dhe persa kohe qe cdo gje ngjan,(perfshire edhe pyetjen; cfare ‘ngjau’-ndodhi ? ) duhet pasur kujdes.

  8. Nga Raporti i Departamentit te Shtetit per Shqiperine 2008:

    “Ashtu si ne vitet e meparshme, OJQ-te pretenduan qe policia shenjestroi bashkesine homoseksuale per abuzim. Sipas Shoqates Shqiptare te Homoseksualeve, policia arrestoi arbitrarisht homoseksualet dhe me pas, i abuzoi ata gjate kohes qe ishin te ndaluar, si fizikisht ashtu edhe verbalisht.”

    Jo vetem qe kemi homoseksuale, por i kemi te organizuar, kane edhe Shoqate, jane edhe te persekutuar, ankohen dhe degjohen.

    Tani, ne mund te bejme si struci dhe te themi “s’ka shqiptare homoseksuale,” por nuk mbulohet realiteti me britma e parrulla pastertie kombetare.

    1. Nuk ka thene njeri qe ‘s’ka shqiptare homoseksuale”, por qe brenda atyre qe e njohin veten si shqiptare homoseksualet, sipas edhe termit te perdorur rendom, jane gjithnje ne fshatin ngjitur. Puna eshte se kur cdo fshat akuzon tjetrin per te njejten gje, i bie qe te gjithe e kane brenda. Por i zoti i punes e merr vesh i fundit, ndaj pellasin te gjithe.

  9. ”” Tani, ne mund te bejme si struci dhe te themi “s’ka shqiptare homoseksuale,” por nuk mbulohet realiteti me britma e parrulla pastertie kombetare.””

    Mos e ngaterro metaforen, jo ‘ska shqiptare homoseksuale’, por ‘ska homoseksual shqiptar’.
    Tek e para shqiptar eshte ‘subjekti’, dmth themi ne fillim kush eshte shqiptar pastaj mbi te veprohet(hetero, homo, pedofil, perdhunues) , keshtu qe metafora nuk eshte e praktikueshme, del nonsens. Nderkaq tek e dyta kur thua homoseksual ke thene subjektin i cili ne fakt nuk e permban te qenet shqiptar, pra shqiptar eshte shtese ose kallzor i jashtem.
    Gjithe metafora luan me te qenit shqiptar, koncept qe paraqet ne esencen e vet heteroseksualitetin (ndr burre ose grua), keshtu, nese zevendesojme shqiptar me heteroseksual/burre del:
    Nuk ka homoseksual heteroseksual/burre.

    Per shkak te parimit te moskunderthenies, kjo shprehje metaforike del e vertete.

    Pra nuk eshte ceshtje parulle apo britme por ceshtje logjike.

    Se pari duhet rishikuar lidhja e te qenit shqiptar me te qenet burre (ose grua, e nejtja gje), dmth duhet te shkeputet nga esenca e te qenit shqiptar, te qenit burre (apo grua).
    Kemi nje ‘model ideal kulturor’ brenda konceptit te shqiptarit, model drejt te cilit duhet teorikisht te synoje cdo shqiptar.
    Pra duhet hequr modeli ideal kulturor per tu ndjekur, para se te veprohet, perndryshe do perceptohet si sulm ndaj vete kultures shqiptare.
    Ajo qe ne vendet e tjera trajtohet si sulm ndaj kultures fetare/kristiane apo islame, tek ne trajtohet si sulm ndaj kultures shqiptare dhe idealeve te saj.

    Sigurisht qe homoseksuale ka pasur perhere dhe ka tani, sepse absolutja nuk ekziston ne natyre, nuk jane te gjithe te prirur instiktivisht ndaj seksit te kundert, sepse ‘te gjithe’ do ishte absolutizim, dmth e pavertete.

    Por a mund dhe a duhet te asgjesoje dot ky fakt nje ideal kulturor ? A mund dhe a duhet psh te asgjesoje idealin e barazise para ligjit fakti qe kurrsesi s’mund te kete barazi absolute para ligjit ?

    Kemi te bejme me nje ceshtje ne radhe te pare te kultures shqiptare, biles te vete identitetit te saj, arsye e mjaftueshme per ti shoshitur mire gjerat.

  10. Lajm i ores se fundit : Familja e Klodit (i vetedeklaruari si homoseksual ne Big Brother) largohet nga Lezha per shkak te presioneve. Njoftohet se ambasadori amerikan dhe ai gjerman, se bashku me kreun e Policise se Shtetit neser do vizitojne kete qytet.

    Shume mire; tani teme nuk kishim dhe debat po. E shpikem temen dhe do kemi edhe debatin.

    1. Korrigjim: në vend të “largohet” (nga Lezha) duhet thënë: vetëlargohet.

      1. Sipas agjencisë OboboNews, që i refereohet burimeve të paidentifikuara të trupit diplomatik në Shqipëri, disa ambasada të rëndësishme të vendeve perëndimore gjatë fundjavës do të hapin portat dhe kangjellat e tyre për qindra persona që duan të kërkojnë strehim në Perëndim me pretendimin se përndiqen për shkak të orientimit gjinor…
        “Po na kthehet Ekzodi si më 1990-ta”, deklaroi Ambasadori i Ruritanisë në Tiranë, Berndt Van den Dool.
        Sipas një burimi të brendshëm tek Krye-Kanali, edhe vetë personazhi i shumëpërfolur tek Vëllai i Madh, K. i Lezhës, të cilit dikur i kishin nxjerrë probleme për bashkimin familjar në Itali, mund ta konsideronte problemin tashmë të zgjidhur me “strehim politik”.
        Burimi theksoi se e gjithë kjo zhurmë e Vëllait të Madh kishte rezultuar shumë fitimprurëse për buxhetin tejet deficitar të Krye-Kanalit…
        “Besoj se e keni vënë re se S. B-në, alias Kopjacin, e pushuam nga puna, kurse Muç Nanon e kemi detyruar të shkruajë për ditë nga një ‘editorial” në Shqip”. Kemi gjithë ato miliona Euro borxh nga bankat, dhe falë K. Lezhës i fituam ca fonde nga Agjencia Suedeze e Zhvillimit si dhe nga Ambasada e Ruritanisë”.
        “Madje Bordi i Krye-Kanalit po mendon që vitin tjetër të nxjerrim ndonjë lezbike tek Vëllai i Madh…”

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin