PËR NJË FJALË GOJE

Në atë kohë, çdo familje e respektueshme e kishte nga një fëmijë gjeni. Melsi i vogël, që ishte djali i vetëm i drejtorit të Drejtorisë së Riedukimit Kaso Y., mund të recitonte përmendësh, rrjedhshëm dhe shtruar, listën e plotë të anëtarëve dhe kandidatëve të Këshillit të Shtetit.

Kjo dhunti e paparë ishte edhe fryt i përpjekjeve të palodhura të nënës ambicioze të Melsit, shoqes Nermin, e cila nuk linte pasdite pa e vënë të birin të përsëriste aktin e vet, të garantuar për t’i dhuruar admirim dhe duartrokitje.

Pas dënimit që iu bë Olimpiadës së II të Teatrove Profesioniste, në përbërjen e Këshillit të Shtetit pati ndryshime; ministri i Arteve Skenike Dhanil Gj. u përjashtua nga Këshilli, ndërsa Rektori i Universitetit Akademik, prof. Gjovalin U., kaloi nga anëtar në kandidat; njëkohësisht, në Këshill u pranua një anëtar i ri, kryetari i Kooperativës së Tipit të Lartë të Ballgamit, shoku Myfit M.

Në atë kohë ndryshimet politike ndodhnin rrufeshëm, siç e kërkonte revolucioni. Melsi i vogël nuk pati kohë ta perfeksiononte listën e re të Këshillit të Shtetit, sepse vetëm një ditë pas botimit të saj në Gazetën Zyrtare, u ftua familjarisht në fejesën e njërës prej të bijave të veteranit Ndreçi R., ku të gjithë e pritën me dashuri të madhe dhe menjëherë i kërkuan të demonstronte aftësinë e vet të vetme, por absolute.

Për fat të keq, gjeniu i vogël i familjes së shokut të nderuar Kaso Y. nuk kishte pasur kohë ta provonte si duhej radhitjen e re, prandaj u ngatërrua keqas gjatë recitimit, duke harruar padrejtësisht jashtë listës ministrin e Nënprodukteve Fatbardh L., por duke ia ruajtur vendin ish-ministrit të Arteve Dhanil Gj., të cilit, përkundrazi, i kish perënduar tashmë ylli.

Në darkën e fejesës ndodhej edhe Antoneta, kunata e Fatbardh L., së cilës nuk i shpëtoi fakti që emri i të kunatit kishte mbetur pa u përmendur gjatë recitimit të gjeniut; menjëherë u dyshua për më të ligën, dhe Fatbardh L. e mblodhi familjen mënjanë, për të lënë porositë që lihen në kësi rastesh. Të gjithë e interpretuan gabimin e të birit të drejtorit të Drejtorisë së Riedukimit si pakujdesi kobzezë ose shenjë kuptimplote.

Nata shënoi edhe disa ngjarje të tjera serioze: Melsin e rrahu paq i jati në veturë, jo aq për recitimin e keq dhe ngatërrimin e emrave të dinjitarëve më të lartë të shtetit, sesa për një copë çuditërisht të lëmuar shrapneli që ia gjeti në xhep të pantallonave e që pas gjase gjeniu i vogël do ta kish zhgrapur prej muzeut të vogël privat të veteranit Ndreçi R.; ministri i Nënprodukteve Fatbardh L. skicoi në bloknotin e vet një projekt-autokritikë, në dy seksione: njërin për gabimet që i kishte kryer vërtet, tjetrin për gabimet që mund t’i kishte kryer, e që mund t’i përmendte në rast nevoje; më në fund, ministrit të Brendshëm Shazivar G. i çuan me korrier në shtëpi një faksimile të një denoncimi të vjetër kundër kunatës së Fatbardh L., Antonetës, e cila paskësh shitur privatisht një makinë qepëse Singer, për një shumë të ekzagjeruar.

Në atë kohë listat përfaqësonin rregullin mbi të cilin ngrihej dhe funksiononte shteti; renditja ishte njëkohësisht diagram i raportit të forcave, ose formulë që duhej përvetësuar me entuziazëm nga të gjithë ata që shpresonin t’i mbijetonin luftës për ekzistencë. Këtë e kuptonte më mirë se kushdo tjetër drejtori i Drejtorisë së Riedukimit, Kaso Y., të cilit puna e përditshme i kërkonte të merrej me gjithfarë listash të tjera: kuadro të zhdukur, kuadro të zhdukshëm, kuadro për t’u zhdukur, kuadro rezervë për t’u dënuar, kuadro të pariedukueshëm, kuadro rezervë për t’u liruar nga internimi…

Fqinjët e vilës ku jetonte familja e Kasos e dëgjuan çiftin të ndërronte fjalë në orët e vona: ishte Kasoja vetë, i cili pas një telefonate që i kishte mbërritur në linjën sekrete, kishte zgjuar të shoqen Nermin nga gjumi dhe i kishte kërkuar t’ia recitonte emrat e anëtarëve dhe të kandidatëve të Këshillit të Shtetit një më një. Gojët e këqija thanë më pas se Kasoja, duke arsyetuar në mënyrë dialektike, kishte nxjerrë përfundimin se rrënjët e gabimit që kish bërë i biri në recitim e sipër shtriheshin më thellë se ç’dukej, dhe se ndoshta duheshin kërkuar tek e shoqja; sikurse thanë edhe se Nermin Y., e ndërprerë herë pas here nga dënesa të furishme,  e paskësh recituar listën vetëm pasi Kasoja e kishte kërcënuar haptazi me revolverin e shërbimit. Në recitim e sipër, kishte mbërritur poshtë në rrugë ministri i Brendshëm Shazivar G., për ta marrë kolegun e vet e për t’u larguar të dy në drejtim të Kodrave të Liqenit.

Të nesërmen, Melsi i vogël u gdhi i sëmurë me shytat, dhe mjeku pediatër Minella L. i urdhëroi regjim shtrati; dera e dhomës ku flinte shoqja Nermin qëndroi e mbyllur deri në mesditë; ndërsa Këshilli i Shtetit, në mbledhjen e vet të radhës, refuzoi kategorikisht kërkesën e drejtorit të Drejtorisë së Riedukimit, Kaso Y., për të kaluar nga anëtar, në kandidat të Këshillit. Populli nuk do të na kuptojë, u tha të kishte thënë, me atë rast, Diktatori.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin