Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kulturë / Media

MUZGJE IDHUJSH

Prison GarbVdekja e pop star-it Michael Jackson pati efektin e papritur që ta zhvendosë nga kryetitujt “revolucionin” në Iran.

Ka megjithatë një lidhje më të thellë mes këtyre ngjarjeve, që ilustron edhe natyrën e trazirave në botën e sotme, të përcjella e ndonjëherë të katalizuara nga mediat.

E them këtë edhe ngaqë, gjithë këtë javë dhe pavarësisht nga ç’i ndodhi Michael-it, kam përtypur në mend disa ngjashmëri strukturale midis ngjarjeve në Iran dhe atyre në Shqipërinë e pas 1990-ës, të sotme dhe të djeshme.

Korriku dhe dhjetori i 1990-ës asnjëherë nuk do të ndriçohen dot; ka mundësi që revolta popullore të jetë nxitur, madje ndezur sa prej agjenturave të huaja aq edhe prej vetë Sigurimit të Shtetit, që vetëm ashtu do të mund ta ruante disi kontrollin mbi ngjarjet.

Edhe pse nuk kam qenë në Tiranë atëherë, e mendoj veten si një nga ata që mezi e kanë pritur ditën kur do të rrëzohej statuja e krimbur e diktaturës; prandaj e kam të lehtë të identifikohen me banorët e Teheranit, që dalin të protestojnë rrugëve kundër regjimit të atjeshëm obskurantist, censurës brutale dhe sundimit të ajatollahëve mbi jetën kulturore dhe filozofike.

Megjithatë, e kam të qartë sa thellë është zhgënjyer brezi im nga rruga që mori Shqipëria e pas 1990-ës. Mjaft të marr me mend se kush rrezikoi më tepër gjatë viteve 1970-1980, dhe kush përfitoi më tepër pas 1990-ës; kush u varfërua nën diktaturë dhe kush u pasurua në “demokraci” – materialisht dhe shpirtërisht.

Totalitarizmin e kam përjetuar në Tiranë, banor i kryeqytetit; qëkur fillova të mendoj në terma të së drejtës dhe të krimit, të lirisë dhe të shtypjes, të dritës dhe të errësirës, nuk mund të mos i mbaja sytë e kthyera nga Perëndimi, që – për ne të Tiranës në ato vite – ishte Italia, e parë përmes televizionit, e dëgjuar përmes radios.

Përveç të deklasuarve dhe të persekutuarve politikisht, më të ndrydhurit në Shqipërinë totalitare ishin punëtorët e mendjes: intelektualët, studentët, shkrimtarët, artistët, mësuesit, përkthyesit; ata e përjetonin intimisht robërinë e mendimit, ata e përfytyronin identitetin e tyre të realizuar mirëfilli në një botë me dyer të hapura.

Të tillë janë iranianët që kanë marrë sot rrugët e Teheranit, për të protestuar kundër primitivizmit të regjimit të atjeshëm; rezultatet e zgjedhjeve, manipulimet dhe mashtrimet, janë ndoshta vetëm preteksti për të ngritur zërin.

S’ka pikë dyshimi se shumë prej iranianëve që kanë pasur kontakt me Perëndimin, kulturën shekullare, kultin e lirisë individuale dhe të fjalës, të drejtat e njeriut e veçanërisht të gruas, përbuzjen ndaj autoritarizmit old fashioned, gjenden në të njëjtën agoni, si edhe elitat intelektuale të Tiranës, në fund të viteve 1980.

Agjenturat e huaja, të interesuara për të destabilizuar Iranin, do të fokusoheshin pikërisht në këtë pakënaqësi difuze, për ta kanalizuar drejt revoltës së hapur, sikurse bënë atëherë në Tiranë; vetëm se, njëlloj si në Shqipëri, elitat pro-perëndimore në Iran nuk mund veçse të jenë një pakicë e papërfillshme.

Kur kam qenë student, në vitet 1977-1983, gjithnjë e merrja veten me të mirë me një përfytyrim të përsëritur, madje obsesiv; doja të montoja, në pika strategjike të oborrit të Fakultetit Histori-Filologji, altoparlantë të fuqishëm, nga të cilët të buçiste pastaj, anembanë, kënga “Another Brick in the Wall” (Part II) e Pink Floyd.

E kaloja këtë përfytyrim në mendje deri në hollësitë më të papërfillshme, si të isha producenti i një videoklipi: fytyrat e studentëve, ngërdheshja në fytyrën e sekretarit të Partisë, urdhri i një mësuesi fizkulture për t’i rrëzuar altoparlantet, shija që do të më jepte në gojë cigarja, teksa do të ndihesha krenar për katrahurën që kisha shkaktuar.

Mënyra ime për t’u Jan Palach-izuar, si të thuash.

Unë e kisha kapur me Pink Floyd, por ndonjë moshatari im, vetëm pak vjet më vonë, do të ketë pasur të njëjtën fantazi, edhe pse ndoshta me “Bad” ose “Thriller”, të Michael Jackson-it.

Idetë i kishim të mira, por mjetet për t’i realizuar i kishim blerë në tregun e zi të kulturës.

Nuk më duket rastësi, megjithatë, që rënia e Murit të Berlinit u kremtua, ndër të tjera, edhe me një mega-koncert të Roger Waters – dikur pjesëtar i Pink Floyd dhe autor i konceptit të albumit “The Wall”, ose i metaforës pop muzikore dhe kulturore së Murit. Ironikisht, në atë koncert luajti edhe Orkestra Ushtarake e Armatës Sovjetike…

Pink Floyd - HammersPërfytyroni tani totalitarizmin pothuajse fetar të Lindjes, në format e veta herë politike, herë teokratike nga njëra anë; ekumenizmin rinor të kulturës pop nga ana tjetër.

Kush do të fitojë?

Për fat të keq, diskursi për Iranin rrëshqet në dy shina që po vijnë duke iu larguar njëra-tjetrës; pro-perëndimorët e Twitter-it kanë të drejtën e tyre të revoltohen ndaj katundarisë politike të Ahmadinejad-it; por ky i fundit ka me vete votën e popullit. Prandaj nuk ka pikë kuptimi të ngatërrosh demokracinë me lirinë; sikurse nuk kishte pikë kuptimi ta ngatërroje në Shqipërinë e 1990-ës, pavarësisht nga parullat e brohoritura në oborret e ambasadave te rruga “Skënderbej” në Tiranë.

Në një Iran të lirë, qytetarët e Teheranit duan ta kalojnë natën duke ndezur qirinj poshtë portreteve dhe posterëve të ikonës pop Michael Jackson-it; në një Iran demokratik, vese të tilla nuk do të tolerohen dot, sikurse nuk janë toleruar.

Autoritarizmi bashkëjeton për bukuri me demokracinë; aq më tepër në kushte si të sotmet, kur Perëndimi e ka humbur të drejtën morale për të dhënë leksione të etikës politike. Teksa Neda Agha Soltan-it i lakohej emri anembanë infosferës në Perëndim, gjetiu ende komentohej masakra që kish bërë një avion robot i NATO-s gjatë një funerali në Pakistan (80 të vrarë, si me shaka).

Unë vetë e paskam tani të vështirë të përfytyroj një koncert të Roger Waters-it në Baghdad.

Shumë ujë ka rrjedhur, që nga vitet euforike të pas 1990-ës; Irani i sotëm i ngjan, në shumë aspekte, Lindjes europiane të para 20 vjetëve – por Perëndimi është katandisur në fantazmë të çka përfaqësonte atëherë, edhe pse avionët, raketat dhe gjeneralët i ka përmirësuar (pa përmendur hyrjen e Shqipërisë në NATO).

Michael Jackson-i mund t’i zhvendosë fatet e Iranit nga titujt kryesorë të Reuter-it e të AP-së; por nuk i energjizon dot më ushtritë e Twitter-it në Teheran. Revolucionet nuk bëhen dot pa sakrificat e idealistëve; po vallë nuk kanë nevojë, edhe idealistët, për ideale?

6 Komente

  1. “Vdekja eshte vetmja e pavdekshme e cila na trajton te gjitheve njelloj-meshira e se ciles dhe paqja e se ciles jane strehimi i te gjitheve-i te ndotureve dhe te paperlyerve,te pasureve dhe te varfereve,i te dashurve dhe te padashurve.”
    Shkruajtur nga Mark Twain,pak para se te vdiste me 1910.

  2. Ngajshmerite e Shqiperise me Iranin:
    – Diktature fetare
    – Shumica e popullsise e prapambetur (ne te vetmet zgjedhje te lira deri tani ne Shqiperi, me 31 Mars 1991*, partia komuniste fitoi bindshem).
    – Ekzistenca e nje shtrese te gjere properendimore.
    – Televizori italian ne Shqiperine e 1990 = internetin ne Iranin e 2009.

    Ndryshimet:
    – Varferia ne Shqiperi ishte shume me e larte se ne Iran. Edhe pak vite te vazhdonim me komunizmin do fillonim te vdisnim urie.
    – Diktaturat komuniste ne vendet rreth Shqiperise rane nje pas nje. Ishte logjike qe edhe diktatura ne Shqiperi te pesonte te njejtin fat.
    – Irani ka nje fasade demokratike dhe levizje te lire te njerezve.
    – Komunistet shqiptare besuan ideologjine e tyre sipas se ciles vetem ideologjia ishte e mjaftueshme per te mbajtur shtetin. Kur pushteti u shty paksa ai ra si mullar kashte. Islamiket iraniane kane krijuar nje numer strukturash aktive ne mbrojtje te pushtetit.
    – Ekzistenca e fasades demokratike ka krijuar nje lufte te vertete per pushtet ne Iran. Ne Shqiperi lufta per pushtet ishte vec manovrim i nje numri teper te kufizuar personash per te siguruar favoret e diktatorit.

    Ne kushtet qe eshte Irani une nuk besoj se eshte e mundur permbysja e diktatures islamike per shume vite ne vijim. Shpresa me e mire per Iranin eshte nje zhvillim i tipit te Kines, rritje ekonomike dhe ulje e ndikimit te islamikeve ne jeten e perditshme.
    Me sa duket ngjarjet qe po zhvillohen ne kete moment ne Iran jane vecse nje beteje per pushtet, pregatitje per caktimin e pasardhesit te liderit suprem qe ka probleme shendetesore.
    Parashikimi im eshte qe grupi reformist e ka humbur kete beteje, por jo krejt luften. Problemi kryesor i levizjes reformiste eshte se nuk ka gjetur akoma Ten Hsiao Pinin e vet. Nderkohe ne kete moment grupi konservator duket mjaft i bashkuar por lideret e tyre fetare nuk duket se gezojne popullaritet te mjaftueshem per te qeverisur pa probleme.

    Per mendimin tim zhvillimet ne Iran dhe Pakistan jane teper te rendesishme per fatet e botes dhe ja vlen te ndiqen. Nje Iran dhe Pakistan demokratik do ndikonin ndjeshem ne rritjen e nivelit te paqes ne bote.

    *Ky shenim u shkrua me 27 qershor 2009. Besoj se zgjedhjet e 28 qershorit do jene zgjedhjet e dyta te lira ne Shqiperi.

  3. Me altoparlantet ne fakultet me kujton “Shawshank Redemption” Xha Xha kur Andy Dufresne vuri mbi gramafon pllaken me Martesen e Figaros, kenduar nga Maria Callas. Ai film eshte metafora e jetes tone ne ato vite. Vecse burgu yne ishte kolektiv; i gjithe shoqerise.

    Shoqeria iraniane eshte teresisht horizontale dhe komponenti vertikal eshte pothuaj inekzistent. Nje gje e tille ka qene po aq e vertete per shoqerine shqiptare totalitare; bile edhe me keq. Shoqeria shqiptare ishte teresisht e pa pergatitur per nje levizje dhe shnderim te atille dhe nese nuk do te ishte ndikimi i faktorit te huaj dhe Tirana, ndoshta edhe sot do te kishim ne krye te puneve ne mos Ramiz Aline, me siguri djalin e tij ose dhenderrin.

    Idete, idealet dhe idealistet i ka patur cdo vend dhe shoqeri njerzore ne te gjitha koherat. Mirpo qe ato te behen realitet, duhen rrethana te caktuara historike. Kjo behet akoma me imperative per shoqeri si ajo e jona asokohe dhe e sotmja iraniane. Pra dua te them qe sot per Iranin nuk mjafton BBC, CNN dhe Twitter. Kohe tjeter.

    Irani do vazhdoje te jete ai qe eshte dhe do te priten zhvillime te tjera ne arene qe ndoshta do te percaktojne edhe fatet e ardhshme te Iranit, Pakistanit, Irakut dhe Afganistanit.

    Vdekja e Michael Jacksonit ishte nje ngjarje e duhur (e pa deshiruar) ne kohen e duhur qe po sherbeu si rruge dalje e perendimit ne perpjekjen e deshtuar (te orkesturar nga Amerika) per te rexuar Ajahtollahet.

  4. Irani ka mireqenie 3 here me te larte se Iraku, 15 here me te larte se Afganistani dhe pothuaj 6 here me te larte se Kosova.

    Kosova ka 10 vjet qe administrohet nga Europa dhe prodhimi per fryme PPP eshte 3 here me i vogel se i vete Shqiperise.
    Shqiperia nga 1998 deri ne 2008 e katerfishoi (nominalisht) prodhimin e saj dhe buxhetin e shtetit, po Kosova ?

    Duke pare keto te dhena, duhet pranuar qe ku fut hundet Perendimi, me administrim ne rastin e Kosoves apo administrim & guerrilje ne rastet e tjera, shkakton fatkeqesi e ngelje ne vend.

    Keshtu qe ne kohet e sotme, kush simpatizon nje vend xyz, ne radhe te pare duhet te uroje qe Perendimi te mos ngaterrohet me te apo me mire, mos te perpiqet ta administroje.

    Nderkaq, jam i bindur qe ne Perendim, simpatia per iranianet qe protestojne, buron pervec nga ndjenjat anti-islamike edhe nga deshira kolektive per te rikonfirmuar edhe ne nje vend tjeter te botes, se modeli perendimor eshte i vetmi model per tu ndjekur; nje lloj nxitje e veteperkedheljes qe ushqehet nga mediat.

    Irani, po te shihet perberja e popullsise, mbijeton e mund te zhvillohet vetem ne formen perandorake, laike apo fetare qofte.
    Zhvillimi i Iranit, ka sjelle nevojen per zgjerim perandorak me ngjyra fetare ne Irak, zonen shiite dhe ate laiko-nacionale ne Afganistanin ku flitet ‘dari persian’.
    Perndryshe , ky zhvillim ekonomik do perkthehet ne konflikte te brendshme (sikunder po perkthehet deri diku), te cilat rrezikojne jo vetem dobesimin po vete shkaterrimin e Iranit, pasi identiteti iranian nuk kuptohet dot pa elementin shiit.

    Midis ketyre dy mundesive , kjo e dyta pelqehet mjaft ne zyrat e Perendimit.
    Nderkaq piplli, ashtu si para luftes ne Irak, kujton serisht se ne ate zone njerezit do jene te lire e te lumtur nese behet i mundur nderrimi i regjimit.

    Ndersa autokracia agresive caristo-sulltaniste e Putinit behet dita-dites me e qarte e njekohesisht me e pelqyeshme per vete popullin rus, popull europian e kristian, problemi me i madh duket se eshte teokracia iraniane e mamluket e rinj te quajtur pasdaran, te cilet lodhin krahet mbi mishin e bashkefetareve, te po atyre qe kur vijne ne perendim me callmat, penevreket e percet e tyre, shihen shtrember, shihen si troglodite qe duan te rrenojne themelet e perendimit.

    Edhe une jam me protestuesit, meqe nje Iran si Iraku, edhe pse anesisht, ndikon per mire si ne ekonomine tone ashtu edhe ne rolin nderkombetar si aleate te Amerikes.

  5. mua me pelqen shume xha xhai, por ne kete shkrim me duket se duhet ta qartesonte pak me teper ate idene mbi raportin liri-demokraci.
    nejse pergjithesisht me pelqen. shume.

  6. @ Hyllin

    “Edhe une jam me protestuesit, meqe nje Iran si Iraku, edhe pse anesisht, ndikon per mire si ne ekonomine tone ashtu edhe ne rolin nderkombetar si aleate te Amerikes.”

    Si mund te ndikoje, qofte edhe anesisht, nje Iran dhe Irak ndryshe ne ekonomine tone? Per ekonomine e cilit vend e ke fjalen?

    A thua qe Irani dhe Iraku do te behen ndonjehere alate e Amerikes?

    A do ta lejoje Turqia idene e krijimit te nje perandorie te tille duke patur parasysh qe faktori kurd sot po ze gjithnje e me shume vend ne axhendat diplomatike. Turqia e mban shpresen te Perendimi.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin