Kur e kapi një sëmbim i thellë në nofull xha Rexhon, të jatin e fqinjit tonë Uran P., të gjithë kujtuam se i kishte ardhur ora për të vdekur. Me të birin, Uranin, mbanim vetëm një përshëndetje, meqë ky ishte fjalëpak sepse ashtu ia donte puna dhe figura e ushtarakut; por xha Rexhon e njihnim mirë, sepse na kish ardhur, si veteran i Brigadës XXVII, të na fliste kur ishim ende nxënës të shkollës “Fitorja e Kongresit”; pa përmendur pastaj pasditet që i kalonim duke parë shah, te parku mbrapa Teknikumit.
Ca net e dëgjuam xha Rexhon të ulërinte si kec, pastaj Urani ia tha një fjalë Drejtorit të Parkut të Delegacioneve, Mensur R., të cilin e kishte mik, dhe ky i dërgoi në shtëpi një mjek të mirë, ortopedin Harilla E., për të gjykuar se çfarë mund të bëhej që t’ia lehtësonin plakut ato pak ditë që i kishin mbetur. Dr. Harilla e vizitoi me kujdes pacientin që digjej në ethe, pastaj na e dha të gjithëve lajmin e mirë: Xha Rexhos po i dilte një dhëmb!
Në lagje këtë lajm e pritën në fillim me mosbesim, pastaj me hilaritet. Urani la të kuptohej se nuk dëshironte që t’ia përmendnin në muhabet, madje u zymtësua edhe më; edhe pse, siç na sqaroi një mbrëmje dentisti Viron K., dukuri të tilla nuk paskëshin qenë dhe aq të rralla në literaturë. Xha Rexhoja, nga ana e vet, e ndërlikoi edhe më tej problemin, meqë refuzoi që ta hiqte dhëmbin e ri, i cili po i dilte lart majtas, në pozicionin e dhëmbit të syrit; edhe pse ky po ia bënte gjithnjë e më të vështirë përdorimin e dhëmbëve të rrema.
Pastaj një ditë plakun erdhi ta shohë vetë shoku Ridvan L., anëtar korrespondent i Këshillit të Shtetit, dhe i njohur për marrëdhëniet e tij me Armën e Sigurimit; rezultoi se edhe Xha Rexhoja paskësh punuar në organet, madje ishte dalluar gjatë spastrimeve të Veriut të vendit nga bandat antikomuniste; por pastaj e kishte ashpërsuar artificialisht luftën e klasave, për çka më parë e kishin këshilluar miqësisht, pastaj e kishin transferuar, për ta emëruar drejtor të Drejtorisë së Konvikteve të Republikës, një post kyç edhe pse pak i dukshëm në popull.
Të gjitha këto kishin ndodhur vite më parë, kur Xha Rexhon, siç kujtonin disa pensionistë të mëhallës, vinte e merrte gazi 59 mëngjes për mëngjes, për ta çuar në zyrë; prandaj edhe u përsiat mundësia, në më shumë se një muhabet kafeneje, që Urani po lëvizte gurët, për ta çuar të jatin për mjekim jashtë Shqipërisë, meqë ky kishte dhënë aq për popullin dhe për Partinë, sa ta meritonte këtë trajtim të posaçëm.
Ndërkohë Xha Rexhos dhëmbi po i rritej i shëndetshëm e me rrënjë të thella si të lisit, madje kur plaku dilte poshtë në trotuarin para dyqanit të bulmetit, për t’u ngrohur në diell, fëmijët i mblidheshin përreth dhe i kërkonin t’ua tregonte – fasule të bardhë, të madhe dhe vezulluese, si prej qelqi qumështor; tani nuk mund t’i përdorte dot më dhëmbët e rremë dhe flitej se, me urdhër të shokut Ridvan L., dentistët po i përgatitnin një dentierë të posaçme, që t’i bënin vend mysafirit të ri në gojë.
Kur kthehej pasditeve nga puna, Urani u bërtiste fëmijëve që i mblidheshin Xha Rexhos përreth dhe u thoshte që ta linin plakun rehat; plakut, nga ana e vet, po i lodhej nofulla, ngaqë e kalonte ditën duke hapur e mbyllur gojën, për t’ua treguar dhëmbin e ri kureshtarëve.
Ish-partizanë, veteranë të luftës e të punës, pensionistë të vjetër, njerëz që i dinim të vdekur, pleq e plaka të afërt me pushtetin, por edhe të tjerë kuadro që i kishin larguar nga postet e larta për sektarizëm, pa i flakur jashtë radhëve, vinin tani të takoheshin me mikun e tyre të dikurshëm, Xha Rexhon e pandryshkshëm; jo aq për t’ia parë dhëmbin madhështor, sesa për të hapur biseda të lënë përgjysmë kohë më parë, për t’i dhënë zemër njëri-tjetrit, për të kujtuar ngjarje dhe figura të harruara ndoshta pa të drejtë, ose para kohe.
Me ndërhyrjen e shokut Servet B., sekretarit privat të Diktatorit dhe fotografit zyrtar të Këshillit të Shtetit, familjes së Uran P. i dhanë një apartament të ri, në katin e parë të një pallati të ngritur enkas për kuadrot, në qendër të kryeqytetit; sepse ashtu edhe vizitorët e shumtë të Xha Rexhos do ta kishin më të lehtë për ecejaket e tyre të shpeshta. U tha edhe se plaku i moçëm, pasi ishte këshilluar edhe me Kryetarin e Gjykatës Supreme Moisi V., kishte refuzuar që të dërgohej për mjekim jashtë shtetit, duke sugjeruar që ato fonde të përdoreshin për ndonjë kuadër që kishte vërtet nevojë për t’u kuruar; meqë ai vetë nuk kishte asgjë, përkundrazi; gëzonte shëndet të plotë, siç e dëshmonte edhe dhëmbi i ri, pa çka se ky tashmë i ishte rritur aq shumë, sa nuk e linte ta mbyllte më gojën, siç tregonin të ftuarit në drekat dhe darkat e shumta që detyrohej të shtronte Urani.
Gaspër B., një dentist i vjetër që kish bërë shkollën në Padova të Italisë para Luftës, u dëgjua të thoshte, në një pijetore afër Burgut të Vjetër, se Xha Rexhoja duhej dërguar jashtë jo për t’u kuruar, po në emër të shkencës; meqë dhëmb i tillë nuk ishte përshkruar ndonjëherë në analet e stomatologjisë perëndimore, dhe ishte gjynah që kjo dukuri t’i mbahej e fshehtë shkencës dhe publikut anembanë botës.
Mirëpo më pas u përhap fjala se plaku më i famshëm i lagjes sonë kishte zënë shtratin, për shkak se po i ndahej truri më dysh sipas disave, ose ngaqë dhëmbi po i rritej edhe së prapthi, duke ia çpuar kafkën tej për tej, sipas disa të tjerëve. Kur vdiq, specialistët e Ndërmarrjes së Varrimit u detyruan të kërkojnë që një mjek kirurg të bënte korrigjimet përkatëse, në mënyrë që të mund të mbyllej arkivoli.
Deri vonë, i biri Urani nuk e pranonte që plaku i kish vdekur për shkak të një dhëmbi të ri; duke shpjeguar se kishte qenë fjala për një tumor të nofullës, të shprehur si rritje e pakontrollueshme e ashtit. Çështjen e dhëmbit, të përçudnuar aq sa nuk njihej më, ia përmendën dentistit të vjetër Gaspër B. në hetuesi, para se edhe ky të vdiste, koincidentalisht në spitalin e Burgut të Vjetër, ose afër pijetores ku kishte biseduar për Xha Rexhon, dhe të tjera tema delikate. Urani, tashmë i sistemuar në një punë të mirë në komandën e Divizionit, te Rrapi i Trishit, e kishte vënë telegramin e ngushëllimit dërguar nga Diktatori në kornizë, për ta ekspozuar në dhomën e pritjes, së bashku me filxhanin e fundit të kafes që kishte pirë i jati. Miqtë e vjetër të Xha Rexhos ktheheshin ndonjëherë për vizita kortezie, por dhëmbi fenomenal, së bashku me pasojat e tij fiziologjike dhe sociologjike, nuk zihej më në gojë.
e harroj ndonjehere se sa e kendshme eshte kjo shija buzzati-ane.
ka gjasa qe paragraphi i parafundit te me persekutoje gjumin per ca dite.