MIZËRITË

Ka shumë njerëz në rrugë, të thonë; shumë kallaballëk.

Pastaj ti del, vjen rrotull nëpër qendër, shkel rrugët dhe sheshet, negocion me automjetet në udhëkryqet, shmang tryezat e shtruara në trotuaret, nuk gjen karrige të ulesh në kafenetë; admiron pallatet majtas, pallatet djathtas, pallatet në veri dhe në jug, pallatet që ua zënë diellin pallateve të tjera; dhe në fund hakmerresh duke i rënë diagonalisht bulevardit të mbushur me gjithfarë veturash, targash e alfabetesh, që kanë ngecur në trafik.

Nga erdhi ky milet, pyet; është mbipopulluar Tirana gjë vallë? Ka banorë të tepërt? Apo janë ngushtuar rrugët dhe hapësirat, nëpërmjet një ateroskleroze që kryeqytetin tonë e ka kapur para kohe, por që pasojat i ka njëlloj serioze?

Futesh në radhët çfarëdo që t’i masësh orët cigare pas cigareje; dhe në pikat e kalimit kufitar dhe në doganat dhe në konsullatat dhe në rrugët që të çojnë ose të sjellin nga tragetet dhe nëpër të gjitha ato hapësira që komunikojnë me të përtejmen dhe që funksionojnë, në fakt, si tempuj të pritjes; që nga koha e ekzodeve, degdisjeve dhe dyndjeve të mëdha.

Çfarë ka ndodhur me turmat? Nga vijnë, ku ikin?

Po të kesh durim dhe kohë të lirë, ti do të vizitosh me siguri edhe stadiumet, kinematë, sallat e koncerteve, pallatet e sportit, bibliotekat, katedralet, për t’u bindur se mbipopullimit përjashta i përgjigjet zbrazëtia brenda; ose gjurma e pashlyeshme e braktisjes.

Ku kanë vajtur njerëzit?

I njëjti qytet, dy pyetje të ndryshme, e njëjta përgjigje – turmat janë shpërndarë rrezikshëm, si ngarkesa e vendosur keq në hambar të anijes.

Jo, nuk ka rrezik për përmbysje, as për revolucion; mileti veçse përpiqet të mbijetojë, votat i shkojnë të gjitha status quo-së, shpërndarjet asimetrike duken vetëm nga lart, nga sateliti, nga helikopteri i VIP-it, nga UFO-ja që vendos pastaj të ulet diku tjetër.

Ti mezi arrin të ecësh në rrugën e Kavajës, sup më sup me gjithfarë sekserësh, hipsterësh, pehlivanësh, trafikantësh, koketash, bosësh, mjeshtrash të aferave, fshatarësh të mirëfilltë, fshatarësh të pamirëfilltë, lypësash, autodidaktësh; por ndërkohë gazeta e ngjitur përtokë në asfalt lajmëron për një tjetër fshat që u shpopullua, një tjetër krahinë që u zbraz, një tjetër shkollë që u mbyll për mungesë të nxënësve.

Mbipopullim këtu, shpopullim atje. Syri na kap vendet ku kopetë mblidhen e kullotin; veshi na dëgjon për vendet ku kopetë nuk gjenden më; hunda na tërheq drejt skarave ku piqen turmat e qengjave.

Tirana është kryeqytet i tregut, i transaksionit, i restorantit si faltore e të nginjurit, i qejfit si kapital statusi, i elegancës së planeve rregulluese, i pokerit të përgjithshëm, i studentit të ngeshëm që lëpin buzët dhe shndërrohet sakaq në tigër online, i OJQ-ve të veshmbathura bukur, i pallateve me ashensorë të vdekur, i periferive të kalbura, si plehra të prera me thikë ekskavatori.

Në Tiranë nuk jetohet më, të thonë disa.

Hapësira që deri dje kujtoje se ishte e jotja, së paku për ta përdorur, është kapur nga Tjetri; ti dhe ai thithni të njëjtin ajër tani, ndani të njëjtën florë bakteriale, tundeni ritmikisht me të njëjtin ritëm të së përditshmes.

Kjo nuk është Shqipëria që ke lënë ti, të thonë.

Sofronia

Dinamika e ndryshimit reduktohet në ardhje dhe ikje; qytetet janë veçse zgavra, për t’u mbushur me ballast njerëzor, magazina të tepricave inflacionare, depo mallrash me qarkullim të ngadalshëm, silose rezervash të mykura e të skaduara.

Ti kërkon të ikësh, allegro agitato assai, duke e gjetur rrugën sipas një partiture të vjetër. Thua: këtu ka qenë një lulishte me shelgje, atje një hije rrapi dhe berberhana me një bonboneri përbri, ja edhe fusha me pluhur tulle ku luanim futboll me porta të vogla, më tej stacioni i autobusit ku më humbi dikur shapka…

Por të gjitha këto nuk i gjen dot më në Google Maps®. Qyteti e ka rishkruar vetveten, palimpsest pothuajse i papërdorshëm më. E vetmja hartë që të ndihmon të orientohesh nëpër Tiranën post-urbane, është harta e Shqipërisë etnike.

Ti thua: ne shkonim në stadium, ne shkonim në teatër, ne shkonim në festival, ne shkonim në premierë të filmit të Kinostudios, ne shkonim në galerinë e Arteve, ne shkonim në kursin e kitarës, ne shkonim “nga kisha” ditën dhe sidomos natën, ne shkonim në provat e korit.

Ata të thonë: sikur po i lë jashtë aksionet në ndihmë të bujqësisë, mëngjeset kur bëre homazhe dhe vendose kurora, marshimet zboriste në gjurmë të brigadave partizane, kursin e çiftelisë, parakalimet, radhët që mbaje për të blerë fitila të furnelës me vajguri, goditjet e përqendruara; pritjet që ua bëje, me buqeta lulesh të freskëta, delegatëve të Kongresit në të dy anët e bulevardit të veshur për festë.

Ti stepesh dhe nis të pyesësh veten nëse veta e parë shumës e sjell, njëfarësoj, kolektivitetin e turmës me vete; edhe sikur fjala “ne” të kujtojë, para së gjithash, ditën kur ia rrëzuan dhe tërhoqën zvarrë statujën Enverit në shesh, ose qoftë edhe një ditë tjetër çfarëdo në një bufé fshati, ulur në tryezë të lëkundshme, për t’u dehur urgjentisht me uzo të pashuar me ujë.

Ecën sërish nëpër Tiranë, duke gënjyer veten se po shkon diku; se je ende në kontroll të plotë të fateve të tua; se qëllimi ta justifikon mjetin.

Kalon përmes gjithfarë mizërish si në skena të koreografuara operash epike: njerëz bëjnë sehir, që zhvendosen, që reagojnë, që njihen mes tyre, që nuk njihen mes tyre, që vënë baste, që mbajnë radhë, që kanë uri, që kërkojnë të hyjnë, që kërkojnë të dalin; që ikin dhe që vijnë; që shajnë dhe lavdërojnë; që të hapin vend dhe të japin bukë e krypë e zemër e që të dëbojnë si qenin pa zot. Ti kujton se nuk je pjesë e tyre edhe pse veç po sheh veten në pasqyrë.

Pastaj gati përplasesh me tezgat trotuareve dhe rrokullisesh mbi to për t’u përfshirë edhe ti në mallin e ekspozuar, teksa kërkon një adresë kriptike mes pyllit të pallateve të ndërkryera dhe e kalon bulevardin në va, duke u çapitur sipër veturave tërë pluhur, ca të parkuara aty prej vitesh, ca ende duke medituar në trafik.

Tirana është bërë shtëpia e turmës tashmë; milet, pallate, automjete. Roli yt është ta fiksosh këtë moment brownian në kujtesë, pa çka se po e bën ndoshta vetëm për t’u ngushëlluar.

Kthehesh pastaj në shtëpi, nëse të ka mbetur shtëpi për t’u kthyer. Casa dolce casa ofron strehë dhe mbrojtje ndaj kërcënimeve prej qytetit; dritare për t’i mbyllur, grila për t’i ulur, dyer për t’i kyçur, drita për t’i fikur.

Tak-tak: nuk jemi brenda!

Tak-tak: jemi larguar pa adresë!

Tak-tak: kemi dalë të shijojmë jetën!

Mirëpo në shtëpi të ka hyrë sakaq mysafir i paftuar dhëndër brenda televizioni; pa të pyetur, si çdo shpronësues ideologjikisht i formuar në mos i frymëzuar; duke ta rrëmbyer edhe atë pak ngushëllim që të kishte mbetur.

Dhe televizioni, ky Mao grotesk i ekonomisë së tregut, bartur nga parada dhe mauzoleume të dimensionit të katërt, të ka ardhur nga larg me një mision dhe një mision të vetëm: ta përftojë turmën edhe brenda katër mureve të fshehtësisë sate, të t’i sjellë, mu aty ku je fshehur, pazaret e vrazhda, tellallët, vulgaritetin, megafonët, cirkun, pisllëkun, shpullat, qentë me brekë, prostitutat, fishnetet, sekserët, klounët politikë, lojërat e fatit, bajgat e gojës, sa herë që ti nuk shkon dot t’i gjesh e t’i konsumosh atje ku këto gjëllijnë e harlisen – ose në intersticet e hapësirës publike, në trojet e askujt, ku bari mbin vertikal dhe i sertë mes pllakave të betonit.

Ta fikësh televizionin lyp kurajo të pashembullt; kush do të guxonte vallë të përballej me pyetjet që shtron heshtja?

Ç’dritare do të hapësh, që të dëbosh tutje kutërbimin e peshkut të ngordhur të telekomandës mbetur në dorë?

Ashtu, për t’i shpëtuar këtij guru-je ndjellës turmash që të është ulur këmbëkryq te oxhaku, nuk të mbetet veçse të dalësh dhe t’i dorëzohesh kallaballëkut përjashta.

A nuk është vallë gjeniale kjo filozofi të jetuari, që e konfirmon vetveten edhe kur ti rrekesh ta sfidosh?

Vërtet, ka shumë njerëz në rrugë, dhe nuk ka nevojë të ta thonë, sepse e sheh vetë; por të paktën në rrugë gjithnjë mund t’i falesh alibisë së anonimitetit.

Derisa të kuptosh, si gjithnjë me vonesë, se i tepërti je ti.

Nuk ka komente

  1. xha xha e ke qare kete shkrim.

    mos te mjaftonte gjithe ajo maskarade perjashta eshte edhe televizioni qe ta sjell ne shtrat qe ti’a ndiesh akoma eren.
    nuk po marrim vesh ku po shkojme, ca qellimi kemi?
    edhe keto dyndje barbare me te vetmin qellim mbijetesen po na zhveshin pa e ndier nga cdo lloj morali.
    Jeta po behet me e veshtire ne cdo front, jeta po behet me e rrezikshme. Po kthehet ne sfide edhe nje udhetim me makine. rruget skandaloze, njerez qe te mbijne papritur te gomat e makines qe duhet ti paguash pastaj per te rinj.
    Ndoshta i vetmi vend ku prehemi te qete dhe qajme hallet dhe nevojet tona eshte ky blog ndonje liber dhe film, po valle kaq eshte e gjithe jeta?

    QUO VADIS.

  2. Ekstremet e tua jane gjithmone ekselente, vecse me pelqeje me shume kur ishe i gezuar. OBOBO c’mu kujtuan ato kohe:)…

  3. Sa here qe lexoj shkrime te tilla mbi Tiranen e transformuar sec me krijohet nje ankth i cili me bind akoma me shume qe paskam bere mire qe kam gati 14 vjet pa e vizituar Tiranen. Gjate gjithe kesaj kohe kam udhetuar kaq afer Shqiperise, Kroaci, Turqi, Itali, Greqi, France, Spanje, etj..,gjithmone duke u ndjere pak si fajtor qe po gjendem kaq afer Shqiperise dhe nuk po e vizitoj, dhe gjithmone duke u kthyer mbrapa me nje ndjenje pendimi mbi supe. Cdo vit i sillem rrotull Shqiperise pa e vizituar, mbase perseri brenda meje jeton ajo frika se mos shkoj e nuk me lene te iki.
    Por prape kam kaq shume mall per Tiranen time, sepse asnje vend nuk mund te quaj “timin” pervec saj.

  4. “ku bari mbin vertikal dhe i sertë mes pllakave të betonit.”
    Xha.

    sikur te kuptoj, bari, leviz drejt horizontit, vazhdimisht, dhe perfundon atje ku u nis; e gjith kjo, histori rrotulluese leviz, per ta pare ne televizorin e turmes.

    Ne shkrime te tilla, efekti per ndryshim te kerkuar, arihet si gramatika funksion i gjuhes.

  5. Shaban Qosja^

    E pra nuk kishte hundë
    veçanërisht të madhe
    por vetëm atë shanin
    «hundëderr! hundëderr!»
    dhe qe i vetmi që i jepte pak gaz
    qytetit provincial
    me vrapin prej 70 vjeçari
    të kapë 20 vjeçarin si era.

    Thoshin se i paguante
    djelmoshat vetëm që ta shanin
    ky Cyrano i komunizmit
    po ç’rëndësi kish
    kur në zenithin e mërisë
    së tij homerike për sharjet
    për hundën flakte karrige
    po: fluturonin karrige
    te «Kafe Tirana» ku
    sekretarë partie pinin
    kafenë e tyre të ngrysur
    nga hallet e kllasës.

    ^Personazh piktoresk i Tiranës së viteve ’70.

  6. Televizioni, si orendi shtepiake, pa deshiren e tij, ka mbi supe misionin e zbrazjes se fshatit dhe tejngopjen e qytetit deri sa te mos mbetet edhe plaku i fundit aty.

    ….dhe kjo nuk eshte e vlefshme vetem per Tiranen dhe Shqiperine por per fat te KEQ per gjithe boten. Pasojat e nje fenomeni te tille do jene fatale per njerzimin. Krijesa njezore dhe ekzistenca e tij eshte e lidhur pazgjidhshmerisht me token dhe bujqesine dhe jo me TV dhe qytetin.

    Shume i bukur shkrimi.

    Pa dyshim revolte. Edhe une jam i revoltuar.

  7. E lexova qe me mengjes dhe po me mengjes e votova (ankthi i votimit pagdhire qe u transmetua me qumeshtin) dhe nuk me rrihet pa pyetur veten me ze “A kam lexu ndonje gjo mbi materien time te preferuar TNT (Tironen N’Tranzicion) qe t’i afrohet kesaj ne nerv e ne thellesi e ne bukurshkrim”? Nuk po me vjen ndermend thuajse asgje qe te me kete mbajtur keshtu si kjo. Prit pak… Jo, jo, ende asgje.

    Per terjaqinjte do te propozoja nje lexim paralel me nje tjeter kronike ketu, por nga viti 1986. Diptiku perftuar nga shkartisja ne eko e dy tregimeve (dygimet thoshte nje shok) (ndonese te ndryshem ne ritem e ne kuote raportimi) i ngjan per nga pesha qe marrin imazhet, atyre sekuencave ne te cilat “jeta i kalon para syve” personazhit kinematografik me litar ne qafe a ne renie te lire prej dritares a dicka e tille.

    Linku tjeter:

    http://xhaxhai.wordpress.com/2008/08/03/mengjes-heret-1986/

  8. Nje tjeter perle ne gjerdanin e blog-ut.! Nje Gjeraz i munguar prej disa kohesh, por kete here, jo me nje fiction por, vetem nje perditshmeri dhe realitet i paster kryeqytetas. E kam lexuar, rilexuar, rilexuar…..shume here lexuar, e cdo here me nje tjeter ritem, me pasion te alternuar, me nje tjeter perdellim per qytetin e humbur, per njerezit e shperfytyruar, per gjeografine e tyre, per percudnimet qe ndesh ne cdo hap e qoshe apo cdo fjale, e per shume te tjera qe ketu, me nje mjeshtri te pashoqe jane pershkruar aq mrekullisht, por qe ne fund, ndjesia eshte e hidhur, e forte, rrebele, e pamjaftueshme per te ndryshuar… asgje! Mekat, si humbem, keshtu! Por, ja qe paskemi nevoje edhe qe t’i marrim disa realitete keshtu, te gjitha nje heresh, si nje dopio whisky (apo raki), e kthyer me eks…

  9. Xha Xha, me të vërtetë një nga ata shkrime që do të dëshiroja të mos mbaronin kurrë.

    Se ka dhe më. Me televizorin sikur jemi mësuar pak, por si i bëhet kur, krahas televizorit, të hyn në shtëpi edhe wireless-internet?

  10. Alphonso of Castile – Ralph Valdo Emerson

    (copeze)

    Njerezit dhe perendite jane shume te shtrire,
    A mund t`i presesh dhe t`i besh te ngrire?
    Mbirritja e rankut tend te shkurtohet
    Deri sa lloji jot ne leng te mbulohet ;
    Turma ne Toke bertet, “shume vete”,
    E une i them vrit nente ne dhjete;
    Dhe pjeset e te gjitheve, sado qe te jete
    Jepia atij qe ngelet ne cdo dhjete;
    Shtoji ato nente jetet e tyre tek ky macok,
    Rrasi nente trute e tyre tek kapelja e tij, ne koke;
    Beja trupin dhe takatin njesoj
    Me mundet qe ai do te kerkoj;
    Mbuloja mishin, madje edhe vitet
    Me ate mermer me te cilin po ngrihet;
    Aty, ngadale duke u plakur, ne rehati
    Jo me shpejte se sa pemet e mbjellura te tij,
    Ai ka mundesi, se mosha e vet e therret ,
    qe me me te medhajat gjera te merret;
    Keshtu ju do te keni nje njeri rrethor
    I pershtatshem per te zbukuruar vitin diellor…

  11. Mjaft mbreselenese! Thashe njehere te mos komentoja se llafet mund te jene edhe te teperta, po sja dola dot.
    Shkrime mbi Tiranen gjen plot, po deri sa lexova kete, isha i bindur se sdo dilej kurre mbi mllefin, urrejtjen qe karakterizojne shkrimet e tiranasve mbi Tiranen apo ne disa raste patosin dyleksh prej poeti qe sdi kujt t’ja ngece ngercin e vet.

    Me kujtoi ne disa caste kengen e Celentanos – Il ragazzo di via Gluck, ashtu si tek ajo kenge ku ndjehesh ne vendin e atij djalit edhe ketu ndjehesh nga Tirana edhe pse nuk je.

    Me pelqen ta shoh kete shkrim si nje lloj gijotine qe ja pret koken kjo pacavureje qe do shkruhet mbi Tiranen.

  12. ””Po pse eshte kaq i trishtuar autori?””

    Jo kaq i trishtuar, per mua eshte i qete, i ndergjegjshem. Faza e irritimit i ka lene vend njohjes se pashmangshmerise , trishtimi eshte rruga qe con nga ankthi tek apatia; le te themi qe nuk e shoh.

    Eshte i njejte do thoja me problemin e emigrantit ne dhè te huaj, ku arrin nje cast dhe sja del dot me, zakonisht perdoret metafora e thirrjes se tokes, thirrja e vendlindjes, thirrja e gjakut, thirrja e atdheut e gjera te ngjashme qe mbushin nder te tjera edhe faqet e retorikes.

    Sipas meje pas metafores e fisnikerise po aq metaforike, te atij qe kthehet apo ben per dashurine ndaj vendit, atdheut, kombit, fshihet mberritja e paqes mes vetes dhe vetvetes ose te pakten mberritja e armepushimit.

    Lexo L_ per te kuptuar se c’sjell lufta e brendshme.

    Vetvetja ka vetem nje banese, vetja. Ngado te shkoje vetja, vetvetja eshte ne banesen e saj. Nderkaq vetja mund te nderroje shume banesa, biles vetvetja e mbeshtet te gjeje nje banese me te mire. Deri ketu nuk ka asnje perplasje, te dyja ‘palet’ duan te njejten gje.

    Perplasja fillon, kur vetes i hypen ‘vetja ne qejf’, kur pandeh se nuk ka me nevoje per vetveten, ose e sheh si barre ne ‘gezimin e jetes’ ne ‘mberritjen e lumturise’, ajo qe gezohet vetem ‘tani’ ne cdo ‘tani’.

    Shkaku i kesaj perplasjeje eshte se ndersa vetja njeh ose mund te njohe edhe 10 gjuhe, vetvetja njeh vetem nje gjuhe, gjuhen ne te cilen ‘ne mendojme’.
    Ne mendojme vetem ne ‘gjuhen e qenies’, sapo fusim fjale te huaja ne mendim, qenia (vetvetja) ngre krye, ajo se njeh fare ate gjuhe, nuk mund te flase me me veten.
    Kur arrijme te mendojme ne gjuhe te huaj, kemi arritur te mohojme qenien tone.

    Shqipja ka nje fjale te bukur nder-gjegje, ku ‘nder’, nenkupton veten dhe veten e vetes (vetveten) ndersa gjegj do te thote flas, komunikoj.

    Me qene i nder-gjegjshem, na flet per nje njohje te perbashket, njohje te miratuar nga te dyja ‘palet’ dhe ndergjegjesimi vjen vetem ne gjuhen qe qenia flet, qe eshte njekohesisht edhe ‘gjuha ne te cilen mendojme’.

    Qenia na nxit te mendojme, liria e qenies eshte me thelbesore sesa liria e vetes, pasi liria e qenies na jep lirine e mendimit, nderkaq liria e vetes varet perhere nga liria e tjetrit, pra eshte ne varesi te lirise se tjetrit.

    Ne vetem ne vetvete mund te mendojme gjithcka, cdo lloj gjeje qe nuk do guxonim kurre ta thonim, sepse do mund te cenonte lirine e tjetrit. Tjetri eshte diktatori i vetes, njesia matese e vetes (mos i bej tjetrit cdo doje te mos te ndodhte ty, liria jote fillon ku mbaron liria e ‘tjetrit’).
    Por kurrsesi ‘tjetri’ nuk duhet te jete diktatori i qenies.

    Pra liria e qenies duhet pare si thelbesore per lirine e mendimit, vetem se qenia njeh vetem ‘nje gjuhe’ ate ne te cilen mendojme.

    Por njekohesisht gjuha e qenies eshte edhe ‘gjuha e kujteses’, sepse eshte qenia ajo qe zgjedh kujtimet dhe i rendit sipas alfabetit te saj. Jo kur sforcohemi per te kujtuar, por kur na vjen vetiu(ndonje nxites rrethanor) ndermend, arrijme nje perfytyrim te sakte te ndodhise se kaluar.

    Keshtu ne arrijme mendimin dhe kujtesen nepermjet qenies, qe eshte njekohesisht edhe baza e ndergjegjesimit qe ne jemi. Nderkaq kujtesa duke qene nen zoterimin e qenies, sado te perpiqemi ne te mohojme qenien, na risjell perseri qenien dhe me te gjuhen e cdo gje te lidhur me qenien, perfshire mendimin.

    Emigranti i ndodhur mes shtypjes se jashtme, banesa, puna, ritmi i jetes, gjuha e huaj dhe shtypjes se brendshme gjendet ne rrethana te keqija.

    Ne kete pike ai nuk zgjedh dot pa humbur, cka po fiton aty ku eshte e paguan dyfish. Megjithate pergjithesisht ai parapelqen te mos mendoje, keshtu heq nje barre, ben jete mekanike.
    Ska gje me te rehatshme se jeta mekanike, ajo eshte edhe celesi i lumturise, lumturia eshte gjendje te mosmenduari.

    Nder-gjegjesimi eshte me te futur, thike me dy presa, shish prapa kraheve te lumturise. Sa me te ndergjegjshem jane njerezit mbi veten e tyre dhe realitetin, aq me ‘te trishtuar’ duken ne syte e te tjereve. Por nuk jane te trishtuar jane te nder-gjegjesuar.

    Po e mbyll me Nicen; sipas tij mendimtari i vertete nuk gezohet kur te tjeret e kuptojne, por thote me nje ndjenje keqardhjeje, ctu desh qe hyre ne kete bote!

  13. Ti po qe e perjeton qytetin tend xha xhai. Me vjen mire per kete, edhe pse mizeria ku bejme pjese ne te tjeret, sherben ketu te pakten per te nxitur nje shkrim te tille. Ironike, qe mizeria arrin dhe i merr kenaqesi trishtimit te dikujt qe e emerton ate si vrasese te kujtimeve. Ndoshta qyteti ka nevoje te shkruhet, ka nevoje per nje deshmi…

    Shkrim shume i arrire.

  14. xhaxha, me ndriton pak te lutem ne lidhjen e fotos me shkrimin? Sa me shume lidhje gjej, aq me shume e ndiej se i largohem lidhjes reale. Apo edhe keto qe une mendoj jane po aq reale sa ato qe ke menduar ti?

    1. Kërkoja një imazh që të simbolizonte jetën urbane, si produkt të shijeve të turmës; çorapet rrjetë më pëlqyen menjëherë, sepse më sugjeruan edhe kutizat si metaforë të kallaballëkut…

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: