Mos vallë është hija e rëndë e Shkollës së dikurshme të Partisë së Punës që e kushtëzon formimin aktual të klasës drejtuese partiake? Një lloj frenimi edhe mund ta kryejë, meqë evokon kohë të vështira e të turpshme, por nuk mund të jetë shkaku kryesor.
Është e tepërt të diskutosh për rëndësinë që ka formimi i drejtuesve brenda partive politike. Në Shqipërinë totalitare, kuadrot e partisë ishin në qendër të vëmendjes, e si rrjedhim në qendër të një sistemi të plotë formimi, majën e të cilit e kapte shkolla famëkeqe e Partisë. Parë nga ana teknike, zgjedhja e Partisë së Punës, si organizëm partiak, ishte tejet funksionale. Nëpërmjet veprimtarisë formuese ajo riprodhonte klasën e vet drejtuese.
Gjithashtu, është e kotë të shtohet se formimi brenda partisë nuk është shpikje e PPSH-së, as e sistemit totalitar. Mjafton t’u hidhet një sy partive demokratike nëpër botë, për të vënë re se të gjitha këto organizata sociale i kushtojnë mjaft rëndësi përgatitjes së kuadrove të veta, me idenë e riprodhimit të elitës së vet për të përfaqësuar sa më mirë, në një botë që ndryshon, vlerat rreth të cilave partia i agregon qytetarët. Për këtë arsye, por edhe për t’i përditësuar vazhdimisht drejtuesit e vet, përgatiten kurse, seminare, leksione, etj. nëpër shkolla, akademi, fondacione, etj. Një praktikë normale në demokraci. Po në Shqipëri a ka veprimtari të tillë?
Nuk mëtoj që parti të vogla, si ajo socialdemokrate p.sh., të zhvillojë kurse formimi për kuadrot e veta – edhe pse këto parti e kanë ndonjëherë më imperative veprimtarinë formuese –, porse partitë e mëdha shqiptare duhet t’i kishin hedhur tashmë themelet e strukturës formuese brendapartiake, madje duhet të kishin tashmë një farë tradite. Ku formohen kuadrot e PS? Po drejtuesit e PD-së ku brumosen? Cilat janë palestrat ku duhet të stërvitet truri i partive shqiptare? Ku përvijohet profili identitar i partisë? Ku riprodhohet adn-ja e kulturës përkatëse? Ku analizohet, nyjëtohet, apo sintetizohet vija e partisë? Ku e strukturojnë të rinjtë diturinë e tyre politike? Në kafene, do të thoshte dikush me shaka, por shakave nuk ua kemi ngenë tani.
E pranoj që ka një lloj trysnie nga tabuja e shkollës së partisë, madje e ndjej tek mollëzat mbi tastierë që kur e hedh idenë në ekran. Njerëzit, madje vetë elita e sotme, ndoshta nuk duan të dëgjojnë për formim brenda partisë, sepse u kujtohen kohërat e totalitarizmit, kur nëpër shkolla prodhoheshin e riprodhoheshin përbindësha ideologjikë. Mirëpo, nuk duhet harruar se në demokraci, në bankat e shkollave partiake, kalitet edhe aftësia për të qenë kritik, çka e ndihmon demokracinë e brendshme e organizatës. Në këtë kuptim, formimi merr natyrshëm një rol prej antidoti kundër tendencave totalitare që mund të shfaqen në radhët e partisë.
Megjithatë, për ta shmangur tabunë e shkollës së dikurshme hijerëndë, e ndoshta frikën arketipale të drejtoreshës së saj famëkeqe, mund të ishin gjendur formula të tjera për ta anashkaluar. Simotrat perëndimore krijojnë fondacione të posaçme, të cilat nuk lodhen së organizuari takime e seminare, me qëllim “brumosjen” e drejtuesve të rinj të partisë. Me fjalë të tjera, ka rëndësi në ç’mënyrë bëhet formimi. Pa krahasuar dy sistemet e formimit, mund të thuhet se partitë e sotme mund ta përdorin shkollën brendapartiake jo vetëm si rast ballafaqimi me shoqërinë, por edhe si laborator për sinteza të reja politike. Në këto palestra mund të ushtrohet edhe etika e re civile. Politika shqiptare, siç dihet nga të gjithë, ka shumë nevojë.
Formimi i kuadrove drejtues të partisë ka edhe rëndësi organizative, përveçse identitare. Ku merren drejtuesit e sotëm të partive politike? Shumë prej tyre katapultohen nga bodrumet e anonimësisë në skenat e politikës së madhe me një të hapur të perdes. Atje u kërkohet të luajnë role ndoshta më të mëdha se aftësitë e aktorit të improvizuar. S’ke pse i bën me faj. Formimi është në antitezë me kooptimin, sepse parakupton gradualitetin dhe përgatitjen e certifikuar, ndërkohë që kooptimi është bërë në Shqipëri trampolina kryesore nga ku fluturohen në majat e piramidave partiake njerëz që shkojnë me Partinë si kravata e gjelbër në kostum të kaltër. Që këtej jo vetëm ngurrimi kur shohim disa politikanë në aksh parti (ç’dreqin do ai atje?), por edhe dyshimet për identitetet partiake, shpeshherë me tipare plotësisht të këmbyeshme.
Problemi i formimit brendapartiak, ose edhe më gjerë, d.m.th. brenda arealit kulturor ku bën pjesë, bëhet në Shqipëri edhe më urgjent për faktin se nuk ekzistojnë qendra kulturore ku farkëtohen breza të këtij apo atij krahu politik. A njihen sot në vendin tonë orientimet politike të Universiteteve apo fakulteteve? Cilat janë me ndikime të majta e cilat me ndikime të djathta? Në cilat universitete e shuajnë etjen për kuadro partitë politike shqiptare? Në cilat fakultete rekrutohen drejtuesit e PS-së e PD-së?
Shqetësimi i porsaparaqitur është në thelb qytetar, përndryshe do të ishte paraqitur në një Kongres çfarëdo partie. Fakt është se nga cilësia e drejtuesve partiakë dhe nga cilësia e partive vetë, varet cilësia e demokracisë së një vendi. Kjo sallatë ruse që karakterizon klasat drejtuese partiake, pa kërkuar natyrisht homologimin e tyre, mund të shmanget vetëm nëpërmjet formimit serioz e të strukturuar. Kjo do të ishte mënyra më e mirë për ta shmangur si mercenarizmin ashtu edhe diletantizmin; madje do t’ia hiqte dheun personalizimit të politikës që poshtë këmbëve. Pastaj, kalimi gradual nëpër banka e dërrasa të zeza do të ishte edhe mësim për të gjithë: asgjë nuk arrihet pa lodhje e mund.
Pishak,
Ka ndonje shembull shkollash partie ne vende perendimore, me demokraci te stabilizuar?
Falemnderit
Në një farë mënyre përgjigjen e dha më poshtë kolegu Ismail Ademi. Të gjitha partitë tradicionale në vendet perëndimore e kanë pasur në qendër të vëmendjes formimin e klasës së tyre politike. Mos më keqkuptoni, kjo nuk do të thotë se kishin shkolla fillore, të mesme, universitete, apo shkolla me flamur partie në hyrje.
Formimi i klasës drejtuese mund të bëhet nga partitë me shumë mënyra: nëpërmjet seminareve, kurseve ad hoc, konferencave studimore, e kështu me radhë. Një nga format më moderne p.sh. janë fondacionet, të cilat promovojnë debate ose tryeza të rrumbullakëta për tema të posaçme. Kjo veprimtari zakonisht strukturohet, në dobi të një grupi të caktuar studentësh; pra pas saj qëndron një projekt i qartë formues. Raste ka në çdo vend evropian me demokraci të konsoliduar.
Natyrisht, edhe këto janë prekur nga shoqëria e lëngshme, mirëpo për mua kjo përbën një arsye më shumë për ta nënvizuar rëndësinë e formimit brendapartiak. Aq më tepër që Shqipëria nuk e ka luksin e traditës së formimit në një sistem demokratik.
Problemi që diskuton Pishaku është i rëndësishëm pasi formimi dhe zgjedhja e klasës drejtuese kushtëzon të ardhmen e një shteti. Rasti i Shqipërisë është sui generis por në një farë mënyre është një simptomë kjo e vështirësisë së zgjedhjes së klasës drejtuese, që kanë dhe shtete të tjera. Në Itali për shembull deri sa ekzistonte e famshmja shkollë e partisë komuniste, prej andej dilnin gjithë kuadrot e partisë, disa prej të cilëve janë sot politikanët më të përgatitur. Nga ana tjetër dhe krahu demokristian në Itali formonte kuadrot në organizatat katolike, akoma shumë të përhapura dhe të fuqishme. Sot nuk ekziston një sistem shkolle/formimi/ndërtimi i klasës drejtuese dhe problemet janë shumë të dukshme.Gjithnjë e më shpesh ndihet nevoja e një forme “dispiline formimi” që ti japi një partie, dhe më gjerë një elite drejtuese, formimin e duhur për të luajtur rolin e drejtimit me përgjegjshmëri dhe moralitet.
Sot jetojmë në kohën e partive dhe formacioneve të lëngshme që shumë shpesh duke ndjekur vetinë fizikeve të lëngjeve, marrin formën e enës ku hidhen. Kjo shumë herë i shndëron partitë në ndjekës të tendencava të momentit, duke i hequr de facto rolin e vërtetë të një elite drejtuese : ndërtimin e një vizioni të së ardhmes.
Ne Amerike jane fondacionet si American Enterprise Institute (me nje buxhet qe duhet thene se eshte mbi 2 mld USD) qe informojne opinonin partiak.
Nje veshtrim hetues mbi kete dukuri mund te hidhet mbi strukturen e shoqerise shqiptare, qe krahasuar me strukturen dhe menyren e organizimit te dy partive kryesore – qe jane edhe perfaqesueset me te spikatura – ndryshon shume. Madje ky krahasim mund te behet edhe me periudhen e kaluar qe pavaresisht hijeve qe mbeten pas, gjithesesi ofron nje pervoje te madhe.
Nisur nga nje premise intelektuale dhe e shendoshe, klasa jone politike ka gjithnje nevoje qe te prezantohet sa me denjesisht perpara opinionit. Por eshte ndoshta shoqeria shqiptare, e cila per nga vete proceset transformuese qe perjeton paraqitet para klases politike si nje mase amorfe, inerte ndaj mesazheve te mirefillta publike. Ketu nuk e kam fjalen per uniformitetin intelektual te teresise se individeve, por per inekzistencen e hallkave sociale qe e bejne nje shoqeri te jete kritike aktive dhe ne fund nje reaguese e serte ndaj dukurive negative. Levizja migratore dhe urbanizmi vetem hapesinor i vendit pervecse kane prishur rendin e dikurshem dhe paqen e diktuar sociale, kane krijuar nje strukture te re qe eshte ne koagulim e siper. Ky peshtjellim qe vijon prej 20 vjetesh shpjegon deri diku edhe pse reagimi yne publik ndaj sjelljeve te papergjegjshme te politikes vijon te jete, ose spontan dhe per rrjedhoje pa vlere te vertete politike, ose radikal dhe per rrjedhoje i manipuluar. Dikush mund te thote se kjo qasje shkon me shume me nje kritike marksiste, apo leniniste. Ne fakt mendoj se ajo i pergjigjet me se miri simpotmes elektorale shqiptare, e cila deri me sot ka hyre ne jeten aktive politike – pra ka votuar – e kufizuar ne gjykimin e vet ose nga klishete qe la pas Diktatura qe ndervepron ende ne perceptimin e pergjithshem (Gjuha e Berishes per niperit e Bllokut p.sh), ose me zgjidhjen e pashprese qe prodhon nje pushtet i konsumuar (zgjedhjet e 2005 dhe te 2009).
E pare si e tille vete shoqeria nuk e vendos politiken para kushtit te pakapercyeshem te sofistikimit te punes se vet politike, por perkundrazi ajo toleron papergjegjshmerine e saj. Ne nje fare menyre ekipi politik shqiptar ia ka dale qe ndoshta per precedent te krijoje nje Tranzicion te Stabilizuar ku deshirat dhe aspiratat e shumices te orientohen vetem drejt pragut te mbijeteses. Ky standard percakton ne finale edhe nivelin e betejes duke sanksionuar status quone.
Ne ndryshim me kete panorame, mendoj se dy partite kryesore politike shfaqen me nje organizim krejt ndryshe. Si PS ashtu edhe PD i gezohen tani “pasurise” se aparatcikut, i cili per ironi te PD gezon atribute qenesore. Rotacioni politik ne PS i dha fund modelit te dikurshem te Kuadrit te Partise, nje fund qe ironikisht u pagezua me kontributin e simbolit te tij, Gramoz Rucit. Madje ndryshimet institucionale ne PS ne karahasim me periudhen e mepreshme perbejne nje hap mbas, duke asgjeuar rolin e forumeve qe i kane lene vendin Kryetarit – kryetareve. Ne kete kuptim PS dhe PD jane sot nje fotokopje identike e njera – tjetres, edhe pse ne ndryshim nga shoqeria shqiptare ne teresi, ato mund te shihen edhe si mini shoqeri apo grupime te Specializuara. Filtrat e brendshem perzgjedhes veprojne ende dhe jane te sakte si ore zvicerane; ne emerime, perzgjedhje kandidaturash, apo edhe kooptime. Eshte perkufizimi i premtimit politik, ai qe e ben me pak idilike lojen e tyre ne krahasim me makinerine e Diktatures.
Me kete avantazh eshte shume e qarte se ekipi politik dikton jo vetem me ane te pushtetit, por edhe te mbajtjes nen kontroll te kultures politike te shoqerise, e cila ka futur veten ne krize permanente pikerisht se per paradoks e sheh veten te izoluar ne iluzionin e te Vetmeve Alternativa.
Sa nevoje ka ky pushtet atehere per kuadro te formuar kur vete Mekanizmi i Kooptimit eshte nje udhezues shijeje qe e ben politiken kompatibel me Ndryshimin. Reagimi i pergjithshem eshte lakmusi i kesaj nevoje. Ajo qe duket eshte fakti se nje forme sistemi e tipit Diktature, ruan nje kohezion me te mire me strukturen proletaro – fshatare sesa Demokracia qe paraprihet ne fakt nga ndryshime radikale tanime te trajtuara gjeresisht.
Nga ana tjeter nje nga elementet me te rendesishem, qe po kthehet ne nje paralizues te nervit reagues dhe per pasoje, korrektues te opinionit, eshte media. Nese sot ne Perendim, flitet per kapitalizem post-financiar, eshte shume e qarte se shembellimi lindor i tij eshte vetem nje Kapitalizem mediatik apo Demokraci e tille. Nga ana e teknikes se pushtetit ky eshte nje hap perpara, por ne kuptim te pasojave ky eshte mirefilli nje akt kriminal. Asgje nuk e ndermjeteson mesazhin publik nga ekrani drejt individit dhe shoqerise. Autoriteti i ekranit qe nuk i nenshtrohet asnje kritike ne kuptimin e nje lloj refuzimi estetik, por edhe etik, amplifikon detyrimisht edhe autoritetin e mesazhit politik, por edhe te poilitikes.
Ate qe sipas Pishakut me te drejte do te duhet ta benin kuadrot e rinj – duke percjelle mesazhin programor apo ideologjik, ne Shqiperi e ben media televizive. Me sa duket ajo eshte obsesioni i mashtrimit, pulti komandues i terapise se semundjeve te tranzicionit. Me panoramen e vet gjitheperfshirese, media sot ka krijuar edhe ne Shqiperi nje Shoqeri Spektakli – per te marre dicka nga Debord, ku qartazi po sipas tij “ne rrjedhen e pergjithshme te nje bote te permbysur, e verteta eshte vetem nje moment i se rremes”.