ERA E FRIKËS

Klithma - Edvard MunchEdhe frika mban erë. Ose më qartë, frika mund “të nuhatet“, ashtu siç mund të komunikohet. Kur paskemi frikë, mbakemi erë frikë. Ndodh në mënyrë të pavetëdijshme.

Mediat na njoftuan për studimin e Universitetit të Dyseldorfit lidhur me sjelljen e disa studentëve në prag të provimeve. Sipas këtij kërkimi shkencor, qeniet njerëzore, sikurse kafshët, e komunikojnë ankthin e frikës nëpërmjet feromoneve (mesazheve kimike), të cilat kapen nga nuhatja e tjetrit dhe përkthehen më pas nga qendrat e paracaktuara të trurit. Me sa duket, frika bën që të lëshohen në ajër disa substanca kimike, të cilat perceptohen nga bashkëfolësit duke stimuluar të njëjtën ndjenjë. Me fjalë të tjera, në qoftë se frika do të ishte sëmundje, do të rreshtohej pa dyshim tek infektivet.

Nuk kam arsye të dyshoj tek studimi në fjalë, ndonëse ushqej mosbesim të thellë ndaj procesit, gjithnjë e më shumë në modë, të përkthimit të ndjenjave me formula kimike, sipas të cilit si dashuria, ashtu edhe urrejtja, si simpatia, ashtu edhe antipatia, mund të shpjegohen me lëvizje substancash kimike në tru. Karakteri mekanik i këtyre shpjegimeve nuk më ka bindur kurrë, ndoshta për faktin se njeriu për mua do të mbetet gjithnjë mister i ndërlikuar, ndaj u rri larg thjeshtëzimeve shkencore, që na shfaqen shpesh sikur të ishin gatuar posaçërisht për titullistët e gazetave.

Pra frika përhapet në mënyrë ngjitëse, nga njeriu tek njeriu. Porse, frika e vetme që kam tani (mos mbaj erë frikë në këtë çast?) është se mos ky mekanizëm njihej prej kohësh nga ekspertët e frikës. Ngaqë përnjimend kam dyshime për reduktuesit e jetës në formula të thata kimike, kurse për përhapjen e frikës, sidomos në shoqëritë e sotme moderne, kam bindje tejet të sigurtë. Veçse, mbetet për t’u zbuluar se sa përqind e frikës së lëngshme të Zygmunt Baumanit përhapet biologjikisht (nga njeriu tek njeriu) dhe sa përqind mediatikisht (nga mediat tek njeriut). Për mënyrën e dytë studimet janë të pafundme, por do të mjaftonte njoftimi radiofonik i Orson Welles për ardhjen e alienëve, për ta respektuar forcën mediatike në përhapjen e panikut. Pamjet e Kullave binjake në shkatërrim e sipër i përkasin një brezi më të sofistikuar përdoruesish të frikës. E fjala “përdorues” në shqip ndoshta i shkon më për shtat diskursit tonë, meqë nuk i dallon aq qartë instrumentalizuesit nga pësuesit, manipuluesit nga të manipuluarit, frikësuesit nga të frikësuarit.

Po të shqetësoheshim për të ardhmen, paksa naivisht, do të mendonim për të eturit për pushtet dhe diktatorët gjithfarëlloj. Tani, pas këtij studimi, do të dinë më mirë si ta përhapin frikën, për t’u shfaqur më pas me petkat e deus ex machina në zgjidhje të situatës. Por kam frikë (prapë mbaj erë?) se mekanizmin e kanë njohur fare mirë prej kohësh; ashtu natyrshëm, me nuhatje kafshore, pothuajse në mënyrë të pavetëdijshme, sikurse përçohet ndjenja e frikës. Besoj se turmat nuk janë jashtë loje nga kjo “lojë”. Kanë qenë dhe janë laboratorë të përkryer në këtë fushë. Tek e fundit, turma mbetet përçuesi i përkryer i frikës, sepse distanca fizike midis individëve është e reduktuar. Ndoshta, edhe për këtë arsye, shkurtimi i distancës nga trupi në trup e rrit përpjesmërisht ankthin e tyre. Paniku duhet të jetë stadi final i frikës, por këtu duhet studiuar era e adrenalinës jo e frikës. Gjithsesi, ku ka turma ka edhe liderë; madje këta, sidomos pas këtij kërkimi shkencor, shfaqen në mënyrë magjike (edhe) si zotëruesit e feromoneve të frikës, si qetësuesit e ankthit të turmës, si alkimistët e kimisë kolektive.

Si do ta përdornim instrumentin hipotetik frikometër, sikur ta kishim në dorë sot? “Je shumë i shqetësuar sot, i dashur. Fute nën sqetull frikometrin, pastaj po qe nevoja, pi një kamomil”. Do ta vendosnim në aeroporte për të gjetur terroristë? “Ding dong… ju informojmë se aeroporti ynë është i pajisur me frikometra dixhitalë…”. Apo do t’i pajisnim drejtorët e shkollave për t’i përdorur para provimeve? “Eja këtu djalosh, të shohim nëse je përgatitur apo ke frikë…”. Po parashikimet e frikës? “Vjeshtën e ardhshme parashikohet piku i epidemisë së frikës, i favorizuar nga tubimet elektorale, grevat, manifestimet dhe autobusët plot e për plot…”. Po historianët e frikës, a do të shkruanin për frikën në totalitarizëm? “Pas bombës në Ambasadën Sovjetike kryeqyteti kundërmonte nga era e frikës…”. Po etnologët? “Ky sënduk i shekullit XV, përmbante këto tirqe të zeza me erë frike…”.

Studimi i lartpërmendur na sjell ndërmend pyetje të tjera: Me ç’njësi do ta masnim frikën? Po frikën nga frika? Parafrikën? Postfrikën? Por ka edhe përgjigje. Studimi na shpjegon deri diku njërën nga mënyrat e transmetimit të frikës. Sikur të kishim studime të tjera, edhe më mirë do ta njihnim fenomenologjinë e frikës; dhe, në kufijtë e arsyes, do të dinim ta kontrollonim, ose të paktën, ta shpjegonim. Çka nuk është pak.

8 Komente

  1. Frika e eres, apo “era e frikes”? Te dyja s’jane nje. Shume jane ererat qe na rrethojne pa prodhuar frike, ndofta po aq sa edhe ato qe prodhojne frike.

    “Sikur të kishim studime të tjera, edhe më mirë do ta njihnim fenomenologjinë e frikës; dhe, në kufijtë e arsyes, do të dinim ta kontrollonim, ose të paktën, ta shpjegonim. Çka nuk është pak.”

    Nuk e shpeton as gje prej frikes qenjen e gjalle, perfshi dhe te zgjedhurin; mendimtar me dije – njeri. Me interes shoh, era frikes te kthehet ne frika e eres, pikerisht, se edhe dija e arsyes prodhon erera frike, pamvaresisht nga lloji.

  2. Te pakten i perpara 1996 eshte si studim.
    Dicka te tille e kam hasur fare rastesisht ne kengen “E-bow the letter” te REM ku thuhet :

    Aluminum, tastes like fear
    Adrenaline, it pulls us near

    Mbaj mend qe me beri pershtypje dhe asokohe mendova mos Michaeli kishte qen dru kur e kishte shkruar, kshuqe bera disa kerkime dhe gjeta artikuj shkencor qe me flisnin per sekretimin e disa substancave me permbajtje metali dhe shijen e aluminit neper goje.

  3. “Ky sënduk i shekullit XV, përmbante këto tirqe të zeza me erë frike…”.

    Fenomenale!

    Ika se me shpetoi “frika”!

  4. Frika eshte instikt i mbijeteses, i perket pjeses ekzistenciale te qenies. Eshte antikorp i vdekjes. Eshte mbrojtje nga e panjohura. E panjohura eshte me e frikshme se gjithçka, ajo qe s’e dime si eshte. Ajo e mjegullta, dykuptimshmja, e ardhmja pa fytyre. Dhe meqe edhe njeriu me i paditur, e di vogelsine e vet, pafuqine e vet, vdekshmerine e vet, frika eshte e paevitueshme dhe e domosdoshme. “Budallai nuk ka frike”, thone. Prandaj “mjere ai rob qe nuk ka frike”. Eshte tjeter gje ta mundesh friken.
    Natyrshem edhe mund te manipulohet, edhe mund te pershkallezohet ne panik, tmerr, ankth. Te gjitha pushtetet e kane manipuluar: kisha, mbreterit, diktatoret, sot edhe… mediat (pushteti i katert). Kadareja thote se genjeshtrat me te medha i sajon shteti. Nga ato qe nuk zbulohen kurre dhe ushqejne friken e bindjen.

    Kunder saj njeriu kerkon siguri.

    Mediokrit e gjejne ne turme (kolektivitet). Atje nuk u duhet te bejne zgjedhje, thjesht binden dhe perseritin te njejtat rite (fjale, zakone, veprime), pa bere pyetje.

    Te krisurit, gjoja “trimat”, hane koken (vene per dhjame qeni), thjesht per hir te mosnenshtrimit ndaj frikes.

    Te mencurit bejne pyetje dhe kaq.
    Te kujdesshmit nuk i bejne pyetjet me ze.

    Te guximshmit, ecin ne rrugen e pergjigjeve qe i gjejne vete. S’dihet nese fitojne apo humbin. Te pakten sa jane gjalle…

    Qellon qe te krisurit dhe te guximshmit takohen rruges. Te paret mund te shpallen heronj pas vdekjes. Te dytet ose mbeten anonime, ose behen udheheqes ideatore dhe bejne te nderrohet stili i pushtetit.

    Pastaj nisin te mendojne se cila do te ishte gjeja qe kane me shume frike turmat…

  5. Frika!!
    Sa me shume te friksuar te jene njerezit,aq me pak duan te tashmen e tyre dhe te ardhmen e afert ta ndryshojne.
    Ka shume lloje frikerash.Te perhershme dhe te perkohshme.
    Frikera instiktive dhe frikera te stimuluara.Frikera inteligjente te planifikuara ne studin e zhvillim persoses ne ndryshimte te ri,te cilat perdoren nga nga lart-posht per t’ua shperndare masen.
    Para kullave sejcili amerikan nuk kishte frike te shkonte ne pune,ne dyqan e restorant e kudo.Pas tyre hyri nje frike e nje lloj te ri.Ti mund te shkoje per dreke ne nje restorant dhe ne mes te saj te ndjeje coperat e trupit te tend te shperndaheshin pereth dhe te shikoje gjakun te perplasej mureve si uje i presuar.
    Hitleret doqen parlamente,komunistet dogjen kisha e zhamire,demakrato-terrositet rrezojne kulla(sepse ne nje sistem komunist zor se mund te ndodhte).
    Ca zgjedhin zotin,ca zgjedhin idene,ca zgjedhin lirine si makine prodhuese.
    Por frika me e madhe eshte ajo qe nuk te le te ndryshosh.

  6. Frika lind me njeriun..Frika nga e panjohura absolute ,nga te panjohurat per mungese informacioni,frika ,frika ,frika.A eshte e administrueshmeky sentiment kaq i fuqishem,ne te njejten kohe kaq vulnerabel e i manipulueshem?Kush jane sekretet,maturi,autostime,sokratllek,snob,budallallek?Frikerat a ndryshojne me sistemet,me shkallen e njohjes se botes e te fenomeneve?Frikerat a jane te perhershme apo ndryshojne’Pse jemi atehere shume me te angoshuar se paraardhesit tane?Pastaj ç’eshte per ju frika me e madhe?

  7. Treqind shpirtna n’trup me i pasë…

    (nga: Visaret e Kombit, Vëllimi II, Tiranë 1937)

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin