Sonte më ra rruga afër kryqëzimit, në Upper West Side, ku ka pasë qenë tregtorja e madhe muzikore Tower Records, një nga tempujt e mi privatë në Manhattan, derisa i erdhi radha të mbyllej para disa vjetësh, për t’u zëvendësuar nga një dyqan mobiljesh.
Për katastrofën e tregut tradicional të muzikës në New York kam shkruar tashmë dhe nuk po dua të përsëritem; e vërteta është se sot muzika shitet dhe blihet e tëra online, nëpërmjet dyqaneve si amazon.com, ose gjithnjë e më dendur e natyrshëm, duke u shkarkuar në formatin numerik.
Qëlloi që sot paradite të kisha shfletuar edhe një prezantim, në The Huffington Post, të 12 sendeve që skaduan gjatë kësaj dekade; mes të cilave përmendej edhe CD-ja si suport muzikor. Të gjithë ata që, një brez para meje, e kanë vajtuar vdekjen e disqeve të gramafonit dy dekada më parë, tani kanë rast të gëzojnë një moment të shkurtër shpagimi.
Unë vetë shtëpinë e kam të mbushur me koleksione CD-sh, për shkak të një obsesioni të cilin ia detyroj edhe urisë për muzikë nën regjimin komunist; por tani të shumtën e muzikës që dëgjoj, e marr nëpërmjet shërbimit numerik Rhapsody.
Muzika ka qenë gjithnjë e rëndësishme për mua, edhe pse nuk e kam të lehtë ta shpjegoj pse. Jo vetëm muzika “serioze” ose jazz-i, por edhe muzika pop, e të gjitha llojeve. Më pëlqen ta dëgjoj live në koncert dhe të riprodhuar, sikurse më pëlqen edhe të këndoj dhe t’i bie një vegle; e më në fund, të lexoj për historinë e saj dhe domethënien.
Brezi im e ka nisur ta shijojë muzikën në radio, ose në mëshirë të programacionit çfarëdo – edhe sot e kësaj dite më vjen turp me veten, kur kujtoj ca këngë tepër, tepër të këqia që na detyronte Hit Parade italiane t’i dëgjonim për javë të tëra pa pushim.
Me kohë, radion e ka zëvendësuar televizioni, koncertet live, shiritat e magnetofonit, disqet e gramafonit (vinilet), kasetat, CD-të, videot muzikore e tani së fundi lexuesit MP3, ose thjesht kompjuteri dhe klipet në YouTube.
Do të gabonim, po t’i homologonim mes tyre këto media, për t’i konsideruar vetëm si suporte materiale të një produkti që, në thelb, mund të transpozohet lirisht nga një medium në tjetrin.
Përkundrazi, mediumi gjithnjë ka ndikuar dhe do të ndikojë në mënyrën si e përjetojmë muzikën.
Shumë ujë ka rrjedhur që nga ajo kohë, kur një kompozitor dhe pianist si Rachmaninov-i thoshte haptazi se e vetmja mënyrë për t’i shijuar koncertet e tij ishte duke i ndjekur në sallë, drejtpërsëdrejti; dhe se riprodhimi në radio ose në disqe gramafoni nuk ishte veçse surrogato – ndoshta i ngjashëm me riprodhimin e pikturës në poster ose në kartolinë.
Me Benjamin-in, e dimë se çfarë shtyse i ka dhënë teknologjia riprodhimit të veprës së artit, përfshi këtu edhe muzikën. Një interpretim të mirë të koncerteve për piano të Rachmaninov-it vështirë se mund ta gjesh live kur e si të duash; përkundrazi, një CD me një version të pacen të interpretimit mund ta blesh për 2-3 dollarë, në Internet.
Mediumin mund ta vlerësosh edhe për nga liria që i lejon publikut: nga kjo pikëpamje, koncerti live është më detyruesi, së bashku me transmetimin drejtpërdrejt në radio ose TV; pas kësaj, radioja t’i imponon zgjedhjet muzikore, çka nuk është doemos diçka e keqe, veçanërisht për dëgjues që kërkojnë të përmirësojnë shijen ose të tjerë, që i gëzohen efektit surprizë; disku i gramafonit, ose kaseta e magnetofonit, të japin shumë më tepër hapësirë për zgjedhje, por të detyrojnë t’i dëgjosh këngët sipas një radhe të caktuar.
Nga kjo pikëpamje, formati numerik lejon liri maksimale, duke i dhënë dëgjuesit mundësi maksimale të zhvendosjes, në të gjitha përmasat e mesazhit muzikor.
Mirëpo liria ka kuptim për ata që i kanë jo vetëm mjetet dhe dhuntitë për ta shijuar, por edhe interesin intelektual dhe artistik për t’iu qasur. Formati numerik, siç praktikohet nga sajtet e njohura online që ofrojnë ose shesin muzikë, privilegjion njësinë këngë, duke e atomizuar objektin muzikor.
Për një brez si imi, të mësuar ta dëgjojë dhe ta ndjekë muzikën me albume, një format i tillë nuk mund të jetë veçse regresiv – meqë kënga i përshtatet konsumit të muzikës për dëfrim, por në vetvete nuk e ka forcën shprehëse të albumit, dhe këtu nuk e kam fjalën vetëm për concept album-in; por në përgjithësi për një produkt muzikor që, në tërësinë e vet, i përgjigjet një koncepti estetik unitar në mendjen e artistit që e ka krijuar.
Për fat të keq, formati i ri numerik e ka rrezikuar albumin jo vetëm nga perspektiva e publikut, por edhe si formë drejt së cilës synon krijimtaria muzikore. Shtëpitë diskografike u kërkojnë artistëve këngë të veçanta, sepse këngët e veçanta shiten; në një kohë që albumi, si diçka më tepër se një përmbledhje mekanike këngësh, po elitizohet po aq shpejt sa ç’po skadon formati muzikor i CD-së.
Si dëgjues muzike i apasionuar, unë nuk di nëse duhet të ndihem i lumtur, përballë mundësive të pakufishme që më jep, sot, formati numerik, për të eksploruar të gjithë muzikën që dëshiroj; apo i trishtuar, përballë dyshimit se mos revolucioni në medium do ta trivializojë muzikën deri në atë shkallë, sa t’i detyrojë muzikantët seriozë të kthehen në sallonet aristokratike – çka në kohët e sotme do të thotë t’i bien pianos në lounge-t e rrokaqiejve të korporatave.
Rreziku nuk ka të bëjë vetëm me albumin si formë muzikore; por edhe me të gjitha ato elemente paramuzikore, që e shoqërojnë produktin muzikor në treg, duke ia lehtësuar komunikimin me publikun: arti grafik, tekstet e këngëve, fotografitë e broshurës shoqëruese, biografia e autorit, të dhëna për pjesët muzikore, etj.
Kush e njeh sado pak historinë e pop-it, rock-ut dhe jazz-it gjatë 50 vjetëve të fundit, do ta dijë se çfarë rëndësie i jepnin muzikantët, këngëtarët, kompozitorët dhe producentët paketimit grafik të produktit të tyre; deri aty sa autorëve të disa mbulesave të albumeve u përmendet emri në historinë e artit grafik.
Një vitet 1960-1980, një album pop – të themi një Abbey Road, një Led Zeppelin IV, një The Dark Side of the Moon, një Graceland, një Brothers in Arms, një The Joshua Tree nuk ishin aspak koleksione këngësh të rastit; por objekte sinkretike, të cilat përfshinin një tërësi muzikore të përftuar nga kombinimi i një numri njësish më të vogla, por gjithnjë të ndërvarura dhe të plotësuara nga një bashkësi elementesh grafike të paketimit. Shto këtu edhe tour-in e koncerteve që shoqëronte albumin, personalitetet e artistëve dhe veprimtarinë e tyre jashtë-artistike, filmin ose videot, intervistat e kështu me radhë, për të kuptuar si albumi, për shkak të sinkretizmit të vet, vepronte në shumë plane njëherësh, duke u shndërruar njëkohësisht në pikë referimi për masat e dëgjuesve.
Ç’të ardhme i rezervojnë kësaj tradite formati numerik, skadimi i suporteve materiale të mirëfillta si CD-ja, degradimi i elementit grafik (nga arti i mirëfilltë dje, në klipet amatoriale të YouTube sot) dhe tkurrja e interesit të shtëpive diskografike për produkte muzikore më komplekse se kënga 5-minutëshe?
Ç’do të ndodhë me muzikën masive, kur të dalin nga skena dinosaurët e fundit të pop-it dhe të rock-ut, që vijojnë t’i falen albumit si formë shprehëse?
Pyetjeve si këto do të doja t’u përgjigjej, para meje, brezi që e ka marrë formimin muzikor nga Interneti dhe që e dëgjon muzikën kryesisht nëpërmjet kompjuterit ose telefonit celular.
Përgjigjja ime nuk do t’i interesojë askujt që nuk e ka deduktuar tashmë nga sa më lart.
xhaxha, e kuptoj shqetesimin tend. eshte edhe shqetesimi im. ne qe kemi kaluar ne te gjitha etapat e gervishjes se muzikes, e kuptojme se e ardhmja e saj eshte disi’ jo krejt e qarte pasi koha e albumit qe ne kemi shijuar aq shume ka ikur pergjithnje. ka ardhur koha e konsumit te kengeve te perzjera dhe mundesisht ne celular.
dinosauret e muzikes kane kohe qe e kane abandonuar albumin dhe i jane dorzuar “single-s”. ose me mire te themi i vene emrin “album” per te degjuar vetem nje kenge te tij; qe edhe ajo eshte njesoj e dobet si te tjerat. e kupton se ku e kam fjalen? mendoj se albumi e kishte kuptimin dhe interesin e vertete ne koherat kur konsumi i muzikes nuk ishte komercializuar ne kete shkalle qe kemi sot.
do te me interesonte pergjigja tende qe ta shtjellosh me shume ne shtesat me komente sepse e kam deduktuar shume mire ate qe thua me lart.
zymtesia e te ardhmes behet shume e kuptueshme nga vete fakti i piraterise se formatit numerik ne internet. kjo do te jete e vertete per te gjitha rrymat muzikore paveresisht se ku te rastis ta degjosh; ne rrokaqiej, buze lanes apo subway.
Cfare do te ndodhe? Asgje nuk do te ndodhe pervetem se ri-demokratizimi i muzikes.
Dikur, le te themi para kengeve kishtareve, koraleve, operave, regjistrimit te muzikes ne partitura, gramafone, radio etj., te gjithe kendonin si tu vinte permbare. Kendonin nga shpirti. U kendonte shpirti. Titujt e kenges, ishin njesoj, muzika besoj po njesoj… “tundu bejke e bardhe tundu” .. pa autor, kompozitor, nota muzikore, etj. Dikush edhe fishkellente pa u merakosur per “veshin e tij aspak muzikor” apo kendonte pa u kritikuar per zerin e tij prej gomari.
Ndersa pas nje periudhe autori(teti) te muzikes, te standartizimit te saj, ku kerkonte profesionalizem (diferencimi funksional!) edhe te kenduarit apo te thurrjes se vargjeve e melodive, pas nje periudhe te regjistrimit per disa shekuj te muzikes ne partitura, disqe e shirite, ne jemi deshmitar, kemi fatin te jemi te tille, te nje epoke revolucioni ne komunikimin ndernjerzor dhe ne vlerat kulturore te njerzimit.
Konservatorizimi i vlerave kulturore u be i mundur pikerisht nepermjet konservimit te vlerave te tilla nepermjet mediave si shkrimi, apo partiturave e disqeve per muziken, te cilat sherbenin me pas si pika reference.
Imagjinoni nje bote ku nuk ekzistojne keto pika reference! Nje hard disk qe fshihet lehte, regjistron disa melodi per pak kohe per t’i dhene shansin te tjerave! Nje program elektronik muzikor qe ben cdo kend te krijoj muzike nepermjet kompjuterit, madje edhe shume me te mire se tete orkestra se bashku nga cilesia e harmonia, por qe vendos ne dyshim vlerat e muzikes klasike dhe moderne!
Besoj se po kthehemi ne kohen e te pareve tane te mocem, ku asgje nuk konservohet pervetem se ne formen e kujteses se shtremberuar, te personalizuar, te konstruktuar si caste te perjetuara e qe riperjetohen pikerisht nepermjet rikrijimit dhe jo riprodhimit.
Ky qe shpall Xha Xhai eshte vertet problem serioz qe me ka shqetesuar edhe mua po aq here. ( mbaj mend biles nje art. timin te vjeter mbi kete argument, mbi m&piraterine, po e gjeta t’ua linkoj )
Ndryshimi eshte dhe eshte thelbesor. Nese duhet te gjej ndonje riferiment kohor them se fillon me Napster diku aty nga 1990-ta, per te ardhur deri tek ne sot. Detyrimisht menyre e trasportit te muzikes ka ndryshuar edhe menyren e degjimit.
Dua te bej nje konsiderata alternative, perveç asaj qe Xha Xhai ka thene aq mire. Muzika po behet me popullore sepse shtepite e medha humbasin rendesi. Nuk e di nese kjo eshte gje e mire, por jam i sigurt qe nuk eshte detyrimisht gje e keqe. Ka grupe, edhe te famshem, qe se vene ujin ne zjarr per te bere album po nxjerrin here pas here ndonje kenge. Me pelqen deri diku ideje sepse keshtu kengetaret eleminojne shtepite disk. e kane nje raport me personal me publikun. ( shiko albumet e fundit te Radiohead, NiN etj etj )
Edhe shtepite ama kane nje faj te madh, qe per mua perkon me lindjen e diskut. Zevendesimi i pllakave me disqe e mundesia e atij butonit te mallkuar “skip” qe nje revolucion i vogel. Per me teper, cd-te rrallehere jane nje objekt i bukur per tu mbajtur – ne krahasim me pllakat – e megjithate kane nje kosto teper te larte. Kush e mban pak mend, sapo dolen disqet duhet te kishte nje ulje çmimi, ulje qe s’ka ardhur kurre.
Ka ama, do e kesh vene re patjeter Xha Xha, edhe nje kthim te pllakat. Perkrah çerrave qe degjojne muzike ne utube apo site te tjera, ka te pasionuar qe gjithmone e me shume kthehen te pllakat. Nese te ka qelluar te shkosh ne ndonje dyqan muzike kohet e fundit do kesh para patjeter qe kane restauruar te gjithe repartin e Pllakave.
Per te pershendetur doja te te linkoja 50 albumet e 2009, me thuaj nese je dakord.
http://tiranacalling.wordpress.com/2009/12/30/50-albumet-e-vitit-2009/
Dite te mbare.
D
Lajmi qe muzika e Pink Floyd nuk mund te shitet a la carte sepse albumeve koncept u duhet ruajtur integriteti eshte jo vetem fitore e madhe per vizionin artistik te artisteve dje, por dhe perkrahje per muziken neser. Mesazhi i ketij vendimi eshte teper inkurajues dhe shpresoj t’u jape force artisteve te ardhshem te kontestojne fragmentarizimin qe po imponon tregu sot.