Askush nuk e kishte menduar se kompozitorit të njohur Brahim L. do t’i fillonte rrokullima atë mëngjes të freskët tetori; në fakt, askush nuk e kishte vrarë mendjen veçanërisht për kompozitorin Brahim L. atë mëngjes të freskët tetori, me përjashtim ndoshta të Brahimit vetë.
Kompozitori i këngëve të tilla masash, si “Zgjohu, rreze drite” dhe “Flladi në flamur”, po shkonte të tërhiqte një honorar të rëndësishëm në zyrat e Lidhjes së Krijuesve, së bashku me të shoqen Lirika. Te kryqëzimi i rrugës “Mihal Duri” me rrugën “Konferenca e Pezës”, Brahimi u përshëndet me një grua të quajtur Liçi, prostitutë e njohur në Tiranë, e cila po ngrohej në diell, ulur në parapetin e nevojtoreve publike.
Lirika kërkoi të dinte më tepër; dhe pikërisht se çfarë e lidhte një personalitet si Brahim L., komunist dhe njeri të besuar të kulturës, me një mbeturinë parazitare si kjo Liçi, së cilës nuk i afroheshin as qentë; pa përmendur pastaj guximin e marrë të të shoqit, që nuk kish ngurruar t’i jepte të njohur një lavireje në prani të bashkëshortes.
Brahimi i tha se nuk e njihte atë njeri, por vetëm e kish përshëndetur për t’ia kthyer buzëqeshjen; duke iu bindur refleksit të njerëzishëm të kujt dëshironte të mbante raporte normale me kalimtarët; i tha se për shkak të profesionit i qëllonte të binte në kontakt me shumë artistë amatorë të cilëve pastaj ua harronte emrat dhe fytyrat; i tha se nuk kishte asnjë lidhje me Liçin as me ndonjë prostitutë tjetër, dhe se ai vetë nuk e kish pritur që Lirika të ishte kaq e informuar për të tilla dukuri në lagje dhe më gjerë.
Përgjigjja e Brahimit u gjykua e pamjaftueshme.
Lirika kish pasur gjithnjë dyshime për moralin e shkrimtarëve dhe të artistëve, edhe pse jo pikërisht të Brahimit, i cili mbahej për burrë familjar dhe shembullor, i palëkundur në shtrat dhe kudo gjetiu. Incidenti i mëngjesit, edhe pse trivial në vetvete, vetëm sa ia konfirmoi një frikë që i ishte grumbulluar prej kohësh në nënvetëdijë, si reaksion ndaj qetësisë madje rutinës së marrëdhënieve bashkëshortore.
Dy ditë të tensionuara më pas, Lirika i kërkoi takim shokut Nexhip R., në Drejtorinë e Propagandës dhe të Artit; kushëri i saj jo fort i largët dhe njeri që i shkonte fjala. Ia rrëfeu incidentin e turpshëm me prostitutën, i përmendi meritat e Brahimit por edhe të farefisit të tyre, i kërkoi një këshillë si të vepronte, në rrethanat kur ajo dhe Liçi jetonin në të njëjtën lagje të Tiranës. Nexhipi e qetësoi me argumente të arsyeshme dhe i premtoi se do ta çonte çështjen lart, siç edhe veproi.
Në mbledhjen e zakonshme të organizatës bazë në Lidhjen e Krijuesve, Brahimit i kërkuan të jepte shpjegime se ç’e kishte shtyrë të hynte në marrëdhënie intime me një person të papërshtatshëm, si prostituta e njohur Liçi, duke komprometuar veten, emrin e familjes dhe figurën e artistit. Brahimi reagoi me habi të sinqertë, por nuk e besuan. Pati të qeshura, pëshpërima, përsëri të qeshura. E porositën që të reflektonte dhe të dilte me autokritikë të thelluar; dhe ndërkohë të ndërpriste çdo lloj kontakti me Liçin dhe çfarëdo prostitute tjetër, për të mos e rënduar edhe më pozitën e vet delikate.
Kur u kthye në mbrëmje në shtëpi, Brahimi vuri re se Lirika i kishte lënë një shënim të lyrosur në tryezën e bukës, për ta njoftuar se po shkonte disa ditë tek e jëma, në Fier.
Tashmë mendërisht i paralizuar nga ankthi, autori i “Marshit pionier” dhe i oratorios “Mamica” vendosi të dalë për një shëtitje të shkurtër, me shpresë se ashtu do t’ia gjente fillin këtij lëmshi absurd. Fqinjët e panë, jo pa një farë gëzimi të hidhur, të ecte i kërrusur në trotuarët që, zakonisht, i shkelte kokëlartë dhe krenar, duke kënduar nën zë motive të muzikës klasike ose të folklorit shqiptar.
Tek një rrugicë ia preu rrugën silueta e një kamioni me karroceri të mbuluar me mushama të zezë; në kabinë dy burra tymosnin të heshtur, teksa dikush ngarkonte rrangulla në karroceri. Brahimi kërkoi t’i kalonte kamionit nga mbrapa, por ia zuri rrugën një grua e veshur me xhup të vjetër lëkure, që tërhiqte pas vetes një vocërrak, e që iu duk fytyrë e parë. U përshëndetën. Më pas, kompozitorit të njohur iu kujtua që kjo grua nuk kish qenë veçse prostituta Liçi; dhe iu mor fryma nga një ngërç i beftë paranoje. Pse i dilte përpara kjo shtrigë?
Shteti i punëtorëve dhe i fshatarëve me të drejtë e dënonte prostitucionin, mendoi Brahimi. Elemente të huaja dhe në thelb të papranueshme si kjo prostitutë, që mund t’ua shkatërronin jetën kuadrove vetëm me një përshëndetje çfarëdo, nuk mund të liheshin të livadhisnin në Tiranë dhe të provokonin qytetarët. A po e kryente si duhet detyrën Komiteti i Dëbimeve?
Brahimi nuk kish si ta dinte se, në të vërtetë, Komiteti i Dëbimeve po e kryente detyrën e vet më së miri; duke ia dërguar qytetares Feliçeta M. mjetin transportues tek dera e shtëpisë, së bashku me urdhërin e dëbimit për parazitizëm. Të katalizuara nga ndërhyrja e shokut Nexhip në instancën përkatëse, organet e diktaturës edhe këtë herë kishin vepruar me shpejtësi dhe efikasitet të madh, ndonëse në heshtje dhe larg skenës publike; për të mos shqetësuar masat punonjëse pa arsye.
Tek çapitej rrugëve të lagjes, ç’e kaploi Brahimin malli për Lirikën… dhe nxitoi të kthehej në shtëpi te pianoja, për të mos e çuar dëm motivin muzikor që po i kacavirrej buzëve.
nuk di, por kjo fjale ”autokritike” me ngjall ethe, djerse e ftohte me pershkon trupin dhe figura e pajete e ish kryeministrit mehmet sh. me syzet e erreta me kalon para syve. e ka fajin me duket emisioni ”focus” i robert p. qe e shikoja i vogel
“i palekundur ne shtrat”. E vetmja menyre per te pershkruar autorin e “Marshit Pioner”, ma do mendja.
i printoj keto dhe pastaj e gjej veten duke i zverdhur me highlighter te gjitha ato gjera qe me… thone dicka. Mua personalisht me thone dicka.
Missed ya to death, Maks Gjerazi! Not easy to admit it.
Ajo qe me ben pershtypje eshte si si po arrihej veertet ne eleminimin e çdo lloj logjike njerezore…Lirika,meditimi i Brahimit ne pasditen e vetmuar….
Maks,
Personazhi me emrin domethënës Feliçeta më transportoi me efektet përkatëse në epokën – e lavdishme – të një Tirane të caktuar underground të ’80.
Një pjesë e mirë e femijërisë sime u formatua në ambientet paralele të Kinostudios – sigurisht larg tarafeve me partishmëri të lartë – dhe pjesërisht sajë tyre, e theksoj, vetëm pjesërisht – më është dhënë rasti të njoh edhe një personazh me të njëtin emër, prej të clit dyshoj se vjen edhe inspirimi i emrit të personazhit të tregimit.
Feliçetën time sigurisht që nuk e kujtoj posaçërisht në pozitat që përshkruhen më lart, edhe pse vetë emri i saj krijonte një situatë paralele tejet sugjeruese për kohën, i cili emër, dashje pa dashje, i kish shenjuar edhe personalitetin. Apo e anasjellta?
Ju falenderoj sinqerisht që ma mundësuat këtë transportim surprizë në një Tiranë tashmë rahmetlie, Tiranë e cila i ngjasonte shumë situatave të qyteve të rrënuara levantine që i rezistonin si mundnin globalizmit modernizues, në rastin konkret atij socialist me nivelim nga masat proletare dhe fshatare.
p.s. për konsum të brendshëm, po përjcell një situatë të jetuar gjatë një vere të nxehtë në mes të viteve ’80 me personazhin me të njejtin emër:
Pas disa javëve xhirimesh për një dokumentar në një nga zonat më të bukura të jugut të vendit – dokumentar i cili rrekej të nxirrte në pah arritjet e lavdishme të RPSSH në lëminë e shkencës gjeologjike, më saktë, në prodhimin e arit të zi në vend me forcat tona – ekipi i xhirimeve kthehej drejt Tiranës me automjetin e dikasterit.
Në afërsi të Fierit, një patrullë e policisë rrugore në krye të detyrës vendos të ndalojë automjetin për të kryer një kontroll identiteti.
Vlen të theksohet se automjetit të dikasterit i kish skaduar autorizimi për lëvzijen në fjalë rreth një javë pëpara datës së kthimit. Qartësisht, arsyesja e mosrespektimit të limiteve kohore të autorizimit i dedikohej faktit se ekipi i kish kushtuar xhirimeve po aq kohë sa edhe eksplorimeve turistike të avancuara në hapësirat e virgjëra të bregdetit shqiptar.
I shqetësuar nga parregullësia e situatës në të cilën gjendej, ekipi e priti me nervozitet policin djaloshar lëkurëskuqur, veshëspikatur e shtatimët. Pasi mblodhi letëtrnjoftimet e pjesëtarëve të ekipit, së bashku me autorizimin, në heshtje të tendosur, dhe pasi konstatoi parregullsinë shqetësuese në dëm të financave të shtetit, polici, dukshëm i impresionuar prej prezencës së kalibrit të artistëve në ekip, nisi procesin e identifikimit.
Rradha sigururisht i erdh edhe vajzës së shkathët me emrin e mësipëm, e cila, sikurse një pjesë e caktuar e udhëtarëve, nuk ish pjese e efektivit punonjës të dikasterit.
Pas një momenti të gjatë heshtjeje me letërnjoftimin e vajzës në duar dhe haptas më i kuq se më parë, i drejtohet asaj në formë pyetjeje: Felicità?
Cilido që e ka jetuar epokën pararendëse me sensibilitetin e duhur për absurdin e mirëkupton hilaritetin që krijoi afirmimi naiv i shfaqeve të huaja në gjirin e kolektivit punonjës të forcave të rendit, hilaritet i cili e zuri ngushtë policin në krye të detyrës, por konfirmoi djaloshin me shije artistike tepër të guximshme dhe reaksionare për statusin e tij social dhe politik.
Parregullësitë e ekipit artistik heterogjen u anashkaluan me babaxhanllëk nga djaloshi, i cili sakaq kish triumfuar mbi policin, e që haptas e kish kuptuar rastin unikal për t’u mirëkuptuar nga artistë të vërtetë.
Me këtë rast, ekipi i artistëve kryeqytetas, i çliruar tashmë nga presioni, pati rastin shijonte, herë me mirëkuptim e herë me cinizmëm, shprehjen e dashurisë së sinqertë të djaloshit për artistët e vërtetë, kinemanë, letërsinë, por sidomos për poezinë – sport nacional i shqiptarëve të keqkuptuar – pa harruar pasionin e tij për çiftin Albano & Romina Power dhe sidomos për hitin të tyre të ’80, Felicità.