Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Nostalgji

PROFESORI

Gjatë Operacionit të Dimrit, kur Shtabi i Përgjithshëm i forcave nacional-çlirimtare ishte gjendur i rrethuar prej nazistëve nga të gjitha anët, një nënoficer gjerman i kapur rob prej tanëve, një farë Uwe G., u mor në pyetje prej vetë Shefit të shtabit, gjeneral-kolonel Hito Z., i cili kërkoi të dinte, me një gjermanishte të çalë, nëse forcat e armikut do të godisnin nga Lindja, nëpërmjet Qafës së Kiçokut, apo nga Perëndimi, nëpërmjet Qafës së Xhepit; së cilës pyetje Uwe G., që dridhej sa nga frika aq edhe nga të ftohtët, iu përgjigj se të vetët do të sulmonin nga Lindja, ose pikërisht nëpërmjet Qafës së Kiçokut.

Dy ditë më pas, kur informatat e robit armik kishin rezultuar të sakta dhe trupat gjermane kishin mësyrë përnjimend nga Lindja, duke i kapur tanët gjithsesi të papërgatitur e duke i detyruar të tërhiqen me ngut të madh përpjetë faqes së malit të Shkrepëtimës, drejt vendit të njohur si Kullotat e Fiqos, Shefi i shtabit Hito Z. u kujtua për të gjorin Uwe G., të cilin e kishin hequr zvarrë edhe atë gjatë zbythjes, së bashku me një grusht dhish që duheshin për t’i siguruar qumësht të freskët Shtabit dhe mushkash që transportonin arkivin e proces-verbaleve; madje jo vetëm u kujtua, por edhe dha urdhër që ta pushkatonin Uwe-n në vend, meqë duke u dhënë tanëve një informatë në dukje të saktë, në thelb ishte rrekur t’i mashtronte, i bindur se strategët e Shtabit të Përgjithshëm nuk do të tregoheshin aq naivë e syleshë, sa të merrnin për të mirëqenë fjalën e një rreshteri gjerman çfarëdo, të cilin nuk kishin pasur as kohë të mjaftueshme për ta torturuar.

Që atëherë shokut Hito i mbeti nofka “Profesori”, se vetëm një profesor i mirëfilltë, nga ata të qytetit, do ta kishte pikasur një kurth kaq të hollë; dhe se po të mos kish qenë për mendjen femër të Shefit Hito, Shtabi vetë, së bashku me shpurën dhe forcat shoqëruese do të kishin rënë në duar të agresorit barbar.

Pa Komente

  1. Cfare kohe qesharake ishte: ngado ta rrotulloje, ne dreq perfundoje…you could not get it right, no matter what.

  2. Është për të ardhur keq që, një talent si M.Gj, të mos gjejë frymëzim në diçka tjetër përveç “kalit të ngordhur”.
    Adhurimi që ndjej për mënyrën e tij të të shkruarit dhe të të shprehurit më bën të mos ja mohoj vetes kënaqësinë e të lexuarit të shkrimeve të tij… me shpresën që një ditë do të dijë të shkëputet nga fantahistoritë e marra nga e shkuara.

    P.s: Kënaqësinë që më jep mënyra e tij e të shkruarit ma pasuroi me respektin për aftësitë e tij edhe PA që diku tjetër pati sjellë disa perla të M.GJ, qofshin ato edhe eksperimente apo larg stilit të tij, por që tregonin që fantahistoria nuk është “balta” e vetme që di të përpunojë.

  3. Është për të ardhur keq që, një talent si M.Gj, të mos gjejë frymëzim në diçka tjetër përveç “kalit të ngordhur”.

    Kali po te hingellin mu ne qender te Sheshit Skenderbej. S’ka cof hala.

  4. them qe nuk eshte ceshtja nese ka ngordhur apo jo kali… E shkuara nuk kthehet kurre ne “kale te ngordhur” per letersine. me cfaredo kali te gjalle e te ngordhur letrat mund te gatuajne pafundesisht (gjelle qe i pershtaten modave e shijeve krejt te ndryshme e te ndryshueshme) per brezat qe vijne… mjafton te kete nje tel qe tingellon kuptueshem e troket ne nje porte qe hapet. Vec kesaj, kali qe na ngordhi eshte mire te shihet e analizohet nga te kater nahite, e me mire se letersia, s’e ben dot gjetjeter kete pune.

    1. ED, problemi nuk është për mua apo për ata që historinë e mësojnë nga librat e historisë… problemi është për ndonjë që, nëse do t’i duhet ndonjë referencë për të treguar injorancën e komandatëve të ushtrisë partizane, do të citojë si burim tregimin e Max Gjerazit… dhe e them këtë, sepse konstatoj që jorrallëherë, ka njerëz që në vënd të shijojnë ironinë/sarkazmën e Maksit, e duartrokasin atë për “zbulim faktesh të reja” (dhe është vërtet për të ardhur keq me kta njerëz).

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin