Të paktë janë ata që e dinë arsyen pse i perëndoi ylli Mirush S., oficer i kundërzbulimit me katër gjuhë të huaja dhe dy diploma universitare, dikur i preferuari i ministrit të Brendshëm Jaho L., dhe i përfolur si i dashuri i vajzës së vetme të Kryetarit të Këshillit të Shtetit, Arta G.
Një miku ynë i mirinformuar thotë se Mirush S. ra viktimë e zotësisë së tij dhe u likuidua vetëm e vetëm sepse pati shumë sukses, njëlloj si ai artisti ose inxhinieri i talentuar, që kritikohet rëndë nga eprorët për t’u dhënë pak shpresë të tjerëve: të patalentuarve, mediokërve, këmbësorëve.
Në një kuptim, Mirushin e mori në qafë projekti madhështor dhe ambicioz i Kryeministrit, për të vënë nën kontroll pakënaqësinë e masave e për të mos e lejuar armikun që ta shfrytëzonte.
Kryeministrit i kishte bërë përshtypje një emision televiziv që kishte parë, ku flitej për konkurrencën midis agjentëve patogjenë; sipas shkencëtarëve, të sëmurët me grip nuk prekeshin nga fruthi – meqë njëri virus ia mbyllte dyert e trupit virusit tjetër. Po atë mbrëmje, shtetari i lartë ideoi krijimin e një organizmi të posaçëm: Sektorit P., i cili do të vinte në fré propagandën armiqësore në popull duke e kontrolluar nëpërmjet një operacioni të pagëzuar si “Kundërhelmi”.
Këtij sektori të kundërzbulimit do t’i vihej në dispozicion një numër të pakufizuar agjentësh operativë të Sigurimit, të cilët do të mbillnin në popull farët e pakënaqësive: radhët e gjata, këtë e arrestuan kot, ku i ke hekurudhat, ky regjim s’e ka të gjatë, për Shqipërinë ka folur Papa, Diktatorit i paska rënë damblla e i ka marrë gojën, mos i hani pulat hungareze.
Më mirë t’i themi ne këto gjëra, i kishte shpjeguar Kryeministri ministrit Jaho L., sesa t’i thonë ata.
Oficeri i ri Mirush S., me katër gjuhë të huaja dhe dy diploma universitare, u emërua në krye të këtij organi të domosdoshëm të luftës së klasave dhe u porosit që të përpunonte një platformë të thashethemeve, të cilat do të përhapeshin pastaj, me mënyra të njohura e të kolauduara, prej punonjësve të fshehtë të Sektorit.
Miku ynë nuk e kishte parë platformën me sy, por e kishte këtë informacion nga e dashura e tij në Drejtorinë e Koordinimit të Denoncimeve, e cila ishte habitur me ndryshimet e vëna re në përmbajtjen dhe në formën e raporteve që mbërrinin nga gjithë vendi, prej informatorëve të rregullt të Sigurimit, që nuk ishin në dijeni të veprimtarisë së Sektorit ultrasekret P.
Autobusët e Shkodrës nuk bënin, mielli kishte zënë myk, në disenjon e çorapeve të trikotazhit të Korçës mund të lexohej mbiemri i një trockisti të vjetër agjent të jugosllavëve, busti i Jeronim de Radës në Delvinë ka derdhur lot, një kapiten i një katri silurues kishte vrarë veten, në spitalin ushtarak mungonte kloroformi, në një emision të Radio Moskës aktori i arratisur Tahir V. kishte lexuar vargje të poetit tonë kombëtar Tahsim I.
Aq i suksesshëm kishte qenë ky operacion i kundërzbulimit, sa mbarë vendi tani ziente nga thashethemet armiqësore, agjitacioni dhe propaganda, shpifjet dhe shtrembërimet, nxirjet e realitetit dhe të tjera dukuri që, më parë, kishin qenë prerogativë e armikut ose e njerëzve të paformuar dhe me lakra në kokë.
Tashmë në popull flitej haptazi edhe për ekzistencën e një grupi kuadrosh të larta të Partisë dhe të Shtetit të cilat nuk pajtoheshin me vijën e ndjekur; të gjithë njerëz besnikë e të popullit, por që kërkonin të bënin diçka, para se vendi të përfundonte në humnerë. Sipas mikut tonë, ky krye-thashethem kishte dalë nga vetë dora e Mirush S., si kurorëzim logjik i operacionit “Kundërhelmi”; ministri Jaho L. vetëm sa e kishte miratuar.
Përsiatej edhe një plan për të hequr qafe vetë Diktatorin, duke shtënë në punë një nëndetëse, edhe pse detajet e mëtejshme në lidhje me mënyrën e eliminimit mbeteshin të paqarta.
Diktatorit, që kishte qenë me pushime pune në Patok, i kishte shkuar një raport në të cilin thuhej se vendi ishte në prag të luftës civile, edhe pse Sektori P., nën drejtimin e Mirush S., me katër gjuhë të huaja dhe dy diploma universitare, ishte në kontroll të plotë të situatës, të cilën e kishte krijuar dhe pilotuar vetë atje ku dëshironte, në pajtim me direktivat përkatëse.
Në këto rrethana, Diktatorit nuk i mbetej veçse ta çonte edhe një shkallë më tej përbetimin, dhe të urdhëronte arrestimin e Mirush S. dhe të bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë, të cilët logjikisht u identifikuan si fajtorë kryesorë për komplotin në kokë të Shtetit.
Duke përfituar nga kompetencat e gjera që u kishte dhënë Partia, u tha në Plenumin e mbledhur për këtë qëllim, grupi armiqësor i Mirush S. përgatiti përmbysjen me dhunë të pushtetit popullor, me shpresë se do të shfrytëzonte pakënaqësinë në masat, të cilën e kishte përhapur vetë dhe artificialisht.
Ka disa detyra, thotë miku ynë, në të cilat duhet dështuar, sepse janë konceptuar të tilla që të dështojnë; por njerëzit shumë të mençëm si Mirush S. nuk e kuptojnë dot se suksesi mund të arrihet ndonjëherë edhe nëpërmjet dështimit; që këtej, nevoja që kemi të gjithë për doza të shëndetshme mediokriteti.
Maksi,deshtimi nuk eshte deshtim.Eshte nje pershkrim i nje hapi ne nje drejtim te caktuar i cili ne fund te con ne zbulimin e nje metode te re.
Me kete sikur te kishte ndodhur,sistemi me nje gur do te mundte me vra dy zogj.Zogu i pare do te ishte mbarimi i metodes se vjeter qe siguronte te burgosur ne me menyre te rastesishme.Zogu i dyte do te ishte ekonomik.U rriten te ardhurat nga rritja e numrit te trenave me krom kah portit te Durrësit.
Nuk mund te ta kuptoj aq lehtesisht kete shendetin e mediokritetit.Mediokriteti mund te jete sasi qe nevojitet te kalohet per te arritur te siperiteti??Apo eshte kufiri i te patalentuarit ne djallezi?
se ç’me la nje si shije Kafkiane…Ne kufijt e absurdit….Eshte e tmerrshme forca dhe aftesia e mediokreve per t’u bashkuar..
reale? Sigurisht qe jo por e mundeshme. Njoh njerez qe kane perjetuar situata me absurde.