Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kulturë / Politikë

KULTURA E GËRMIMIT

lopataPo i kthehem sërish farsës së kërkesës shqiptare për “kthimin” e eshtrave të Nënë Terezës në Shqipëri, më tepër për të analizuar konceptin e pronësisë kulturore, të trupëzuar në një mendësi sa provinciale, aq edhe të gënjeshtërt.

Sot lexoj në Shekulli se Teuta Topi dhe Liri Berisha, ose ana soft e pushtetit në Tiranë, paskan inauguruar banesën ku “kanë jetuar familiarë” të Nënë Terezës; teksa dita e nesërme në Shqipëri qenka shpallur pushim zyrtar, si “Dita e Nënë Terezës”.

E kam pak të vështirë të kuptoj logjikën e kremtimit zyrtar të një banese ku kanë jetuar “familiarë” të Nënë Terezës; çka nuk e kam dëgjuar kurrë më parë, për asnjë personalitet të gjallë e të vdekur, të cilit zakonisht i kremtohen objekte dhe fakte që kanë të bëjnë me historinë personale, por jo me biografinë e të afërmve të tij. Megjithatë, rezervoj të drejtën për ta pezulluar gjykimin rreth gjestit kryeministror; sepse jam i bindur se ndonjë motiv prapa këtij veprimi, në dukje absurd, do të ketë pasur.

Nga ana tjetër, pak ditë më parë, agjencitë e lajmeve njoftuan se Shqipëria i kishte paraqitur Indisë “kërkesë zyrtare” për kthimin e eshtrave të Nobelistes për paqe, kërkesë që ishte refuzuar kategorikisht, me argumente bindëse. Mirëpo e vetmja kërkesë, për të cilën është folur në mediat, është një dëshirë e shprehur nga kryeministri Berisha jashtë çdo konteksti formal; dhe nuk di nëse kjo mund të quhet kërkesë “zyrtare”, as nuk di nëse është në kompetencat e një kryetari qeverie, sado patriotik, që të bëjë kërkesa të tilla zyrtarisht.

Po ashtu, e kam të vështirë të kuptoj përdorimin e fjalës “kthim të eshtrave”, së cilës në anglisht i korrespondon shprehja, njëlloj e përdorur nga CNN-i dhe të tjera agjenci prestigjioze, “return her remains”; meqë kthimi, ose return, parakuptojnë një pronësi të mëparshme; mirëpo unë nuk di që Shqipëria të ketë pasur ndonjëherë pronësi mbi Nënë Terezën (në formën abstrakte të “qytetarisë”), dhe aq më pak mbi eshtrat e saj – pronësia mbi të cilat nuk e kam të qartë se kujt i përket. Shprehja “return her remains” lë të kuptohet sikur eshtrat e plakës së famshme kishin qenë ndonjëherë të varrosura në truallin shqiptar, çka nuk i përgjigjet së vërtetës.

Arsyeja pse u dashkan kthyer eshtrat paraqitet nga kryeministri shqiptar me një argument çuditërisht sentimental, që unë as gjyshes sime, ndjesë pastë, nuk do t’ia kisha pranuar: Sipas Berishës, Nënë Tereza duhet të varroset pranë nënës dhe motrës së saj, për t’u ribashkuar me to; meqë ua kish ndier aq shumë mungesën për së gjalli – për çka i kish folur edhe Berishës vetë, gjatë një bisede ku kish pohuar edhe se “lutej për to çdo ditë.”

Nga ka lindur kjo dëshirë për t’ia sjellë Nënë Terezës eshtrat në Shqipëri? Është marrë ndonjë vendim gjëkundi, është këshilluar ndonjë jurist ose specialist, është kërkuar mendimi i Vatikanit? Këtyre pyetjeve unë nuk u përgjigjem dot.

Të ketë vallë, në Shqipëri, ndonjë dëshirë publike, të shprehur qartë dhe haptazi, për ta pasur varrin e Nënë Terezës në truallin shqiptar? Nuk më rezulton – por mund ta kem përsëri gabim. Adhurimi për këtë grua të shquar në Shqipëri merr forma të ndryshme – nga përkushtimi fetar dhe njohja e përshpirtshme e shenjtërisë së saj, te simpatia lehtësisht zbavitëse për një plakë që u kujton të gjithëve gjyshet e vjetra, që mund t’u kenë vdekur.

Shqiptarët e duan vërtet Nënë Terezën; por nuk besoj se e përshëndetin këtë orvatje në thelb makiaveliste të pushtetit të Tiranës për t’ua ngjitur në kalendarin kombëtar, si shenjtin mbrojtës të shqiptarisë në shekullin XXI.

Duke kërkuar që Shqipërisë t’i jepen eshtrat e një personaliteti të kalibrit botëror, që e ka realizuar ndoshta krejt virtytin e vet në shërbim të Indisë dhe të qytetit të Kalkutës në veçanti, Berisha dhe të vetët treguan një kombinim tipik të pandjeshmërisë ndaj aspektit thjesht njerëzor të gjakimit të Nënë Terezës dhe të qytetarëve të Kalkutës, të cilët ia kanë dëshmuar dhe çmuar përpjekjet e palodhura për t’ua lehtësuar plagët sociale, me dinakërinë e përfituesit ose të sekserit, i cili tashmë po i përfaqëson shqiptarët si profesion anembanë universit.

Të gjykosh vetëm nga etosi që i përshkon deklaratat e tanëve, për këtë çështje, duket sikur eshtrat e një gruaje dhe murgeshe katolike po trajtohen si të ishin ndonjë statujë klasike ose mbishkrim i vjedhur prej arkeologësh të paskrupullt; ose relike kulturore e dorës së dytë, së cilës ende nuk i është vendosur muzeumi ku do ta kalojë pleqërinë.

Nuk kanë munguar zërat se një varr i mundshëm i Nënë Terezës në Shqipëri do të përkthehej në shumë turizëm dhe të ardhura në valutë të vyer për shtetin; tani për tani, le t’i konsiderojmë thjesht si zëra, edhe pse tundimi për t’u dhënë vërtetësi është i madh.

Nuk ka nevojë të shtyhesh deri tek të ardhurat nga turizmi, për të kuptuar thelbin e mekanizmit që vë në lëvizje dëshirën për t’i përvetësuar eshtrat e Nënë Terezës; dhe që ka të bëjë me transferimin e kapitalit kulturor, ose të prestigjit. Ky mekanizëm mbështetet në një mendësi parazitare, e cila përfaqëson në mënyrë tipike shqiptarin post-totalitar, që nga përfaqësuesit më të lartë të shtetit, deri te lypësit e rrugëve dhe rrëmuesit e plehrave.

Kjo mendësi ka të bëjë me pronësimin ose përvetësimin e vlerave të krijuara tjetërkund ose prej të tjerëve – që nga histeria me pronat, pronësimet, privatizimet dhe shpërblimet, qeratë dhe rentën e deri te marrëzia kolektive me shoqëritë financiare, që çoi në kolapsin e vitit 1997; që nga gatishmëria për t’ua dhënë tokën dhe kapitalin turistik të huajve, përkundrejt gjithfarë shpërblimesh, interesash monetare dhe rentash të tjera ose propozimet për t’ia lëshuar Shqipërinë lobit të industrisë nukleare, deri te turma e të marrëve që enden në djerrinat e humbura të brendatokës shqiptare, në kërkim thesaresh të varrosura ose vjeturinash të ndryshme për të plaçkitur, p. sh. shina hekurudhore ose avionë MIG.

Në lëmin kulturor, e njëjta dukuri shfaqet në këmbënguljen për përvetësim vlerash që me Shqipërinë dhe shqiptarët kanë të bëjnë pak ose aspak; thuase monumentet kulturore, të cilat i nevojiten kombit dhe shtetit shqiptar njëlloj sikurse çdo kombi dhe shteti tjetër, mund të importohen si të ishin Benz-a, menu gjellësh ose institucione “demokratike”.

Ka diçka qesharake në paaftësinë tonë kronike për të dalluar dhe nderuar talentin dhe virtytin e përftuar dhe kultivuar brenda vendit, të kombinuar me gatishmërinë për të rënë në gjunjë, sapo një shqiptar fiton admirimin ose respektin e publikut të huaj. Përtej të vërtetës që shprehet në thënien e njohur të Krishtit se nemo propheta in patria (“askush nuk është profet në atdheun e vet”), nevoja për të identifikuar ata njerëz, mes nesh, të cilët arrijnë të gjejnë të mirën në mes të së keqes dhe t’u shërbejnë të tjerëve me vuajtjen, lodhjen, duart, dijen dhe artin e tyre, është ku e ku më e madhe, dhe më dinjitoze, se ky vrapim i shkalafitur pas xhaketave e fustaneve të personaliteteve botërore bartës genesh shqiptare. Diçka qesharake, por edhe fyese madje dëshpëruese, për të gjithë ata shqiptarë që ende duan e janë gati t’i shërbejnë virtytit.

12 Komente

  1. Përpara disa ditësh, më saktë më 13 Tetor, lexoja në faqen e Ballkan Web-it një lajm, të cilit po i shkëpus disa nga fragmentet më domethënës.

    Pas leximit të artikullit të Xha Xhait e pashë me vend që një lajm i rëndësisë së këtillë, i cili na vjen pikërisht nga Kosova, të ndahej denjësisht me lexuesit këtu.

    Ngarenda sigurisht që ta nxjerr lajmin në fjalë nga faqja tek e cila e kisha hasur fillimisht, por çuditërisht, nuk munda ta gjej dot më.

    Por, duke qenë se lajmi vinte nga Kosova, iu drejtova faqes së Kosova Press-it dhe sigurisht që atje jalmin e gjeta krenarisht të plotë.

    Fragmente nga lajmi:

    Përderisa Shqipëria me ngulm është duke kërkuar që eshtrat e Nënës Terezë të barten atje nga India, duket se gjasat më të mëdha janë që një pjesë e eshtrave të shenjtores të prehen në Kosovë, këtë e ka bërë të ditur për Radio Dukagjinin, at Dom Lush Gjergji duke u nisur nga një traditë dy mijë vjeçare e Kishës Katolike.

    “India do të kundërshtojë dhe nuk do të lejoj që të bartet në tërësi, mirëpo një pjesë e eshtrave me siguri ne do ti kemi në Prishtinë, në kryeqendrën tonë, në katedralen kushtuar Nënës Terezë. Këtë e bëjmë përmes Vatikanit dhe aty nuk ka kurrfarë mundësie që ta pengoj apo ndërhyj shteti i Indisë”, ka thënë Gjergji.

    Dom Lush Gjergji ka shtuar se është e pamundur që të gjitha eshtrat të kthehen, duke e pasur për bazë se si trajtohet figura e Nënës Terezë në Kalkutë. Vitin e ardhshëm do të festohet botërisht 100-vjetori i lindjes së shenjtores Nëna Terezë. Ndërkohë manifestimet për këtë përvjetor do bëjnë bashkë Prishtinën,Tiranën dhe Shkupin thotë Gjergji.

    “Kjo ngjarje do i ofrojë shqiptarët, pa marrë parasysh dallimet që kemi sepse tashmë në proceset e integrimeve kemi gjasa, kemi mundësi reale për një bashkëpunim dhe për një paraqitje në bazë të vlerave dhe virtyteve që i ka mishëruar dhe paraqitur në botën mbarë, Nënë Tereza”, tha ai.

    Burimi:

    http://www.kospress.com/portali/lajme/nacionale/13-nacionale/9329-nje-pjese-e-eshtrave-te-nene-terezes-do-te-pushojne-ne-prishtine-

    1. Kombetaristet i kuptoj kur dalin me deklarata te ketij lloji por priftit te ngrate çi duhet. Katolikeve( Universalisteve) rrobat kombetariste i rrine te ngushta dhe kur dalin ne skene bejne figuren e kllounit.

  2. ””Po ashtu, e kam të vështirë të kuptoj përdorimin e fjalës “kthim të eshtrave”, së cilës në anglisht i korrespondon shprehja,””’

    Une e kam te veshtire te kuptoj psene e nevojes se anglishtes per te kuptuar kete shprehje.
    Kur nje shqiptar vdes jashte, atehere mund te kerkohet ‘kthimi i eshtrave’. Kjo shprehje nenkupton perkatesine etnike shqiptare te te vdekurit/es e jo pronesine e shtetit mbi qytetarine/shtetesine e te vdekurit.

    Perkatesine etnike shqiptare Nene Terezes nuk ja heq dot kush, pervec atyre qe duan te shesin gorricat per dardha, si puna e sllavo-maqedonasve, keshtu qe kerkesa e shtetit shqiptar eshte mese legjitime.
    Nese do kishim te benim me ndonje minoritar te famshem, shteti shqiptar edhe nese do kishte pronesine mbi shtetesine, nuk do mund te shfrytezonte dot shprehjen ‘kthim i eshtrave’ e cila perdoret apo deri me sot eshte perdorur vetem per shqiptaret etnike.

    Shprehja ne anglisht eshte fare kot, sepse kthim dhe return nuk jane te barazvlefshme, aq me pak eshtra me remains; si per shkak te perdorimit metafofik te remains ashtu edhe per keqkuptimin qe sjell return- rikthim.

    1. Unë diskutoj gjuhën e përdorur, jo legjitimitetin e kërkesës.

      Besoj se forma më e saktë do të ishte “dhënien” e eshtrave; “kthim” parakupton pronësi të dikurshme. Nëse qeveria shqiptare është serioze me këto kërkesa (legjitime, sic thua ti), atëherë duhet të përdorë një gjuhë të përshtatshme, besoj unë – meqë edhe gjuha tregon legjitimitet.

      Po ashtu, anglishtja return është përkthim i saktë i shqipes kthej; rikthej, përkundrazi, është një pleonazëm që nuk vlen pothuajse për asgjë. Ti rikthen në qoftë se ke kthyer njëherë (rikthej – kthej përsëri).

      Përkundrazi, anglishtja return nuk mund të zbërthehet si “turn again”. You return a book to the library; kjo do të thotë “kthej një libër në bibliotekë” (jo rikthej); meqë libri i përket bibliotekës, ti e ke marrë hua dhe tani po ia kthen.

      Shënim: anglishten e përmenda sepse ashtu e kishin përkthyer agjencitë e lajmeve kërkesën e Berishës; dhe në anglishte, po të më thuash se “you have to return me the magazine”, do të thotë që revista është jotja, dhe unë ta kisha marrë hua për pak; çka nuk më duket se është rasti, për Nënë Terezën, Shqipërinë dhe Indinë.

      1. Po Berisha mund te kete marre parasysh faktin se Tereza me pare ishte Gonxhe, pra se ajo dikur ishte KETU neper vilajete e pastaj iku. Pra ky vend dikur e pati te veten (natyrisht ndoshta jo per deshiren e saj) dhe tashme e kerkon serish, pra return legjitimohet.

        Por gjithesesi per kete problem do sqarohemi te gjithe ne konakun e Fevziut, i cili sot ne emisionin “Opi…” trajton temen “Nene Tereza dhe raporti i saj me Shqiperine”. Dhe si rregull, pa mbaruar emisioni debati eshte i kote.

  3. Po me Nene Terezen ç’paten xhanem?

    Nuk e meritonte kete gjeme gruaja shtatvogel qe pati kurajon te sfidoje hipokrizine e Perendimit.

    India ja beri nderin deri ne fund, para saj u perkul me mirenjohje te thelle dhe te sinqerte. Funeral shteteror qe gjithe planeti mundi te ndjeke ne mondovizion.

    Atehere, nese nuk gaboj, Nena kishte edhe nenshtetesine indiane, mes te tjerave, perpos tones. Ky mund te jete nje prapesim qe mund te na beje pala indiane ne rast se çeshtja shkon ne Gjykaten Nderkombetare te Hages. Mund te thone gjithashtu qe Shqiperia u perfaqesua ne nivelet me te larta shteterore ne funeralin e lartpermendur, duke pranuar de facto legjitimitetin e varrosjes se Indi. Plus duhet te informohemi nese ka lene te shkruar ndonje deshire ne kete drejtim. Se ç’thane atehere por nuk e kisha mendjen se qaja me denese. Kishte te njejtin veshtrim depertues te syve te sime gjysheje…

    Sinqerisht, nuk e di se ku mund te kapemi perveç deshmise mallengjyese te Kryeministrit. Halli eshte se ne te drejten nderkombetare nuk ka as precedente ne lidhje me rivendikimin e eshtrave te shenjtoreve (te me falin gjuhetaret por nuk di si ta perkthej termin qe me duket me i godituri ne kete rast). Ne pergjithesi, per hir te kujtimit te vete shenjtoreve, palet kane rene dakort qe shenjtori ne fjale te prehej ne vendin ku kishte vdekur sidomos kur ky i fundit perkonte edhe me banesen e shenjtorit apo me qendren ku zhvillonte ne menyre te vazhdueshme veprimtarine bamirese. Megjithate, historia njeh raste te nderhyrjes dhe pervetesimit me force te eshtrave te shenjtoreve, ne mos gaboj keshtu ka ndodhur me eshtrat e Shen Nikolles qe sot ndodhet ne Bari te Italise. Halli eshte se India eshte dhe larg….

  4. ””Besoj se forma më e saktë do të ishte “dhënien” e eshtrave; “kthim” parakupton pronësi të dikurshme.””

    Eshtrat jane pjese biologjike e njeriut, pjese e pandashme e perkatesise etnike te tij, ashtu sikunder edhe femija e merr perkatesine etnike fillimisht ne vije biologjike, per te perfunduar ne disa vende ne kategorine moderne te ‘nationality’… psh Kenia e keniotet neser mund te pretendojne eshtrat e Obames per arsye biologjike, ndersa tribuja e tij ne Kenia, e vlereson padyshim pjese te veten, meqe tribuja ka njesi tjeter matese nga shteti.

    Kthim eshte termi me i goditur qe mund te gjendej ne shqip, sepse eshtrat e shqiptarit kthehen nuk mund te ‘merren’ e ‘jepen’.
    Dhenia eshte pjese e procesit te kthimit, paqesore e me mirekuptim, pala qe i zoteron nepemjet dhenies ben te mundur kthimin.
    Por kthimi mund te behet teorikisht edhe me lufte, pa qene nevoja qe kush i ka ti jape.

    Shteti shqiptar ka si nenshtetesi/citizenship/cittadinanza ashtu edhe kombesi/nationality/nacionalita, keshtu qe i lejon vetes te drejten e pronesise biologjike mbi kedo biologjikisht shqiptar, me apo pa nenshtetesi shqiptare, perfshire ata qe heqin dore vullnetarisht nga nenshtesia.

    Per shtetin shqiptar eshtrat e Nene Terezes i takojne atij, keshtu qe kush i zoteron per cfaredo arsye, duhet ti dorezoje. India ne rastin tone duhet ti dorezoje eshtrat e Nene Terezes.
    Prishja e marredhenieve diplomatike me Indine do ishte mese e justifikuar nga mosdorezimi i mundshem i eshtrave.

    Return dhe remains, nuk jane ne gjendje te perkthejne saktesisht kthim i eshtrave, mund ta bejne vetem metaforikisht. Remains biles ne vetvete eshte fjale ofensive.

    1. DI, unë s’e kisha dëgjuar ndonjëherë këtë punën e “pronësisë biologjike”; dhe aq më pak që dikush mund të jetë “biologjikisht shqiptar”. Nuk besoj se ndokush mund të jetë “biologjikisht” shqiptar – kanë vallë genet kombësi?

      Thua: “për shtetin shqiptar eshtrat e Nënë Terezës i takojnë atij.” Shpresoj ta kesh me shaka, sikurse shpresoj që shteti shqiptar ta ketë me shaka.

      Thua: “prishja e marrëdhënieve diplomatike me Indinë do të ishte më se e justifikuar…” Unë them se Shqipëria duhet të mendohet mirë, para se të vendosë që ta marrë Indinë më qafë.

      Më në fund, anglishtja remains jo vetëm që nuk është ofensive, por i përket një stili formal, pothuajse solemn.

  5. Sigurisht qe ka biologjikisht shqiptar, femija i sapolindur nga dy prinder shqiptare, mund te jete shqiptar vetem biologjikisht; po deshe lere pa kombesi derisa te mbushe kriteret e tua, aty nga fundi i adoleshences.

    As une e as shteti shqiptar nuk e kemi me shaka, eshtrat jane te rendesishme ne politiken e jashtme, dihet pergjithesisht te ushtarave te vrare, po ka edhe raste si keto, ku shtetet jane shume serioze; shakaja u lejohet shkencetareve qe merren me ceshtje madhore dhe qyfyrexhijve qe fitojne pike me batutat.

    Indise nuk i intereson te krijoje problem nderkombetar, meqe do vihej ne dyshim boterisht ‘indianesia’ e Nene Terezes… Shtetet e popujt jane shume te kujdesshem kur vjen puna tek pronesia e nje Emri te Madh. Ne kete do humbiste vetem India, Shqiperia sdo humbte asgje nese do bente zhurme nderkombetare.

    Remains i thone dickaje qe mbetet, cka nuk eshte fort e pelqyeshme edhe metaforikisht e solemnisht per mendjen e shqiptarit. Mund ta beje edhe shqipja , mund te perdorim mbetje dhe ngelje, po asnjerit sdo i pelqente kjo gje solemne…

  6. Nga shkrimi i mesiperm me lindin disa pyetje qe mund te permblidhen:

    1- A mund ta konceptojme figuren e Nënë Terezës si pronësi kulturore edhe tonen?

    2- A mund te kremtohet, per shembull si Muze shtepia ku pa lindur dhe ka kaluar femijrine Nene Tereza?….

    3- A luan ndonje rrol fakti se nga cilat arsye ose interesa nisen qeveritater shqiptare, per njohjen dhe vleresimin e figures se Nene Terezes si pronesi e kultures shqiptare?

    Po e filloj nga pyetja (3):

    Xhaxhai shkruan; ……..thelbin e mekanizmit që vë në lëvizje dëshirën për t’i përvetësuar eshtrat e Nënë Terezës; dhe që ka të bëjë me transferimin e kapitalit kulturor, ose të prestigjit. Ky mekanizëm mbështetet në një mendësi parazitare, e cila përfaqëson në mënyrë tipike shqiptarin post-totalitar……….

    Per sa i perket “mendesise parazittare ose fitimprurese” te psh. Qeveritareve ne lidhje me kete ceshtje mund edhe te qendroje, bile edhe si i vetmi qellim por edhe si nje qellim paralel me ate te detyres se shtetit ndaj qytetareve te tij.
    Mendoj se e drejta per transferimin e nje kapitali kulturor ose prestigjit pergjithesisht ne qofte se kjo eshte e ligjshme (pra ne qofte se i takon), eshte nje e drejte mese legjitime dhe detyre e cdo shteti ndaj qytetareve te tij, pra nje e drejte ne vetevete. Kjo e drejte nuk mund te kompromentohet ose te mohohet, pra nuk humbet edhe ne rastin kur kerkuesit e saj ( pra thelbi i mekanizmit si dhe deshira) nuk perkojne me ato qe e lindin kete te drejte ne te vertete. Kjo per faktin se nuk jane arsyet ose qellimet e kerkuesve qe e lindin ose e legjitimojne kete te drejte. Nje ceshtje tjeter eshte pyetja nese kjo e drejte ne te vertete egziston, pra i takon dikujt.

    Ne lidhje me pyetjen (2)

    Bota e ben nje gje te tille, pra shtepite e lindjes se njerzve te medhenj i kthen ne muze. Ja disa shembuj:

    Johann Sebastian Bach

    Perkthim:
    Shtëpia Bach Eisenach i është dedikuar, si muzeu më i vjetër i këtij lloji, kompozitorit Johann Sebastian Bach i cili u lind në Eisenach, Thüringen.
    Johann Sebastian Bach kaloi dhjetë vjetet e tij te para ne Eisenach.
    Link: http://de.wikipedia.org/wiki/Bachhaus_Eisenach

    Ludwig van Beethovens

    Perkthim:
    Vendlindja e Ludwig van Beethoven është për njerëz nga e gjithë bota, një përkujtimore e rangut të lartë. Është pike tërheqse e qytetit muzikore e Bonit.
    Ne moshen 17 vjecare largohet nga shtepia dhe vendoset ne Viene
    Link: http://www.beethoven-haus-bonn.de/sixcms/detail.php?template=startseite_museum_de

    Schilleri
    http://www.schillersgeburtshaus.de/

    Ai lindi me 1759 Johann Christoph Friedrich Schiller lindi ne Marbach.
    Nga 1764-1766 Familia Schiller jetonte ne Lorch,
    Me 1766 Nderrim banimi te Families ne Garnison Ludwigsburg.
    Link: http://www.bib.uni-mannheim.de/252.html

    Pse te mos behet muze edhe shtepia e lindjes se Nene Terezes???

    Ne lidhje me pyetjen (1)

    Ne fakt faqe serioze interneti e pershkruajne ate si „albanisch–indische Nonne“ pra „murgeshe shqiptaro-indjane“.
    Linku: http://www.fembio.org/biographie.php/frau/biographie/mutter-teresa/

    Dhe une nuk kam hasur ne ndonje faqe qe te mos e zere ne goje prejardhjen e saj nga nje familie me te dy prinderit shqiptar, pra prejardhjen shqiptare si dhe emrin e saj te femijerise.

    Pse te mos ta quaj edhe une ate si figure te pakten edhe shqiptare……….

  7. Poezi e Nene Terezes (!):

    Po lë shtëpinë zemërfanar
    Vendlindje e farefis
    Po vete n’Bengalin dergje-vrarë
    Atje, në të largtin vis.

    ………..
    http://tesh.albemigrant.com/tet2003_2.htm

    Kurioze po aty:

    ””’ Nënë Tereza kishte gjithashtu pashaportë nga India, Vatikani, Britania e Madhe dhe Italia. Kur i thane per pashaporten Shqiptare ajo u pergjegj: E pranoj me kënaqësi, sepse është pasaporta e vendit tim; atje kam nënën dhe motrën, atje kam miq e të njohur, atje shumë shpejt do të hapim misionin tonë e unë do të jem vetë aty. Kur mori çmimin Nobël në vitin 1979, amerikanët i ofruan nënshtetësinë amerikane dhe pashaportën, por ajo nuk pranoi.”””

    Ja paska futur amerikanit; marr pasaporten shqiptare dhe sme plas per ate amerikane.

    Vetem me kete gjest ben me turp nja 4,2 milion shqiptare…..

  8. Kjo puna e obsesionit të parisë së Tiranës për Nanë Terezën po merr përmasa absurde. Tani Banka e Shqipërisë del në lojë me prerjen e monedhave të arit me figurën e Nënë Terezës…
    Ja edhe deklarimi i Berishës me këtë rast:

    http://bw.balkanweb.com/homepage/shqiperia-monedha-floriri-me-portretin–e-nene-terezes-11861.html

    A dini gjë a ka deri më tani ndonjë prerje me kokën e Lekës së Madh, Pirros, Gjergj Kastriotit, Sami Frashërit, Ismail Qemalit, Ahmet Zogut, Enver Hoxhës apo Sali Berishës ??

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin