Na iu thye semiaksi Fiat-it në qafën e Butit, prandaj u detyruam ta kalonim natën në Zvarrisht, në shtëpinë e Perlat L., në pritje që të na dërgonte Ministria makinë tjetër.
Kur e shterruam muhabetin rreth gropave të xhadesë, e pyetëm të zotin e shtëpisë për gazin e Degës së Brendshme, që kishim shquar kalimthi, pranë vendit ku tashmë dihej se ishin zbuluar, nga arkeologët tanë, tuma të fisit ilir të pleuratëve, mes të cilave ndoshta edhe varri i mbretit legjendar Ilkeas.
Perlati, që ishte edhe nipi i Heroit të Popullit Zaho L., na tha se gërmimtarët nga Tirana ishin sistemuar tani në hotelin “Delvina” në Delvinë, ndërsa gërmimet ishin pezulluar me urdhër nga lart.
Ç’ishte e vërteta, tumat e pleuratëve ilirë i kish zënë disa herë në gojë autodidakti Tahir M. në artikujt e vet në Drita, madje në Institutin e Historisë gojët e liga të pëshpëritnin, gjysmë në konfidencë, se i pari që i kish identifikuar ato rrënoja unike për nga vlera në mbarë Ballkanin paskësh qenë dandy fiorentinas Cagnolini, nipi i kontit famëkeq Ciano; gjatë një ekspedite të nisur me bujë para pushtimit fashist të Shqipërisë në prill të 1939-ës e të bitisur brutalisht gjatë luftës italo-greke.
Si fshat, Zvarrishti kishte luftuar mirë dhe ishte djegur dy herë, nga ballistët më parë, nga gjermanët më pas; vendasit nuk donin t’ua zije në gojë Cagnolini-n, i cili në muzeun e krahinës përmendej shkarazi si agjent i regjur i SIM-it dhe topograf i ushtrive të Duce-s; për çka edhe ishte pushkatuar prej grekëve, siç thuhej.
Më tej, po t’i besoje Strabonit, pleuratët e lashtë e kishin zakon t’i përcillnin të vetët në botën e përtejme duke i ngarkuar me gjithfarë stolish të florinjta e visaresh të tjera për udhëtimin e fundit; pa përmendur pastaj që diku në trojet e tyre duhej të gjendej edhe e famshmja minierë e Augias-it, e mirënjohur në lashtësi si një nga më të shfrytëzuarat për të furnizuar me ar safí Romën e perandorëve.
Prof. Cagnolini, edhe pse jo i pashëm, thuhej se kishte kaluar dy behare në shtëpinë e Xhelal Y., një jabanxhi nga Gojani, ardhur në Zvarrisht në fillim të viteve 1930 dhe që, pas Çlirimit, u bart me kuç e me maç në Tiranë, i shpërblyer për ndihmat bujare që i kish dhënë Frontit gjatë Luftës; vetë shtëpia, e rindërtuar edhe ajo dy herë, shërbente tani si vatër kulture dhe muze historik dhe etnografik i krahinës, të cilin e vizitonin me ëndje edhe turistë të huaj.
Perlati na tregonte tani se gërmimtarët nga Tirana, pasi i kishin rrëmuar me kujdes tumat rrëzë malit të Shkrepëtimës, kishin vendosur më në fund ta hapnin atë që, sipas mendimit të autoritetshëm të bashk. vj. shk. Fotaq H., duhej t’i përkiste legjendarit Ilkeas; por kur ia kishin shkulur më në fund varrit rrasën e rëndë prej guri kishin gjetur aty jo eshtrat e mbretit të lashtë, as thesaret e paçmuara të artit e të numismatikës ilire, por thjesht kufomën e vjetër e të shkërmoqur të një civili dhëmbaç veshur me qilota dhe gjimnastiorkë ushtarake, që sipas një monogrami të qendisur me dorë në këmishën prej liri nuk paskej qenë veçse ish-aventurieri fashist Cagnolini dora vetë.
Që këtej, shpjegoi i urti Perlat, edhe prania e domosdoshme por e përkohshme e gazit të Degës përbri zonës së gërmimeve, edhe pse, për mendimin e tij dhe të të tjerëve në Zvarrisht, çështja u duhej lënë tashmë në dorë historianëve.
Shpesh tekstet e botuara nga Gjerazi te kujtojne cilesite e diskursit post-modern, kriticizmi, si riinterpretim i teksteve te meparshme, sidomos nje menyre e re e leximit te historise dhe psikologjise sociale. Nga te paret, bashke me Derridane ne vitet ’60-’70, J. F. Liotard refuzoi kuptimin e historisë si një proces të vetëm. Ai formuloi kuptimin e saj si një pluralitet kuptimesh, pra shumësi rrëfimesh, që historia mund të japë. Sipas Daniel Fishman: “Një ide qendrore e postmodernizmit është ajo sipas së cilës ne e interpretojmë në çdo çast realitetin përmes një palë “syzeve” konceptuale, sipas synimeve konkrete që ndjekim në atë çast të dhënë, përvojave tona të kaluara, vlerave orientuese, bagazhit të njohjes, natyrës së gjuhës, prirjeve kulturore nga të cilat nisemi e kështu me radhë” (The case for pragmatic psychology, p. 5). Ne tekste te tilla shfrytezohen disa nga teknikat e postmodernizmit, si: intertekstualiteti, pluraliteti dhe ironia, eklektizmi dhe teknika e pastishit (te pranishme edhe ne shkrimin e fundit te Gjerazit).
Pothuaj te gjitha tekstet e tij, mund te merren si ilustrime per teorinë qe e sheh shoqërisë postmoderne si një shoqëri simulacre-sh, gjasmimesh (Jean Baudrillard) ose shoqëri simuluese (që çdo gjë e bën “prej gjasme”), ku sugjerohet se njeriu po zhvillon një “lojë gjuhësore” të re, që nuk pohon të vërtetën absolute, po që regjistron një botë marrëdhëniesh gjithnjë e më në shndërrim (mutation) ndërmjet individëve si dhe ndërmjet individit dhe botës.
Ndjese per citimet e shumta, por desha t’u jap nje kuptim me pertej te pelqyerit te zakonshem teksteve qe Gjerazi i poston vazhdimisht, pa marre parasysh nese ia vijojne idene (dhe stilin, nese mund te flitet per stil ne postmodernitet) apo jo.